Akllapi Net - Forum i Hapur
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

Tuneli i Thirrës "shpëton" Mediun

Shko poshtë

Tuneli i Thirrës "shpëton" Mediun Empty Tuneli i Thirrës "shpëton" Mediun

Mesazh nga Agim Gashi Tue Jul 07, 2009 10:25 pm

Tuneli i Thirrës "shpëton" Mediun

Pezullimi i lëvizjes, justifikim për avokatët. Seanca e ardhshme, kur kreu i PR-së të vishet me imunitet
Sokol Çobo



Procesi gjyqësor ndaj Fatmir Mediut, ish-ministër i Mbrojtjes, i akuzuar si përgjegjës për tragjedinë e Gërdecit, është shtyrë për në datën 14 shtator të këtij viti, pasi avokatët e tij ishin bllokuar dje në Kukës, si pasojë e mbylljes së tunelit të Thirrës që mund t‘i sillte në Tiranë. Dje, në orën 10:00, në Gjykatën e Lartë ishte programuar që të zhvillohej procesi gjyqësor me të akuzuar Mediun. Në fillim të seancës gjyqësore, asistenti i avokatëve i parashtroi trupit gjykues të drejtuar nga Besnik Imeraj një faks, në të cilin ishin shkruar arsyet e mosprezencës së Ardian Vishës dhe Petrit Seranit. "Të nderuar gjyqtarë, për shkak të angazhimeve tona ndodhemi në qytetin e Kukësit. Ne kishim planifikuar kthimin sot (dje) në mëngjes, por mbyllja e tunelit që lidh Kukësin me Mirditën nuk na e mundësoi një gjë të tillë. Në këto kushte, në pamundësi të paraqitjes sonë, kërkojmë shtyrjen e procesit në një ditë tjetër", thuhej në faks, i cili u lexua nga gjyqtari Imeraj, i shumëkontestuar nga prokuroria dhe familjarët e viktimave të Gërdecit. Prokuroria e ka kundërshtuar, duke deklaruar se arsyet janë qesharake, por trupi gjykues e pranoi "justifikimin" e avokatëve, duke vendosur se seanca tjetër do zhvillohet më 14 shtator.


Procesi

Kur pritej me shumë interes hapja e procesit gjyqësor kundër ish- ministrit të Mbrojtjes, Fatmir Mediu, i akuzuar nga prokuroria si një nga shkaktarët e tragjedisë së Gërdecit, sërish drejtësia shqiptare është përballur me mungesën e avokatëve. Asnjë prej përfaqësuesve ligjorë të ish-ministrit nuk ndodhej dje në sallën e gjyqit, ndërkohë që banka e prokurorisë ishte e kompletuar, me pjesëmarrjen e katër prokurorëve dhe katër oficerëve të policisë gjyqësore që kanë hetuar ngjarjen e 15 marsit 2008, ku humbën jetën 26 persona dhe u plagosën qindra të tjerë. Po kështu edhe trupi gjykues ishte zëvendësuar pas largimit të gjyqtares Irma Bala. Ardian Nuni i larguar për disa kohë jashtë vendit, si pasojë e kurimit pas plagosjes që pësoi disa muaj më parë, u rikthye këtë herë për të qenë pjesë e trupës gjyqësore që do të gjykojë Fatmir Mediun, deputetin e rizgjedhur në zgjedhjet parlamentare të 28 qershorit të këtij viti, imunitetin e të cilit do ta përfitojë në fillim të muajit shtator. Por seanca gjyqësore nuk u zhvillua, pasi avokatët, në pamundësi për të qenë në sallën e gjyqit, njoftuan Gjykatën e Lartë me faks se janë bllokuar në qytetin e Kukësit, për shkak të angazhimeve dhe për një arsye tjetër që lidhet me bllokimin e tunelit të Kalimashit. Pas leximit të faksit nga gjykata, ka reaguar edhe prokuroria, e cila e quajti qesharake pretendimin e mbrojtjes. Sipas prokurorit Arben Dollapi, tuneli me vendim të këshillit të Ministrave mbyllet në orën 11:00, ndërkohë që avokatët duhej të kishin mbërritur për gjyq. Të ndodhur në këto kushte, gjykata caktoi datën 14 shtator si ditë për seancën e radhës.


Imuniteti

Prokuroria e Përgjithshme thotë se "loja" e avokatëve mbrojtës të ish-ministrit të Mbrojtjes funksionoi mjaft mirë. Në pamundësi të ardhjes së tyre, Gjykata e Lartë ishte e "detyruar" të shtynte procesin gjyqësor për një datë tjetër. Më të arsyeshme e pa që seanca të zhvillohej në fillim të muajit shtator. Si rregull, gjykata nuk mund të shtyjë një proces gjyqësor për më shumë se 15 ditë. Por, ardhja e pushimeve verore i ka detyruar anëtarët e trupës gjyqësore që ta shtynin gjyqin, megjithëse kishin mundësi që të zhvillonin një gjykim të pandërprerë, siç parashikohet në Kodin e Procedurës Penale. Duket se edhe në shtator gjyqtarët kanë luajtur mjaft mirë me afatet ligjore. Nëse seanca do të zhvillohej pas datës 15 shtator, atëherë do të kishim një shkelje ligjore. Por nga ana tjetër rezulton se procesi i 14 shtatorit nuk mund të realizohet, pasi në këtë datë, kryetari i Partisë Republikane ka përfituar një mandat deputeti në Parlament, pasi emri i tij figuron fitues në Qarkun e Tiranës. Sipas procedurës, gjykata dhe prokuroria duhet të marrin sërish leje në Parlament për të hetuar dhe gjykuar një deputet. Në këtë rast duhet të rifillonin të gjitha kërkesat e prokurorisë dhe Kuvendi të votonte për heqjen ose jo të imunitetit. E gjithë "loja" e avokatëve mbrojtjes mund të sjellë një pushim të të gjitha akuzave ndaj ish-ministrit të Mbrojtjes, Fatmir Mediu.





Reagimet
Prokuroria e Përgjithshme dhe familjarët e viktimave akuzojnë gjykatën dhe të pandehurit për moszhvillimin e gjyqit


Prokuroria: Dosja u bë copë-copë

Familjarët: Nuk ka asnjë drejtësi


Në seancën e djeshme pati edhe reagime nga familjarët e dëmtuar. Ata, me anë të avokates Blerta Kraja, tentuan të ndërhyjnë në seancë për të bërë një deklaratë kundër ndarjes së çështjes. Por gjyqtari Besnik Imeraj i ndërpret fjalën, duke i kujtuar se nuk është e legjitimuar në këtë proces dhe nuk ka të drejtën e fjalës. Po kështu, të irrituar ishin edhe familjarët, të cilët u shprehën se kanë kohë që presin vazhdimin e gjyqit dhe nuk pajtohen me qëndrimin që ka mbajtur deri në këto momente ish- ministri i Mbrojtjes. "E dimë përse nuk vijnë. Nëse nuk vijnë, pushohet çështja, pasi merr një imunitet tjetër. Kjo është e turpshme", deklaruan familjarët jashtë seancës gjyqësore, duke u bërë thirrje të akuzuarve për tragjedinë e Gërdecit që të paraqiten në sallën e gjyqit.

"Nuk kanë guxim të vijnë. Janë të pafytyrë e të paturp. Nuk vijnë, se i kujtojnë nënat dhe fëmijët e tyre", deklaron Gërdec Feruza, i cili nga shpërthimi i fuqishëm i 15 marsit 2008 ka humbur djalin 10-vjeçar. Ai është endur në të gjitha proceset gjyqësore prej pesë muajsh, por deri më dje, ende asnjë proces gjyqësor nuk është zhvilluar. Dosja e dytë e Gërdecit, pas asaj të Mediut, ndodhet në shkallën e parë dhe pritet që në datë 15 korrik të hapet seanca nga gjyqtari Ridvan Hado, i cili është duke njoftuar palët në proces. Po kështu, në seancën e parë do pritet edhe kërkesa për veçimin e çështjes, pasi ushtarakët e akuzuar për tragjedinë do të kërkojnë që çështja të ndahet.

Në lidhje me akuzat e familjarëve për moszhvillimin e seancave gjyqësore ka reaguar dje pasdite edhe Gjykata e Lartë, nëpërmjet një njoftimi për shtyp. Sipas saj, në datën 6 korrik 2009 ishte caktuar për shqyrtim çështja penale në ngarkim të Fatmir Mediut, akuzuar për "Shpërdorim detyre". Në këtë seancë, thotë Gjykata e Lartë, avokatët mbrojtës, Ardian Visha dhe Petrit Serani, paraqitën kërkesë me shkrim për shtyrjen e gjykimit për pamundësi objektive të pjesëmarrjes së tyre. "Përfaqësuesit e Prokurorisë së Përgjithshme, pasi u njohën me kërkesën e mësipërme, shprehën mendimin përpara trupit gjykues që ajo të pranohet dhe seanca të shtyhej për një datë tjetër. Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë, duke u bazuar te Kodi i Procedurës Penale, vendosi ta shtyjë seancën gjyqësore", përfundon njoftimi i Gjykatës Supreme në Shqipëri.



Dosja


"Peripecitë" e prokurorisë për hetimin e Gërdecit


Hetimi i tragjedisë së Gërdecit nuk ka qenë tepër i lehtë për Prokurorinë e Përgjithshme, e cila shpesh herë është gjendur nën presionin e politikës. Pas konstatimit se përgjegjës për shpërthimin e 15 marsit ishte edhe ish-ministri i Mbrojtjes, Fatmir Mediu, akuza qendrore i dërgoi një kërkesë Parlamentit për heqjen e imunitetit, pasi ndaj personit në fjalë ka të dhëna që flasin për një vepër penale. Kërkesa u depozitua në Parlament, por Kryeparlamentarja Jozefina Topalli tha se dokumentacioni nuk ishte i saktë dhe ligjvënësit shqiptarë nuk mund të vendosnin për të hequr imunitetin vetëm me kaq pak prova. Prokuroria riformuloi kërkesën dhe u depozitoi 139 parlamentarëve shqiptarë një kërkesë për heqje imuniteti, e cila pas debatesh midis mazhorancës dhe opozitës, në fund është votuar për heqjen e imunitetit. Megjithëse imuniteti u hoq në fund të vitit 2008, ish-ministri i Mbrojtjes, Fatmir Mediu, u mor zyrtarisht i pandehur vetëm në fillim të muajit mars 2009, kohë kur përfundonin hetimet e prokurorisë. Edhe në këtë rast grupi hetimor ka hasur në rezistencën e avokatëve të deputetit, ku nuk munguan as debatet gjatë komunikimit të akuzës. Pas peripecish të shumta, dosja u depozitua në Gjykatën e Lartë, megjithëse kjo e fundit i ktheu akuzës qendrore disa prova, pasi nuk ishin "qëndisur" mirë. Pas regjistrimit të dosjes u zhvillua seanca e parë, ku trupat gjykuese filluan "krasitjet" e para, duke e degdisur dosjen "Gërdeci" në gjykata të ndryshme, megjithëse bëhej fjalë për vetëm një ngjarje me pasoja të rënda. Në fund, Gjykata e Lartë do të gjykojë vetëm ish-ministrin, Gjykata Civile e Tiranës do të gjykojë paditë për dëmshpërblim të dëmit, ndërsa Gjykata Penale e Tiranës do të gjykojë 29 të pandehurit e Gërdecit. Megjithëse ka pasur kundërshti për përbërjen e trupës gjykuese në Gjykatën e Lartë, ata nuk kanë ndryshuar, me përjashtim të gjyqtares Irma Bala, e cila është në gjendje jo të mirë shëndetësore dhe ndodhet në Itali për kurim.


Dosja

Shpërthimi i një fabrike të çmontimit të municioneve mesditën e 15 marsit të një viti më parë në Gërdec, u mori jetën 26 personave, si dhe plagosi 300 të tjerë. Pas një viti hetimesh, prokuroria vuri nën akuzë 30 persona, ku top-listën e kryesonte ish-ministri i Mbrojtjes, Fatmir Mediu, disa ish-ushtarakë të lartë, administratori i "Alba Demil", Mihal Delijorgji dhe ish-kreu i "Meico"-s, Ylli Pinari






vijon
Agim Gashi
Agim Gashi
Administrator
Administrator

Numri i postimeve : 45955
Age : 70
Location : Kosovë
Registration date : 17/11/2008

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Mbrapsht në krye

- Similar topics

 
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi