Akllapi Net - Forum i Hapur
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

DILEMA HAMLETIANE NË ROMANIN E PALUSHIT

Shko poshtë

DILEMA HAMLETIANE NË ROMANIN E PALUSHIT Empty DILEMA HAMLETIANE NË ROMANIN E PALUSHIT

Mesazh nga Agim Gashi Thu Jul 09, 2009 8:23 pm

DILEMA HAMLETIANE NË ROMANIN E PALUSHIT




Bilbil Hereni








DILEMA HAMLETIANE NË ROMANIN E PALUSHIT Kopertina-e-romanit-Njeriu"Njeriu që kujdesej për varrin e vet", është romani i tretë i shkrimtarit Petrit Palushi.

Duke u hedhur një vështrim panoramik tre romaneve të botuar për një kohë relativisht të shkurtë: "Përroi i Andrrës"(2004), "Tri motra në një qytet" (2006), dhe "Njeriu që kujdesej për varrin e vet" (2007), evidentohet qartë se kemi të bëjmë me një prozë esencialisht të kualifikuar, jo vetëm në këndvështrimin e veçantë tematik, por dhe në mënyrën e rrëfimit, të gjallërimit e funksionimit të mjeteve shprehëse.



Akti i vetëflijimit




Te romani "Njeriu që kujdesej për varrin e vet", lehtësisht hetohet përqasja e autorit drejt një teme shumë interesante, depërtimit në pjesën e padukshme të qenies njerëzore, përjetimeve psiko-dramatike mes jetes dhe vdekjes, trishtimit dhe shpresës, ankthit dhe qetësisë, ëndrrës dhe realitetit.

Romani "Njeriu që kujdesej për varrin e vet" rrok një ngjarje të pazakontë. Kuptohet që autori përmes një fiction, ka krijuar ngjyrime të shumta dramatike duke i dhënë romanit diapazonin e duhur artistik dhe duke përcjellë kumtin se në çfarë shkalle mund të kulmojë dashuria dhe sakrifica prindërore. Vuajtja e tejskajshme shpirtërore e protagonistit (Bardh Drini) duke mbajtur në vetvete peshën e fajit, dhe pse i pafajshëm, për humbjen e papritur të të birit, pa i mbushë njëmbëdhjetë vjeç, kur shprehet: “Nuk munda ta mbaja në jetë", dhe pamundësia njerëzore para fatit, e shtyn atë të marrë vendim të hapë varrin e tij pranë Egzonit, djalit që iu mbyt në lumin Drin.

Në një gjendje të trazuar ai dialogon me mikun e tij, Curr Hanën, i cili përpiqet ta ngushëllojë:

(- Nuk është i pari që është mbytë aty, - i tha Curri.

Bardhi e kuptoi se e kish fjalën për Egzonin.

- Por as i fundit, - shtoi mbas pak Curri.

Po mundohej t’ia hiqte sadopak mendjen prej asaj ç’kish ndodhë si nja dy javë më parë.

Bardhi e kqyri në dritë të synit dhe e pyeti si me inat:

- Domethënë, prap ka me u mbytë tjetërkush?)

Bardh Drinin, si prind, e tmerron frika se vdekja tinëzare do t’i marrë një fëmijë tjetër. Ai beson në bestytnitë e trashëguara gojarisht brez pas brezi, se ky veprim do të ishte një mënyrë parandaluese për tragjedi të tjera tek dy fëmijët e tjerë. Ai me këtë vendim nënshkruan aktin e vetflijimit por edhe shpresës për një marrëveshje me vdekjen. Që në këtë moment ai komunikon me vdekjen, duke e pritur atë, duke e sfiduar, por edhe duke e lutur që ta marrë atë për hir të jetës së fëmijëve të tjerë. Autori nuk bën përshkrim të mirëfilltë dramatik dhe romani nuk evidenton monologje të mirëfillta apo dialogje tradicionale dramatike. Dramaciteti përcillet në një formë artistike origjinale dhe kjo qëndron në forcën e përshkrimit dramatik, i cili sjell edhe përjetimin e dramës së personazhit Bardh Drini dhe e bën të besueshme tek lexuesi.



Aktivizimi i dilemës hamletiane




Drama e Bardhit (protagonistit) është e ndjeshme. Ai është si një Hamlet i vërtetë, ku shprehja e famshme "Të rrosh a të mos rrosh... ", që tashmë është bërë sinonim i tronditjes së madhe, sikur e ndjek në çdo moment të pasvdekjes së djalit. Kjo dramë ndihet në veprimet, lëvizjet e shqetësimet e tij, në monologjet dhe trishtimin se mos vdekja i merr edhe Rronin, djalin e vogël, prandaj e kontrollon atë shpesh edhe në gjumë.

Në këtë gjendje të rëndë shpirtërore personazhi sikur flet përçart: ("- Egzoni do të kthehet shpejt,-i tha Lumnies... Duhet ta lëmë haptë derën e shtëpisë..."). Kështu, drama shpirtërore e Bardhit është e ndjeshme. Ai është një personazh që drama e ndjek në çdo moment të pasvdekjes së djalit. Në këto situata tensioni psikologjik, Bardhit i shpiken në tru dialogje me personazhe inekzistentë: (... Minj nëpër shtëpinë tënde-sikur i erdh një zë i rëndë kah mbrapa. "-Minj nëpër dhomën e fëmijëve të tu, - sikur foli një zë tjetër më i ashpër se i pari. - Minjtë do më prekin fëmijët e mi, - sikur foli vetë me zë të naltë..."). Ai nuk fle gjumë. Madje nga frika se mos fëmijët e pësojnë, gjithçka i duket armiqësore dhe vdekjeprurëse: ("...në qoshe të kopshtit pa një gjarpën të larmë.... - Gjarpni do më helmojë fëmijët. As e mori me mend kah i erdh ai mendim i mbapshtë... “E keqja të shkojë tek fëmijët e mi?” - dhe pse të mos ndalë tek unë? Në krye të shtatë ditëve Bardhi shtoi edhe shtatë pula të tjera. “Tani kam njëzet pula”, - foli me zë të naltë, vetëm pulat e farojnë gjarpnin...").

Dhimbja e tij është e pamatë. Ai tashmë jeton për të vdekur dhe kjo përbën dramën reale të këtij personazhi në bashkëudhësinë dhe rivalitetin jetë - vdekje. Ai shkon shpesh tek varri i Egzonit dhe dialogon me të dhe do të rrijë aty, të shtrihet në krah të djalit, në varrin e tij, edhe pse vdekja s'po e merr. Me këtë "thyerje" të formatit artistik të romanit, autori zbërthen përjetimin dramatik të personazhit baba, nëpërmjet një dialogu me djalin e vdekur:

Bardhi - A vjen uji i shiut aty?

Egzoni - Nuk vjen... Mezi marr frymë..

Bardhi - Frymë?

Egzoni - Po, frymë...

Bardhi - Ah, atëhere po rri edhe unë në gropzën time...

Bardhi nuk do ta lërë vetëm djalin. I dhemb shpirti tek e "dëgjon" të "thotë" se mezi merr frymë, por nuk ka forcë. Forca e tij e vetme është hapja e varrit përkrah të birit dhe shpresa se vdekja do të vijë ta marrë sa më shpejt. Po a ka dramë më të madhe se thirrja e vdekjes? Është i njohur monologu i famshëm i Hamletit që dyshon nëse duhet jetuar apo jo ("Të rrosh a të mos rrosh"). Personazhi i romanit të Palushit nuk ka dyzim dhe arrin ta shformësojë dilemën hamletiane. Ai e ka vulosur flijimin e tij për hir të fëmijëve duke bërë veprimin më të guximshëm deri në pabesueshmëri: hapjen e varrit për vetveten, si një dëshirë apo lutje që vdekja të mos kalonte te fëmijët e tij. Pra, vdekja e tij do të shërbente si një mbrojtje e jetës së fëmijëve. Është ndjeshmëria e lartë njerëzore, dashuria e prindit për fëmijën që e shtyn në një veprim të tillë. Në këtë linjë, është fitorja e jetës mbi vdekjen. Kam përshtypjen se aktorët do ta kishin zili ta interpretonin në film apo dramë një personazh të tillë, me përmasa të tilla ku trishtimi i humbjes dhe shpresa për të ndaluar vdekjet e tjera duke kërkuar vetëflijimin janë bërë një.



Prozë esencialisht e kualifikuar




Romani "Njeriu që kujdesej për varrin e vet" i Petrit Palushit, do të lërë gjurmë jo vetëm për formën e veçantë të ndërtimit artistik apo gjuhësor (bie në sy veçanërisht përdorimi i shkëlqyer i elementëve të gegnishtes moderne), por pa dyshim edhe për dramacitetin si pjesë e pandashme e ngjyrimit tematik dhe emocional. Vëmendja e lexuesit dhe e kritikës letrare ndaj këtij romani dhe dy romaneve të tjera të autorit, është një dëshmi e asaj që pohuam në krye të shkrimit se kemi të bëjmë me një prozë esencialisht të kualifikuar në të gjithë përbërësit.
Agim Gashi
Agim Gashi
Administrator
Administrator

Numri i postimeve : 45955
Age : 70
Location : Kosovë
Registration date : 17/11/2008

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Mbrapsht në krye

- Similar topics

 
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi