Akllapi Net - Forum i Hapur
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

Dalip Greca:Këmbanat po bien për diasporën

Shko poshtë

Dalip Greca:Këmbanat po bien për diasporën Empty Dalip Greca:Këmbanat po bien për diasporën

Mesazh nga Agim Gashi Wed Jul 15, 2009 6:48 pm

Këmbanat po bien për diasporën




Nga Dalip Greca

Në Shqipëri politika po zbutet dhe kryetarët kanë zbritur me këmbë në tokë se votuesit janë zgjuar. Nuk shkakton më habi bashkëpunimi mes dy krahëve të politikës, të djathtës dhe të majtës. Në zgjedhjet e 2005, kur Lufter Xhuveli, kryetar i Partisë Ambjentaliste, që jo vetëm vinte nga e majta, por kishte në biografinë e tij karrierë komuniste, u ftua për bashkëqeverisje nga Partia e qendrës së djathtë Demokrate e kryeministrit Sali Berisha, fenomeni u pagëzua me termin ”Xhuvelizëm” dhe u lakua gjatë në media. Mirëpo çudia zgjat tre ditë. Xhuveli i majtë qeverisi për katër vjet me Berishën e djathtë pa krijuar asnjëherë probleme mes tyre.
Tani, kur partia e kryeministrit Berisha ka bërë fakt të kryer aleancën me një nga kundërshtarët më potentë të tij, Ilir Metën, i cili dikur i pat treguar dhe muskujt dhe e pat çuar në komisariat të policisë shefin e opozitës, kritikat janë ngritur në zenit. Edhe pse formulat e bashkëqeverisjes janë ende në diskutim, nuk ka asgjë të pamundur në këtë koalicion të ri mes të majtës dhe të djathtës, i cili ka marrë përsipër misionin e vështirë të thellimit të reformave dhe futjen e vendit në BE.
Nëse do të kërkonim shembuj të ngjajshëm të bashkëqeverisjeve të tilla në Kosovë ato i gjejmë që në kohën e bashkëpunimit të ngushtë të Lidhjes së dikurshme Demokratike të Kosovës të presidentit Rugova dhe Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës të Ramush Haradinajt, për t’u përsëitur në kohën e tanishme mes Lidhjes Demokratike të presidentit aktual Fatmir Sejdiu dhe Partisë Demokratike të kryeministrit Hashim Thaçi. Të duket se një bashkim i tillë është artificial, lehtësisht i thyeshëm, jashtë psikologjisë dhe mentalitetit të shqiptarëve, por faktet janë kokëfortë; qeverisja vazhdon, pavarësisht se formula e bashkëqeverisjes mund të ketë patur si lajmës faktorin ndërkombëtar. Dihet, shqiptarët, e kanë të vështirë të merren vesh mes tyre, pa një kumbar të huaj.
Po diaspora shqiptare në Amerikë a po reflekton nga këto lloj bashkëpunimesh mes së majtës dhe së djathtës? A ka mundësi që edhe ajo të çlirohet nga ngërçet e së shkuarës dhe pas mjekimit të traumava dhe plagëve të realizojë gradualisht misionin e saj?
Misioni i bashkimit logjikisht nuk është i lehtë, por jo i pamundur. Dihet se Sigurimi i shtetit komunist shqiptar ka investuar aq shumë për ta përçarë diasporën e Amerikës, sa dëmet e krijuara janë të pallogaritshme dhe plagët rrjedhin ende.Të njëjtën gjë kanë bërë edhe sllavët me UDB e tyre famkeqe, të cilët e kanë dëmtuar dyfish komunitetin shqiptar të Amerikës; përmes ideologjisë dhe antishqiptarizmit.Titizmi dhe enverizmi, e kanë shtërnguar fort për gryke komunitetin dhe nuk e ka lënë që të marrë frymë lirisht. Por dalëngadalë plagët duhen shëruar,e keqja duhet të pastrohet me durim nga trupi i sakatosur i diasporës, e cila duhet të njohë për zot kombin. Natyrisht, që mëkatarët, duhet të hiqen mënjanë dhe pas rrëfimit të pastrojnë veten e t’u kërkojnë ndjesë atyre që u kanë shkaktuar drama.
Bashkimi i komunitetit rreth kombit dhe shteteve shqiptare, që funksionojnë në Shqipëri e Kosovë, mbetet sfida e shqiptarëve të Amerikës. A mund t’i shërbehet kombit duke e ndarë atë në copëza të vogla siç e kanë qejfin partitë politike, që dëshirojnë o të jetë e tyre ose e askujt?
Është harxhim i kotë energjish që në komunitetin shqiptar ende veprojnë partitë politike. Përse duhen ato, tani kur edhe Kosova ka shërbimin e vet diplomatik në SHBA? Çfarë shërbimi i japin çështjes kombëtare?
Le të dalë një kryetar partie në komunitet dhe të rrahë gjoksin për një aktivitet kulturor, artistik, a sportiv, që e ka organizuar ai me partinë e vet dhe t’i ketë shërbyer çështjes kombëtare!
Zor se gjendet një kryetar, apo parti e tillë që me anëtarësinë e vet të ketë bërë veprimtari të dobishme për kombin. Pritjet dhe përcjelljet nuk janë veprimtari, ato hyjnë tek kodi i shqiptarisë.
Kur akademik Nexhat Dacit, iu bë pyetja në takimin e fundit që zhvilloi në Bronx se deri kur do të vazhdojnë partitë politike të ekzistojnë në diasporë, përgjigja e tij ishte ekuivoke: Nëse ju mund të bëni pa partitë politike; nese ju i ruani traditat pa partitë politike, nëse fëmijët tuaj e mësojnë gjuhën shqipe pa partitë politike, le t’i heqim që sot, tha ai!
Në fakt, kush i ka ndjekur veprimtaritë e partive politike, ka vënë re se ato nuk mund të kenë funksione të tilla, që çojnë në ruajtjen e traditave kulturore dhe gjuhës shqipe edhe për faktin se në to shkojnë vetëm burra. Cila prej partive politike dha një dollar për hapjen e një kursi apo shkolle shqipe, për organizimin e një aktiviteti kulturor? Kush prej atyre mori mundimin dhe shkoi në një shkollë shqipe të hapur me mundim në Filadelfia, Staten Island, Masachussetss, Michigan etj. dhe çoi atje një kontribut sado të vogël, qoftë edhe për të blerë një abetare apo libër të leximit?
Ka dhe shoqata në komunitet që kanë në program çështje madhore të kombit, por që po bëjnë fare pak punë për kombin. Ka ardhur koha që diskutimet dhe debatet të bëhen hapur dhe komuniteti të jetë më bashkëpunues dhe t’i shërbejë më shumë çështjes kombëtare, por jo në mënyrë folklorike, duke mbajtur fjalime për kombin apo duke nënshkruar deklarata, kombit i shërbehet me vepra, fjalët i merr era.
Këmbanat po bien për diasporën, por duket se ajo ende nuk po i dëgjon dhe po vazhdon të funksionojë sipas avazit të vjetër të grupimeve. Ndoshat ata që drejtojnë shoqatat dhe partitë në komunitet duhet të hedhin një vështrim rrotull tyre dhe të shohin se ç’ndodh me komunitetet e tjerë, si funksionojnë ata, cila është Bibla dhe Kurani i tyre.
Shqiptarët ashtu siç ndjehen të barabartë dhe të bashkuar në kishë, xhami apo teqe, ashtu duhet të ndjehen edhe në jetën e përditshme të komunitetit.
Në Shqipëri, mirë keq, u gjet një ligj elektoral që verifikoi inekzistencën e 25 partive, por në diasporë, si do t’i bëhet halli, që kryetarët të verifikojnë se sa ndjekës kanë pas dhe çfarë shërbimesh i bëjnë kombit?
Agim Gashi
Agim Gashi
Administrator
Administrator

Numri i postimeve : 45955
Age : 70
Location : Kosovë
Registration date : 17/11/2008

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Mbrapsht në krye

- Similar topics

 
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi