Akllapi Net - Forum i Hapur
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

Dalip Greca: Valbona Z. Watkins, shqiptarja që kreu shkëlqyeshëm doktoraturën për letërsi

Shko poshtë

Dalip Greca: Valbona Z. Watkins, shqiptarja që kreu shkëlqyeshëm doktoraturën për letërsi Empty Dalip Greca: Valbona Z. Watkins, shqiptarja që kreu shkëlqyeshëm doktoraturën për letërsi

Mesazh nga Agim Gashi Mon Jul 12, 2010 1:28 am


Dalip Greca: Valbona Z. Watkins, shqiptarja që kreu shkëlqyeshëm doktoraturën për letërsi U1valbonazylowatkins1

Valbona Z. Watkins, shqiptarja që kreu shkëlqyeshëm doktoraturën për letërsi
Bisedoi: Dalip Greca, gazeta “Dielli”
Valbona Zylo Watkins dha mësim për pesë vite në një nga universitetet më të mëdha të Amerikës, në Penn State University. Pak kohë më parë ajo mori doktoraturën në letërsi. Në këtë intervistë Valbona sjell emocionet që përjetoi gjatë “Doctoral Hooding Ceremony” dhe tregon përvojën e saj studimore dhe pedagogjike.
Si e përjetuat ditën e doktorimit?
Dita e doktorimit për mua ishte një ditë e mbushur plot me emocione. Ajo shënonte jo vetëm pikën kulmore të studimeve të mia, por dhe vetë marrja në dorë e diplomës nga presidenti i Universitetit, më krijoi emoción të veçante. Atë ditë në sytë e mi çdo gje ishte perfekte, duke filluar që nga koha, familja e miqtë që më rrethonin. Rrethi i ngushtë i familjes - prindërit, motra dhe bashkëshorti- kanë qënë tifozët e mi më të zjarrtë gjatë këtij udhëtimi edukativ. Marrja e diplomës po në këtë ditë, ishte gjithashtu dhe një arritje e tyre. Nga ajo ditë do të veçoja një element interesant gjatë ceremonisë, element të cilin nuk e kisha përjetuar më parë kur mbarova “Bachelor degree” ose “Master of Arts”. Quhet “Doctoral Hooding Ceremony”, e cila ishte pjesë e ceremonisë së madhe të gradimit. “Hodding Ceremony” nderon studentin e doktoraturës duke i dhënë një lloj shalli të veçantë akllasi, që tregon nivelin e studimeve të tij, nga njëra anë, dhe nga ana tjetër e shallit, ngjyrat përfaqësojnë Universitetin – në rastin tim do te tregonte “Pennsylvania State Univesity”. Shalli i gjatë që nga qafa deri tek këmbët, i vendoset studentit në qafë nga drejtori i kryesisë së temës së studentit, që tregon denjësinë e tij në rangun akademik dhe mbarimin me sukses të degës. Kjo traditë e ka origjinën që në kohën e mesjetës, me veshjet e studjuesve klerikalë, me një fjalë, që në fillimin e uiversiteteve të para në Europë. Amerika u tregua e interesuar në këtë tradite europiane dhe filloi ta vendosi në universitetet e saj në vitin 1895, për gradën e doktoraturës. Kjo pjesë e ceremonisë ishte emocionuese dhe kuptimplotë për mua.
Çfarë ishte objekti i doktoraturës?
Që e vogël kam patur dëshirë të lexoj, dhe një nga dhuratat më të bukura në jetë ka qenë kur gjyshja ime më bleu librin me përralla: “Një mijë e një net”. Edhe sot e kësaj ditë mbetet libri im më i preferuar. Doktoratura ime bashkoi dy pasione të miat, gjuhën e huaj dhe letërsinë.Nga njëra anë, spanjishtja ishte një gjuhë që u njoha këtu në Amerike, falë dhe italishtes që kisha studiuar privatisht në Shqipëri. Nga ana tjetër, letërsia spanjishtfolëse ishte nje fushë shumë e re për mua, por dhe shumë joshëse. Më tërheqin të gjitha rrymat, por specilizimi i doktoraturës time është “Kritika letrare e letërsise bashkohore të shkrimtares femër të zonës së Karaibeve”, më specifikisht atë të Kubës, Puerto Ricos dhe Republikës Dominikane. Tema e doktoraturës që mbrojta ishte “Female Agency in ‘El baúl de Miss Florence: fragmentos para un novelón romántico,” Dreaming in Cuban and ¡YO!”. Në temën time analizova personazhin femër dhe se si ajo, nëpermjet mjeteve të shkrimit –“letrave, ditarit dhe mbi të gjithë përdorimit të “Unit”- arrin të fitojë autoritet në botën që e rrethon. Dëshira ishte që nëpërmjet kësaj analize, të tregoja që në se personazhit femër i jepen këto armë komunikimi, arrin të sfidojë kufijtë e vendosura në jetën e saj. Dy nga shkrimtarët që analizova jetojnë në diasporë, këtu në Amerikë, dhe në disa nga personazhet femër që kishin krijuar gjeta problematika me të cilat përballohem dhe vetë. Një nga këto problematika që gjeti vënd në zemrën time ishte ruajta e identitetit kur ndodhesh larg vëndit tënd, dhe lufta që të gjesh një ekuilibër me atë që ke lënë në vendin tënd dhe me gjënë e re që ke hasur në vendin e ri.
Keni dhënë mësim në Penn State University, si jeni ndjerë që keni qenë pjesë e një universiteti me emër?
- Penn State University kam dhënë mësim pesë vjet dhe më të vertetë ka qënë një kënaqësi dhe nder që u rreshtova në emrin e fakultetit të këtij Universiteti. Gjatë këtyre viteve isha pedagoge e gjuhës spanjolle. Penn State University është themeluar në vitin 1855 dhe hyn në dhjetëshen e universiteteve më të mëdha nga permasat në Amerikë. Ka 24 kampuse në tërë Pennsylvania, dhe vetëm ne kampusin kryesor, University Park, ndodhen mbi 44 mije studentë. Unë studjoja dhe jepja mësim në kampusin kryesor, ku dhe popullata studentore është e shumëllojshme, duke përfshirë studentë nga vetë shteti i PA, ose nga cdo lloj shteti në Amerikë, por dhe një grup shume të madh studentësh të huaj. Fakti që në sallonin e klasës mund të kisha studentë të ardhur nga qytete, shtete dhe vende të ndryshme te botës më bënte te ndihesha më afer me ta, dhe ta çmoja më tepër këtë si eksperiencë. Të gjithë studentët në fillim çuditeshin qe një pedagogja e tyre ishte nga Shqipëria dhe jo nga nje vend spanjishtfolës, por here - herë ky fakt mund ta bënte leksionin dhe më interesant. Kjo ishte e dukshme, sidomos kur shpjegoja leksionet rreth kulturave, traditave ose zakoneve në vendet spanjishtfolëse dhe kisha dëshirë t’i krahasoja ato tradita ose zakone me ato të Shqipërisë.
krahasoja ato tradita ose zakone me ato të Shqipërisë.



Dalip Greca: Valbona Z. Watkins, shqiptarja që kreu shkëlqyeshëm doktoraturën për letërsi U1ceremonia1
Joy dhe Ron Watkins, Klodiana Zylo Halsted, Keze Zylo, Prof. Julia Cuervo-Hewitt, Dr. Valbona Zylo Watkins, Todd Watkins, Qemal Zylo, në ditën e ceremonisë
Cila ishte rruga që përshkuat deri tek doktoratura?

Rruga përdrejt doktoraturës ka qëne po aq interesante sa dhe me surpriza të bukura. Gjithmonë i kam pasur pasion gjuhët e huaja, dhe çfarë ka të bëjë me studimin e tyre si kultura, letërsia, artet etj... Për këtë arsye kur fillova studimet universitare në “Lock Haven University”, PA, u specializova ne dy fusha, “Gjuhë dhe mësimdhënie të spanjishtes” si dhe “Studime Internacionale”. Në një farë menyre, këto dy fusha përbën themelin e asaj që do të studjoja më vonë. ” Nga ana tjeter, në “Lock Haven University” kam krijuar disa nga miqësitë më të çmueshme shqiptare që kam deri tani, por dhe gjithashtu njoha dhe bashkëshortin tim i cili ishte dhe ai student në të njëjtin universitet. Kjo, për mua, ishte surpriza më e bukur. Mbasi u diplomova ne vitin 2001, fillova studimet pasuniversitare per Master of Arts në “St. John’s University”, NY, me degën “Gjuhë dhe letërsi spanjolle”, studime këto me një bursë te plotë. Në “St.John’s” isha nën udhëheqjen e Profesoreshës Alina Camacho-Gingerich, e cila shërbeu si drejtoreshë e kryesisë së temës qe mbrojta tek St.John’s. Studimet për Master, të cilat i mbarova në 2003, më lanë me një ndjesi që akoma nuk kisha mbaruar me gjuhën dhe letërsinë spanjolle, dhe kështu fillova të shikoja programe të ndryshme doktorature, që specializoheshin në Letërsinë Spanjolle si dhe programe që gëzonin një reputacion shumë të mire. Nga ana tjetër, për mua ishte gjithashtu e rëndësishme dhe universiteti, pasi aty do të kaloja një periudhe të gjatë studimesh. U pranova në disa programe për të vazhduar studimet e doktoraturës, midis tyre “Ohio University” dhe “University of Maryland”. Zgjodha “Penn State University” pasi programi më tërhoqi më shumë si dhe kisha dëgjuar qe ky universitet kishte rrjetin më te madh te “alumni” të Amerikës, domethënë, studentëve që janë diplomuar nga ky institucion dhe që mbajnë kontakt me vite e dekada, fakt i cili tregon shumë për kulturën e vetë studentëve të Penn State dhe krenarinë e tyre që kanë studiuar ne bangat e tij. Eshtë e pamundur mos të ndjesh gati gati një rryme elektrike kur je në qytetin e kampusit kryesor, State College. Krenaria dhe vlerësimi është shumë i dukshëmm tek çdo person, që nga studentët, banorë të këtij qyteti, pleq, fëmijë etj, të cilët e shfaqin dashurinë e tyre në mënyra të ndryshme, që nga bluzat e kapelet me simbolet tradicionale, por dhe kur ulesh të pish kafe diku ata mund të flasin për historinë ose dhe lajmet e fundit në lidhje me Penn State. Dua të them që para se te vendosja ku do te studjoja për doktorature, ndjeva nje ndjenje te veçantë kur isha ne Penn State, dhe e dija qe ky ishte universiteti qe do ta thërrisja “shtëpi” per shtatë vitet që do të vijonin. Pata gjithashtu dhe fatin e mirë që të fitoja një bursë të plotë, e cila ishte një arritje dhe vlerësim i madh. Doktoratura ka qënë një eksperiencë ku e kam ndjerë me të vërtetë punën rigoroze dhe disiplinën e të studiuarit, karakteristikë që e përvetëson si rrjedhojë e barrës akademike që merr, por dhe dëshira për të mbaruar me sukses. Mund te them që kam patur momente të veshtira, por inkurajimi i grupit familjar e shoqëror më ka shtyrë të mbaroja deri në fund. Jam krenare që u diplomova me sukses, pavarësisht se statistikat tregojnë qe pesë nga studentë të cilët fillojnë doktoraturën, vetëm një arrin të mbarojë. Ishte shumë e lehtë të lije gjithçka, pasi puna dhe stresi ishin dy prezenca të pandara.
Le të kthehemi pas në kohë, ju kujtohet ardhja në Amerikë? Cfarë ruani në kujtesë nga ajo kohë e 15 viteve më parë?
Oh, patjetër. Për mua ishte hera e parë që largohesha kaq larg nga familja dhe miqtë e mi, për një vënd qe kisha degjuar shumë. Emocionet dhe çfarë më priste në të ardhmen dukeshin shumë joshëse. Duhet kuptuar se une isha 17 vjeçe, adoleshente, dhe se shumicen e jetës amerikane e kisha përjetuar nëpër filmat amerikane qe jepeshin në Shqipëri. Prandaj dhe kur m’u dha e drejta për te mbaruar vitin e fundit në shkollën e mesme ne Pennsylvania isha gati në qiellin e shtatë, siç thotë një shprehje amerikane. Realiteti ishte shumë ndryshe, të paktën për rastin tim personal. Kur arrita këtu, pavarësisht se familja që do të kujdesej për mua ishte tepër e dashur, nuk e zëvendësoi dot familjen time në Shqipëri dhe se shoqëria ime filloi të më mungonte shumë. Kështu që përjetova shumë nostalgji për vendin tim, familjen, miqësitë e mia dhe të gjitha ato kujtime qe kisha krijuar atje. Mbaj mend që për muaj të tërë, më shumë më sillte postieri letra mua, sesa familjes ku jetoja. I mirrja letrat menjëherë, të cilat më sillnin një copëz Shqipërie, ku i lexoja pranë një liqeni që ishte përpara shtëpisë në Pennsylvania. Pata shumë fat, pasi familja ime erdhi një vit më vonë, që e bëri lëvizjen dhe tranzicionin me jetën amerikane shumë më te lehtë.
Ju jeni bijë e dy prindërëve aktiviste, që janë të lidhur shumë me cështjen kombëtare, po ju sa shqiptare ndjeheni?
Eshtë e çuditshme pak me prindërit e mi, Qemal dhe Kozeta Zylo, pasi sa më shumë kalojnë vitet aq më shumë aktivë dhe energjik bëhen me projektet që ndërrmarin.Unë dhe motra, Klodiana, gjithmonë shprehemi se kemi ndryshuar rolet – ne jemi prindërit pasi shpesh shprehemi që jemi të lodhura, dhe ata janë fëmijët që janë të etur të mësojnë e të sfidojnë veten e tyre. Me të vërtetë është një kënaqësi e veçantë kur takohem me shqiptarë këtu në New York, dhe respektin e mirënjohjen që tregojnë për ta. Përsa i përket pyetjes së dytë unë e ndjej veten shumë shqiptare, pasi për mua qënja shqiptare përbën identitetin tim. Kam jetuar në Shqipëri për 17 vjet dhe aty jam brumosur, kam kaluar fëmijërine e vitet e adoleshencës sime. Mbas Shqipërisë, unë jetova në Pennsylvania për 12 vjet, në dy qetetet ku ndodheshin universitetet që studjoja, dhe aty kishte shumë pak shqiptarë. Megjithatë çdo 28 Nëntor vija në New York për të ngritur Flamurin dhe për të festuar festën e Pavarësise. Tani që jetoj në New York, jam e angazhuar me shkollën shqipe “Alba Life” për anën akademike dhe edukative, e cila është hapur ne Staten Island.
Bashkëshorti juaj është amerikan, si ndjehet kur është mes shqiptarëve?
Oh, Toddi ndihet shumë mire kur është midis shqiptarëve. Sipas zakonit amerikan, kur ai erdhi t’i kërkonte doren babit tim, babi im pasi e përqafoi i tha: “ Kemi vetem dy gjera per t'ju thene: E para, mirë se erdhe në familjen Zylo, dhe e dyta kur ju të keni fëmijë, fëmijet tuaj duhet të flasin gjuhën shqipe, me qëllim që mos ta harrojnë pjesën e origjinës së tyre”. Bashkëshorti im buzëqeshi dhe tha se fëmijët u takojnë të dy prindërve dhe domosdoshmërisht duhet të mësojnë të dy kulturat. Toddi u njoh më shumë me kulturën shqiptare kur bëmë dasmën në Tiranë në gusht të vitit, 2008. Për familjen dhe shoqërinë e familjes së tij që erdhi ne Shqipëri kisha shumë dëshirë të njihnin nga afer historinë e lashtë të Shqipërise, prandaj dhe vizituam shumë muzeume dhe qytete historike, nga të cilët mbetën mjaft te impresionuar. Familja e tij ne Pennsylvania, i ka të ekpozuara sendet dhe dhuratat nga Shqiperia në shtëpinë e tyre, ku krahas flamurit amerikan në ballkon ka vendosur dhe flamurin shqiptar. Toddi, në veçanti u njoh më nga afër me mikpritjen shqiptare, diçka që e kishte ndjerë dhe këtu ne Amerikë mes miqve të familjes sonë. Gjithashtu i pëlqen shumë të dijë se çfarë bëhet me aktivitetet që promovojnë kulturën shqiptare dhe shumë herë asiston si kameraman me programet e Alba Life TV, ku njihet më nga afër me personalitete ose aktivitete të ndryshme te diasporës shqiptare. Mbaj mënd një rast, kur ai kishte shkuar të filmonte koncertin me sopranen Era Limani dhe tenorin Kreshnik Zhabjaku, dhe unë fatkqesisht për arsye pune nuk ndodhesha në ketë koncert kulturor. Në mes te koncertit më merr në telefon, dhe më tha qe une po humbisja një koncert impresionues dhe vendosi celularin e tij në speaker që unë të dëgjoja per disa minuta dy tenorët duke kënduar. I la shumë mbresa talenti i tenorëve shqiptarë, dhe më tregonte me shumë interés për koncertin më vonë. Mbas kësaj i thashë se: “Me sa po shoh ti po bëhesh më shqiptar, pasi po merr pjesë në më shumë aktivitete se une”.
C’mendim keni për organizimin e komunitetit shqiptar dhe cfarë do të donit që të ishte ndryshe?
Siç e thashë më sipër kam jetuar në Pennsylvania për 12 vjet dhe në dy qytetet universitare ku kam banuar nuk kishte një komunitet shqiptar. Megjithatë kur lëviza në New York, gati para dy vjetësh shoh që komuniteti në New York është shumë i organizuar dhe gjithmonë dëgjon për aktivitete interesante që shfaqen. Konkretisht kohët e fundit isha në festën e mësuesit të organizuar nga shoqata ”Dibra” dhe kam ngelur e befasuar, për punën dhe aktivitetet që kjo organizate, perfaqësuese e trojeve shqiptare, kontribon për popullsinë shqiptare. Ishte kënaqësi të dëgjoje se si ata e mbajnë të freskët gjuhën dhe kulturën shqiptare duke i kaluar ato tek gjeneratat më të vogla. Kam vënë re se ka raste që si shqiptarë kemi dhe mangësine të mbyllemi tek jeta jonë dhe mos të preokupohemi me të qënurit shqiptar. Në Staten Island, vjet është hapur shkolla Shqipe “Alba Life,” shkollë me një staf te kualifikuar, dinjitoz e vullnetarë, vetëm për t’u mësuar moshave te vogla dhe adoleshente gjuhën shqipe, si dhe të njihen më nga afër me kulturen shqiptare dhe të trojeve të saj. Të dhimbset shpirti kur shikon që prindërit nuk i sjellin fëmijët, për arsye te ndryshme. Nuk do kishte gjë më te dhimbshme qe kjo gjenarate e lindur ne Amerikë ose e ardhur që i/e vogël në Amerikë mos të ekspozohet me gjuhën e prindërve, kulturën e tyre, si dhe mjedisin shqiptar. Komuniteti shqiptar duhet ta mbajë gjallë, punën e palodhur për çështjen kombëtare, që kanë bërë Noli dhe Konica me Vatrën, ndaj nën shembullin e tyre duhet të ecim dhe më perpara, dhe ta mbështesim atë. Nga ana tjetër ndjen kënaqësi kur dëgjon se sa të angazhuar jane komunitetet e tjera si spanjishtfolëse, hebreje etj.. Për komunitetin shqiptar do të kisha dëshirë të shikoja dhe të shijoja të njëjtin dedikim e bashkim si këto komunitete të huaja që solla më sipër.
Mendon se brezi i ri i shqiptarëve që janë shkolluar këtu po jep kontributin e duhur për çështjen tonë kombëtare?
Mendoj se brezi i ri i shqiptarëve që janë shkolluar këtu kontribon me sa ka mundësi për çështjen shqiptare. Eshtë e vështirë të bësh përgjithësime, por mendoj se secili nga ne që ka ardhur këtu është ekpozuar në një mënyrë apo tjetër me diasporën dhe aktivitetet e saj. Njoh shumë miq që janë shumë të angazhuar, por njoh dhe shumë, që për arsye pune e kanë të vështirë të përkushtohen e të gjejnë kohën. Jam e sigurt se dëshira qëndron tek çdo i ri që shkollohet këtu për të ndihmuar çështjes shqiptare. Në New York, përshembull, egziston një organizatë shqiptaro-amerikane me profesionistë të rinj, që quhet APEN, organizatë e cila mblidhet disa herë në vit në shoqërinë e njëri-tjetrit. Deri tani kjo shoqatë besoj se po shërben si rrjet i mire për t’u njohur dhe për të shkëmbyer mendime rreth fushave të ndryshme të punës si dhe jetës shoqërore të anëtarëve të saj. Megjithatë vetëm me disa gurë nuk ngrihet kalaja, sic thotë një shprehje e popullit, kështu që duhet një organizim më i mirë dhe masiv. Edhe ne të rinjtë duhet të organizohemi më mire, ne mënyrë që të krijojmë një bazë më të fortë kulturore dhe sociale për brezin tjetër që do të vijë më vonë.
Agim Gashi
Agim Gashi
Administrator
Administrator

Numri i postimeve : 45955
Age : 70
Location : Kosovë
Registration date : 17/11/2008

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Mbrapsht në krye

- Similar topics

 
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi