O. HENRI - TREGIMTAR ME TIPARE ORIGJINALE
Faqja 1 e 1
O. HENRI - TREGIMTAR ME TIPARE ORIGJINALE
O. HENRI - TREGIMTAR ME TIPARE ORIGJINALE |
Naum Prifti
-Vështrim kritik-
Shkrimtari amerikan O. Henri hyri në letërsi nëpërmjet tregimit të shkurtër dhe si pak shkrimtarë të tjerë, arriti të bëhej i njohur nëpërmjet kësaj gjinie. O. Henri filloi të shkruante nga fundi i shek. XIX, kur tregimi u konfirmua si gjini letrare, me mundësi të pakufizuara për të kapur anë të ndryshme të jetës e për t’i bërë objekte të pasqyrimit artistik. Jo se në shekullin XIX u shpik gjinia e tregimit të shkurtër; e vërteta është se tregimi ka rrënjë shumë të vjetra dhe ngjitet shumë lart në drurin gjenealogjik të shekujve si një nga zhanret më të hershme, që ka qenë kurdoherë i pranishëm në vepra letrare, i ndërfutur në to. Modele tregimesh gjenden edhe te “Odiseja” e eposit homerik, sikurse rrëfimi i Euneut, bariut të derrave, edhe te veprat historike të Herodotit, a te vepra të tjera monumentale, po këto kanë qenë të ndërfutura. Le të kujtojmë “Historia e Provonjësit të Krisur” te Don Kishoti i Servantesit, por ato nuk binin në sy, të mbuluara nga hija e rëndë e gjinive të tjera.
Zhvillimi i shpejtë i industrisë poligrafike e sidomos dalja e revistave, e rriti jashtëzakonisht kërkesën për tregime të shkurtëra, mbasi ato i drejtoheshin tashmë jo një numri të kufizuar njerëzish, por një mase të gjerë lexuesish. Revistat hyjnë në çdo shtëpi dhe përfshijnë kategori të ndryshme të popullsisë; ato i lexonin me ëndje edhe shtëpiaket, edhe të moshuarit. Fakti që në këtë shekull mjeshtrit më të mëdhenj të penës, që nga Pushkini, Balzaku, Dikensi, Tolstoi, Floberi, u morën me tregimin, solli si pasojë jo vetëm shtimin e formave të ndërtimit, por edhe rritjen e nivelit artistik deri në atë masë, sa e bëri gjininë e tregimit të këndshme për lexuesit e zakonshëm dhe komponent të revistave.
Në kohën kur filloi të shkruante tregime O.Henri, kishte përpara tij një trashëgimi të pasur dhe një traditë të vyer. Merita e tij është se ai diti jo vetëm ta përvetësonte këtë trashëgimi, por edhe të arrinte që me talentin e vet e me origjinalitetin e tij të ta pasuronte zhanrin me një lloj tregimi që sot me të drejtë njihet “Ala O. Henri.” Ç‘është e vërteta këtë tip tregimi, të cilit estetët i vënë epitete të ndryshme, sikurse “goditës,” (by stroke), “ndriçim vetëtime,” “fund i befasishëm,” nuk e shpiku ai. Atë e kanë praktikuar edhe shkrimtarë të mëdhenj para tij, sikurse Mopasani te “Gjerdani” dhe Çehovi te skicat e tij humoristike, por ndryshe nga ata O.Henri të papriturën e bën stilin e tij, veçanti të kompozimit; ai arriti mjeshtëri të lartë si lëvrues i këtij lloji origjinal tregimesh.
Te e papritura qëndron gjithë sekreti i mjeshtërisë së tij në ndërtimin e tregimeve. Ai duket se përpiqet si e si ta befasojë lexuesin dhe në fund ta zbavitë. Por nuk do të ishte e drejtë që O.Henrit t’i vishet etiketa e shkrimtarit që kërkon me domosdo dhe zbaton rigorozisht fundin e lumtur. Shumë nga tregimet e tij përfundojnë trishtueshëm ose edhe tragjikisht, e kështu me të drejtë mund të themi se jeta i imponohet shkrimtarit dhe realizmi e detyron shpesh të sakrifikojë “happy end-in” për hir të së vërtetës të jetës.
Ai kurdoherë vret mendjen të gjejë zgjidhje të veçantë e të papritur, për të arritur te një fund që zgjidh, bashkon apo sqaron tërësinë e subjektit. Tregimet, në pjesën më të madhe, e ruajnë këtë skemë dhe lexuesi, pasi lexon katër-pesë tregime, e mëson këtë të fshehtë, mirëpo sado ta vrasë mendjen, nuk arrin ta zgjidhë enigmën e ta gjejë përfundimin vetë. Çelësin sekret autori kurdoherë e ruan për ta befasuar lexuesin në fund. O. Henri është një iluzionist i shkathtë dhe për këtë arsye disa kritikë e kanë cilësuar si shkrimtar të lehtë, që për hatër të gjetjeve të papritura, e dhunon realitetin jetësor, duke shfrytëzuar shumë rastësinë e duke krijuar përshtypjen se në jetë kontradiktat zgjidhen lehtësisht e disi në mënyrë farseske.
O.Henri nuk i futet kurrë krijimit të tregimit pa përpunuar që përpara një plan të hollësishëm. Ai i kushton rëndësi të posaçme subjektit, ose më saktë fabulës apo intrigës mbi të cilën thur ngjarjen. Tipik për mënyrën e ndërtimit të subjektit do të sjellim tregimin “Roman dashurie i një agjenti të bursës” që e vlen të analizohet. Te ky tregim çdo detaj është dhënë në funksion të idesë dhe të atij fundi aq të papritur e aq të gjetur.
Një mëngjes Harvi Maksuelli, protagonisti i tregimit, hyn në zyrë i shoqëruar nga stenografistja e tij mis Leslli. Ajo nuk shkon drejt zyrës së saj, si herët e tjera, por rri pak më gjatë afër tryezës së Maksuellit, sikur prêt diçka. Pyetja qortuese e Harvit e largon. Me gjysmë zemre, fillon punën, ngaqë prêt dhe eshtë e sigurt se atë ditë do ta zëvendësojnë. Vjen stenografistja e re, por Harvi Maksuelli, i kredhur gjer në grykë në punët financiare, jo vetëm e përze,por edhe habitet pse ka ardhur, kur Lesli është duke punuar si jo më mire. Duke pëfituar nga pushimi i shkurtër i drekës dhe i ngacmuar nga era e jargavanit, nëpunësi i bursës shkon me vrap në tryezën e mis Lesllit. Harvi i propozon të martohet me të dhe i kërkon të falur se s’ka nge të bëjë dashuri. Stenografistja mbetet gojëhapur, pastaj qan (na duket se fyhet) pastaj qesh (besojmë se gëzohet), pastaj i hedh dorën në qafë, (e po sigurisht pranoi) e më vonë fjalët e saj: “Harvi i dashur, harrove? Ne u martuam mbrëmë e vumë kurorë në orën tetë.”
Ç’përfundim tjetër mund të ishtë kaq grotesk dhe i papritur? Agjenti i bursës ka harruar se është martuar!...
Pasi qeshim me hutimin e madh të Harvit, fillojmë të mendojmë për dramën e vërtetë. Harvi Maksuelli, me të hyrë në zyrë, humb çdo lidhje me botën e jashtme e me jetën e tij personale, çdo pasion njerëzor e kthehet në një mekanizëm, në një burmë të makinës së madhe financiare. S’i mbetet kohë për asgjë. Çdo mendim, çdo forcë, çdo veprim i shërben asaj makine e, siç pohon autori, në botën e financave s’kishte vend as për ndjenjat e njeriut, as për bukurinë e natyrës.
O.Henri u bë shkrimtar i dashur për masat e gjera të lexuesve edhe për faktin se heronjtë e tij janë në shumicën e rasteve njerëzit e thjeshtë, të papunët, vagabondët, endacakët, fermerët, nëpunësist e vegjël, artistët që s’kanë çarë dot në jetë. Të shtypur nga egërsia e qytetit të madh (Nju-Yorkut), nga rutina e shfrytëzimit të përditshëm, ata kërkojnë t’i ikin banditizmit të zakonshëm, duke kërkuar pak romantikë dhe aventurë. Ata kërkojnë, por nuk dalin kurrsesi nga ky rreth vicioz, sepse vetë ngushtësia e jetës nuk i lejon. Shkrimtari i vështron me ironi këto përpjekje, e ndërkohë që qesh me mirëdashje e shkujdesje, tregohet realist. Ai fshikullon veset njerëzore, vanitetin, kotësinë, mburrjen, filantropinë fallco, me atë mënyrën e tij, në dukje të shkujdesur, por prapa saj nuk është vështirë të vihet re humanizmi dhe dashuria e tij për njerëzit.
Temë e preferuar e O.Henrit është ajo e batakçiut të vogël që bën çmos t’ua hedhë të tjerëve e në shumicën e rasteve e pëson vetë, siç e ndeshim në këtë vëllim tek tregimi “Etika e derrkucëve”, “Fëmijët në xhungël” etj. Ai e vuri re mirë një tipar karakteristik të shoqërisë amerikane dhe, ndonëse nuk arrin të gjejë shkaqet, reflektimi i kësaj teme zë një vend të mirë në krijimtarinë e tij. Krahas kësaj ai vizaton dashurinë e njerëzve të thjeshtë për njeri-tjetrin, afeksionin prindëror, si te: “Dhuratat e magëve,” “Pianoja” e gjetkë.
Barrierat e ndarjes klasore ai nuk i ve re. Ndonëse nuk i kursen kritikat për bankierët më të pasur të Amerikës, për Rokfelerin dhe manjatët e tjerë, i kundron ato si të meta të individëve.
O.Henri hyri në moshë të madhe në letërsi, thuajse 37 vjeç e brenda një periudhe të shkurtër njëmbëdhjetëvjeçare, la pas një trashëgimi të pasur letrare. Jeta e tij ka qenë përzierje aventurash, fatkeqësisht, dhimbjesh e kërkimesh. O.Henri është pseudonimi letrar, prapa të cilit u detyrua të fshihej Uilliam Sidni Porteri. Bir i një mjeku, lindi më 1862 në qytetin Grinsboro, North Carolina, (Karolina Veriore). I rritur jetim nga nëna, djali e la shkollën kur u bë 15 vjeç dhe pesë vjet me radhë punoi në farmacinë e xhaxhait të vet. Për arsye se nuk po i ecte shëndeti, u shpërngul në Teksas, ku punoi si kauboj, postier, llogaritar dhe pastaj si sekretar në një zyrë tokash. Më 1887 u martua e fillon të dërgojë nëpër gazeta skica të shkurtëra, të cilat nuk i siguruan as emër, as të holla. Më 1894 bëhet pronar i një gazete të vogël javore, ku boton satira, pjesë humoristike dhe burleske, por as këto nuk ranë fort në sy dhe nuk zgjuan kureshtjen e kritikëve, apo të studiuesve. Ato u bënë të dëgjuara dhe u njohën nga publiku vetëm pas vdekjes së autorit. Më vonë, duke qenë nëpunës banke, u padit për përvetësimin e një shume të hollash. Çështja e fajësisë ose e pafajësisë së tij nuk arriti të sqarohej kurrë plotësisht. Porteri mbeti fajtor përpara ligjit dhe u dënua me pesë vjet burg. Në Kolumbus, Ohajo, emri i tij u zëvendësua me numrin e të burgosurit 34.627. Për të ndihmuar bijën e tij të vetme, fillon të shkruajë. E mbaron tregimin “Dhuratat e Magëve”, e nënshkruan me pseudonimin e parë që i bie ndër mend “O.Henri,” pa e ditur se pas disa vjetësh, ky pseudonim do të mbetej në histori, ndërsa emri i tij i vërtetë do të harrohej. Tregimi, për habinë e tij, u botua menjëherë nga revista e madhe humoristike “Mark –Klurs”, dhe pas suksesit të parë, autori i vihet punës më seriozisht. Pasi lirohet nga burgu, zhvillon një veprimtari letrare të ethshme. Si shumë humoristë të tjerë të mëdhenj që bëjnë të tjerët të qeshin, për vete qe i trishtuar dhe i vetëveçuar nga shoqëria e lartë. Hante nëpër bujtina të dorës së fundit, shkonte nëpër radhët e të papunëve, në stolat e parqeve, ose rrinte me orë të tëra para dritares së tij, duke vërejtur njerëzit që kalonin në rrugë.
O.Henri jetoi në fazën kur Amerika po shndërrohej me shpejtësi në një shtet të fuqishëm. Si shumë autorë të tjerë, që jetonin brenda kësaj shoqërie, ai pa disa anë të këtij realiteti, dhe aty ku shkelja e të drejtave demokratike dhe grabitja duheshin qartë, si te Shtetet e Jugut dhe kundrejt indianëve te Amerikës, protesta e tij qe e fortë, edhe pse nuk arrinte ta shihte tablon tragjike në gjithë madhësinë e saj. O.Henri nuk u bashkua as me ndonjë parti politike, as me ndonjë rryme letrare. Protesta e tij ishte protesta e një njeriu me ndjenja demokratike, të ndershëm, me bindjen e thellë se të metat e shoqërisë e kanë burimin te e keqja e natyrës njerëzore. O.Henri ka pasur pikëpamje fataliste dhe këto duken qartë te tregimi “Rrugët e fatit.” Ai i besonte shumë rastësisë, të cilën e përdor gjerësisht si mjet artistik, duke dhënë efekte nga më të ndryshmet. Kritikët janë të mendimit se tregimet e tij për jetën në shtetet e Jugut janë më të natyrshme e japin tablo më të gjera, duke qëndruar kësisoj më lart se ato ku ai zbulon jetën e metropolit.
Nënteksti në tregimet e tij jepet mjaft tërthorazi. P.sh. te tregimi “Kuadratura e rrethit” duket sikur tema është shuarja e gjakmarrjes midis dy fiseve, po prapa saj shikojmë diçka më të thellë e më të rëndësishme, peshën e rëndë të qytetit të madh, mospërfilljen e tij shkatrruese për njeriun e thjeshtë, dëshirën për të gjetur një pikëmbështetje sado të vogël.
Cilësia tjetër karakteristike e këtij autori është humori, çka i bën krijimet e tij të lexohen e të rilexohen Ai ka një gaz të çiltër e naiv, duke pasur kujdes t’i mënjanojë banalitetet nga subjektet. Origjinaliteti i tij spikat në krahasimet e gjetura, kur bashkon gjëra më të largëta e më të pangjashme. Që nga titulli i vëllimit të parë “Lakra dhe mbretër” kuptohet kjo gjë. Ai e pasuroi letërsinë me krahasime nga fusha e teknikës dhe me zhargonet e endacakëve dhe të njeriut të rrugës. “Natyra ndezi radiatorin…”(për lindjen e diellit), “Kalë tridhjetë dollarësh”, (tepër i lirë, pa vlerë,) ”Supa dhe mbulesat e tryezave ishin të holla”, restorantin e quan “tempull i stomakut.”
O.Henri vë në lojë, përqesh e tallet me shfaqjet e përditshme të shoqërisë dhe për këtë arsye krijimtarinë e tij e quajnë “enciklopedi humoristike e jetës amerikane.” Dashuria e tij për të varfërit, për të mjeruarit, për fatkeqët ndihet në çdo tregim. Ndoshta autori donte të thoshte edhe më shumë, por duhen pasur parasysh edhe kufizimet që i bënin redaktorët, shijet e publikut dhe censura. O.Henri mbeti rob i atij kuadrati, i asaj kornize që shpiku vetë, por edhe brenda kornizës shikojmë portretin e një njeriu që i do njerëzit, ndonëse vë buzën në gaz me ironi për dobësitë e tyre.
Agim Gashi- Administrator
- Numri i postimeve : 45955
Age : 70
Location : Kosovë
Registration date : 17/11/2008
Similar topics
» Henri Çili: Pse Lulzim Basha duhet votuar ditën e diel
» Intervista gënjeshtare e Faridin Tafallarit dhe e Kadri Gërvallës!!
» Tamara Gaci: Shiritat origjinalë, po rrezikojnë veprën e Pjetër Gacit
» GAFURR ADILI:DOSJET ORIGJINALE, TË ISH SPIUNËVE TË ISH UDB-SË DHE TË KOS JUGOSLLAV,NUK I KA QEVERIA E ZOTIT BORIS TADIÇ !
» Intervista gënjeshtare e Faridin Tafallarit dhe e Kadri Gërvallës!!
» Tamara Gaci: Shiritat origjinalë, po rrezikojnë veprën e Pjetër Gacit
» GAFURR ADILI:DOSJET ORIGJINALE, TË ISH SPIUNËVE TË ISH UDB-SË DHE TË KOS JUGOSLLAV,NUK I KA QEVERIA E ZOTIT BORIS TADIÇ !
Faqja 1 e 1
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi
Tue Mar 14, 2017 8:17 pm nga Agim Gashi
» IDRIZ ZEQIRAJ - SHIPTARËT NUK JANË "ME BYTHË NË PRUSH", PËR TË FALUR TOKAT
Mon Feb 27, 2017 6:54 pm nga Agim Gashi
» Akuzat kundër Shefqet Krasniqit Prokurorisë ia kishte konfirmuar edhe BIK-u (Dokument)
Mon Feb 27, 2017 5:20 pm nga Agim Gashi
» Aktakuzë kundër imamit Shefqet Krasniqi
Mon Feb 27, 2017 4:32 pm nga Agim Gashi
» Zbulohen tensionet gjatë dialogut në Bruksel, Nikoliqi Thaçit: Ti je kriminel
Fri Feb 03, 2017 7:40 pm nga Agim Gashi
» Faruk Tasholli - RJEPENI NANËN
Fri Feb 03, 2017 12:22 pm nga Agim Gashi
» FAMILJA E HAKI IMERIT: AI U VRA NË KOHËN KUR NË PUSHTET ISHIN HASHIM THAÇI E REXHEP SELIMI
Wed Jan 25, 2017 12:39 am nga Agim Gashi
» AGIM GASHI - O NE TREN PËR MITROVICË
Wed Jan 18, 2017 11:08 pm nga Agim Gashi
» Vëllai i tij u pajtua me Thaçin, por ja si ishte kidnapuar Haki Imeri në Brojë e më pas ishte vrarë
Wed Jan 18, 2017 8:13 pm nga Agim Gashi
» Fadil Maloku:Aferim, Prokurori e Kosovës!
Wed Jan 18, 2017 8:00 pm nga Agim Gashi
» Djali i Haki Imerit del kundër axhës: Nuk ia fali Thaçit, nuk dua drejtësi kanunore
Wed Jan 18, 2017 7:12 pm nga Agim Gashi
» IDRIZ ZEQIRAJ:Copëza biografike dhe kujtime për Ibrahim Rugovën
Wed Jan 18, 2017 5:13 pm nga Agim Gashi
» Presidenti Thaçi i “lahet me 124 pleq” Imer Imerit se nuk ka gisht në vrasjen e vëllait të tij
Wed Jan 18, 2017 4:00 pm nga Agim Gashi
» Adem Salihaj akuza të rënda ndaj Hashim Thaçit, ja si po mundohet të shpërlahet nga krimet e shumta që ka bërë
Wed Jan 18, 2017 3:53 pm nga Agim Gashi
» Ndodh edhe ky skandal: Njeriu që grisi fotografinë e Presidentit Rugova merr certifikatën e veteranit të UÇK-së
Tue Jan 17, 2017 7:55 pm nga Agim Gashi
» BERAT ARMAGEDONI:Lamtumirë, Joshua i Pejës!
Tue Jan 17, 2017 12:15 am nga Agim Gashi
» Biografia e Presidentit Rugova - Biografi e shkurtër
Mon Jan 16, 2017 10:32 pm nga Agim Gashi
» ILIR MUHARREMI : Treni provokativ, artistët në gjumë
Sun Jan 15, 2017 11:32 pm nga Agim Gashi
» Përveç ROSU-së, ky është shqiptari që rrezikoi jetën për ta ndalur trenin e Serbisë
Sun Jan 15, 2017 9:53 pm nga Agim Gashi
» ENVER PETROVCI - IN MEMORIAM SEFEDIN NUREDINIT- SEFA
Sun Jan 15, 2017 9:07 pm nga Agim Gashi