Akllapi Net - Forum i Hapur
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

Qemal Sakajeva: Çfarë besohet dhe çfarë nuk besohet?

Shko poshtë

Qemal Sakajeva: Çfarë besohet dhe çfarë nuk besohet? Empty Qemal Sakajeva: Çfarë besohet dhe çfarë nuk besohet?

Mesazh nga Agim Gashi Thu Aug 06, 2009 4:43 pm

Çfarë besohet dhe çfarë nuk besohet?

Nga Qemal Sakajeva

Të shtatët (le t’i quajmë numerikisht vendet e Ballkanit Perëndimor ende jashtë Bashkimit Europian), janë nga Ish-Jugosllavia (Kroaci, Maqedoni, Serbi, Bosnjë-Hercegovinë, Mali i Zi, Kosovë) + Shqipëria. Paralajmërimi se, duke filluar nga viti i ardhshëm, vetëm për tre prej tyre - Maqedoni, Serbi dhe Mali i Zi, do të hiqen vizat për në vendet e zonës Shengen (Kroacisë i janë hequr vite më parë), ndër popuj të tjerë fqinjë është pritur me dyshim. Sa më fort theksohet se vendimi merret mbi kritere teknike të pastra, aq më qartë ata shquajnë përkëdheljen politike ndaj Serbisë. Ajo që nuk mund të lexohet saktë prej tyre është që, kjo përzgjedhje përbën një veprim europian, me dymbëdhjetë lëvizje përpara në këtë “shah politik”, për “krahmarrje” ndaj nacionalizmit të ashpër serb apo një ndjesë lehtësimi dhe rifitimi të besimit të Serbisë? Për fqinjtë që mbeten për më vonë t’u hiqen vizat, Shqipëri, Bosnjë-Hercegovinë, Kosovë, lajmet e mira në kohën e politikave përbashkuese për në Bashkimin Europian, janë të mirëpritura, nga që ato njoftojnë përmirësimin e klimës bashkëpunuese. A nuk do të ishte lajm i mirë, sikur Serbia t’u përgjigjej thirrjeve të stërthëna për demokratizim të shoqërisë së saj, deradikalizim të politikës së vet, dearmiqësim ndaj Kosovës, ndërprerje të kryqëzatës diplomatike për mosnjohjen e pavarësisë, sjellje më miqësore ndaj vendeve të Bashkimit Europian dhe shteteve të tjerë nga e gjithë bota, që e kanë njohur Republikën e Kosovës, dhe dhënien fund të ndërhyrjeve penguese nëpërmjet keqpërdorimit të pakicës serbe? Por këto nuk kanë ndodhur, nuk po ndodhin, nuk ka shenja se do të ndodhin së shpejti, po të përmendim sjelljen e Beogradit, edhe në Samitin e 15-të, të 118 Vendeve të Paangazhuara, mbledhur në Sharm El Sheikh, të Egjiptit, më 15 dhe 16 korrik 2009. Presidenti Boris Tadiç shkoi atje si “Tito i vockël”. Serbia mori pjesë duke përvetësuar dhelpërisht politikën e Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë, e vdekur me kohë e me vakt, vetëm për të kërkuar prej atyre shteteve mosnjohjen e pavarësisë së Kosovës dhe, me të njëjtin qëllim, ai u propozoi pjesëmarrësve që, samiti i 50-vjetorit të Organizatës së Vendeve të Paagazhuara, më 2011, të mblidhet në Beograd. Presidenti Tadiç kur shkon në Bruksel, bën perëndimorin, kur i bashkëngjitet Vendeve të Panagazhura nxjerr nga varri të urryerin e serbëve, Mareshallin Josif Broz Tito, ndërsa kundër Kosovës mban mbi tryezë politikën e gjakësorit Sllobodan Millosheviç. Nëse ka një kusht veprues, i prekshëm deri te qytetari më i fundit ballkanas, përfshi edhe serbin më të thjeshtë, ky është liberalizimi i vizave. Por kjo fuqi ndikuese e ndjeshmërisë së tepruar, duket sikur më shumë nxitet nga ndalimi se sa nga vonimi. Ky kusht duhej mbajtur e s’duhej hequr, sepse sjellja e Serbisë ndaj shteteve të tjerë, është një kryekusht qartësisht teknik brenda tërësisë së politikës.

Populli i thjeshtë nuk bëhet dot kontrollues i masës së plotësimit të kritereve. Por kjo ndarje përgjysmë, tri vende tani e tri më vonë, interpretohet më shumë si përllogaritje politike për baraspeshë në shpërndarjen e përfitimeve se sa thjeshtë arthmetikë e pjesëtimit, tri po tri jo. Duket sikur për Maqedoninë pa NATO, me vështirësitë e kapërcimit të mendësisë maqedonase se shqiptarët duhet të mbeten qytetarë të dorës së dytë dhe përplasjen e gjatë me Greqinë për si do të thirret vendi, liberalizimi i vizave është si “gram” ndihme në anën e Shkupit, për ndërtimin e baraspeshës. Duket sikur Mali i Zi veçohet sepse, deri në fund ishte me Serbinë, u sulmua për shkak të Serbisë, u pavarësua dhimbshëm nga Serbia, edhe vizat t’i hiqen njëherësh me Serbinë. Duket sikur Bosnjë - Hercegovinës, që ka patur vemëndjen e gjatë ndërkombëtare për t’u bërë dhe mbetur një shtet i pavarur, liberalizimi i vizave është shumë për t’iu dhënë tani. Duket sikur Shqipëria është shpërblyer mjaft me nënshkrimin e Marrëveshjes së Stabilizim - Asociimit, me anëtarësimin në NATO, me pranimin e paraqitjes së kërkesës për kandidat në BE dhe, liberalizimin e vizave tani e ka tepër. Çështje teknike dhe kusht, që kuptohet e pranohet në popull, është që, shqiptarët duhet të nxitojnë të marrin pasaportat biometrike, që kjo të mos jetë pengesë. Ndërsa për Kosovën, kumti duket sikur është: u çlirove, u bëre shtet i pavarur, përmbyll numërin e domosdoshëm të njohjeve, pastaj heqja e vizave. Por, dy vendeve, viktima të shtetit terrorist serb, Bosnjës dhe Kosovës, që mbeten të ndaluara edhe më tej, ndërsa Serbisë agresore i krijohen lehtësira përshpejtuese në proceset integruese, kjo atyre u ka krijuar një shije të keqe.

Të gjitha këto shtete të Ballkanit Perëndimor kanë emigracion të fuqishëm në vendet e Bashkimit Europian. Në kaq shumë vite vështirësishë të mëdha për lëvizjen e lirë të ndërsjellë, të emigrantëve në vendlindje dhe të të afërmëve të tyre në perëndim, një vit më herët apo një vit më vonë për heqjen e vizave, nuk është për t’u përjetuar në mënyrë dramatike apo me ndjenjë zilie. Por, popujt, vendet dhe qeveritë fëqinje krahasohen lehtësisht ndër veti. Ata shohin që Serbia ende i mbron kriminelët me damkë, prodhon papushim politikë nacionaliste, shfaq sjellje armiqësore kundër Kosovës, është e pakënqur ndaj shteve njohëse të pavarësisë - të gjitha këto i cenojnë rëndë e i bëjnë të pasigurtë edhe kushtet teknike. Këta popuj i lexojnë brenda politikës ato çështje teknike që cilësohen si jashtë politikës.
Agim Gashi
Agim Gashi
Administrator
Administrator

Numri i postimeve : 45955
Age : 70
Location : Kosovë
Registration date : 17/11/2008

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Mbrapsht në krye

- Similar topics

 
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi