Akllapi Net - Forum i Hapur
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

Eugjen Merlika: Një projekt i diskutueshëm

Shko poshtë

Eugjen Merlika: Një projekt i diskutueshëm Empty Eugjen Merlika: Një projekt i diskutueshëm

Mesazh nga Agim Gashi Sat Aug 15, 2009 10:17 am

Eugjen Merlika: Një projekt i diskutueshëm U1_EugjenMerlikaNjë projekt i diskutueshëm

Nga Eugjen Merlika

Ka kaluar pothuaj një muaj e gjysmë nga votimet e 28 qershorit e pak ditë nga shpallja e përfundimeve të tyre.

Jemi në një fazë kalimtare, në kapërcyell të dy legjislaturave, në të cilën, zakonisht, qeveria në fuqi merret vetëm me punët rutinë, por qeveria aktuale, e inkurajuar edhe nga marrëveshja mbas zgjedhore, nuk i ka ulur ritmet e veprimtarisë së saj.

Në një nga mbledhjet e fundit, ata bënë të ditur një vendim sensacional, argumenti i të cilit nuk ishte trajtuar gjatë fushatës zgjedhore, kuptohet përse.

Kryeministri dhe qeveria shpallën se janë në mbështetje të një ligji që njeh zyrtarisht martesat ndërmjet homoseksualëve. Ishte një lajmërim që shtangu opinionin publik e që, sipas gazetës italiane "Corriere della sera", befasoi edhe vetë shoqatat homoseksuale, "kur vetëm me një frazë, e ktheu vendin ballkanik konservator me shumicë myslimane, në pararojën e betejës për njohjen e të drejtave të gejve".

Lajmërimi i Kryeministrit solli kundërveprimin e fortë e të menjëhershëm të komuniteteve fetare.

Duke huazuar nga teoria e letërsisë termin, do të thosha se ishte një "kapërcim pindarik" në vorbullën e trazuar të politikës shqiptare të ditës, një formë "kundërveprimi" ndaj dështimit të pësuar nga bashkësia evropiane në lidhje me liberalizimin e vizave.

Projektvendimi i qeverisë synon të djegë etapat, me iluzionin se një ligj i tillë shkon në drejtim të "modernizimit" të shtetit shqiptar e të plotësimit të "standardeve" evropiane.

Është me interes të dihet se ku ka qenë zanafilla e këtij iluzioni e sa i beson vetë Kryeministri një versioni të tillë. Nuk mund të mos jesh në një mëndje me të kur ai i quan "të papranueshme" diskriminimet ndaj homoseksualëve, por nuk më duket se kishte një ngut aq të madh për të zgjidhur problemin e tyre, nëpërmjet ligjësimit të martesës.

Është detyrë parësore e çdo qeverie të një shteti demokratik të mbrojë e të përkrahë të drejtat e ligjshme të të gjithë qytetarëve, përfshirë këtu edhe homoseksualët. Por a mund të quhet bashkëjetesa e tyre, që bën pjesë në sferën intime të individit, në të cilën shteti nuk duhet të ketë të drejtën e ndërhyrjes, një familje në kuptimin e mirëfilltë të fjalës?

Historikisht, ajo bashkëjetesë, në forma të ndryshme, si dukuri është e vjetër sa bota, është një anomali e natyrës njerëzore, ndaj së cilës janë mbajtur qëndrime jo të njëjta në periudha të caktuara historike, që nga idealizimi në Romën perandorake apo në Athinën republikane, deri tek dënimet me djegie mbi turrat e druve në inkuizicionin mesjetar, por asnjëherë nuk është ligjësuar si një familje normale dhe e qëndrueshme.

Ka qenë një zbavitje që ka plotësuar kuadrin e kënaqësive erotike perverse të disa personave, shpesh edhe në sferat e larta shoqërore.

Si dukuri ka qenë e pranishme edhe në shoqërinë shqiptare, kryesisht në disa mjedise të Shqipërisë së Mesme, ndoshta e huazuar nga mendësi lindore, të forta në ato treva.

Megjithatë, në shumicën dërmuese të shqiptarëve, dukuria është parë me një mosbesim, deri në neveri, duke prodhuar edhe fjalë e shprehje që, rëndom, përdoren për të fyer dikë që ka një karakter të lëvizshëm, apo që nuk mban fjalën e të cilëve u atribuohet epiteti b....r. Kodi Penal i Shqipërisë socialiste homoseksualët i quante kriminelë e i dënonte me vite të gjata burgimi.

Ishte një nga "tmerret" e atij sistemi kriminal, për të cilin individi ishte një qenie pa asnjë vlerë, bota e brendshme e të cilit duhet t'ishte madhësi e varur nga psikologjia kolektive e, kjo vetë, e telekomanduar nga ideologjia dhe interesat e partisë - shtet.

Kështu mbi ata persona që mbartnin atë lloj anomalie, nuk binte vetëm përbuzja e opinionit, por edhe shpata e drejtësisë.

Pa hyrë në analizën shkencore të dukurisë, mendoj se një qëndrim i tillë ka qenë krejtësisht i padrejtë, çnjerëzor e i dënueshëm, me gjithë pakësimin e shfaqjeve të saj, së paku në dukje.

Kalimi nga të konsideruarit krim deri në vitin 1995, tek projektligji i njohjes së familjes homoseksuale në Shqipëri, tregon se shumë gjëra kanë ndryshuar rrënjësisht në vendin tonë.

Megjithatë, ky hap më duket i nxituar e jashtë kontekstit logjik të problemeve reale të shoqërisë shqiptare sot, më shumë si një veprim i bujshëm, për t'u vënë në faqet e para të gazetave të botës, por pa asnjë dobi efektive për interesat e vendit.

Nëse ideatorët e projektit mendojnë se ky ligj do të jetë tregues i "emancipimit të shoqërisë shqiptare" apo, për më tepër, i plotësimit të "standardeve" evropiane, shpejt do të mbeten të zhgënjyer, mbasi n'Evropë vetëm katër shtete ndër 27 i kanë njohur martesat homoseksuale.

Vendet më të mëdha të kontinentit si Gjermania, Anglia, Franca, Italia etj., ende nuk e kanë quajtur të udhës të miratojnë në shoqëritë e tyre një ligj të tillë, jo sepse kanë paragjykime raciste apo kushtëzime fetare, as sepse nuk njohin të drejtat e njeriut, por se problemi është më i ndërlikuar se sa duket në pamje të parë.

Ai lidhet me nocionin e familjes, si një institucion bazë i shoqërisë njerëzore, i krijuar nga një mashkull e një femër, që ka si pikësynim krijimin e një bashkësie që e kalon numrin fillestar, duke dhënë ndihmesën e saj në ruajtjen e species e në ripërtëritjen e jetës njerëzore.

Familja homoseksuale është e përjashtuar nga ky mision, ajo reduktohet në një bashkëjetesë të dy njerëzve të të njëjtit seks, që nuk prodhojnë asgjë për shoqërinë njerëzore, veç ndihmesës së tyre vetjake në veprimtarinë e përditshme.

Nuk kuptohet atëherë përse lidhja tyre duhet të quhet familje e zyrtarizuar nga ligji. Duke u quajtur e tillë do të kishte të drejtën e ligjshme të adoptonte edhe fëmijë, prirje që përbën edhe pikën më delikate të çështjes.

Nëse shteti dhe shoqëria nuk i njohin të drejtën vetes të ndërhyjnë në sferën vetjake të individit e t'imponojnë vullnetin e tyre, pra i lënë të lirë qytetarët të zgjidhin sipas dëshirës problemet e marrëdhënieve seksuale, nuk mund të mbeten indiferentë kur bëhet fjalë për fatin e fëmijëve që duhet të jenë të mbrojtur. Adoptimi i fëmijëve nga familja homoseksuale mendoj se duhet të jetë rreptësisht e ndaluar, mbasi fati i tyre do të ishte i komprometuar përgjithmonë.

Ata do të gjendeshin në pozitën e pazakontë të të paturit dy nëna apo dy baballarë, pa qenë asnjëri prej tyre ai i vërteti. Vështirësia e të përballuarit të një jete krejt ndryshe nga bashkëmoshatarët, pa ndjerë dashurinë normale të një çifti burrë-grua, do t'i çonin në trauma të forta psikike e në një gjendje vetizolimi shoqëror. Do të ishin psikologjikisht edhe më të ndryshëm se sa fëmijët e paadoptuar të strehëve vorfnore, pra fëmijët e paligjshëm.

Ato do të ishin viktimat e pafajshme të një ligji që konceptohet e sendërtohet n'emër të mbrojtjes së të drejtave të të gjithë qytetarëve, por që shkel në mënyrë cinike të drejtat e më të vegjëlve, më të dobëtëve, fëmijëve të mbetur pa mbrojtje nga fatkeqësi apo gabime prindërish të pandërgjegjshëm.

Ligjvënësi e ka për detyrë parësore të mbajë parasysh interesat e këtyre krijesave. Por në qoftë se ai lidhjen homoseksuale e quan familje të rregullt, nuk mund t'i mohojë asaj një të drejtë kushtetuese, sikurse është adoptimi i fëmijëve. Prandaj uroj e shpresoj që Kryeministri, qeveria, Kuvendi i ri ta rishohin edhe një herë këtë projekt.

Shqipëria nuk ka nevojë për kapërcime pindarike politike, që do ta vinin para popujve të tjerë t'Evropës, ka nevojë për evolucionin normal të një shoqërie që duhet të ketë guximin t'i shohë në sy e t'i përballojë me gjoks problemet e vërteta të saj, ato pengesa që ka në rrugën e saj drejt Evropës.

Duke miratuar një ligj të tillë, sigurisht, do të kishte marrë lavdërimet e gjithë homoseksualëve të kontinentit, do të kthehej në një qendër gej-prajdësh apo krenari gejsh, por nuk do t'i shtonte asgjë konsideratës s'Evropës për të, ndoshta do t'i pakësonte mjaft n'opinionin e shëndoshë të saj.

Edhe vetë homoseksualët duhet të kuptojnë se pasioni i tyre është diçka kundër natyrës e kundër saj nuk mund të krijohet një institucion që është në bazën e ekzistencës së shoqërisë njerëzore.

Ata mund e duhet të jetojnë normalisht, të kenë të drejtë, në bazë të aftësive, t'arrijnë në të gjitha shkallët e jetës shoqërore, kulturore e institucionale të vendit, të ndjehen kudo e kurdoherë qytetarë të barabartë para ligjit, të zgjidhin me vullnetin e tyre çdo dëshirë erotike apo sentimentale që përbën pjesën e jetës së tyre vetjake, që nuk ka nevojë të shpallet shesheve e rrugëve, por që mbetet në brendësinë e tyre. Ata nuk duhet të ndjejnë mbi vete talljen, përbuzjen, mënjanimin, cilatdo qofshin vendimet e tyre vetjake.

Atëherë mund të themi se jemi në një nivel me popujt e tjerë të zhvilluar, se kemi hequr paragjykimet e kemi mësuar të kuptojmë e të respektojmë edhe ata që kanë diçka të ndryshme nga ne, diçka që deri dje e kemi quajtur turp, por që e zbulojmë si një dukuri që nuk varet nga vullneti ynë, por nga një trill i proceseve gjenetike të organizmit tonë, për të cilët asnjëri prej nesh nuk mund të jetë fajtor, e, si i tillë, meriton mirëkuptim në të gjithë gjerësinë e termit, por jo përmbysje të nocioneve e vlerave, mbi të cilat mbështetet qytetërimi ynë.

Shekulli
Agim Gashi
Agim Gashi
Administrator
Administrator

Numri i postimeve : 45955
Age : 69
Location : Kosovë
Registration date : 17/11/2008

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Mbrapsht në krye

- Similar topics

 
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi