Akllapi Net - Forum i Hapur
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

Xhafer Durmishi: Fjalë solemne për Bacin, Bacën dhe Bacalokun

Shko poshtë

Xhafer Durmishi: Fjalë solemne për Bacin, Bacën dhe Bacalokun Empty Xhafer Durmishi: Fjalë solemne për Bacin, Bacën dhe Bacalokun

Mesazh nga Agim Gashi Mon Aug 24, 2009 12:28 am

Xhafer Durmishi: Fjalë solemne për Bacin, Bacën dhe Bacalokun U1_XhaferDurmishi

Fjalë solemne për Bacin, Bacën dhe Bacalokun


Nga Xhafer Durmishi


xhaferdurmishi@hotmail.com

Hyrje



Shefi i Katedrës së historisë pranë Universitetit Shtetëror, dhe anëtari me renome dhe ndër më produktivët e Akademisë, prof. dr. Muhë Pirra ka marrë për detyrë nga Institucionet përkatëse që ta përgatisë lëndën, të bëjë atë që ndodh shumë-shumë rrallë, që simbolet më të njohura të rezistencës, qëndresës dhe luftës sonë; Bacin, Bacën dhe Bacalokun t’i shpallë heronj të gjallë. Shpallja e tyre heronj mund të krahasohet me shenjtërimin që vende e besime të ndryshme që u bëjnë figurave më të shquara. Përveç punës tepër të çmuar në Katedrën e Historisë dhe në Akademi, Muhë Pirra apo MUPi, siç njihet ai me emrin përkdhelës tek të gjithë ata atdhetarë të persekutuar nga udba, për shkak të përkrahjes së flaktë që i ka bërë idesë së ndërtimit sa më të shpejtë të Katedralës Shqiptare, është zgjedhur arkitekti shpirtëror i saj. Idetë dhe njohuritë e tij të thella do të mirren parasysh gjatë ndërtimit të këtij tempulli, ku me qiellin tonë do të flitet në gjuhën tonë, ku çdo kënd do të jetë i shfrytëzuar për bustet e pllakat përkujtimore të shenjtorëve e apostujve të popullit tonë. Idetë e MUPit do të kenë peshë të madhe edhe për atë se a do të rezervohet vend, dhe nëse po, cili do të jetë ai që në Katedralë do t’u jipet Bacit, Bacës e Bacalokut. Në vazhdim për të evituar përsëritjen e tepruar, nganjëherë, këtë Trekëndësh barabrinjës, këtë Triumvirat do t’a quajmë Trojkë.


Deri këtu pra më duket se çdo gjë është e qartë si drita e diellit dhe nuk ka asnjë befasi për lexuesin e vëmendshëm. Ajo që është paradoksale dhe e papritur është fakti se çfarë kam unë të bëjë në këtë mes, të përzihem në këso punësh, kur dihet mirë se kushti më elementar për t’u marrë me simbole është që edhe vetë të jesh simbol.


Sado e çuditshme të duket, ka qenë kërkesë e vendosur e MUPit që të më zgjedhë pikërisht mua, pasi, sipas fjalëve të tij, nuk ka gjetë person më të përshtatshëm për këtë detyrë. MUPi e ka përgatitë dosjen me fakte të shumta për veprën e jashtëzakonshme pozitive të protagonistëve tanë. Ai e ka marrë në përgjegjësinë e vet arkivin e Trojkës, ndërsa roli im i përngjan “avokatit të djallit” (advocatus diaboli), d.m.th. si përçarës i vjetër dhe armik i përbetuar i idesë së pajtimit kombëtar, të sulmoj pozicionet e Trojkës dhe me këtë të vej në dyshim vendin e tyre pranë apostujve në Katedralë.


Këtu më poshtë në mënyrë të përgjithësuar e të koncentruar (verzioni i tyre i plotë gjendet i mbledhur në disa vëllime në arkivin e Akademisë), së pari do të jipen argumentet pozitive të MUPit.


I


Çështja e emrit


Ne si akademi, dhe mbarë populli e dimë mirë se kush jan Baci, Baca e Bacaloku. Posa të përmenden këta tre emra prezentimi i tyre i mëtejmë bëhet i panevojshëm. Po të mos ishte momenti i një solemniteti të veçantë, në çdo rast tjetër prezentimi i Tyre do të ishte jo vetëm i tepërt, jo i ndershëm, por do të ishte e kundërta, pra një ofendim skandaloz dhe i paturpshëm. Ne qarqet tona dhe në çdo rreth me moral dhe edukatë i thërrasim me emrat folklorik ashtu siç i njeh populli. Eshtë e pamundur të mos indinjohemi kur na bien rasti (edhe pse jashtëzakonisht rallë) që dikush të ketë paturpësinë dhe t’i thërras këta në emërat që jua kanë lënë ndrikullat, thuase i kanë ruajtë lopët apo dhentë me ta. Emrat Atyre u janë dhënë si një lloj titulli me të cilin shtresat më të gjëra të popullit tregojnë reskpekt për ta, tregojnë lojalitetin e vet të pakufi ndaj tyre. Në këta emra masat tona kanë bërë be, janë përbe e janë betuar.


Eshtë masa e popullit të thjeshtë, të çiltër e të pastër që i ka detyruar Këta të mësohen me këta emra përkundër kundërshtimeve të tyre.


II


Magjia e germës B apo e numrit 3


Eksiston mendimi se Baci, Baca e Bacaloku mund të quhen edhe Baballarë, Etër apo Atllarë të kombit. Se këta Tre, një kohë e kanë kaluar nëpër burgje. Këtu nuk është me rëndësi të diskutojmë se cili ka vuajtur më shumë e cili më pak. Këtë nuk mund ta marrim në diskutim, pasi ata vetë nuk kanë dashur të flasin për këtë vetëm e vetëm për të mos i dhënë armikut shkak për të futur përçarje në mes tyre. Armiku i ka pas në shënjestër pasi Këta kanë kërkuar dhe e kanë mbajtur lartë bajrakun e bashkimit gjithkombëtarë. Që të treve u takon merita se e kanë arritur bashkimin duke e çliruar popullin prej ideologjizmave. Por mbi të gjitha, merita e madhe e tyre është se vendet e qytetëruara na njohin si njerëz që e mbajmë fjalën e dhënë, pra si njerëz të besës.


III


Individualiteti i Trojkës


Sado të ngjashëm të duken në vështrim të parë emrat e Tyre, e në kokat e pagëdhendura dhe të painformuara mund të bëhen përzierje, duke menduar se nuk kemi të bëjmë me Tre veta, por vetëm me Një, gjenialiteti i masës i kombinuar me gjenialitetin e heronjve të gjallë tregon se kemi të bëjmë me një origjinalitet të rrallë, i cili nuk lenë kurrfarë vendi për përzierje.


Pra vetë emrat e Tyre janë garancion i madh që ne dhe gjeneratat e ardhshme nuk do t’i përziejnë këta me njëri-tjetrin apo këta Tre t’i thjeshtojnë në Një.


Mund të mendohet se veti dalluese në mes Tyre mund të jetë mosha, vendi i lindjes, data e lindjes, të dhënat e prindërve etj. Këto janë mënyra për t’i dalluar individët anonimë të turmave, të cilëve u jipet një medaljon në qafë apo ngjitet një numër serial në vesh. Zbatimi i këtyre kritereve tek Trojka është i padenjë dhe siç është thënë më lartë, është ofendim e gjynah i pafalshëm.


Pra mosha e tyre e as koha e burgut dhe e persekutimeve nuk mund të mirren si kriter dallimi. Prandaj e vetmja mënyrë intresante dhe e denjë e dallimit të tyre është ajo se në çfarë mënyre këta janë të mbërrimë, në çfarë mënyrë janë të përsosur, se në çfarë mënyre u komunikohet njohja absolute e botës.


a) Baci është një njeri që me keqardhje të madhe i përcjellë dredhat e përdredhat e ideve të njerëzve të vdekshëm, sidomos kur e sheh se sa larg prej mendjeve të tyre është deri tek e vërteta. Ky e ka gjetur burimin e të vërtetës. Mësheftësitë e të gjitha mistereve i shfaqen krejtësisht të zbërthyera në ëndërrat e tij. Këto i merr dhe në mënyrë strategjike ia shfaq parisë së popullit dhe me këtë e kursen prej vuajtjeve të panevojshme e prej humbjes së kohës. Pra atributi, vetia veçuese e Bacit nga dy të tjerët është ëndrra.


b) Bacës i shfaqet e vërteta në një mënyrë krejt tjetër. Eshtë edhe një emër tjetër i përshtatshëm për Bacën. Atë do të mund ta quanim edhe Pogllavicë, pra Pogllavica i të gjitha fiseve tona. Ky të vërtetën dhe fshehtësinë e fuqive natyrore e sheh në shtëllungat e tymit duhanit që del nga llulla e vet dhe e bashkëbiesdusve të vet. Në çadrën i tij për këtë qëllim përherë i mban rreth njëqind lloje të duhanit.


c) Nëqoftëse ndokush në vendin tonë me të vërtetë e meriton epitetin njeri i letrave atëherë pa dyshim ky është Bacaloku. Pra bacaloku nuk merret vesh në analizimin e ëndrrave e as në tymit të duhanit, por vetëm në letra, në karta. Nuk ka ndodhë asnjë rast, sado i koklavitur të ketë qenë, që Bacaloku nuk e ka zgjidhë me anë të 52 katrave të tij.


IV


Disa akspekte karakteristike të Stilit në punë


a) Nga stili i Bacit


Për Bacin vlen thënia “trimi i mirë me shumë shokë”. Të gjithë shokët e Bacit janë të mirë, e donë Atdheun, janë kuadro të formuara.


Para çdo aksioni, para çdo vendimi me rëndësi, Baci e ka për adet me i pyetë shokët se mos rastësisht ndonjë prej tyre është gjynyp. Thonë se Baci është aq i përsosur sa është i vetëdijshëm (apo i ka ndodhë edhe në të vërtetë) që kur nuk i ka shkuar puna mirë në ndonjë betejë përkundër përgatitjeve të hollësishme, e ka ditur se shkaku për këtë qëndron në atë se dikush nga radhët e tij është gjynyp dhe posa është larguar ai, menjëherë punët e kanë marrë të mbarën. Se edhe një gjynyp i vetëm ia bythprap të gjitha punët e ia humbë betejën. Për këtë shkak thonë se Baci kurrë nuk rrin pa abdes.


Pra, në radhët e Bacit asgjë nuk i lehet rastit. Asnjë gabim e devijim nuk tolerohet, pasi po të bëheshin lëshime, atëherë shkaku i një të keqi do të vuanin gjithë të mirët, pranë një druri të thatë do të digjeshin gjithë të njomët. Pra në rrethin e Bacit kooptimi bëhet vetëm (pasi kandidati të jetë larë në hamamxhik) me pajtimin e të gjithë shokëve.


Baci kurrë në asnjë takim me rëndësi nuk ka dalë vetëm, pa shokë e pa dëshmitarë. Në rast nevoje i ka shty takimet e të gjitha punët vetëm e vetëm në mënyrë që në takime me palë të ndryshme të paktën të ketë një apo më shumë shokë.


b) Nga stili i Bacës


Baca apo Pogllavica, pjesën më të madhe e kalon në çadrën e tij, dhe pothuajse tepër rrallë ka nevojë që të udhëtojë ndokund pasi të gjitha punët me rëndësi, konsultat e të tjera kryhen në çadrën e tij në të cilën i mban llojet e ndryshme të duhanit, me të cilin mbushen llullat e ndryshme varësisht nga situata e rangu i atyre që kërkojnë këshillat e tij. Një aspekt që e vështirëson largimin e Pogllavicës nga çadra është uniforma e tij me të gjitha pendlat e shqiponjës. Thonë se vetë Baci dhe Bacaloku shkojnë në çadrën e tij për t’u konsultuar e lëre më të tjerët. Ka mendime se Baca është aq i dobishëm për popull sa as ai vetë nuk është krejtësisht i vetëdijshëm për këtë. Edhe keq me u mundua me folë atij prapseprap fjalët i bien aq mbarë sa nuk mundet askush me i luejt.


Ai është dëshmia më e gjallë e autoktoktonisë sonë në trojet tona. Malet, lumejt, liqejt, kanjonet janë sfondi i Bacës, jashtë të cilave nuk mund të duket madhështia e tij.


c) Nga stili i Bacalokut


Për Bacalokun thonë se është aso burri që shoq të gjallë nuk ka


Disa mund të thonë se Bacaloku është ujk që punët e veta i pleqnon vetë. Kurrë në karrierën e vet të lavdishme, nuk ka dalë në asnjë takim me asnjë shok. Gjithmonë takimet me të tjerët i ka bërë vetëm. Këtë ai e bën me të vetmin qëllim që t’i shpëtojë shokët e tij të shumtë nga gjërat e tepërta. Pjesëmarrja e tyre ka qenë e panevojshme pasi Bacaloku ka pasur besimin e tyre të paluhatshëm. Nga kjo del se në rrethin e vet Bacaloku ka qenë dhe është i vetmi njeri i pagabueshëm, i pastër dhe me veprimin e vet i ka shpëtuar të gjithë shokët. Për punën e Bacalokut mund të thuhet e kundërta nga ajo që e kishim tek Baci: pra, tek Ky, pranë të mirit shpëton edhe i keqi. Del një i drejtë dhe i shpëton gjithë të shtrembërit, del një i drejt dhe ia sheh hajrin gjithë vendi, del një i pastër dhe i shpëton të gjithë gjynypat, del një i larë dhe i shpëton të gjithë të palarët.


vijon
Agim Gashi
Agim Gashi
Administrator
Administrator

Numri i postimeve : 45955
Age : 70
Location : Kosovë
Registration date : 17/11/2008

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Xhafer Durmishi: Fjalë solemne për Bacin, Bacën dhe Bacalokun Empty Re: Xhafer Durmishi: Fjalë solemne për Bacin, Bacën dhe Bacalokun

Mesazh nga Agim Gashi Mon Aug 24, 2009 12:30 am

Pa Bacalokun nuk na kishin hangër as qentë


V


A ka fat më të madh se sa në të njejtën kohë me i pas tre liderë të fuqishëm të formatit botëror, të cilët armiqtë tanë mezi po presin për të na i përvetësuar?


Ka mendime të shumta dhe besime në popuj të ndryshëm se brenda një periudhe të caktuar kosmike, vetëm një mundet me qenë i përsosur, më i dituri, i mbërrim, e i zgjedhur. Eshtë çështje delikate e Akademisë t’ia qartësojë popullit tonë se Tre heronjtë tanë janë të mbërrimë dhe na janë parqitur në të njejtën periudhë kosmike.


Ka pasur mendime para qindra vjetësh se “Më i mirë është një gjeneral i keq se tre të mirë!” apo“Tre Atllarë në një mullar nuk lidhen”.


Tek çdo popull tjetër paraqitja e Tri figurave të tilla me aftësi për hipnotizimin e masave e tërheqjen e tyre pas vetes, do të paraqiste burim për konflikte të pandërprera. Eshtë hera e parë që kjo nuk ndodh dhe atë në kundërshtim me të gjitha parashikimet. Kjo është arritë përmes mirëkuptimit vëllazëror e shumë të drejtë që mbretëron në mes tyre.


Mirëkuptimi i sinqertë, pajtimi, fryma vëllazërore që mbretëron në Trojkë, janë garanca më e plotë se vendi ynë ka hy në fazën e një stabiliteti një mijë vjeçar. Kërkesa për Trojkën dhe çmimi i saj në tregun botëror të atdhetarizmit është i pallogaritshëm. Është hera e parë në histori që tri figura të tilla lajmërohen në të njejtën kohë dhe në të njejtin vend dhe flasin në të njejtën gjuhë dhe të krijojnë një unitet të paparë.


Mirëkuptimi i Trojkës lidhur me ndarjen e hapësirës


Është e vërtetë se këta e kanë ndarë vendin në sferat e veta vetëm e vetëm me qëllim që shërbimet e tyre të shfrytëzohen në mënyrë optimale. Por qëllimi i ndarjes së vendit në domenet e tyre ka edhe një anë tjetër dhe ai është që të mos i lejohet asnjë tradhtari apo të pabesi të ngulitet në trojet tona.


Mirëkuptimi i Trojkës lidhur me ndarjen e kohës


Shihet qartë se me dashtë këta të Tre, secili ka mund ta ketë kalendarin e vet.


Secili ka aftësi për ta llogaritur kohën në mënyrën e vet, por këta nuk kanë dashur ta bëjnë këtë.


Në mënyrë vëllazërore janë marrë vesh që të ketë vetëm një kalendar


Këta janë marrë vesh dhe janë koncentruar në kohën e tashme dhe punojnë me tri ndërrime, secili nga 8 orë. Këta e zëvendësojnë njëri-tjetrin tërë kohën sa herë që ndonjëri nga ta mund të sëmuret apo të jetë në pushim vjetor. Secili prej tyre shtyhet që të punojë sa më shumë në mënyrë që kolegut të vetë t’i jep sa më shumë kohë të lirë për pushim e rekreacion.


VI


Disa nga mrekullitë e Trojkës


Pastrimi i çështjes prej ideologjizmave





Një nga mrekullitë e Tyre mund të thuhet se në mendimet e Tyre kurrë nuk ka pasur lëkundje apo ndërrim e revizionim të ideve.


Kur jemi tek Trojka përjashtohet mundësia e çfardo konflikti për shkak të ideve, pasi këta janë të liruar nga çdo ideologjizëm d.m.th. nga çdo ide.


A ka meritë më të madhe se me e pastrua çështjen lirisë e të mirëqenies prej ideve?!





  • Nisja nga zeroja






Trojka është krijuese. Ajo nuk ka trashëguar asgjë


Eshtë fakt i padiskutueshëm se Këta në punën e vet për çlirimin e Atdheut, për krijimin e shtetit, janë nisë prej zeros.


Është fakt se populli ynë dhe të gjitha punët e tij janë sjellë në rreth derisa kanë ardhë këta dhe i kanë qitë punët tona në vi njëherë e përgjithmonë.


Sikur Trojka të mos kishte dalë në skenë dhe me e marrë situatën në dorë, atëherë kish ndodh më e keqja. Pra ka ekzistue rreziku real që krejt fati ynë të bien në duartë e udbës.





  • Bashkimi i popullit






Si është zgjidhë kjo çështje në vendin tonë?


Partneriteti e përjashton çdo gjë që ka lidhje me fjalën konkurencë


Këta në qenien e tyre janë persona që nuk kanë konkurencë, dhe kurrë Baci, Baca e Bacaloku nuk e kanë konsideruar konkurent njëri-tjetrin. Vetëm një njeri i tillë i mbërrimë që në natyrën e tij nuk e ka shijuar kurrë konkurencën, apo në rrugën e tij drejt majave ku ka synuar ka shpartalluar me lehtësinë më të madhe çdo konkurencë, e di se sa e dëmshme, sa humbje kohe mund të jetë ajo. Pra, këta nuk janë konkurentë dhe nuk kanë qenë kurrë konkurentë në mes vete.





Sjellja e tyre me atë masë, me adhuruesit e njëri-tjetrit gjatë kohës kur Njëri apo Dy nga Ata kanë munguar (me arsye) nga detyra për shkak të pushimit vjetor, sëmundjeve apo marrjes peng nga ana e udbës


Ka ndodhë që në kohë të ndryshme Një apo Dy, për shkaqet e lartpërmendura kanë mungua nga detyra. Në këto dekadat e fundit populli ynë kurrë nuk ka mbetur të paktën pa njërin prej udhërrëfyesve. Ai apo ata Dy që kanë qenë të lirë janë kujdesur për simpatizuesit e anëtarët e të Tretit sikur me pas qenë anëtarët apo evladët e vetë, bile edhe më shumë vetëm e vetëm që ata të mos e ndiejnë veten si jetimë.


Kurrë këta nuk e kanë shfrytëzuar mungesën e njërit për t’i demoralizuar simpatizuesit e njëri-tjetrit e për t’i poshtëruar, për t’i marrë rob, apo për (t’i) akuzuar se pse e keni simpatizuar atë e jo mua. Ideja e forcimit të pozitave të njërit në kurriz të tjetrit është e poshtër për ta, është absurde.


Ta zëmë se Baci në një situatë ka qenë në krye të detyrës kurse dy të tjerët të zënë. Në këto situata, edhe pse ai ka qenë i stërngarkuar me punë, kur iu kanë nevoitë edhe argat prej balte, nuk ka dashur t’ia prishë pushimin Bacës e Bacalokut. Përkundrazi ai ka insistuar dhe ka paguar mjekë specialistë që t’ua vazhdojë pushimin.


5. Sjellja ndaj të pakënaqurve me nafakën e vet


Nuk janë raste të rralla e krejt të panjohura kur dikush nga radhët e njëri-tjetrit, duke menduar se do ta ketë një pozitë më të mirë tek tjetri, të nisur nga parimi se “nuk është vlerësuar si duhet, se po nuk ia din kimetin” shkojnë tek tjetri, duan të këshillohen për ndonjë punë apo shfaqin dëshirë të kalojnë në radhët e tij. Atëherë cilido prej tyre përgjigjet: Ti nuk ke nevojë me ardhë tek Unë kur e ke Bacin, Balalokun e kështu me radhë. Ka ndodhë p.sh. që një anëtarë, përkundër faktit se ia ka dhënë “zakletvën” Bacit, shkon dhe i shpreh dëshirën e gatishmërinë Bacës apo Bacalokut që të kalojë në radhët e tij.


Cila është përgjigja, e mënyra e “ceremonisë së pranimit” të këtyre kalimtarëve, të cilët janë vazhdimisht në kërkim të nafakës?


Në këtë rast, ta zëmë, Bacaloku i përgjigjet, se: “sikur të mos isha Ai që jam, kurrë në këtë jetë nuk kisha pasur dëshirë më të madhe se sa me pas qenë nxënës e adhurues i Bacit, se sa të isha në vendin tënd dhe m’u për këtë shkak, në ditën e kiametit, në ditën kur kemi me u ba suhal, ti mund të jesh në pozitë shumë më të volitshme se Unë.” Kur i ndëgjon këto fjalë bërësi i “zakletvës” pendohet, skuqet nga turpi për atë që ka dashur ta bëjë dhe kthehet si i dhiem tek Baci, me vendosmërinë përfundimtare që të mos çkapet më prej tij. Kështu pra sillen të Tretë me ikanakët e njëri-tjetrit.


6. Sjellja në mes vete e Trojkës kur gjenden në të njejtin kuvend, kur janë ftuar në të njejtën festë


Këto raste sjellin probleme jo të vogëla. Kemi hetuar se lajmërohen tri probleme. I pari shtrohet para dere, në hyrje. Një kohë të gjatë e kalojnë duke u shty kur këta duan t’i lëshojnë njëri-tjetrit radhën për të hy i pari. I dyti; shtyrje e ngjashme bëhet për ta vendosur njëri-tjetrin në vendin e madh. I treti është insistimi për t’ia dhënë fjalën njëri-tjetrit. Edhe kur, përkundër dëshirës, detyrohen ta marrin fjalën, këta mundohen të flasin sa më shkurt e sa më pak në mënyrë që tjetrit t’i lënë kohë për të folur sa më shumë. Edhe atë kohë që e marrin në dispozicion, nuk bëjnë gjë tjetër pos e citojnë njëri-tjetrin.



vijon


Edituar për herë të fundit nga Agim Gashi në Mon Aug 24, 2009 12:32 am, edituar 1 herë gjithsej
Agim Gashi
Agim Gashi
Administrator
Administrator

Numri i postimeve : 45955
Age : 70
Location : Kosovë
Registration date : 17/11/2008

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Xhafer Durmishi: Fjalë solemne për Bacin, Bacën dhe Bacalokun Empty Re: Xhafer Durmishi: Fjalë solemne për Bacin, Bacën dhe Bacalokun

Mesazh nga Agim Gashi Mon Aug 24, 2009 12:30 am

VII


Mosmarrëveshjet eventuale të Trojkës


A ka pasur Trojka ndonjëherë mosmarrveshje?


Instituti i historisë, Katedra nuk ka asnjë dokument që flet se këta kanë pasur ndonjë mosmarrëveshje.


A e kanë ofenduar ndonjëherë njëri-tjetrin?


Kurrë!


Krejt rruzulli tokësor është i mbushur me vende duelesh. Kryevepra të letërsisë botërore janë të mbushura me raste ku përshkruhen duele kaubojësh, kalorësish e aristokratësh, por asnjë rast i këtillë nuk ka në vendin tonë. Merita për këtë i takon Trojkës.


A kanë pasur nevojë të idhnohen anëtarët e Trojkës ndonjëherë në njëri-tjetrin?


Kurrë!


Të gjitha konfliktet, të gjitha kurthat këta i kanë identifikuar menjëherë si vepra të udbës, dhe i kanë zgjidhë në mënyrë vëllaznore.


VIII


A ka fat më të madh se me lindë në epokën e Trojkës?


Kjo mvaret nga orientimi. Kjo mvaret se në cilin taborr gjendesh. Rasti më i mirë por është i jashtëzakonshëm që dikush të ketë pasur punë me të Tretë. Ta ketë mirë me të tretë, të jetë pëlqyer prej të treve.


Fat i mirë është nëse je kingj i butë për t’i thithë Tri (dy) nana


Këta i takojnë rangut më të lartë. Kjo është fatlumësia më e madhe. Shumica e banorëve të vendit tonë në këtë pyetje të paevitueshme, me të cilën ndeshen gjatë mbushjes edhe të formularëve më elementare në organet shtetërore, përgjigjen për atë se kujt i besojnë më së shumti, për kë janë të lidhur, apo mbas kujt janë kap.


Mjafton të jesh me njerin që të llogaritesh në mesin e fatlumve, pasi këta në bazë të marrëveshjes për partneritet, jua njohin stazhin të gjithë anëtarëve. Në rast të naivitetit e verbërisë politike del ndonjë pabesimtarë e thotë se nuk jam me asnjërin, atëherë këta, me të drejtë e marrin në brina dhe e bëjnë pishman pse ka lindë. Nëqoftëse dikush del kundër të Treve, atëherë nuk ka çfarë të thuhet për të, pos e pastë vehten në qafë. Pra e keqja më e madhe është mos me u kap pas asnjërit.


Ai që mundohet me i konkurua, e sheh menjëherë se nuk ka ku me ngulë


I vetëmi ngushëllim i gjeneratave të kaluara ka qenë shpresa për ardhjen e epokës së Tyre.


IX


Cili është vendi i merituar i Trojkës?


Nuk ka dyshim se djem më hallall se këta vendi ynë nuk ka pas prej se u kurdisë dynjaja. Ekziston një legjendë shumë e lashtë që është përcjellë gojë mbas goje, me shekuj të tërë se liria e vërtetë dhe e pacenueshme vendit tonë do të vijë, kur ai t’i ketë “Tre djem hallall që e duan Atdheun më shumë se sa vehten.” Si Tre djem hallall që janë, vendi i tyre përfundimtar është parajsa. Monumentet e tyre në Katedralë, për këta Atllarë duhet të jenë sa më afër altarit.


Si njeri i historisë mendoj se duhet ndërtuar edhe një ndërtesë ku të ruhet Arkivi i Tyre. Kjo fjalë e imja kam shpresë se do të jetë më e forta dhe më e mira, e cila do të gjendet në faqen e parë të arkivit të Bacit, Bacës dhe Bacalokut.


X


Çka ndodhë me ata që e lëshojnë rrugën e Trojkës?


Në § 10, që është edhe pika e fundit e dekalogut të Trojkës e do rendi të shqyrtohet çështja e atyre që devijojnë dhe largohen nga rruga e drejtë.


Në Statutin e tyre thuhet:


“Ai që dezerton, ai që nuk na beson, ai që tradhton, ai që ka qoftëedhe një fije dyshimi në madhështinë tonë, jo vetëm që mbetet pa iman por bënë aso gjynahi që shpërblehet me vdekje.”


Pasi ta kesh dhënë “zakletvën” e vetmja mënyrë e ndarjes me ta është vdekja. Moralisht do të ishte shumë punë e keqe, sidomos për autoritetin dhe nderin e moralin e Trojkës, me dalë fjala se dikush e ka lënë Bacin, se dikush jua ka kthye shpinën. Me e lënë Baci apo Bacaloku dikë, apo kë të dojë, e me jua kthye shpinën nuk është asgjë, as nuk ka kush për t’u marruar pasi Baci apo Bacaloku këtë të drejtë e kanë nga pozita e lartë që e kanë fituar.


Ky nen ka për qëllim që të forcojë unitetin, t’u jep nasihat të tjerëve, në mënyrë që ata që janë kapë pas tyre të lidhen edhe më shumë në një unitetet të fuqishëm, në të cilin do ta thejnë kokën tradhtarët e të pabesët. Ata që ia kthejnë shpinën Bacit, Bacës e Bacalokut, shpërblehen me vdekjen. Dënimi më i madh i shqiptohet sidomos atij që nga ta largohet i pari.


Argumentet negative të Avokatit të djallit (advocatus diaboli)


Për simbole mund të flasë vetëm ai që edhe vetë është simbol


Shtrohet pyetja; Pse Muhë Pirra, apo MUPi më ka zgjedhur pikërisht mua që të jap argumentet e mia, për të cilat jam i bindur se tregojnë natyrën e vërtetë të Bacit, Bacës e Bacalokut?


MUPi ka insistuar, pasi ai ka fakte të padiskutueshme se unë mund të merrem me këto simbole, pasi edhe vetë jam apo kam qenë simbol, në përputhje me të gjitha kërkesat e folklorit. Edhe unë mund të lavdohem se emri im fillon me germën b. Sa i përket burgut nuk kam argumente që mund të shtyhem me Trojkën. Është e vërtetë se si i pangueshëm i kam kaluar disa javë në “popravni dom” dhe nga aty jam liruar si i rehabilituar. Ndërsa anëtarët e Trojkës kanë dalë nga burgu të pathyeshëm d.m.th. të papërmirësueshëm.


Në bazë të cilave merita mund të mëtoj se edhe unë jam simbol?


Është e vërtetë se tri herë në karrierën time kam qenë Bullan.


I bazuar në këtë fakt, detyra që MUPi ma ka dhënë nuk ka të bëjë vetëm me kundërshtimin e hedhjen poshtë të argumenteve pozitive të tij. Ai më ka premtuar solemnisht se nëse fuqia ime argumentuese do të jetë bindëse e me anë të cilës do të deklasohej mundësia e Trojkës për vend në Katedralë, atëherë si simbol, ka gjasa, jo vetëm teorike, që vendi i paramenduar për Ata të më jipet mua.


I


Çështja e emrit


Nuk është e vërtetë se masa apo rrethi i ka thirrë këta së pari me emrat Bac, Bacë e Bacalok.


Këta emra janë shumë të përhapur dhe nuk janë aspak origjinal dhe secili prej tyre e akuzon tjetrin për plagjiat (vjedhje, kopjim) të emrit. Nuk kam dëgjuar kurrë ndonjë që së pari është përbe, betuar apo të ketë dhënë ndonjë “zakletvë” në emër të tyre. Është pikërisht e kundërta. Janë këta të cilët i kanë introduktuar emrat e vet për mjesidin në të cilin janë gjetë, në stilin: ngo bac!, po bacit!, ani bacit!, kështu bacit! Eja te baci!, tregoj bacit! Janë vetë këta dhe askush tjetër që të parët janë përbe në emrat e vet në stilin: Jo pasha bacin! Jo pasha Bacën kurrën e kurrës! Jo pasha Bacalokun nuk shkon kjo punë kështu!


Pse e përdorë Trojka këtë trik?


Mendimi më i përhapur është ai sipas të cilit Trojka e bënë me qëllim që ta shohë se cilët janë ata që në turmën e njerëzve e kuptojnë këtë përdorim, e kuptojnë këtë shenjë kopilie, këtë të bame me sy, pra cilët janë ata që e hanë. Këta veprojnë kështu pasi vetëm këtyre (prostitutave) që e hanë, që bëjnë gara për t’u hy në bythë me ka krejt, munden lirisht dhe pa fijen e frikës me jua kthye shpinën. Vetëm këtyre “besnikeve” këta u zënë besë.


II


Magjia e germës B apo magjia e numrit 1


E vërteta është se askush si Trojka nuk është përpjekë të mbjellë pabesi e përçarje në vendin tonë. Në vendet me qytetërim të mirëfilltë, kuptimi i mosmbajtjes së fjalës së dhënë mungon. Për ata është e pakuptueshme se pse një fjalë që nuk mbahet ka nevojë për t’u dhënë. Tek ne, duke iu falenderuar Trojkës e atmosferës së lëkundjeve dhe shumfytyrësisë së saj, ekzistenca, qoftë edhe e një të vetmi që e mban fjalën, quhet besë e virtyt i jashtëzakonshëm.


Pasi jam zgjedhur si i vetmi në kerrin e bullave, d.m.th. që nga ajo kohë e kam ndier veten të zgjedhur, të mbetur jo vetëm në pakicë por si i vetmi i llojit tim, të pakonkurencë, dhe si rrjedhim i gjithë kësaj, të lidhur pazgjidhshmërisht vetëm me numrin 1.


III


Individualiteti i Trojkës


Është e vërtetë se anëtarët e Trojkës dallohen shumë në mes vete dhe në të vetmen pikë ku origjinaliteti i tyre shprehet është në budallallëqet dhe bestytënitë e tyre.



vijon
Agim Gashi
Agim Gashi
Administrator
Administrator

Numri i postimeve : 45955
Age : 70
Location : Kosovë
Registration date : 17/11/2008

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Xhafer Durmishi: Fjalë solemne për Bacin, Bacën dhe Bacalokun Empty Re: Xhafer Durmishi: Fjalë solemne për Bacin, Bacën dhe Bacalokun

Mesazh nga Agim Gashi Mon Aug 24, 2009 12:31 am

IV


Disa aspekte karakteristike të Stilit në punë


I gjithë argumentimi, në këtë pikë, nga një aspekt është i vërtetë. Këto argumente janë përzierje fjalësh nga tradita, nga dëshirat e mira, nga shpresat, nga pasojat e mosdijes dhe e mbjelljes së obskurantizmit.


a) Baci nuk ka dalë kurrë vetëm, sepse e ka ndier veten të dobët, prandaj për t’iu imponuar palës tjetër, ai ka qenë në gjendje që brenda disa minutash kalimtarin e parë që e ka gjetë në stacion të trenit apo autobusëve, ta ndaj, ta bëjë ceremonin e shpalljes (gradimit për) kalorës, për disa minuta ta bëjë anëtar të Komitetit Qendror, dhe ta marrë me vete në një bisedë shumë të rëndësishme.


b) “Pogllavica” është një rast me specifikat e veta. E vetmja vërejtje që mund ta them kundër “Pogllavicës” është fakti se pendlat e uniformës nuk i ka të vetat. Pamja e tij pa pendlat e huazuara është një pamje jo aq e mirë. Për këtë aryse janë tepër-tepër të rrallë ata që e kanë pa ndonjëherë pa uniformë.


c) Bacaloku nuk merr kurrë shok në takime. Stili i tij është i kundërt me të Bacit. Ai mund të shkojë për të pi kafe e çaj tek një shok e për asgjë tjetër, por t’u thotë besimtarëve të vet se ata nuk bënë të jenë aty, pasi tubimi është i një karakteri “sekret ku do të shqyrtohen shumë çështje delikate”. Këtë e bënë ai jo për t’i kursyer shokët e vet, por vetëm e vetëm që të ketë mundësi t’i manipulojë si të dojë, e t’u thotë çfarë të dojë.


I takon Katedrës së nderuar, Akamedisë e akademikut t’i merrë ashtu siç janë në të vërtetë. I takon akademikut të gjykojë drejt e të merr parasysh se kjo pikë në argumentimin pozitiv, fjala dashamirëse e MUPit nuk mjafton për të zënë një vend në cilëndo qoshe Katedralës.


V


A ka fat më të keq se sa në të njejtën kohë me i pas tre liderë të pafuqishëm dhe më injorantët në botë, të cilët armiqtë tanë mezi po presin për të na i lënë në derë?


Eshtë faktkeqësi sikur ta kishim edhe vetëm njërin prej tyre. Por fatkeqësia është më e madhe pasi këta janë Tre. Thëniet; “Eshtë më mirë të kesh një gjeneral të keq se tre të mirë!” dhe “Tre atllarë nuk mund të lidhen në një mullar!” pikërisht për meritën e tyre janë më aktuale se kurrë më parë.


Rreth ndarjes së hapësirës


Këta kurrë nuk pajtohen me ndarjen e tokës, ndarjen e hapësirës. Ndarja paraqet vetëm ekuilibrin momental deri sa të armatosen më mirë. Qëllimi i tyre është me ia rrëmihë e me ia marrë dheun nën këmbë njëri-tjetrit.


Rreth ndarjes së kohës


Secili prej tyre lufton me çdo mënyrë që koha të llogaritet me kalendarin e vet.


VI


Disa nga “mrekullitë” e Trojkës


1.Pastrimi i çështjes prej ideologjizmave


Këta lavdërohen se e kanë pastruar çështjen prej ideologjizmave, d.m.th. prej ideve. Sipas këtyre strategëve thirrja në nacionalizëm nuk është ideologji dhe nuk ka lidhje me ide.


Pastrimi e xhveshja e njerëzve prej ideve, pastrimi i trurit të tyre prej ideve nuk është gjë e tjetërt, pos hap i parë për t’ua pastruar xhepat, për t’ua ngrënë djersën, dhe në rast nevoje, ta disponojnë si të duan gjakun e tyre.


2. Nga “sjellja në rreth” deri tek “vendosja e punëve në vi”


Trojka është krijuese! Ajo nuk ka trashëguar asgjë!


Këtu nuk kam nevojë për argumente të mia. Vetë Bacin e kam ndëgjua me veshë të mij kah i thotë Bacës, apo Bacalokut, “Qen, qen bir qeni!”


Pra, secili për vete thotë së është krijues, se është krijuesi, ndërsa të tjerëve u thotë: “Qen bir qeni, se e ke (keni) gjetë sofrën e shtruar!”


Pra, ajo që për Bacën duket “zero” për Bacin e Bacalokun nuk është asgjë tjetër por “sofra e shtruar”, e rrumbullakët, tavolina e rrubullakët. Pasi këta vetë me gojën e vet e akuzojnë secili njëri-tjetrin për “qen mosmirnjohës”, bukpërmbysës ndaj “sofrës së shtruar”, konkludojmë se asnjëri prej tyre nuk është nisë prej zeros por është pikërisht e kundërta, se e kanë gjetë sofrën të shtruar, se tregohen të pabesë ndaj bukës së shtruar.


3. “Bashkimi” i popullit


Si është zgjedhë kjo çështje në vendin tonë?


Kurrë në jetën e tyre Trojka nuk e ka përjetuar një atmosferë jashtë konkurencës. Kurrë në jetën e tyre këta nuk kanë pasur plan më madhështor se atë për ta asgjësuar, mundur e poshtëruar njëri-tjetrin.


4. Sjellja e tyre me atë masë, me adhuruesit e njëri-tjetrit gjatë kohës kur Njëri apo Dy nga Ata kanë munguar (me arsye) nga detyra për shkak të pushimit vjetor, sëmundjeve apo marrjes peng nga ana e udbës


Si njerëz që e urrejnë njëri-tjetrin, Këta bëjnë çdo gjë që të jetë e mundur për t’i forcuar pozitat në kurriz të njëri-tjetrit. Këshilla më elementare e Bacit për anëtarët e vet është:


“Baca dhe Bacaloku janë të poshtër, por poshtërsinë e tyre duhet ta shtjellojmë me kujdes e me takt, pasi ata shokët i kanë të mirë. Shokët e tyre na nevoiten.” Edhe Bacaloku apo Baca kujdes të veçantë i kanë kushtuar punës se si me ia marrë shokët njëri-tjetrit.


5. Sjellja ndaj të pakënaqurve me nafakën e vet


Marrja e një “shoku të ngushtë” prej njëri-tjetrit janë trofetë më të çmuara në arsenalet e gjuetisë së Trojkës. Këto raste ata i kanë përdorë si dëshminë më bindëse e më të gjallë se janë në rrugë të drejtë, në rrugën fitimtare. Dezertorët e njërit kanë pasur vendin më të lartë, “e janë vlerësuar sipas meritave të vërteta” tek tjetri.


6. Sjellja në mes vete eTrojkës kur gjenden në të njejtin kuvend, kur janë ftuar në të njejtën festë


Pikë së pari këta janë përpjekë që kurrë të mos jenë në të njejtin kuvend. Janë të njohura shprehjet e tyre: “Nëse Ai është aty, Unë kurrë nuk vij, se nuk mund ta duroj e tia shoh surratin e qenit.” Nëse më në fund pranojnë të jenë në një tubim, si kusht elementar kanë shtruar që emri i njërit të jetë i pari në listën e të ftuarëve dhe emrat e dy të tjerëve në fund. Kur e kanë marrë fjalën secili është munduar të flasë sa më shumë dhe mundësisht të marrë aq kohë sa të mos mbetet asnjë sekondë për të tjerët.


Ka ndodhë njëherë që edhe Bullani ka marrë ftesë për të marrë pjesë në këto lloj festash e kuvendesh, si ndëgjues. Baci, Baca e Bacaloku janë paraqitë kinse nuk po e njohin, dhe nuk i kanë kthyer sytë nga ai as gjatë fjalimeve e as gjatë pushimeve në mes seancave. I befasuar nga ky trik, e pyeta një aktivist të njohur që e kisha afër në tavolinë se pse vepron Trojka në këtë mënyrë? Ai u përgjegj; “Këtë e bëjnë nga frika se mos po i jipet fjala Bullanit. Dihet se anëtarët e Trojkës në çdo të tretën fjali e akuzojnë dhe e quajnë njëri-tjetrin për ‘qen bir qeni’. Ata kanë frikë të pashërueshme se pas fjalës së tij, festat e kuvendet për Ta mund përfundojnë përgjithmonë. Kjo mund të ndodhë pasi fjalimet e Trojkës, në vazhdim ka rrezik serioz që të përjetohen si lehje.”


VII


“Mosmarrëveshjet eventuale” të Trojkës


Jo vetëm mosmarrëveshje, por nuk është regjistruar urrejtje më e madhe se sa ajo që kanë anëtarët e Trojkës për njëri-tjetrin. Thuhet se ata e kanë dhe nuk e heqin kurrë prej thumbi njëri-tjetrin.


VIII


A ka fatkeqësi më të madhe se me lindë në epokën e Trojkës?





Eshtë vështirë të kërkosh fatkeqësi më të madhe se sa kjo. Është atmosferë aq e zymtë në mjedisin ku garojnë këta, është mjedis aq i ngarkuar me konflikte natyrale dhe artificiale, sa sjellja normale, sjellja elementare e ndershme, thënia e sendeve ashtu siç ndihen me zemër, konsiderohen si heroizma të vërtetë.


Çdo përpjekje për ta tejkaluar këtë epokë, duhet konsideruar si punën më fisnike, si punën që më së shumti i jep kuptim jetës, si punë për të cilën ia vlen të jetosh.


IX


Cili është vendi i merituar i Trojkës?


Supozimi se Këta Tre, të quajtur nga MUPi “djem hallall”, mund ta kenë vendin në parajsë, është vështirë i besueshëm. Mendoj se këta “hallalla” vendin e merituar e kanë në Hell. Sido që të, jetë puna në këtë pikë, ata nuk meritojnë asnjë bust, asnjë pllakë me emrin e tyre në Katedralë.


X


Çka ndodh me ata që e lëshojnë rrugën e Trojkës?


Më së miri është që të mos kesh punë me asnjërin. Largimi nga ta nuk është gjynah që shpërblehet me vdekjen, por është pikërisht fitim i jetës e shpëtim i shpirtit.


Përfundim


Sa i përket çështjes së emrit, për ndryshim nga Trojka, Bullani emrin e vet nuk ia ka caktuar apo dhënë vetes.


Atributi, shenja e vetme që e ka dalluar Bullanin nga mesi i vet, ka qenë kalemi. Arma e tij e vetme ka qenë kalemi.


Unë kisha dëgjuar shumë e shumë herë ankesat e sinqerta të anëtarëve të Trojkës për atë “se nuk ka gjë më të keqe në këtë botë se mos me të punua kalemi, se sa me e pas një situatë revolucionare përpara e mos me mund me e shfrytëzua, mos me mund me e shnëdrrua në ide e forcë lëvizëse”.


Duke u bazuar në ankesat tyre, përkundër të gjitha vetive të tyre, kam shpreh gatishmërinë time të sinqertë që t’u ndihmoj e të ndikoj për të mirë në rrjedhën e ngjarjeve, duke menduar se një ndikim i tillë është i mundshëm. Por kjo qe e pamundur pasi asnjëri prej tyre nuk tregoi besim ndaj meje dhe nuk ma kthyen kurrë shpinën, duke më konsideruar si të dyshimtë, me fjalë tjera si tradhtarë që u mundua me futë përçarje.


Për Trojkën mendoj se nuk ka nevojë për arkiv. Për ta mjafton arkivoli. Kjo fjalë e imja përfundimtare besoj dhe shpresoj se do të jetë gozhda e fundit në arkivolin e tyre.


Pasi tre anëtarët e Trojkës janë “Tre djemtë hallall” të vendit tonë, rrjedh se Bullani duhet të jetë “djal haram”. Vendi i vërtetë i Bullanit është haremi. Jashtë haremit ai nuk mund të imagjinohet.


Trojka i kërcnon me vdekje ata që asaj ia kthejnë shpinën


Ato që ia ka kthejn shpinën Bullanit çmohen dhe shpërblehen me jetë. Por shpërbilimin më të madh, përmendoren më të madhe Bullani është betuar në tokë e në qiell se do t’ia ndërtojë asaj që e ka lënë më së pari, që ia ka kthye shpinën më së pari.


Bullanin mundemi pa fijen e frikës ta konsiderojmë simbol, por me një diapazon, me një shtrirje pambarimisht më të madhe se sa të Trojkës, shtrirje të cilën Trojka nuk mund ta merr me mend. Bullani nuk është simbol i luftës, i urrejtjes për vdekje për rivalët, i ”mjekrave të thinjura në revolucione”, i obskurantizmit, i injorancës, i besëtytnive, simbol i vetëm një gjinie. Bullani është simbol i dashurisë, paqes, mirëkuptimit, i bashkimit më të rëndësishëm, i vazhdimit të jetës e përjetësisë. Ai është i pari që qëndron në prehrin e Nuses.


Bullani nuk ka pasur asnjë konkurent. Kjo nuk ka ndodhë me kërkesën e tij. Nuk ka asnjë dëshmi, nuk ekziston asnjë letër “historike” e nënshkruar me këtë emër. Janë bullat ato që e kanë zgjedhur atë si të vetmin aktor të dasmës, të llojit të vet. Është ai që luanë në divizion krejt tjetër nga ai Trojkës, që flet me një gjuhë që nuk e ka asnjë fjalë të përbashkët me atë të Trojkës.


Apeloj tek Akademia, tek akademiku, i cili e ka marrë përsipër të na mësojë se në çfarë duhet të besojmë, i cili është duke na treguar se kush jemi, luftëtarit më të lavdishëm për liri, duke përfshi këtu edhe lirinë për t’i besuar e mosbesuar kujt të duam, i cili një Perëndi ia zgjedh kopesë, të tjerëve, ndërsa vetes ia lejon luksin që “t’i falet vetëm të vërtetës dhe të drejtës” dhe në fund, tek akritekti shpirtëror prof. dr. Muhë Pirra apo MUPi, tek ky avokat i madh i atdhetarëve, ta peshojnë punën mirë. Jo një pllakë përkujtimore, jo një bust, por vetë, krejt Katedrala nuk është keq të quhet në emrin e Bullanit, apo në fund të fundit në emrin e Nuses.
Agim Gashi
Agim Gashi
Administrator
Administrator

Numri i postimeve : 45955
Age : 70
Location : Kosovë
Registration date : 17/11/2008

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Xhafer Durmishi: Fjalë solemne për Bacin, Bacën dhe Bacalokun Empty Re: Xhafer Durmishi: Fjalë solemne për Bacin, Bacën dhe Bacalokun

Mesazh nga Sponsored content


Sponsored content


Mbrapsht në krye Shko poshtë

Mbrapsht në krye

- Similar topics

 
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi