Akllapi Net - Forum i Hapur
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

Edmond Shallvari‏: Kontradiksion (Cikël poetik)

Shko poshtë

Edmond Shallvari‏: Kontradiksion (Cikël poetik) Empty Edmond Shallvari‏: Kontradiksion (Cikël poetik)

Mesazh nga Agim Gashi Mon Aug 31, 2009 1:18 am

Edmond Shallvari‏: Kontradiksion (Cikël poetik) U1_EdmondShallvariEdmond Shallvari‏

KONTRADIKSION

Nuk ka fjalë...

E lashë trupit tënd, shijen e dashuris'
Dhe mora me vete, veten e dehur
Do kthehem përsëri që të rinis'
Të shuaj etjen e re dhe të mbetur.

Kështu jam gjithnjë tëndi, timja je
Ç'të le, më pak ta marr për t'u rikthyer
Ç'më jep, gjithnjë të dehur mua më le
Ç'na ndodh, jo nuk ka fjal' për t'u rrëfyer!

Veç me ty

Veç me ty kuptova qejfin
Qejfi, veç nga ty më lindi
Veç me ty e preka diellin
Dielli, veç nga ty më ndriti.

Veç me ty s'njoh pleqërinë
Pleqëria, veç nga ty m'largohet
Veç me ty shijoj rininë
Rinia, veç nga ty rinohet.

Fatkeqësisht

S'ka shpirt të zbrazur
Ka zbrazëtirë shpirti
Si llumi i ardhur
Nga tharrje burimi.

S'ka shikim të keq
Ka keqësi shikimi
Si reja në qiell
Që sjell vrenjtësimin.

S'ka shpirt të lig
Ka ligësi shpirti
Sepse ka njeri
Që fatkeqësisht, lindi!

Kam një tjetër Shqipëri

Hartën e tjetrës Shqipëri
Do ta gjeni në Atlasin e Shpirtit
Ku shqip dëgjoni, shënoni një pik'
Aty fillon dhe vazhdon kufiri.

Është harta më shqiptare e botës
Satelitët zor ta krijojnë
Dhe brenda, dhe jashtë Evropës
Gjithkund ku shqiptarët jetojnë.

Më fal që të zgjodha ndryshe, Shqipëri
Mbetur në 28 mijë kilometrat katrorë
Ka kohë që aty s'më nxe, sa herë vij
Ndaj rend Shqipërisë tjetër, nëpër botë.

Ç'të...Ç'më

Ç'të ika pa puthur
Ç'më mbeti merak
Rastin e humbur

Dyfish do ta laj.

Ç'të ktheva kurrizin
Dhe mbeta pa gjë!
Do ta rraj gjumin
Që pritë më zë.

Ç'të thashë, dua prapë
Bo, boo, s'kam fuqi!
Jo, s'dua viagër
As në pleqëri!

Ç'më duhen të tjerët
S'kënaqem me pak
Eja prapë, moj zemër
Shsht, se lash' nam!

Sfidë

Iik!

E nga vendi s'lëviz
Vetja urdhër s'pranon.
Rrii!
E vetja u ngrit
Kthen kokën e vëngër m'shikon.

Shikoo!

E sytë mbyllen në çast
Vetja vetveten shikon.
Dëgjoo!
Sirenat s'më futin në grack'
Odisenë e lidhur, s'fidoj!

Më pëlqen nata

Mes natës ndjehem më i vërtetë
Askush veç saj, s'ma prek qënien time
Jam pa kufij hapësire në jetë
Një qendër e vogël gjithësie.

Mes natës shoh më shumë dritë
Papirusin qiellor deshifroj kollaj
Aty takoj lashtësisë Perënditë
Dhe vetë Zotin, takoj pastaj.

Depresion

Besim i shkrirë në zhgënjimin e ngjizur
Qartësi e shikimit në mjegullnajën e akullt
Hedhje hapash në humnerën e shpirtit
Fjalë të thëna në përçartjen e plakur.

Guxim i ngulur në tehun e frikës
Mendim i murrosur në kafkën e kokës
Gjumë i paardhur nga nata e ditës
Jetë e mbrapshtë, në mbrapshtësinë e botës.

Ndoshta

Ndoshta kjo botë
Qysh prej krijimit
U ngjiz nga lotë
Dalë prej shpirtit.

Prej shpirtit kozmik
Universit endur
Rrënë pik-pik
Tokës së etur.

Ndoshta më pas
Pikat e lotit
U bënë oqean
Shpirtit të globit.

Buzët e qeshjes

Dhe buzët s'lëvizin njëlloj
Kur qeshja nga ironia del
Ashtu siç një melodi dëgjon
Dhe notat s'tonojnë në tel.

Kështu njeriu ësht' ujdisur
Të flasë dhe pa folur me gojë
Mes buzëve ndryshe lëvizur
Mesazhet e shpirtit të thotë.

Më shumë se qindramijra fjalë
Buzët e qeshjes përcjellin
Herë lëngun e helmët mbajnë
Herë gjithë kaltërsinë e qiellit.

Kontradiksion

Kjo hapësirë, më e vogël se vetja
Më e shkurtër se jeta, kjo kohë
Diçka më guackon si breshka
Si kërmilli diçka më guackon!

Ky shikim, më i tejshëm se pamja
Më i tejshëm se zhurma, ky dëgjim
Diçka më përpin si nata
Si humnera diçka më përpin!

Kjo fjalë, më e gjatë se vargu
Më e fortë se zemra, kjo rrahje
Diçka më hapet tek pragu
Më mbyllet diçka në hapje!

Abstraksion real

Gropat e syve - dy gojë
Gropa e gojës - një sy
Këmbët me duart ndrojnë
Jashtëqitja e zorrës, në fyt.

Fjalë të gojuara në dy
Shikim i gjysmuar në një
Këmbë në ajër, kuturum
Duar që s'bëjnë dot gjë.

Oh, ç'qenie e përçudnuar!
Jashtëqitje e abstraksionit real
Gafë e krijimit të mbaruar?
Apo ende krijim' i pritur, s'ka ardh?

Paradoksi i fjalës

Më shumë se asgjëja
Se gjëja më pak
Më e plotë se e tëra
Dhe pjesëzë prap'.

Më lart se maja
Se rrëza më poshtë
Paradokse fjala
Që flet dhe s'thotë!

Me shiun, pa shiun...

Mendimet ç'mi qulli
E trupin s'ma lagu
Shikimin ç'ma mbylli
E sytë ç'mi hapi.

Me gjakun ndër vena
Rrëkerash rrjedh
Ujvarë tek zemra
Shpirtin ma kthen.

Në unë i shndruar
Dhe unë në shi
Mes lotësh bashkuar
Nga retë në shpirt.

Kur reja mbaron
Shkarkimin e saj
Ujvara shteron
Dhe shpirtin ma than.

I bërë thatësirë
E thatësira unë
Mes etjes së mpirë
Për një pikë ujë.

Me shiun, pa shiun
Kësaj bote endur
Jetoj njeriun
Ende të pagjetur.
Agim Gashi
Agim Gashi
Administrator
Administrator

Numri i postimeve : 45955
Age : 70
Location : Kosovë
Registration date : 17/11/2008

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Mbrapsht në krye

- Similar topics

 
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi