Akllapi Net - Forum i Hapur
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

Letra e 1947: Z. Truman na shpëtoni nga sllavët

Shko poshtë

Letra e 1947: Z. Truman na shpëtoni nga sllavët Empty Letra e 1947: Z. Truman na shpëtoni nga sllavët

Mesazh nga Agim Gashi Mon Sep 07, 2009 12:14 am

Letra e 1947: Z. Truman na shpëtoni nga sllavët



Nga Ferdinand Dervishi

Dy gazetarë dhe një mik i tyre, të tre azilantë politikë shqiptarë në Romën e vitit të largët 1947, vendosin emrat e plotë nën tekstin e një letre dërguar Presidentit amerikan, Harry Truman. Një letre - apel, ku pasi bëhej një panoramë e imtësishme dhe e vërtetë e gjendjes së popullit që vuante për bukën e gojës, i kërkonte njeriut më të fuqishëm të globit të influenconte që në Shqipëri të bëheshin zgjedhje të lira dhe të ndershme. Letra, pjesët kryesore të së cilës janë në përkthimin e mëposhtëm, është ndërfutur në volumin e tretë të ciklit për historinë e Shqipërisë "Albania as Dictatorship and Democracy, 1940-1998 (Shqipëria si Diktaturë dhe Demokraci)", të historianit të njohur Owen Pearson. Është koha kur Shqipëria e Enver Hoxhës i ka hapur dyert kanatash Jugosllavisë së Josip Titos dhe kur incidentet e armatosura në kufirin me Greqinë kishin sjellë sërish aromën e frikshme të luftës. Në të njëjtin libër, pak rreshta më sipër vendvendosjes së kësaj letre, autori ka sjellë të dhëna edhe për dërgimin e dy divizioneve ushtarake jugosllave që do të ndihmonin ushtrinë shqiptare në përplasjet me atë greke në kufirin jugor. Po këtu lexohet edhe një tjetër fakt i panjohur, sipas të cilit, dy divizionet duhet të viheshin nën drejtimin e Koçi Xoxes për të përmbushur një mision të fshehtë që do të finalizohej me bashkimin e Shqipërisë në trungun e shtetit multietnik jugosllav.
Pikërisht në këtë periudhë kohore në duart e presidentit mbase më antikomunist amerikan, Harry Truman, ka mbërritur letra e tre azilantëve politikë shqiptarë në Itali, në të cilën theksohej nga fillimi në fund pikërisht rreziku i sllavizmit të Shqipërisë dhe jo vetëm. Ja përmbajtja e letrës.
Zoti President!
"Në këtë moment të së vërtetës, në kohën kur idealet demokratike po përkrahen gjithandej dhe kur e drejta për liri u është premtuar edhe popujve të vegjël, Shqipëria është gati duke u zhytur në botën sllave dhe rrezikon të asimilohet prej saj. Duke qenë etnikisht të ndryshëm nga sllavët edhe në mendësi, edhe në zakone, shqiptarët janë të rrethuar nga shtetet agresive sllave dhe janë gati drejt zhdukjes si komb...
Rezistenca e popullit shqiptar përballet me shtetin e Enver Hoxhës, me një mbretëri terrori, e cila godet dhe rrëzon njerëzit dhe institucionet që janë potencialisht të aftë të ruajnë individualitetin etnik të kombit. Qëllimi i kësaj diktature është të hapë rrugën për një sllavizëm të shpejtë dhe përfundimtar të popullit shqiptar.
Njerëzit më të mirë, ku Shqipëria gjente mbështetje, në fe, letërsi, politikë, ushtri, në fushat administrative e sociale, janë spastruar me anë të ekzekutimeve pasi janë dënuar nga të ashtuquajturat "gjyqet popullore". Dhjetëra - mijëra qytetarë janë futur në burgje duke qenë fajtorë vetëm sepse i kanë bërë opozitë një regjimi që është antitezë e demokracisë dhe i vendosur në luftën kundër të drejtave civile.
Një shembull mund të mjaftojë të tregojë veprimtarinë ekstreme antidemokratike të qeverisë aktuale shqiptare dhe urrejtjen e saj ndaj Fuqive Anglo-Saksone, që te shqiptarët është një shembull i gjallë i demokracisë: vetëm pak javë më parë të gjithë qytetarët shqiptarë, të cilët flisnin anglisht, janë arrestuar dhe futur në burgje...
Vuajtjet e shkaktuara nga gjendja e varfërisë e tmerrshme në të cilën është zhytur shumica e popullit janë rënduar nga drejtimi inkompetent i punëve të shtetit prej qeverisë...
Në Shqipëri nuk ka më pronarë dyqanesh apo tregtarë, shteti ka konfiskuar ndërtesat dhe furnizimet. Dhjetëra - mijëra fshatarë janë larguar me dhunë nga arat e tyre dhe regjistruar në "brigadat e kuqe". Industria private është inekzistente.
Por, pavarësisht nga konfiskimi i gjithë këtyre pasurive, qeveria është duke falimentuar për shkak të inkompetencës administrative të nëpunësve si dhe për shkak të shpenzimeve të tepruara për ushtrinë, të cilat janë në përpjesëtim të zhdrejtë me të ardhurat kombëtare. Kështu njerëzit janë pranë pikut të urisë. Vdekshmëria foshnjore e shkaktuar nga kequshqyerja është rritur në mënyrë drastike. Buka e bërë nga mielli është një kujtim i largët, një masë e patretshme paste prej misri e ka zëvendësuar atë. Furnizimet që U.N.R.R.A. ka sjellë në vend janë rezervuar për anëtarët e Partisë Komuniste Shqiptare, ndërsa njerëzit në përgjithësi janë të privuar nga kjo asistencë kaq shumë e nevojshme. Ne mund të konstatojmë pa pasur frikën e kontradiksionit se tetëdhjetë për qind e shqiptarëve janë kundër qeverisë dhe se opozicioni ndaj saj është duke u rritur në mënyrë të qëndrueshme hap pas hapi dhe se populli tashmë e ka kuptuar se qëllimi përfundimtar i Hoxhës dhe bashkëpunëtorëve të tij është të zhysin Shqipërinë në detin e gjerë sllav.
Në këtë mënyrë urrejtja kundër qeverisë është e thellë, por populli ynë nuk mund të ngrihet kundër tiranëve të tij, sepse është i vetëm, sepse pas Enver Hoxhës qëndrojnë fuqi të tjera. Ata e dinë se çdo revoltë mund të vendosë vendin e tyre nën okupimin e hordhive sllave nga veriu dhe lindja.
Zoti President, ne duke folur për bashkëpatriotët tanë në shtëpitë e tyre, të cilët nuk mund të ngrenë zërin, ju bëjmë apel që në Shqipëri të bëhen zgjedhje të lira nën mbikëqyrjen e Kombeve të Bashkuara. Ne e dimë se zgjedhjet e lira mund të çojnë vendin tonë në rrugën e demokracisë dhe t'i japin atij mundësinë për të bashkëpunuar me shtetet e tjera në vendosjen dhe ruajtjen e paqes...
Duke ju drejtuar drejtpërdrejt juve, një popull i vogël, por shumë i lashtë, e vetmja dëshirë e të cilit është t'i mbijetojë kërcënimit të asgjësimit shpesh të pranishëm në historinë e tij të trishtë, e sheh me zemrën e shpresës ndihmën tuaj, e vetmja që mund t'i kthejë në jetën e dinjitetin njerëzor.
Dr. EDUARD LIÇO, NOSI QIRIACO,
ALBERT AKSHIJA

Kush është

Harry S. Truman (Maj 8, 1884 - Dhjetor 26, 1972) ishte Presidenti i 33 i Shteteve të Bashkuara (1945-1953). Si zv/president i 34 ai zëvendësoi Franklin D. Roosevelt, që vdiq më pak se tre muaj pasi filloi mandatin e tij të katërt. Presidenca e Trumanit është shquar në politikën e jashtme, edhe pse në fund të Luftës së Dytë Botërore dhe vendimin e saj u përdorën armët bërthamore kundër Japonisë. Presidenca e Trumanit njihet si themeluese e Kombeve të Bashkuara, e Planit Marshall për të rindërtuar Evropën, si hartuese e Doktrinës Truman për të kontrolluar komunizmin, si iniciatore e Luftës së Ftohtë, krijuese e Organizatës Traktatit të Atlantikut të Veriut dhe të luftës koreane. Korrupsioni në administratën Harry S. Truman arriti të penetronte në qeveri dhe në personelin më të lartë të Shtëpisë së Bardhë. Republikanët e kthyen korrupsionin në qeverinë e tij një çështje qendrore të fushatës zgjedhore të 1952.

Panorama
Agim Gashi
Agim Gashi
Administrator
Administrator

Numri i postimeve : 45955
Age : 70
Location : Kosovë
Registration date : 17/11/2008

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Mbrapsht në krye

- Similar topics

 
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi