Akllapi Net - Forum i Hapur
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

Xhemal Ahmeti:Gorilla akuzon qytetërimin njerëzor

Shko poshtë

Xhemal Ahmeti:Gorilla akuzon qytetërimin njerëzor Empty Xhemal Ahmeti:Gorilla akuzon qytetërimin njerëzor

Mesazh nga Agim Gashi Tue Sep 08, 2009 12:44 pm

Gorilla akuzon qytetërimin njerëzor



Xhemal Ahmeti:Gorilla akuzon qytetërimin njerëzor Logo


Xhemal Ahmeti

Shkrimtari amerikan Daniel Quinn i flet njerëzimit nëpërmjet gorillës me emrin Ismael. Me sukses. Përveç një shpërblimi prej gjysmë milioni dollarësh ai tashmë është përkthyer në 21 gjuhë të botës.
Daniel Quinn nuk sjell asgjë të re. Teoritë rreth potencialit të njeriut për të shkatërruar veten dhe gjithçka që e rrethon atë ekzistojnë që me dokumentet e para të qytetërimit human. Dhjetëra shkrimtarë të suksesshëm e me famë botërore qëmoti e kanë kapërcyer kufirin e kopesë humane dhe në shenjë revolte kundër natyrës eksploatuese të homo sapiensit kanë zgjedhur macet, luanët, lopët dhe majmunët si bashkëbisedues seriozë mbi botën, jetën dhe Zotin.
Çka atëherë i bën veprat “Ishmael”, “The Story of B” dhe “My Ishmael” të shkrimtarit nga Teksasi aq të shitura. Për veprën e tij të parë «Ismael» Quinn fitoi shpërblimin më të lartë amerikan «Turner Tomorow Fellowship Award» prej 500 mijë dollarësh. Në hapësirën anglofone ato vazhdojnë të mbeten në majën e listave të librave bestsellerë. Sidomos vepra e tij e tretë «Ismaeli im» është përkthyer deri më tani në 21 gjuhë. Hiti i kinemasë «Instinct» ku rolet kryesore i luajnë Anthony Hopkins dhe Cuba Gooding Jr. është skenarizuar duke pasur për bazë po këtë libër.
STORIA
Walter Sokolow, një hebre i moshuar merr vesh se e gjithë familja e tij është asgjësuar në një kamp nazist. I zhytur në depresione, i kërcënuar nga rreziku i vetëvrasjes ec pakrye përreth kafazeve të një cirkusi. Papritmas ndalet pas një grupi fëmijësh të grupuar para një gorille, i cili me indiferencë bluan me dhëmbë një degëz dhe herë pas here çon sytë kah turma. «Ti nuk je Goliati», i drejtohet Sokolow me nervozë majmunit të pafajshëm. Gorilla çohet në këmbë dhe ndjek me sy plakun që ia kthen shpinën. Pas disa ditëve Sokolow kthehet dhe ua blen cirkusantëve Gorillën.
«Ti nuk je Goliati, por Ismaeli», i thotë hebreu gorillës, të cilin e ka vendosur në një pjesë të shtëpisë, të ndarë me xhama. Për çdo ditë, me orë të tëra bisedon Sokolow me të. Jo pa sistem. Sokolow do që Ismaeli të mësoj gjuhën e dykëmbësorëve.
Ismaeli jo vetëm që mëson gjuhën, por muton në një filozof të vërtetë. Ai arrin që për një kohë të shkurtër të lexoj veprat kryesore të kulturologjisë njerëzore. Shkollohet në bazat e fizikës, kimisë, teknikës dhe shkencave tjera natyrore. Përgatitet aq, sa që pas vdekjes së «mbajtësit» të ti, ia zgjedh vetes një profesion. Atë të mësuesit.
Alan Lomex – figura e dytë qendrore e romaneve të Quinnit – një ish revolucionar i Lëvizjeve Kulturore të 68-ës që ka humbur shpresat dhe i deziluzionuar vërdallet rrugëve të qytetit. Nga ëndrrat e dikurshme për të shpëtuar botën s’ka mbetur hiçgjë më shumë se sa një tundje koke dhe një buzëqeshje e thyer dhe cinike. Kur Lomex lexon në gazetë: «mësuesi kërkon nxënës që kanë pasonin serioz për ta shpëtuar botën. I dëshiruar është kandidimi personal», gati sa tërbohet. Nga shtytja, jo për të shpëtuar botën, por për të parë se ç’qenie e krisur qenka ajo që mendon se e njeh formulën nëpërmjet së cilës u shpëtuaka bota, niset për në adresën e dhënë përfundi anonsës.
Shoku është i paraprogramuar. Lomex e ndjen veten si një liliput para një gorille gjigante që bluan me dhëmbë degëza drunjsh. Hamendet: të ikë apo t’i bëjë ballë situatës. Tmerrimi bëhet edhe më i padurueshëm kur Ismaeli fillon të flasë. Fillon ligjerata e Ismaelit mbi biografinë e çuditshme të tij. Lomex poashtu rrëfen herë pas herë nga një fragment nga deziluzionet e tija. Fillon debati mbi jetën, botën, speciet, religjionet dhe çdo segment tjetër filozofik, të cilat Daniel Quinn do t’i ketë trajtuar sa ka qenë murg i «Urdhrit të Trapistëve » katolikë.
Një ditë zhduket Ismaeli pa gjurmë. Për tu shfaqur pastaj në librin e radhës së Daniel Quinnit, «Fshehtësia e Ismaelit», ku storia nuk vazhdon, por është një rrëfim paralel me të parin. Përveç Lomexit Isameli ka pasur edhe një nxënëse tjetër, një vajzë me emrin Julie.
FILOZOFIA OSE TEMATIKA
Rrëfimi nis qysh me Revolucionin Agrar, gjashtë mijë vjet para Krishtit. Fillimin e këtij revolucioni Ismaeli, respektivisht Daniel Quinn e paraqet si zanafillën e «përzënies së Adamit nga parajsa». Nga këtu nis ndarja e botës në «Marrës» dhe «Lënës». Marrës – që për Quinn do të thotë eksploator – janë njerëzit, të cilët jetojnë vetëm për të marrë gjithçka nga natyra, pavarësisht pasojave dhe Lënës janë të gjitha speciet tjera, të cilat jetojnë sipas ligjeve dhe rregullit të universit, pra sidomos kafshët.
Në debatin ndërmjet Lomex-it dhe Ismaelit Quinn vë në pikëpyetje gjithçka që bota humane e konsideron si zhvillim pozitiv. Ai vështron temën nga të dyja perspektivat – nga ajo e njeriut egocentrik dhe atij objektiv – e kap atë dhe i denoncon kontradiktat brenda saj, e rikonstrukton dhe e le ashtu pa rezultat.
Duke filluar që nga teoria e krijimit të botës nga një bri i Adamit e deri në ndikimin e padiskutueshëm të filozofisë antike dhe «kopjeve të saja të mëvonshme» Quinn i llogarit si shtylla të një Miti që duhet vënë vazhdimisht në pikëpyetje, sepse ky Mit që është baras me «Nënën Kulturë» është shkaktari që njeriu sot është i këtillë siç është: eksploator dhe vetshkatërrues!
Është e qartë: Quinn nuk i vë Lomexit përballë njeriun, por kafshën: «se vetëm kjo specie është e çliruar nga çdo lloj ideologjie e teorie mbi «Nënën Kulturë» dhe mund të flasë nga një kënd jashtëhuman?», shkruan kritiku gjerman Winfried Berner, i cili romanin «Ismael» e konsideron si kryevepër. Dakord, mirëpo pse i duhej atëherë Ismaelit shkollimi kulturologjik human, pse nuk i mjaftoi gjuha për ta transmetuar të vërtetën universale që «mbizotëron» tek speciet tjera si realitet? Çështja komplikohet vazhdimisht e sa më shumë kur Quinn, Lomex dhe Ismaeli tentojnë të gjejnë përgjigje se ç’thotë natyra, pra universi vetë. Asnjëri prej këtyre nuk ka për këtë një burim bindës që mund t’ia ofronin recipientit si fakt.
Teori filozofike këto, që patjetër shpjegojnë arsyen përse librat e Daniel Quinn që nga dalja e tyre përbëjnë «Biblën» e të gjelbërve, antiatomikëve, pacifistëve dhe humanistëve në mbarë botën.
Teoritë e Daniel Quinn në romanin «Ismael» – dhe të tjerët – mund të diskutohen, të pranohen ose të refuzohen. Asaj që recipienti nuk mund t’i shmanget gjatë leximit të romanit është detyrimi për të menduar rreth problemeve që shtron autori. Këtë qëllim Quinn e arrin me shumë sukses.
ARTI NARRATIV DHE KRITIKA
Rrëfimi i Quinn ndërtohet kryesisht mbi bazat e një dialogu. Introperspektiva e Lomexit është gjithmonë në shërbim të personazhit kryesor, pra një empati e «çliruar» nga çdo motiv egoizmi (cili është qëllimi i Alan Lomexit ta shoh botën vetëm si Ismaeli?).
Teksti është i shkruar për çdokë, pra jo vetëm për intelektualët e këtij lloj debati. Quinn shkruan thjeshtë, shpesh gati në atë gjuhën e protokolleve juridike. Lexuesit e mësuar me romanin klasik, ku përshkrimi i bukur i elementeve të stories është alfa dhe omega e rrëfimit, del i zhgënjyer. Quinn madje as personazhët nuk i përshkruan mjaftueshëm tek romani «Ismael». Veç në romanin pasues «Fshehtësitë e Ismaelit» arrin ta realizojë figurën e Juli-t, e cila madje nga kritika u shpall si figura më e bukur fëminore pas figurës Huckleberry Finn të Mark Twain -it .
SUKSESI
Niveli artsitik i veprave të Daniel Quinn nuk janë shkaktari i lexueshmërisë së lartë të romanit të tij «Ismael». Tema e bën atë njërin nga shkrimtarët më të lexueshëm të ditëve të sotme. Ish studenti i Universitetit të St. Luisit dhe Vjenës ka gjetur mënyrën e përkryer se ç’ pyetjesh të parashtrojë për ta prek në nerv vetëdijen e kohës. Një kohe me ndërgjegje të vrarë për dëmet klimatike, atomike dhe një gjenerate humane që vazhdon hutuar ta kërkojë një lloj të vërtete universale. Të cilën Quinn as që e ofron e as që e kërkon, por apelon: hiqni duart nga Mitet e historisë së vetëkonstruktuar të «nënës Kulturë» dhe jetoni si Ismaeli, në harmoni me natyrën dhe i kënaqur me rolin e tij prej gorille.
Agim Gashi
Agim Gashi
Administrator
Administrator

Numri i postimeve : 45955
Age : 70
Location : Kosovë
Registration date : 17/11/2008

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Mbrapsht në krye

- Similar topics

 
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi