Akllapi Net - Forum i Hapur
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

Ali Boletini - Një jetë në shërbim të Kosovës dhe të Kombit

Shko poshtë

Ali Boletini - Një jetë në shërbim të Kosovës dhe të Kombit Empty Ali Boletini - Një jetë në shërbim të Kosovës dhe të Kombit

Mesazh nga Agim Gashi Thu Sep 10, 2009 9:45 pm

Ali Boletini - Një jetë në shërbim të Kosovës dhe të Kombit

Alfred Papuçiu
Odiseja e jetës së një pinjolli të familjes së Boletinëve

Njeriu i dashur sado i moshuar të jetë, përsëri duam ta kemi pranë dhe të jetë me ne përjetësisht. E kaluara, e tashmja, pafundësia është e mbrujtur tek çdo njeri i sinqertë dhe jo meskin, apo cingun, « qoftëlarg », që mendon vetëm për konfortin personal dhe lavdinë e tij, paçka se nuk e meriton atë.
Këtë ndjeva kur fola sot me biznesmenin e suksesshëm shqiptar, por të thjeshtë dhe tepër modest, me origjinë nga Kosova, Nysret Telqiun. Sytë iu mbushën me lot. Një pinjoll i familjes së Boletinëve, daja i vet, Ali Boletini, ndërroi jetë në Tiranë më 1 shtator 2009. Ai u përcoll me nderim në banesën e fundit nga qindra bashkëpatriotë të ardhur nga Kosova dhe fisi i Boletinëve nga Mitrovica, si dhe bashkatdhetarë nga Tirana dhe Shqipëria. Pamje e dhimbshme atje në varrezat e Sharrës, kur Aliun e futën brenda « në shtëpinë e përjetshme », por krenari kur shumëkush e quajti « humbje për Kombin shqiptar » ikjen e tij. Aliu, siç përmend Nysreti, ishte një njeri i komunikueshëm dhe në çdo mjedis kishte vendin e tij. Edhe midis të rinjve tiranas që e quanin « dajë ». Saqë nipi i tij me shaka i thoshte : « More dajë, paske pasur shumë fëmijë”.
Në fakt Aliu kishte pasur vetëm një motër, Shemsijen, grua e urtë dhe nënë e Nysretit që ndërroi jetë në 2001, dhe dy vajza që i qëndronin gjithmonë pranë: Dardanën dhe Valbonën, për të cilat ai ishte tepër krenar se i kujtonin gjithmonë Kombin, të cilin ai e deshi dhe dha shumë për të. Rijetoi jetën kur erdhi përsëri në Shqipëri, midis njerëzve edhe pse të panjohur në fillim, por që shumë shpejt, u bënë miq të tij. U gëzua pamasë kur Kosova u shpall e pavarur dhe e ndjente veten krenar kur shkonte atje dhe takonte miqtë e tij të vjetër, “axhën” Isë Boletini të përjetësuar, të afërmit në Mitrovicë dhe ngazëllehej para Kullës së Boletinëve martirë…
Sa më tepër mbaja shënime se çfarë më thoshte Nysreti, aq më tepër më lindnin mendime për ta thelluar njohjen për patriotin Ali Boletini që gjithë jetën e tij mbeti i thjeshtë, fjalëpakë, nuk kërkoi diçka më tepër megjithëse e meritonte, ishte inteligjent, dinte gjuhë të huaja dhe mbeti deri në fund tepër njerëzor. Nuk donte t’i numëronte më vitet e jetës së tij të vrullshme, me gëzime, por edhe me hidhërime, me përplasje me “shkaun”, me mistikët, duke pare të largoheshin nga kjo jetë njerëz të tij tepër të dashur. Asnjëherë nuk u qa për padrejtësitë e jetës së tij “të gjatë” e me zigzake. Në “shoshën e viteve të jetës së tij” kujtohej gjithmonë si njeri i besës, i drejtë, tepër korrekt, i vendosur, mikun e kishte mik për kokë, qoftë ai nga Tirana, Vlora, Tropoja, Prishtina, Gjilani, Mitrovica, Fieri… Kishte autoritet në familje dhe në shoqëri, por ishte tepër i butë me ata që e rrethonin. Cilësi që i kishte trashëguar nga i ati, patrioti Tafil Boletini.
Ali Boletini lindi më 1920. Qysh në moshë të re, ai përqafoi idetë përparimtare të axhës së të atit, Isa Boletini. I ati Tafili ishte lindur në Boletin, pranë Mitrovicës dhe ishte një nga filizat e rinj të familjes së njohur të Boletinëve, djali i parë i Ahmetit, vëllait të madh të Isa Boletinit. I ati e kishte lënë jetim Tafilin fare të vogël, rreth 3 vjeç, kështu që së bashku me dy vëllezërit dhe tre motrat, u rrit nën kujdesin e axhë Isë, të cilit ai do t’i qëndronte gjithnjë pranë në oda, kuvende e beteja, duke përqafuar edhe ai virtytet fisnike të atdhetarit të shquar dhe të bashkëluftëtarëve të tij. I ati i Aliut, Tafili, sikurse dhe Isa Boletini kishin marrë rrugën e Vlorës më nëntor 1912, si dhe kosovarë të tjerë, për të parë me sytë e tyre ngritjen e flamurit kombëtar dhe shpalljen e pavarësisë së ëndërruar. Ai u vu pa rezerva në shërbim të qeverisë së parë kombëtare. Gjatë viteve 1920-1924 Tafili shërbeu si nënprefekt në Fier dhe në Lushnjë, i caktuar me një detyrë të tillë menjëherë pas Kongresit të Lushnjës. Shumë shpejt u bë një njeri tepër i respektuar nga populli.
Agim Gashi
Agim Gashi
Administrator
Administrator

Numri i postimeve : 45955
Age : 70
Location : Kosovë
Registration date : 17/11/2008

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Ali Boletini - Një jetë në shërbim të Kosovës dhe të Kombit Empty Kujtimet e njerëzve që nuk mund të harrohen

Mesazh nga Agim Gashi Thu Sep 10, 2009 9:46 pm

Kujtimet e njerëzve që nuk mund të harrohen

Alfred Papuçiu
Ali Boletini - Një jetë në shërbim të Kosovës dhe të kombit (2)

Në librin e tij me kujtime «Pranë Isa Boletinit & Përballë sfidave të kohës», Tafil Boletini përmend ndër të tjera: «I dhashë leje Vangjel Lules me hap dyqan e furrë pranë shpisë dhe Peçi Papuçiut me hapë dyqan këpucarie në Bishanak…Atëherë Sami Begu më tha: «Në je burrë, ma thuaj sinqerisht e haptazi, pse e me çfarë qëllimi po na damton kaq shumë?»
«Qe, besa, vetëm pse e quej për detyrë njerëzore që edhe populli i Fierit të kenë banimet e veta e të mos t’u paguej gjithmonë qira juve që e keni komplet një qytet e shumë çifliqe me mijëra hektarë tokë. Kurrëgja tjetër ». U çudit, vazhdon Tafili, «Domethënë, e keni vetëm për të drejtë të perëndisë?». Atëherë unë: « More, Sami Beg, çfarë interesi mund të kem prej Peçi Papuçiut që s’ka për veti, apo prej Vangjel Lules, që furrë e dyqan i ka ba me ndihmën e Taq Bozos (i jati i Helena Kadaresë-shënimi im) e të Nazmi Skëndulit e të Elmaz efendi Poces? Të isha i interesit edhe ju do të më kishit kuptue deri tash».
Në këtë mjedis u rrit edhe Ali Boletini, pinjoll i një familje patriote, heroike dhe me tradita atdhedashëse. Gjatë viteve 1934 deri në 1938 ndoqi Liceun e Korçës ku u dallua për rezultate shumë të mira dhe menjëherë përqafoi idetë përparimtare të kohës. Mori pjesë në Luftën Antifashiste Nacional-Çlirimtare, por veprimtarinë më të madhe e zhvilloi në Kosovën martire. U përfshi në valën e fuqishme të shqiptarizmit dhe për pavarësinë e Kosovës. Më 27 janar 1950 arrestohet dhe internohet tre vjet në Goliotok. Përsëri më 11 tetor 1958 arrestohet dhe internohet 27 muaj në ishullin Gërgur pranë Goliotokut, për veprimtarinë e tij politike kundër regjimit të Titos. Nuk u përkul, por qëndroi i forte, si gjithë Boletinët dhe shumë bashkatdhetarë të tij që vuajtën në burgjet e ish-Jugosllavisë.
Më 15 tetor 1963, në Prizren i ati, Tafili u nda me të birin Aliun. Siç tregon Tafili në kujtimet e tij “Mue më nisën për në kufi me dy agjenta, me nji taksi, të cilën e pagova 300 dinarë, kurse Aliu ngeli i pështetun për nji muri. Mbetëm tue shique shoqi-shoqin derisa u largua maqina, pse atë nuk e lejuen me u kthye në Shqipni”. Ali Boletini mundi të kthehej në Shqipëri vetëm në fund të vitit 1969. Në fillim u trajtua si emigrant kosovar i zakonshëm. Vetëm gjatë periudhës së presidencës së prof. Dr. Sali Berishës ju njohën Medaljet që kishte marrë për pjesëmarrjen aktive në Luftën Antifashiste Nacional-Çlirimtare. Gjithashtu, prej tre vitesh, kryeministri Sali Berisha i akordoi pension të posaçëm maksimal Ali Boletinit.
Kujtojmë me Nysret Telqiun, pinjollin tjetër të familjes së Boletinëve, profesorin e nderuar Enis Boletini, i cili iku në moshë të re, por që dha një ndihmesë të çmuar për hematologjinë shqiptare, dhe që ishte tepër i afërt me “dajë” Aliun, që e quante veten mbi të gjitha shqiptar dhe që e donte me mish e me shpirt Kombin e vet.
Çdo gjë e gjallë, lind, jeton dhe vdes. Por, kujtimi i njerëzve të tillë si Ali Boletini do mbetet për jetë të jetëve në kujtesë të njerëzve. Një ditë të afërt do t’i rikthehemi jetës së tij, për t’u dhënë brezave të ardhshëm një mesazh human të këtij njeriu të thjeshtë, midis Njerëzve, që pa kërkuar lavde e brohoritje, i bëri vend vetes në altarin e vlerave të arta të Kombit.
(Gjenevë, më 8 shtator 2009)
Agim Gashi
Agim Gashi
Administrator
Administrator

Numri i postimeve : 45955
Age : 70
Location : Kosovë
Registration date : 17/11/2008

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Mbrapsht në krye

- Similar topics

 
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi