Akllapi Net - Forum i Hapur
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

Hysni Ndreu: Reportazh poetik nga zgavra e ferrit

Shko poshtë

Hysni Ndreu: Reportazh poetik nga zgavra e ferrit Empty Hysni Ndreu: Reportazh poetik nga zgavra e ferrit

Mesazh nga Agim Gashi Fri Sep 11, 2009 11:32 am



Hysni Ndreu: Reportazh poetik nga zgavra e ferrit U1_ArshiPipa
Arshi Pipa (1920 - 1997)
Reportazh poetik nga zgavra e ferrit


Nga Hysni Ndreu

Kur dhe si u shkrua cikli "Kanali", nga më unikalët e shkruar në letrat shqipe ku realiteti historik është shndërruar në realitet letrar. Është pjesë e "Librit të burgut" që Arshi Pipa e shkroi i burgosur dhe e përpunoi në ekzil

Rrethanat në të cilat u krijua vepra poetike "Libri i burgut" janë të pazakonta dhe dramatike, jo vetëm sepse autori rrezikonte jetën e tij nëse zbulohej, as sepse i mungonin edhe mjetet më elementare që i nevojiten një shkrimtari për krijimet e tij, por edhe sepse Pipa poet, pothuajse përditë e çdo natë, e gjente veten mes kanalesh e moçalesh mbushur me ushunjëza dhe nën fshikëllimë kërbaçi, që ishte bërë diçka e zakonshme ndaj të burgosurve.

Përveç kapitullit të parë dhe të fundit të këtij libri, shtatë të tjerët u shkruan gjatë vuajtjes dhjetëvjeçare të poetit nëpër burgjet dhe kampet komuniste. Kështu, duke qenë gjithmonë i survejuar nga njerëz të sigurimit, Pipa do të detyrohej të shkruante në varg dhe jo në prozë, pavarësisht se dëshira ishte për këtë të dytën.

Kjo, sipas vetë autorit, sepse "Vargu âsht për natyrë të vetën synthetik, edhe atëherë kur âsht përshkrues. Ose, me fjalë mâ të shkoquna: zen vend mâ pakë dhe ruhet mâ mirë. Prandej "Libri i burgut" u-shkruejt në varg".

Cikli "Kanali", pjesë e "Libri i burgut", i përbërë prej 25 sonetesh, mbetet edhe arritja më e madhe e krijimtarisë poetike të Pipës.

Në këto sonete, nuk është tingulli (siç ndodh zakonisht), ai që krijon intensitet, që thekson domethënien apo zgjon emocionalitet, por janë vetë fjalët, të cilat, të pranëvendosura sipas një rendi konciz e të pazakontë, e detyrojnë lexuesin t'i qëndrojë korrekt si ritmit ashtu edhe rrjedhës sintaksore.

Pavarësisht se vetë autori i cilëson këto sonete veçse si një pikturë të zbehtë të gjendjes, në fakt, ato janë një panoramë e qartëdukshme e krejt mekanizmave komunistë dhe dhunës çnjerëzore që ushtrohej ndaj të dënuarve.

Pranëvënia e dy apo tri fjalëve që përmbajnë brenda kuptimit të tyre vuajtje dhe degradime, ka bërë që ky cikël sonetik të jetë i ngërthyer nga një galeri e tërë sintagmash rrëqethëse, me anë të të cilave çdocili krijon një pamje të qartë të asaj gjendjeje ekstreme ku ndodheshin të burgosurit në kamp. Jo vetëm kaq.

Edhe tërësia e fjalëve të marra një nga një, ku më së shumti dominojnë foljet dhe emrat, e rrallëherë edhe mbiemrat, të krijon imazhin e një ekzistence të skajshme dhe të përdhunshme, në të cilën, pak nga të burgosurit arrinin të mbijetonin.

Vetëm në sonetin e parë të ciklit që kemi marrë në analizë, gjenden këto fjalëfolje: bubullon, pështillen, struken, qelben, grindet, shan, dergjet, rënkon, fshan; këto fjalemra: rrecka, gjak, shkopinj, shqelma, britma, baraka, kanali, brraka, vorr, dhe një mbiemër: i shkretë.

Fjalë të tilla nuk na orientojnë të përqendrohemi vetëm te mënyra se si janë thënë apo si janë renditur ato në varg, por na e fokusojnë vëmendjen edhe mbi atë që thuhet e përjetohet.

Kjo gjuhë e përdorur nga autori, na bën që ne të mos shqitemi lehtë nga konteksti i kohëshkrimit të poezisë, duke na dhënë kështu mundësinë e një kuptimi të ri, mundësinë e formimit të një bote të re kuptimore.

I gjithë ky cikël poetik është një ekzaminim, një autopsi e një regjimi gjakatar, babëzia e të cilit nuk la pa herrur elitën e shoqërisë sonë, duke rrënuar e shpërfytyruar shtresa nga më të ndryshmet të të gjithë shoqërisë së kohës. Në këtë realitet të vizatuar nga Pipa, fshihen kufijtë e rrathëve danteskë, sepse këtu nuk kemi një ndarje në i mirë, i keq dhe mesatar.

Jo, këtu stivosen bashkë i ndershmi dhe i pandershmi, politikani dhe i rëndomti, shkrimtari dhe hajduti, teologu dhe ateisti, bujku dhe beu, patrioti dhe tradhtari. Të parët ishin personalitete, të cilët, të gjendur nën kthetrat e tërbuara të urrejtjes së kuqe, u degraduan dhe u shkatërruan moralisht, u kthyen në zhele mishi, në automa kockash, "me faqe qi gropohen e nofulla qi dalin si patkoj".

Bashkëjetesa e tyre edhe me hajdutë ordinerë, bënte që, edhe pas vjedhjeve të njëpasnjëshme, këta të fundit dilnin të pafajshëm, sepse mentaliteti absurd komunist ishte që elita intelektuale është përfaqësuese e klasës kapitaliste-borgjeze, kurse ordinerët janë "proletarë", dhe, si të tillë, kanë të drejtë të plaçkitin të parët.

Tmerri që villte makineria komuniste shpërndahej njësoj te të gjithë: te i sëmuri dhe te i shëndetshmi, te plaku dhe te i riu, te i gjymtuari dhe jo i gjymtuari. Norma për këta ishte e njëjtë: Tri metra e gjysëm kub për çdo njeri / qofsh babagjysh qi ke djalin e djalit, / a qofsh i smundë sa dalun prej spitalit, / bani ja vdis: ankimi s'ban dobi.

Kjo ishte njëra nga arsyet që në çdo orë të ditës shiheshin të burgosur që jepnin shpirt sa andej-këndej, që rënkonin e ofshanin gjatë gjithë natës e që pak prej tyre mundeshin të shihnin dritën e mëngjesit të së nesërmes.

Jeta e më të shumtëve shuhej nën currilat e shiut që u binin mbi krena e shtroje, të tjerë të zhytur në gropën e thellë të skamjes, urisë për bukë dhe etjes për ujë, e të tjerë akoma nga torturat prej komandantëve.

Ata që vazhdonin të mbijetonin përballeshin me dy lloje dhunash: dhunën fizike - duke u rrahur me tel e kamxhik, duke u zhytur në kanalin e ujërave të zeza me trupin vijanoz dhe me currila gjaku - dhe dhunën psikologjike, e cila nuk i linte të flinin as natën, e që i bënte të zgjoheshin trembshëm nga këlthitjet, të çjerrat dhe rënkimet e rënda që vinin prej torturave që u bëheshin shokëve të tyre. Secili që i dëgjonte, e dinte se së shpejti do t'i vinte radha.

Poeti zbret poshtë në rrëpirat e historisë njerëzore, zbret për të bindur botën mbarë se faraonët e mijëra vjetëve më parë vazhdojnë ta kenë shëmbëlltyrën e tyre në Shqipërinë e shekullit XX. Vazhdojnë të ekzistojnë edhe sot, në kohët moderne.

Pipa bën kështu një përngjasim ndërmjet dy dukurive të njëjta, por të shfaqura në kohë të ndryshme: dukuria e sistemit të dikurshëm me skllevër e skllavopronarë dhe ajo e sistemit të tanishëm diktatorial.

Ai heq paralele ndërmjet skllevërve që ngritën piramidat e Koloseun dhe të burgosurve në burgjet komuniste, që zhgërryhen moçalishteve, kanaleve e kënetave, kur shprehet: "Skllevnit i banë: ashtu pat qenë zakoni. / Kjo ndodhte para nesh me mija mot. / Por eni ktu dhe bindjuni ju sot! / Skllevën modernë na jemi: krahasoni".

Duke lexuar strofë pas strofe e varg pas vargu këtë cikël poetik, të duket sikur sheh, tamam si në një dokumentar, një ferr të dytë dantesk, që përshkruhet nga një rrugë e gjatë nëpër të gjithë burgjet ku Pipa e mijëra të tjerë përjetuan kalvarin e tmerreve të njëpasnjëshëm, duke nisur që nga ai i Burrelit, Durrësit e Tiranës, e për të përfunduar në Vlloçisht, aty ku thahej këneta e Maliqit.

Poema karakterizohet nga një përshkrim i papërsëritshëm e i fuqishëm ngjarjesh dhe gjendjesh të mjerueshme njerëzore, nga një shpërfaqje gati-gati vizuale dhe e përjetueshme e një realiteti horror që u instalua pas viteve '45.

Ajo është në këtë mënyrë, dëshmi e gjallë e metodave funksionuese të një sistemi i cili shpiku dhe eksperimentoi me qindra lloje torturash çnjerëzore, duke arritur kurbën e një tiranie të vërtetë.

I gjithë "Libri i burgut" në përgjithësi, por ky cikël poetik në veçanti, është si një film me ngjarje e fakte të vërteta, është një reportazh poetik i ferrit të kuq komunist, dhe, si i tillë, ai përveçse i një shkalle tepër të lartë letrare dhe estetike - ku në gjithë ato vargje nuk janë përdorur askund licencat poetike për të arritur saktësinë në metrin e rrokjeve - është edhe një dokument historik, me të cilin gjithkush do të mësonte për karakteristikat e një regjimi të ethshëm e gjakatar, pa pasur frikë se po lexon trillime, siç ndodh zakonisht gjatë leximit të veprave letrare.

Pra, nuk kemi të bëjmë me një prodhim fiction të autorit, por me një poemë të mbrujtur prej realitetit historik dhe të përjetuar nga vetë poezishkruesi. Prandaj, edhe shija që merr gjatë leximit të këtij cikli, është sa e jashtëzakonshme dhe unike letrarisht, aq edhe e trishtë dhe e zymtë nga të vërtetat që mëson, përfytyron e shikon.

Por, pas gjithë këtyre, poeti e ndjen se nuk i ka thënë të gjitha, kur shkruan: "Proza, jo vargu i mallëngjyem lyrik, / t'i thotë me rend të gjitha sa ktu pati: / t'i çohen flokët, t'i përqethet shtati / kujdo që lexon kanalin satanik".

Përmbledhje

Ata që mbijetonin përballeshin me dy lloje dhunash: dhunën fizike - duke u rrahur me tel e kamxhik, duke u zhytur në kanalin e ujërave të zeza me trupin vijanoz dhe me currila gjaku - dhe dhunën psikologjike, e cila nuk i linte të flinin as natën, e që i bënte të zgjoheshin trembshëm nga këlthitjet, të çjerrat dhe rënkimet e rënda që vinin prej torturave që u bëheshin shokëve të tyre. Secili që i dëgjonte, e dinte se së shpejti do t'i vinte radha.

Shekulli
Agim Gashi
Agim Gashi
Administrator
Administrator

Numri i postimeve : 45955
Age : 70
Location : Kosovë
Registration date : 17/11/2008

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Mbrapsht në krye

- Similar topics

 
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi