Akllapi Net - Forum i Hapur
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

Tregimi i së dielës në diasporë

Shko poshtë

Tregimi i së dielës në diasporë Empty Tregimi i së dielës në diasporë

Mesazh nga Agim Gashi Sat Sep 12, 2009 9:41 pm

Tregimi i së dielës në diasporë

Petrit Nika
Fyelltari

Tregimi i së dielës në diasporë DIASPOR


Për katundin e tij koha ishte ndalur në vend njëherë e përgjithmonë; nëpër rrugë s'luanin më fëmijë të lumtur si dikur; shtëpitë qenë braktisur dhe kalbeshin në shi mes indiferencës së atyre pak fshatarëve të vetmuar që endeshin akoma, gjithnjë e më të rrallë, nëpër rrugët e gërryera prej ujit. Arave të bukës u kishin mbirë driza e ulëza. Për fyelltarin thoshin se nja dymbëdhjetë para se ta nisnin drejt jugut, s'pati më prehje as qetësi, ndërsa i riu që e pat njohur këtu e tetë vjet të shkuara, gjatë njërës prej eksplorimeve të tij të shumta prej adoleshenti të krisur siç ishte ai në atë kohë, duke ia njohur mirë shpirtin ëndërronjës, s'e pati të vështirë ta kuptojë tronditjen e madhe që e pat zënë atë të gjorë, ndaj kur pas tetë vjetësh u kthye përsëri në fshat dhe ia treguan të gjitha, ai i mori lehtë me mend krejt travajet e atij shpirti, madje edhe ato që të tjerët kishin dashur t'ia thoshin, por që s'kishin gjetur dot fjalët e duhura për t'ia treguar, sepse jo të gjitha është në gjendje t'i thotë njeriu gjatë një bisede si ajo për fyelltarin plak, i cili e mori më qafë krejt katundin me ikjen e tij. Fshatarët i kishin thënë të riut se qe e pamundur të përshkruheshin vuajtjet e asaj krijese të motnuar, gjatë gjithë atyre dymbëdhjetë ditëve, duke filluar që prej ditës kur njëri nga tre djemtë e tij, në një mëngjes herët, hapi derën e torishtës dhe nxori tufën e deleve e i priu drejt qytetit, ku ia shiti që të gjitha, mandej i riu tregonte që i kishin thënë se që nga ajo ditë, fyelltari, dikur i hapur e gazmor, u mbyll në vetvete i brengosur, njëherë e përgjithmonë. Nuk foli më për shumë kohë me njeri, as nuk u largua nga shtëpia deri ditën kur e morën për krahësh si të ishte prej qelqi për ta futur në makinë. Vërrinjtë me aromën e tyre të çuditshme prej uji e freskie të përjetshme. Landat e lisave që përhidheshin drejt përpjetë me trungje të hirtë e të zhdërvjellët. Bliret e panjat e reja përzier me lajthi, thana e mëlleza. Ferrëbutat e urthet që rrëshqisnin butë e butë deri te ai ujë i pashtershëm. Frashnjat me lulet e bardha erëmira në maj e qershor e më lart gështenjat e bredhat që i bënin miqësi njëri-tjetrit paqësisht, dhe ndërsa i ndërmendeshin në kujtesë të gjitha këto, e dinte ndërkaq që i kishte humbur njëherë e përgjithmonë, por megjithatë ndonjëherë i jepej t'i besonte pandehmës se kishte ende kohë për të bërë diçka.
Domethënë, mjaftonte të çelte pak derën dhe të bënte njëzet a tridhjetë minuta udhë më këmbë dhe të gjitha do t'i shfaqeshin parasysh prapë, sepse ato atje ishin si gjithmonë dhe as e kishin bërë mend të shkonin gjëkundi, me përjashtim të fletëve të ulzës e shtogut, të cilat më parë nga të gjithë drurët e tjerë kishin filluar të shfaqnin shenjat e lodhjes me ndoca gjethe të ndezura pak si për vjeshtë, por ai nuk e bëri një gjë të tillë, mbasi i ishte dorëzuar fatit përfundimisht, vetëm u lodh së qari në vetmi. Këndoi pa zë këngët rinore të asaj dashurisë së harruar që e pat lidhur dikur dhe përgjithnjë me lumin dhe me njerëzit gjysmë të marrë të këtij katundi. Qau me lotë derisa këta iu shteruan tradhëtisht; shkroi vjershat e fundit për pranverën që s'do t'i vinte më kurrë, për atë pranverë që ai e kishte njohur për tetëdhjetë vjet me radhë në atë fshat dhe që dinte ta kujtonte gjithmonë vetëm si pranverë, domethënë, gjethe që buisnin nga sythet me nxitim, lule që në mbrëmje s'kishin asgjë prej qenies së tyre, ndërsa në mëngjes agonin të bardha e të plota bashkë me dritën e ditës së re, e cila shpërndahej butësisht luginave të bleruara, duke përhapur aromën e paharruar të poezisë pemore. Shkruajti vargje për lumin e këmborët, tingujt e të cilave llapashiteshin pambarimisht nëpër eterin e muzgut të mbrëmjes. Për rininë që iku në vise të largëta e për pleqërinë që mbeti në vetmi, e helmatisur dhe e harruar bash si një monedhë e ndryshkur që s'i hyn më njeriut në punë, pastaj i mori ato copa letrash, i palosi me kujdes dhe i futi nëpër të çarat e mureve ngado nëpër shtëpi, sepse vërtet ai po ikte nga vendlindja e tij e dashur njëherë e përgjithherë, por ato s'duhej ta provonin peshën e rëndë të ndarjes me vendlindjen ku kishin jetuar prej aq motesh. Pastaj kur, natën, të tjerët flinin në shtretërit e ngrohtë, ai dilte ngadalë nëpër korridorin e errët, në oborr ku hëna rrinte gjithë seriozitet atje mbi degët e qershive, vështronte i përhumbur hijet ikanake rreth e përçark oborrit si zgjateshin e tëholloheshin me një merak të pakuptimtë.
Çapitej lehtë nëpër vendet e njohura dhe në fund shkonte e ulej mbi barin e thinjur atje te një lirishtë, ku binte vetëm drita e hënës dhe asgjë tjetër e atje përsëri e fillonte duke dëgjuar me vëmendje të folurën murmuruese prej memeci që bënte lumi poshtë, nën kodrinën e ulët e nën majat e lisave plot gjurmë njerëzore e hënore, mandej humbiste nëpër labirinte kohësh të vdekura, ku sodiste plot merak gjithë ato ngjyra marramendëse figurinash të njohura e të panjohura, derisa e përmendte diku te ajo pjesa e fshatit përballë, matanë lumit, lehja e xhindosur e një qeni, e cila shuhej ngadalë me një ciatje të vajshme mortore. Atëherë fyelltari shikonte përrreth me dashuri, me një dashuri të madhe, e cila sa vinte e i rritej më shumë duke ia bymyer zemrën plot me mallëngjim dhe përsëri ia vinte veshin lumit.
Ah, sikur të mund ta merrte dot atë lumë në kutinë e vet të duhanit, ose të paktën atë zhaurimën e tij të tetëdhjetë moteve të papërsëritshme, - dhe prapë rrëshqiste befasisht te figurinat e panumëta, mashtruese, shenja të një kohe pakthim, që s'ekzistonte askund. E kështu vazhdonte i gjori plak të përleshej me dallgët e kohëve në atë mënyrë sa me iu dhimtë edhe gjarpnit nën gurë, derisa hëna, e cila përvidhej fshehurazi e fshehurazi, si çdo gjë tjetër e kësobotshme, i shkelte syrin që nga supi i malit. Atëherë fyelltari ngrihej me plagë në zemër dhe kthehej përsëri andej nga kishte ardhur, sa pa e mbuluar fshatin errësira e plotë e pasmesnatës. Mbyllej në dhomë me mendimin se gjithë jetën e tij të gjithë vetëm e kishin mashtruar e gënjyer, e gjumi e zinte me veshin tek lumi, duke u përpjekur, si vite e vite të tjerë, të deshifronte kumtet e tij të pangeshme.
Kjo gjë ndodhi me të disa ditë me radhë, mandej, siç edhe pritej, erdhi dita e mbrame. Të nesërmen do të iknin. Ishin bërë gati të gjitha plaçkat e shpërnguljes deri te ato më të domosdoshmet, që do t'u hynin në punë ende sa pa u nisur. Shokë e të afërm nga katundi hynin e dilnin, uronin e qanin, ndërsa kujtonin ngjarje të jetuara bashkë me ta. Një palë iknin, të tjerë vinin, veçse për fyelltarin plak njëlloj ishte. Ai s'përzihej me njeri, - shkonte si i përhumbur nëpër njerëz duke ndezur e fikur cigaret njërën pas tjetrës, - pa folur me kurrkënd dhe pa qenë në vëmendjen e kurrkujt. Atë ditë vetëm sa hëngri nja dy-tri kafshore për mëngjes. Në drekë e në darkë, i tronditur siç qe, nuk vuri më gjë në gojë, kurse mbrëmanet aty nga mesnata, plaku doli për herë të fundit t'i shihte natën, hënën dhe pyllin e fjetur nën tisin e magjishëm hënor që nderej mbi lugina; kaloi mespërmes oborrit ku drithëroheshin hijet gungaçe të drurëve; dëgjoi gërhitjen plot lodërti të bulktheve, që sillte një puhizë e butë përmes erës së trumzës dhe i tendosi të gjitha shqisat në përgjim të atyre kumteve të papërsëritshme, që s'ishin të kësobotshme, pastaj pa dëborën sesi ngriti pjalmin e lëbyrtë përmes kopështit me trëndafila. Lulet e qershisë që bulëzonin, ndërsa gjethet ishin në të rënë dhe përmes këtij mozaiku të panjohur u çapit ngadalë, pa u ndierë, deri te lirishta e kthyer në gjol prej shiut hënor, ku befas mbeti i mrekulluar, kur pa një mizëri pëllumbash që gëlonin gjithandej duke fluturuar ulët nëpër drurë e përmbi bar. Çaplehtë e i pandjeshëm u afrua me vendosmëri deri te ata grumbuj shpezësh yjorë, që fluturonin mrekullisht pa lëshuar makar as edhe një fëshfërimë të vetme nga krahët e tyre prej drite. Kaloi përmes tyre dhe doli në anën tjetër të lirishtës, ku u harrua gjatë, i përpirë nga tërë ajo festë e pazakontë, mandej te e vona u kthye përsëri dhe doli matanë, i vendosur të mos kthehej kurrë më aty në atë lirishtë të shtrenjtë, ku pati njohur për herë të parë magjepsjen e paharrueshme të mëkatit rinor, që në atë kohë ende s'e kishte atë emrin me të cilin e quajnë të rinjtë e sotëm. Eci me zemër të freskët e me hap djaloshar pëmes rruginës me dushqe të dehura nga freskia e aromat enigmatike të natës, por të nesërmen, kur shkuan ta merrnin në dhomën e tij arkadiane, e gjetën të mbledhur kruspull në cep të krevatit duke dënesur. Flokët e bardha që më parë i rregullonte me një merak prej ashiku, i kishte të gafrruar e gjithë gjurmë duarsh, të cilat ashtu siç qenë katandisur, i ngjanin asaj borës së shkelur në një cep të malit. Sytë i ishin mbytur në lot aq sa kur e ngritën prej andej, më të voglit prej djemve të tij gati i ra të fikët prej mallëngjimit, por prapë për hir të tij, e zotëroi veten. Kafshoi buzën fort, mbylli sytë dhe i futi krahun të atit duke e ndihmuar të dilte prej andej. Pastaj kur ndodheshin në oborr plaku iu drejtua turmës së fshatarëve që ishin dyndur plym nga të gjitha mëhallët për t'i përcjellë dhe u tha se gjithë natën sonte te Lirishta e Fllazave kishte parë pëllumba. Aq shumë sa mezi të kaloje përmes tyre, të cilët rrinin mbi bar ose fluturonin andej rrotull pothuajse fare ulët. Të gjithë sa e dëgjuan e morën për të lojtur dhe asnjëri s'deshi t'u besonte fjalët e tij, por të gjitha sa tha u vërtetuan që atë ditë, ndërkohë që tashmë ai plaku i pazakontë i fyellit dhe i vargjeve plot njomësi, ndodhej qindra kilometra larg në udhëtimin e tij drejt jugut, kur aty nga ora katër e mbasdites qielli mbi fshat u zu nga një re e vërtetë pëllumbash, të cilët vejevinin gjithë në ajër, pa u ulur askund. Plot dy orë zgjati zallahia shurdhmemece e këtyre shpezëve të panjohur, derisa te e vona ata u larguan sërish, po aq beftësisht siç kishin ardhur, sa hap e mbyll sytë, në drejtim të pyjeve, andej nga rridhte lumi. Veç pas kësaj shenje të pazakontë, asnjëri prej banorëve të atij fshati, që nga fëmija që sapo kishte zënë të ecte vetë me këmbët e veta, e deri te më plaku i motnuar, s'mbeti njeri pa besuar se ai fyelltari i rrallë, që tashmë do t'u mungonte në amshim, kishte qenë një shenjtor e kështu dora-dorës pas këtij konstatimi të njimendët shumëkujt iu vel jeta në këtë fshat, ku kishin pllakosur heshtja dhe pikëllimi i braktisjes, ku ai fyelli gjethyjor s'do t'i shoqëronte më stinët e motmotit, dhe kështu njerëzit zunë të largoheshin nga trojet e tyre atërore, me lot në sy, njëri pas tjetrit, nga moti në mot, derisa kur së fundi ai i riu që e ruante ende në gji atë takimin e tetë vjetëve më parë me fyelltarin, e vizitoi përsëri vendlindjen e tij dhe pa se koha e saj kishte mbetur në vend njëherë e përgjithmonë.
Agim Gashi
Agim Gashi
Administrator
Administrator

Numri i postimeve : 45955
Age : 69
Location : Kosovë
Registration date : 17/11/2008

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Mbrapsht në krye

- Similar topics

 
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi