Akllapi Net - Forum i Hapur
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

Shkëlzen Halimi: Trishtimi i Pollatit dhe shastisja e shqiptarëve

Shko poshtë

Shkëlzen Halimi: Trishtimi i Pollatit dhe shastisja e shqiptarëve Empty Shkëlzen Halimi: Trishtimi i Pollatit dhe shastisja e shqiptarëve

Mesazh nga Agim Gashi Mon Sep 14, 2009 1:17 am

Shkëlzen Halimi: Trishtimi i Pollatit dhe shastisja e shqiptarëve U1_ShkelzenHalimi
Trishtimi i Pollatit dhe shastisja e shqiptarëve

Nga Shkëlzen HALIMI

Të mohosh vlerat shpirtërore autoktone dhe të pranosh me lehtësi fantastike vlerat e huaja, do të thotë vullnetarisht të heqësh dorë nga identiteti kombëtar. Kjo, po kështu do të thotë se janë ndezur aparatet e alarmit dhe se duhet shpejtuar për të intervenuar. Por, ç'fajde nga e gjithë kjo, kur të verbrit e shurdhmemecët as i shohin e as i dëgjojnë sinjalet e zëshme.Nuk ka gjasa, as teorike, që ndonjë personaliteti nga jeta politike e kulturore e hapësirave shqiptare, t'i ndodhë një pritje madhështore, ashtu siç i ndodhi "heroit" të ri të shqiptarëve, përkatësisht aktorit turk (dhe shokëve të tij), Nexhati Shashmaz, i njohur si Pollat Alemndar nga seriali "Lugina e ujqve". Thjesht, heroi i shqiptarëve të Maqedonisë, Pollati, ishte trishtuar (se pse do të tregojmë më poshtë) nga pritja ekzaltuese që ia bënë pikërisht shqiptarët me të arritur në Shkup. Cili lider shqiptar në Maqedoni mund të krenohet se në qendër të Tetovës ka tubuar më shumë shqiptarë se sa Pollati? Natyrisht, që të mos keqkuptohemi, që në fillim do të themi se aktori turk dhe shokët e tij, absolutisht nuk janë fajtorë për shashtrisjen e shqiptarëve këtu në Maqedoni. Ai aspak nuk ka faj që tashmë është bërë mit i shqiptarëve, që fëmijët e lagjeve tonë e imitojnë atë dhe shokët e tij nga filmi, duke luajtur me pistoleta plastike, ai aspak nuk ka faj pse serialet e filmit "Lugina e ujqve" që moti kanë thyer rekordet e shikueshmërisë. Nuk do të mbajë asçfarë përgjegjësie nëse nesër fëmijët e porsalindur do të emërohen me emrin Pollat.Do theksuar se para Pollatit rekordin e mbante Kasandra, një serial latino-amerikan që shqiptarët e kishin parë vite më parë. Më të vjetërve do t'u kujtohet se kur erdhi Kasandra në Shkup, në stadiumin e qytetit kishin shkuar vetëm shqiptarë e rom për ta parë Kasandrën për së afërmi.

Në Shkup e Tetovë shpesh kanë qëndruar Ndriçim Xhepa, Luiza Xhuvani, Enver Petrovci, Bujar Lako e aktori tjerë shqiptarë që edhe sot vazhdojnë të shkëlqejnë me paraqitjet e tyre në filma e skena teatrale. Ka qenë edhe i madhi Ismail Kadare, edhe e famshmja Inva Mula, por një pritje e këtillë asnjëherë nuk u ka ndodhur. Të gjitha këta artistë të shquar të kombit tonë kanë kaluar përmes Bit Pazarit e Çarshisë së Vjetër të Shkupit pa u vërejtur fare. Madje, edhe mediumet nuk u kanë kushtuan rëndësinë e duhur.Të premten që e lamë pas, pra në të njëjtën ditë kur shqiptarët në Maqedoni përjetuan katarzën për shkak të ardhjes nga Stambolli të heroit-mitit të tyre, në Teatrin Shqiptar të Shkupit u dha premiera e dramës "Gjenerali i ushtrisë së vdekur", vepër e kjo e dramatizuar sipas romanit me të njëjtin titull të Ismail Kadaresë. Po mos të ishin ftesat që iu bënë miqve nga Prishtina e Tirana, natyrisht, siç ndodh zakonisht, edhe të afërmve të aktorëve e miqve të tyre, premiera gjithsesi do të kalonte me pak publik. Por, e them me zemër të thyer, se pas kësaj premiere, në reprizën e parë ndoshta do të mbushet gjysma e sallës (nja 150 veta), ndërkaq për reprizën e dytë askush nuk mund të garantojë se do të ketë publik. Pra, edhe kjo shfaqje do të harrohet, siç janë harruar edhe shumë e shumë shfaqje të mira, që s'kanë patur fat të reprizohen së paku pesë herë. Merreni me mend se çfarë do të ndodhte me këtë teatër sikur në vetëm një shfaqje të paraqitej Pollati. Do to ndodhte hataja, do të duhej të intervenonin njësitë speciale të policisë për ta mbajtur qetë radhën e gjatë të shqiptarëve për të blerë një biletë.Sikur vetëm një për qind e atyre shqiptarëve që u çuan peshë për ta pritur mysafirin nga Stambolli të dilnin e të protestonin bashkë me prindërit e nxënësve të "Pançe Karagjozovit" sot me siguri do të kishim një situatë tjetër, sikur vetëm një për qind e atyre shqiptarëve që dolën për ta parë nga afër heroin-mitin e tyre të ngrinin zërin për Institutin e Trashëgimisë Kulturore të Shqiptarëve, sot ky Institut gjithsesi do të funksiononte normalisht, sikur vetëm një për qind e atyre që u ekzaltuan me heroin e serialit "Lugina e ujqve" të ngrinin zërin për problemet e shumta që po i ndodhin shoqërisë shqiptare këtu në Maqedoni, për moslejimin e shqiptarëve të shfrytëzojnë pishinat, për Burmali Xhaminë, për Shtëpinë e Nënës Terezë, për gjuhën, për natalitetin etj. ne sot do të kishim një pozitë shumë të avancuar, e mos të themi se do të ishim populli më i lumtur sikur vetëm një për qind e gjithë asaj masa të "lumturuar" të lexonte së paku një faqe të ndonjë vepre të Kadaresë apo të shikonte ndonjë shfaqje në Teatrin Shqiptar të Shkupit, të Tetovës apo të ndonjë qyteti tjetër shqiptarë. Pastaj do të dalin gojëkëqijtë dhe do të thonë: fajin e kanë partitë politike. Bile-bile, në këtë muaj të Bekuar të Ramazanit, janë hutuar edhe imamët e xhamive, të cilët në mbrëmjet kur jepet seriali për Pollatin, namazi i teravisë falet vetëm me ata që janë më të devotshëm, ndërkaq të tjerët mungojnë, se nuk lejojnë t'u ikë heroi i tyre.

Po pse ishte trishtuar Pollati nga ajo pritje? Nexhati Shashmaz, i njohur me rolin e Pollat Alemndarit, siç edhe mundëm të konkludojmë nga prononcimet e tij, ishte një njeri modest, i qetë, inteligjent, por edhe fetar. Dhe, njërit nga organizatorëve të ardhjes së tij me shokë në Maqedoni, pas konstatimit se ai më ishte shndërruar në mit, përafërsisht do t'i thotë se kjo që po ndodh nuk është mirë, se edhe feja islame nuk lejon krijimin e miteve… Ja pra, ky ishte trishtimi i Pollatit të pafajshëm, që do t'ia shkaktojnë shqiptarët gjithandej ku ai shkoi e qëndroi. Duhet ta pranojmë se jemi popull i çuditshëm dhe i veçantë. Shumë shpejtë krijojmë mite nga të huajt, shumë shpejt e huaja na bëhet vlerë e pandashmë e shpirtit tonë, kurse ajo që është e jona me rrënjë e trung, e përjeton fatin e mohimit. Sinjalet e krizës së identitetit ka kohë që po japin alarmin. Dhe, a i dëgjon kush… (09 Shtator 2009)

Video:

https://www.youtube.com/watch?v=-Z5qh9XeiCE
https://www.youtube.com/watch?v=wn31a2NVJY4&feature=related
https://www.youtube.com/watch?v=dfOyMU07PXM&feature=related
Dërguar nga Baki Ymeri
Agim Gashi
Agim Gashi
Administrator
Administrator

Numri i postimeve : 45955
Age : 70
Location : Kosovë
Registration date : 17/11/2008

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Mbrapsht në krye

- Similar topics

 
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi