Akllapi Net - Forum i Hapur
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

Kavajë, shkolla e re me emrin e Ditës së Demokracisë

Shko poshtë

Kavajë, shkolla e re me emrin e Ditës së Demokracisë Empty Kavajë, shkolla e re me emrin e Ditës së Demokracisë

Mesazh nga Agim Gashi Tue Sep 15, 2009 1:17 pm

Kavajë, shkolla e re me emrin e Ditës së Demokracisë



Kavajë, shkolla e re me emrin e Ditës së Demokracisë --kavaje


Mëngjesi i djeshëm plot diell mbushi oborrin e shkollës së mesme profesionale "26 Marsi" në Kavajë, ku nxënës e mësues e përjetojnë ndryshe ditën e parë të vitit shkollor 2009-2010. "Një godinë krejtësisht e re, mes një kompleksi rrugësh të gjera ndërtuar me financimin prej 25 milionë lekë në periferi të qytetit, mundëson kushte mjaft të mira mësimi dhe përgatitje, me 25 klasa e kabinete mësimore, mjedise laboratorike dhe një palestër moderne", thotë drejtori i shkollës, Bledar Teferiçi. I kënaqur ai shton se, "jemi larguar para disa muajsh nga ndërtesa e vjetër e shkollës sonë e ndërsa ajo do të ristrukturohet për të mbetur në sistemin arsimor 9-vjeçar, në godinën e re ku jemi vendosur nuk mungon asgjë". Shkolla e mesme profesionale do të përkujtojë gjithnjë me emrin e saj një nga ditët më të rëndësishme për Kavajën dhe gjithë Shqipërinë, shprehet me një krenari të dukshme Asllani, një nga mësuesit. Sepse data 26 mars 1990 shënoi revoltën e parë antikomuniste në Shqipëri, ndërsa të rinjtë kavajas u bënë pararoja e një epoke të re demokratike. Për të gëzuar bashkë me nxënësit dhe mësuesit këtë shkollë të re, sot mbërriti kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha, disa herë përfaqësues i qytetit të Kavajës në Kuvendin e Shqipërisë. Pasi përuron godinën e re të shkollës, së bashku me znj. Liri Berisha, kryetarin e Bashkisë së Kavajës, Refik Rrugia dhe ministrin në detyrë të Arsimit, Fatos Beja vizitojnë kabinetet e pikturës e skulpturës, informatikës dhe gdhëndies së drurit dhe gurit. Punimet e disa prej nxënësve të kësaj shkolle ndër vite janë ekspozuar në vende të ndryshme në Evropë dhe në SHBA, ndërsa mes 18 mësuesve specialistë ka edhe dy mësues të rinj, që disa vite më parë kanë qenë nxënës të shkollës "26 Marsi"."Mini-ekspozitat e nxënësve në çdo klasë janë dëshmi se këtu farkëtohet dhe shpërthen shpirti artistik i kavajasve", shprehet kryeministri Berisha, duke shtuar "u impresionova shumë prej punimeve tuaja!". Në klasën e pikturës, bashkë me nxënësit e vitit të tretë është ulur edhe Eris Tare, i diplomuar në këtë shkollë vitin e kaluar shkollor, pasi disa ditë më parë ka fituar në konkursin e degës së pikturës. Ai do të vazhdojë rrugën e pikturës si student në Akademinë e Arteve të Bukura në Tiranë, por sot ka dashur ta ndajë gëzimin me shokët dhe shoqet që do të vazhdojnë mësimet edhe këtë vit shkollën "26 Marsi". Eris Tare 18-vjeçar merr përgëzime edhe nga z. Berisha, i cili interesohet për bashkëpunimet e shkollës me projektet profesionale që mbështeten nga qeveritë e Zvicrës dhe Gjermanisë. "Ndërtimi dhe turizmi janë dy degë të tregut të punës, që do t'u përgjigjemi duke mbështetur arsimin profesional. Ne synojmë që ta rrisim numrin e nxënësve në këto shkolla me 10 përqind, ndërsa shkollat do të kthehen në ëndrra të kualifikimit dhe rikualifikimit të punonjësve në kushtet e reja të ekonomisë së tregut", shton kryeministri. Në shkollën profesionale "26 Marsi" aktualisht ka tre degë, në të cilat 173 nxënës përgatiten si automekanikë, instalues pajisjesh hidrosanitare dhe si piktorë e skulptorë. Ndërsa dalim nga shkolla e re, kthejmë kokën për ta riparë godinën 4-katëshe, e ngritur me financimin prej 83 milionë lekë nga qeveria shqiptare. "Dy vjet më parë kemi qenë këtu kur nisën punimet për ndërtimin e kësaj shkolle. Balta dhe magazinat e vjetra e të rrënuara janë ato që kujtoj nga ajo ditë", më thotë një koleg gazetar, teksa ecim në rrugën e re të gjatë 1.4 km që rrethon shkollën dhe lagjen pranë saj. Rreth 12.800 nxënës filluan sot vitin e ri shkollor në 46 shkollat 9-vjeçare dhe të mesme të rrethit të Kavajës, ndërsa 1000 vogëlushë 6-vjeçarë u ulën në bankat e klasës së parë në një ditë të paharrueshme për ta dhe prindërit e tyre. ATSH
Agim Gashi
Agim Gashi
Administrator
Administrator

Numri i postimeve : 45955
Age : 70
Location : Kosovë
Registration date : 17/11/2008

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Mbrapsht në krye

- Similar topics

 
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi