Akllapi Net - Forum i Hapur
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

Përparim Hysi: Delikate, kur do ta "qërosh qepën?!"

Shko poshtë

Përparim Hysi: Delikate, kur do ta "qërosh qepën?!" Empty Përparim Hysi: Delikate, kur do ta "qërosh qepën?!"

Mesazh nga Agim Gashi Sun Sep 27, 2009 12:11 am

Përparim Hysi: Delikate, kur do ta "qërosh qepën?!" U1_PerparimHysi
Delikate, kur do ta "qërosh qepën"?!

pën?!"
"Të qërosh qepën!"
Gunter GRASS

Nga Përparim Hysi

Delikate! Po detyrohem që t'ju shkruaj këtë letër pakëz të hapur ku t'u flas pakëz më shkoqur për bibliotekën e Enverit dhe për fëmijtë, që për çudi i paska dashur shumë. Tek protestoje se ishte vënë dorë mbi atë bibliotekë që Enveri e donte shumë dhe nuk luante nga Tirana se kishte bibliotekën , pa kishte dhe fëmijët. Risi pak e"çuditshme". Se, domosdo , që i donte fëmijtë. Po dhe bibliotekën. Se pjesa dërrmuese të atyre librave (sidomos në frëngjisht), ishin ose të xhaxhait tim , ose të disa fatzesëve të tjerë që e pësuan ashtu si dhe xhaxhai im.
E kam fjalën për juristin Hilmi Hysi, burri i mësueses dhe mikeshës suaj (kishit bërë të njëjtën shkollë :"Nana Mbretëreshë"), Mynever Skrapari. Vetëm kaq, po të lexoje, dhe menjëherë do të kujtohej dhe ky emër.
Se, për t'i thënë gjërat ashtu siç janë , moj Delikate, edhe xhaxhai im i ndjerë, Hilmiu kishte një bibliotekë (librat i kish sjellë nga Franca ku mbaroi studimet), po kishte dhe dy çupa të vogëla: njërën 5-6 vjeçe dhe tjetrën 3-4 vjeçe. Dhe i donte shumë që të dyja. Por, mjerisht, ju (në radhë të pare, Enveri "inë"), e vratë xhaxhanë tim të mirë, në janar të vitit 1948, me grupin e dytë të deputetëve, me Riza Danin e Co...E vratë duke i bërë një gjyq fars, bashkë me 6 fatkeqë të tjerë, nga 19 veta të burgosur. Dhe xhaxhai im i shkretë, moj Delikate, ishte 35 vjeç. Në kohën më të bukur! Se përse e vratë xhaxhanë tim, unë do ta shpjegoj më poshte, por, siç ma merr mëndja, në arrin ta lexosh këtë shkrim timin, do zësh të qërosh qepën e kujtesës dhe, po pate shpirt njeriu, pakësa, do vuash.
Po koha ka treguar të kundërtën. Vet ndajshtimi që keni patur gjatë luftës (unë dyshoj në luftën tuaj dhe të shokut Shpat, po kjo është punë tjetër), është më paradoksali. Ju kurrë në jetën tuaj nuk kini qenë Delikate. Përkundrazi keni qenë një grua e hekurt dhe dinake , si një vullkan që magmën vdekjeprurëse, e ruan përbrënda. E ka treguar koha. Duke qenë disi si në"hije", ju, shpesh, kini qenë jo vetëm regjizorja , po dhe aktorja ekzekutuese.
Mjafton që ta qërosh qepën dhe do dalësh ashtu siç je në të vërtetë. Mos kujto se shumëkush mund të hajë sapunin për djathë. As mos kujto se në ato mediumet ku flet apo njerëz që takon mund të lozësh arushë. Të kam parë, veç tjerash, në një pozicion të turpshëm. A të kujtohet që kur e ndjera dhe pavdekshmja, e përndritura Nermin Vlora, ju qahej për ato që ti dhe sh.Shpati u kishit bërë të afërmve të Babait të KOMBIT, Ismail Qemalit, ti luaje si aktore dhe bëje"pu-pu?!!!". Hapu dhe të futem brënda. Po ku e dije seç u kishi bërë atyre? Pu-pu, po ti ishe e"vogël". Mandej "Delikate?!". Ty të këputej shpirti se zonjën Vlora e kishe patur shoqe. Ti shquhesh për dashurinë ndaj shoqeve, e kam me prova. E ke dashur shumë dhe xhaxheshën time, Myneverin. Verën, pra. Se aq e ke"dashur", moj"Delikate", se ty që nga kohë e luftës të thërresin Vera. Mos po shpif. Jo! Aspak. Ka patur një rubrikë në gazetën tuaj"Zëri i popullit", me sa më kujtohet, që emërtohej:"Pohojnë me gojën e tyre". Kështu thotë dhe shkruan Enveri; Delikate. Tani, ma ha mëndja, do të kujtohet.
Por siç thotë shkrimtari i madh nga Myzeqeja, Jakov Xoxa:"Asgjë të ligë, çdo gjë me ligjë". Le të flasim pak më hapur. Dua të flas më hapur për lexuesët e këtij shkrimi se, sa për ty, as që shpresoj se do ta qërosh qepën.

* * *
Aty nga mezvitet '30-të, kur ministër Arsimi ishte Mirash Ivanaj, studenti i Liceut të Korçës, Hilmi Qazim Hysi, nga Vërzhezha e Skraparit ,u thirr në audience tête-à-tête (kokë më kokë), tek ministri . Në vija të trasha , në këtë audiencë, u tha kështu:
M:- Kini dalë honor në mbarim të Liceut dhe do shkoni me studime me bursë të Mbretnisë, në Francë. Si honor , ju takon me e zgjedh degën.
H:- Dua të studjoj për letërsi a histori.
Ministri, si u mendua pakësa, i thotë:
A bajmë nji marrëveshje? Bash atë degë e kam për nji ish nxanësin tim të Gjymnazit të Shkodrës. A pranon me shkue për drejtësi? -Po, - u përgjigj Himiu. Zoti ministër, po cili asht ai nxanësi juej?
- Asht Abaz Fejzo Ermënji, nga Skrapari, porsi ti.
- Abazin e kam shok, -shtoi Hilmiu. Dhe në Francë, sado në fakuktete të ndryshme, flinin me një dhomë me Abazin (i njohur tanimë për gjithë lexuesit). Po aty në atë dhomën e tyre, i shpeshonte vizita dhe studenti bukurosh, Enver Hoxha.
Xhaxhai im, pse ta bëj hasha, siç duket e mbajti këtë miqësi edhe pas mbarimit për jurist. Dhe si gjykatës, në vitet e pushtimit fashist, punonte në Tiranë. Në Tiranë erdhi dhe Enveri. Ky, sigurisht, për të krijuar partinë. Mirëpo kërkohej nga fashistët, ashtu siç kërkoheshe dhe ti, moj Delikate. Po mezalla s'e luajtët nga Tirana. Se qetë trima (?!) Dhe shikonim ne në muze fotografinë e Enverit me mustaqe dhe thoshim: i shkathët, ua hidhte fashistëve. Unë po drithërohesha kur u tregoja nxënësve, se Tarasi , me mustaqe kështu, pa vinte dhe Delikaten mbi biçikletë dhe tërr s'ia bënte syri. Po këto dihen. Po ti nuk rri rehat: tregon se si të propozoi, të mori në shtëpi e bla-bla. Harron atë moralin komunist: nuk ka dashuri në kohë të luftës, se, ndryshe "Çojeni në shtab!". Ti e di mirë seç fshihej pas kësaj "Çojeni në shtab". Gjysma e lekut. A s' e vratë Ramize Gjebrenë e bukur, vetëm për këtë "krim", se u dashurua me një bashkëshokun e saj? Edhe atë tjetrin pak më pas (me një mënyrë pak më të pastër) se, ashtu drejt përdrejt, sikur s'u dilte llogaria mirë. Se qe nga Bregu, ai tjetri. Nga Bregu- monument trimërie dhe diturie, Delikate. Dhe Tarasi e dinte mirë.

* * *
Ka qenë vjeshtë e vitit 1947, kur xhaxhanë tim, jurist, tanimë në Gjirokastër, e arrestuan. E morën për tërë natën dhe e futën në torturë. Ke kërkuar kushtetutë. si në Perëndim, ke mbrojtur armikun, Muharrem Kapllani, si avokat. Ke dashur të përmbysësh pushtetin popullor . Në tortura që zor t'u jenë bërë skllevërve në kohën e skllavërisë. Kërkonin që të pohonte ato që donin. Xhaxhai nuk pranoi. Aq e torturuan, sa u detyrua të priste venat që të vdiste. E çuan krahë e kofshë tek Dr.Zyma (pa e ditur që qe mik intim i xhaxhait), dhe , tek e mjekonte, i pohoi se çfarë kërkonin dhe i tha: - Jam i pafajshëm. Besomëni !
Nga gjithë ajo golgotë që hoqi nga Haznedarët me shokë, mundi, të përcjellë një letër të shkurtër shkruar me"Litar në grykë", siç e ka emërtuar ai. Kjo letër është e vetmja pasuri që la xhaxhai im i ndjerë. Se shtëpinë ia morët (sadoqë rronte në shtëpinë vjerrit, patriotit Maliq Skrapari), bibliotekën ia morët dhe fëmijtë, dy çupat e vogëla me gjithë të ëmën, Myneverin aliaz Vera, sipas kujtimeve të Enverit, i syrgjynosët në një fshat të thellë të Lushnjës. Në një kasolle të vjetër.
Por ç'ndodhi më tej?

* * *
Ja dhe letra!Ndoshta e lexon , moj Delikate?!

"Letër me litar në grykë"*
Bijës 6-vjeçare
Je ti vajza më e madhe, je ti ajo që do të takojë të kesh barrën më të rëndë e kujtimet më të shumta. Dhe unë lë në ty shpresën dhe amanetin e fundit. Janë ditët e fundit këto, tani që të shkruaj. Janë mendimet e fundit, këto, që më shtyjnë që të shkruaj. E mendoj ,dhe ky mendim është tortura ime e vetme, që ju do të vuani, që ju do të mundoheni për kafshatën e bukës së thatë, që ju do të zvarriseni rrugë më rrugë, që ju nuk do të njihni ç'është lumturia; se do t'ju mungojnë të gjitha.
Po vajza ime e vogël, mos u dëshpëroni për këto: mos ju vij keq që vuani. Jam i bindur se një ditë do shpëtoni nga të gjjitha të këqiat, nga të gjitha vuajtjet. Dije Lidja ime e vogël, se ti je shpresa dhe nga sjellja jote do të varet lumturia e nënës dhe motrës sate. Kam bindjen, sigurinë, mund të them, se sjellja jote ka për të bërë atë që unë dëshiroj dhe lus: të ruhet emri im dhe juaji. Kjo është lutja që babai, me litar në grykë, kërkon nga Lidja e vogël. Mos ia moho këtë të drejtë!
Dhe tani që ju shkruaj, të shoh sikur të kam përpara: shoh lotët e tua. Lili (kështu e thërresim në shtëpi Lidjen!), derdhi lotët, qaje lumturinë e humbur, qaji përkëdheljet e fëmijërisë, por mos humbë në lotë. Harroji këto dhe fillo detyrën tënde, Lili, filloje shkollën dhe vazhdoje, mos e lër veten të shuhesh në hidhërim.
Në rastet më të vështira, mendo se dhe yt Atë ka vuajtur shumë, dhe mos u dëshpëro. Kujdes, Lili, kujdes në çdo hap të jetës tënde...
Këto ishin porositë dhe lutjet e mia të fundit.
Yt Atë
Hilmi
(Tiranë, ditët e para të janarit 1948)

Si thua, Delikate, t'i ketë dashur çupat e mitura xhaxhai im? Mirë xhaxhanë e vrave, po me fëmijtë dhe xhaxheshën ç'pate?

***

U bë gjyqi farsë dhe xhaxhesha me dy çupat qenë syrgjyn atje, në atë fshatin e Lushnjës. As kishin si e dinin që jo vetëm qe bërë gjyqi , po qe marrë vendimi i zi : me pushkatim. S' e dinin ato, po e dije ti, moj Delikate, me gjithë Enverin. Dhe i çuat mesazh. Atë mesazh të zi dhe të flliqur që vetëm një shpirt shafran dhe i zi mund ta përgatisë. Sado që qe njohëse e tri gjuhëve të huaja, ajo, Myneveri (aliaz Vera, sa për mos e harruar), qe ende mësues filloreje atje në shkollë. Dhe shiko seç ndodhi. Të nesërmen e marjes së vendimit nga gjyqi i "popullit", që në mëngjes heret, u shfaq një "inspektor" arsimi. I thotë mësuese Myneverit:-Orën e parë duhet të bësh këngë. Mësuesja u mundua që ta bindë "inspektorin" se nuk është pedagogjike që të bësh këngë orën e parë. Po"inspektori" (ish bërë mirë porosia!), ngulmoi, jo vetëm do bësh këngë, por ja dhe teksti! Qe ajo kënga që si refren të zi kishte"kriminelat porsi miu/i dënoi Bedri Spahiu/.
Deshi s'deshi mësuesja, shkroi tekstin në dërrasë dhe së bashku me nxënësit, për tërë orën, këndonte."Inspektori" kish zënë vënd në fund dhe nuk mbante asnjë shënim. Vetëm ndiqte se ç'bënte mësuesja. Kur mbaroi ora, i tha mësueses ditën e mirë dhe iku. Sa përcolli"inspektorin", mësuesja u kthye në klasë. Një nxënëse:-Mësuese, ai burri harroi këtë gazetën. Mësuesja e mori gazetën në duar dhe pa që me shkronja të mëdha qe shkruar: U dha dënimi për armiqtë e popullit. Tek hodhi sytë mbi emrat, pa se midis 19 fatkeqëve, emri i të shoqit figuronte me nr.5. Me pushkatim! Mësuesja mënd ulëriti. Dhe me kujën e saj u bashkuan dhe nxënësit. Si të duket ky çast, Delikate? A të kujtohet dhe a të vret ndërgjegja ndopak? Se qe shoqe jote që nuk kish bërë asgjë të keqe. Një skenar aq makabër sa është i denjë për një film.
Më tej"kujdesi" juaj u shtua. E pushuat dhe si mësuese dhe Myneveri përfundoi si punëtore në fabrikë të qumështit. Tek shtëpia e saj në kat të dytë strehuat një nga ata tuajët. Dhe në kat të parë, për t'ia ngushtuar valvolën e ajrit, futët po një nga ata tuajët. Dhe Myneveri, dy çupat dhe e ëma rronin në një dhomë e kuzhinë. Ju e ndiqnit nga larg, se kot nuk qetë "Delikate". Se, kur çupa e madhe (ajo që e plotësoi me nder amanetin e të jatit), mbaroi me të tëra pesa (nota më e lartë në atë kohë), u dërgua, saj "kujdesit tuaj", patjetër, ndihmës mjeke në Qukës të Librazhdit. Kjo ndodhte në vitin 1959. Për çudi, kur dhe çupa tjetër, Laura mbaroi aty nga viti 1963 dy vjeçarin, për mathematikë-fizikë, u dërgua si mësuese në Qukës të Librazhdit. Të ishte koinçidencë, Delikate? Kur kjo e fundit u martua në Tiranë dhe filloi në Babru, prapë nën"kujdesin atëror" të partisë, u pushua fare, për biografi. Qe fajtore, domosdo. Lufta e kllasës e çoi punëtore dhe kur erdhi demokarcia u fut në arsim. Punoi një vit e doli në pension.
Po vetëm Enveri i donte fëmijtë. Qe zëmërdhëmbshur. Këta, të tjerët, në syrgjyn.Po sikur, moj Delikate, kur u përmbys pushteti juaj, këta që erdhën të merrnin fëmijët tuaj, fëmijët e fëmijëve dhe t'u çonin në burgje, në internime,do të vinte mirë? Domosdo,që s'do të vinte.

***
E di pse të them që ta qërosh qepën? Se Enveri, ndoshta foli larg e larg, po në lidhje me xhaxhanë tim, pak a shumë ,e qëroi qepën. Kjo ndodhi kur po i vinte fundi. Tek u rikthehej atyre që shkruante, befas pohoi:
Patjetër, që citimi im është në vija të trasha, për arsye që nuk e kam librin, por sidoqoftë, pohon kështu:"...ndërsa fashistët më kërkonin jashtë Tiranës, unë me Delikaten, shëtisnim rrugëve të Tiranës. E vija mbi "Biankë" (siç pohoh dhe vet) e bla-bla...Do të thoni: -Po si është e mundur? -E kini parë një foto timen me syze e mustaqe. Këtë fotgrafi ma ka bërë Qemali (Stafa), për të ngjarë me atë që më dha letër-njoftimin. Do të thoni ju, po si quhej. Po ja që emëri "nuk më kujtohet", po mbiemri më kujtohet mirë: qe Hysi. Dhe e shoqja e tij quhej Vera, ndaj qysh atëherë në shtëpi, Nexhmies i thërresim Vera.Tani që kuadri u plotësua, besoj se do kujtohesh. Fantazma e Bankos iu shfaq Makbethit dhe bëri rrëfimin. Sado vonë. Si mendon ti, Delikate, s'e mbante mënd emrin, yt shoq ?
Fatkeqësia e xhaxhait tim (mbante syze e mustaqe dhe, për dreq, ngjante me Enverin) dhe, përkimi tjetër, xhaxhai im u martua me bashkëshoqen tënde, Myneverin, që, për çudi, ngjante me ty , moj Delikate . Ju, mandej, për të shitur ato trimëritë tuaja, ua shkatërruat jetën. Jo vetëm e pushkatuat xhaxhanë tim, po ne nuk i dimë as varrin. Vallë, as varr nuk meritonin ata fatkeqë? Ndoshta dhe ty, moj Delikate, të bren pendimi dhe zë rrëfehesh .Se, sapo u zbulua një skelet i prangosur.
Unë që po të shkruaj, nuk kërkoj revansh. Jo! Aspak. Pendesë po. Se kjo, pendesa, u lehtëson shpirtin në fund të fundit. Dhe me një gjë nuk jam dakord. Mos protesto, sikur të është bërë padrejtësi. As ty dhe as gjithë kastës suaj. Përkundrazi, andej nga Dibra dhe nga je ti moj Delikate, seç më ka zënë veshi një proverbë që thotë: "Mos trazo granzat me krande se ke për të zezën tande". Ta kenë mirë ta dibrantët, Delikate?
Kurse në Myzeqe nga jam vetë, thonë për raste të tilla: "Ani s’të qajnë qetë, qan qerrja". Daullet bien për ata që kanë veshë.

*Letra origjinale është botuar tek gazeta "Liria"- organ i Shoqatës Kombëtare të ish të dënuarëve dhe të persekutuarve politikë të Shqipërisë, më 10 shkurt 1993.


25 shtator 2009
Agim Gashi
Agim Gashi
Administrator
Administrator

Numri i postimeve : 45955
Age : 70
Location : Kosovë
Registration date : 17/11/2008

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Mbrapsht në krye

- Similar topics

 
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi