Akllapi Net - Forum i Hapur
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

Konferencë për shtyp e Kryeministrit Berisha, pas kthimit nga vizita në New York

Shko poshtë

Konferencë për shtyp e Kryeministrit Berisha, pas kthimit nga vizita në New York Empty Konferencë për shtyp e Kryeministrit Berisha, pas kthimit nga vizita në New York

Mesazh nga Agim Gashi Tue Sep 29, 2009 8:57 pm

Konferencë për shtyp e Kryeministrit Berisha, pas kthimit nga vizita në New York




Konferencë për shtyp e Kryeministrit Berisha, pas kthimit nga vizita në New York --berisha28


"Jam para jush për t’ju njohur me rezultatet e udhëtimit dhe të pjesëmarrjes në krye të delegacionit shqiptar në Sesionin e 64-t të Asamblesë së Përgjithshme të Organizatës së Kombeve të Bashkuara. Dua të theksoj se ky Sesion ishte vërtet historik për mënyrën, rëndësinë, rezultatin e temave të mëdha që trajtoi.

Sesioni u çel me një Samit mbi ndryshimin e klimës, në të cilin Presidenti Barack Obama mbajti një fjalim veprimi. Një fjalim, me të cilin ai njohu komunitetin ndërkombëtar me masat e veprimet konkrete e qeverisë së Shteteve të Bashkuara dhe Presidentit Obama për të frenuar rrokullisjen që po krijon ndryshimi i klimës dhe për të pasur në fund të këtij viti një Samit rezultativ për klimën në Kopenhagen.

Çështja e dytë e madhe, e cila u trajtua pothuaj me unanimitet, ishte ajo e çarmatimit bërthamor. Presidenti Obama në fjalën e tij në Samitin që u mbajt pas atij për klimën, gjatë Sesionit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, renditi 4 shtylla kryesore që përcaktojnë të ardhmen e njerëzimit. Ndër to, të parën ai renditi çarmatimin bërthamor, si rruga e vetme për të ulur aftësinë vrasëse të njeriut. Ndaj ky Sesion ishte historik. Të nesërmen u mblodh Këshilli i Sigurimit, nën drejtimin e Presidentit të SHBA-ve Barack Obama, meqenëse SHBA-të kishin kryesimin e radhës së Këshillit të Sigurimit dhe në unanimitet të plotë miratoi një rezolutë për kufizimin dhe shkatërrimin e armëve bërthamore. Në këtë mbledhje historike, sepse në tërë historinë e Këshillit të Sigurimit kjo ishte e katërta që kryesohej në nivelin më të lartë, krahas Presidentit Obama, ishin të pranishëm Presidentët e të gjitha vendeve të tjera anëtare të përhershme të Këshillit të Sigurimit dhe pothuajse të gjithë presidentët e vendeve anëtare të përkohshme të tij, të cilët votuan me unanimitet rezolutën.

Në këtë Sesion, në oqeanin global apo planetin tonë, mendoj se edhe Shqipëria kishte pozicionin e saj modest. Ne jemi vendi, në të cilin furnizimi me energji elektrike në masën 95 përqind është ‘green’, energji e pastër nga hidrocentralet. Shqipëria është vend me potenciale shumë të mëdha për energji të rinovueshme dhe energji të pastër. Ndonjëherë të jepet mundësia të jesh edhe pararendës dhe Shqipëria është pararendëse. Sikur bota të ishte jo në përqindjen e Shqipërisë, por në gjysmën e saj, ju garantoj se problemet e klimës, apo të ndryshimit të saj ose nuk do të ekzistonin, ose do të ishin shumë më rudimentare. Zotimi im ishte se ne do të shfrytëzojmë të gjitha potencialet e energjive të rinovueshme, pa privuar veten nga burimet e tjera energjetike që vijnë nga fosilet, apo nga energjia nukleare. Pra, ne jemi shumë mirë të mirëvendosur dhe në këtë aspekt jemi pararendës të asaj që vende të tjera duhet të arrijnë. Unë informova audiencën se janë mbi 5 miliard euro kontrata të firmosura për energji të rinovueshme, ujore, ere, me biomasë.

Përsa i përket çarmatimit bërthamor, Shqipëria nuk ka pasur dhe nuk do të ketë asnjëherë ambicie bërthamore. Por Shqipëria, lidhur me armët e shfarosjes në masë, armët kimike, është i pari vend në botë pa armë kimike. Edhe këtu pozicioni është komfortabël.

Cilat ishin qëllimet e mia në Kombet e Bashkuara? Përveçse të ekspozoja këto që thashë më sipër, edhe të loboja fuqishëm e të paraqisja qëndrimin e Shqipërisë për rolin shumë të rëndësishëm që Kosova e pavarur po luan në paqen dhe stabilitetin e rajonit. Sigurisht ishte edhe një angazhim i madh në drejtim të njohjes së saj. Gjatë qëndrimit tim, që nuk mund të mos them të zgjatur, por që nuk varej nga unë, unë shfrytëzova qëndrimin në Samite për takime intensive me liderë botërore, të pranishëm aty, me tre qëllime kryesore: së pari, integrimi i Shqipërisë dhe projekti europian i saj; së dyti, marrëdhëniet bilaterale dhe projektet konkrete të investimeve në Shqipëri dhe së treti, lobimi për njohjen e pavarësisë së Kosovës.

Mendoj se ishte një rast i jashtëzakonshëm për mua, një takim të shkurtër intensiv e të përzemërt me Presidentin Obama dhe zonjën e parë gjatë pritjes shumë të fisshme që Presidenti shtroi në Metropolitan Museum të Nju Jorkut. Ishte kënaqësi për mua të merrja edhe një herë urimin e vlerësimin e Presidentit Obama për anëtarësimin e Shqipërisë në NATO, por edhe faktin se Presidenti dhe Zonja e parë në Çikago ishin njohur dhe kishim miq shqiptarë, me të cilët kishin punuar. Natyrisht ajo kohë e kufizuar, para së gjitha, u përdor nga unë për të ftuar Presidentin dhe Zonjën e parë për të vizituar Shqipërinë. Premtimet janë shumë shpresëdhënëse. Presidenti e vlerësoi ftesën time dhe unë u ndava i bindur se Presidenti Obama dhe Zonja e parë do të vizitojnë Shqipërinë në një udhëtim rajonal.

Gjatë qëndrimit unë zhvillova në dy raste një bisedë të zgjeruar me Kryeministrin e ri të Japonisë Hatoyama. Japonia është një vend bujar mik, që gjatë këtyre 18 viteve ka ndihmuar me bujari të madhe Shqipërinë me projekte që shtrihen në të gjitha fushat. Ishte një rast për mua t’i shprehja Kryeministrit Hatoyama mirënjohjen më të thellë ndaj kombit të tij, Madhërisë imperiale Hakiito, qeverisë japoneze, si dhe për ta ftuar Kryeministrin Hatoyoma të vizitojë Shqipërinë. Kryeministri vlerësoi bashkëpunimin dhe siguroi se qeveria e tij do ta ndihmojë Shqipërinë, sikundër e ka ndihmuar në të shkuarën dhe pranoi me kënaqësi ftesën. Kryeministri Hatoyoma më ftoi sërish për të vizituar Japoninë, ftesë, të cilën unë e pranova me kënaqësi.

Në qëndrimin tim, unë u takova dhe pata biseda shumë të frytshme me Kryeministrin e Suedisë, të cilin e falënderova për qëndrimin që Suedia ka mbajtur dhe mban për problemet integruese të Shqipërisë në Bashkimin Europian. Gjithashtu u takova me Kryeministrin e Holandës. Të dy kryeministrat i ftova të vijnë në Shqipëri. Ata më kanë premtuar dhe jam i bindur se vizitat e tyre do të realizohen.

U takova gjithashtu me Presidentin e Austrisë, Sllovenisë, të Bosnje Hercegovinës, me kryeministra të rajonit, Emirin e Katarit, Kryeministrin e Kuvajtit, Presidentin e Tanzanisë, Kryeministrin e Bangladeshit. Një takim farë të shkurtër e të përzemërt pata me Presidentin Nikola Sarkozy dhe Zonjën e parë Karla Bruni, e cila është njëkohësisht një ambasadore e shkëlqyer e Kombeve të Bashkuara. U takova me Kryeministrin e Danimarkës, Kryeministrin e Zelandës së Re, Kryeministrin e Australisë. Unë i ftova bashkëbiseduesit e mi për të vizituar Shqipërinë dhe kam marrë premtimin e tyre se do të vendosin në axhendën e tyre një vizitë në Shqipëri dhe se do të angazhohen në intensifikimin e marrëdhënieve bilaterale. Në të gjitha këto takime, natyrisht, një temë e veçantë ka qenë kërkesa e ndihmës së tyre, me lidhjet që kanë, për të ndikuar tek vendet mike në njohjen e mëtejshme të Kosovës. Megjithëse dua atë theksoj se mendimi i përgjithshëm është realisht shumë pozitiv për ecurinë e njohjes së pavarësisë së Kosovës, kur, në një hark kohor të shkurtër, janë bërë 63 shtete dhe institucionet Bretton Wood, faktikisht, një progres i admirueshëm. Kësaj herë unë e kisha më të lehtë se kurrë se në vijën e parë të këtij procesi ishte Presidenti Fatmir Sejdiu. Madje ndodhte që unë ta shtroja çështje dhe bashkëbiseduesi të më informonte se, pas takimit me mua, do të priste zotin Sejdiu. Kjo ishte një kënaqësi shumë e madhe për mua. Kosova ka miq, ka simpati të madhe, ka mbështetje.

Në këto takime çështja e integrimit të Shqipërisë dhe heqjes së vizave kishin një vend të veçantë. Mund t’u them se mbështetja ekziston e plotë. Por gjithnjë, siç kam theksuar dhe e theksoj sërish, as nuk kam kërkuar dhe as nuk kërkoj mbështetje tjetër përveçse të bazuar në performancën e Shqipëri, sepse ky është interesi më i mirë i qytetarëve shqiptarë. Qeveria, autoritetet, shteti shqiptar duhet të performojnë me seriozitetin më të madh në kriteret, standardet, normat e kërkuara, të cilat janë në interesin më të mirë të qytetarëve shqiptarë. Unë mund të them se gjeta një vlerësim shumë pozitiv. Një vlerësim pozitiv po ashtu për zgjedhjet dhe raportin e watchdog-ut ndërkombëtar për zgjedhjet. Natyrisht, këto janë procese që ndjekin rrugën e tyre dhe unë jam i bindur se janë të pandalshme dhe të parikthyeshme.

Në këto takime diskutova gjerësisht me projekte konkrete për investime në Shqipëri. Me Emirin e Katarit diskutova projektin e gazit, ndërtimin e një impianti gjigand të rigazifikimit dhe termocentralit të madh me gaz në Shqipëri. Vendi i tij është një nga prodhuesit më kryesorë në botë të gazit dhe veçanërisht të gazit të lëngshëm. Emiri tregoi interes të madh për të investuar në Shqipëri. Kryeministri i Kuvajtit më premtoi angazhimin e tij personal për të ndjekur të gjitha zhvillimet mbi boshtin e jugut, segmentin Berat-Tepelenë. Fondi kuvajtian po bën projektin, qeveria e Kuvajtit është e angazhuar të ndihmojë qeverinë shqiptare me financime për ndërtimin e rrugës.

Takime shumë të mira pata me të gjithë udhëheqësit, presidentë dhe kryeministra të rajonit, Maqedonisë, Sllovenisë, Bosnje Hercegovinës, Kroacisë. Një takim me vlerë do të veçoja me Kryeministrin e Malit të Zi, me të cilin ramë dakord në parim për të thelluar lumin e Bunës dhe t’i rikthejmë atij lundrimin që ka pasur në shekullin e 19-të. Ky do të jetë një nga projektet e rëndësishme që do të ndërmarrim me Republikën e Malit ët Zi dhe mendoj se Shkodra, një nga qytetet më të mëdha të vendit, ka mundësi dhe avantazhin të bëhet me port dhe ne do ta bëjmë. Fatmirësisht, ura që po ndërtojmë, e cila përfundon nga fundi i këtij viti apo pranvera e vitit të ardhshëm, është projektuar si urë që hapet për kalimin e anijeve.

Gjatë qëndrimit, isha i ftuar nga fondacioni i Luise Bloie, ku ekspozova përpjekjet e Shqipërisë për moshën dixhitale, me një interes të veçantë nga të pranishmit. Një moment me simbolikë të fuqishme ishte mbyllje e veprimtarisë ditore të NASDAQ, veshja e Time Square dhe e bursës më transparente e më dixhitale të njerëzimit me flamurin shqiptar, një mbyllje shqiptare, e ndjekur ‘live’, nga mediat më të mëdha të botës. Kjo kishte simbolikën e vet të madhe. Shqipëria ku ishte, me ekonominë e saj hiperkolektiviste dhe ku është sot. Do mbetet e pashlyer në memorien time kjo veprimtari shpresëdhënëse, me një simbolikë të fuqishme.

Gjatë qëndrimit në SHBA, një veprimtari shumë të rëndësishme të delegacionit do të konsideroja takimet me diasporën. Këto takime janë për mua gjithnjë shumë frymëzuese. Diaspora shqiptare në SHBA, në të gjitha kohërat ka dhënë dhe jep një kontribut të jashtëzakonshëm për kombin dhe vendin. Sa herë që ndodhem midis tyre, në mendjen time qarkullojnë me qindra dhe mijëra herë vargjet e Nolit “Mbahu nënë, mos ki frikë, se i ke djemtë në Amerikë”. Shqipëria është e lirë, por në këto takime ke përpara një grup njerëzisht që kanë vendosur çdo gjë për çështjen shqiptare, kanë mobilizuar pasuritë e tyre, kohën, kanë krijuar lidhjet më të fuqishme, për të promovuar në 20 vitet e fundit, çështjen e Kosovës. Të mos harrojmë se janë në origjinën e këtij procesi. Në një kohë kur Kosova ishte një provincë pothuajse thellësisht e panjohur, diaspora shqiptare ia doli nga mesi i viteve 1980, të rrisë ndjeshmërinë në Senatin dhe Kongresin e SHBA-ve dhe në atë kohë, erdhi delegacioni i kryesuar nga senatorët dhe kongresmenët më të fuqishëm të atij vendi. Unë mund t’ju them se që nga ajo ditë e deri në ditët e pavarësisë, Kosova mbeti në axhendën ndërkombëtare. Në shembjen e komunizmit në Shqipëri, flakët e lirisë në shpirtin e tyre nuk u shuan kurrë, në luftën në Kosovë. I theksova të gjitha këto se gjithnjë në këto takime, thellësisht mbresëlënëse, frymëzohesh nga atdhetarizmi, nga përkushtimi, nga kontributi i këtyre njerëzve, të cilët çdo ditë kanë bërë të tyre moton “Ç’ke bërë ti për Shqipërinë” dhe nuk kanë kërkuar asgjë prej saj, përveçse respektimin e vlerave të lirisë dhe demokracisë. Ndaj dhe unë kam pasur një kënaqësi shumë të mëdha këtë herë që të takoj anëtarë të shoqatës Vatra, Vatra e atdhetarizmit e të përkushtimit atdhetar, të takoj në një tubim madhështor përfaqësuesit e Këshillit Kombëtar Shqiptaro-Amerikan në një ceremoni të organizuar për të nderuar një prej themeluesve kryesorë të pavarësisë së Kosovës, nobelistin Presidentin Ahtisari, të takoj një grup të gjerë të rinjsh që kishin shndërruar në realitet ëndrrën amerikane, të vendosur në të gjitha nivelet më të mira të biznesit dhe botës akademike amerikane, sipërmarrës të suksesshëm. Pra, gjatë qëndrimit tim takimet ishin shumë intensive. Kjo ishte një nga vizitat më të bukura që unë kam bërë ndonjëherë në metropolin e botës."
Pyetje: Zoti kryeministër, ju thatë që kërkuat mbështetje për integrimin e vendit bazuar në performancën e Shqipërisë. Si mund të ketë performancë pozitive Shqipëria kur dialogu dhe debati politik vazhdon të mbetet në nivelin zero. A do të pranoni kërkesën e opozitës për hapjen e kutive?
Kryeministri Berisha : Unë mendoj se shkalla e përgjegjësisë ndaj vendit dhe shoqërisë shqiptare janë obligimi më madhor i të gjithë faktorëve politikë shqiptarë dhe në radhë të parë të faktorëve politikë kryesorë. Mendoj se në prag të zhvillimeve të mëdha për vendin dhe shoqërinë shqiptare, siç është liberalizimi i vizave dhe statusi i kandidatit, opozita shqiptare duhet të jetë në lartësinë e idealeve evropiane dhe duhet të dëshmojë qartë se është për favorizimin dhe jo dëmtimin e këtyre proceseve. Për sa u përket zgjedhjeve qëndrimi im është një dhe vetëm një. Zgjedhjet janë një proces themelor i një demokracie. Në të gjithë botën e qytetëruar, palët pranojnë një gjykatës. Pasi ato i kanë paraqitur atij të gjitha pretendimet dhe ai del në një përfundim mendoj se asnjëra palë nuk ka më dhe nuk mund të ketë të drejtë të mos i përmbahet verdiktit të tyre.
Në këtë kontekst, në historinë e këtij vendi, tre zgjedhjet e para në të cilat watchdog-u ndërkombëtar shkruan se u plotësuan angazhimet kryesore të OSBE-ODIHR dhe se vlerësimi për këto zgjedhje dhe vlerësimi i përgjithshëm për zgjedhjet është pozitiv, shkruan se nuk ka patur prova për numërim të parregullt, as dhe manipulim të rezultateve. Kjo do të thotë se : u dëgjove dhe nuk qëndron në ato që the. Ka patur raste që watchdog-u ndërkombëtar ka shkruar krejt tjetër. Për këtë lexoni raportin e vitit 2001, kur thotë se opozita paraqiti prova për të gjitha këto (duke renditur çështjet), ndaj dhe ajo çfarë i garantoj unë opozitës është kjo :së pari të dëgjohet zëri i saj plotësisht në të gjitha reformat që ne ndërmarrim për integrimin e vendit dhe të jetë së bashku me mazhorancën bashkëautore në këto reforma, së dyti watchdog-u përfundimtar ka lënë një seri detyrash, rekomandimesh. Unë garantoj opozitën se, ashtu si deri më sot që në reforma ka patur zërin kryesor, ashtu do të vazhdojë edhe në të ardhmen dhe nuk mund të tregojë qoftë edhe një nen të vetëm që unë ua kam diktuar atyre, përkundrazi kam pranuar me dhjetëra e dhjetëra përcaktime të tyre sepse unë kështu e konsideroj, që opozitës duhet ti japësh garanci maksimale.
E vërteta, duhet të theksoj nuk kanë kërkuar gjëra, të cilat bien ndesh me standardet e OSBE-së dhe sërish jam i bindur që po në këtë kuadër, do të kenë zërin kryesor. Nuk mund të them asgjë më shumë se këto. Vendin në parlament ua kanë dhënë zgjedhësit, aty i kanë, kur të vendosin.
Pyetje: Cili do të jetë qëndrimi zyrtar, për sa i përket enciklopedisë të përpiluar nga akademikët maqedonas, pasi ju keni patur pa dyshim një takim me homologun tuaj maqedonas, gjatë vizitës suaj në SHBA.
Kryeministri Berisha: Për sa i përket këtij problemi më duhet të them se ky ishte një shpërthim racist ndaj shqiptarëve, duke dëshmuar se ai institucion ka mbetur në stadin e Çubrilloviçit, por nga ana tjetër më duhet të theksoj se shqiptarët nuk kanë pse të impresionohen nga asnjë ndërhyrje e atyre që kanë probleme me identitetin e tyre. E gjithë doktrina e vjetër, rraciste, antishqiptare e fqinjëve tanë është e bazuar në dy shtylla kryesore, në pasigurinë genuine që ndjejnë , jo për faj të shqiptarëve, është e bazuar në përpjekjet e kërkimit të identitetit, sepse ata që falsifikojnë historinë e tyre të cilën e shkruajnë një herë në një mënyrë, e njëherë në një tjetër, të cilët thonë se njëherë kemi ardhur në shekullin e 6 e njëherë, në shekullin e 26 para Krishtit, ata dëshmojnë se janë në kërkim të identitetit. Shqiptarët nuk janë në kërkim të identitetit. Shqiptarët kanë qenë këtu, në të gjitha kohërat, kanë vuajtur për shumë gjëra, por kurrë nuk kanë vuajtur për identitet, pra duhet të kesh një vetëdije për këtë. Sidoqoftë unë kam besim, duke marrë parasysh faktin se Presidenti i Maqedonisë e konsideroi këtë një problem serioz dhe më siguroi se pas kthimit në vendin e tij, pasi ai kishte qenë për një vizitë në Gjermani e më pas në SHBA, pra pas kthimit ai do të bënte ndërhyrjet e tij. Në se një grup ka mbetur në stadin e Çubrilloviçit marrëdhëniet midis qeverisë shqiptare dhe asaj maqedonase janë shumë larg tyre, janë marrëdhënie të një natyre krejtësisht tjetër. Unë kam besimin se autoritet maqedonase do të ndërhyjnë për të retifikuar një akt primitiv të një mendimi që ka mbetur në stadin e Çubrilloviçit.
Pyetje: Duke qëndruar tek historia, gjatë javës që ju keni qëndruar në SHBA është hapur nëj debat historik dhe politik, për sa i përket tekstit të historisë të klasës së 12 dhe veçanërisht për periudhën që përshkruan ky tekst, për sa i përket zhvillimit të pluralizmit. A do të kishit një koment, pasi ju keni bërë thirrje më parë për rishikimin dhe rishkrimin e historisë
Kryeministri Berisha: Unë e kam ndjekur debatin , por tekstin e historisë nuk e kam lexuar. Ajo çka mund të them është kjo , kërkesa ime është e hapur dhe transparente. Historia duhet të jetë e vërtetë dhe objektive dhe duhet të paraqesë vërtetësisht realitetin. Nuk e kam lexuar , por nga ato ç’kam ndjekur nga mediat ka paraqitur regjimin kleptokratik që ne e përmbysëm në 2005 tërësisht në klishenë e vjetër, në kuptimin se nuk mund të mohosh faktin që negociatat për marrëveshjen e stabilizim- asoccimit u hapën në vitin 2002, gjatë qeverisjes socialiste. Gjithashtu , nuk është fakt për tu mohuar Karta e Adriatikut 3. Pra, në histori nuk ecet bardh e zi. Ajo çka duhet të them është se historia duhet të rishqyrtohet dhe të rishkruhet dhe këtu nuk heq asnjë presje, por duhet të rishqyrtohet dhe të rishkruhet me objektivitet, ndershmëri, sepse përndryshe bën vetëm një replikim të shkrimit të saj. Raportin tim ju e dini. Sekreti i vetëm i Sali Berishës është ky: Nuk punoj për historinë, punoj për të ardhmen, ndaj dhe jam këtu para jush. Nuk kam asgjë në raportin personal, kur mora këtë shembull. Sidoqoftë Ministria e arsimit do ta shqyrtojë çështjen sepse nuk mund të them pavarësisht nga notat politizuese që janë shprehje edhe këto të një primitivizmi, ose të një stadi të prapambetur, sepse akoma sot pas 20 vitesh në mendjet e këtyre njerëzve funksionon mendja e Enver Hoxhës, pasi edhe diellin, edhe hënën, edhe shiun e tërmetin edhe çdo gjë e lidhin me 1-shin. Këta harrojnë që janë në demokraci. Nuk janë çliruar akoma. Unë do të punoj që të çlirohen , por ky është një proces. Sidoqoftë qëndrimi im është i prerë, që historia do të rishqyrtohet dhe do të rishkruhet sepse ajo është e fshehur dhe ajo do të nxjerrë të vërtetat dhe vetëm të vërtetat dhe unë nuk mund të them kurrë që ne tu paraqesim shqiptarëve një histori tjetër përveçse me të vërteta. Ky është mendimi im. Nuk jam historian, jam mik i apasionuar i historisë. Shumë e shumë vite kam lexuar pothuajse çdo ditë histori.
Të mendosh se çunat e bllokut , i Kristaqit dhe Xhelilit do të mbrojnë historinë, mjerë historia se ku mbeti.
* * *
Jam këtu për të përshëndetur një ngjarje shumë të madhe për Evropën, fitoren e kancelares Angela Merkel, fitore me një rëndësi të madhe për Evropën e vlerave, Evropën e së ardhmes, Evropën e integrimit. Një nga kundërshtarët e saj të krahut më të majtë, Lafonteni, e komentoi në këtë mënyrë: E, po tha gjermanët votuan për ata që sollën krizën, gjermanët janë të mençur, votuan dhe u besuan vetëm atyre që mund ti nxjerrin nga kriza dhe po e nxjerr Gjermaninë nga kriza dhe dalja e Gjermanisë nga kriza është dalja e Evropës nga kriza. Fitorja e qendrës së djathtë në Gjermani është një ngjarje madhore jo vetëm për qendrën e djathtë, por për mbarë Evropën, ndaj dhe unë i uroj kancelares Merkel që në rrugën e suksesit të saj të ripërsërisë paraardhësin e vet të madh Helmut Kol me katër mandate, sikundër më duhet të them se ajo është rruga me e mirë edhe për shqiptarët dhe Shqipërinë.
Agim Gashi
Agim Gashi
Administrator
Administrator

Numri i postimeve : 45955
Age : 70
Location : Kosovë
Registration date : 17/11/2008

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Mbrapsht në krye

- Similar topics

 
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi