Akllapi Net - Forum i Hapur
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

Shkolla Shqipe ka pjesën e historisë se vet edhe në në dhe të huaj

Shko poshtë

Shkolla Shqipe ka pjesën e historisë se vet edhe në në dhe të huaj Empty Shkolla Shqipe ka pjesën e historisë se vet edhe në në dhe të huaj

Mesazh nga Agim Gashi Thu Oct 08, 2009 12:40 am

Shkolla Shqipe ka pjesën e historisë se vet edhe në në dhe të huaj

Shaip Beqiri
Intervista: Mahir Mustafa (1)


Shkolla Shqipe ka pjesën e historisë se vet edhe në në dhe të huaj M.Mustafa

Shkolla shqipe ndër mërgimtarët tanë ka kohë që është bërë pjesë e realitetit jetësor të tyre, sidomos në njëzet vjetët e fundit, kur bashkë me „të mëdhenjtë“ u detyruan që këtë udhë të gjatë e të vështirë ta marrin edhe „të vegjëlit“, pjesa më e madh e të cilëve ndërkaq lindi në dhe të huaj.
Duke qenë afër andrallave dhe veçanësrisht synimeve të këtij institucioni, i cili është ndër më të rënësishmit për jetën e një kombi, në krye të këtij përvjetori të zanafillës së tij, kur po bëhen plot njëzet vjet të organizimit të mësimit shqip ndër vise të ndryshme të botës, bëmë një bisedim të gjatë e shumë të hapur me njeriun më të merituar përsa i përket Shkollës Shqipe të Mësimit Plotësue të njohur kryesisht me emrin LAPSH „Naim Frashëri“ në Zvicër.
Ky është zotëri Mahir Mustafa, lindur në Veshallë të Tetovës më 19 mars 1963. Aktualisht ai është koordinator i përgjithshëm i LAPSH “Naim Frashëri”, bartëse e Shkollës Shqipe të Mësimit Plotësues në Zvicër. Përgatitja dhe veprimtaria e z. Mustafa në fushë të arsimit janë shumë të gjera: ai ka bërë përgatitjen arsimore për mësues të gjuhës dhe letërsisë shqipe e gjermane në Shkup, specializimin për mësimdhënien e gjuhës gjermane për të huajt në Zürich, studimet pasdiplomike për lëndët edukative arsimore në fushën e psiko-pedagogjisë shumëdimensionale në Universitetin e Freiburgut të Zvicrës; ka një përvojë të ngjeshur pune arsimore-edukative: pesë vjet mësimdhënës i gjuhës dhe letërsisë në Tetovë, një vit pedagog me fëmijët me nevoja të veçanta në Kronbühl të Zvicrës, pesë vjet mësimdhënës i gjuhës gjermane në shkollën ndërkombëtare të Fondacionit Pestaloci, 5 vjet udhëheqës projektesh në Fondacionin Pestaloci, 3 vjet bashkëdrejtues i Departamentit për Ngritjen Profesionale të Mësimdhënësve e të Punëtorëve Socialë, qe 15 vjet ligjërues i jashtëm i pedagogjisë ndërkulturore në shkollat e larta pedagogjike të Baselit, Cyrihut, Kreuzlingenit, St. Gallenit, Churit etj. Aktualisht bashkëpunëtor i Departamentit për Zhvillimin e Programeve të Fondacionit Pestaloci, përgjegjës për programet në Europën Juglindore.
z. Mustafa është shquar edhe në fushë të krijimit të literaturës të kësaj fushe të dijes: bashkautor i fletoreve të punës “Gjermanisht për shqiptarët”, bashkautor i librit dygjuhësh shqip-gjermanisht “Princesha Ardita”, Lehrmittelverlag des Kantons Zürich 2001/2003, bashkautor i tekstit “Brückenbauer” (Urëndreqësit) Hep Verlag, 2008, bashkautor i librit “Historia e Shkollës Shqipe në Zvicër”, SHB Maluka, Tiranë, 2007, autor kryesor i kapitullit të tekstit shkollor për fushën e përkujdesjes profesionale të fëmijëve “Ndikimi i ndryshimeve shoqërore te fëmijët”, Careum Verlag, 2009 etj.

Bota Sot: Zoti Mustafa, në krye të 20-vjetorit të LAPSH "Naim Frashëri" do të ishte mirë të ndalemi në këtë bisedim tek pikat kyçe që kanë shoqëruar shkollën shqipe të mësimit plotësues në mërgatën shqiptare të Europës.
M. Mustafa: Pse jo? Por jo të 20-vjetorit të LAPSH “Naim Frashëri”, por të Shkollës Shqipe të Mësimit Plotësues (SHSHMP), sepse ajo ka hyrë sivjet në 20-vjetorin e saj. LAPSH “Naim Frashëri” është themeluar më vonë. Qofshim gjallë e shëndosh e ta festojmë vitin e ardhshëm 15-vjetorin e themelimit dhe funksionimit të saj, si bartëse e Shkollës Shqipe të Mësimit Plotësues në Zvicër. Në vendet e tjera të Europës këtë rol e kanë kryer dhe e kryejnë edhe tash Këshillat e Arsimtarëve Shqiptarë (KASH) ose Lidhja e Arsimtarëve Shqiptarë (LASH).
Bota Sot: Problemet e shkollës shqipe në këtë periudhë kanë qenë tepër dramatike në vend, kur ajo u shtrëngua të vendosej ndër shtëpi private, sa edhe jo rrallë u quajt "shkollë e bodrumeve"! Në anën tjetër, jo pak andralla e ndoqën edhe pjesën e kësaj shkolle në dhe të huaj...
M. Mustafa: Nga 20 shtatori i vitit 1990, kur në Glarus u hap klasa e parë e shkollës së pavarur shqiptare, e deri më sot është përballur Shkolla Shqipe e Mësimit Plotësues në Zvicër me sfida e vështirësi të ndryshme. Në vitet e para d.m.th nga viti 1990 – 1995 ajo është përballur me vështirësi të natyrës organizative, programore e përmbajtësore, kadrovike, menaxhuese e të tjera, sepse në vitin shkollor 1990/91 grupe të ndryshme, shoqata e klube janë përpjekur dhe kanë hapur në mënyrë të pakoordinuar klasa, respektivisht shkolla për zhvillimin e mësimit plotësues, të cilat kishin një emërues të përbashkët: “Shkolla të vetorganizuara” nga grupe të vogla prindërish e mësimdhënësish. Ato shkolla, gjegjësisht klasa, janë hapur si përgjigje ndaj shtimit të numrit të fëmijëve shqiptarë nëpër rajone të ndryshme të Zvicrës. Përpjekjet për një formë më të organizuar e më të koordinuar të mësimit shqip gjatë asaj kohe nuk kanë qenë të pakta. Nga ato përpjekje janë formuar në janar të vitit 1991 Këshilli i Arsimtarëve Shqiptarë dhe Këshilli i Prindërve Shqiptarë në Zvicër, të cilët deri në mars të vitit 1993 kanë vepruar të ndarë dhe shpeshherë edhe kundër njëri-tjetrit. Vetëm me arritjen e marrëveshjes në mars të vitit 1995, e cila rezultoi me fuzionimin e dy lidhjeve LASH dhe LPSH në një të vetme, d.m.th. në Lidhjen e Arsimtarëve dhe Prindërve Shqiptarë “Naim Frashëri”, bartëse e Shkollës Shqipe të Mësimit Plotësues, janë krijuar kushtet për organizimin e mësimit plotësues në mënyrë më institucionale e më profesionale. Me pranimin e LAPSH “Naim Frahëri” më 30 tetor 1995 nga instancat më të larta të shtetit zviceran si bartëse zyrtare e Shkollës Shqipe të Mësimit Plotësues për të gjithë fëmijët shqiptarë, është fuqizuar karakteri zyrtar i LAPSH “Naim Frashëri”, si në raport me bashkëkombësit tanë në Zvicër, ashtu edhe me institucionet përkatëse vendore të fushës së arsimit. Kështu LAPSH ka arritur në vitin shkollor 1995/1996 ta shtrijë rrjetin e vet organizativ me këshilla komunalë, rajonalë e kantonalë në të gjitha kantonet e Zvicrës dhe të ketë në bankat shkollore 5.209 nxënëse e nxënës, të cilët, pas mësimit të rregullt, të mërkurave pasdite ose të shtunave paradite e vijonin mësimin në gjuhën amtare te 146 mësimdhënësit shqiptarë nga vende të ndryshme të hapësirës gjuhësore e kulturore shqiptare.
Bota Sot: Sado që kishte një numër të madh kuadrosh të kualifikuara, kuadri pedagogjik më duket se nuk u zgjodh gjithnjë në mënyrën më fatlume; kishte shumë stihi e mungesë kriteresh të qëndrueshme në përzgjedhjen e tij, por edhe mosangazhim të atyre që do të mund të kontribuonin më shumë...
M. Mustafa: Që nga hapja e shkollës së parë në Glarus e këtej janë angazhuar në procesin e mësimdhënies në tërë Zvicrën, vetëkuptohet me kohëzgjatje të ndryshme, 348 mësimdhënëse e mësimdhënës. Deri në vitin 1995 pranimi i tyre është bërë nga këshillat e prindërve, apo nga ato të arsimtarëve, pa ndonjë procedurë adekuate konkurrimi e përzgjedhjeje. Synimi kryesor ishte atëherë hapja e sa më shumë klasave për t’ua krijuar mundësinë sa më shumë nxënësve që ta ndjekin mësimin në gjuhën amtare. Për herë të parë në historinë e Shkollës Shqipe të Mësimit Plotësues i janë nënshtruar të gjithë mësimdhënësit konkursit të Ministrisë së atëhershme të Arsimit të Kosovës në vitin shkollor 1995-1996. Ato e ata të cilët i patën plotësuar kushtet u patën pranuar dhe pajisur me vendime pune nga ministri i atëhershëm Muhamet Bicaj. Pas këtij viti shkollor janë pranuar shumica e mësimdhënësve me konkurse të shpallur nga kryesia qendrore e LAPSH “Naim Frashëri” apo nga këshillat kantonalë. Mendoj se shpallja e konkurseve në të përditshmet tona në Zvicër ka qenë një mundësi e mirë e informimit për të gjithë ata të cilët kanë qenë të gatshëm që të angazhohen në procesin e mësimdhënies. Ato e ata që kanë qenë të gatshëm të kontribuojnë në këtë drejtim janë angazhuar, të tjerët që nuk e kanë pasur këtë gatishmëri nuk janë angazhuar. LAPSH dhe askush tjetër nuk ka poseduar dhe nuk e posedon ndonjë mekanizëm urdhërues që ta detyrojë dikë të inkuadrohet në procesin mësimor. Mosangazhimi i atyre që thoni ju se kanë ngelur jashtë procesit mësimor, le të mbetet në ndërgjegjen e tyre.
Në kontekst të pyetjes suaj mendoj se për sa i përket pranimit të mësimdhënësve nuk ka qenë problem kualifikimi i mësimdhënësve, por aftësitë e kompetencat e tyre për zhvillimin e mësimit plotësues në gjuhën amtare me grupmosha të ndryshme. Shumica e mësimdhënësve nuk kanë qenë fare të përshtatshëm për këtë lloj mësimi, jo për atë se nuk kanë qenë të kualifikuar, por për atë se nuk kanë bërë përpjekje ta kuptojnë dhe t’i zotërojnë specifikat e tij. Pjesa dërrmuese e atyre, gjoja me përvojë profesionale, ishin mësuar ta zhvillonin mësimin në mënyrë frontale dhe nuk kanë treguar gatishmëri për përparim e ndryshime. Të tjerët pa përvojë profesionale, fjala është për ato e ata që kanë filluar të japin mësim për herë të parë në Zvicër, e kanë zhvilluar mësimin si kanë mundur e ditur, shpeshherë edhe në mënyrë të papërgjegjshme. Kjo mungesë përgjegjësie e gatishmërie e mësimdhënësve na ka kushtuar shumë për sa i përket vijueshmërisë së mësimit në gjuhën amtare. Në mungesë të kualitetit dhe atraktivitetit të mësimdhënies janë larguar shumë nxënës nga mësimi i gjuhës amtare. Fajtorë për këtë nuk mund të jetë askush tjetër përveç mësimdhënësve dhe prindërve të atyre nxënësve, të cilët nuk kanë intervenuar me kohë që të ndërmerren masa përmirësimi. Përgjithësisht mund të them se kuadri arsimor, fjalën e kam për këta 348 mësuese e mësues, nuk ka qenë i përgatitur për mësimdhënie bashkëkohore. Faji nuk qëndron krejtësisht te ta, por në pjesë më të madhe te formimi i tyre në shkollat e larta e fakultetet tona në Kosovë e Maqedoni. Them në Kosovë e Maqedoni, sepse pjesa më e madhe e mësimdhënësve tanë janë nga Kosova e Maqedonia dhe për atë se mësimdhënëset nga Shqipëria, disa që janë inkuadruar në procesin mësimor, dallohen për përgatitje më të lartë profesionale dhe për aftësitë e tyre depërtuese në institucionet arsimore zvicerane. Në këtë kontekst është e vetëkuptueshme se në mesin e mësimdhënësve nga Kosova e Maqedonia kemi pasur dhe kemi edhe të mirë e të përkushtuar. Falë angazhimit të tyre dhe të aktivistëve shembullorë kemi arritur edhe suksese që ia vlen të përmenden.
Bota Sot: E cilat janë ato suksese?
M. Mustafa: E kam thënë edhe të tjera herë, prandaj po e përsëris edhe tash, periudha më e suksesshme e Lidhjes si bartëse e shkollës shqipe të mësimit plotësues në Zvicër është padyshim ajo prej vitit 1995 deri në vitin 1998. Gjatë kësaj periudhe ajo arriti ta shtrijë rrjetin e vet organizativ me këshilla komunalë, rajonalë e kantonalë në të gjitha kantonet e Zvicrës, që nënkupton një rrjet të gjerë organizativ me mbi 300 këshilla komunalë me mbi 2.000 aktivistë të Lidhjes, të cilët arritën që numrin e vijuesve prej 2.056 sa ishin në vitin shkollor 1993/94 ta rritnin në 3.724 në vitin shkollor 1994/95, kurse në vitin shkollor 1995/96 në 5.209 dhe në vitin shkollor 1996/97 në 6.295 nxënës. Në këtë periudhë, përveç përfshirjes së mbi 6.000 nxënësve, shkolla shqipe ka shënuar rezultate edhe sa i përket pajisjes së nxënësve me tekste mësimore dhe dokumentet e tjera të nevojshme shkollore (ditari i mësimdhënësve, librezat dhe dëftesat e nxënësve, organizimi i arkivit etj.). Kjo periudhë spikatet edhe përsa i përket përsosjes profesionale të kuadrit arsimor. Gjatë kësaj periudhe është organizuar një numër i konsiderueshëm seminaresh për ngritje profesionale të kuadrit dhe është arritur një bashkëpunim i kënaqshëm edhe me shkollat zvicerane.
Periudha tjetër kohore, e cila gjithashtu vlen të përmendet, është ajo nga viti 1999 deri në vitin 2002. Periudha e zhvillimit të mësimit në dy gjuhë, gjermanisht dhe shqip, me më tepër se 3.000 fëmijë refugjatë të luftës nga Kosova. Kjo periudhë, edhe pse e suksesshme në kuptimin e përfshirjes së nxënësve refugjatë, e ka vërtetuar për fat të keq pohimin e mësipërm se mësimdhënëset e mësimdhënësit tanë nga Kosova e Maqedonia (me ca përjashtime të vogla) nuk janë treguar të suksesshëm në formën e punës tandem me mësimdhënëset e mësimdhënësit zviceranë. Shumica prej tyre nuk kanë arritur ta justifikojnë përgatitjen e tyre profesionale dhe nuk kanë treguar vetëbesim për të qenë partnerë të barabartë me mësimdhënëset e mësimdhënësit zviceranë. Në të shumtën e rasteve ata, kuptohet jo të gjithë, janë pajtuar me rolin e një asistenti, i cili ka pritur udhëzime dhe ndihmë nga mësuesja apo mësuesi zviceran. Ç’është më e keqja, në mungesë të teksteve ata nuk kanë qenë në gjendje të përgatisin fleta pune e materiale të tjera të nevojshme për nxënësit e tyre, por janë shërbyer me fletat e punës të kolegeve e kolegëve zviceranë. /Vijon
Agim Gashi
Agim Gashi
Administrator
Administrator

Numri i postimeve : 45955
Age : 70
Location : Kosovë
Registration date : 17/11/2008

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Shkolla Shqipe ka pjesën e historisë se vet edhe në në dhe të huaj Empty Shterja e burimit financiar dhe metodat e vjetruara të mësimdhënies

Mesazh nga Agim Gashi Fri Oct 09, 2009 10:46 pm

Shterja e burimit financiar dhe metodat e vjetruara të mësimdhënies

Shaip Beqiri
Intervista: Mahir Mustafa (2)



Shkolla Shqipe ka pjesën e historisë se vet edhe në në dhe të huaj BEQIRI%20INTERVISTA
Në vazhdim të bisedës me zotëri Mahir Mustafën hyjmë në trajtimin e shumë çështjeve thelbësore, të cilat edhe e përcaktojnë gjendjen e kësaj sfere të rëndësishme të jetës së shqiptarëve, duke e vështruar atë nga pika të ndryshme, të cilat japin pamje të vështirësive, të dobësive e të ndonjë suksesi. Tërë barra e këtyre problemeve qet peshën, në fund të fundit, në anën e fëmijëve tanë, të cilët hëpërhë ndoshta edhe nuk janë të ndërgjegjshëm që të ballafaqohen drejtpërdrejt me një çështje kaq të madhe për të ardhmen e tyre dhe të gjithë kombit në tërësi.



Bota Sot: E cilat janë ato suksese?
M. Mustafa: E kam thënë edhe të tjera herë, prandaj po e përsëris edhe tash, periudha më e suksesshme e Lidhjes si bartëse e shkollës shqipe të mësimit plotësues në Zvicër është padyshim ajo prej vitit 1995 deri në vitin 1998. Gjatë kësaj periudhe ajo arriti ta shtrijë rrjetin e vet organizativ me këshilla komunalë, rajonalë e kantonalë në të gjitha kantonet e Zvicrës, që nënkupton një rrjet të gjerë organizativ me mbi 300 këshilla komunalë me mbi 2.000 aktivistë të Lidhjes, të cilët arritën që numrin e vijuesve prej 2.056 sa ishin në vitin shkollor 1993/94 ta rritnin në 3.724 në vitin shkollor 1994/95, kurse në vitin shkollor 1995/96 në 5.209 dhe në vitin shkollor 1996/97 në 6.295 nxënës. Në këtë periudhë, përveç përfshirjes së mbi 6.000 nxënësve, shkolla shqipe ka shënuar rezultate edhe sa i përket pajisjes së nxënësve me tekste mësimore dhe dokumentet e tjera të nevojshme shkollore (ditari i mësimdhënësve, librezat dhe dëftesat e nxënësve, organizimi i arkivit etj.). Kjo periudhë spikatet edhe përsa i përket përsosjes profesionale të kuadrit arsimor. Gjatë kësaj periudhe është organizuar një numër i konsiderueshëm seminaresh për ngritje profesionale të kuadrit dhe është arritur një bashkëpunim i kënaqshëm edhe me shkollat zvicerane.
Periudha tjetër kohore, e cila gjithashtu vlen të përmendet, është ajo nga viti 1999 deri në vitin 2002. Periudha e zhvillimit të mësimit në dy gjuhë, gjermanisht dhe shqip, me më tepër se 3.000 fëmijë refugjatë të luftës nga Kosova. Kjo periudhë, edhe pse e suksesshme në kuptimin e përfshirjes së nxënësve refugjatë, e ka vërtetuar për fat të keq pohimin e mësipërm se mësimdhënëset e mësimdhënësit tanë nga Kosova e Maqedonia (me ca përjashtime të vogla) nuk janë treguar të suksesshëm në formën e punës tandem me mësimdhënëset e mësimdhënësit zviceranë. Shumica prej tyre nuk kanë arritur ta justifikojnë përgatitjen e tyre profesionale dhe nuk kanë treguar vetëbesim për të qenë partnerë të barabartë me mësimdhënëset e mësimdhënësit zviceranë. Në të shumtën e rasteve ata, kuptohet jo të gjithë, janë pajtuar me rolin e një asistenti, i cili ka pritur udhëzime dhe ndihmë nga mësuesja apo mësuesi zviceran. Ç’është më e keqja, në mungesë të teksteve ata nuk kanë qenë në gjendje të përgatisin fleta pune e materiale të tjera të nevojshme për nxënësit e tyre, por janë shërbyer me fletat e punës të kolegeve e kolegëve zviceranë.
Bota Sot: Kur jemi te tekstet, më duket se edhe kjo qe ndër pikat më të dobëta, edhepse u hartuan një palë tekstesh me dedikim për nxënësit tanë jashtë vendit. E më e keqja është se nuk u vazhdua më tej me hartimin e teksteve të tjera alternative, me shkrimin e tyre në mënyrë më cilësore, sidomos për sa i përket përshtatjes së përmbajtjeve për nxënësit në mërgim.
M. Mustafa: Tekstet e para: “Zemra ime”, për ciklin e ulët (kl.1, 2, 3), për nxënësit në mërgim janë botuar në vitin 1994, kurse “Shkollë e jetë” për ciklin e mesëm (kl.4, 5, 6) janë botuar në vitin 1995. Autorë të këtyre teksteve janë Shefik Osmani, Meriman Braha dhe Abdyl Ramaj. Tekste të tjera për fëmijët në diasporë si: “Leximi im 3-4” dhe fletore pune për “Leximi im 3-4” dhe “Plotësori i abetares” të profesor Shefik Osmanit në bashkëpunim me Rifat Hamitin, Sejdi Gashin e Sami Thaçin janë botuar në vitin 2000 në Gjermani dhe disa botime të tjera më vonë në Suedi. Ndoshta tekstet në fjalë kanë pasur mangësi ose ngarkesa për nxënësit në diasporë, por përgjithësisht kanë qenë një ndihmesë për mësimdhënësit. Personalisht nuk mendoj se problemi kryesor ka qëndruar te kualiteti i teksteve, por te qasja e mësimdhënësve ndaj temave të përshtatshme për nxënësit në diasporë. Tek e fundit, edhepse tekstet që i përmenda kanë qenë të vetmet, ato nuk kanë qenë të detyrueshme. Ato kanë shërbyer si mjete ndihmëse. Mësimdhënësit e kanë pasur lirinë e shërbimit me tekste të tjera nga Kosova e Shqipëria, ose të bërjes së materialeve të punës vetë duke u bazuar në tekstet e këtushme shkollore. Përsa u përket teksteve do të thosha se më mirë me to se pa to fare. Këtë thënie e ka vërtetuar mungesa e teksteve për ciklin e lartë (kl. 7,8,9) që ka rezultuar edhe me mosrealizimin e mësimit për ciklin e lartë.
Ka disa vjet që Ministria e Arsimit, Teknologjisë dhe Shkencës e Kosovës po bën përpjekje për hartimin dhe botimin e teksteve për nxënësit në diasporë, por deri tash pa rezultate konkrete. Shpresojmë që kjo zvarritje e gjatë të marrë fund, sepse në muajin gusht të këtij viti janë caktuar edhe autorët e teksteve. Le të shpresojmë që këto të rejat do të jenë më të mira!
Bota Sot: Veprimi i shkollës shqipe të mësimit plotësues ka mbetur disi tepër i pacaktuar, ndërmjet ministrive përkatëse në vend dhe atyre ku zhvillohet mësimi dhe ku jetojnë nxënësit e mësuesit. Të parat nuk e kanë mbështetur pothuaj fare atë, kurse të dytat aq më pak e kanë afruar…
M. Mustafa: Nëse me të parat e keni fjalën për Ministritë e Arsimit të Kosovës, të Shqipërisë e të Maqedonisë, do të doja që ato mos të futen të gjitha në një thes, sepse përsa i përket mbështetjes që ia kanë ofruar apo nuk ia kanë ofruar SHSHMP në Zvicër ato dallojnë nga njëra-tjetra. Ministria e Arsimit e Kosovës, si ajo e qeverisë në ekzil, si këto të tashmet pas luftës, ka treguar më tepër interesim për shkollat shqipe në diasporë, kuptohet në krahasim me dy të tjerat, të cilat deri tash nuk i kanë ofruar kurrfarë ndihme SHSHMP-së në Zvicër, e ndoshta edhe të tjerave në shtetet perëndimore. Ministria e Maqedonisë nuk arriti p.sh. ta përmbushë deri tash premtimin e dhënë në Konferencën e Parë Mbarëkombëtare të Shkollave Shqiptare në Diasporë, se do t’i dërgojë në Zvicër 3-5 mësimdhënës për ta zhvilluar mësimin për të gjithë fëmijët shqiptarë. Ajo e Shqipërisë gjithashtu nuk e ka përmbushur premtimin e dhënë po në Konferencën e vitit 2003 se do të kontribuojë në hartimin e kurrikulave dhe teksteve shkollore për nxënësit tanë në diasporë. E vetmja Ministri që e ka ndihmuar LAPSH “Naim Frashëri” deri tash me mjete konkrete është Ministria e Punëve të Jashtme e Shqipërisë, përmes Institutit të Diasporës Shqiptare, i cili për mbajtjen e Konferencës së Parë Mbarëkombëtare të Shkollave Shqiptare në Diasporë në qershor të vitit 2003 ia ka dhuruar LAPSH “Naim Frashëri” 5.000 dollarë. Shpresojmë që MASHT e Kosovës, pas hartimit të kurrikulës për shkollat shqiptare në diasporë, ta përmbushë edhe premtimin lidhur me tekstet shkollore. E përsa u përket departamenteve kantonale të Arsimit dhe institucioneve të tjera arsimore zvicerane çështja duhet të shikohet në mënyrë më të diferencuar, ngase ekzistojnë kantone që fare nuk kanë treguar kurrfarë gatishmërie për integrimin e mësimit tonë në gjuhën amtare në sistemin e tyre të rregullt shkollor dhe të tjerë si Zürichi e Baseli që me disa pilotprojekte e kanë integruar atë në orarin e rregullt të shkollave publike dhe e kanë marrë përsipër financimin e mësimdhënësve tanë duke i trajtuar ata si pjesë përbërëse e kuadrove të tyre.
Bota Sot: Kjo gjendje e ndërmjetme, tepër stihike në punë organmizimi, ka bërë që mësimin plotësues shqip ta ndjekin gjithnjë më pak nxënës. Për shembull, nga mbi 200.000 shqiptarë që jetojnë në Zvicër, më shumë se gjysma janë fëmijë të moshës që do të duhej të ndiqnin mësimin në gjuhën amtare, por atë thuhet se e ndjekin vetëm nja 3.000 prej tyre!
M. Mustafa: Kur është fjala te numri i nxënësve që e kanë vijuar dhe e vijojnë mësimin plotësues në gjuhën amtare duhet të analizohet gatishmëria dhe detyrat e përgjegjësitë e katër faktorëve bazë. Fjalën e kam për bartësit e Shkollës Shqipe të Mësimit Plotësues, d.m.th. për aktivistët e LAPSH “Naim Frashëri”, për prindërit, mësimdhënësit dhe për vetë fëmijët.
Në raport me njëri-tjetrin dhe në raport me qëllimet kryesore të tyre mendoj se i vetmi faktor që e ka kryer punën e vet është LAPSH “Naim Frashëri”, bartës i SHSHMP-së. Ajo, si përmenda më parë, ka arritur që ta shtrijë rrjetin e saj organizativ në të gjitha kantonet e Zvicrës. Kur them ajo mendoj në aktivistët e Lidhjes, të cilët me organizimin e mbi 300 këshillave komunalë dhe atyre kantonalë i krijuan mundësitë që fëmijët shqiptarë të moshës shkollore të marrin mësime edhe në gjuhën amtare. Lidhja si formë e organizuar e prindërve dhe mësimdhënësve i ka njoftuar në forma të ndryshme bashkëkombësit tanë për mundësitë e krijuara dhe ka punuar vazhdimisht në sensibilizimin e tyre që t’i dërgojnë fëmijët e tyre në mësim. Me inkuadrimin e 348 mësimdhënësve ajo i ka mbuluar nevojat e të interesuarve për mësimin në gjuhën amtare dhe është munduar për ngritjen profesionale të mësimdhënësve e të cilësisë së të mësimdhënies.
Për fat të keq, nuk mund të thuhet e njëjta gjë edhe për faktorët prindër e mësimdhënës.
Bota Sot: Pse nuk mund të thuhet e njëjta edhe për ta?
M. Mustafa: Sepse shumica e prindërve, edhe pse e kanë ditur se i vetmi burim financiar për mësimdhënësit janë ata, nuk kanë qenë sa duhet të përgjegjshëm përsa u përket pagesave të mësimdhënësve. Shpeshherë e kanë vonuar pagesën e mësimdhënësve, ose nuk e kanë bërë fare. Mospagesa e mësimdhënësve ka ndikuar në ndërprerjen e procesit të mësimit, d.m.th. në mbylljen e klasave. E më e keqja përsa i përket faktorit prindër është se ata nuk i kanë dërguar fëmijët e tyre në mësimin plotësues në gjuhën amtare. Disa sigurisht në mungesë të vetëdijes përsa i përket rëndësisë së mësimit në gjuhën amtare, disa ndoshta për shkaqe financiare, e disa ku ta di unë për çka.
Bota Sot: E mësimdhënësit?
M. Mustafa: Një pjesë e madhe e mësimdhënësve nuk kanë arritur t’i bindin nxënësit tanë se mësimi në gjuhën amtare është shumë i rëndësishëm për ta. Përkundrazi, me mosangazhimin e tyre, mënyrën e mësimdhënies, qëndrimet e tyre pedagogjike, konceptet e tyre të vjetruara etj. ata kanë ndikuar që shumë fëmijë ta ndërprejnë vajtjen në mësimin plotësues në gjuhën shqipe. Sikur mësimdhënësit tanë të ishin treguar më të interesuar e më të përkushtuar në profesionin e tyre nuk do të ishim përballur me shumë mbyllje klasash, rënie të numrit të nxënësve e me pakënaqësi të tjera të nxënësve e të prindërve. Llogaritni se sikur të kishim pasur një kuadër më të përkushtuar e më të qëndrueshëm në synimet e tij, sigurisht që nuk do ta kishim sot këtë gjendje të mjerueshme përsa i përket përfshirjes së fëmijëve të moshës shkollore në mësimin plotësues në gjuhën amtare. Sikur këta 348 mësimdhënëse e mësimdhënës, pa llogaritur edhe shumë të tjerë që nuk janë inkuadruar deri tash në procesin mësimor, ta kishin hapur nga një klasë, do të ishin përfshirë në mësimin plotësues afërsisht 7.000 nxënëse e nxënës. Po ta zhvillonin mësimin në dy apo tri klasa, do të ishin përfshirë në mësimin plotësues afërsisht 21.000 nxënës. Ndoshta për vetë faktin se mësimin plotësues në gjuhën amtare e ndjekin aktualisht mbi 3.000 nxënës, mendoni ose do të thoni se nuk ia vlen “barra qiranë” të merremi me llogaritje matematikore e supozime, por nuk është ashtu.
Bazuar në përvojat e deritashme besoj se ia vlen, edhe atë shumë bile, sepse ato na kanë mësuar se me angazhim të duhur të aktivistëve të Lidhjes dhe me përkushtim profesional të mësimdhënësve mund të arrihen qëllimet e synuara. Këtë pohim po ua konkretizoj me një shembull nga kantoni i St. Gallenit, në të cilin, falë mobilizimit të një numri të madh aktivistësh dhe angazhimit shembullor të mësimdhënësve Adnan Mehmeti, Isa Morina, Shaban Kabashi e të tjerë, nga viti shkollor 1993/1994 deri në vitin 1998 numri i nxënësve arriti deri në 775. Krahas rritjes së numrit të nxënësve shtoheshin edhe mundësitë për pagesa më të mira të mësuesve, të cilët me një orar jo të plotë arrinin të përfshinin në mësimin plotësues deri në 150 nxënës dhe kështu të siguronin të ardhura mujore deri në 4.000 franga. Nuk ekziston njeri që më bind se nuk ia vlen të angazhohesh në mbajtjen e mësimit plotësues, ngase, në qoftë se e kryen punën me zell e përkushtim, do ta kesh edhe shpërblimin e merituar.
Bota Sot: Përse e kemi atëherë këtë gjendje?
M. Mustafa: Për atë se ndoshta te shumica e mësimdhënësve ka munguar dhe mungon ende besimi në vetvete, besimi te të tjerët, përkushtimi, gatishmëria e bashkëpunimit me prindërit dhe aktivistët e Lidhjes dhe qëndrueshmëria. Këtë që po ua them jam i bindur se do t’ua pohojnë edhe disa mësimdhënëse e mësimdhënës që me vite nuk janë shkëputur nga procesi mësimor, jo për shkak të idealizmit të tyre, por për shkak të levërdisë dhe krenarisë profesionale në kuptimin e thënies “Më mirë një mësimdhënës apo mësimdhënëse e fëmijëve shqiptarë se sa një pastruese apo një punëtor krahu në ndonjë sipërmarrje të huaj”.
Bota Sot: Tingëllon bukur, por na thoni si qëndron çështja me fëmijët?
M. Mustafa: Më të pafajshëm në këtë kontekst janë fëmijët, të cilët në mungesë të përkujdesjes së duhur familjare e institucionale ndjehen indiferentë ndaj vlerave kombëtare. Një indiferencë e pavetëdijshme që po u kushton shumë sot, e do t’u kushtojë edhe më shumë nesër...
Bazuar në pohimin shkencor se zotërimi i mirë i gjuhës amtare e ndihmon shumë procesin e përvetësimit të gjuhëve të tjera dhe në faktin tjetër se fëmijët, të cilët e ndjekin mësimin plotësues janë për një gjysmë note deri në një notë më të mirë se ata që nuk e ndjekin mësimin plotësues në gjuhën e parë, do të kishim më shumë nxënës në shkollat sekondare, gjimnaze e në fakultete. Për fat të keq ky numër është shumë i vogël në krahasim me numrin e përgjithshëm të fëmijëve tanë. /Vijon
Agim Gashi
Agim Gashi
Administrator
Administrator

Numri i postimeve : 45955
Age : 70
Location : Kosovë
Registration date : 17/11/2008

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Mbrapsht në krye

- Similar topics

 
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi