Akllapi Net - Forum i Hapur
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

Baki Ymeri: Albina Idrizi në gjuhën rumune

Shko poshtë

Baki Ymeri: Albina Idrizi në gjuhën rumune Empty Baki Ymeri: Albina Idrizi në gjuhën rumune

Mesazh nga Agim Gashi Sat Oct 10, 2009 12:42 am

Baki Ymeri: Albina Idrizi në gjuhën rumune U1by1
Albina Idrizi në gjuhën rumune

Nga Baki Ymeri (Bukuresht)

Pas librave të një varg autorësh nga Kosova Lindore (Sabile Keçmezi-Basha, Nexhat Rexha, Miradije Ramiqi, Sabit Rrustemi, Ramadan Mehmeti, Fatmir F. Salihu, Hysen Këqiku, Sarë Gjergji), këto ditë e pa dritën e botimit në Bukuresht, romani i Albina Idrizit, Umbrele Turnurilor (Hija e Kullave). Libri del nën përkujdesjen e Bashkësisë Kulturore të Shqiptarëve të Rumanisë dhe redaksisë së revistes Albanezul/Shqiptari, duke patur për autor të përkthimit në gjuhën rumune Adriana dhe Sherban Tabakun. Kësaj vepre me vlera të mirëfillta letrare pasprin pasthënia e kritikut Marius Chelaru nga Moldova dhe një medalion estetik i Albert Zholit nga Shqipëria. Sipas autorit të pasthënies, „përmbysjet mbi hartën e botës të jetës së njerëzve nga rajone të ndryshme në shekullin e XX dhe fillim të shek. XXI kanë sjellë fenomene kulturo/letrare që tani na duken interesante. Fjala është për autorë që shkruajnë për një botë të (pa)njohur duke i dhënë Perëndimit një ajër të një misteri ekzotik. Shkruajnë për tradita, kultura të veçanta, ndonjëherë për drama proporcionesh të mëdha, krime barbare, luftëra të përgjakshme, duke e ruajtur atë që më në fund i jep bukuri romanit/ rrëfimit/ përrallës.” Letërsia shqiptare, sipas eseistit Qelaru, „i ka dhënë botës njërin nga prozatorët e më të mëdhenj të këtij mileniumi, Ismail Kadarenë, shqiptarin më të famshëm në botë. Ekziston ndërkaq, së paku te disa prozatorë shqiptarë, njëfarë lloj vlerësimi të një tjetër tipi „ekzotik” për lexuesin oksidental, të traditave, të krejt asaj që definon kultura dhe historia e popullit të tyre, një gërshetim i reales me fantastiken, me mitin dhe legjendën, me historinë. Fjala është për disa romane të Kadaresë, Gjenerali i ushtrisë së vdekur duke i ruajtur proporcionet në rastin e krahasimeve tjera, siç është libri i Albina Idrizit.”
Hijet e Kullave është romani i parë i një autori kosovar që del në gjuhën rumune. Autorja flet për luftën e errët që zhvilluan forcat paramilitare serbe në Kosovë. Albina flet për një kolonel serb i pagëzuar nga të vetët, Çudia. Përndryshe, thekson autori i pasthënies, „njëri nga procedetë e përdorura nga autorja, jo me këmbëngulje, dhe as me dendësi, është kontrasti/ antiteza, qitja ballëpërballë e një fillimi me përshkrime të qeta, të disa emrave, disa qofshin vetëm dukshmërisht „të bukur”, që pastaj, gjatë kohës, çdo gjë të nuancohet me qartësi. Për shembull, njëri nga ushtarët që e patën pritur kolonelin në Kosovë, ishte Marko, i shquar „përmes raporteve të tij, apo më mirë thënë, përmes „trimërive”, „një djalë i bëshëm me një fytyrë të bukur e ca sy të butë me një kafe kadifeje si të një fëmije. Me ta parë të linte përshtypjen se kurrë s`kishte ngritur dorë mbi asnjeri. Por duke dëgjuar rrëfimet e tij, pas asaj fytyre të ëmbël fëmijërore koloneli njohu një bishë të pangopur. Një kontrast i egër ky që e bëri të rrënqethej”. Ai rrëfente se, „në shtëpinë e tij, në Sombor prej ku vinte, mbante varur në mur në një kornizë bronzi kopjen e Naçertania-s së famshme, (program për kolonizimin e tokave shqiptare më 1844), me të cilën mburrej para miqve që e vizitonin e edhe tani para ushtarëve”.
Baki Ymeri: Albina Idrizi në gjuhën rumune U1_AlbinaIdriziZoran Petroviqi, sipas romanit, edhepse ishte kolonel serb, përndryshe ishte një njeri, bashkëshort dhe baba që nuk e kuptonte pse duhet të vrasësh, pse duhet të vdesin fëmijët, gratë, njerëzit, përse bota dalldiset duke e harruar njerzishmërinë. Ndërsa autorja e konstrukton me sensibilitet, me delikatesë dhe përkushtim, me një normalitet human, deri në instancën e fundit, portretin e personazhit me përjetimet e tij. „Ardhjen e tij në Kosovë, Kolonel Çudia as nuk e kishte imagjinuar ndonjëherë”. As kur dëgjonte kolegun e tij ushtarak i cili, shpeshherë, duke pirë, pasi tregonte në mënyrë retorike nga po vinte, ç’po ndodhte me shqiptarët, përse nuk nënshtroheshin përkundër të gjitha stuhive të kohës, më në fund i thoshte: „Puna më e mirë që mund të bëjmë me atë popull është ta zhdukim të gjithin nga faqja e dheut”. Tani, ndërkaq, ai arrin në Kosovë, në bazë të një urdhëri të ardhur kushedi prej nga, me fillim nga 25 shkurti 1999. Ushtarët që i dolën përpara t`i uronin mirëseardhje udhëheqësit të ri, nuk ngjanin aspak me ushtarë. Fjalët dhe sjelljet e tyre pa kurrfarë etike ushtarake jo vetëm që nuk e ndihmuan fare, por edhe e trembën. Veshja e tyre e larmishme më tepër të linte përshtypjen e një bande huliganësh të bashkuar se sa ushtarësh të mirëfilltë”... „E vetmja gjë që i përngjau në diç ushtarake ishte armatimi që posedonte kjo njësi. Mori vesh se ishin të pajisur me të gjitha mjetet e mundshme të këmbësorisë, madje/madje edhe nga aviacioni luftarak si helikopterë transportues, bombardues, sisteme raketore etj. Kishin poashtu automobilë të blinduar, transportues të blinduar që mund të zinin nga tre deri në shtatë anëtarë në rast nevoje.”

Libri flet për sulmet e NATO-s dhe luftërat e UÇK-së

Në fillim, ato që shihte dhe dëgjonte, e tmerronin („sulme, plaçkitje, dhunime, vrasje civilësh nëpër rrugë, nëpër shtëpi, tërë ajo që ai ia kishte më së shumti frikën, me një fjalë, lemeria vetë”). Lemeria e tij arrin kulmin kur një grup ushtarësh e shpiejnë në një shtëpi të braktisur kinse për ta „argëtuar”. Aty ai sheh të lidhura tri vajza të reja shqiptare, të lodhura e të trembura për vdekje: „ Ai nuk pa bukuri. Krejt ajo që po shihte ishte vuajtje, frikë, ankth, lutje”. Vendos të raportojë çdo gjë tek eprori i tij por tmerrohet akoma më shumë kur dëgjon ti thuhet si shkruan autorja, se „ai vend nuk meriton më të mirë se ata ushtarë. Vetëm ata mund t`u vinë hakesh atij populli të mallkuar”. Koloneli i nënshtrohet fatit të „ndëshkimit” të tij pa e kuptuar nga i vjen dhe përse. Në ditët që pasojnë „do të qante me lot duke lëshuar sa zë që kishte nëpër beteja apo aksione të ndryshme që do të ndërmerrte”, ndërsa „lotët që do të shoqëronin këto britma do të ishin lot dhembjeje për një qenie që dikur e kishte dashur e çmuar e që po jepte shpirt dalëngadalë brenda tij.” Asistonte pa fuqi në përdhunime, vrasje dhe mizoritë e ushtarëve të tij shpesh të shtyrë e të udhëhequr nga Marko.
Marius Chelaru potencon faktin se autorja u kushton më shumë faqe këtyre tmerreve dhe reagimit të vrullshëm të Zoranit. Pas inkursioneve (sulmeve) të këtilla qe dekoruar me „Urdhërin e lirisë”, që „i dukej si një gurrë varri me një epitaf të shkruar ku vërtetohej vdekja e Zoran Petroviqit. Asaj qenie të çmuar njerëzore e cila po ikte përgjithmonë nga vetja e tij”. Merr edhe një letër nga e shoqja së bashku me një këngë për njerun të cilën aq shumë e pëlqente dikur. Por „aty ku ishte ai nuk kishte njerëz. Kishte krijesa që vrisnin si përbindsha. Kishte krijesa që vriteshin si kafshë. Po njerëz, jo”. Rrëfimi, sipas autorit të pasthënies zhvillohet në kohë dhe hapsirë në më shumë plane. Kështu, psh. lexojmë faqe të ditarit të një gruaje shtatëzënë apo kujtime – koloneli e përkujton Dritanin, një student shqiptar, madje dhe vendet ku luftonte ai tani i kujtojnë bisedat me të për të shkuarën e stërlashtë të ilirëve dhe dardanëve, legjendat e tyre, Gjergj Kastriotin-Skënderbeun etj. Libri flet për sulmet e NATO-s, për luftërat e UÇK-së, për një shtëpi/spital në të cilën ishin vendosur mënjanë femrat shqiptare ndërsa në anën tjetër ato serbe. Paraqitet pastaj një grua shurdhmemece, me barrë, të cilën koloneli e shpëton nga ushtarët, por vdes nga mungesa e mjekimit të duhur para se të lindë. Prej këtu libri merr, në njëfarë mënyre, tjetër kahje. Njihemi me tjera ngjarje. Petroviqi e gjen dhe e merr me vete një album dhe një fletore/ditar të gruas shurdhëmemece.
Fragmente nga teksti ta përkujtojnë, në platforma të ndryshme, edhe ditarin e Besa Salihut (Ndëshkimehyjnore, Bukuresht, 2009). Është ditari i një gruaje shqiptare të mbërthyer në karrocën e krimeve dhe urrejtjes së palës kundërshtare. Ëndrrat e saja për të ardhmen të cilat për fatin e keq të saj nuk arrijnë të realizohen. Duke lexuar mbi krimet serbe në Kosovë, të kryera pa vullnetin e tij, ndërgjegja e shtyp gjithnjë e më shumë, dhe... gjithçka degdiset në mjegull. Pastaj, ngjarje pas ngjarjeje, pason nënshkrimi i akordit të paqës ndërmjet NATO-s dhe Beogradit, tërheqja e trupave serbe nga Kosova, Marko bën vetëvrasje, disa ushtarë e shpëtojnë kolonelin nga vdekja – i kanosej rreziku të vritet nga njerëzit e tij ngase përmend emra shqiptarësh, rikthehen refugjatët (të cilët, thot koloneli, faktikisht „ as nuk janë larguar kurrë”). Ai vetë rikthehet në shtëpi, në Beograd, te gruaja dhe vajza e tij e cila tmerrohet kur e sheh në derë dhe e mbyll shpejt duke ikur, ngase „Para saj po qëndronte një njeri i çuditshëm me një shikim të humbur në sytë e pangjyrë”.

Një roman me një stil të thjeshtë dhe të bukur, plot figura, finesë dhe elegancë

Baki Ymeri: Albina Idrizi në gjuhën rumune U1albinaidrizihijet1
Fjalori i Albinës nuk është i sofistikuar, por i drejtëpërdrejtë dhe i thjeshtë. Kështu mendon Marius Qelaru duke theksuar se theksi i rrëfimit, tejmatanë kontureve të ngjarjeve dhe personazheve bie mbi vuajtjet e kosovarëve dhe barbarizmat e ushtarëve serbë, por edhe refuzimi i kolonelit për ta kuptuar urrejtjen si mënyrë jete, dezertimet dhe përpjekjet për vetëvrasje të ushtarëve tjerë, të atyre që nuk mund t’i duronin marrëzitë. Ndoshta dhe mbi njëfarë mënyre të refuzimit për të qenë njeri, pamundësinë për ta gjetur një dalje nga çmendia që e ka kapluar botën përreth, për shkelmimin e vetvetes nën rrotën e fatit. Është një rrëfim për ngjarje të ngjara pranë nesh, por të cilat, duke mos qenë pjesë direkte, ndoshta mund t’i kuptojmë vetëm “parcialisht” dhe “racionalisht”. Me një fjalë, mund të kuptojmë se fjala është një libër të mirë mbi jetën dhe vdekjen, mbi dashurinë dhe shpresën, mbi refuzimin dhe dëshirën për rigjetje, mbi krimet dhe mizoritë e luftës, shkatërrime materiale, lëndime të shpirtërave, prishje të ëndërrave, shpartallim të miqësive të dikurshme, mbi tmerrin dhe skëterrën që mund ta krijojnë njerëzit mbi dhe. Autori i pasthënies mahnitet pse nuk mund ta kuptojmë një gjë, duke shtuar se “lufta e ish/Jugosllavisë ka qenë një gjë e tmerrshme për të gjitha palët e implikuara. Askush, asnjë nga njerëzit e rëndomtë, shqiptarë apo serbë, nuk e ka fituar atë luftë, tejmatanë transformimeve politike të tanishme apo të ardhshme.” Çka mund të bënte ky kolonel serb, pyet kritiku rumun dhe shton: „Përmes mënyrës së mençur në të cilën shkruan autorja, Albina tregon se në shtjellën e marrëzive të përgjithshme, Zorani është një njeri i mirë, i aftë për dhembshuri, me gjithë dobësitë e tij, dhe se nuk duhet inkorporuar të gjithë „të tjerët” në kategorinë e „armiqve”.
Kjo mund të shpie në mundësinë e një interpretimi të shumëllojshëm. Një metaforë e bukur që e përgjason tekstin me një katedralë në konstrukcion të përjetshëm, gjithmonë e perfeksionuar, secili lektor duke e rikonstruktuar sipas dëshirës së tij. Dhe mu për këtë është aq vështirë të kërkojmë kuptimet që janë më të afërta me të „vërtetën”, në atë që ne e quajmë „histori”. Kush mund ta dijë se ku gjendet „e vërteta” në çdo luftë? Cila është „e vërteta për Dritanin dhe njerëzit e tij, apo për gruan shurdhëmemece, për Markon, për Zoranin dhe Marinën e tij? Marius Qelaru konkludon se Albina Idrizi shkruan duke na dhuruar shansin që njerëzit, në çdo „tabor” që të jenë, të kenë edhe zgjidhje tjera për të bërë në një mënyrë të atillë që bota të bëhet më e mirë. Libri mban në thelb, jo urrejtjen apo refuzimin, por përkundrazi, mesazhin e paqes dhe të besimit ndaj njeriut dhe njerëzimit.
Sipas Albert Zholit, kemi përpara një roman me një stil të thjeshtë por të bukur, plot figura dhe finesë, elegancë. Ku askush nuk mund ta besoj që nje femër kosovare, një shkrimtare me kurajo të përcjell tek lexuesi një panoramë lufte ndryshe, jo me fytyrën e dhunës, urrejtjes, shpërfytyrimit, egërisë, zjarrit, zhdukjes. Në atë mori armiqsh të tillë, të kategorise më të ulët të rracës njerëzore, ka dhe zemra po kaq të dhimbsura. Ku dhuna, përdhunimi ishte kryefjala e jetës ditore kishte ushtarë dhe oficerë me grada nga ushtria serbe që e urrenin luftën, s’donin farën e vdekjes, s’donin bomba, topa, tanke, jetë njerëzish të humbur. Albina, sipas Albertit, ka shkruajtur me ndjeshmëri nëne. Nënat janë të parat që e urrrejnë luftën. Pasi luftërat janë koha kur etërit varrosin djemtë, paqja koha kur fëmijët varrosin prindërit. Ndaj dhe nënat në kënd të botës thërrasin paqen. Paqe! Ky është mesazhi i romanit “Hijet e Kullave”, Janë fjalët më të bukura që duhet të shndrisin në qiellin e kaltër të gjithësisë.

Agim Gashi
Agim Gashi
Administrator
Administrator

Numri i postimeve : 45955
Age : 70
Location : Kosovë
Registration date : 17/11/2008

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Mbrapsht në krye

- Similar topics

 
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi