Akllapi Net - Forum i Hapur
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

Bilall Maliqi: Intervistë me shkrimtarin Engjëll Koliqi

Shko poshtë

Bilall Maliqi: Intervistë me shkrimtarin Engjëll Koliqi Empty Bilall Maliqi: Intervistë me shkrimtarin Engjëll Koliqi

Mesazh nga Agim Gashi Tue Oct 13, 2009 2:56 am

Bilall Maliqi: Intervistë me shkrimtarin Engjëll Koliqi U1_bilall_maliqi
INTERVISTË ME SHKRIMTARIN ENGJËL KOLIQI

MË MUNGON STUBLLA IME E DASHUR

Nga Bilall MALIQI

Engjëll koliqi, shkrimtar, publicist dhe pedagog. I lindur në Stubëll më 1956, autor i disa botimeve në gjuhën italiane dhe gjuhë tjera evorpiane, luan një rol të rëndësishëm në mërgatën tonë në Itali si gazetar dhe krijues.Ideja jonë që ta zhvillojmë një intervistë me Engjëllin ishte e kahmotshme.Kjo bisedë u zhvillua përmes botës së internetit.Shkrimtarin Koliqi e lutëm të na përgjigjet në disa pyetje të cilat kanë të bëjnë kryesisht për rrafshin krijues dhe për kulturën në përgjithësi në Itali, dhe sa janë të organizuar shqiptarët në fushën e kulturës në Itali dhe pyetje tjera ku shkrimtari Engjëll Koliqi me dëshirë iu përgjigj pyetjeve tona në vazhdim…

Z. Koliqi ju jeni me origjinë nga Stublla e Kosovës aty ku për herë të parë u mësua shqip. Na thuani si erdhe deri te largimi juaj nga vendlindja. Na tregoni mbase edhe çastet e hidhura të jetës suaj dhe sa ju mungon Stublla?

-Po. Unë jam i lindur dhe i rritur në Stubllën time të dashur, në Karadakun Plak dhe Krenar. Aty në Stubëll, ku qysh në vitin 1584 u mësua gjuha jonë e ëmbël, në kolegjin ku përgatiteshin priftërinjtë për viset e sotme të Shqipërisë, Kosovës dhe për viset tjera shqiptare. Për këtë edhe kam studjuar, sepse tema ime e diplomës në Universitetin e Prishtinës, ku kam mbaruar studimet në pedagogji ka qenë: “Shkollat Shqipe në Kosovë deri në Rilindjen Kombëtare”.
Në Stubëll i kam luajtur lojërat e mia të lezetshme dhe të paharruara fëmijënore, aty kam vuajtur nën diktaturën e pushtuesve serbianë, bashkë me moshatarët e mi, aty edhe kam mësuar germat e para shqipe dhe kam kryer shkollën fillore. Mbasi kam mbaruar studimet, edhe kam kontribuar në Stubëll, si mësues klasor në Shkollën Fillore “Dom Mikel Tarabulluzi”, atëherë e quajtur dhunshëm “25 Maji”.


Bilall Maliqi: Intervistë me shkrimtarin Engjëll Koliqi U1_EngjellKoliqi
Engjëll Koliqi
Që nga vitet –’70 të shekullit XX, kur policia serbe ma muarën librin kapital “Lahuta e Malcis’ “ të At Gjergj Fishtës, më është hapur dosja e zezë dhe gjithnjë kam qenë në shënjestër të policisë serbiane në Kosovë. Sidomos nga viti 1981 e më tej më kanë “ftuar” çdo dy-tre muaj në të ashtuquajturat biseda informative në stacionin e policisë në Viti, ku nuk ka munguar as dhuna fizike.
Në janar 1990, kur dështoi Kongresi i Lidhjes së Komunistëve të Jugosllavisë, i pari në Komunën e Vitisë e hodha librezën partiake, që ma ma kishin dhënë me dhunë dhjetë vjetë më parë. Më 28 mars të vitit 1990, në mbrëmje, më erdhën dy policë shpirtmirë dhe më paralajmëruan se – me urdhër të Komitetit Komunal të LKJ-së, po përgatitej një proces gjyqësor për mua dhe po donin të më dënonin nga 5 deri në 15 vjet burgim. Pa menduar shumë atë natë ika deri në Shkup, ku të nesërmen në mëngjes mora trenin dhe ika – Shkup – Beograd, Trieste – Venedik. Pastaj shkova në Romë, ku pas një jave fillova të punoj si redaktor në programin shqiptar të Radio Vatikanit. Me të marrë vesh për ikjen time dhe për angazhimin në Radio Vatikan, policia e Vitisë kishin shkuar dhe kishin kontrolluar shtëpinë time në Stubëll dhe ma kishin maltretuar familjen katër herë brënda dy javësh.
Dalëngadalë i kam sjellur edhe fëmijët në Itali gradualisht – në shtator 1990 gruan me djalin dhe me vajzën e vogël Besën nëntëmuajshe. Më është dashtë të pres deri në pranverë të vitit 1994 që t’i sjell edhe dy vajzat e fundit (Ilirjanën e Arbnoren) në Itali, sepse më duhej një banesë e madhe për të gjithë shtatë fëmijët. Gjatë luftës në Kosovë (në vitin 1998) kam sjellur edhe nënën dhe familjen e vëllait tim, i cili kishte ardhur që në vjeshtën e vitit 1990.
Normal që më mungon shumë Stublla ime e dashur dhe Kosova. Në vitet e pçasluftës vij atje shpesh dhe rri gjatë e çmallem me të afërmit, me miqtë e me shokët e mi. Që nga viti 1990 në Stubllën time mbahet manifestimi tradicional në përkujtim të Shkollës së Parë Shqipe në Kosovë “Takimet e Dom Mikelit”, çdo fund shtatori. Meqë jam ideator i atij manifestimi, mundohem që të jem i pranishëm në te, ku sivjet, për shkaqe shëndetësore (mbas fatkeqësisë rrugore shumë të rrezikshme në janar të këtij viti në Slloveni, falë Zotit ende jam i gjallë, por ende pa fuqi fizike).
Njerëzit mund të thonë ç’të duan, por jeta në mëgrim është shumë e vështirë. Këtu gjithmonë jemi të huaj dhe të pafuqishëm, me mall e me dhembje për tokën tonë të bekuar e të dashur.

Gazetaria

Ju sa ishit në Kosovë ushtruat veprimtarinë e gazetarit nëpër revista të kohës që dilnin në Kosovë, por me gazetari vazhduat edhe në mëgrim. Tërhiqni një diagonale dallimi mes gazetarisë në Kosovë dhe Shqipëri prej asaj në Itali?

-Thënë drejt, unë jam pedagog dhe në Kosovë kam punuar si mësues klasor, në Stubëll. Edhe pse shkruaja nëpër gazeta të kohës (Rilindja, Shkëndija, Bota e Re) nuk kam qenë gazetar dhe gjithnjë kam shkruar tema edukativo-arsimore dhe didaktike, por edhe nga historia e arsimit tonë kombëtar.
Për dallimet mes gazetarisë që zhvillohej atëherë në Kosovë e në Shqipëri dhe në Itali, ka mjaft çka të thuhet. Te ne gazetaria ishte e kontrolluar dhe në funksion të shtetit e të diktaturës komuniste, kurse në Itali formula parësore e gazetarisë thotë se mbi gjithçka më i çmueshëm është njeriu dhe jeta njerëzore. Këndej, qoftë gazetat, qoftë emisionet informative në mediat audio-vizuele fillojnë me lajme nga aty ku janë jumbur jetëra njerëzisht. Mund të ndodh që informacionet për veprimtaritë e institucioneve shtetërore dhe të drejtuesve të tyre të jenë në fund, ose edhe të mos përfshihen fare.
Unë jam bërë gazetar, duke punuar redaktor në Radio Vatikan, prandaj për gazetarinë në kushtet diktatoriale – komuniste e pushtuese nuk mund të flas edhe shumë, pos të them se ka qenë shumë e tmerrshme.
Ishte pak e habitshme, por shumë e këndshme formula autonome e formulimit të temave dhe të lajmeve në Radio Vatikan. Me këtë formë, me krenari kam vazhduar edhe si korrespondent i RTSH-së dhe i RTK-së nga Italia, si edhe në mijëra shkrime që i kam dërguar dhe i dërgoj nëpër gazetat e revistat tona, në të gjitha viset shqiptare dhe në diasporë.
Falë faktit dhe fatit se vetë i zgjedh temat dhe i përpiloj informacionet, mbase për shikuesit, dëgjuesit dhe lexuesit jam gazetar më i këndhshëm se kolegët e mi dhe dukem e cilësohem “gazetar i mirë dhe i fortë”.
Në Itali dhe në mbarë botën demokratike, për të njëjtën ngjarje informacionet janë të njejta, që nuk e hasim te ne. Palët kundërshtuese politike e partiake, mendimet e veta të kundërta këndej i shprehin perms artikujve analitikë dhe komenteve e debateve, por jo me informacione të kundërta.

Një thënie popullore thotë: po ta duash vendlindjen më shumë qëndro larg saj (në mërgim), ju si gazetarë a keni shkruar shkrime për vendlindjen nëpër shtypin Italian, apo edhe ndonjë poezi kushtuar Stubllës suaj?

-Edhepse nuk pajtohem me konstatimin se duke qëndruar në mërgim e do vendlindjen më shumë, po përgjigjem edhe në këtë pyetje. Nuk kam ikur këndej për ta dashur vendlindjen, por nga frika nga pushtuesit dhe diktatorët dhe për të kontribuuar i lire për vendlindjen.
Siç thashë edhe më parë, kam punuar si redaktor në programin shqiptar të Radio Vatikanit dhe kam qenë për shumë vite korrespondent i RTSH-së e pas luftës në Kosovë, edhe i RTK-së nga Italia. Here-herë kam bashkëpunuar edhe me Radiotelevizionin e Maqedonisë në gjuhën shqipe, si dhe me TV Era në Shkup, TV Zëri i Kumanovës, pastaj me redaksitë e shumë radiove shqipfolëse në botë, me gazetat: “Bujku”, “Rilindja”, Bota Sot, Lajm, Zëri, “Koha Jonë”, “Rilindja Demokratike”, “Shekulli”, “Panorama”, “Gazeta 55” e me shumë të tjera.
Në Itali kam bashkëpunuar me gazetat: “Corriere della Sera”, “La Repubblica”, “Il Messaggero”, “Il Mattino”, “La Stampa”, “Avvenirre” e të tjera, por me informacione dhe me artikuj analitikë e kundër luftës e dhunës, sidomos gjatë krizës së okupimit dhe të luftës në Kosovë.
Është e vërtetë që kam shkruar artikuj dhe poezi për vendlindjen time Stubllën dhe për Kosovën në përgjithësi. Por ato janë shkruar kryesisht shqip dhe janë botuar nëpër revista të arbëreshëve. Shih edhe faqen e internetit: www.arbitalia.it. Pastaj edhe në librat e mi të botuara dhe në librat që do i botojë, gjithnjë zënë vend Kosova ime – Dardania dhe Stublla ime Krenare.

Krijimtaria

Ti kthehemi krijimtarisë suaj letrare. Ju nëpër revistat anekënd trojeve shqiptare keni botuar qindra poezi, a keni të botuar ndonjë libër me poezi në gjuhën shqipe?

-E keni thënë mirë. Poezitë e mia janë botuar në shumë gazeta dhe revista shqiptare, në të gjitha trojet tona dhe në diasporë, deri edhe në SHBA. Ato tashmë janë botuar qindra sosh, bile mbase numri i tyre edhe ka kaluar shifrën mijëshe.
Mjerisht, deri tash kam botuar katër libra dhe tash shpejt po del nga shtypi edhe libri im i pestë, por që të gjithë në gjuhë të huaja. Ç’është e vërteta, unë gati gjithçka shkruaj shqip e pastaj shumë gjëra i përkthej vetë italisht. Nga italishtja më është përkthyer libri poetik “Ndjenjë Drite” – Sentimento di Luce në portugisht dhe është botuar në Brazil, me titullin “Sentimento de Luz”. Gjithashtu edhe libri “Nënë Tereza – një dashuri e pakufijshme” publicistik, është përkthyer edhe është botuar portugisht në Brazil, me parathënien dhjetëfaqëshe të Kardinalit – Eminencës së Tij Serafim Araujo, me titullin “Madre Teresa – um amor sem limites”. Z. Baki Ymeri ka përkthyer shumë poezi të miat në rumanisht dhe tash do e nxjerrë në dritë në Bukuresht një libër timin poetik, me titull “SĂ SCHIMBĂM LUMEA CU IUBIRE” (Ta ndërrojmë botën me dashuri).
Mjerisht, kur në gjuhën italiane kam botuar dy tituj të librave poetikë (Il mio secolo si chiama amore – Shekulli im quhet dashuri, me 51 poezi dhe Sentimento di luce – Ndjenjë drite, me 161 poezi, që siç thamë ka dalë edhe portugisht në Brazil) dhe tash po del një libër poetik edhe rumanisht, në Bukuresht, në shqip nuk kam ende të botuar asnjë libër. E kam në dorëshkrim dhe të redaktuar nga Zhuljana Jorganxhi një libër poetik “Nën kurorën e lisit plak”, me poezi kryesisht të viteve ’80, kur jetoja ende në Stubëll dhe besoj do e botoj së shpejti, pastaj kam menduar t’i botoj edhe shqip këto që kam botuar në gjuhë të huaja. Deri tash, mjerisht, kam qenë i pranishëm vetëm në disa antologji në gjuhën shqipe.
Dhe së shpejti shpresoj dhe besoj që lexuesve shqiptarë t’u ofroj diçka në prozë – ndonjë dramë, apo roman.

Keni punuar një kohë në shtypin dhe radiostacione italiane. Na thuani sa keni pasur hapsirë për t’i paraqitur ndodhitë në Kosovë gjatë luftës dhe lajme tjera që e preokuponin atëbotë popullin tonë?

-Unë brënda në redaksi kam pasur fatin të punoj vetëm në Radio Vatikan. Mirëpo gjatë luftës interesimi i mediave këtu ka qenë shumë i madh dhe siç e thashë edhe më pare kam bashkëpunuar me disa gazeta të përditshme italiane, në Romë, Milano, Napoli e në Torino. Gjithashtu kam bashkëpunuar edhe me qendrat radiotelevizive RAI e MEDIASET, si dhe me Radio Radicale, ku ishte redaktor ish drejtori i RTSH-së – Artur Zheji. Shumë shpesh ishim të pranishëm nëpër emisione speciale të RAI UNO, RAI DUE, CANALE 5, ITALIA 1 etj. Nëpër këto emisione, duke qenë i vetmi gazetar kosovar i akredituar në Itali, unë gjithherë isha i caktuar nga drejtuesit e redaksive, që t’i organizoja grupet shqiptare për të marrë pjesë në këto emisione, ku shpesh ishin edhe të dëbuar, që këndej vinin duke kaluar detin nga Shqipëria. Grupet tona në këto emisione gjithmonë kanë qenë të përziera – me shqiptarë të të gjitha trojeve – Kosovë, Shqipëri, Maqedoni…. Dhe gati se çdo here ishim shumë, nga 7-8 veta e më shumë.
Më kujtohet një rast mjaft interesant. Në një emision të përbashkët humanitar për Kosovën të RAI njëshit dhe të Kanalit 5 të MEDIASET-it, ku u mblodhën miliarda lira (miliona dollarë), futbollisti i Romës – Totti e qiti dresin e tij në shtitje dhe atë e bleu Maria De Filippi, gazetare e Kanalit 5, për 50 milionë lira (50 mijë marka gjermane). Unë isha i pranishëm me grupin në kanalin 5 dhe u gëzuam shumë me këtë solidaritet me shqiptarët e Kosovës, që përfshiu edhe sportistët e mëdhenj dhe gazetarët më emimnentë italianë.

Na thuani sa është e organizuar jeta kulturore në vendin ku jetoni ju dhe në Itali në përgjithësi. A ekziston ndonjë klub letrar apo klube tjara kulturore?

-Fatmirësisht, deri vonë në Itali nuk i kemi lejuar shqiptarët të organizohen përmes partive, por që të gjithë kanë qenë të organizuar nëpër shoqata kombëtare e kulturore. Tash kemi të themeluara edhe degë partishë (PDK dhe AAK), por pa fërkime ekstremiste dhe gjithnjë në bashkëpunim me të tjerët.
Shoqatat tona, fatmirësisht janë themeluar dhe funksionojnë si shoqata mbarëkombëtare, të të gjithë shqiptarëve, pa marrë parasysh se cilës njësi shtetërore i takojnë. Edhe emrat e tyre, në të shumtën e rasteve janë mbarëkombëtarë: Iliria, Dardania, Bashkimi Kombëtar, Nëna Tereze, Skënderbeu, etj. Edhepse kemi vetëm në pak raste emërtime rajonale (Shoqata Kosova, Kosova e Lirë, Stublla) që të gjitha nga ato funksionojnë si shoqata mbarëkombëtare dhe kanë edhe anëtarë të Shqipërisë.
Shumë nga shoqatat tona kanë arritur të hapin edhe shumë paralele të mësimit plotësues në gjuhën shqipe. Shumë të tilla i kemi mire të organizuara në krahinat e Venetos, të Alto Adige-s dhe në Romë. Tash po përgatiten të hapin paralele shqipe edhe në Milano, në Lecco, në Rovato të Brescia-s, në Firencë e në disa vende të tjera.
Është shumë i organizuar vazhdon bukur ansambli shqiptar i valleve, në Çembra të Trento-s, ku shumica janë nga rajoni i Rekës së Keqe të Maqedonisë, por ka edhe shqiptarë nga Shqipëria dhe nga Kosova. Gjithashtu kemi grupe të mira edhe në Bassano del Grappa dhe në Montebelluna të Venetos dhe në Lecco të Lombradisë.
Vite më parë ekzistonte edhe një ansambël këngësh e pikash humoristike, ku ishin të angazhuar artistë të mirënjohur: i ndjeri Viktor Gjoka – artist i popullit, Drita Haxhiraj – artiste e merituar, Gjon Frroku – rapsod e kantautorë e të tjerë.
Shumë herë në vit organizohen edhe koncerte të ndryshme me kënëtarë e humoristë të estradave tona, si: Sinan Vllasaliu, Shkurte Fejza, Adelina Ismajli, Bujar Qamili, Artiola Toska, Gëzim Nika, etj.
Për sa i përket krijimtarisë letrare nuk kemi organizime kolektive manifestimesh. Shkruhen dhe recitohen poezi, me rastin e festave kombëtare (Dita e Flamurit, Dita e Çlirimit, Dita e Pavarësisë).
Në njëfarë mase, si edhe klub letrar dhe promotore e shumë autorëve shërben Qendra Informative Kulturore Shqiptare “Albeuropa”, e themeluar në Romë, që tash funksionon në Lecco të Lombardisë. Nga gjiu i kësaj qendre jam popullarizuar edhe unë (themelues i saj), pastaj shkrimtaret e mirënjohura – nënë e bijë: Vitore Stefa-Leka dhe Mardena Kelmendi, Zhulijana Jorganxhi e të tjerë. Na ka ndihmuar shumë edhe shkrimtari i mirënjohur Visar Zhiti, i cili vazhdon me veprimtarinë e tij në ambasadën shqiptare në Romë.

Ti kthehemi edhe një herë krijimtarisë suaj. Ju keni botuar edhe në italisht, përmbledhjen “Shekulli im quhet dashuri”, pastaj librin tjetër “Ndjenjë drite” libër i përkthyer në gjuhën portugeze, dhe në disa gjuhë tjera. Na thuani sa është vështirë të shkruhet në gjuhë të huaj?

-Edhepse ka raste kur shkruaj direkt italisht, unë pothuaj se të gjitha shkrimet e mia i bëj në gjuhën amtare e pastaj i përkthej vetë italisht. I shkruar shqip, sepse në gjuhën time shprehem më bukur dhe më vijnë gjithëherë fjalë të përshtatshme për situatën apo dukurinë.
Krejtësisht janë rreth 200 poezi të shkruara direkt italisht dhe libri mbi Nënën Tereze. Kur njihet mire gjuha letrare e një populli, nuk është edhe problem të shkruhet, por gjithmonë në gjuhën tënde shprehesh më bukur, je më i kuptueshëm dhe më i rrjedhshëm.
Nuk e kisha këshilluar askënd të shkruajë në gjuhë të huaja. Më mirë le t’i shkruajnë njëherë shqip e pastaj t’i përkthejnë ato në gjuhë të tjera, sepse kështu dalin shkrime më të bukura e më të këndshme për lexuesit.

Po nga Kosova Lindore përkatësisht Presheva, Bujanoci dhe Medvegja njihni ndonjë krijues apo ndonjë veprimtar?

-Thënë të drejtën, drejtëpërdrejtë njoh pak krijues dhe veprimtarë të Kosovës Lindore, edhe pse vetë i takoj Malësisë së Karadakut, që shtrihet deri në Preshevë, por si emra, falë krijimtarisë dhe veprimtarisë së tyre të frytshme, njoh shumë nga ata.
Prej veprimtarëve kam pasur fatin dhe e kam njohur edhe nga afër Ridvan Qazimin (Komandant Lleshin), i cili gjatë luftës së UÇPMB-së ka bashkëpunuar shumë me atë afërmit e mi në Stubëll, sidomos me kryetarin aktual të Këshillit të Stubllës dhe drejtor i Qendrës Shkollore “Kuvendi i Lezhës në Viti – Gaspër Demaj, i cili ka kontribuuar konkretisht për UÇPMB-në.
Edhe të madhin Jonuz Fetahaj e kam njohur për së afërti dhe kam bashkëpunuar me të, sidomos kur drejtonte revistën arsimore-pedagogjike “Shkëndija” të Prishtinës. Gjithashtu njihem dhe kam miqësi të mirë me kolegun gazetar dhe krijues Dashnim Hebibi, që vepron dhe funksionon në Zvicër, si orët më të mira të atjeshme.
Edhe pse jo nga afër, njoh edhe krijues të tjerë, shumë të frytshëm dhe me domethënie të madhe, nga Kosova Lindore, si:, Bilall Maliqi, Mexhid Mehmeti, Arsim Halili dhe shumë të tjerë. E njoh si krijues shumë të mirë edhe njërin nga shtyllat kryesore të shoqatës së shkrimtarëve shqiptaro-amerikanë – Adnan Mehmetin. Lirisht mund të them se Kosova Lindore është një vatër e madhe krijuesish e veprimtarësh. Zoti ju ndihmoftë të gjithëve!

Planet

Na i shkoqisni disa plane për të ardhmen tuaj në aspektin krijues. Çka do të presim nga Engjëlli ditëve në vazhdim?

-Kam thënë edhe më herët se vuaj shpirtërisht pse në gjuhë të huaja po më del edhe libri im i pestë e në gjuhën time ende nuk kam libër të botuar, pos që jam i pranishëm në dy-tri antologji.
Tash, mbas fatkeqësisë rrugore, që Zoti mrekullisht më la gjallë dhe besoj se po e marr mirë vetin. Duke mos mundur ende të punoj gjëra të tjera, po shkruaj gjithnjë e më shumë. Siç thashë edhe më parë, e kam përgatitur librin “Ta ndërrojmë botën me dashuri” që mbas pak ditësh do të dalë nga shtypi rumanisht, në Bukuresht. Sapo kam filluar të shkruaj edhe në projektin e një drame, me motive kosovare dhe të një romani. Nëse arrij, me rastin e dy vjetorit të zyrtarizimit të pavarësisë, për në shkurt të vitit të ardhshëm do e përgatis edhe një libër mbi kontributin e mërgatës shqiptare në çliirimin e Kosovës dhe të pavarësisë së saj.
Do të mundohem që brënda vitit 2010 t’i shtypi shqip të gjitha librat e botuara në gjuhë të huaja dhe nja dy-tre të tjerë, kështuqë, me ndihmën e Zotit viti 2010 besoj të jetë vit i afirmimit tim si shkrimtar, në mesin e bashkëkombasve të mi.
Jam në bisedime me disa këngëtarë shqiptarë të estradës edhe për t’ua shkruar disa tekste për këngët e tyre – sidomos për Nënën Tereze më kanë kërkuar tekste poetike. Shpresoj t’ia dal të bëj tekste të mira…
Agim Gashi
Agim Gashi
Administrator
Administrator

Numri i postimeve : 45955
Age : 70
Location : Kosovë
Registration date : 17/11/2008

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Mbrapsht në krye

- Similar topics

 
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi