Akllapi Net - Forum i Hapur
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

Baki Ymeri: Revista Shqiptari, një tribunë e lartë e komunitetit shqiptar të Rumanisë

Shko poshtë

Baki Ymeri: Revista Shqiptari, një tribunë e lartë e komunitetit shqiptar të Rumanisë Empty Baki Ymeri: Revista Shqiptari, një tribunë e lartë e komunitetit shqiptar të Rumanisë

Mesazh nga Agim Gashi Sat Nov 14, 2009 2:42 am


Baki Ymeri: Revista Shqiptari, një tribunë e lartë e komunitetit shqiptar të Rumanisë U1_BakiYmeri
Revista Shqiptari,një tribunë e lartë e komunitetit shqiptar të Rumanisë


Nga Baki Ymeri

Historinë e kësaj reviste lexuesi e ka të njohur përmes artikujve të ndryshëm. Për ata që nuk kanë njohuri për të, Shqiptari i ditëve tona është revistë e Bashkësisë Kulturore të Shqiptarëve të Rumanisë, e themeluar më 1888 nga Nikolla Naço, e rithemeluar në gusht të vitit 1999 nga prof.dr. Xhelku Maksuti, e drejtuar më vonë nga Luan Topçiu (2001-2005) dhe Baki Ymeri (nga viti 2005 e këndej). Disa nga numrat e Shqiptarit kanë një strukturë tematike: u përkushtohen figurave qëndrore të botës shqiptare dhe filoshqiptare: Nënës Terezë, Ismail Kadaresë dhe akademikut Grigore Brënkush (Grigore Brâncuş). Revista ruan një vertikalitet moral dhe i shërben me dinjitet afirmimit të vlerave shqiptare në Veri të Danubit. E theksojmë këtë fakt, sepse kemi parasysh një revistë të re, e drejtuar nga një grup interesash të dyshimta dhe me qëllime të paqarta. Fjala është për revistën Prietenul albanezului (Miku i shqiptarit) duke patur për drejtor profesoreshën e kimisë, Oana Manolescu (pseudodeputete e komunitetit shqiptar), një fletushkë muri që qet në harresë figurat qëndrore të aktualitetit shqiptar në Rumani (që nga Xhelku Maksuti dhe Luan Topçiu, e deri te autori i këtij shkrimi), një paçavure që kultivon nepotizmin dhe kultin e personalitetit si në kohën e Çausheskut, në faqet e saj duke defiluar me artikuj e fotografi vetëm tre emra: Oana Manolesku, Marius Dobresku dhe gruaja e tij (Maria Oprea).


Baki Ymeri: Revista Shqiptari, një tribunë e lartë e komunitetit shqiptar të Rumanisë U111c

Ku ndodhej “mikja e shqiptarëve”, në kohën kur shqiptarët marshonin rrugëve të Bukureshtit për Paqë në Kosovë dhe ndërprerjen e gjenocidit ndaj shqiptarëve (31 mars 1999)? Pse nuk u solidarizua Oana Manolescu me parlamentarët rumunë për të miratuar kërkesën e NATO-s për shfrytëzimin e hapsirës ajrore rumune për bombardimin e forcave kriminale të Millosheviqit (prill, 1999)? Pse nuk votoi pro/pavarësisë së Kosovës në Parlamentin rumun kur ky parlament rumunësh të mashtruar nga propagandat serbe, konvokoi dy seanca kundër pavarësisë (2007/2008)? Pse e nënshkroi kryeredaktori i Mikut të shqiptarit (Marius Dobrescu) Komunikatën kundër bombardimeve të NATO-s “për mbrojtjen e sovranitetit të shtetit serb” (1999)? Ja pra se kush janë antishqiptarët që gëlltisin buxhetin e Qeverisë rumune destinuar komunitetit shqiptar, duke mos patur asnjë shqiptar në gjirin e redaksisë së revistës Miku i shqiptarit, respektivisht Miku i mykur!

Deri tani janë botuar mbi 100 numra të revistës Shqiptari. Në njërin nga numrat e saj (106), dedikuar shqiptarit më të njohur të ditëve tona (Ismail Kadaresë), krahas intervistës që ia dha Kadareja shtypit rumun (Ballkanasit u janë besnikë klaneve e jo principeve) si dhe artikullit Kadareja në Rumani, Shqiptari i Xhelku Maksutit boton artikullin e filoshqiptarit Tiberius Puiu Konsolidimi i pushtetit komunist në Shqipëri, poezi shqipe nga Maqedonia, Kosova dhe Shqipëria, ballinat librash të Kadaresë (Ra ky mort e u pamë/Ditar politik për Kosovën), Engjëll Sedajt (Papa shqiptar Klementi XI-Albani), Mazllum Sanesë (Pe ndonjë ëndërr), Hajrullah Hajrës (Harmoni gjuhësore), një reçension të Bardhyl Berberit mbi Fjalorin shqi/rumanisht, si dhe artikullin e Komitetit udhëheqës të Bashkësisë Kulturore të Shqiptarëve të Rumanisë Përgjigje ndaj “të vërtetave” të zonjës Oana Manolesku. Bëhet fjalë në kuadrin e këtij artikulli, për hallet e komunitetit të këtushëm shqiptar, për pandjeshmërinë shpirtërore të deputetes Oana Manolesku ndaj bijve dhe bijave të rilindasve tanë, për shijet e saja paranoike, që pas gllabërimit të pagave parlamentare në emër të komunitetit shqiptar, tenton ta hedhë kandidaturën edhe për një mandat të ri. Po e përsërisim: Ku ndodhej deputetja apo “mikja e shqiptarëve”, në kohën kur shqiptarët etnikë marshonin rrugëve të Bukureshtit për Paqë në Kosovë, dhe ndërprerjen e gjenocidit ndaj shqiptarëve (1999)!

Shqipëria m’u duk një vend interesant ndërsa shqipja një gjuhë magjepsëse

Në numrin e (107-108), paralelisht me monografinë e Vehbi Bajramit mbi Shqiptarët e Amerikës (The Albanians of America), botohet artikulli i Ruksandra Konstantineskut mbi Nënë Terezën. Jepen me këtë rast, burime të reja mbi qëndrimin e saj në Rumani, mbi prejardhjen e saj nga një familje shqiptare katolike. Babai, Nikolla, tregtar dhe patriot i ndezur, derdh natën, fshehtas, tesha dhe ushqim për familjet e varfëra. Në të dy gjuhët jepen nga një faqe letrare me poezitë e Xhevahir Spahiut nga Shqipëria, Halil Haxhosajt nga Kosova dhe Nikita Stëneskut nga Rumania. Një traditë e këtillë, e prezentimit të vlerave shpirtërore nga të gjitha trojet shqiptare dhe rumune, pason edhe në numrat që vijojnë. Një faqe të tërë i kushtohet aktorit shqiptar Aleksandër Mojsiu Ambasador i kulturës humaniste evropiane (intervistë e Xhevat Ukshinit me shkrimtarin gjerman Rudiger Schaper). Pason një faqe tjetër me studimin e prof.dr. Xhelku Maksutit Ndikimi i Lidhjes së Prizrenit mbi aktivitetin patriotik të shqiptarëve të Rumanisë, proza e Luan Starovës Muzeul ateismului (Muzeumi i ateizmit), një intervistë me filoshqiptarin e Kosta-Rikës, Dr. Gustavo-Baki Ymeri: Revista Shqiptari, një tribunë e lartë e komunitetit shqiptar të Rumanisë U121

Adolfo-Loria Rivel: Shqipëria m’u duk një vend interesant ndërsa shqipja një gjuhë magjepsëse. Jepet një fragment nga artikulli i Marsela Topit Panorama e shtypit shqiptar post-komunist, botohet një fragment i romanit Bukuran Lek Dashi, të shkrimtarit rumun me prejardhje shqiptare nga Konstanca, Liviu Lungu. Në faqet e revistës Shqiptari defilojnë artikuj të panumërt për vlerat e komunitetit shqiptar të Rumanisë, për bijtë dhe bijat e rilindësve tanë, për shkrimtarët rumunë dhe Kosovën shqiptare, për shtypin shqiptar të Rumanisë, etj.
Shqiptari i Xhelku Maksutit gërsheton traditën njëqindvjeçare me subjekte aktuale të modernitetit. Revistënfillimisht a mbante gjallë Qeveria rumune përmes Departamentit të Minoriteteve Nacionale (1993-2001), pastaj u ndërpre kjo ndihmë ngase doli në sqenë Liga e ligë e Oana Manolescut (Asociatia Liga Albanezilor din România), rivale e Bashkësisë Kulturore të shqiptarëve të Rumanisë e cila fitoi të drejtën “legjitime” që mjetet e komunitetit shqiptar të derdhen në adresë të një organizate/fantomë, e kryesuar nga një mashtruese, dhe e përbërë nga një grup interesash grupore, duke patur në gjirin e tij një shumicë rumune dhe një pakicë shqiptare, nja dy familje që s’e duronin dot Xheku Maksutin pse qenka “mysliman” (siç ka lehur një kopil i kombit kundër tij (K. K.), edhepse dr. Maksuti vjen nga një familje e përzjerë, mamaja e tij e ndjerë duke qenë ortodokse, gruaja e tij e florinjtë duke qenë bijë prifti, feja e tij duke qenë atdhedashuria, ndërsa vajza e tij duke mbajtur emrin Kristia Maksuti, e jo Hanëmshahe Hajduti.

Sa i përket fesë, Shqiptari kultivon parimet etike të rilindësve tanë, duke i dhënë prioritet kombit dhe vlerave të tij, duke e anashkaluar subjektin fetar si instrument mosbesimi dhe përçarjejeje, edhepse këtë virus antishqiptar të mosbesimit e solli në Bukuresht një fundrinë komuniste e shërbimeve të fshehta të djallit: Kopi Kyçyku. Ndërmjet viteve 2001-2005, Shqiptarin e Xhelku Maksutit e mbajti gjallë përmes sponsorizimit, një shqiptare me rrënjë nga Liseci i Tetovës, mjekja/stomatologe Xhemile Alia Susliu, pronare e disa firmave të biznesit në Bukuresht dhe Konstancë. Xhemilja, përndryshe, është e mbesa e Daut Memishit nga Sllatina e Oltenisë, veteran i komunitetit shqiptar. Që nga viti 2005, revista del nën drejtimin e autorit të këtij shkrimi. Në faqet e saj u jepet prioritet vlerave të diasporës, Kosovës, Shqipërisë dhe Rumanisë, si dhe lidhjeve rumuno/shqiptare në fushë të gjuhësisë, letërsisë dhe historisë. Botohet herëpashere në Internet, ndërsa si numër i shtypur del një herë në vit, me rastin e Ditës së Flamurit, duke patur për mbështeje Ambasadën e Shqipërisë në Bukuresht.
Agim Gashi
Agim Gashi
Administrator
Administrator

Numri i postimeve : 45955
Age : 70
Location : Kosovë
Registration date : 17/11/2008

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Mbrapsht në krye

- Similar topics

 
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi