Akllapi Net - Forum i Hapur
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

“Festë poetike në “Dodonë

Shko poshtë

“Festë poetike në “Dodonë Empty “Festë poetike në “Dodonë

Mesazh nga Agim Gashi Mon Nov 16, 2009 12:06 am

“Festë poetike në “Dodonë



Cikël me poezi nga Namik Selmani

Autor i 7 vëllimeve poetike kryesisht me temen atdhetare



1.. Festë poetike ne Dodonë



Ia bëtë ftesat
Filozofëve ilirë ushqyer me kulloshtrën e fjalëve



Ushqyer me damarët e burimeve thesprote?

Ia bëtë ftesat zogjve, pelikanëve

Tek hepohen në lisharset e Ikjes?

O, sa të dehur janë nga Dëshira e pamatë e Kthimit,

Të gdhendur bukurisht si hyjnesha të gjalla, anonime ilire.!







…..

Mos keni harruar diku

djemtë e nënat që u kacavirrën trarëve të djegur?

Mbase s’kanë lexuar kurrë poezi,

Po testamentet poetikë të botës veniten para ndarjes se dhimbjes.

Dodona zgjoka në këtë Festë tragjeditë antike

E , në një garë i futka poetët

Për të shkruar elegji për Vdekjen e himne për Lindjen.











Me kalin e kësaj ere detare

Ia bëni një zë Vajzës së Valëve diku në shkëmbin që rënkon!

Një thinjë më pak do të ketë në këtë breg të Ringjalljes

Tek të dëgjojë poetët zëbajrakë

Krushq të kahershëm të Diellit e Jehonës

Kapërthyer në currilat e pambaruar të fjalës.







Mos keni harruar

Poetët anonimë pellazgë të mbledhur te Ura e Artës*?

Akoma s’keni ndarë

Kurorat me gjethe ulliri kokërrmbushur!!??

Kush tha

se s’janë më të florinjta se emblemat e Kohës buzëplasur?

Kush gjykon për drejtësi

Jurinë nobeliste në shkallën e Dodonës ulur?





I thoni Bukuroshes Dora D’Istria

T’i krehë sërish flokët në një pasqyrë ujëvarash!

Kopetë e reve qiellore

Ta mbajnë si monument ku e ardhmja gdhendet .

Kur nisi Festa?

A, mos pyet se kur ngrihet dollia e fundit!

Të gjithë Peshkatarët e Shpirtrave të Botës këtu ulin velat.

Këtu stisin urat .

Këtu hapin portat e këngëve.









Mos harroni një ftesë

Për De Radën 200- vjeçar, më i thinjur se të thinjurit!

Sirenat e Dodonës

Në Odise e paskan kthyer Plakun e Makit mes ullinjve të largët.*

Le të marrë për dore si Kryegjysh Kalabrie gjithë fëmijët e lindur ,

E trastën me vargjet e rinj për Çamërinë

Të na e hedhë vëllazërisht në Sofrën e Festës së Fjalës.









Me Bajronin

Ta pimë një kafe shqiptarçe, në shilte ulur këmbëkryq.

Fjalët e pathëna për Sulin

Në shkallë të Dodonës të na i thotë sërish i lumturuar .

Më tej, t’ia marrim një valleje trimash

Me puthadorën e Tokës ku Jugu fryn e fryn

Gjunjët t’i shplodhim

Nën hijen e Lisit* ku agimi na gjen syprushëruar.







Po mos harroni Stambollin ku këngën merr Bosfori

Më këmbë do të vijë Profesor Tahsini *

Në supe ngarkuar me shkronja.

Mbreti Pirro

sot e ka lënë një çast në mill shpatën trimërore

E nis të dëgjojë poetët e truallit ku lavdia thur kurora.











Ia bëni dhe një ftesë Fatos Vlonjatit* ku Joni psherëtin!

Po si i rrihet pa mbledhur një këngë të re,

Po si i rrihet në shtrat pa dollinë e këngës çame?

Shihni Bilal Bukurinë *

Se si plagët ia than melhemi i poezisë

Shihni se si kapërcen oqeanet me baladën e re për dore.

Pa pyetur për thika tehgjakosura e tufane.



…………………………………………………





Eeeej, kaq shpejt mbaruan ftesat !!!!!!







*Dora D’Istria-rilindase e shquar me origjina nga Parga e Çamërisë, qytet i rëndësishëm i kësaj krahine

*Sipas studimeve të fundit për mitologjinë udhëtimi i Odesesë për në Itakë i rrëfyer poetikisht në veprën “Odiseja” të Homerit mendohet të ketë kaluar në Çamëri_(Shih veprën e Vaso Toles!)

*Tahsini-Profesori Hasan Tahsini lindur në Ninat të Konispolit e që më vonë u bë Rektori i parë i Univerisitetit të Stambollit

*Fatos Vlonjati- bëhet fjalë për mbledhësin e talentuar të folklorit çam në dhjetra vite Fatos Mero Rrapaj

*Bilal Bukuria –poeti disident çam Bilal Xhaferri ,i cili vdiq pabesisht në SHBA

2.Jehonë ….

Poezi nga Namik Selmani


Përcjell këngën prag më prag
Si një degëz trëndafili
Bëhem prapë flamurtar
Në ca flatra zane, divi.




Pikë e pikës, mjaltë i gurit
Shkrirë në tela çiftelie
Prek me mall farën e grurit
Me një shpirt-o shqiptarie.


Sjell bajrakun nga Kosova
Ta shtrëngojë Argjiroja
Me pëlhurë të lashtë sa bota
Të gdhend libra, të gdhend shkronja.

Gojë më gojë ison e marrim,
Trupat tanë e shkrijnë vallen
Shkëmb e det, ca lule mali
Te Kalaja sot po ndalen

Po i them birit, po i them nipit
Mos e thajnë palcën e shpirtit
Në beden të mbijetesës
Ta përcjellin vit pas viti.


Nga Himara po vjen Joni
Ku në breg ka thinja dallge
Gjirokastra po hap portat
Të përcjellë mirëseardhjen


Gjirokastër, 27 shtator 2009




3.Pemët në Çamëri



Kanë mbetur aty, si ushtarët e fundit të një beteje

Shiu i mallit s’mjaftoka t’ua nxjerrë e skuqë kokrrat.

Drejt fëmijëve-gjyshër si krahë shtrijnë degët

Tek hedhin mbi supe çarçafë me mjegulla të ftohta.









Do t’i them Diellit të zbresë vetëm për to në brigje,

E rrezet t’ua rrezojë si një përkëdhelje e vonuar.

Detit t’iu ulet më gjunjë e të këndojë për to me ligje

Ëndrra e Blerimit kurrë të mos mbesë e shurdhuar.









Se duan pak hije bujqit për Stinën e Kthimit

Se duan pak mjaltë fëmijët për fjalën e brengën

E dashkan një degë gjyshërit si kurorë re e kujtimit

E vajzat çame duan pa hije për puthjen e fshehur……









4.Trishtimi







1.

Ma ke marrë përherë gjysmën e bukës futur mes dhëmbëve

Orët e gjmit që vijnë mes lodhjes

M’i ke rrëmbyer pa më pyetur .

Në mëngjes,

Me hapave të parë më ke ardhur si iriqi mes këmbëve ,

Mes një llumi kafeje brenda në filxhan më rri i fshehur.







2

Në qepallat e rrudhur

E gjen përherë një stol për t’u ulur.

Po si s’të dëboi asnjë çast litari i shiut tim të lotëve?

Me ty mes gishtërinjve

Duart kapërthehen në xhepa ku asgjë s’është futur.

E para teje rrudhat

brazdohen në ugare ditësh ku drita pasqyroset.







3.

Në vargun e parë të shkruar më ulesh këmbëkryq, Trishtim.

Më thua

-Unë jam Mbret e ti je ushtari im i përjetshëm!

Po si s’më le njëherë të qetë, o (ar)miku im,

I lumtururar

në krahët e qetësisë të thith cigaren e ndezur?







4.

Në një gotë të vogël

Më shfaqesh si Dinosauri apo si një flutur krahëbukur.

Pa asnjë pasqyrë tualeti,

Më kreshpërohesh si një dordolec fitimtar.

Në monologun e mbrëmjes së vonuar në dhomën njerëzmbushur,

Tinëzisht dua atë të vidhem

E të iki larg, larg me ëndrrën po kaq të largët .

Apo të bëhem hajdut i ndershëm që kërkon kafshatën e bukës…







5.

Ndaj të thërras në skenën e jetës për një dyluftim modern.

Nuk e di

Kush është nga ne të dy gladiatori i dehur me fuçinë e verës.

Mbase edhe mund të më mundësh

Në krahët e opimizmit tim të qelqët

Përderisa plak një botë të tërë me male, elefantë e njerëz.







6.

Ti prek gurët e brigjeve e në iso kthehesh papritur..

S’të mbajnë dot dallgët e deteve

E brinjët e tua gjejnë qetësi veç me dallgë shpirti.

Oi, oi, oi.

Ku ta gjej një Çelës, të të mbyll në kafazë të hekurt kujtese?

Ku të gjej një grusht të të godas

e… të mos mbetem një ditë si dritë e zbehtë kandili?

5.Do të bëhem lëng i blertë

Motiv çam






Në një degë të trëndafilit

Do të bënem lëng i blertë

Të spërkas detin e sirit

T’i largoj tutje rrufetë.





Në petalet kuq si gjaku

Do të bënem lumë e krua

Në s’të mbjell, moj, dot te pragu,

Tërë natën do rri zgjuar .





Nëpër buzët qershikuqe,

Do të bëhem bahçevan.

Të mbaj këngët përmbi supe

Si një pjergull krahët zgjat.





Nënë gjoksin tënd zjarrmuar ,

Do thërras të vijë pranvera.

Në ke ftohtë, të ngrohësh duart,

Në ke nxehtë, të puthë era.





Me purtekë të sirit shkruar

Pa mëshirë më ke rrahur

Hij e dal i ëmbëltuar,

Në një det që nglan si laku.





Shkoj në udhët bukurore

Si kalorës që s’njeh prehje.

Përmes ditëve klumushtore

Moj, t’u bëfsha Diell jete!





Me sëpatë prite degën

Premë e futmë thellë në si!

Nikoqire të pashë vetëm

Pse mos bëhemi sonte di ?





O moj, lule trëndafili,

E bashkuar glëmb e gjethe

A t’i them të flasë ulliri

Të kërrejë sevdanë prej zemre?







6. Maskaxhinjtë modernë





Maskaxhinj të fshehur pas ferrës dhe gjembit

Për ju dhelpra gëzofin do ta linte në çast.

Ditënetët tuaja të misterta mjegullojnë mes territ

Me një mantel të mallkuar gjer në Qiellin e Shtatë.





Mbetët, mbetet kah mot si monstra gjuhëhelmëta

Si ca meduza të një kohe vrastare, damar më damar.

Ani pse burimi ju jep bujarisht ca filizë uji të freskët.

Ani pse shteti ju ka dhënë sekretarka, para e celularë.





Ani pse xhepat ju fryhen si shushunjë e tejngopur

Pa harruar se dikur do ju kthehet drejt vetes në ortek.

Mjerë udhët me hapat tuaj mbi shpinën e lodhur

Mjerë dielli që ju jep rrezen e ngrohtë e të zbehtë.







Maskaxhinj fytyrëfshehur tragjikshëm pas ekranit

Me ca fjalë- bedena të një kalaje pa datë e emër.

E di, grushti mund të shkërmoqet dhimbshëm prej Malit

Siç di testamentin e marrëzisë që në kolltukë ju mbetet.









Namik Selmani

7.Ngjalëro, moj pikëlore!

Motiv çam



Nga Namik Selmani

1.

Ngjalëro mbi kurmin tim

Gur e shkrepa bëji brumë

Vallen hidh mbi trëndafilë

Bëmë hap që shkon në udhë.

Ngjalëro pa fund në ëndrra

Më bëj mbret, të dhëndërroj!

Mos më lodhet dora, këmba

Kur tek ti të fluturoj.



2.

Më këndo një këngë djepi

E ujdisma fjalë më fjalë .

Në s’ke krua, shko te deti

Hidhja gjoksit bërë zjarr.

Se do tres plumbin e pushkës

Ta bëj dhe ku të mbjell mallin.

Gjethëro te sytë e bukur

Bëmë fllad të ta puth ballin.



3.

Bëmë gjerdan ku të vë dorën

Në një valle ngrohma gjurin.

Mal më mal të zgjedh kurorën

Nëpër faqe të sjell prushin.

Prush i prushit thëngjillndezur

S’ma djeg sirin gjuhë e flakës

Ngjalëro, moj koceshpleksur

Nusëro në jele dallgësh!





4.

Më bëj lis e kapedan

Një ushtri të marr me vete.

Ku të ketë stere e valë

Të të them ca amanete.

Bashkë e leshit të mos soset

Dorë e bukur kur ta dredhë.

Moj nepërka pikalore,

M’i gremis në hon rrufetë .











5.

Se rrufe sot qenkam vetë

Ty të paskam dritë e qiell

Me një këngë i dëboj retë

Për ty sot do sjell një diell.

Sitë e mi, mos m’i verbo

Kur gremis malin e lartë

Ngjalëro, moj ngjalëro

Klumushtore faqekartë





6.

Ngjalëro, moj ngjalëro!



Namik Selmani.





8.Tupanet e fjalës migjeniane





1.

Të hapura

mbetën kanatet e këngëve liridonash migjeniane.

Antivirusi i Harresës

na e ka rrekur lumnueshëm memorjen e Kryepoetit lavërtar

Një dorë pendëartë

zgjatet drejt kështjellarëve nëpër gurët e bedenës flakadane.

E padurimthi

fort po hapka fletët e lavdisë, bash si përqafen valet mbi valë.







2.

Shkërmoqshëm

mbeti grushti qëndrestar e i gjakuar i poetit kah Mali .

Kishat e xhamitë

rizgjueshëm puthkan fjalësertat, fjalë të pathëna poeti.

Dandanget këmbanore

Si flutura ëndrrash flatrojnë qiejve gazmuar nga flladi.

Një copë bukë

në duar lypësish të rinj koha dhimbshëm e thau dhe e treti.



3.

Ani, poet gjokspikëllima

ku ylberet hyjnorë të shpirtit munden pagjakshëm nga tufanet.

Ani, Kalorës i Dhimbjes,

që vrullon e vrullon pa u ndalë në udhët mërgimtare.

Po si s’u theqaf

kjo kreni e shtirur poltronash, prostitutash, kjo kohë vrastare?

Po si s’u tha

ky pikëlot syve të Lulëve dhe Zenelëve, shpesh me duar pa shkronjat amtare?



4.

Dielli u venit,

E kaltërisisë ia hoqën qilimat e odës së laahtë të maleve.

Tupanet e Fjalës tënde

si s’i dëgjojnë shkëmbinjtë që hepohen ndër humnera njëherësh.?

O Ditëvdekje migjeniane

që terratiseni mes një karvani këngësh majëkrahu, telash bjeshkatare

Mes testamenteve gjyshërore

mos mbetshi si fletëvolante të një fushate në tribunat pa njerëz.



5.

O Fjalë poeti

me mërmërima pëllumbash, me mëmësi lehonore ndër qelizat gjakblerta

Ku Ora e Kohës

nuk njeh çirakë të ndërrimit, udhëtarë të një kthimi tragjik

Një turme

mund t’i thahen në duart e lodhura lulet për idhujt pa krena

Po kurrë, kurrë,

s’i thahen fjalët e lume të POETIT që riçelin rreze, filizë….







6.

Tupanet e Fjalës së Rrejshme

u bafshin lëmashk për guva e për hapa të hedhur!

Kollë e Kohëkrisjes

Ta kallë kollën e poetit në turravrapin parajsor.

Në ditëvdekjet migjeniane,

sup më sup, e gojë më gojë, e duarmbështetur

Dhe tingullin e fundit të këngës

Në katarakt ta kthejmë për gjakun e frymën që vlon.





Namik Selmani

0692776828

9. Po vijnë Don Kishotët…



Po vijë nga larg ca Don Kishotë

E derën askush s’ua mbyll

Ndër faqe skuqur rigojnë lotë

E gjethe e dritë u fsheh në pyll.



Po vijnë mes nesh ca Don Kishotë

Zezon një shall përmes sherrnajës

Qyqon një derë, një shpat, një hon

Garojnë pa fund përmes piskamës



Piskon kjo kohë e verbëruar

Që kërkon sy e kërkon veshë

Mbi zjarr sheh djepin e shkrumbuar

Mbi det po mbyten libra, fletë.



E Sançot ndërrojnë pa fund kollaret

Se Donët duan madhështi

Nuk di ku janë Rosinantët

Tek shoh një vile, një benz të ri..



Po vijnë ata me vrap galopi

Pa një patkua e kapistall

E dora ngrirë mbet nga të ftohtit

E gjaku si përrua pa ujë u tha.



Po vijnë e shkojnë nëpër avionë

Në çdo hotel i pret Dylqinja

Ca celularë po cicërojnë

Në tavolinë ku vret vetmia.



Po vijnë sërish ca Don Kishotë

Gërdallur mes dhimbjes së ëndrrës

U thyen e humbën purtekat e lodrës

U terratis në det profecia e këngës.



Në zjarr Prometeu ndez shkrepsen

Të mos shuhet ky qiell, kjo dritë

Ata vijnë e shkojnë mes njerëzve

E njerëz s’u bënë kurrë një ditë



S’ia ndalkan turrin dallga, vala

S’ia mbyllin udhën gjerdhe, frerra

.Po vijnë pa fund ca Donë gërdallë

..Mes nesh po mbillet dhimbja, heshtja..



Po vijnë pa fund ca Don Kishotë…



Namik Selmani = 0692776828





10.Monumenti i ëndrrës mëmëdhetare



Meditim para bustit të poetit Naim Frashëri në Tetovë



Anës lumit të Vardarit

Shkon e vjen me hap poeti.

Përmbi maja ku flet Sharri

Paska ardhur vetë Deti.





Majë malesh mbi Tetovë,

Qënka bërë si Mjeshtër Guri

Një kala don të ndërtojë

Fjalë pas fjale, sup pas supi.





Një kështjellë shqiptarie

Mos e shkulë kurrë tufani.

Në një odë mençurie

Prush i fjalës skuq nga malli.





Anës lumit të Vardarit

Tunden djepa, thuret kënga.

Gazmojnë pragje Gostivari

Kur poeti uron nëna.





Një qiri është bërë diell

Zbardh rudina cep më cep

Mos ia merrni këtë qiell!

Mos ia thani lulet krejt !





Përmbi bust ulen pëllumba

Si në bangë shfletojnë agimet.

Vallë e lodhi shumë udha ?

Mos iu thanë vallë burimet ?







Kur të zgjohet prapë mes Majit

Ku Vardari shkon e vjen.

Monument ribëhet mali .

Dhe kujtesa prushëron.
Agim Gashi
Agim Gashi
Administrator
Administrator

Numri i postimeve : 45955
Age : 70
Location : Kosovë
Registration date : 17/11/2008

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Mbrapsht në krye

- Similar topics

 
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi