Akllapi Net - Forum i Hapur
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

Granit Zela: Faleminderit punëtorëve të kulturës

Shko poshtë

Granit Zela: Faleminderit punëtorëve të kulturës Empty Granit Zela: Faleminderit punëtorëve të kulturës

Mesazh nga Agim Gashi Wed Jan 14, 2009 11:28 am


Granit Zela: Faleminderit punëtorëve të kulturës U1_GranitZela
Granit Zela
Faleminderit punëtorëve të kulturës
Nga Granit ZELA
Fundi i një viti kalendarik, i cili në jetën e një kombi pos të tjerash është edhe fundi i një kalendari kulturor, pavarësisht nga kaosi i krijuar prej dritëshkurtësisë së materializmit të egër dhe zallamahisë së rendjes me turr pas pseudovlerash që të lënë bash mbë udhë e nuk të shpien gjëkundi, nuk do të thotë aspak se puna e atyre që ofruan pa bujë shërbimin e tyre publik në lëmë të kulturës, nuk e meriton një mirënjohje po kaq publike dhe të thjeshtë.
Ndaj edhe sot, do desha të marr pak hapësirë nga bardhësia e fletës së bardhë, për të falenderuar e shprehur mirënjohjen tonë për të gjithë ata që gjatë këtij viti ia kushtuan ditët e jetës së tyre kulturës. Më së pari botuesve të organeve kulturore “Poeteka” “Albania e Vogël” “Mehr Licht”, “Milosao” “Përpjekja”, “Sfida” “Fjala”’, “Heamus” “Obelisk” etj etj. Kësaj liste do t’i shtoja dhe të gjitha revistat elektronike apo faqet kibernetike që i kushtohen kulturës.
Në numrin a pafund të gazetave politike, gazetave me thashetheme, telenovela, quiz-e, fjalëkryqe, gazetave bulevardeske që mbizotërojnë tregun e medias sot, këto pak organe kulturore që ia kushtojnë faqet e tyre letrave dhe kulturës shqipe, janë pak si numër për kryeqytetin e një vendi evropian, vend ku organet kulturore duhet të gëlojnë e të bëhen tribuna të mendimit kulturor e kritik, por janë po kështu, shembull i një rezistence të madhe ndaj masivizimit dhe tjetërsimit.
Prapa këtyre emrave të organeve kulturore, qëndron sakrifica në kuptimin më të përkorë e shkrimtarëve dhe shqiptarëve që i frymëzon drita e shenjtë e dashurisë për kulturën materiale dhe shpirtërore që na lanë paraardhësit tanë. Qëndrojnë aty Zija Çela, Arian Leka, Agron Tufa, Mira Meksi, Ilir Sofroni, Admirina Peçi, Ukzenel Buçpapaj, Ardian Kristian Kyçyku, Dhurata Hamzai, Arta Marku, Elsa Demo, Çelik Petriti, dhe sa e sa të tjerë punëtorë dhe bashkëpunëtorë të letrave.
Këta, të dashur lexues, janë qëndrestarët e vërtetë të kohës së përjetshme të artit që s’vdes kurrë, të ëndrrës që s’vdes kurrë e të sakrificës që s’njeh kufij. Këta dhe vetëm këta do të donim para së gjithash të falenderonim në fundin e këtij viti kulturor, sikurse edhe gjithsecilin shqiptar që dha kontributin e vet duke përkthyer nga kultura botërore në gjuhën shqipe, duke botuar shkrimtarë shqiptarë dhe të huaj, duke shprehur mendimet e tyre për çështje që lidhen me kulturën.
Dhe në këtë hulli, themi se po aq domethënës e i rëndësishëm është edhe kontributi i gazetarëve të kulturës, i botuesve shqiptarë, të cilët këtë vit pavarësisht nga sfidat me të cilën u përballën, realizuan një Panair dinjitoz Libri që krijoi ura më të sigurta për tek lexuesi i traumatizuar nga sloganet dhe retorika e politikës teknologjike dhe dehumanizuese.
Është e vërtetë që ju nuk i shihni këta punëtorë të kulturës në tribuna sheshesh e tregjesh duke praktikuar oratorinë e fjalëvë e punëve boshe, por është po kaq e vërtetë të dashur lexues, se këta, këta dhe të tjerë që ia kushtojnë ditët e tyre kulturës shqipe, meritojnë mirënjohjen më të thellë sepse i japin këtij vendi më shumë se gjithë ata që flasin e flasin për të ardhmen, por që nuk gjejnë kurrë kohë për të bërë as më të voglën punë që i shërben asaj.
Dhe, së bashku me këta punëtorë të kulturës, edhe ne punëtorët e “Drita” do të vazhdojmë misionin tonë për të rigjetur idealet e hershme dhe për të ringjallur debatin për çështje të kulturës, duke përsëritur gjithherë ftesën e hapur për intelektualët shqiptarë që e konsiderojnë kulturën si kusht të domosdoshëm të çdo përparimi të vërtetë.
Ne do të vazhdojmë të përpiqemi për me qenë vazhdim i traditës më të mirë të saj, duke dhënë kontributin tonë në promovimin e një brezi të ri shkrimtarësh të cilët e shohin veten jashtë tregut kulturor, mundësive të botimit, mungesës së mbështetjes nga shtëpitë botuese, mekanizmave të promovimit, amullisë së kritikës letrare, si dhe komunikimit me lexuesin.
Ne do të vazhdojmë të nxisim lëvrimin e përkthimtarisë, kritikës letrare dhe krijimit origjinal në lëmën e letërsisë shqipe, kudo ajo krijohet, me qëllime të qarta kulturore, duke reflektuar dinamikën e zhvillimeve të sotshme në lëmë të kulturës.
Pas proceseve demokratike në vendin tonë, “Drita” u mbyll shumë herë si pasojë e pamundësisë së mbijetetesës në realitetin e ri të tregut ashtu sikurse u mbyllën të gjitha gazetat e përkohshme kulturore, të cilat më së shumti u reduktuan në fletushka katër faqëshe në brendësi të gazetave politike.
Por sot “Drita” synon të risjell në vëmendjen e lexuesit modelet më të mira të eseistikës, tregimtarisë, poezisë dhe kritikës shqipe, të shërbejë si nxitës i brezit të rinj të krijuesve dhe si mundësi për të afirmuar veten sikurse si shkollë estetike për krijuesit e rinj që nesër do të përfaqësojnë kulturën shqipe në botë.
Sot “Drita” synon të sjellë në shqip modelet më të mira të letërsisë së huaj, duke kryer ballafaqimin e vlerave kombëtare me ato rajonale, të nxisë krijuesit të botojnë krijimet e letrare, botimin e librave, apo edhe prezantimet e tyre ne manifestime të ndryshme kulturore. Këndvështruar kësisoj, ftesa mbetet e hapur.
Ne të gazetës “Drita” premtojmë që edhe vitin që vjen do të punojmë pa pagesë, pa zyra, pa mbështetjen e askujt, dhe pa lehtësirën më të vogël që ka të bëjë me botimin e një organi kulturor. Ne e dimë fort mirë se dashuria jonë do të vazhdojë të jetë më e madhe se të gjitha këto mungesa, sepse lexuesi ynë, ai lexues të cilin ndoshta nuk kemi pasur mundësi ta takojmë e falenderojmë gjer më tash, lexuesi pra, do të vazhdojë të na lexojë duke i dhënë kësisoj kuptim e kurajë dëshirës sonë të përbashkët.
Personalisht, si kryeredaktor i kësaj gazete të nderuar, shpreh admirimin tim të madh për botuesin e saj, i cili ka pranuar që pos kohës dhe energjive që kërkon puna administrative e një gazete, të vazhdojë të humbasë me vetëdije të plotë nga pasurija e tij personale. Cili nga ata që predikojnë në tribuna ka arritur gjer më sot të bëj thjesht edhe diç të ngjashme me këtë që po bën botuesi i “Drita”? Por, a nuk është ky shembulli më kuptimplotë se për ndërmarrje të mëdha si kjo, mbi të gjitha duhet dashuri e madhe, e frymëzim i epërm që vjen prej thirrjes që lëshuan në shekuj rilindasit për të gjithë ata që besojnë në ideale dhe në ëndrrat për ta ndryshuar botën.
Ndaj, të dashur miq, desha t’ia blatoj më të mbramin urim, për këtë Vit të Ri që po troket në dyert e familjeve tona të gjithë punëtorëve të kulturës, atyre që vazhdojnë të sakrifikojnë për këtë vend ani se pakkush ua njeh meritat e sakrificës së tyre.
Ne e e dimë që letërsia si e tillë, vlerat nuk i merr vetëm nga nga kauzat sociale por nga fuqia që rrezaton për së brendshmi, ashtu sikur e dimë se Naim Frashëri, Gjergj Fishta, Petro Nini Luarasi, Papa Kristo Negovani, Aristidh Kola e të tjerë janë burim frymëzim, sepse nuk u mbyllën në kullën e rehatisë personale, por rrokën penën e kurdo që e desh nevoja edhe armën për të luftuar për Shqipërinë, nuk zgjodhën rrugën më të lehtë por rrugën më të vështirë. Ne u jemi mirënjohës atyre, jo vetëm për letërsinë që kanë shkruar por edhe për përpjekjet atdhetare për gjuhën shqipe, për zhvillimin dhe përparimin e Shqipërisë.
Është shembulli shkëlqimplotë e i madhnueshëm i këtyre rilindasve, periudha më e ndritshme e historisë sonë që na frymëzon sot e gjithë ditën. Ata janë ikonat e të kaluarës, koha kur fuqia e mendjes ndriti të ardhmen e brezave që erdhën më pas. Andaj edhe ne të dashur miq, ia kushtojmë sakrificën tonë kësaj kësaj ideje të ndritshme dhe nëse ndonjëherë do të merrni vesh se është shuar “Drita”, dijeni se fryma na është mbaruar dhe duart nuk na binden, porse përndryshe do t’i japim frymën e ditëve tona me më të mbranim mision për ta mbajtur gjallë flakën e dritës së kulturës kombëtare.
Dhjetor 2008, Teksas, SHBA
Gazeta kulturore "Drita" , Tirane, 11 Janar 2009
Agim Gashi
Agim Gashi
Administrator
Administrator

Numri i postimeve : 45955
Age : 70
Location : Kosovë
Registration date : 17/11/2008

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Mbrapsht në krye

- Similar topics

 
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi