Akllapi Net - Forum i Hapur
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

Pacolli: Kjo klasë politike po e korrupton vetë jetën dhe të qenit shqiptarë

Shko poshtë

Pacolli: Kjo klasë politike po e korrupton vetë jetën dhe të qenit shqiptarë Empty Pacolli: Kjo klasë politike po e korrupton vetë jetën dhe të qenit shqiptarë

Mesazh nga Agim Gashi Tue Dec 01, 2009 1:29 am

Pacolli: Kjo klasë politike po e korrupton vetë jetën dhe të qenit shqiptarë

Intervistoi: Idriz Morina
Intervistë me Behgjet Pacollin, kryetarin e AKR-së


Pacolli: Kjo klasë politike po e korrupton vetë jetën dhe të qenit shqiptarë Pacolli33
“Kjo klasë politike krijoi shkallën më të lartë të korrupsionit, ata e korruptuan edhe, duke keqpërdorë paranë për funksionin më të shenjtë realizimin e pavarësisë së Kosovës, …Kjo klasë politike, ka korruptuar, shëndetësinë, arsimin, komunikacionin, energjetiken”, thotë Behgjet Pacolli, kryetari i AKR-së.


Bota sot: Z. Pacolli, Ju mbyllët garën për zgjedhjet lokale. Çfarë rezultati shpresoni të arrini në këto zgjedhje?
Pacolli: Kandidatët për kryetarë të komunave të partisë që drejtoj, Aleanca Kosova e Re, janë të dëshmuar si profesionistë të zotë dhe menaxherë të aftë. Kandidati për Prishtinën, Vegim Gashi, është një inxhinier i jashtëzakonshëm i elektronikës, shumë i zoti. Ka pasur shumë sukses edhe me kompaninë e tij. Është edhe një njeri i mrekullueshëm. Jam i lumtur që ai ka pranuar të kandidohet për komunën e Prishtinës. Vegimi nuk është zgjedhje, por zgjidhje për Prishtinën. Jam i bindur se me të kryetar, Prishtina ka për të hyrë në një fazë të re të zhvillimit shumë të vrullshëm. Zonja Mimoza Kusari është ekonomiste e njohur dhe person publik shumë i vlerësuam. Ajo është bijë e Gjakovës dhe po i kthehet qytetit ku u rrit. E po kështu edhe kandidatët e tjerë, Nexhmedin Spahiu, Ramadan Basha, Omer Daku, Naim Ferati, Rexhep Oruqi e plot të tjerë. Kam fjalë të mira për të gjithë. Secili prej tyre ka pasur kontribut të çmueshëm edhe para se të përfshihen në politikë.
Bota sot: Në këto zgjedhje për herë të parë po garojnë disa komuna të reja, si pasojë e decentralizimit, si e vlerësoni nga kjo situatë procesin e decentralizimit?
Pacolli: Tashmë jemi në një situatë të pa kthim, por për atë që ka ndodhë sigurisht se ne nuk jemi përgjegjës. Ndërsa, thirrja ime për votuesit që e shohin këtë si proces negativ, u them, mos votoni për ata që Kosovën e copëtuan me decentralizim etnik, me tkurrjen e komunave shqiptare nën çdo minimum dhe zgjerimin e atyre serbe mbi çdo maksimum. Prishtinas, mitrovicas, gjakovar, gjilanas, kamenicas si mund të votoni për një LDK, PDK, AAK, që pranuan të ju getoizojnë nga komuna serbe artificiale dhe të paqëndrueshme, si Ranilluki, Parteshi, Novobërda, të cilat e kanë të pamundshme të vetë ekzistojnë, ndërkohë që ia pamundësojnë jetën normale gjilanasit, kamenicasit dhe të tjerëve. Mitrovica, edhe sot mbetet e ndarë, ndërsa veç të tjerave, veçmas Kamenicën, por edhe Gjilanin e lanë pa të hyra nga doganat, pa pika kufitare, si Dheu i Bardhë që i takon edhe pak ditë Kamenicës.
Bota sot: Pjesë e këtij procesi, apo si të thuash është i pashmangshëm, bashkëvlerësimi me decentralizimin edhe i trashëgimisë kulturore?
Pacolli: Ia falën trashëgiminë tonë kulturore serbëve, urën në Vushtrri, kalanë e Novobërdës (Artanës)… dhe tokat private në Deçan dhe tokat e heronjve kombëtar, si Isa Boletinit. Ata lanë peng çdo pasuri kombëtare. Në vend që të luftonin që shumë monumente tona kulturore të përfshihen në trashëgiminë botërore, ata jo vetëm që se bën këtë, por e lanë nën kujdesin e Serbisë! Për shumë monumente, fjalën e fundit do ta thotë shkenca, dhe këtë nuk mund ta thonë ata serb, sepse dihet se sa e sa herë dhe në sa e sa raste e kanë falsifikuar atë në dobi të tyre, dhe jo në dobi të së vërtetës.
Bota sot: Si e shihni fatin e Mitrovicës, bashkimi u përmend fare pak nga rivalët tuaj?
Pacolli: Kush e ndau Mitrovicën, pse nuk është e bashkuar ajo, pse nuk mund të shkojmë ne në veri dhe as udhëheqësit tanë, pse? Ka pyetje të pafundme, që edhe ua dimë përgjigjen, dhe po pa këto përgjigje nuk ka as bashkim. Pa gjetjen e shkaktarit apo fajtorit. Fajtorët janë Ekipi, veçanërisht me pranimin e zgjidhjeve të pakos Ahtisari…
Kalanë e Zveçanit në Mitrovicë më të gjithë ata shqiptarë të veriut, që janë detyruar të braktisin tash e nëntë vjet (nga militarët dhe paramilitarët serb), në pronat e tyre stërgjyshore. LDK-ja, por edhe partitë tjera në Ekip, po legalizojnë ndërtimet kolektive të Serbisë në veri të Mitrovicës dhe po e ndryshojnë strukturën etnike në dobi të serbëve.
Bota sot: Simbolet shtetërore, si i vlerësoni ato, nuk u panë thuaja fare në fushata?
Pacolli: Ekipi i Unitetit, hoqi dorë nga çfarëdo ngjashmërie me simbolet kombëtare, por edhe ato të propozuara nga Presidenti Rugova, e tash LDK-ja pasi i hoqi qafe ato, vrapon pas fotografisë së Rugovës ku shihen pikërisht ato simbole që i zhbëri, dhe shihen po në shumë foto dhe spote njerëzit që gati e paralizuan institucionin e Presidentit Rugova.
Bota sot: Po kufijtë e Kosovës sikur po vazhdojnë të tkurren, në Viti, Kamenicë e tash edhe me Mal të Zi?
Pacolli: Ne kundërshtojmë dhe nuk pranojmë ndryshimin e kufijve të Kosovës të vitit 1974-ës. Nuk e pranojmë asnjë përpjekje për ndryshimin e kufijve në kufirin me Serbinë në brezin kufitar Kamenicë-Bujanoc-Medvegjë dhe asnjë tjetër. Bollë më me tkurrje të kufijve të Kosovës!
Bota sot: Po, diaspora, sikur u harrua nga partitë në këtë fushatë?
Pacolli: Ne do të bëjmë gjithçka për kthimin e rinisë sonë, të ikur gjatë okupimit serb dhe para tij. Ne jemi shembulli më i mirë se pasuria e mërgimtarëve mund të vihet dhe duhet të vihet në atdhe dhe në shërbim të tij. Pra, do t’i krijojmë hapësirë dhe kushte të shkëlqyera investive diasporës, për kthim dhe investim të menjëhershëm…
Ne do ta njohim edhe kontributin e saj material për institucionet e Kosovës…
Bota sot: Z. Pacolli, duket se kjo prapambeturi, nuk është vetëm pasojë e keqmenaxhimit, por edhe e mungesës ‘së trurit”. E kam fjalën për ata intelektualë që po krijojnë karrierë jashtë vendit?
Pacolli: Ne do të kthejmë ekspertët më të mirë shqiptarë, që janë shpërndarë nëpër botë dhe kanë arritur rezultate kulminante në shumicën e shkencave, që nga shëndetësia, ekonomia, teknologjia, fizika, inxhinieria…, artistët dhe gjithë intelektualët….duke i ofruar punësim dhe shpërblim të mirëfilltë për punën, rehati në punë dhe ngrohtësinë e atdheut.
Bota sot: PTK-ja, si e vlerësoni mos investimin e pasurisë së saj ende në Kosovë?
Pacolli: PTK-ja që lavdërohet se aq shumë po i sjellë buxhet Kosovës, ka menaxhimin më të keq të mundshëm, ajo po vidhet dhe po reketohet. Vetëm nga eliminimi i vjedhjeve, sabotimeve dhe keqmenaxhimeve ne do të dyfishonim të hyrat e saj në dobi të buxhetit të Kosovës. Ndërsa, nga menaxhimi efikas ne do ta katërfishojmë fitimin e saj. Dhe me të gjitha ato të hyra ne do të investojmë në infrastrukturën primare, në energjetikë dhe të tjera.
Bota sot: Shëndetësia vazhdon të jetë një nga njollat e zeza në Kosovë, në mos më e zeza, si e vlerësoni ju këtë situatë dhe si e shihni shtegdaljen?
Pacolli: Kush e rrënoi sistemin shëndetësor në Kosovë? Pse nuk mund të shkojmë në spital dhe të shërohemi? Pse ka aq shumë paaftësi, korrupsion, mito, pse ka aq keqmenaxhim dhe keqpërdorim? Fajtorë janë dy partitë më të mëdha dhe që të tria partitë që ishin në qeverisje, PDK-ja, LDK-ja dhe AAK-ja. Ato janë fajtore që shëndetësinë në dy mandate ia lanë ta qeverisnin minoritetet, jo për tjetër, por ato nuk kanë kuadro. Ato e shkatërruan sistemin shëndetësor, ato i lanë pa sigurime shëndetësore qytetarët…të vetmin vend në Evropë pa sigurime shëndetësore…Ne do ta mbështesim me çdo kusht ndërtimin e spitalit të kardiokirurgjisë publike, do të kontrollojmë ato private dhe nuk do të lejojmë klinika private pa licenca dhe pa kushte…
Bota sot: Si e vlerësoni situatën në arsimin publik dhe privat?
Pacolli: Ju i dini përpjekjet e mia për të ndihmuar arsimin, përfshirë edhe përpjekjen edhe për modernizimin e Fakultetit Filozofik në arsimin publik. Ne do t’ua kthejmë dinjitetin arsimit, duke i shpërblyer për punën e tyre. Ne do të kërkojmë korrigjimin e konkurrencës së egër dhe të padenjë në arsimin e lartë privat. Ne do t’i korrigjojmë veçanërisht ato raste që morën licenca nëpërmjet korrupsionit. (Flitet se për një licencë është paguar edhe deri në 350 mijë euro.)
Bota sot: Çfarë ofron AKR-ja për të ndihmuar kulturën?
Pacolli: Do të nxjerrim nga nëntoka tërë historinë tonë të mrekullueshme, do të sjellim ekspert të shkëlqyeshëm nga bota në komunat me të cilat do të menaxhojmë ne, dhe do të nxjerrim kulturën tonë origjinale dardane- ilire, civilizimin që ia sollëm perëndimit….
AKR-ja, unë Behxhet Pacolli dhe Fondacioni im, kompania Mabeteks si dhe me paratë që do të ndajmë për kulturë, do të financojmë fillimin e punimeve për më shumë se 60 kalatë dardane, përfshirë incizimin e tyre dhe rikonstruktimin e tyre, për ti treguar botës se kush ishim dhe jemi ne, se kush ishte Aleksandri i Madh, pushtuesi më i madh i botës
dhe Pirro, pushtuesi i Romës, kush ishin ushtarët dhe heronjtë e tyre.
Ne do ta bëjmë të njohur kulturën tonë të lavdishme ilire-arbërore- skënderbejane, që e shpëtoi krishterimin, e deri tek lindja e Nënës Terezë.
Bota sot: A mund të mendohet zhvillimi i turizmit në Kosovë, thuaja kush nuk premtoi?
Pacolli: Kalatë që thamë se do t’i nxjerrim nga barku i tokës, ndërtimi i pushimoreve, skijimoreve në Brezovicë, Sharr e Bjeshkë të Nemuna, ndërtimi i infrastrukturës së nevojshme, për shpellat si ajo e Gadimës, të cilës do t’ia kthejmë namin, pastaj rregullimin e infrastrukturës në shpellën e Malishevës, në Rugovë etj, do të vazhdojmë me ndërtimin e memorialeve monumentale, në një nivel të ngjashëm me atë në Penuhë apo edhe më madhështore siç e meritojnë heronjtë e Koshares, në varrezat e Koshares, për të cilat nuk është bërë asgjë, edhe Memorialin për Presidentin Rugova etj, do ta bëjmë vend tërheqës e turistik etj.
Bota sot: Po korrupsioni, si do ta luftoni, këtë keqqeverisje, të cilën po e vuan vendi më shumë se çdo gjë tjetër?
Pacolli: Kjo klasë politike krijoi shkallën më të lartë të korrupsionit, ata e korruptuan edhe, duke keqpërdorë paranë për funksionin më të shenjtë realizimin e pavarësisë së Kosovës, …Kjo klasë politike, ka korruptuar, shëndetësinë, arsimin, komunikacionin, energjetiken. Thjeshtë po e korruptojnë vetë jetën dhe të qenit shqiptarë!
Ne jemi zot shtëpie, kjo është toka jonë, atdheu ynë, nuk kemi pse të (themi se do të) bëhemi, sepse jemi para të ashtuquajturit civilizim grek e romak, sepse jemi zot shtëpie në tokën tonë, dje, sot dhe përgjithmonë (den baba den). Është vërtetë për të ardhur keq, kur sheh se si thirren në patriotizëm, ndërsa ishin po këto parti, që jo vetëm hoqën dorë nga përfaqësimi dinjitoz, por edhe nga mbrojtja e interesave nacionale, ata hoqën dorë nga krijimi i sovranitetit të Kosovës, abdikuan nga atdheu! Ata janë konjunktura dhe për këtë as nuk po turpërohen, biles edhe krenohen se po u shërbejnë mirë të tjerëve. Këtë nuk mund ta bëjë tjetër kush, veç atyre që janë vasalizuar dhe këtë e kanë bërë në këmbim me karriget e tyre.
Unë kam edhe këtë mesazh për qytetarët e nderuar, ne nuk jemi takuar asnjëherë gjatë këtyre 30 ditëve për këngë e valle, sepse ju i keni krijuar ato nga më të mirat në botë, as nuk jemi takuar për t’i bërë lajka njëri-tjetrit, por për të bërë ndryshime dhe këtë mund ta bëjmë vetëm së bashku, ju dhe ne AKR-ja dhe partneri ynë në koalicion, LDD-ja!
Pra, duke e bërë Kosovën një vend ku sundon demokracia (pushteti popullor) populli, këtë civilizim që ne ia falëm botës, dhe që grekët e quajtën demokraci, do ta bëjmë Kosovën një vend demokratik model ku të gjithë qytetarët do të ndihen të barabartë. Njerëz të tokës!
Pra, me ju qytetarë të nderuar dhe me AKR-në, dhe aleatin tonë, do t’i japim fund krimit të organizuar, korrupsionit, dhe këtë mund ta bëjmë vetëm së bashku dhe këtë ta bëjmë më 15 nëntor.
Ne do t’ia kthejmë dinjitetin e nëpërkëmbur këtij vendi, tokës sonë, popullit tonë, të cilin ia humbi kjo klasë politike që po tymos….urime fitorja jonë e përbashkët, ne do të festojmë më 16 nëntor!
Agim Gashi
Agim Gashi
Administrator
Administrator

Numri i postimeve : 45955
Age : 70
Location : Kosovë
Registration date : 17/11/2008

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Mbrapsht në krye

- Similar topics

 
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi