Akllapi Net - Forum i Hapur
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

Albert Zholi:Luftar Paja monografi‏

Shko poshtë

Albert Zholi:Luftar Paja monografi‏ Empty Albert Zholi:Luftar Paja monografi‏

Mesazh nga Agim Gashi Tue Dec 08, 2009 9:59 pm

Albert Zholi:Luftar Paja monografi

ARTISTI PËR VETEN, FAMILJEN DHE SHOKËT


Jam krenar
për origjinën

Kur kthehem pas e përpiqem të kujtoj se ç’qe e gjitha kjo rrugë që kam përshkruar, më duket se ngjan
me një vorbull të madhe. Ajo, që është qendërza e artë, e qëndrueshme dhe gjithnjë
e pranishme tek unë, është Gorishova. Tek ndalem para ndonjë të sapo njohuri e rrekem
të përshëndetem me të për të gjetur ura të përbashkëta komunikimi, gjithnjë ndiej
krenari tek i rrëfej prejardhjen time. E kam pasur nder të madh dhe pse ndonjëherë
shqiptarët ndiejnë droje tek deklarojnë se janë me origjinë fshatare, ndërkohë që
kërkojnë gjithnjë të vishen me qyrkun e një “qytetari të rëndomtë”. Unë jam gorishovas
dhe e ndjej gojën plot kur përmend vendin e lindjes. Sepse kujtimi i parë i jetës
i përket atij fshati të përbërë nga 500 shtëpi me 7 lagje që kanë ndër lak njëra-tjetrën
e mes të cilave rrjedh si një sy prej zane përroi i Gorishovës. E mbaj mend veten
time të vogël, me sytë që shkreptinin zjarr, flokët e zinj, mbathur me pantallona
të shkurtra tek vishja opingat e fugoja pas miqve të mi. E ata, pas dhenve në luginat
ku drejtonim bagëtitë, me qentë balashë të stanit, me hostenët më të mëdhenj se
trupat tanë, ndërsa këqyrnim fshatin të pështjellë me kurora ullinjsh, vreshta të
harlisur me kopanë të pjekur rrushi, me pyllin e dendur me koçimare nën fletët e
mëdha të frashërit që përngjasonin me pëllëmbë të vrazhda fshatarësh. Andej nga
bridhnim ne, shihej si në pëllëmbë të dorës zona e Vjosës me dritëhijet që dukeshin
e zhdukeshin pas kodrave, malet që akoma mbanin mbi kresë jorganin e dëborës, fushat
e blerta, qielli i cili dukej se e ngrije mbi krye dhe mund të fluturoje sapo të
hapje krahët. Ndoshta ky është vegimi më i bukur i jetës sime. Ndjesia se mund të
shpalosja krahët dhe të hidhesha matanë, larg atyre kodrave, maleve dhe pyjeve më
bënte trimosh, kureshtar të jashtëzakonshëm. Sot e di se çfarë është. Dëshira për
të përqafuar hyun e vetvetes dhe për të gjetur identitetin tim. Dhe pse sot jam
i bindur se pas çdo rrugëtimi që do mund të ndërmerrja, do kisha dëshirë të kthehesha
përsëri në vendlindje, me zakonin e një zogu shtegtar, të një njeriu i cili kthehet
te toka e tij e ndjen në deje erën e ngrohtë të baltës, aromën e luleve të bajameve,
zilkat e dhive, këmborët e deleve, bisqet e pranverës, ngjizjen e djathit në napat
e njelmëta dhe jargavanët që zvarriten pemëve. Çdonjëri prej nesh e gjen parajsën
e shpirtit të vet, aty ku ka rrënjët e jetës së tij…




Albert Zholi:Luftar Paja monografi‏ GetAttachment
Albert Zholi dhe Luftar Paja
Agim Gashi
Agim Gashi
Administrator
Administrator

Numri i postimeve : 45955
Age : 70
Location : Kosovë
Registration date : 17/11/2008

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Albert Zholi:Luftar Paja monografi‏ Empty Albert Zholi:Si u shkrua monografia e "Artistit te Popullit" Luftar Paja‏

Mesazh nga Agim Gashi Tue Dec 08, 2009 10:14 pm

Albert Zholi:Si u shkrua monografia e "Artistit te Popullit" Luftar Paja‏


HYRJE

E kam njohur aktorin e madh Luftar Paja (personalisht) në vitin 1993,
kur jetoja në Greqi. Aty realizova dhe intervistën e parë me të cilën
mbeti shumë i kënaqur. Që nga ajo, kohë me të dhe familjen e tij, u
bëmë miq. Edhe me dy djemtë e tij, Sokolin dhe Gazin, kam mbajtur
lidhje të vazhdueshme, pa diskutuar për gruan e tij, Qamilen, e cila ka
qenë dhe mbetet një nga gratë më aktive të emigracionit shqiptar në
Greqi. Por ju konfidoj se gjeta belanë. E para, sepse figura e tij me
një galeri të pafund karakteresh e kishin bërë mjaft popullor. Sa herë
lëvizje me të ishte e pamundur të rrije i qetë. Takime, përqafime,
biseda në çdo hap. Të lëvizje nga një vend në tjetrin duheshin të
paktën dy orë. Luftari si Luftari, s’ia prishte askujt. Linte punët e
tij, apo harronte shumë porosi kur takonte miqtë e tij të shumtë. Edhe
ndonjë gotë nuk e kursente. Më linte të prisja, me orë të tëra. Takimet
i shtynte. Kur më takonte e më gjente të mërzitur, më shihte me ato
sytë e tij të kaltër, imitonte një nga personazhet tij të dashur, një
batutë dhe ja, ku plaste e qeshura dhe mërzia arratisej si retë pas
furtunës. Por ka pasur dhe çaste tensioni. “Me femrat e popullit nuk të
rri gjuha! Ndërsa për biografinë tënde goja të bën mëk-mëk!” Ishte
shprehja më e përdorur prej meje, kur nxehesha. Si ta gjeje ndryshe me
Luftarin! Më duhet të kuptoja që ai ishte njeri dhe kishte hallet e
tij, ndoshta ishte i detyruar t’i përshtatej takimeve me njerëzit,
sepse kjo është detyra e njeriut publik. Fansat e donin vetëm të
qeshur, si në skenë. “Eh, të gjithë mendojnë se unë s’kam halle”,
përsëriste ai shpesh. Por nuk bën përjashtim as ai nga shqiptarët e
tjerë për më tepër nga artistët, që në Shqipëri bëjnë pjesë në shtresën
e intelektualëve, që jo rrallë nuk e kanë fjollë me qeveritë dhe
institucionet. Djali i tij, Gazi, sa herë që e takoj më thotë : “Mos e
lër të qetë! Ka zemër të madhe, por nuk njeh disiplinë. Për të, të
gjithë njerëzit janë njëlloj.”
Në qershor të vitit 2005-s më çoi në fshatin e tij të lindjes,
Gorishovë. Në prag të fshatit ndaloi makinën dhe pasi zbriti, mori të
tatëpjetën. Unë avancoja mbi katër rrotësh ndërkohë që ai çapitej në
këmbë me trupin e tij paksa të shkurtër, fytyrën simpatike e cila të
ngazëllen menjëherë sa e sheh. Fliste, tregonte, zgjaste duart. Kujtesa
e tij ishte e përsosur. Më kallëzonte një ngjarje për çdo pemë, shtëpi,
njeri, sokak, portë. Psherëtinte, tek tregonte. Jetonte me kujtimet
duke i sendërzuar ato si t’i kishte pranë. Hapte krahët dhe merrte
frymë thellë. Lotonte. Nga hyrja e fshatit deri në shtëpi kaluan rreth
tri orë. Sa kish zgjatur rruga Tiranë-Gorishovë. Në vatrën e tij, ku
jetonin vëllezërit me familjet, atmosfera ishte më e ndezur. Bridhte
dhomë më dhomë, dilte në avlli, përkëdhelte me dorë pemët, gardhin dhe
oborrin. I fjaloste vëllait për fqinjët, bagëtinë, shpezët, pemët,
rakinë e sivjetme… “Drekën shtrojeni në kuzhinën e vjetër”, - urdhëroi
të vëllanë, që as nuk pipëtiu. Dihet që fjala e Luftarit ishte kuvend
për të gjithë, jo vetëm se është vëllai i madh i familjes, por dhe
artisti që ngriti aq lart llagapin e Pajove.
Rakinë e ka pijen e preferuar. Si të gjithë fshatarët e shijon me
gjithë fuqinë e shpirtit. Pasi e provon, i fshin buzët me mëngën e
dorës. Nuk e ka problem ta provojë atë të uruar edhe pse kanë kaluar 10
palë buzë para të tijave. Qejf ka Divjakën, lokalin e Ali Kalit ose
qebaptoren e Hamdi Rekës në Tiranë.
“Aaaa, këtu dhe mbretërit tundohen”, përsërit menjëherë sa thith ajrin
e freskët të pishave, erën e detit dhe shijon peshkun e freskët të
Karavastasë. Në Divjakë dhe në shumë zona të jugut, sidomos Myzeqe,
Mallakastër, Labëri etj., e presin sikur të ishte “mbreti” i tyre dhe
në fakt, për gjithë atë zonë ai mbetet patriarku i skeçit myzeqar. Ka
prekur çdo fshat, çdo shtëpi kulture, çdo zonë, duke ngritur në skenë
figurën e një artisti të spikatur, një mjeshtri që me punën dhe
shpirtin e tij e ka merituar plotësisht emrin “Artist i Popullit”.
Një figurë poliedrike kjo e Luftarit, që ndërsa e takon përditërisht,
të duket një njeri i dashur, i thjeshtë, muhabetçi, por në skenë
shpërthen përmasat e vërteta. Atje duket se nuk bën asnjë kompromis
përveçse me zotësinë e tij, duke arritur të realizojë personazhin që
merr përsipër në përmasat reale.
Albert Zholi



Albert Zholi:Luftar Paja monografi‏ GetAttachment
Kopertina_Luftari_PARA per shtyp
Agim Gashi
Agim Gashi
Administrator
Administrator

Numri i postimeve : 45955
Age : 70
Location : Kosovë
Registration date : 17/11/2008

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Mbrapsht në krye

- Similar topics

 
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi