Akllapi Net - Forum i Hapur
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

Sejdi Berisha: Dy sofra dhe flamujt e principatave ilire...!

Shko poshtë

Sejdi Berisha: Dy sofra dhe flamujt e principatave ilire...! Empty Sejdi Berisha: Dy sofra dhe flamujt e principatave ilire...!

Mesazh nga Agim Gashi Thu Dec 10, 2009 2:20 am



Sejdi Berisha: Dy sofra dhe flamujt e principatave ilire...! U1_SejdiBerishaSh p ë r p u th j e

Sejdi BERISHA:

DY SOFRA DHE FLAMUJT E PRINCIPATAVE ILIRE...!

E kisha parë një vogëlush i cili duke ngrënë çokollatë, tërë fytyrën e kishte përlarë dhe e kishte bërë çifut nga çokollata. E hante me aq shpejtësi, thua se e kishte dronë se dikush po ia grabiste këtë ëmbëlsirë të jetës! Bile, kohë pas kohe i lëpinte gishtat me të cilët “merrte” çokollatën nga faqet e zhytura. Kjo, më la përshtypje, por në të njëjtën kohë edhe u rrëqetha. Tani, ec e ndale “rrokullisjen” dhe rrugëtimin e mendimit tim të “shfrenuar”, i cili më kapërthen dhe s’më lë të marrë frymë.

1.
E tërë kjo, ma detyroi sofrën dhe tryezën! Sa pa lidhje. Si sofra, si tryeza, janë një. Jo. Nuk është e vërtetë. Ja se, pse. Me disa miq, kishim vendosur të drekonim në restorantin “Iliricum”, dhe atë për pikë të qejfit.
Në tryezën e servirur mirë, kamerieri na sjellë edhe disa gjëra për ta plotësuar akoma më mirë dekorimin dhe servirjen për drekë. Por, kur të vrahet mendja, nuk të lë rehat as të drekosh si duhet. Përballë, mbështetur për mur vërej një sofër të vjetër, dërrasat e të cilët, përveç që ishin gërryer nga përdorimi nëpër mote, në to ishin shkaktuar edhe plotë të çara, kurse gozhdët me të cilat ishin të lidhura e të forcuara mirë me njëra-tjetrën, kishin marrë ngjyrën e lashtësisë me provokimin për rrëfim historie.
Duke e shikuar këtë sofër, e cila reflektonte fshehtësitë e rrëfimit për kohërat që kishin kaluar e të cilat i kishte përjetuar vetë ajo, gjithnjë e më shumë provokonte për t’ia shoshitur historinë e saj. E rrahur nga koha, e mbushur me bereqetin e zemrës e të bujarisë, e lagur nga lëngu i djathit dhe e përvëluar nga loti, krijonte pikturë të përkryer të qëndresës, të begatisë dhe dashurisë.
Tash, gjendem pranë sofrës dhe kthehem prapa,... prapa, kur ajo është shtruar për tu ushqyer familja, për t’i gostitur mysafirët e besa për tu ngopur edhe armiqtë! Kështu, sikur rrëfen sofra për shërbimin që ka bërë.
-Unë jam një legjendë e veçantë e familjes, me një histori të veçantë, rrëfimi i të cilës kurrë nuk ka fund. Duhet kohë e kujtesë për të rrëfyer ditët dhe netët, periudhat dhe ndodhitë në mua e rreth meje! -sikur u dëgjohet zëri i këtyre dërrasave të mbetura “skelet” nga koha.
Dhe, sa buka e misrit është ngrënë në këtë sofër, duke e ngjyrë në lëng djathi, duke e mbështjellë djathin me erë në kafshatën e nxehtë, duke e kafshuar specin turshi e duke shtuar oreksin me specin e djegës të bluar e përzier me kripë. Kurse, pas kësaj pjese të ceremonisë apo aperitive, pason kosi i turzuar me ujë të ftohtë i bucelës, dhe lugët duke bërë ritin e tyre prej kalanicës e deri në gojë dhe anasjelltas.
Dhe, merrje me mend: sa fëmijët, sa njerëzit të ulur përreth sofrës gju më gju, e kanë shuar urinë dhe janë kënaqur me bereqetin e shtruar. Sa trimat janë ngopur me bukën misëroke dhe kanë mbajtur frontin! Merrje me mend. Sa njerëzit pranë kësaj sofre vetëm janë ulur dhe e kanë ndrydhur urinë e tyre! Por, krejt është e natyrshme. Dikush ngopet e kënaqet, dikush rri i uritur, dikush ha dhe e përshurrë sofrën dhe prapë bereqeti nuk soset. Nuk soset as shpresa, as gëzimi, dhe as dhembja e hidhërimi, që padyshim, sofra gjithmonë i ka pasur, i ka edhe sot rreth vetes.
Ky rrëfim, duket se tash nuk ka peshë as nuk ka domethënie. Po, mirë de! Ani! Së paku ju qeshni dhe injoroni. Edhe kjo është e drejtë e secilit,... gjë normale!
Por, e di se në këtë sofër,... Po, de. Në sofrën tonë, sa djemtë e vajzat janë ushqyer me ëndrrat e dashurisë, me ëndrrat e lumturisë,... me ëndrrat e lirisë, me amanetin dhe bekimin e baballarëve e të gjyshërve, me pritjen dhe këngën për atdheun...!
Në këtë sofër janë ushqyer edhe miq e mysafirë të largët. Më kujtohet, njëherë kishin ardhur disa mysafirë, dhe babai urdhëroi për ta prerë pulën e bardhë dhe për të gatuar pite. Tërë kohën, ne fëmijët rrinim gëzueshëm duke pritur darkën. Por, jo. Nuk kishte vend për neve në sofrën e parë, siç thuhet zakonisht. Aty, ishin mysafirët e respektuar, të cilët falënderoheshin për mikpritjen. Por, për në sofrën e dytë nuk kishte ngelur edhe aq shumë ushqim dhe as mish pule, as pite. Megjithatë, e mirë ishte edhe çorba e pulës me misër kallamboqi. Mishin e shijuam vetëm përmes erës, ashtu sikurse edhe piten...!
Kjo është sofra, e cila është edhe e hidhëruar, sepse, në dreka e darka nganjëherë bëhej hile me ushqimin. Histori e gjatë e mesele e rëndë është sofra. Ajo, tash e mbështetur për mur, sikur ka gjuhë, gojë e zë. Gjithçka tregon e rrëfen,... E mbështetur për mur. A dini se çfarë do të thotë: sofra e mbështetur për mur?! Besoni se është kështu...!

2.
U ktheva nga ajo ëndërr e llahtarshme por e bukur, e cila i takonte të së kaluarës, dhe saora veten e pashë se gjendesha pranë tryezës, që donim për të drekuar. Këtu, bisedat zhvillohen ndryshe nga ato në sofër. Të ju them të drejtën, ishte udhëtim i gjatë dhe i mundimshëm. Dhe, tash gjendesha në një situatë tjetër e në rrethana kacafytëse. Qëndrova pakëz derisa u kthjella dhe e diktova se isha në shoqërinë e miqve të mi, që edhe bashkërisht kishim bërë porosinë për drekë.
Në tryezë mishra të ndryshme, sallata gjithfarë e të përcjella me aperitiv. Shkëlqenin gotat e kristalta dhe shishja e verës, por edhe shishet me coca-cola. I ngjante një lloj ceremonie dhe atmosferës festive. E lutja oreksin për të më ardhur dhe për një kohë të qëndrojë me mua. Mirëpo, as aroma e ushqimit dhe as ngjyra e kuqërremtë e mishit nuk më bënin përshtypje. Më provokonte sofra, e cila qëndronte përballë meje e mbështetur për mur. Dukej si një relikt, por edhe si kujtim prindëror, që të kaplon dhe dot nuk të lëshon nga kthetrat.
Duke biseduar, ngritëm nga një gotë verë, gjithnjë me shpresë se vera do të ma shtojë disponimin dhe kështu do t’i kthehem drekimit, për çfarë kishte një javë që kishim biseduar. Dhe, u “poç” disponimi. Filluam debatin për ditën e sotme, por sërish, çdo gjë më lidhej me të moçmen.
Çfarë tryeze?! E tëra e mbuluar në të bardhë e plotë begati e bereqete. Nuk vonoi, dhe djaloshi i cili na shërbente, na solli bukën e misrit që e kishim porositur, tani si specialitet, apo jo! Por, sërish më kërceu kandari dhe më solli dikur pranë sofrës. Në atë moment, duke shikuar flamujt e principatave ilire, që ishin radhitur kujdesshëm në trarët e “Iliricumit”, duke dashur ta kujtoj atë kohë, dy vocërrakë u “mbinë” pranë meje me duar të zgjatura për lëmoshë.
-Jo! Nuk u jap asgjë. -u thashë me hidhërim dhe me qortim. Si duket, ata u frikësuan nga zëri i lartë dhe nga nervozizmi im dhe na kthyen shpinën, sigurisht duke na mbërthyer një sharje “elegante” por pa i dëgjuar ne.
-Po,... shtrirja e dorës, ç’është kjo?!
Njëri më tha:
-Mos e mundo kokën! Kjo i ngjanë asaj: “bukën tonë të përditshme”...!
-Athua, edhe sot ky refren?!
-Gëzuar! -ma bëri njëri prej miqve të mi dhe ngritëm gotat me verë. Unë, kësaj radhe e piva me fund.
Tani, ndodhesha ulur në dy sofra! Jo. Në sofër dhe në tryezë.
-Po, cili është dallimi në mes sofrës dhe tryezës?...
Njëri më tha:
-Historia, është dallimi. Po, po. Historia...!
Të gjithë heshtëm dhe vazhduam për të ngrënë. Menyja ishte e begatë! Në dy sofra, heeeej...!

3.
Posa kaluam kufirin e tokës së ndarë në dysh, njëri prej shokëve kërkoi që ta ndalim makinën, sepse kishte nevojë për të dalë jashtë. U ndalëm. Posa doli jashtë, të gjithë ishim kureshtarë se për çfarë është fjala, prandaj edhe e përcollëm lëvizjen e tij.
U afrua pranë një shkëmbi të thepisur, murmuroi diçka me vetvete. U ul në gjunjë dhe e puthi tokën tri herë. U habita. U habitem të gjithë. Ishte ky një akt moral por i prekshëm dhe njerëzor. Këmba e tij, kurrë nuk kishte shkelur andej kufirit, edhe pse, ai, gjyshërit dhe baballarët i kishte nga Malësia. Hyri në makinë, por heshtja na kishte pllakosur të gjithëve.
-E putha tokën. Për herë të parë këmba ime po shkel në këtë pjesë të atdheut prej nga i kam të parët e mi! Mosha ime që i ka kaluar të gjashtëdhjetat gjithnjë e më shumë më ka forcuar për ta çelikosur dashurinë për këtë tokë.
Sa më gjatë që rrëfente për shkrumbin e tij për ta vizituar këtë vend, unë gjithnjë e më shumë rrëqethesha dhe dridhesha mu si thupra n’ujë.
Gjatë rrugës së re gjarpërore të shtruar me asfalt, tërë kohën vështronte fushat dhe shkrepat, dhe kush e di se çfarë meditonte. Mendoja edhe unë për te,... edhe për vetveten,... mendoja për rrugëtimin e njeriut,... mendoja për historinë,... mendoja për mendjen dhe saktësinë!
Pse e theksova këtë tablo jete, këtë segmente. Nuk di as vet! Nuk e di...!

4.
Duke e kthyer temën tek dreka, për të cilën fola pak më lartë, ngrita kokën lartë dhe sërish i shikova flamujt e principatave ilire. Në mendje më rrokullisej rrota e historisë, e cila herë përplasej, herë ndalej, herë pengohej, herë rifillonte rrugëtimin, e herë ndalej e bëhej copë e grimë.
Ishin flamuj të punuar mirë dhe me heraldika të fuqishme e karakteristike. Gjithnjë më bëhej se frymonin dhe kishin aromë Ilirie! Pas kësaj kënaqësie dhe këtij rrugëtimi fluturues, thashë:
-Po, çfarë do të dilte nga ta sikur të njësoheshin këta flamuj. Të bëheshin një?! Duke menduar kështu, më doli sfondi me ngjyrë të kuqe e me shqiponjë dykrenore, e cila, nganjëherë më reflektonte si e mërrolur e nganjëherë si e buzëqeshur.
Mblodha mendjen, dhe në vetvete i bashkova këta flamuj, i bashkova edhe njerëzit. Por,... nuk di se çfarë bëra. Nuk di a ia dola?! Është punë e madhe për të bashkuar diçka. A ka mundësi të ndodhë kështu. Për këtë, u frikësova edhe sot. Po, po. Edhe sot,...!

5.
Në tërë këtë siklet, mu kujtua një anekdotë e popullit, e cila ka dalë nga mendja e tij. Ndoshta ka lidhje, ndoshta s’ka lidhje me këtë shkrim!:
“Dy veta ishin nisur rrugës për në cakun që kishin synuar, por nuk ishin të sigurt se a ishin në rrugë të drejtë. Gjatë rrugës, e takojnë njërin duke prerë një lis dhe e kishin pyetur se a ishin në rrugë të drejtë për ku ishin nisur.
Ai nuk u përgjigjet, por, pasi i kishin bërë disa hapa, u kishte thënë:
-Pritni!... Në rrugë të mirë jeni...!
-Po, pse nuk na tregove atëherë kur të pyetem?! -e kishin pyetur me kureshtje këta dy udhëtarë.
-Kur më pyetët, nuk ua pashë hapat që bënit...
Interesant. Hapat na paskan rëndësi për rrugën dhe drejtimin e saktë?! Po,... dy sofrat dhe flamujt e principatave ilire? Le të themi se e kanë begatuar madhështinë e restorantit “Iliricum”. Asgjë tjetër...!
Agim Gashi
Agim Gashi
Administrator
Administrator

Numri i postimeve : 45955
Age : 70
Location : Kosovë
Registration date : 17/11/2008

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Mbrapsht në krye

- Similar topics

 
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi