Akllapi Net - Forum i Hapur
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

Kryeministri Berisha përshëndet Kuvendin e 9-të të Partisë Demokratike

Shko poshtë

Kryeministri Berisha përshëndet Kuvendin e 9-të të Partisë Demokratike Empty Kryeministri Berisha përshëndet Kuvendin e 9-të të Partisë Demokratike

Mesazh nga Agim Gashi Tue Dec 15, 2009 2:55 am

Kryeministri Berisha përshëndet Kuvendin e 9-të të Partisë Demokratike Moz-screenshot-3

Kryeministri Berisha përshëndet Kuvendin e 9-të të Partisë Demokratike

-
Ne e kemi sekretin e suksesit, ne e kemi suksesin e vazhdimësisë. Ai
qëndron në pasionin tonë për lirinë, në përkushtimin tonë për lirinë,
për të garantuar liritë dhe të drejtat e qytetarëve.

- Asgjë nuk do të mund ta ndalojë vrapin në ndërtimin e Shqipërisë
Evropiane . Shqipëria evropiane nuk mund të jetë tjetër veçse Shqipëria
me infrastrukturë më moderne në rajon.

- Shqipëria evropiane, do të jetë Shqipëria e zemrës së dhimbsur,
Shqipëria evropiane do të jetë Shqipëria me fytyrën më sociale, më
njerëzore, ndaj edhe në këtë mandat do të vazhdojmë tëpërparësojmë
cilësinë e shërbimit shëndetësor, garantimin e tij për çdo qytetar, si
objektiv më absolut.

- Kjo maxhorancë, është sot më e vendosur se kurrë të zbatojë me
vendosmëri ligjin, të përdorë të gjithë pushtetin që I ka dhënë sovrani
në zgjedhjet e 28 qershorit për t’i dhënë përgjigjen më të merituar
mafies, e cila nxin çdo ditë, imazhin vendit

Kryeministri Sali Berisha mori pjesë sot në Kuvendin e 9-të Partisë
Demokratike. Duke iu drejtuar të pranishmëve, në fjalën e tij
përshëndetëse ai u shpreh:
Kryeministri Berisha përshëndet Kuvendin e 9-të të Partisë Demokratike Ber-14-dhjetor[/url]
“Të dashur deputetë e deputete,

Zotërinj ministra,

Drejtues kryesorë të Partisë Demokratike,

Miq dhe të ftuar,

“Së pari, në emër tuaj dëshiroj t'u përcjell një përshëndetje të
zjarrtë të gjithë anëtarëve, aktivistëve, simpatizantëve, votuesve të
PD-së, të cilët me përkushtimin e tyre bënë që të vijmë në këtë kuvend,
si kuvendi i fitores historike, si kuvend i vendimeve të mëdha, si
kuvend i horizontit të ri, horizontit të Shqipërisë evropiane. Të
përshëndes këtu ju delegatë dhe delegate të kuvendit të madh të PD-së,
që me votën tuaj do të përcaktoni sot udhëheqjen e re të Partisë
Demokratike për të katër vitet që vijnë, udhëheqjen e arkitektes së
fitores së zgjedhjeve të 2011, arkitekten e fitores së zgjedhjeve të
2013, arkitekten e Shqipërisë evropiane, e Shqipërisë zonjë në Evropë.

Rroftë Partia Demokratike!

Një falënderim dhe mirënjohje të veçantë dua t’i shpreh drejtuesve
kryesorë të Partisë Demokratike që udhëhoqën fushatën elektorale në të
gjitha qarqet e vendit, anëtarët e stafeve të tyre elektorale që me
përkushtimin e tyre u bënë arkitektë të fitores së merituar të PD-së.

Zonja dhe zotërinj!

Ne mblidhemi sot në këtë kuvend në momentet historike të PD-së,
mblidhemi rreth datës së themelimit të saj dhe ulemi sot në këtë kuvend
më krenarë se kurrë për këtë forcë politike, e cila u themelua 19 vjet
më parë nga trimëria, entuziazmi, kuraja legjendare e studentëve dhe të
rinjve shqiptarë. Mendimi më i avancuar intelektual i vendit u përball
me regjimin më të egër, më barbar, më mizor të të gjithë Evropës,
regjimin që edhe dy dit pas themelimit të kësaj partie do të
ekzekutonte të rinjtë dhe të rejat e këtij vendi, në kufijtë e
Shqipërisë. Regjimi që kishte shndërruar Shqipërinë në një bunker të
vërtetë, në megastrehën e mjerimit, në rajon dhe Evropë.

Partia Demokratike ato ditë të para të dhjetorit nuk kishte mjete,
nuk kishte njohuri për sistemin që do të ndërtonte, por kishte pasionin
për lirinë, vendosmërinë për mbrojtjen e saj. Liria është dhe mbetet
pasioni ynë, zotimi ynë. Ne u themeluam dhe mbetemi Partia e lirive dhe
të drejtave njerëzore, ndaj dhe sot nga ky kuvend zotimi ynë para
shqiptarëve është garantimi dhe zgjerimi i lirive dhe të drejtave
tuaja, i cili do të mbetet objektivi i parë dhe më madhor i kësaj force
politike.

Ishte pasioni ynë për lirinë, dashuria për lirinë, respekti ndaj saj
që kanë bërë sot që ne demokratët shqiptarë të jemi të vetmit ndër
vendet ish komuniste që të festojmë rënien e murit të Berlinit në
pushtet dhe ta festojmë atë më madhërishëm se kurrë, ta festojmë atë më
fuqishëm se gjithë Evropa, ta festojmë atë me gjysmë milioni shqiptarë
në sheshet e kryeqendrës së vendit.

Është pasioni ynë për lirinë, vendosmëria jonë për respektimin e saj
që bëri që ne të kapërcejmë me sukses vështirësitë më të
jashtëzakonshme, bëri që ne në kushtet e një mjerimi total, të një
hiperkolektivizmi më të thellë, të dyfishojmë çdo vit të ardhurat për
qytetarët shqiptarë, bëri që ne ti rezistojmë një terrori të paparë të
rebelimit komunist dhe të largojmë me votën tonë të lirë, ata që në
pushtet erdhën me dhunë. Liria është pasioni ynë. Pasioni ynë për
lirinë, garantimin e saj, bëri që ne të ulemi sot në këtë sallë me
ballin lart, para çdo qytetari shqiptar, para çdo qytetari të Evropës
dhe të botës, duke i besuar lirisë dhe vlerave të saj. Ne realizuam në
Shqipëri zgjedhje të lira dhe të ndershme dhe kjo përbën krenarinë
tonë. Ne përmbushëm një nga misionet tona historike.

Delegatë dhe delegate të Kuvendit të 9-të,

Qytetarë dhe qytetare shqiptarë,

Ne vijmë sot më të vetëdijshëm, më të pasionuar se kurrë ndaj lirisë
dhe vlerave të saj, ndaj dhe unë nga kjo platformë dua të garantoj
opozitën se do të ketë hapësirën më të madhe, respektin më të thellë,
në misionin e saj, sikundër i ofroj në emër tuaj frymën e
bashkëpunimit, të mirëkuptimit për reformat e mëdha, por nga ana tjetër
e paralajmëroj se pasioni im për lirinë nuk do të pranojë kurrë që një
grusht pinjollësh të bllokut, të mund të nëpërkëmbin vullnetin e
lirisë, vullnetin e lirë të qytetarëve shqiptarë. Me atë përkushtim që
ne realizuam zgjedhje të lira dhe të ndershme në vend, me atë
përkushtim që ne bëmë që Shqipëria të jetë vendi i besimeve të mëdha
fetare dhe tolerancës së shkëlqyer fetare, vendi i mungesës së padive
ndaj mediave dhe shtypit të pavarur, vendi i lirive dhe të drejtave të
minoritarëve, vendi i votës së lirë, po me atë përkushtim ne do të
mbrojmë vullnetin e qytetarëve shqiptarë, ndaj dhe unë edhe njëherë nga
platforma ju bëj thirrje hiqni dorë nga mentaliteti i etërve tuaj,
hiqni dorë sepse betejën me ta e bëmë në vitin 90. Sot ne jemi gati për
çdo betejë në mbrojtje të votës së lirë e të vullnetit të lirë të
qytetarëve shqiptarë.

Partia demokratike vjen në këtë Kuvend më krenare se kurrë sepse kjo
këtu në këtë sallë por edhe jashtë saj në mbarë Shqipërinë, janë burrat
dhe gratë, djemtë dhe vajzat që përmbysën murin e Berlinit, në Tiranë,
janë ata që rrëzuan bustet e gjalla, këtu në këtë sallë dhe jashtë saj,
janë burrat dhe gratë që në vitet 90 Shqipërinë e hiperkoletivizmit
total, Shqipërinë e lirive dhe të drejtave të ndaluara, Shqipërinë e
mjerimit më të thellë e shndërruan në Shqipërinë e tregut, në
Shqipërinë e lirive dhe të drejtave të garantuara, në Shqipërinë që
ecën e sigurt drejt integrimit në institucionet euroatlantike,
Shqipërinë anëtare të këshillit të Evropës.

Këtu në këtë sallë dhe jashtë saj janë ata burrat dhe gratë, të
rinjtë dhe të rejat që qëndruan të pamposhtur, që u burgosën, u
ekzekutuan, u torturuan, por nuk u mposhtën nga rebelimi i 97 dhe i
krijuan vendit opozitën më të fuqishme, opozitën e parë të fuqishme që
kishte njohur në historinë e tij. Këtu në këtë sallë janë ata të cilët
në vitin 2005 përzunë nga pushteti ata që erdhën me malavitën dhe
rebelimin në pushtet. Këtu në këtë sallë dhe jashtë saj janë ata që me
përkushtimin, mundin dhe djersën e tyre shndërruan në realitet ëndrrën
madhore të kombit shqiptar, Shqipërinë në NATO. Këtu në këtë sallë dhe
jashtë saj janë ata, të cilët me reforma të gjithanshme bënë që më 16
nëntor 27 vendet anëtare të BE-së të pranojnë kërkesën për Shqipërinë
anëtare të BE-së. Këtu në këtë sallë janë ata të cilët iu premtuan
shqiptarëve se do të lëvizin të lirë brenda vitit të parë të mandatit
të dytë në mbarë Evropën dhe ky është realitet. Këtu në këtë sallë janë
ata të cilët me reforma të thella dhe të gjithanshme ekonomike
Shqipërinë që zhytej çdo ditë në kënetën e korrupsionit,të krimit të
organizuar, e nxorën në krye të listës, për luftën kundër korrupsionit,
çmontuam një nga një bandat dhe i dhamë asaj tregues të ulët
kriminaliteti, më të ulët se mesatarja e BE-së.

Të dashur delegatë, demokrate dhe demokratë kudo që ndodheni,

Partia Demokratike vjen në këtë Kuvend e vendosur për të qëndruar
gjithnjë kokulur, e dëgjueshme, para sovranit, para qytetarëve
shqiptarë, për të bërë përpjekjet më të mëdha për të dëgjuar kërkesën,
interesin, problematikën e tyre dhe për ta zgjidhur atë.

Kjo është parti, e cila arriti të mbijetojë në të gjitha kohërat dhe
vjen sot fitimtare për shkakun e vetëm se në qeverisjen e saj vendosi
qytetarin të parin. Ndaj dhe sot në emrin tuaj le të garantojmë
shqiptarët se aty ku është vuajtja, aty ku është dhimbja, aty ku është
lëndimi, aty ku është mundimi, ne do të jemi të parët ne në lehtësimin
e tyre, në zgjidhjen e tyre, në mbështetjen tyre.

Ne jemi partia tregut të lirë, por jemi partia e ekonomisë sociale
të tregut. Ne si asnjë force tjetër politike në Evropë kemi rritur me
mbi 50 % faturën sociale, buxhetin social, financimin për tisutin
social të qeverisë shqiptare. Ne e rritëm atë nga 6% në 9 % dhe këtë
vit buxheti social për arsimin , shëndetësinë dhe fusha të tjera ka
rritjen më të madhe si në asnjë vend tjetër. Ne e nisim qeverisjen në
vitin e parë të mandatit të dytë pasi kemi rritur numrin e studentëve
nga 52 mijë studentë në 120 mijë dhe ne jemi të vendosur që brenda
këtij mandati, numri I studentëve në universitetet e vendit, publike
dhe private të tejkalojë 150 mijë. “Shqipëria në shkollë” është dhe do
të mbetet motoja jonë, Shqipëria në shkollat moderne, sistem arsimor
modern është dhe do të mbetet objektivi ynë madhor.

Shërbim shëndetësor të mjekësisë më të lartë, të garantuar për çdo
qytetar, kjo do të jetë reforma jonë. Reforma në shëndetësi është një
nga premtimet tona madhore. Shqipëria evropiane, do të jetë Shqipëria e
zemrës së dhimbsur, Shqipëria evropiane do të jetë Shqipëria me fytyrën
më sociale, më njerëzore, ndaj edhe në këtë mandat do të vazhdojmë të
përparësojmë cilësinë e shërbimit shëndetësor, garantimin e tij për çdo
qytetar, si objektiv më absolut.

Rritja e rrogave dhe pensioneve është një tjetër objektiv i zemrës
së dhimbsur, i qeverisë së fytyrës njerëzore të shoqërisë shqiptare.

Po zotërinj! Ne jemi të vetmit në Evropë, që në kohën e cunamit që
përfshiu Evropën dhe botën, guxuam dhe rritëm rrogat dhe pensionet më
shumë se kurrë në histori. Ne jemi të vetmit në Evropë që sërish
parashikojmë në qershor të vitit që vjen të bëjmë rritjen më të madhe
të rrogave dhe pensioneve në tërë historinë e vendit.

Ne po reformojë tërësisht sistemin e ndihmës shoqërore dhe unë jam
këtu për t’ju dhënë ju fjalën se brenda këtij mandate nuk do të ketë
shqiptarë që të marrë më pak se 2 dollarë në ditë. Po, po Shqipëria
duhet të ketë fytyrë njerëzore, Shqipëria duhet të ndahet nga
polarizimet, Shqipëria duhet të arkivojë njëherë e përgjithmonë
mjerimin. Dhe ne qëndrojmë plotësisht në zotimet tona!

Delegate dhe delegatë të Kuvendit të 9, qytetarë dhe qytetare shqiptarë!

Jeta, siguria e jetës tuaj, pronës tuaj, veprimtarisë tuaj, do të
jetë një nga përparësitë më madhore të kësaj qeverisje, ne këtë zotim
solemn nisëm ta shndërrojmë ta vazhdojmë dhe ta konsolidojmë çdo ditë e
më shumë. Në katër vitet që shkuan, ne shpartalluam dhe vendosëm para
ligjit bandat më agresive, më të rrezikshme, më të pamëshirshme, të
Shqipërisë, rajonit dhe më gjerë. Por ne, një betejë e madhe na pret
dhe kjo është beteja me mafien, me më të pashpirtën, me më
shpirtkazmën, me më të rrezikshmen. Ndaj edhe qëndrojmë këtu më të
vendosur se kurrë për t’i rezervuar asaj darët dhe gërshërët e ligjit,
kudo që ndodhet. Kjo maxhorancë, është sot më e vendosur se kurrë të
zbatojë me vendosmëri ligjin, të përdorë të gjithë pushtetin që I ka
dhënë sovrani në zgjedhjet e 28 qershorit për t’i dhënë përgjigjen më
të merituar mafies, e cila nxin çdo ditë, imazhin vendit, e cila pengon
çdo ditë me veprimtarinë e saj kriminale zhvillimin e vendit, e cila
gllabëron çdo ditë pasuritë e këtij vendi. Në këtë luftë, në këtë
betejë, në këtë përpjeke, në mënyrë absolute nuk ka dhe nuk do të ketë
as edhe tendencën më të vogël politike. Ka dhe do të ketë interesin
jetik të qytetarit shqiptar, ka dhe do të ketë interesin jetik të
zhvillimit të vendit, të lirisë së tregut, të sigurisë së jetës. Por në
qoftë se mafia pushton rrugët e kryeqytetit, po në qoftë se mafia
gllabëron pronat publike në zemër të Tiranës, ku është shteti, ku është
ligji? Ligji dhe shteti, të dashur qytetarë dhe qytetare, kanë
përfunduar në shpellat e saj. Nuk do të tolerohet kurrë më!.

Edhe një herë nga kjo platformë dua t’u bëj thirrje avokatëve, të
cilët çdo orë, çdo ditë akuzojnë qeverinë. Në Shqipëri, cilido do mund
të ketë të drejtën e avokatit. Po ju që akuzoni politikisht mund t’u
faktoni qytetarëve shqiptarë qoftë edhe një rast të vetëm të veprimit
të njëanshëm? A mund t’u faktoni qytetarëve shqiptarë qoftë edhe një
rast të vetëm të pallateve mbi rrugë dhe rrugica, ndaj të cilëve
qeveria ime nuk do të ketë përgjigje tjetër përveç fadromave të ligjit?
A mund të faktoni qoftë edhe një rast të vetëm, që kjo qeveri, ka
heshtur para gllabërimeve të qindra mijërave, mos miliona metër katror
tokë troje publike në zemër të Tiranës, në brigjet më të bukura të
vendit, apo në qytete të tjera, atëherë ju këshilloj se jeni avokatë të
pashpresëve. Harrojeni se ne do të pranonim një kompromis, i cili është
bërë në emër të interesave më madhore të vendit.

Por unë jam Sali Berisha. Jam sot këtu para jush, se gjatë gjithë
karrierës time politike, në të gjitha rrethanat dhe situatat jam
përpjekur që në emër të tuaj dhe të interesave të qytetarëve shqiptarë
të dalloj se kush është interesi kryesor. Por, ta dini ju të dashur
delegatë dhe delagate se nuk ka pasur interes më madhor, për ju që jeni
sot këtu, për ata që na ndjekin nga kjo sallë dhe për mbarë qytetarët
shqiptarë se sa zgjedhjet e lira, zgjedhjet e ndershme. Nuk mund të
pranoja unë me asgjë, që të komprometoja këtë proces historik, që nxori
Shqipërinë nga lista eKryeministri Berisha përshëndet Kuvendin e 9-të të Partisë Demokratike Moz-screenshot-4 zezë e zgjedhjeve të pandershme.

Të dashur delegate dhe delegatë!

Në prill të këtij viti ju në këtë sallë miratuat projektin e
Shqipërisë Evropiane. Qytetarët shqiptarë me një betejë njerëzore,
votëbesuan këtë projekt, si projektin më të mirë më të shkëlqyer për të
ardhmen e tyre. Në një hark kohor tre mujor, kjo qeveri, kjo
mazhorancë, mbarë qytetarët shqiptarë, ata që e votuan dhe ata që nuk e
votuan, kanë shënuar arritje historike, në procesin e Shqipërisë
Evropiane. Vendimin e madh të Brukselit më 16 nëntor për të pranuar
kërkesën tuaj dhe të mbarë shqiptarëve për t’u anëtarësuar në Bashkimin
Evropian, rezolutën e Parlamentit Evropian për të përparësuar me
emergjencë heqjen e vizave për qytetarët shqiptarë, sepse qeveria
shqiptare, autoritet shqiptare po bëjnë çdo gjë që ky moment të jetë sa
më i afërt, po bëjnë reformat më serioze, po marrin vendimet më të
rëndësishme që qytetarët e këtij vendi të lëvizin të lirë.

Reforma të tjera janë ndërmarrë dhe do të ndërmerren. Asgjë vrapin
në ndërtimin e Shqipërisë Evropiane nuk do të mund ta ndalojë.
Shqipëria evropiane nuk mund të jetë tjetër veçse Shqipëria me
infrastrukturë më moderne në rajon. Në këtë kontekst, unë ju garantoj
ju se investime të mëdha, se projektet e premtuara para shqiptarëve,
rruga e Arbrit, Boshti i Jugut, tuneli i Elbasanit, rruga Qafë Plloçë -
Qukës, Fierzë - Koman dhe 700 mijë kilometër rrugë do të asfaltohen dhe
ndërtohen në mbarë vendin. Ne duhet të vrapojmë për të kapur kohën e
humbur, ecja për ne është vendnumëro, për të vrapuar na duhen rrugë të
mira, na duhen tunele, na duhen autostrada, na duhet shpejtësia që
meritojmë. Shqipëria evropiane do të jetë Shqipëria e qytetarëve me
furnizimin me ujë 24 orë. Ne që garantuam furnizimin me energji 24 orë
për mbarë qytetarët shqiptarë, ne kemi projekt ne kemi financime, ne
kemi vullnetin për të shndërruar këtë projekt të madh në realitet.

Shqipëria evropiane, nuk mund të jetë tjetër përveçse Shqipëria e
idealeve evropiane të rinisë shqiptare. Janë ata të cilët e shpalosën
aq madhërishëm në dhjetor të viti ‘90 idealin e tyre. Jemi ne sot me
detyrimin më madhor, që të bëjmë çdo gjë për të rinjtë shqiptarë. Ky
mandat do të jetë mandati i rinisë shqiptare, i shkollimit të saj, i
punësimit të saj, i rolit të saj madhor në mbarë shoqërinë shqiptare.
Shqipëria dixhitale është Shqipëria e moshës së tyre dhe unë kam
kënaqësinë t’u informoj ju se këtë projekt të madh, për të rinjtë
shqiptarë para së gjithash, por për mbarë Shqipërinë, se ne ulemi sot
pasi inauguruam internetin në të gjitha shkollat e vendit; ne vijmë sot
këtu me zotimin solemn për internet me bandë të gjerë në çdo familje
shqiptare; ne vijmë sot këtu me zotimin solemn për t’i dhënë mundësi që
të ketë kompjuter çdo të riu shqiptar. Ne që në vitin 2010 5-fishuam
buxhetin për moshën dixhitale, në vitin 2011 do të 10-fishojmë, në 2012
do të 50-fishojmë që Shqipëria të dalë në krye të listës për përdorimin
e internetit në Evropë dhe në botë.

Të dashur delegatë dhe delegate!

Ne sot sërish kemi një armik për njerëzit e lirë dhe ky armik është
varfëri dhe akoma më I keq është mjerimi. Ne sot sërish kemi mijëra
familje të cilat jetojnë në varfëri të skajshme apo mjerim, ne sot kemi
rreth 12 për qind të shoqërisë shqiptare, e cila jeton në varfëri. Nuk
mund të ketë objektiv me fisnik, më madhor se luftën e pamëshirshme
ndaj kësaj, se mobilizimin e të gjitha mjeteve tona në luftën kundër
varfërisë dhe mjerimit, zhdukjen brenda 2 viteve të mjerimit të
Shqipërisë,luftën me efiçencë kundër varfërisë. Së pari e theksova
objektivin 2 dollarë për frymë, por natyrisht kjo është një luftë
mekanike, pasi promotori kryesor i luftës kundër varfërisë është
punësimi i qytetarëve shqiptarë. Ndaj edhe ne zotohemi të përshtatim të
gjitha politika tona, të gjithë stimujt fiskalë, të gjithë incentivët,
në funksion të punësimit të qytetarëve shqiptarë. Zotimi i ynë për 160
mijë qytetarë të punësuar në fund të këtij mandati po jetësohet çdo
ditë e më shumë në Tiranë dhe në qendra të tjera të mëdha të vendit.

Vetëm këtë vit ne jemi i vetmi vend me rritje prej 59 për qind të
investimeve të huaja. Ne do të bëjmë gjithçka që kjo rritje të
shumëfishohet gjatë viteve që vijnë, që kjo rritje të orientohet drejt
sektorëve të punësimit më të madh. Dhe ne jemi të bindur se krahas
kësaj, lëvizja e lirë është gjithashtu një faktor madhor që mundëson
shkollimin dhe punësimin e qytetarëve shqiptarë në rajon dhe në mbarë
Evropën.


Të dashur delegatë dhe delegate!

Ky është mandati ynë i dytë. Në këtë mandat ne jemi në koalicion me
një partner të majtë, me një anëtar të koalicionit, i cili në programin
e tij, si shtyllë kryesore ka integrimin e vendit në Bashkimin
Evropiane dhe Shqipërinë sociale. Ne ndjehemi të vendosur të jetësojmë
çdo ditë krahas programit tonë, programin e partnerëve tanë sepse
aspirata e integrimit, ideali evropian, nuk është monopol vetëm i ynë.
Këtë ideal e mbështetin 94 për qind e shqiptarëve, pavarësisht nga
spektri politik. Ndjehemi shumë krenar, që qëndrojmë në këtë ideal,
jemi shumë të kënaqur që në këtë koalicion kemi një parti që përfaqëson
interesat e vërteta të elektoratit të majtë. Të vendosur të ecim së
bashku në zgjedhjet e 2011, të ecim së bashku në zgjedhjet e 2013, të
ecim së bashku në zgjedhjet e 2024.

E kemi ne sekretin e suksesit, e kemi ne suksesin e vazhdimësisë. Ai
qëndron në pasion tonë për lirinë, në përkushtimin tonë për lirinë, për
të garantuar liritë dhe të drejtat e qytetarëve. Këtu qëndron sekreti i
fitores tonë, këtu qëndron sekreti i suksesit tonë. Rrofshi ju, rroftë
Shqipëria!”
Agim Gashi
Agim Gashi
Administrator
Administrator

Numri i postimeve : 45955
Age : 70
Location : Kosovë
Registration date : 17/11/2008

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Mbrapsht në krye

- Similar topics

 
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi