Akllapi Net - Forum i Hapur
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

Halil Matoshi: Mjerimi i parlamentarizmit

Shko poshtë

Halil Matoshi: Mjerimi i parlamentarizmit Empty Halil Matoshi: Mjerimi i parlamentarizmit

Mesazh nga Agim Gashi Sun Jan 25, 2009 11:15 pm

Halil Matoshi: Mjerimi i parlamentarizmit Photo_10





Mjerimi i parlamentarizmit

Debati parlamentar rreth tekstit të Rezolutës me të cilën do të dënoheshin krimet e komunizmit degradoi në shfrim romantik-patriotik dhe shfrenim emocional, pra në debakël parlamentar dhe shoqëror, duke shpërfaqë ashiqare intencat e luftës për pushtet (deklarimin e dosjeve në mënyrë selektive për denigrim dhe shpushtetizim politik të personaliteteve apo grupeve shoqërore që perceptohen si kundërshtare politike), por edhe shfaqi intencën morbide për ta rikthyer në shoqërinë kosovare hakmarrjen.

Nga Halil Matoshi më 25.01.2009 në ora 13:02

Parlamentarët e Kosovës e kanë një hendikep mental dhe nonsens logjik, kur mëtojnë që nga premisat e një ideologjie, qoftë protokumuniste (enveriste) qoftë asaj demokratike të dënojnë një ideologji tjetër, në këtë rast atë komuniste. Kështu abuzohet vetë ideja e Rezolutave të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës (1996 dhe 2006.)

Deputetët kosovarë nuk e kuptojnë frymën e vlerave të përbashkëta europiane, nga e cila burojnë këto dy Rezoluta, të cilat nuk ndajnë kurrfarë gjyqi epokal, as politik dhe as ligjor e akademik kundër komunizmit si doktrinë, por u bëjnë thirrje vendeve të ish bllokut lindor që aspirojnë anëtarësimin në BE, që t’i dënojnë krimet e komunizmit, pra jo të sistemin politik si të tillë dhe konform më këtë, sygjerojnë të nxirren ligje të aplikueshme, që e rikthejnë drejtësinë dhe rehabilitojnë moralisht e materialisht viktimat si dhe purifikojnë figurat publike.

Në këtë aspekt, në debat priu media e shkruar dhe posaçërisht Gazeta Express. Por media nuk e zëvendëson opozitën parlamentare, siç perceptohet nganjëherë në mendësinë kosovare, ajo as që është e domosdoshme të identifikohet me alternativat e opozitës parlamentare dhe joparlamentare. Media duhet të jetë neutrale dhe mbi “teorinë e lojërave” politike dhe qasjet partikulare e selektive.

Debatet mediatike synojnë emancipim shoqëror, pa i dhënë të drejtë ‘bianco’ pushtetit ose opozitës, së këndejmi debati për Rezolutën që do të dënonte krimet e komunizmit në media ishte larg më cilësor dhe i balancuar se sa debati parlamentar, që rrëshqiti n’lloq deri n’fyt.

Sepse Kuvendi i Kosovës nuk e kishte idenë t’u përgjigjej pyetjeve fondamentale: Prej kur e deri kur ka sunduar diktatura komuniste në Kosovë dhe çka e dallon regjimin e Serbisë miloseviciane nga komunizmi jugosllav, dhe, a ka qenë Kosova juridikisht (mbështetur në të drejtën ndërkombëtare) e okupuar edhe nga Jugosllavia e Titos, apo vetëm pas vitit 1989?.

Pa u dhënë përgjigje meritore këtyre pyetjeve, çfarëdo rezolute është e paobjekt dhe abuzuese me të drejtat e njeriut dhe liritë qytetare, pra është kundër vetë frymës së Traktatit të Starsbourg’ut të KE’së.

Kur më 22 janar 2009 po diskutohej Rezoluta për dënimin e krimeve të komunizmit, të pranishëm ishin vetëm 36 deputetë, kurse Kryeministri me disa ministra shiheshin duke dalë e hyrë gati të painteresuar për këtë çështje që diskutohej. Kjo e shpreh papërgjegjshmërinë e skajshme të deputetëve të Kuvendit të Kosovës, si bartës të sovranitetit të popullit.

Megjithatë, Kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi ishte i vetmi që saktësoi se komunizmi si sistem politik në Kosovë ka vdekur tash e 19 vjet. Gjë që deputetët pjesëmarrës nuk ia kishin idenë!? Pra, vetë teksti i Rezolutës dhe shumica e deputetëve, që diskutonin këtë çështje, i përzienin epokat, sistemet politike dhe regjimet, në mungese të dijeve elementare, që përkojnë me dijet e një filloristi.

Çka mund të presin qytetarët e interesuar, pra edhe vetë viktimat e komunizmit si dhe të mbijetuarit nga tortura, prej një tekst-rezolute të shkruar nga dora mjerane, (të themi i përkthyer keq eventualisht nga kroatishtja!?) që as nuk e di se për çka po shkruan, që përzien komunizmin jugosllav me fashizmin serb, që ashiqare nuk i ka lexuar Rezolutat e Asamblesë Parlamentare të KE’së (1996 dhe 2006.)

Ndërkaq që, deputetët e Kosovës nuk dinë se komunizmi në ish Jugosllavi dhe Kosovë ka rënë më 1989, përkatësisht në vitin 1990, kur me vendim të Kuvendit Federativ janë formuar dhe regjistruar partitë politike, (pra edhe ato në Kosovë) pastaj janë shpallë dhe mbajtur zgjedhje parlamentare dhe lokale shumëpartiake, në të gjitha republikat e ish Jugosllavisë, pra edhe në Serbi.

Pas vitit 1990 në Serbi ishte vendosë një demokraci formale, por që këtej pari degradoi në fashizëm klasik. Lufta për dominimin e institucioneve federale të ish Jugosllavisë nga Serbia dhe serbët, kundër të gjitha kombeve dhe kombësive (ky ishte formulimi politik-kushtetues) joserbe ishte projektuar në rrethet ultra-nacionaliste serbe, kurse represioni ishte institucional, pra terrorizëm shtetëror, sepse partia milionëshe e Slobodan Milosevic’it (SPS) nuk ishte e vetme në përpjekjet hegjemoniste, por ajo kishte një konsensus kombëtar, duke nisë me ASHAS dhe elitat kulturore, Kishën Ortodokse Serbe, ushtrinë dhe policinë si dhe shërbimet e fshehta, gjyqet dhe administratën shtetërore; pra projekti nacional serb ndërtohej mbi postulatin e Llagerit, (kampet e përqendrimit dhe spastrimit etnik) dhe përmasave gjenocidale (vrasjet masive dhe deportimeve të popullsive) gjë që e identifikon si fashizëm koncesual.

Nëse është kështu, padyshim se Kuvendi i Kosovës duhet që t’i votojë dy Rezoluta, njërën për dënimin e krimeve të komunizmit 1945-1989, konform me traktatin të Starsborg’ut të Këshillit të Europës dhe tjetrën, kundër fashizmit serb (1989-1999.)
Ky tekst i paqartë rezolute, ‘Made in Kosova’ (i shkruar si një hartim i keq shkollor dhe i stërngarkuar me emocione e jo me postulate racionale juridike e politike) mëton ta dënojë krejt historinë botërore gjysmë shekullore, me disa formulime të paqarta dhe banale, me terminologji joadekuate si krimet totalitare, komuniste e shoviniste, gjenocidale, etj.

Teksti i Rezolutës, e fut fjalën ‘shoviniste’ dhe e përdor plot shtatë herë, duke dashur që të konotojë aspekti etnik në dënimin e krimeve, që do të thotë se krimet ndaj shqiptarëve të Kosovës ishin jo të regjimit totalitar komunist, por të etnisë tjetër (aludohet tek serbët), ndonëse regjimi komunist jugosllav ishte njësoj për të gjithë, antidemokratik. Kjo gjuhë nuk përkon me terminologjinë e Rezolutave të AP të KE’së.

Duke mos bërë dallimin e qartë të komunizmit me fashizmin serb që u institucionalizua më 1989, teksti i Rezolutës plot katër herë përmend fjalën ‘gjenocidale’, term ky që po ashtu nuk përkon me frymën e Rezolutave në fjalë. Nuk them se nuk ka pasë tendenca të tilla edhe në kohën e komunizmit (sidomos shpërngulja e shqiptarëve për në Turqi), por ato në një mënyrë ose tjetër janë ndëshkuar tashmë, nga vetë realiteti i ngritjes institucionale të Kosovës, si entitet i barabartë politik (subjekt konstitutiv i federalizmit jugosllav.)

Tentim gjenocidi në Kosovë ka ndodhë pas rrënimit të autonomisë së Kosovës, pra pas rënies së komunizmit, dhe kjo periudhë nuk është materie e kësaj Rezolute. Termi ‘gjenocidal’ ka peshë sidomos pas vitit 1989 dhe posaçërisht gjatë konfliktit të viteve 1998-99 dhe për këtë kreu politik dhe ushtarak e policor serb ka marrë dënimin e merituar, së pari nga bombat e NATO’s, pastaj përmes Gjyqit për Krime Lufte në hapësirat e ish Jugosllavisë në Hagë dhe së treti, me pavarësinë (shkëputjen definitive nga çfarëdo juridiksioni serb) e Kosovës dhe njohjen e saj ndërshtetërore.

Por, të shohim alogjizmat dhe marret e tekstit të kësaj rezolute: Pasuesi i dytë në arsyetimin bazë të Rezolutës thotë: “Duke marrë parasysh faktin tashmë të njohur dhe të verifikuar (nga kush të njohur dhe të verifikuar?), se regjimet totalitare komuniste shoviniste në ish Jugosllavi, në vijimësi, në mënyrë sistematike dhe të institucionalizuar kanë ushtruar format më të rënda të politikave kriminale, zbatuese diktatoriale (e kush e di se çka thotë ky formulim???) represive dhe gjenocidale, në funksion të zbrazjes etnike (sic!), shkombëtarizimit dhe ndryshimit të dhunshëm të përbërjes etnike të Kosovës dhe viseve të tjera”, (cilave?)

Pastaj, pasusi i katërt, është renditje fjalësh pa koncept dhe pa kurrfarë rëndësie, sepse me vetë faktin se Kosova tashmë është një shtet nominalisht demokratik, ndërtimi i një realiteti të ri të demilitarizuar, të demonopolizuar dhe të dekriminalizuar... është e vetëkuptueshme. Në pasusin e pestë thuhet: “Duke qenë i përkushtuar t’i respektojë, mbrojë, avancojë dhe t’i inkorporojë në vazhdimësi vlerat më të larta (cilat vlera?, ato të kësobotshme apo hyjnore, politike apo ligjore?), kur dihet se vlerat do të duhej të përcaktoheshin qartë: vlerat e përbashkëta evropiane!

Por budallallëqet nuk kanë fund: “(...) dhe integrimin në familjen e madhe evropiane, përkatësisht në euro-atlantike”; Përgatituni të qeshim bashkë! Më tej thuhet: “Kuvendi i Republikës së Kosovës vlerëson se dënimi adekuat i përgjegjësve dhe bartësve të krimeve, (nuk precizohet të cilave krime, ordinere, apo politike, ideologjike a etnike), si dhe procesi i lustrimit dhe riverifikimit në drejtësinë transicionale është në funksion të drejtpërdrejtë të normalizimit të gjendjes dhe vendosjes së shtetit të së drejtës dhe sundimit të ligjit, politikës së pajtimit, parandalimit (të çkahit???), si dhe të shfaqjeve të hakmarrjes e revanshizmit në të ardhmen”; Autori apo përkthyesi e humb fillin e fjalisë, kështu që, në fund del se “procesi i lustrimit dhe riverifikimit në drejtësinë transicionale është në funksion të drejtpërdrejtë të normalizimit, (...) si dhe të shfaqjeve të hakmarrjes e revanshizmit në të ardhmen.

Lexoni me kujdes dhe merrni nasihat, qysh masakrohet shqipja, përmes alogjizmave të tillë!? Në pasusin e parë të Rezolutës, me që kemi të bëjmë me dënimin e krimeve të komunizmit, termi ‘shfarosje’ është juridikisht i paqëndrueshëm në rastin e komunizmit jugosllav, (që si postulat është i barasvlershëm me stalinizmin) kurse termi “dhunimet”, është plotësisht i rremë, por duket se prapë parlamentarët e Kosovës e mendojnë regjimin e Milosevic’it, kur e thonë këtë!? Pasuesi i dytë i Rezolutës është krejt pa lidhje.

“Kuvendi i Republikës së Kosovës i dënon edhe të gjitha krimet e regjiment totalitare komunisto-shovensite të kryera ndaj gjithë popujve të ish-Jugosllavisë”. Kjo është kompetencë e Kuvendeve të atyre popujve të ish Jugosllavisë dhe Kuvendi i Kosovës nuk ka ingjerenca (sovranitet) mbi ata popuj, cilët do qofshin, për të dënuar ose jo krimet e komunizmit. Për mendjen dhe veshin e qytetarit normal, një formulim si ky, është jonormal dhe jologjik.

Ndërkaq që ndonjë deputet i mendësisë së retarduar nga provenienca e shpellave (Driton Tali) përmes gjuhës raciste tenton ta dënojë komunizmin!? Ai tha se duhej futur në tekstin e Rezolutës edhe fjalën ‘racizëm’. Mendësia e tillë mëton ta dënojë të keqen duke u mbështetur në vetë paradigmën e saj, gjë që diç të tillë në komunikime publike nuk kam hasur qysh nga manipulimet me formulime kuazishkencore të Jakov Milajt.

Tali e bëri lloq krejt, sepse siç u shpreh, “në mesin e viteve ’90 ka pasur racizëm ndaj shqiptarëve që nuk ishin të racës sllave por të racës shqiptare!”? Kurse Kuvendi po diskutonte për krimet komuniste. Tabloja e përkatësisë së gjakut, origjinës, e kuvendimeve parlamentare në Kosovë kështu po hynte në pikëpamje biologjistike, pra ahistorike të botës. Dhe për habinë e secilit qytetar normal të këtij vendi, e në sy të botës, askush nuk del të reagojë ndaj kësaj ndotjeje të fjalës publike.

Nejse, mjerimi vazhdon... Në anën tjetër, është hipokrizi, që deputetë si Hydajet Hyseni, i cili përket në grupin e interesit (si viktimë e ish regjimit komunist) do të duhej të ishte shembull i mirë dhe të kërkojë drejtësi për të gjithë shtetasit dhe mbrojtje të të persekutuarëve me ligj (që sigurisht se e ka koston e vet) dhe të kërkojë ruajtje të balancit shoqëror, për hir të kohezionit kombëtar, trumbeton dënimin e një komunizmi nga premisat dhe pikëpamjet e një komunizmi tjetër, totalisht të degraduar, siç ishte enverizmi, pra nuk do dënimin e krimeve të një sistemi totalitar përmes ligjit (të drejtës) por përmes ideologjisë.

Natyrisht se votimi i një rezolute të tillë do të ishte skandal dhe turp për Kuvendin e Kosovës dhe shoqërinë kosovare. Definitivisht nuk pres që teksti i Rezolutës të ndërrojë subsatancialisht për nga mendësia (jo vetëm gjuhësisht), sepse realisht, nga kjo Rezolutë do të duhej të buronin edhe ligjet përkatëse, si Ligji për hapjen e dosjeve të policive sekrete komuniste, ligji për trajtimin e të mbijetuarve të torturës dhe të burgosurve politikë, si dhe ligji për lustracionin e figurave publike, që të gjitha me kosto shumë të larta dhe me implikime buxhetore.

Por, ajo që bie në sy, në tekstin e Rezolutës mungon definimi për zbardhjen dhe hetimin e vetë krimeve konkrete komuniste (thuhet pakuptueshëm hulumtim dhe hetim të gjithanshëm shkencor, kur dihet se shkenca e bë punën e saj pavarësisht nga rezolutat), sepse lidhur më këtë duhet të nxirret edhe ligji për gjetjen e varreve, ekshumimin dhe identifikimin e të pushkatuarve nga regjimi komunist dhe për rehabilitimin e tyre moral e politik.

Sepse askush nuk ka të drejtë, të gërmojë varreza masive (të përbashkëta) ose individuale, pa infrastrukturë ligjore dhe ekspertizë shkencore (ADN.) Shkurteshqip, dita e 22 janarit ishte krejt kot (këtë e thanë edhe deputetit i LDK’së, Sabri Hamiti dhe ai i AAK’së Ardian Gjini) pra që kosovarët normalë do të dëshironin ta harronin shpejt, si diçka të parëndësishme për parlamentarizmin kosovar. Së pari, për të ndrequr diçka, duhet të merret nasihat nga diçka e keqe dhe e shëmtuar. Së dyti, për politikbërje duhet guxim dhe racionalitet. Së treti, kur s’di vet, thirr në ndihmë dikë që di ose vidhe nga ata që dinë.
Agim Gashi
Agim Gashi
Administrator
Administrator

Numri i postimeve : 45955
Age : 70
Location : Kosovë
Registration date : 17/11/2008

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Mbrapsht në krye

- Similar topics

 
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi