Akllapi Net - Forum i Hapur
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

Halil Matoshi: Shuplaka

Shko poshtë

Halil Matoshi: Shuplaka Empty Halil Matoshi: Shuplaka

Mesazh nga Agim Gashi Mon Jun 15, 2009 12:20 am

Halil Matoshi: Shuplaka U1_HalilMatoshi
Shuplaka

Nga Halil Matoshi

Kosova nuk ka armiq, të mëdhenj o të vegjël, vuan nga vetvetja!

Trajtimin e keq në vend të balancimit të dinjitetit (nëpërmjet njohjes së meritave dhe pensionit nacional ose inkuadrimit në TMK e FSK) të luftëtarëve të Kosovës do të përpiqem ta shpjegoj përmes tre personazheve, të cilët, secili në mënyrën e tij, shprehin mllef ndaj shoqërisë kosovare dhe institucioneve të shtetit për mungesat e mëdha në ligjin për veteranët, por edhe për thyerjen e dinjitetit. Kjo shtresë shumë sensitive, duke qenë se u la pa mbrojtje institucionale, u desh që t’i rreket mbijetesës dhe në këtë shteg, disa u rebeluan, si Safeti, të tjerë si Skënder Havolli u thyen dhe ranë vetë, ndërsa ata si Silvana që shprehen, duhet të shtypen, në fjalë...

Sepse në fillim ishte fjala...

Safeti

Më ndali poshtë shkallëve, ku rëndom gjenden tualetet, të një restoranti në kryeqytet. Nuk e njihja. Dhe vetë ky fakt ishte bezdisës, por edhe vendi ku ai më mbante ligjëratën e tij pas disa birrave, ishte mos vet! Më tha se ishte i irrituar, pse paskësha thënë në një televizion se nuk frikësohesha që mund të ma japë dikush një shuplakë për atë që shkruaj dhe flas, sepse kisha ndërtuar një kredibilitet profesional dhe moral dhe pikërisht ai donte të më tregonte se nuk mund të flitet për asgjë me siguri në Kosovë, ku askujt nuk i lejohet luksi i të menduarit ndryshe, kredibiliteti profesional dhe as ai moral.

“Dua të ta kërcas një shuplakë”, më tha dhe unë, natyrisht si civil i paarmatosur, siç u ndodh gjithnjë qytetarëve në vendet postkonfliktuale, m’u desh t’i them O.K.

As që kisha ndonjë zgjidhje tjetër. Ky personazh i armatosur po vazhdonte të m’i numëronte të gjitha fjalët dhe botëkuptimet e mia, madje edhe të shtrembëruara dhe të keqkuptuara. Pra, të thënat e mia që atij nuk i kishin pëlqyer dhe inkriminimi ndaj meje ishte aq i madh sa jo një shuplakë, por, sipas asaj logjike provinciale dhe agresive, s’e paguante as plumbi. Ai plumbi prej fjale, të cilin e ruaj kujtim nga një koleg im i një gazete kosovare, që është derivat i kësaj mendësie që motivon vetëgjyqësi.

Ligjërata e tij ishte krejtësisht politike dhe përkonte me fjalorin e qeveritarëve dhe medieve të asaj mendësie.

Nuk brengosem për një shuplakë në këtë vend dhe nga njerëzit e këtij vendi, do t’i kem thënë Safetit, para se ai të ma lironte shtegun që të dilja lart, tek tavolina ime e pistë dhe të ikja nga ajo kafehane e mallkuar... Të ikja madje edhe nga ky qytet i palarë me taksinë e parë që pashë ndanë xhadesë së pluhurosur. Mendja më vajti që të ikja larg. Shumë larg, gjë që s’kam mundur ta bëja asnjëherë, madje as në vitet e hershme ‘90 dhe as gjatë bombardimeve të NATO-s mbi forcat serbe të sigurisë. Reagimi im i butë, ndoshta e zmbrapsi djalin nga qëllimi i tij i momentit. Nuk e di kurrë se si mund të sillet në këtë qytet një njeri i mbijetuar, ose një njeri i uritur, një paranoid ose hajdut, nuk e di nëse do ta kërcas shuplakë ose do të ik nga ti!? Madje më thonë ekspertët se shumë njerëz në Kosovë janë nën tiraninë e stresit posttraumatik, ose edhe të porositur nga segmente të politikës, me e nguc qytetarin normal, me e hallakatë jetën normale të një qyteti.

Djali me allti, personazhi i parë nga kjo Kosova reale është Safeti, ose së paku kështu më është prezantuar, është përfaqësuesi agresiv i injorancës perfekte të njerëzve të rëndomtë, ose është i motivuar nga dikush i fortë, që bën kujdestari mbi qytetarët, gazetat dhe televizionet, mbi gazetarët, kombin, shtetin, fjalën e lirë... Pra, ai nuk është që nuk di shkrim-lexim, sepse ai i ndjek debatet në gazeta dhe në TV, dhe që i jep vetes të drejtën për kërcënimin e atyre që i duken se nuk janë si ai, ose si ata, ose i duken të huaj, më qyqarë e të ftohtë seç është ai vetë. Ai, siç thotë, nuk është komandant por ushtar Kosove. I tillë ka qenë dhe ka mbetur.

Ose të tjerët, që nuk mendojnë si ai, i duken vërtet armiq. Sepse pushteti, secili pushtet për të identifikon atdheun, kombin, shtetin dhe lirinë, luftën e tij dhe për të nuk mund të ketë liri përtej asaj që ai e koncepton si të tillë. Liria e tij, nuk kufizohet me lirinë time. Sepse armiku i fabrikuar që nuk mendon si ai nuk ka të drejtë, jo që të jetë i lirë, por nuk ka të drejtë as të mendojë, as të guxojë dhe as të flasë e të shkruajë.

Ky është njeriu tipik që e ka prodhuar modeli qeverisës i këtij vendi.

Skënderi

Kurse personazhi i dytë, vjen po ashtu nga Kosova reale (që e përjetojmë përditë) por i lodhur e i ligështuar, deri në këputje, madje edhe nxjerr lot para kamerave televizive dhe nuk ka një armë. U prezantua si Skënder Havolli. Edhe ky thotë me gojën e tij se ka qenë ushtar Kosove. Por që mospasja dhe pamundësia është për të armiku më i madh që e frikëson deri në lot. Fëmijët e tij, dathë e deshë, para TV-kamerave kërkonin bukë. Një foshnjë, siç tha vetë e ëma, kur kërkon tamël i jep sherbet (ujë me sheqer.)

Dhe që të dy këta personazhe në qasjet e tyre ndaj jetës, lirisë dhe botës (asaj botës që s’e njohin) janë tipa idealë që e shprehin botëkuptimin injorant, por perfekt të njeriut të rëndomtë kosovar, i cili nuk do dhe nuk di. Asnjërin nuk e gjykoj, përpiqem t’i kuptoj.

“The ignorant perfection of ordinary people”. Ky është titulli i një libri. Autor është R. Inchausti nga Universiteti Shtetëror i New Yorkut. Injoranca perfekte e njerëzve të rëndomtë, i bie shqip.

Personazhi i parë është perfekt në agresion. Ai mbron njëfarë krenarie kombëtare, pa e ditur se abuzimet më të mëdha bëhen gjithnjë në emër të kombit.

I dyti është perfekt në trishtim e frikë nga jeta, sepse është i uritur, ai është thyer pa ditur ta orientojë agresionin për jashtë, nuk ka ditur t’ia adresojë fajtorit të vërtetë akuzën pse ai është kaq i varfër dhe i pashpresë.

Kjo pamje ishte një shuplakë e hidhur ndaj shoqërisë kosovare. E, personazhi i tretë, nuk është aq disidental sa incidental, sepse të jesh normal në këtë vend është incident!?

Silvana

Por, cili ishte kontributi i vogëlushes Silvana, për lirinë e shprehjes në Kosovë dhe çka dëshmon turri i pushtetit për ta shtypur, duke e cilësuar atë që tha ajo si fjalim armiqësor e të porositur nga dikush, që presupozohet të jetë një armik ndjellakeq, që nuk ia do të mirën atdheut.

Personazhi i tretë, që i shprish, i lëviz paksa këta kufij të injorancës perfekte, por që ballafaqohet me stigmatizim nga fuqia e pushtetit injorant. Injoranca është fuqi.

Mirëpo, fjalimi i Silvanës është shembulli më i mirë se si manipulon klasa politike kosovare me historinë, luftën dhe simbolet, duke llogaritur në injorancën perfekte të njerëzve të rëndomtë, duke u përpjekur që ta instrumentalizojnë atë për qëllime të mbajtjes së pushtetit. Tendenca që e bija e dëshmorit të shpallet e manipuluar nga dikush (një armik kujdestar!?) është kulmi i agresionit ndaj secilit qytetar dhe qytetareje që kritikon hajdutë të ngritur në spiralen e paaftësisë – në majat e pushtetit. Pra, shqiptuesja e kritikës kundër pushtetit, një vajzë e vogël, bijë e një ushtari të rënë të Kosovës, nga të fuqishmit e qytetit të saj, mëtohej të ndëshkohej, së paku me ndonjë shuplakë!? Justifikimet bajate dhe fabrikimi i armikut nga një vajzë e vogël, nga ana e kryetarit të Prizrenit, Ramadan Muja, dhe deputetit të PDK-së nga ky qytet, Zafir Berisha, e shprehin pikërisht luftën e hapur kundër secilit që i bie nder mend ose që merr guximin për t’u shprehur ndryshe, pra për ta thënë realitetin me fjalë. Ajo mbronte babanë e saj nga harresa e pushtetit, nga mostrajtimi i barabartë, kurse këta e mbronin babanë e saj, tashmë dëshmor nga fjalët e së bijës, e cila po thoshte se për të liria është e errësuar!

E si p.sh., Silvana nuk u pa p.sh. në rreshtin e parë të atyre që pritën Joseph Bidenin në Aeroportin e Prishtinës!?

Fjalët e saj ishin shuplaka më e fortë për fytyre të pushtetit.

Zoti Berisha tha se e kishte njohur Selver Maçkajn dhe po të ishte gjallë ai, 70 për qind e fjalimit të Silvanës nuk do ta kishte pranuar!? Ai këtë e ka thënë me plot kompetencë.

Kjo është logjika e klasës politike të vendit ku jeton Silvana dhe nja dy milionë kosovarë të tjerë.

Dhe tash besoj, më kupton më mirë edhe Safeti, nga fillimi i këtij shkrimi. Nëse ai e ka pa storien në TV me bashkëluftëtarin e tij Skënder Havolli, thyerjen dhe mallkimin e luftëtarit, dhe nëse e ka dëgjuar apo lexuar fjalimin e Silvanës dhe nëse i merr për të vërteta të dhënat e botuara po në “Kohën Ditore” se numri i veteranëve të luftës është fryrë nga “qatipë” dhe komandantë të ndryshëm me të njohshëm, prej 17.500 në 31.200, atëherë sigurisht që komentet e tij do të kenë ndryshuar.

Dhe dua të besoj se ai, do të më kërkojë falje një ditë, për paragjykimet e ndërtuara, që s’kanë për t’i ndihmuar kurrë këtij vendi që të bëhet normal, si të gjitha vendet ku jetohet pa frikë, se papandehur vjen një tip në tavolinën tënde dhe ta fut një shuplakë...

Në vitin 2000, një gazetar i “Christian Science Monitor” më bëri pyetjen: Si e ndien lirinë e Kosovës, çka është liria për ty?

Që të mos mund të vijë një tip i Shumadisë e t’ia fusë shkelm tavolinës sime, ku po e pi këtë macchiato, kjo përafërsisht është liria për mua, i jam përgjigjur atëbotë.

Silvana nuk e ka ndier lirinë e vendit të saj as më 2009, sepse dalin do tipa nga rrethi i Prizrenit dhe, meqë ajo është tepër e re, e s’mund t’i thonë se është armike e Kosovës, i thonë se fjalimi i saj ishte i porositur dhe ndjellakeq, pra ajo është manipuluar nga një armik i madh...

Jo, Kosova nuk ka armiq, të mëdhenj o të vegjël, vuan nga vetvetja!

halil.matoshi@kohaditore.com
Koha Ditore
Agim Gashi
Agim Gashi
Administrator
Administrator

Numri i postimeve : 45955
Age : 70
Location : Kosovë
Registration date : 17/11/2008

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Mbrapsht në krye

- Similar topics

 
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi