Monda Korca: Te ruajme vlerat kombetare dhe identitetin kombetar shqiptar. Interviste e Raimonda Moisiu, dhene gazetares Fatime Kulli
Faqja 1 e 1
Monda Korca: Te ruajme vlerat kombetare dhe identitetin kombetar shqiptar. Interviste e Raimonda Moisiu, dhene gazetares Fatime Kulli
Monda Korca: Te ruajme vlerat kombetare dhe identitetin kombetar shqiptar. Interviste e Raimonda Moisiu, dhene gazetares Fatime Kulli
Raimonda Moisiu, autore e veprës:
- "Jeta mes dy dashurive" me publicistikë, prozë dhe ngjarje të jetuara,
-Romani: "Pafajsia e Eves",
-Vellimi me tregime & esse:"Duke kerkuar Ardianen...",
-Libri me publicistike ne rrafshin kombetar e global: "Gerhitja e Gjeneraleve",
-Vëllimet me poezi: "Dashuria nuk ka emër""
-Sikur nuk me ke puthur kurre",
-Bashkëautore në kater antologji te poezise shqiptare, "Zemra Prindërore", nga Forumi virtual"Memedheu",- "Itaka e Fjales", - nga Fotjon Art, - "Tempulli i fjales", ne rumanisht me editor Baki Ymerin,
-Bashkeautore ne antollogjine boterore ne anglisht :Who'Who, me titull :Poetry from five continents"
Ne antologjine ne proze "Nëna", -nga rrjeti Nderkombetar i Grave online (PAWN). Bashkëpunëtore e disa gazetave në Shqipëri, "Tirana Observer", "Panorama ", "Ndryshe", etj. Raimonda ka studiuar fakultetin e gjuhëve të huaja, dega Anglisht dhe ka punuar mësuese e gjuhës angleze në Korçë. Gjithashtu, ka kontribuar në organizatën jo qeveritare "Në dobi të gruas shqiptare", me Sevim Arbanen, dhe në Misionin e Bamirësisë "Nënë Tereza" në Korçë.
Ne proces botimi ka kater libra:
Nje liber me proze, novele, publicistike dhe nje me poezi ne gjuhen angleze.
Intervistoi Fatime Kulli
Zonja Raimonda, jeni bërë një emër shumë i dashur në mediat shqiptare, edhe pse jetoni shumë larg. Sa vjet keni që jetoni në Amerikë dhe çfarë ju lidh me gazetarinë?
Unë jam lindur, rritur e edukuar nga dy prindër, njerëz të thjeshtë, dashamirës të artit, kulturës e historisë. Nëna ime, një nga mësonjëset e para të viteve '60, edukoi dhe mishëroi te unë, ndjesinë e të studiuarit shumë. Ndërsa babai im i ndjerë si biri i një fanolisti dhe një partizan i dalë nga lufta për ideal e liri, biles me plagë në trup, deri në humbjen pjesërisht të shikimit, edukoi te unë muzën e patriotizmit, atdhedashurisë, humanizmit për njerëzit e thjeshtë. Një dashamirës dhe hulumtues me pasion e dëshirë përtej fuqive të tij, për historinë e popullit tonë, ai më tregonte çdo mbrëmje histori nga më të ndryshmet për ata që kishin luftuar për komb e atdhe. Babai im i ndjerë, është me origjinë nga Kamenica e Korçës, një fshat 8 km, larg qytetit, që njihet për traditat patriotike, atdhedashurie, për burra punëtorë të besës, burra që historinë e tregojnë duke kënduar, një fshat që njihet për antikitetin e para erës sonë, si "Tuna e Kamenicës". Do më pyesësh si duke kënduar??! Këndonte gjithë ditën nëpër shtëpi këngë patriotike, atdhetare, për Plakun e Butkës, Spiro Ballkamenin, Zenel Gjolekën, Isa Boletinin, Bajram Currin, Ismail Qemalin, Çerciz e Bajo Topulli, etj
Idhulli i trimërisë dhe patriotizmit për babanë tim ka qenë Çerciz Topulli, sa ai në çdo gëzim familjar këndonte këngën "Te rrapi në Mashkullorë", traditë e amanet që ka mbetur te ne bijtë e tij sot. Një ndikim jashtëzakonisht të madh në formimin tim letrar ka pasur, daja im i ndjerë, vëllai i vetëm i nënës sime, inxhinier pyjesh e mik i ngushtë i Myslim Ketës, që kishte një bibliotekë me qindra libra letraro-artistike të autorëve shqiptarë e të huaj, libra të verdhë, që i ruante në tavanin e shtëpisë. Unë në moshën 13 vjeçare kam lexuar librin e "verdhë ","Belami" dhe në moshën 17 vjeçare, librin që ka lënë mbresa në adoleshencën time ,"Zonjusha me Orkide". Jam rritur në lagjen e aristokracisë myslimane të Korçës, e rrethuar nga njerëz të shquar të artit, kulturës, historisë, e rrethuar nga familje të tilla si: E bejlerëve Mytevelinj, e Merdanëve, Tuxharëvë, Tabakëve, e Profesorit, e historianit, Nedim Thëllimi, nga mësonjësja ime që më mësoi germat e para, Nimete Shtylla, në lagjen e Mirahorit të Madh, themeluesit të Korçës, aty, ku lartësohet Xhamia e ngritur nga Iljaz Bej Mirahori, nga fermerë të thjeshtë por njerëz që gëzonin virtytet më të mira të njeriut. Unë kam mëse 10 vjet që jetoj në SHBA. Me gazetarinë mua më lidh dashuria e pakufishme dhe…po po…e patjetërsueshme me asgjë tjetër në botë me atdheun tim e bashkëkombësit e mi. Unë sapo kam kohë të lirë, sulem në median shqiptare elektronike dhe lexoj me vëmendje gazetat, artikujt e tyre. Meqenëse më pyete…ja, nuk po tregohem modeste, dhe po të them se unë i njoh shumicën e gazetarëve shqiptarë prej stilit të tyre të të shkruarit. Sapo lexoj, ta zëmë, fjalitë e para të, Roland Qafokut, Mustafa Nanos, Adrian Thanos, Andrea Stefanit, Bashkim Muçës, Fatime Kullit, Afrim Imajt apo të mikut tim Riza Lahi, unë i dalloj menjëherë se dora e kujt është.. Pra, kam qenë një pasionante e madhe dhe e hershme e gazetarisë që në Shqipëri,duke blerë shtypin shqiptar çdo ditë. Është dashuria ime që unë kam për atdheun, Korçën time (përlotet), popullin tim, më ka shpënë te gazetaria që tani më pëlqen shumë…pafundësisht. Meqë më jepet rasti do dëshiroja të falënderoja, botuesin e gazetës "Ndryshe", z.Bashkim Nikolla që më ka krijuar hapësirë për të pasqyruar jetën e grave në diasporë, gjithashtu publicistin Roland Qafoku, për ndihmesën dhe hapësirën e padiskutueshme që më ka dhënë e më jep, duke më përkrahur mua në pasionin tim për gazetarinë, duke bërë përzgjedhjen e vlerësimin e shkrimeve të mija, e botuar ato në gazetat që ai ka kryeredaktuar e kryeredakton aktualisht. Është meritë e tij dhe e gazetës suaj, që sot unë jam një emër i dashur në shtypin shqiptar. Unë do të vazhdoj të shkruaj, kurrë nuk do të ndalem, të evidentoj vlerat më të mira të bashkëkombësve të mi në Diasporë, si shqiptarë që janë krenarë për kombësinë e tyre, si njerëz që respektojnë e zbatojnë ligjet dhe zakonet e vendeve ku ata jetojnë e punojnë, të evidentoj vlerat dhe kontributin e njerëzve të shquar të Korçës sime, për të ngritur e ndriçuar emrin e shqiptarit dhe identitetin tonë kombëtar, kudo ku ka shqiptarë. Dua që pena imë të mbjellë kudo emrin e mirë të shqiptarit.
Pra, ju keni 10 vjet që jetoni në SHBA, çfarë ndryshimi shihni mes Amerikës dhe vendit tonë në jetën sociale dhe atë politike?
Ka ndryshime, sigurisht. Megjithatë, ju këmbëngulni për diçka esenciale dhe, mbase, esencialja mund të jetë kjo: Partitë politike atje nuk trajtohen si bajraqe, ku, bajraktari sundon derisa vdes dhe është pikërisht ai që kujdeset se kush do t'i zërë karrigen. Më vjen keq, por një dukuri e tillë në vendin tim, mbase ka ardhur prej faktit se ne jemi thuajse një vend me origjinë fshatare dhe, nga ai masiv, u sulëm të ngremë një komunizëm ortodoks, i cili, si princip themelor për udhëheqësit e tij, kishte "udhëheqës permanentë". Ja, kësi "permanentësh" ka atdheu ynë i përbashkët që pas nëntëdhjetës. Njerëzit thonë "Partia e Xhuvelit apo e Lesit dhe e Ndokës", "Partia e Cekës" e Berishës apo e Tosit - i cili në fakt ka dhënë dorëheqje disa herë, ama, edhe ai, ka provuar të jetë pesë herë kryeministër. Një "bajraktar" partie ka pas qenë edhe një plak, që unë e kam pas takuar kur erdha në atdhe, Namik Hoti, që nuk rron më. Ai, ka pas thënë në mënyrë groteske fenomenin për të cilin flas dhe nuk ngjet në SHBA, se, "ne malokët zbresim nga kali vetëm me plumb". Unë aderoj në Partinë Demokratike të Amerikës. Por ne kurrë nuk themi Partia e Hillary-it, Billit, apo Obamës, apo e Bushit. Aty ka një diversitet mendimi e debati, në respekt reciprok ndaj njëri tjetrit, gjithmonë në vlerësimin e vlerave të lirisë e demokracisë që aspiron ky vend i madh. Për jetën sociale mund të them se në Amerikë askërkush nuk pretendon për të punuar. Sigurisht aty zë vend motoja e demokracisë: Aftësia, Dija, Eksperienca. Nuk ka aty biri i X-it apo Y-it, i këtij deputeti, apo i atij drejtori, i këtij lideri apo militant i kësaj apo asaj partie politike. Demokracia nuk e njeh "ligjin" të jesh i varur nga klani që të rrethon. Kjo në Shqipëri është institucionalizuar. Në Amerikë është: Të gjithë të barabartë para ligjit të punës! Kjo i ka bërë njerëzit të vetëdijshëm sa përmenda më lart që nuk pretendojnë se çfarë pune bëjnë. Gjithashtu në Amerikë ekonomia e tregut, kapitalizmi është më i rreptë, ndërsa Europa aplikon një kapitalizëm më të butë, social.
Ku ndryshon kultura e ekzistencës dhe fuqia e gruas amerikane me atë shqiptare?
Gruaja amerikane është shumë e mbrojtur nga ligji, ajo dhe fëmija. Nuk bëhet fjalë që një burrë të rrahë të shoqen, aq sa ajo të thërresë nga dhembja, dhe komshiu të mos njoftojë menjëherë policinë. Automatikisht bashkëshorti shkon pas policëve me duart ndër hekura, le të mos dojë sa të dojë e shoqja, nëna e fëmijëve të tij. Edhe për një ngacmim të vogël seksual, qoftë edhe me fjalë, mashkulli ka punë me bagën e të akuzuarve. Me ligj, është rreptësishtë e ndëshkueshme abuzimi seksual i pronarit a presidentit të firmës me punonjësen e tij, gjë që ngjet, siç kam dëgjuar, edhe në Shqipëri, Në rast divorci - ka plot raste që divorcet iniciohen nga gratë - gruaja merr saktësisht gjysmën e pasurisë së përbashkët. Një vajzë nuk ka përse të ketë frikë të hyjë në marrëdhënie intime me të dashurin e saj. Janë të zhveshur nga këto komplekse. Nëse ai nuk e njeh atësinë e fëmijës, ndihma e shtetit ndaj nënës është, po po, ngjet, të jetë edhe më e madhe dhe më e sigurt se sa kur babai ka detyrime ligjore, me të cilat nuk bëhet shaka. Gruaja amerikane është pjesëmarrëse në jetën politike dhe e organizuar në shoqata dhe lëvizje feministe që të mbrojë të drejtat e saja, ndaj të gjitha tendencave maskuliste. Ju lutem, meqënëse jemi në këtë temë. A është normale, a është njerëzore, a nuk është paturpësi dhe pacipësi shoqërore ky fakt i vetëm që unë kam hulumtuar nga atdheu? Ja, vetëm këtë do përmend, asnjë më. Pra…Lexoj papërjashtim në të gjitha gazetat "kronikën e zezë" sipas së cilës, u kap duke bërë seks, në flagrancë, një femër . Ia thonë së mjerës emër e mbiemër, emrin e babait e të nënës, nga është dhe ku banon; edhe për sa lekë ka shitur seksin e saj dhe…asnjë fjalë për fatkeqësinë e saj, për fatin e saj që e ka degdisur në këtë shkallë dhe, ç'është pjesa neveritëse e problemit, nuk përmendet fare emri i mashkullit që ia ka dhënë, ta zëmë, atë njëmijë lekëshe të ndyrë.. Asnjë femër në botë nuk dëshiron ta shesë trupin me para. Asnjë femër nuk është "e keqe" E…nëqoftëse unë, nënë e re, e divorcuar ,e ve, apo me një fëmijë jashtë martese, apo burri më ka ikur në emigracion dhe nuk sjell asgjë prej andej, kur shikoj që nuk ka bukë në tavolinë, mbyll sytë dhe them:-Hajde mo, në djall të vejë!. Po kush më detyroi mua të prostituoj ??! Sigurisht, varfëria, mospërkrahja e shtetit dhe përfitimi moral i njerëzve që më rrethojnë. Kjo është dramë shoqërore, e dhimbshme sa më s'ka. Por ama ky prostituim i çastit, do edhe një tjetër, nuk bëhet vetëm; bëhet me pronarin e njëmijë lekëshit. Përse atë nuk e përmend polici, por shoqëria e mbron, i cili, pikërisht ai ka ardhur te unë për qejf, për të shfryrë epshet seksuale, kurse unë, që e kam bërë nga ai hall i tmerrshëm, më poshtëron "më ç'nderon dyfish"??? Më falni, përdora "unë" që të mos fyej asnjë grua, që të them se më dhimbset shpirti për këto fatkeqe të atdheut tim, që përbëjnë 37 përqind të prostitutave italiane, sipas statistikave zyrtare. Dhe shoqëria sillet në mënyrë mizore. Gruaja është simboli dhe shpresa e së ardhmes, sjell në jetë brezat. Nuk të kushton asgjë për t'i dhuruar sa më shumë respekt, dinjitet femrës. Këtu po citoj fjalët e një koleges, mikes sime, Zonjës Kozeta Zavalani që thotë:- Është e bukur të jesh grua! Pikërisht është mrekullisht, dashurisht e shpirtërisht të jesh grua se je: Nënë, motër, mbesë, dashnore, grua e mbi të gjitha je ajo që në çdo hap dhuron, jep e merr: Dashuri njerëzore!.
Po burrat amerikanë ku ndryshojnë nga burrat shqiptarë, tek kultura apo tek violenca?
Burrat amerikanë…burrat shqiptarë….Mmmm…Zonja Fatime! A mendon se do të shaj dhe do të poshtëroj burrat shqiptarë duke ngritur ata amerikanë, apo të huaj? Oh, të lutem, jo më një ndarje e tillë "shtetërore" e "nacionale". Nëqoftëse do të zgjedhim një burrë ideal shqiptar dhe një burrë ideal amerikan, me të dyja duart kurorën e adhurimit do t'ia vija burrit të Shqipërisë. Ja sepse:Burrat shqiptarë kanë tipare mashkullore të lakmueshme për çdo femër ngado, sepse janë të ndërthura në tiparet e veçanta burrërore që kanë ata. Unë po jap, ja, ndonjë shembull kalimthi. Vite më parë, shtypi amerikan shkruante se si katër meshkuj të lagjes Bornx, New York,USA, kishin sulmuar një vajzë që po ecte e vetme. Ajo klithte dhe kalimtarët e rrallë që kalonin andej, vetëm kthenin kokat dhe vazhdonin rrugën e tyre. Me përjashtim të njërit. Ai u sul kundër kriminelëve dhe nisi të përleshej me ta me grushte dhe shqelma, pa llogaritur asgjë, përfshirë edhe jetën e tij, megjithëse vajzën nuk e kishte parë asnjëherë në jetën e tij. Të frikësuar nga sulmi dhe nga mundësia e ardhjes së policisë, të katër sulmonjësit u larguan dhe djaloshi i përgjakur e shoqëroi vajzën deri në shtëpinë e saj. Ai ishte një shqiptar! Burrat shqiptarë nuk tallen, nuk e poshtërojnë dhe nuk e denigrojnë ish të dashurën e tyre. Unë di disa raste se si, edhe kur janë divorcuar, edhe për çështje morali, burri shqiptar i ka marrë përsipër për vete të gjithë shkaqet e divorcit, duke i dëshiruar bashkëshortes "tradhtare", por nënë të fëmijëve të tij, një jetë tjetër me sa më pak andralla. Burrat shqiptarë janë edhe të pashëm. Ata, mbase të nxitur nga influenca orientale apo mbase edhe nga trashëgimia e tyre shumë e vjetër, nuk përfitojnë nga një gjendje e rënduar e femrës, që ta detyrojnë gjysmë me hir gjysmë e me pahir, seks. Ata e shprehin dashurinë jo "duke futur duart", por me sy, me dhimbje, me respekt dhe dinjitet.
Sa e vështirë ka qenë për ju integrimi në jetën sociale në Amerikë? Si keni mundur të edukoni dhe të shkolloni tre fëmijë pa baba, duke qenë vetëm një grua, pa përkrahje?
-Unë ju jap shumë të drejtë si ma drejtoni pyetjen. Të rritësh tre fëmijë në kushtet e tranzicionit në Shqipëri është një sakrificë e madhe por edhe një sfidë për mbijetesë. Nga një martesë e dështuar fëmijët e mi mbetën "jetimë" me baba gjallë, në një moshë relativisht të vogël. Nuk jam aspak pishman për vendimin jashtëzakonisht të vështirë por të domosdoshëm për t'i dhënë martesës sime atë fund. Biles është një vlerësim mjaft i rëndësishëm për jetën time e të fëmijëve të mi. Baba mund të jetë çdo burrë, por baba i vërtetë është ai që të rrit, kujdeset, edukon dhe aspiron më të mirën për krijesën e vet. Ky lloj babai i mungonte familjes sime. I vetmi kujtim i mirë që kam nga ish- bashkëshorti, është ardhja në jetë e tre fëmijëve të mi. Më pas mua mu desh që të bëhesha nënë e baba për ta. Kam punuar shumë, shumë - aq shumë sa kur vija në mbrëmje në shtëpi ,më duheshe një orë të mbaja këmbët në ujë të ngrohtë, se nuk i ndjeja. Më duheshe t'i rritja, t'i ushqeja, e më e rëndësishmja t'i edukoja, Më duheshe t'i mbroja nga veset e këqija të kohës, sidomos në fillimet e para të demokracisë ,në atë periudhë tranzicioni. Më duheshe të injoroja e sfidoja gojët e liga, dhe komplekset e mentalitetit për gruan e divorcuar. Unë veç mësuese që punoja në shtet, jepja edhe kurse private për t'ju vënë bukë në sofër fëmijëve dhe në të njëjtën kohë i merrja me vete në kurset private për t'i patur nën kontroll. Përkushtimi im ndaj tyre sfidoi mentalitetin e kohës, për një grua të divorcuar. Unë e fëmijët mbijetuam. Kur ndërron shtëpinë që kalon nga një e vjetër te një më e mirë është e vështirë, e jo më të lësh vatanin e të shkosh të jetosh në një vend, ku gjuha që flitet, apo kultura është krejt e ndryshme nga e jotja. Unë kur kam ardhur në Amerikë, isha e vetme me dy fëmijët e mi adoleshentë. Vija nga një sistem socialist në një vend kapitalist. Kjo ishte një betejë më vete për të luftuar me ndërgjegjen. Por unë kisha një eksperiencë me vete: Kisha fituar forcën dhe pavarësinë për të ecur në jetë së bashku me fëmijët e mi. Integrimi jonë në Amerikë, nuk ishte dhe aq i vështirë, falë diplomimit tim për anglisht dhe unë i sillja fëmijët, në këtë vend, me gjuhën që flitet këtu. Kështu ata u ambientuan shumë shpejt me jetën sociale amerikane.
Ju keni tre fëmijë, çfarë marrëdhëniesh keni me ta, dhe a ka ndryshuar tek fëmijët tuaj mentaliteti i "kolektivizimit" në familje, apo ata i janë përshtatur jetës së bashkëmoshatarëve të tyre amerikanë?
Marrëdhëniet e mija me fëmijët e mi, janë shumë të ngrohta, të dashura e në mirëkuptim të përbashkët për çdo gjë. Ata më konsiderojnë nënë, shoqe, mike. Më mbështesin shumë në pasionin tim të krijimtarisë letraro-artistike, biles ndonjëherë janë edhe redaktorët e mi, me ndonjë mendim. Biles djemtë diskutojnë edhe për të dashurat e tyre me mua, duke kërkuar edhe ndonjë mendim nga unë. Janë marrëdhënie jashtëzakonisht të çiltra. Fëmijët vlerësojnë sakrificat e mija, që unë i nxora në jetë e dritë. Tani për tani ne jetojmë bashkë, ruajmë traditën, por më vonë kur të martohen, sigurisht që do të shkojnë më vete. E sigurisht do të "grinden" (qesh) se kush do marrë mamin-se të gjithë më duan. Jam krenare dhe e lumtur për fëmijët e mi.
Cila është dashuria më e madhe për ju, dhe a keni mundur ta përjetoni atë?
Dashuria më e madhe? Hmmmm….Sa pyetje e bukur dhe sidomos sa e përgjithshme. Fjala dashuri në vetvete është një! Por në kuptimin e saj është një ndjenjë gjithëpërfshirëse. Gjithashtu ka dy shprehje për dashurinë: Të dashurosh dhe të jesh në dashuri. Të dashurosh është art më vete. Të duash dikë është art më vete, sepse edhe të qenit njeri është art më vete. Të jesh grua të të dashurojnë është art më vetë .Të kesh familje është art më vetë .Të përjetosh një dashuri nga më të bukurat e jetës është përsëri art më vete. Gjithkush në jetë mund të ketë disa dashuri. Secila eksperiencë ka motivet e saj të bukura shpirtërisht, apo të këndshme. Kam përjetuar një dashuri nga më të bukurat, nga më sublimet, të madhe si mund ta quajmë, më të mirat e jetës sime, mbas divorcit ,që rrallë mund ta provojë dikush, një dashuri që më dha motiv që ja dola në jetë .Është një dashuri që tashmë prehet diku në një cep të Tiranës, (përlotet)-që pret lule, qirinj sa herë unë vij në Shqipëri, -një dashuri aq e madhe që merr shumë vargje nga unë - si kujtim-se dua ta mbaj të freskët, të bukur ,fisnike ashtu si e kam përjetuar,se nuk dua ta besoj që nuk ekziston më...Kam edhe një tjetër dashuri tashmë -dashuria ime më e madhe, më e madhja në planet, më duket ajo që kam për nipçen tim, të bukur, Joshuan, -që mburret duke thënë: Jam shqiptar -korçar, more! Krahas kësaj dashurie, po rritet me furi edhe një tjetër, për poezinë…Kam qenë "në formë" me poezinë këto kohët e fundit dhe kam patur komplimente ngado. Një dashuri e tillë për poezinë më ka pushtuar shumë kohët e fundit. Ja, pra, t'i përmenda "Grande amore-t" e mija.
A vuan Raimonda (si grua intelektuale), nga komplekset e mentalitetit allashqiptar dhe sa e lirë është poetja Raimonda, nga liria e vetvetes?
Nuk do të isha dakord me fjalën "allashqiptar". Sepse gruaja shqiptare, në bazamentin e saj autentik, është e emancipuar, e barabartë me burrin, e përkëdhelura e tij dhe e tolerueshme prej tij. Mjafton të ketë durim tjetri e të hyjë në mrekullinë poetike të poezisë popullore dhe do të vërejë që në bagazhin shpirtëror e poetik të popullit shqiptar, nuk ka fare apo ka shumë pak qëndrime "allashqiptare" që janë pikërisht anadollake, mbeturina të andejshme. Është një këngë që thotë se Kici, një vajzë ka dashur ta helmonte të dashurin e saj, ta vdiste, moj, ta hiqte nga kjo jetë. Përse? Këngës nuk i duhet gjë ajo. Ama, i dashuri i saj, që ka shpëtuar për mrekulli, kërkon të pajtohet sërish me të dashurën e tij, nuk i dërgon as para, se nuk ka, as zbukurime të florinjta, se nuk ka, por i dërgon, ja, një gomar me dru…atë që ka…Shumë e bukur ë? Po po, do të flasim njëherë tjetër për këtë temë, duke të sjellë shembuj nga poezia korçare e Tefta Tashko Koços, Kostaq Dukës, Skënder Rusit, kompozitorit Pavllo Sholla, Mihallaq Andreas, Josif Mingës etj. Diku më lart të përmenda pavarësinë dhe forcën që unë kam fituar gjatë jetës. Unë jam shumë e lirë. Vetvetja. Këtë e reflektoj edhe në krijimtarinë time, ku liria ime është e pafrikshme, e çiltër e pa komplekse.
Ju shkruani në krijimtarinë tuaj drama sociale, (duke i personalizuar ato), a kanë lidhje përjetimi personale me autoren, si p.sh. "Ne nuk kishim asnjë faj"?
Mua ma ka qejfi të shkruaj në veten e parë. Kjo, sigurisht që nuk do të thotë se gjithçka ka lidhje me mua, si person. Nga ana tjetër, unë, nisur dhe nga vuajtjet e mia në jetë që kam kaluar, e vuaj dhimbjen time njëlloj sikur të më ketë ndodhur mua. Unë kam përjetuar shumë momente të dhimbshme në jetë. Në dy raste një ish-nxënësi im, 14 vjeçar, Marengleni, me vdiq në krahët e mi, nga plumbat në '97-ës. Kurrë nuk e heq nga mëndja atë dhe sytë e atij engjëlli që u ngul thellë në gjoksin tim e dha shpirt duke më vështruar sikur më thoshte: - mos më lerë të vdes (përlotet). Në rastin tjetër, para syve të mija plumbat kriminalë më vranë përsëri nxënësin tim të gjimnazit, sa kishte mbaruar orën e mësimit, me mua, në atë vit të mallkuar të '97-ës. Isha ca kohë më parë në Tiranë...U njoha me një vajzë që ishte e bukur si yll. E qeshur, shumë e re dhe që të dy prindërit ia kishte masakruar një kriminel. Nuk kisha asnjë dhuratë me vete dhe, hoqa byzylykun tim të florinjtë që kisha në dorë dhe ia vura asaj. Poezia "Ne nuk i kishim faj askujt", erdhi krejt papritur, kur shoku i fëmijërisë i djalit tim, -vdiq nga droga. U gjet diku në një kodër të qytetit të Korçës, i vdekur dhe me shiringë në krah. E kisha rritur, Sokolin, si fëmijët e mi, jo vetëm komshi, por edhe shumë shoqe me nënën e tij. Janë këto drama sociale, tragjedi të dhimbshme përtej dhimbjes, që mua më dhëmbin në shpirt, lënë gjurmë të thella në shpirtin tim, e i përjetoj në krijimtarinë time.
Më ka bërë përshtypje tema e poezisë suaj "Nëpër oqeanet e kujtesës" , sa e madhe është pesha e dhimbjes së poetes brenda qenies së saj personale?
Është e madhe, sa shumë herë unë mbyllem vetëm brenda ujërave të oqeaneve të kujtesës, harroj që ato kanë ikur, por nuk i fshin koha e kujtesa, Unë kam përjetuar disa dhimbje që pjellin dhimbje - po "përvetësoj"këtu një titullin e tregimit Tuaj, Zonja Fatime, Por që kam gjetur vetveten dhe e çliroj shpirtin në vargje .Unë kam humbur veç vëllait, babait, por edhe njeriun më të mirë të jetës sime, të cilit në krijimtarinë time i kushtoj shumë vargje. Dua të mbaj të gjallë kujtimin e tij, nga i cili gëzoj mbiemrin tim..
Me çfarë konkretisht merret Monda në punën e saj të përditshme, dhe sa e ka gjetur veten e saj në vendin më të madh të botës?
Unë merrem me profesionin tim, mësuese, falë evoluimit të diplomës që kam bërë. Por merrem me punët e shtëpisë me pasionin tim për të krijuar. Së shpejti dalin katër libra të mi për botim, një roman, një me publicistikë, një me poezi dhe një vetëm me prozë, ngjarjet e jetuara. Shpresoj deri në janar që vij në Shqipëri t'ia u jap lexuesve të mi. Dhe jam e intriguar pas një ëndrre që me ndihmën e miqve të mi korçarë do ta bëj realitet, t'i bëj dhuratë Korçës dhe kortarëve të mi, një libër: Korçarët e Rumanisë, e të Amerikës! Zoti më ndihmoftë!
Cilat janë ëndrrat e Raimondës të mbetura në sirtarin e Korçës?
Ëndërra për Korçën? ( Përlotet). Korça është shpirt i shpirtit tim. Aty kam qarë, qeshur, luajtur, dashuruar, lindur e rritur tre fëmijët e mi. Aty kam varrin e vëllait, të babait, të dajos, xhaxhait, të të parëve të mi, Korça është dhe ecën me mua kudo ku unë shkoj shpirtërisht ,dhe këtu ku ndodhem fizikisht. Unë kam me vete bliret dhe serenatat e dashurisë të Korçës sime. Unë tanimë jam qytetare amerikane, jam betuar para flamurit amerikan dhe rroj nën hijen e flamurit amerikan. Por unë jam shqiptare, unë jam:S A MIRË TË JESH KORCÇRE! Do më? Kur zbret avioni në Rinas, nis më rreh zemra me furi. Dua vetëm një gjë. Të më duan të gjithë dhe të largohem e përlotur nga atdheu, ndërsa aeroplani ngrihet sërish mbi Rinas. Ç'mund të bëj unë për Korçën? Po, ja, shikojeni krijimtarinë time. Në Amerikë e kam paraqitur si të vetmin qytet në botë që quhet qyteti i serenatave, por që është një perlë e Ballkanit, për nga arti, kultura, letërsia, djepi i dijes e i historisë.
Çfarë do t'i sillnin si model, lexueseve gra shqiptare nga eksperienca e punës suaj në Amerikë?
Unë do dëshiroja tu thosha grave shqiptare, se vetëm me punë, forcë dhe dashuri arrihet gjithçka. Mesazhi im, për femrën shqiptare, sidomos atë në emigracion është që ato të bëhen mesazhiere të gjuhës, traditës, kulturës, vlerave kombëtare dhe identitetit kombëtar shqiptar, jo vetëm nëpërmjet krijimeve të tyre, por edhe te fëmijët e tyre që lindin në tokë të huaj. Ruajtja e këtyre vlerave është antiasimilim.
A do ta ketë të vështirë Raimonda apo edhe fëmijët e saj që në një ditë të afërt ose të largët të ktheheni në vendin e tyre, apo është një nga objektivat që ju i keni vënë vetes?
Amerika tashmë është bërë atdheu ynë i dytë. Për fëmijët e mi të integruar tashmë në jetën amerikane, besoj se do të jetojnë këtu, por gjithmonë me sytë dhe zemrën nga Shqipëria, duke e vizituar atë. Ndërsa unë -do të bëj një jetë midis Amerikës dhe Shqipërisë - që të jem edhe pranë fëmijëve -edhe pranë nënës, vëllezërve dhe miqve të mi të shumtë.
Bisedoi Fatime Kulli
Gazeta Ndryshe
Agim Gashi- Administrator
- Numri i postimeve : 45955
Age : 70
Location : Kosovë
Registration date : 17/11/2008
Similar topics
» Raimonda Moisiu: Intervistë me poeten dhe shkrimtaren Fatime Kulli
» Monda Korca: Pas nje tradhetie-poezi-nga-Raimonda Moisiu
» Monda Korca: Piktura e re - tregim - nga Raimonda Moisiu
» Monda Korca: Enderrat - poezi -nga Raimonda Moisiu
» Monda Korca: Shperthimi im - nga - Raimonda Moisiu
» Monda Korca: Pas nje tradhetie-poezi-nga-Raimonda Moisiu
» Monda Korca: Piktura e re - tregim - nga Raimonda Moisiu
» Monda Korca: Enderrat - poezi -nga Raimonda Moisiu
» Monda Korca: Shperthimi im - nga - Raimonda Moisiu
Faqja 1 e 1
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi
Tue Mar 14, 2017 8:17 pm nga Agim Gashi
» IDRIZ ZEQIRAJ - SHIPTARËT NUK JANË "ME BYTHË NË PRUSH", PËR TË FALUR TOKAT
Mon Feb 27, 2017 6:54 pm nga Agim Gashi
» Akuzat kundër Shefqet Krasniqit Prokurorisë ia kishte konfirmuar edhe BIK-u (Dokument)
Mon Feb 27, 2017 5:20 pm nga Agim Gashi
» Aktakuzë kundër imamit Shefqet Krasniqi
Mon Feb 27, 2017 4:32 pm nga Agim Gashi
» Zbulohen tensionet gjatë dialogut në Bruksel, Nikoliqi Thaçit: Ti je kriminel
Fri Feb 03, 2017 7:40 pm nga Agim Gashi
» Faruk Tasholli - RJEPENI NANËN
Fri Feb 03, 2017 12:22 pm nga Agim Gashi
» FAMILJA E HAKI IMERIT: AI U VRA NË KOHËN KUR NË PUSHTET ISHIN HASHIM THAÇI E REXHEP SELIMI
Wed Jan 25, 2017 12:39 am nga Agim Gashi
» AGIM GASHI - O NE TREN PËR MITROVICË
Wed Jan 18, 2017 11:08 pm nga Agim Gashi
» Vëllai i tij u pajtua me Thaçin, por ja si ishte kidnapuar Haki Imeri në Brojë e më pas ishte vrarë
Wed Jan 18, 2017 8:13 pm nga Agim Gashi
» Fadil Maloku:Aferim, Prokurori e Kosovës!
Wed Jan 18, 2017 8:00 pm nga Agim Gashi
» Djali i Haki Imerit del kundër axhës: Nuk ia fali Thaçit, nuk dua drejtësi kanunore
Wed Jan 18, 2017 7:12 pm nga Agim Gashi
» IDRIZ ZEQIRAJ:Copëza biografike dhe kujtime për Ibrahim Rugovën
Wed Jan 18, 2017 5:13 pm nga Agim Gashi
» Presidenti Thaçi i “lahet me 124 pleq” Imer Imerit se nuk ka gisht në vrasjen e vëllait të tij
Wed Jan 18, 2017 4:00 pm nga Agim Gashi
» Adem Salihaj akuza të rënda ndaj Hashim Thaçit, ja si po mundohet të shpërlahet nga krimet e shumta që ka bërë
Wed Jan 18, 2017 3:53 pm nga Agim Gashi
» Ndodh edhe ky skandal: Njeriu që grisi fotografinë e Presidentit Rugova merr certifikatën e veteranit të UÇK-së
Tue Jan 17, 2017 7:55 pm nga Agim Gashi
» BERAT ARMAGEDONI:Lamtumirë, Joshua i Pejës!
Tue Jan 17, 2017 12:15 am nga Agim Gashi
» Biografia e Presidentit Rugova - Biografi e shkurtër
Mon Jan 16, 2017 10:32 pm nga Agim Gashi
» ILIR MUHARREMI : Treni provokativ, artistët në gjumë
Sun Jan 15, 2017 11:32 pm nga Agim Gashi
» Përveç ROSU-së, ky është shqiptari që rrezikoi jetën për ta ndalur trenin e Serbisë
Sun Jan 15, 2017 9:53 pm nga Agim Gashi
» ENVER PETROVCI - IN MEMORIAM SEFEDIN NUREDINIT- SEFA
Sun Jan 15, 2017 9:07 pm nga Agim Gashi