Akllapi Net - Forum i Hapur
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

Naser Rugova:KOSOVA, RAJONI DHE BE, SFIDAT E SHTET’NDËRTIMIT

Shko poshtë

Naser Rugova:KOSOVA, RAJONI DHE BE, SFIDAT E SHTET’NDËRTIMIT Empty Naser Rugova:KOSOVA, RAJONI DHE BE, SFIDAT E SHTET’NDËRTIMIT

Mesazh nga Agim Gashi Mon Jan 11, 2010 11:36 am

Naser Rugova:KOSOVA, RAJONI DHE BE, SFIDAT E SHTET’NDËRTIMIT N681948751_1259639_3461


Naser Rugova
KOSOVA, RAJONI DHE BE, SFIDAT E SHTET’NDËRTIMIT


Më janë dashur disa ditë për të vendosur se nga cili kënd do të mund të gjeja barometrin më të mirë dhe më korrekt për të bërë një analizë të shëndoshë dhe gjithëpërfshirëse për gjendjen në të cilën ndodhet Kosova pas dhjetë vitesh lirie fizike.

Kujtoj se një analizë më e mirë dhe këndi më i përshtatshëm dhe i arsyeshëm për të bërë këtë analizë do të ishte krahasimi. Për këtë kam bërë kërkime, hulumtime për plot një javë duke bërë krahasime midis dy viteve të fundit. Kam krahasuar gjendjen në binarët kryesor të shoqërisë dhe ekonomisë kosovare, me po të njëjtit parametra të vendeve të rajonit dhe një krahasim apo shikim përpara me trendet e vendeve të Bashkimit Evropian.

Të gjeturat faktike me disa konkludime do të mundohem t’i rendis përmes këtij shkrimi, pikërisht në fillim të këtij viti, apo afro dy vite prej shpalljes së pavarësisë dhe tentativave të zbehta të shtet-ndërtimit. Këto konkludime nuk janë të mira dhe aq më pak optimiste për realitetin në të cilin ndodhemi si shtet dhe shoqëri.

Bilanci i përgjithshëm i gjendjes në të cilën ndodhet Kosova sot anon më shumë nga rezultati negativ. Këtu bëjnë përjashtim numri i shteteve që e kanë njohur pavarësinë dhe kilometrat e asfaltit të shtruar, cilësia e të cilit po shihet dita ditës.

Me fjalë të tjera, viti 2009 në vija të trasha është përsëritje e vitit 2008, por me vërejtje dukshëm më serioze të Raportit të Progresit të Komisionit Evropian në fushat kyçe që janë shtyllë e shtetit dhe e zhvillimit të demokracisë. Sikur të ndaleshim vetëm në këto dy të arritura, të cilat nuk duhet injoruar, të gjithë ne do të ishim të kënaqur. Mirëpo, kur përdoret krahasimi i gjithmbarshëm i vendit tonë me vendet fqinje, kemi një tjetër konkludim dhe atë krejtësisht të hidhur.

Krahasimi i Kosovës me vendet e rajonit

Këtu fillon e vërteta e gjendjes së rëndë dhe të mjerueshme të Kosovës së pavarur tanimë dy vjet shtet, e jo krahasimi i Kosovës me vetveten e para një viti, apo krahasimi i saj me gjendjen e para dhjetë viteve. Ky lloj krahasimi i pavend, shpeshherë po gjen vend në fjalorin e pushtetarëve. Mirëpo sa është ky barometër matës për gjendjen në të cilën gjendet vendi i ynë dhe shumica e popullit të tij?

Krahasimi i gjendjes ekonomike dhe sociale i Kosovës me Malin e Zi, Maqedoninë, Serbinë nuk na bënë krenar. Krahasimi me Kroacinë do të ishte i pavend, ngase këtu janë dy bota plotësisht të ndryshme. Krahasimi me Bosnjë e Hercegovinën dhe Shqipërinë, përsëri do të mund të përdorej nga pushtetarët, apo edhe asaj pjese të opozitës e cila ka shijuar pushtetin gjatë dhjetë viteve të fundit. Vetëkënaqësia të kthen prapa, ajo të bllokon në vend, nuk të lë të ecësh përpara. Realiteti i ynë është i hidhur dhe këtu dilemë nuk ka.

Të bëjmë një ilustrim, përkatësisht një krahasim konkret dhe shumë tragjik, por shumë domethënës në mes të Kosovës dhe Malit të Zi, apo më saktësisht shfrytëzimit të potencialeve natyrore të Kosovës dhe atyre në Mal të Zi. Le të përqendrohemi në sektorin e bujqësisë dhe blegtorisë të Kosovës me tokë pjellore dhjetëra herë më shumë se sa Mali i Zi fqinjë.

Më ka rastisur që në një vetëshërbim të Ulqinit të shoh me vëmendje artikujt e të gjitha kategorive. Në mbi 80 për qind shkruan “Made in Montenegro”. Ndërsa në vetëshërbimin më të madh në Prishtinë, (afërsi të Prishtinës) kemi të kundërtën. Në shumicën prej tyre shkruan “Made in Serbia”, “Made in Macedonia” dhe “Made in... vende të tjera fqinje dhe nga kontinente të tjera.” Ky fakt na tregon se çfarë shteti jemi dhe si po e ndërtojmë shtetin tonë. Politikisht kemi një pavarësi, mirëpo ekonomikisht krejt e kundërta, jemi shumë të varur nga të huajt dhe atë më fajin tonë.

Ja një parametër matës praktik se ku është duke shkuar Kosova. Shteti ynë, si shteti më i varfër në kontinent, në vend se të orientojë tërë energjinë dhe potencialet në prodhimtarinë vendore, në veçanti në sektorin e bujqësisë dhe agrobiznesit, po e bënë të kundërtën. Kosova dhe populli i saj është shndërruar kryesisht në konsumues të prodhimeve të huaja, prej ushqimit e deri tek barnat. Edhe kur jemi të sëmurë, neve edhe pas dhjetë vitesh lirie kërkojmë shërim me barnat e ‘Galenikës’ së Serbisë.

Në këtë mënyrë Kosova është shndërruar në konsumatorin më të madh në rajon dhe në Evropë për kokë banori të prodhimeve të huaja nga këto dy sektore. Paradoks i llojit të vet! Dhe kjo kështu sepse, e gjithë ajo që flitet nëpër institucionet e Kosovës, përfundon në letër e premtime dhe jo në veprime konkrete.

Ja një ilustrim.

Qeveria e Kosoves ka krijuar një Plan për Zhvillimin Rural dhe të Bujqësisë për periudhën kohore 2007-2013 i cili në teori synon që të drejtojë Kosovën me strategjinë e Bashkimit Evropian mbi zhvillimin në të njëjtin sektor. Në këtë plan, është planifikuar një buxhet indikativ prej rreth 230 milionë eurosh për këtë periudhë shtatë vjeçare, apo 32, 85 milion për vit. Edhe pas dy vitesh prej inicimit të këtij plani rezultatet janë tejet të zbehta apo pothuajse in-ekzistuese. Shifra prej 1.2 miliardë deficit tregtar, apo dalje e kësaj shume të parave nga Kosova është dëshmia më alarmuese se Kosova është shumë prapa ekonomikisht.

Ilustrim tjetër domethënës dhe po ashtu i hidhur janë trendet e çmimeve në raport me pagat në Kosovë. Edhe një e dhënë tjetër e rëndë kjo. Studimet për indeksin e çmimeve te vitit 2008 thonë se Kosova ka indeks rritjeje çmimesh të artikujve aq sa kanë tre vende anëtare të BE-së (Sllovenia, Republika Çeke e Sllovakia), kur dihet se paga mesatare në Kosovë është katër deri në pesë herë më e vogël sesa në këto shtete. Kjo nuk do më shumë koment.

Nuk do të ishte përdorim i arsyeshëm fakti se mosnjohja e Kosovës nga disa vende të BE-së dhe të NATO-s është shkak pse ne po ngecim në zhvillimin e gjithmbarshëm në krahasim me fqinjët por edhe në aspektin e afrimit me këto dy organizata të rëndësishme për të ardhmen stabile ekonomike dhe politike të Kosovës. Edhe kjo e vërtetë është një vend-strehim për të gjithë ata që po e shijojnë dhe e kanë shijuar pushtetin gjatë këtij dhjetëvjeçari të lirisë fizike të vendit dhe popullit të tij.

Ky fakt i hidhur është krejtësisht i paarsyeshëm që të përdoret si shfajësim, dhe për fat të keq ai po përdoret për çdo ditë në mënyrë të paskrupullt. Për ngecje të proceseve shtet-ndërtuese, zhvillimit ekonomik e social, integrimeve evropiane dhe aspekteve tjera adresa dihet: Institucionet e Republikës së Kosovës dhe krerët institucional.

Krahasimi i Kosovës me vendet e BE-së apo atyre jashtë BE-së

Askush dhe asgjë nuk na e ndalon zbatimin më të përshpejtuar të reformave të kërkuara nga BE dhe NATO. Rezultatet e krahasimit të gjendjes ekonomike e sociale të vendit tonë me vendet e BE-së, normalisht se janë të hidhura. Mirëpo ajo çfarë më brengos mua në veçanti është kaosi në sistemin e shëndetësisë dhe arsimor. Qesharak është krahasimi i buxhetit për kokë banori që ndanë Kosova në shëndetësi me mesataren e BE-së. Katastrofal dhe qesharak është edhe mënyra e menaxhimit të këtij sistemi në vendin tonë. E njëjtë edhe me sistemin arsimor.

Nëpër vendet e BE-së, nxënësit e shkollave fillore dhe të mesme janë tërë ditën në mësim, apo nga ora 08:30 minuta deri në 16. Ndërsa në shkollat tona kemi edhe nga tre ndërrime, me vetëm 3 apo 4 orë mësimi. Krahasimi këtu është i qartë. Qesharak do të ishte po ashtu edhe krahasimi i buxhetit për kokë nxënësi që ndahet në Kosovë dhe mesatares në BE. Në këto dy sektore neve ngecim edhe në krahasim me vendet e rajonit.

Edhe pas krizës globale ekonomike dhe financiare papunësia në BE nuk ka kaluar 10%; Në Kosovë ajo supozohet të jetë rreth 45%. E keqja është se në vendin tonë asgjë nuk është e precizuar, saktësuar. Neve na mungojnë edhe statistikat e vërteta për secilin sektor. Dhe këtu fillon problemi elementar. Ne nuk e dimë në detaje sa keq e kemi gjendjen në të gjitha sektoret e shoqërisë. Ne nuk e dimë madje as sa banor saktësisht ka Kosova.

A duhet të shtohet ndonjë fjalë më shumë këtu?

Kjo është njësoj, sikur pacienti që nuk ndjehet mirë me shëndet e shkon tek mjeku i cili nuk ka as termometër, e as asnjë aparat tjetër të nevojshëm për të gjetur problemin e saktë shëndetësor të pacientit. Ndërkohë është krijuar tek popullata (jo me fajin e saj) përshtypja se tërë mirëqenia e shoqërisë dhe e vendit varet vetëm prej integrimeve evropiane. Një bindje e këtillë është duke shkaktuar paralizë të rrezikshme për të ardhmen tonë dhe të vendit.

Supozojmë se neve do të na thuhet se kurrë nuk do të jemi anëtar të BE-së dhe NATO-s. Çfarë do të duhej bërë në këtë rast? Të largohemi nga Kosova? Përkundrazi, neve duhet të marrim shembull Islandën, e cila është në gjendje të futet që nesër në BE. Islanda, edhe ajo nuk është e vetme në këtë rast, ka arritur një standard dhe cilësi të jetës mbi mesataren e përgjithshme të BE-së, pa asnjë urdhër apo kontratë me Brukselin. Ja një shembull për Kosovën. Ja një pistë e gatshme që duhet shfrytëzuar si frymëzim dhe udhë-rrëfim.

Po të analizohen me vëmendje Raportet e Progresit të Komisionit Evropian për Kosovën që nga viti 2004 e deri në vitin 2009, del se 90 për qind e qortimeve dhe vërejtjeve te BE-së për Kosovën janë të njëjta dhe ato na përsëriten vazhdimisht.

Në fund të fundit, a duhet ne të kemi mësuesit mbi kokë me vite të tëra që të na e tregojnë thuprën se duhet bërë detyrat e shtëpisë për çdo ditë?

Personalisht kujtoj se kësaj gjenerate politike në Kosovë, e së cilës i takoj edhe unë, i mungon vullneti për të ndihmuar fqinjin, lagjen, fshatin, qytetin, vendin. Është mëse urgjente një qasje e re e të menduarit në konceptin ekonomik, social dhe politik.

Për fat të keq kjo gjeneratë politikanësh ka një problem serioz në kokat e saj. Fuqia e parasë - famës - pushtetit e ka bërë atë skllav të vetvetes dhe pasojat nuk po i vuan kjo klasë politike, por pikërisht ata që po i dërgojnë në pushtet, votuesit - populli. Kjo gjeneratë politikanësh që po qeverisë, udhëhiqet nga të dyja faqet e monedhës EURO. Si mund të shpjegohet ndryshe fakti se kolegët e mi në parlament kërkojnë shtesë page prej 400 euro!

E dini sa janë 400 euro?

Janë dy paga mesatare mujore të punëtorëve të shërbimeve publike në Kosovë, administratë, shëndetësi, arsim, polici etj. janë 5 pensione ose 10 ndihma sociale mujore të familjeve në asistencë sociale.

Nuk dua që të fitoj epitetin e revolucionarit më këto fjalë. Ia kam frikën një ‘revolucioni’ të pakontrolluar. Ia kam frikën përsëritjes së Shqipërisë së vitit 1997. Prandaj urgjentisht kërkohet një qasje konkrete dhe pragmatike institucionale për të evituar dhe eliminuar pakënaqësitë e mëdha sociale. Jo vetëm për të evituar dhe eliminuar ato, por të bëhen zgjidhje institucionale dhe ligjore për një mirëqenie ekonomike dhe sociale të qytetarëve të vendit tonë.

Kaluan dhjetë vite lirie, e 37 për qind e popullsisë jetojnë në varfëri, kurse mbi 15 për qind në varfëri të skajshme. Kjo është e pafalshme. Është nevojë urgjente për llogaridhënie për këto dështime të rënda nga të gjithë ne që përfaqësojmë institucionet e shtetit të ndërtuar përmes votës së sovranit-qytetarit të Kosovës, që na e ka dhënë besimin (e i cili po zbehet gradualisht) për të ndërtuar një jetë më të mirë.

Do të doja që të jap kontributin tim minimal për një revolucion mendor tek populli im, tek gjeneratat e reja. Do të doja që midis kësaj gjenerate të tashme politike dhe asaj që po vije hendeku të zvogëlohet.

Do të doja që këto dy gjenerata t’i afrohen njëra tjetrës. Kemi shumëçka për t’i dhënë njëra tjetrës. Por më duhet ta them, se gjenerata e re ka më shumë që t’i jap kolegëve të mi prezent në institucionet e vendit si dhe neve në opozitë, se sa që ne mund t’iu japim atyre. Prandaj ftoj të rinjtë e diplomuar në ekonomi, drejtësi, administratë publike, shkenca politike, biznes dhe menaxhment, e sidomos atyre të studimeve evropiane, që të mos na lënë rehat, që të na e prishin gjumin. Kosova është duke fjetur, ajo ka nevojë që të zgjohet.

Të mos jem defetist. Ka edhe të arritura në sektorë të caktuar

Ndihem mirë me të arriturat në e-qeverisje. Ne që të gjithë, që disa muaj, mund të konsultojmë përmes internetit nëse na është bërë gati nga administrata publike letërnjoftimi, leja e veturës dhe pasaporta. Së shpejti do të mund të aplikojmë për certifikatë të lindjes përmes internetit, pa shkuar nëpër ofiqari.Të arritura të tilla midis krejt vendeve të BE-së, i ka vetëm Estonia. Ky shembull tregon se vendi ynë ka potenciale njerëzore të cilat mund të futen në shërbim të zhvillimeve të përgjithshme. Çfarë dua që të them me këtë? Kjo e arritur në teknologjinë informative është pikërisht e arritur e përfaqësuesve të gjeneratës së re, për të cilën shkrova më lartë.

Prandaj ftoj kolegët e mi të institucioneve, që jo vetëm t’iu krijojnë hapësirë njerëzve, por edhe t’ua lëshojnë rrugën të rinjve profesionistë, sikur ata të departamentit të teknologjisë informative, në Ministrinë e Administratës Publike.

Është nevojë e kohës, koha nuk pret!

Kosova ka potencial njerëzor, por ai nuk duhet ndrydhur. Ky potencial duhet të vihet në krye të institucioneve tona dhe të jetë bartës i krejt proceseve për të arritur aty ku duhet, të ndërtojmë cilësinë e jetës siç është në vendet e Bashkimit Evropian, e jo vetëm sa për ta bërë Kosovën vend anëtar të BE-së për të lehtësuar apo hequr regjimin e vizave dhe të bëhet zbrazje e heshtur e pasurisë sonë më te madhe rinisë në vendet anëtare të BE-së.

Bashkimi Evropian, përkatësisht të mirat e atjeshme duhet të vijnë në Kosovë. Me fjalë të tjera cilësia e jetës dhe e standardeve të BE-së duhet të arrijë në Kosovë, e jo e kundërta. Ajo nuk sjellët nga të tjerët. Atë duhet ta ndërtojmë ne vet. Vetëm në këtë mënyrë ne do të jemi të zot e shtëpisë sonë dhe do të mund të kemi një Kosovë më shumë të pavarur sesa që e kemi tash.

Me vite të tëra urimet dhe dëshirat na janë përsëritur. Këtyre urimeve dhe dëshirave u është hequr çështja e pavarësisë. Unë kësaj here ju dëshiroj lexuesve dhe krejt popullit të Kosovës, shëndet, mirëqenie dhe një të ardhme më dinjitoze si dhe vënie të gur-themeleve pa vonesë për një ardhme më të ndritur.
Agim Gashi
Agim Gashi
Administrator
Administrator

Numri i postimeve : 45955
Age : 70
Location : Kosovë
Registration date : 17/11/2008

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Mbrapsht në krye

- Similar topics

 
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi