Petrit Nika: Njerëz me pretendime - tregim nga PETRIT NIKA
Faqja 1 e 1
Petrit Nika: Njerëz me pretendime - tregim nga PETRIT NIKA
Petrit Nika: Njerëz me pretendime - tregim nga PETRIT NIKA
Kishte dy orë që Minai qe mbyllur në dhomë, ku ishte përhumbur në viset ajrore të poezisë. Dikush i kishte dhënë për të lexuar një përmbledhje të poetëve më të mirë francezë të shekullit njëzetë dhe ai qe mrekulluar aq shumë nga ato galeri figurash e peizazhesh të shqetësuara, saqë dy trokitjet e para që u dhanë në atë kohë në derën e dhomës, lehtë e gjithë druajtje, ai i mori për ca jehona të largëta të imagjinatës dhe s’u përmend. Ndodhej fare vetëm në dhomën e tij studentore. Dy shokët e tjerë, Dasho dhe Ademi, të cilët banonin po në atë dhomë me të, kishin dalë që në mëngjes dhe kushedi se kur do të ktheheshin.
Jashtë binte një shi i imtë që prej dy ditësh dhe moti qe i ftohtë, por ai kishte vënë në punë kaloriferin dhe aty brenda qe krijuar një ajër i këndshëm plot vaktësi.
Të tretën herë trokitja erdhi më e fortë, madje gati alarmante dhe Minai u hodh përpjetë i befasuar. S’pati kohë as ta ftonte atë që po trokiste, se ai tjetri kësaj radhe e shtyu vetë derën; e hapi pakëz dhe futi kokën, e si i hodhi një sy të shpejtë dhomës, pyeti gjithë mirësjellje nëse kishte në atë dhomë studentë nga qyteti Hajtbabë.
- Jo, këtu s’ka njeri nga ai qytet, - qe përgjigja e Minait. - Po ju, cilët kërkoni? Mbase i njoh, sepse nga ai qytet janë nja dy djem tek ajo dhoma në fund të korridorit. Aty ku shkruhet WC.
I porsaardhuri shtyu derën ngadalë edhe pak, futi përgjysëm trupin brenda, pastaj i përmendi emrat e dy studentëve që kërkonte.
Minai tha se i njohu menjëherë.
- Je me fat. Pikërisht ata janë, - e siguroi studenti, i kënaqur që në njëfarë mënyre iu bë ndihmës.
Tjetri e falënderoi me një buzëqeshje prej njeriu të rëndësishëm dhe pasi u përkul para tij madhërisht, doli që andej duke e mbyllur derën lehtë, e me një kujdes të atillë, a thua se ajo derë ishte prej xhami.
Studenti iu rikthye përsëri leximit, duke bërë çmos që të zhytej edhe njëherë në ato thellësitë tronditëse ku kishte qenë i harruar pak më parë, por qe e pamundur. S’kishte lëçitur as tri strofa ende, kur në derë u dëgjuan përsëri të trokitura. Kur e hapi, pa se ishte kthyer përsëri ai zotnia me sjellje tëpkë prej obortari. Në dorë mbante një çantë të madhe meshini, të cilën me ç’dukej e kishte fare bosh, ngase i rrinte petë nga cepi në cep, dhe jo pak, po nja një metër e kusur për së gjati e po nja një gjysëm metri për së larti. Kësaj radhe ai erdhi në drejtim të Minait dhe i shtërngoi dorën duke iu prezantuar me emër, atësi dhe mbiemër; Lyf Latif Leshtaku.
I tha se në dhomën ku e pati adresuar ai s’kishte njeri dhe se derën e kishte gjetur të kyçur, pastaj i kërkoi leje të rrinte në dhomën e tij pak e të priste derisa të zotët e saj të ktheheshin. Minai, duke parë motin e ngrysur dhe shiun që rizonte gjithë këmbëngulje përtej dritares, e pranoi nga e keqja këtë të panjohur të largët t’i bënte shoqëri. Për mirësjellje, i afroi një karrige pranë kaloriferit dhe i tha se mund të rrinte nja një orë. Si u rehatua pak, ai burri deshi të njiheshin.
- Nga të kemi? - e pyeti ai studentin.
- Nga qyteti Misër, lagjia “Kollomoç” , - ia ktheu Minai dhe shkoi e zuri vend në cep të tavolinës, duke u përpjekur të çlirohej nga vëmendja e tij, që të mund të vazhdonte përsëri leximin.
I porsaardhuri as që deshi t’ia dijë. Ai i bëri studentit edhe disa pyetje të tjera, se çfarë studionte, përse e kishte zgjedhur pikërisht atë degë dhe jo një tjetër. Pastaj i kërkoi të dinte se çfarë kishte ndërmend të bënte në të ardhmen, por, sipas Minait, kulmi qe kur tjetri u interesua të dinte se cili libër ishte ai që po lexonte në ato çaste.
Minai atëherë, pa ç’pa, e mbylli librin dhe gjithë vëmendja e tij u kthye nga ekskursioni poetik ku pat qenë dhe u përqendrua te ky njeri me një oreks të jashtëzakonshëm për të folur. Në të parë ngjante aty rreth të pesëdhjetave. Ishte një burrë jo i gjatë, vinte thatim, me një hundë goxha të madhe e të kthyer, e cila qe gjëja e parë që të binte më shumë në sy te ky portret, ngase krijonte menjëherë kontrast me fytyrën e tij të vockël e me dy sy të vegjël, aq të papërqendruar, saqë shkërbenin mu si ca sy miu. Rrinte vazhdimisht duke qeshur me një naivitet të pandreqshëm prej fshatari të vetëkënaqur.
Kur Minai i shpjegoi se po lexonte një libër me poezi nga dheu i Francës, ai brofi sakaq në këmbë, në fillim ia mbërtheu sytë plot seriozitet, mandej vështrimi iu ëmbëlsua aq shumë, sa përfundoi me një pyetje tërë miklim.
- Domethënë…, ju qënkeni poet?!
- Jo, poet s’jam, por më pëlqen shumë të lexoj poezi, - ia ktheu studenti. - Kam shkruar tek - tuk edhe vetë ndonjë vjershë, megjithatë poet s’pretendoj të quhem akoma.
- Po pse na qënke kaq mbrapa ti? Dhe s’i ke botuar ende në një vëllim?
- Jo. Po, s’kam ç’të botoj.
- Po ju jeni poet, - thirri tjetri dhe u kujtua ndërkohë të ulej përsëri në karrige. - Si mund të rrini pa botuar?!
- Merreni si të doni, - ia ktheu studenti.
- Edhe unë jam poet, - u prezantua atëherë mysafiri pa humbur kohë. - Mrekulli, mrekulli!
Minai s’po e kuptonte për çfarë mrekullie e kishte fjalën ky, veçse e mbante të gozhduar nën atë vëzhgimin e tij hetues, si ai laboranti që ka vënë përpara vetes, në tryezën e punës, një mikroorganizëm dhe e studion me kujdes në mikroskop. Flokët i kishte të rrallë e pak të thinjur, të hedhur përpjetë pa kujdes, mbante veshur një xhakovento të zezë, së cilës nga përdorimi i gjatë i kishte dale boja fare. Poshtë xhakoventos kishte veshur një triko pambuku me ca figura shëmtaqe lepurushësh. Trikoja në grykë i vinte e mbyllur, por sipër saj kishin dalë jakat e një këmishe, e cila me ç’dukej, dikur pat qenë e bardhë. Pantallonat e tij s’merrej vesh se prej ç’gjëje ishin; të trashë, të errët, të ndotur me baltën e rrugëve të largëta prej nga kishte udhëtuar ai, kushedi sa ditë me radhë pa shkuar në shtëpi për t’i larë. Kishte mbathur në këmbë atlete, ndonëse qe akoma dimër.
Minai kur vu re tërë këto imtësi, jo të zakonshme për një njeri të kohës, e kuptoi se s’kishte të bënte me ndonjë rob të hajrit, megjithatë interesi për ta njohur më tej, meqenëse ai e quante veten poet, nuk i mungoi. Gjatë atyre tri viteve që jetonte në atë dhomë, atij i kishte rënë rasti të vizitohej shpesh’herë nga lloj - lloj kalorësish të kësaj bote laramane, të cilët kishte qëlluar që në një mëngjes të bukur ishin ngritur fare mirë e gjithë qejf nga një krevat paleseku dhe, kishin marrë rrugën nëpër fllad për të shpalosur përpara sehirxhinjëve të shekullit aftësitë e tyre të jashtëzakonshme prej të marrësh.
Njëherë, përshembull, rastësisht aty pati mbërritur një burrë i panjohur, gjigant nga trupi, me një sy të pazakontë, i cili i shkëndijonte në errësirë mu si sy fosforeshent maçoku. Dhe ky tip, ngado që shkonte e prezantonte veten si shoqërues i pazëvendësueshëm politikanësh të rëndësishëm, mbasi, siç thoshte, ai ishte në gjendje të shihte më mirë se kushdo tjetër në botë edhe në errësirën më të thellë, me atë syrin e vet të çuditshëm.
Atëherë Minai ia pat lavdëruar aftësitë këtij tipi dhe e pati përcjellë duke i thënë se hë për hë ai s’kishte bërë ndër mend të punësonte ndonjë bodigard, dhe jo për ndonjë gjë, por ngase nuk e ndjente të nevojshëm. Pak kohë më vonë, andej kishte kaluar një tjetër monstër njeriu, që përlante qelqurina dhe nxirrte gjak nga goja në formë shatrivani. Që të gjitha qelqet i hante. Të gjithë patën kujtuar atëherë se nga çasti në çast qelqengrënësi do të vdiste, por ai për t’ua mbushur mendjen miletit se s’bënte shaka dhe se qelqi s’i bënte gjë prej gjëje, veçse i hapte oreksin, ndenji plot tre ditë aty, pastaj shkoi dhe e theu qafën edhe ai s’di se ku, duke i mahnitur njerëzit ngado që vente me marrëzitë e tij të frikshme.
Ndërsa në një mëngjes të beharit të shkuar, Minait i pat bërë vaki të shikonte një njeri, i cili ngado që shkonte përtypte kandrra të gjalla dhe butakë e mandej i gëlltiste pa ndjerë as më të voglën shenjë të veleritjes. Kishte parë gjithashtu, edhe njerëz që dinin të shëronin nga malli i dashurive të humbura dhe të hidhnin fall duke parashikuar pesëdhjetë vite të së ardhmes, por rasti që e kishte bërë vërtetë për të qeshur edhe kohë më vonë, qe kur Dasho, njëri nga shokët e dhomës, i solli njëherë në dhomë një burrë të çuditshëm, i cili e mbante veten për rapsod.
Ishte ora njëmbëdhjetë e natës. Të gjithë pothuaj kishin rënë të flinin, kur trokiti dera. Minai u ngrit përgjumësh të hapte derën dhe u drejtua sakaq për në krevat, por ndërkohë dikush e kapi nga krahu dhe s’e la të lëvizte. Studenti atëherë u frikësua dhe i doli gjumi plotësisht. Ai e përqendroi shikimin mbi bazretin e një tipi që kishte sjellë me vete shoku i tij, i cili jo vetëm që ishte i panjohur, por edhe tani në mesnatë, s’donte ta linte për të fjetur. I panjohuri i bëri me shenjë studentit që të heshte dhe e shtyu brenda me një vështrim të pushtetshëm. Minai s’bëzani fare, ndezi dritën dhe priti ç’do të ndodhte më tej. I porsaardhuri mbante në njërën dorë një sharki, ndërsa me tjetrën, pasi iu afrua krevatit ku flinte Ademi, t’ia futi me një shuplakë të shëndoshë mu në bythë. Ky i fundit u ngrit përgjumësh i tmerruar, por u llahtaris akoma më shumë kur pa mbi krye njeriun e panjohur, i cili i ngërdheshej pa të keq. Fshiu sytë mirë e mirë dhe si u bind që s’e gënjenin i futi një të sharë të kripur këtij palo rapsodi, ku ia tundte nga rrënjët femërorë shtatë breza para e shtatë breza mbrapa, mandej u shtri te rehatohej përsëri ndër shtresa, sikur të mos kishte ndodhur asgjë.
Mirëpo rapsodi s’paskësh qenë edhe aq zemërpulë. Ai s’bëri një as dy, por ngriti lart atë sharkinë e tij të lavdishme dhe do ta kishte qëlluar mu në çaçkë të kokës atë gjumashin gojërëndë, por Minai bashkë me Dashon u hynë në mes dhe mezi ua ndanë sherrin, duke i lutur që të dy t’i linin sharjet e t’i jepnin fund zënkës. Arsenali i sharjeve që u përdorën atë natë qe i jashtëzakonshëm. U përdorën pa kursim fjalë e shprehje nga më të padëgjuarat në krejt historinë e vagabondazhit botëror. Mjaft i zoti ishte Ademi për këtë punë, por çuditërsht për sharje të ndyra në atë garë të vërtetë u shqua rapsodi, bile kohë më vonë, Minai i mblodhi ca sharje nga ato që i kujtoheshin ende dhe, mbasi i shkruajti bukur në një letër të pastër, i ngjiti mbrapa derës, nga ana e brendshme, nën titullin; “Sharje rapsodike”.
Rapsodi, sa herë fliste, përdorte një zë si të vrazhdë e të ngjirur prej gangsteri idiot, ndërsa kur këndonte e ndryshonte një çikë, por përsëri i dilte i shëmtuar e nervashkatërrues. Sharkisë nuk i binte keq, por s’afrohej kurrku te ata qiej ku ai e ndjente veten.
Atë natë ai këndoi aq shumë këngë, sa dikur të tre shokët e dhomës iu afruan me lutje e përgjërata, duke i bërë gjithë ato lëvdata, me qëllim që t’i linte të pushonin.
Rapsodi, si u bind me të vërtetë se i kishte mrekulluar studentët me repertorin e tij të bollshëm dhe me zërin e tij epik, vendosi ta mbyllë koncertin, vari sharkinë tek rafti i rrobave dhe vajti në aneks tek lavamani duke kërkuar ujë. E hapi çezmën, por çezma në atë orë ujë s’kishte. Atëherë pyeti ku mund të gjente ujë, por ndërkohë që Minai po ngrihej për t’i treguar një shishe me ujë të pijshëm, ai kishte pikasur tasin, ku para pak orësh Ademi kishte shkumuar furçën e rrojës dhe pa e bërë të gjatë e rrëkëlleu në gurmaz.
Me të vajtur Minai tek lavamani, vuri duart në kokë. Ndërsa ai tjetri gromësiti gjithë kënaqësi dhe, moskokëqarës e pa e parë me sy djaloshin që e shikonte si i trallisur, u drejtua pa i thënë një fjalë, vrik për në krevatin që i kishte liruar Dasho sa për atë natë.
Ky rast Minait iu përtëri në kujtesë, teksa po përpiqej ta shkërbente me ndonjë vetje të njohur, atë mysafirin që sapo iu prezantua si poet. Por tjetri, pa e vrarë mendjen për heshtjen e thellë me të cilën e sodiste studenti, mendoi se qe më mirë, si fillim t’i bënte pak shërbime vetes.
Hoqi atletet e njomura nga uji dhe balta e rrugëve dhe nderi këmbët drejt kaloriferit që t’i ngrohte. Kishte veshur një palë çorape prej leshi deleje, të cilat i ishin ndotur aq shumë nga uji dhe balta, saqë studentit me të vërtetë i erdhi keq. “Kushedi sa ka udhëtuar pa i hequr nga këmba!”, - mendoi ai dhe kafshoi buzën.
Djaloshi e pyeti se me çfarë pune merrej, ndërsa ai tjetri ia priti gjithë koketëri;
- Shkruaj.
- Këtë e mora vesh, por e kam fjalën nëse merresh dhe me ndonjë punë që të sjell para.
- Hë për hë jo. Kam kërkuar të më emërojnë mësues, por s’më kanë lënë. Punë e madhe. Unë shkruaj dhe shumë shpejt do të fitoj para. Vjershat e mia i pëlqejnë të gjithë, madje edhe Binaku, - tha ai duke përmendur gjithë adhurim njërin prej emrave më të njohur të poetëve të vendit.
- Ke ndonjë poezi aty? - e pyeti Minai. - Posi, - gjegji ai dhe nxitoi të hapte çantën.
Nxori nja dhjetë fletë formati A4 të shtypura me makinë shkrimi, të cilat u ngrit rrëmbimthi dhe ia vuri përpara. Minai u hodhi një shikim të shpejtë fletëve, pastaj u ndal tek vjersha e parë, e cila titullohej: “Një gur në lug”. Vuri buzën në gaz dhe zuri ta lexonte përmbajtjen e saj, e cila ishte kjo;
Një gur në lug
është gur në lug,
dhe lugu...lugu teshtin,
teshtin nga dhembja
e barkut, nga ethet
dhe s’ka kohë ta dhjesë
më gurin.
Kur e përfundoi së lexuari, Minai u mendua një hop pa e ngritur kokën ta shihte poetin, të cilit po i shkëndijonin sytë duke pritur me padurim fjalët më të mira. Studenti preferoi, padashur, ta linte në tension edhe ca duke pritur, mbasi nuk i dha përgjigje, por kaloi te një fletë tjetër. Lexoi me zë të lartë; “Mullari në brrakë” dhe, duke u përpjekur të hiqej sa më serioz që të mundej, iu fut leximit të mëtejshëm, ku flitej për një mullar që shihte ëndërra erotike në një brrakë të thatë ditën për diell.
- Ç’është kjo?! - nuk iu durua atij, por tjetri e pa me ca sy të qeshur nga kënaqësia dhe vetëm sa i tundte kokën sikur donte t’i thoshte; “E shikon ç’talent?!”.
Minait i erdhi të qeshte me sa kishte në kokë, por u përmbajt sakaq dhe vendosi të shfletonte akoma nga ato fletushkat e tjera që kishte në duar. Sytë iu ndalën tek titulli i shkruar me shkronja të mëdha; “Kunji në mes të dhëmbëve”. E kaloi. Poezia që vinte pas saj titullohej; “Fryn era në kopështin me zarzavate”. Ky titull iu duk pak më ngacmues dhe pandehu se aty do ta gjente vërtetë sekretin e famës së këtij poeti, ndaj vijoi leximin e vjershës.
Unë dhe ti,
ti dhe unë,
puthemi në stol.
Në kopësht
zarzavatet englendisen
nga era,
të dashuruara.
Eh, dashguri e parë...
Minait i iku sakaq dëshira për të qeshur, por edhe s’mundi të vazhdonte më tutje. Aq iu mërzitën ato vargje plot naivitet, ku ai tjetri, që tani e shihte me tërë dinakërinë e tij të mundshme, kishte derdhur krejt talentin e tij poetik dhe së fundi priste dafinat.
- Ke shkruar shumë poezi të tilla? - e pyeti më shumë sa për të qenë në temë.
- Po, - gjegji poeti vetëtimthi. - Kam plot të tjera në shtëpi, por këto i kam sjellë, sepse dua të botoj përmbledhjen time të parë.
“Përmbledhjen e parë?!” - përsëriti djaloshi vetmevete. “Edhe kjo na duhej.” Poeti mori në dorë atletet e llangosura gjithë baltë të kuqe dhe i mbështeti përmbys tek kaloriferi, me qëllim që t’i thaheshin ndopak. Pastaj u soll prej tij dhe e pyeti nëse kishte edhe ai ndonjë poezi për t’ia dhënë që ta lexonte.
- Unë, në përgjithësi i gris sapo t’i kem shkruar, - ia ktheu studenti. - Nuk ia vlen t’i lexojë njeri, megjithatë më duket se i kam nja katër a pesë fabula diku.
- Epo ç’pret! - ia priti poeti, ndërsa fërkonte duart gjithë padurim.
Minai u ngrit dhe hapi ca sirtarë tek një raft në aneks, rrëmoi për ca çaste atje duke mërmëritur se s’ishte i sigurtë nëse do t’i gjente, por tjetri qe aq këmbëngulës për t’i lexuar sa ai s’ia prishi dot.
S’la vend pa kontrolluar gjersa më në fund vërtetë i gjeti. Ishin gjithësej nja tri fletë formati, që ai i kishte shkruar shumë kohë më përpara dhe, që ndërkohë i kishin dalë nga mendja, deri atëherë kur iu desh të hynte në tema letrare me këtë mysafir të panjohur, i cili e mbante veten me të madhe për poet. I gjeti në brendësi të një libri të trashë, të palosura e të harruara barbarisht dhe, pa pikë interesi për t’u hedhur vetë një sy, ia zgjati që t’i merrte.
Ky i fundit, i mori rrëmbimthi, si diçka të shumëpritur dhe i shpalosi me duart që i dridheshin, mandej zuri të lexonte në heshtje duke harruar bile edhe të merrte frymë. Minai e sodiste me habi sesi ai herë pas here luante kokën gjithë miratim, buzëqeshte, psherëtinte, përplaste këmbën në dysheme, sikur kushedi çfarë arti të rrallë gjente atje.
“Qënka vërtetë i fantaksur!” - mendoi ai.
- Po mirë, - foli burri pas ca kohe, - e gjeti ai maçoku çizmen e humbur, apo jo?
Minai e pa me ironi, por tjetri as që deshi t’ia dinte për këtë. Ai kërkonte shpjegime.
- Ti si mendon?
- Si rregull duhej ta gjente. E pse jo, - dha ai mendimin e tij poetik, por jo fort i sigurtë.
- Ndërsa unë them se akoma s’e ka gjetur, - ia futi kot Minai dhe u gajas.
- Gjynah, - ia priti ai burri. - Si poezi është e hatashme.
Ai i ktheu fletët nga të gjitha anët, i palosi e i çpalosi gjithë lakmi, pastaj tha se do t’ia dinte për nder po t’ia falte atij. Minai, i cili s’kishte pikë interesi për to, ia fali menjëherë. Bile i tha se i vinte keq që s’i ndodheshin më shumë, që t’ia falte edhe ato.
Studenti s’e kishte as idenë më të vogël se pikërisht të nesërmen, jo më vonë, do të mahnitej kur t’i tregonin se te Fakulteti Filologjik emri i tij ishte radhitur ndër emrat më të ndritur të letërsisë së kombit.
Njëri nga shokët e tij të kursit, i cili po kalonte rastësisht andej, kishte dëgjuar t’ia përmendnin emrin dhe ishte bërë kurioz të merrte vesh shkakun. Një burrë i dobët, me një hundë të madhe, të kërrusur e me flokë të hallakatura, i cili mbante një çantë të çuditshme në krah, ishte rrethuar nga një grup të rinjsh që e dëgjonin dhe gajaseshin. I tërhequr nga tërë ajo zukamë zërash gazmorë dhe, sidomos, ngaqë dëgjoi të përmendej aty emri i Minait, të cilin ai e donte si vëlla, vendosi t’i afohej grupit që të mësonte gjësendi përse bëhej fjalë.
Burri me çantë mbante në dorë një çadër, të cilën e vërtiste majtas e djathtas, gjithë serbesllëk, a thua se ishte skeptër; herë pas here përkulej paksa dhe bënte ca gjeste të çuditshme, ndërsa fliste me zë të lartë për tema letrare. Në bisedë e sipër fjala ra përsëri tek shkrimtarët e gjallë që shkruanin ende, të cilët ai i kishte miq që të gjithë pa përjashtim dhe, atëherë, krahas Binakut, kollos i padiskutueshëm i letrave të kohës, përmendi edhe Mina Shkëmbin.
- Në fillim u emocionova pamasë, - iu shpreh çiltërisht shoku i tij Minait, të nesërmen në drekë, ndërsa po dilnin nga mensa e studentëve. - Përmendej emri i njërit prej shokëve të mi më të mirë, për të cilin ne madje s’e dinim të kishte shkruar kurrë ndonjë vjershë, le pastaj botuar, jo e jo. Të them të drejtën, në filim pandeha se kjo kishte qenë ndonjë hilé nga ana e jote, - i tha ai, - por pastaj u qetësova, kur një vajzë, e cila ndodhej në atë grup, i kërkoi atij botit më shumë të dhëna për ju, sepse siç tha ajo, duke ngritur supet gjithë dyshim, këtë emër asaj s’ia kishin zënë veshët ndonjëherë.
- Po atëherë? - pyeti Minai i skuqur në fytyrë.
- Atëherë ai u tha studentëve se Minai është një student i veterinarisë, por që shkruan perla me penën e tij të artë. Të rinjtë panë njëri - tjetrin sy në sy dhe qeshën, por atij oratorit, që s’i pushonte goja së dërdëllituri, as që iu bë vonë për ngacmimet ironike të bashkëbiseduesve të tij të djallëzuar. Për t’ua vërtetuar katërcipërisht vlerësimet e veta, tha se i ndodheshin me vete në atë çantën e stërmadhe disa poezi të këtij autori, të cilat vetë ai ia kishte dhuruar në shenjë mirënjohjeje, siç ndodh rëndom midis shkrimtarësh të mëdhenj. Hapi çantën dhe nxori prej andej ca fleta formati të shtypura me makinë, pastaj filloi të interpretonte me tërë talentin e tij një fabul me një maçok, të cilit një natë i kishte humbur njëra çizme.
Minai sakaq u skuq kur dëgjoi këto, por tjetri, duke parë reagimin e tij të shqetësuar, ia dha të qeshurës edhe më fort.
- Po ata të tjerët, ç’bënin? - pyeti Minai.
- Veç t’i shikoje, i dashur Mina. Ata s’mbaheshin fare. Qeshnin me lot e binin përmbys duke mbajtur ijet.
- Sa turp! - bërbëliti djali me pikëllim.
- Sa qejf thuaj, përse turp? - e ndreqi ai tjetri, i cili edhe tani qeshte e s’mbahej duke kujtuar skenën që kishte parë.
- Kushedi në sa vende ka për t’i lexuar ato fabula dhe emri im do të bëhet objekt talljesh, - tha Minai. - Hej, djalli ta marrë, nga m’u shpif dhe si i besova unë, kur ai s’kishte asgjë prej njeriu të hajrit!
- Por, ai ishte poet, - ia priti ai shejtani tjetër gjoja me seriozitet.
Minai e pa me inat dhe s’u përmbajt.
- Ik tani, m’u hiq megjithë atë poetin tënd! Me sharlatanë të tillë sot janë plim të gjitha rrugët, kurse ti ma quan poet një të tillë që i ka marrë koka erë, që kur ka lindur!
- Mirë, mirë, sidoqoftë qetësohu tani! - u përpoq ta ngushëllonte ai shoku i tij. - Prite, kur t’i shohësh një ditë ato fabulat e tua të botuara në një libërth me emrin...
Të dy heshtën një hop dhe u panë sy më sy.
- E mo, si e kishte?
- Lyf Latif Leshtaku, - gjegji Minai, dhe një buzëqeshje e lehtë iu duk papritur në njërin cep të buzëve.
Ia nguli vështrimin tjetrit, të cilit në atë kohë po i skuqeshin sytë dhe veshët, por për të mos e fyer shokun, i vuri dorën gojës.
Dora - dorës, duke e parë në atë gjendje torturuese, Minai edhe vetë u rrëmbye nga një dëshirë e papërmbajtur për të qeshur. Atëherë ata të dy s’pritën më, por qeshën e qeshën, derisa menduan se po të qeshnin më shumë, i gjithë ai gaz i çiltër mund t’u kthehej në vajë.
gusht - shtator 2003
Njerëz me pretendime
Agim Gashi- Administrator
- Numri i postimeve : 45955
Age : 70
Location : Kosovë
Registration date : 17/11/2008
Similar topics
» Petrit Nika: Vizitori misterioz (tregim)
» Redaktoriale mbi romanin; “Nga Njerkëdheu në Atdheburg” të Zoi Dashit (Nga Petrit NIKA)
» Petrit Nika:Qenia brenda enës(botoi Skanderbeg Boks)
» Musa Jupolli:Anastas Nika - 1
» Alma Papamihali: Intervistë me regjizorin, aktorin dhe skenaristin - Anastas Nika
» Redaktoriale mbi romanin; “Nga Njerkëdheu në Atdheburg” të Zoi Dashit (Nga Petrit NIKA)
» Petrit Nika:Qenia brenda enës(botoi Skanderbeg Boks)
» Musa Jupolli:Anastas Nika - 1
» Alma Papamihali: Intervistë me regjizorin, aktorin dhe skenaristin - Anastas Nika
Faqja 1 e 1
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi
Tue Mar 14, 2017 8:17 pm nga Agim Gashi
» IDRIZ ZEQIRAJ - SHIPTARËT NUK JANË "ME BYTHË NË PRUSH", PËR TË FALUR TOKAT
Mon Feb 27, 2017 6:54 pm nga Agim Gashi
» Akuzat kundër Shefqet Krasniqit Prokurorisë ia kishte konfirmuar edhe BIK-u (Dokument)
Mon Feb 27, 2017 5:20 pm nga Agim Gashi
» Aktakuzë kundër imamit Shefqet Krasniqi
Mon Feb 27, 2017 4:32 pm nga Agim Gashi
» Zbulohen tensionet gjatë dialogut në Bruksel, Nikoliqi Thaçit: Ti je kriminel
Fri Feb 03, 2017 7:40 pm nga Agim Gashi
» Faruk Tasholli - RJEPENI NANËN
Fri Feb 03, 2017 12:22 pm nga Agim Gashi
» FAMILJA E HAKI IMERIT: AI U VRA NË KOHËN KUR NË PUSHTET ISHIN HASHIM THAÇI E REXHEP SELIMI
Wed Jan 25, 2017 12:39 am nga Agim Gashi
» AGIM GASHI - O NE TREN PËR MITROVICË
Wed Jan 18, 2017 11:08 pm nga Agim Gashi
» Vëllai i tij u pajtua me Thaçin, por ja si ishte kidnapuar Haki Imeri në Brojë e më pas ishte vrarë
Wed Jan 18, 2017 8:13 pm nga Agim Gashi
» Fadil Maloku:Aferim, Prokurori e Kosovës!
Wed Jan 18, 2017 8:00 pm nga Agim Gashi
» Djali i Haki Imerit del kundër axhës: Nuk ia fali Thaçit, nuk dua drejtësi kanunore
Wed Jan 18, 2017 7:12 pm nga Agim Gashi
» IDRIZ ZEQIRAJ:Copëza biografike dhe kujtime për Ibrahim Rugovën
Wed Jan 18, 2017 5:13 pm nga Agim Gashi
» Presidenti Thaçi i “lahet me 124 pleq” Imer Imerit se nuk ka gisht në vrasjen e vëllait të tij
Wed Jan 18, 2017 4:00 pm nga Agim Gashi
» Adem Salihaj akuza të rënda ndaj Hashim Thaçit, ja si po mundohet të shpërlahet nga krimet e shumta që ka bërë
Wed Jan 18, 2017 3:53 pm nga Agim Gashi
» Ndodh edhe ky skandal: Njeriu që grisi fotografinë e Presidentit Rugova merr certifikatën e veteranit të UÇK-së
Tue Jan 17, 2017 7:55 pm nga Agim Gashi
» BERAT ARMAGEDONI:Lamtumirë, Joshua i Pejës!
Tue Jan 17, 2017 12:15 am nga Agim Gashi
» Biografia e Presidentit Rugova - Biografi e shkurtër
Mon Jan 16, 2017 10:32 pm nga Agim Gashi
» ILIR MUHARREMI : Treni provokativ, artistët në gjumë
Sun Jan 15, 2017 11:32 pm nga Agim Gashi
» Përveç ROSU-së, ky është shqiptari që rrezikoi jetën për ta ndalur trenin e Serbisë
Sun Jan 15, 2017 9:53 pm nga Agim Gashi
» ENVER PETROVCI - IN MEMORIAM SEFEDIN NUREDINIT- SEFA
Sun Jan 15, 2017 9:07 pm nga Agim Gashi