Petrit Nika: Vizitori misterioz (tregim)
Faqja 1 e 1
Petrit Nika: Vizitori misterioz (tregim)
Petrit Nika: Vizitori misterioz (tregim)
Nikolla e kishte shquar që larg, teksa po vinte nëpër muzg, nën hijen e pemëve të lulëzuara, buzëmbrëmjen e të Shtunës së Shenjtë, me tridhjetë mars. Po ecte ngadalë, si fantazmë, përmes shtëpive të lagjes së humbur në mes të grumbullit drufrutorë dhe, e nuhati menjëherë se asaj mbrëmjeje ai njeri s’do vendoste të shkonte aq larg, sepse nata ishte fare pranë dhe duke e ditur se qendra e lagjes, - e boshatisur tashmë përgjithmonë, - do ta shtynte drejt këndeve dikur të qeta, ku tashmë ende këndonte kur e kur ndonjë këndes injorant, apo lihte ndonjë qen i shastisur e i vetmuar, - s’di sepse pikërisht që atëherë, për herë të parë mendoi seriozisht, i yshtur siç duket dhe nga ndonjë parandjenjë e pagabueshme, se ai mysafir i çuditshëm atë natë do të shkonte ta kalonte pikërisht tek ata.
Për një moment s’deshi ta besonte se kjo pandehmë e tij mund të qe krejtësisht e vërtetë dhe vazhdoi rrugën për në shtëpi duke menduar me shqetësim për fatet e pasigurta njerëzore. Po kthehej nga një rrugë e gjatë, i lodhur e i dërrmuar shpirtërisht nga mundimi dhe nga kujtimet e befta të një dashurie të harruar, të cilën ia patën rizgjuar gjatë asaj dite, amsimi këndellës i pranverës dhe disa gota të mira me verë që i pat pirë tek disa miq të tij, nja një orë larg me këmbë prej fshatit.
Sapo arriti në oborr i paralajmëroi menjëherë gjyshen dhe motrën e tij më të vogël për mundësinë e kësaj vizite.
-Ta mbyllim portën e oborrit, - reagoi menjëherë vajza e re dhe gati qe nisur ta mbyllte aty për aty, sikur të mos i bërtiste gjyshja, e cila u skandalizua nga ato fjalë.
- Në qoftë se ai dëshiron të vijë tek ne për ta kaluar këtë të Shtunë të Shenjtë, le të vijë, - tha ajo. - Portën s’do t’ia mbyllim askujt.
Me mendimin e gjyshes ishte edhe Nikolla, vetëmse ndryshe nga ajo, ai mendonte se portën e jashtme të oborrit qe më mirë ta mbyllnin si zakonisht dhe le ta hapnin vetëm po t’u trokisnin në derë.
- Të hapur fare do ta lëmë, - i vuri pikë gjyshja. - Po të dojë, pse të mos vijë.
Vajza vazhdonte të grindej me gjyshen e saj kokëmushkë, duke u përpjekur ta bindte se ai njeri s’duhej lënë të flinte në shtëpinë e tyre, për shkak të pleshtave dhe morrave që sillte me vete, por plaka bënte kryq sa herë dhe i qortonte atë dhe të nipin e saj për qëndrimet e tyre prej të krishterësh të padenjë.
Në këto e sipër, s’vonoi e u dha në derë një siluetë e kërrusur burri me shtat mesatar, i cili mezi u ndërronte vend këmbëve të tij, tek u bënte një lëvizje ritmike duarve, mu si ai njeriu që sapo ka lëshuar nga duart ndonjë gjë që të përvëlon.
Nikolla nxitoi t’i dilte përpara, për t’i uruar gjoja mirëseardhjen me ca fjalë të përzemërta siç ia donte adeti, por doli huç, se ai tjetri nuk e përfilli fare këtë gjest mirësjelljeje edhe sikur ky t’ia dedikonte me sinqeritetin më të madh. Nuk begenisi t’i përshëndeste asnjërin prej pjestarëve të familjes, por hyri brenda drejt e në dhomën e pritjes, të cilën për habinë e të gjithëve e gjeti vetë, edhe pse qe hera e parë që e vizitonte këtë shtëpi. Nuk denjoi madje as t’i hiqte çizmet me baltën e shiut të djeshëm ende të patharë, por u fut ashtu siç erdhi nga rruga, duke lënë përmbi tapetin e gjelbër të korridorit ca shenja të kafenjta, të cilat vajza sapo i vuri re, shtërngoi grushtet nga inati që mbrapa kurrizit të tij.
- Dua një gotë ujë, - urdhëroi i posaardhuri, sapo qe ulur në kolltuk, pa iu drejtuar në mënyrë të veçantë asnjërit prej të pranishëmve, të cilët e shihnin të seritur e me mosbesim.
Vetë Nikolla nxitoi dhe ia solli një gotë me ujë të ftohtë, të cilën ai e rrëkëlleu duke e mbajtur me të dyja duart. Piu duke lënë t’i dilnin anash buzëve dy currila të pandërprerë uji, derisa në gotë s’mbeti asnjë pikë prej tij. Gjunjët dhe vendi përpara iu mbushën gjithë ujë, por ai nuk u merakos fare për këtë gjë, e vuri gotën përdhe përpara këmbëve të veta duke lëshuar nga goja ca tinguj si ata që bëjnë krahët e një mëllenje të trembur kur fluturon.
Plaka bëri kryq për të tretën herë, ndoshta sepse kjo fëshfërimë rrënqethëse i ngjau padashur me atë të flatrave të një shpirti të keq.
Gruaja zemërmirë rrinte ndenjur në kolltukun e saj të vjetër pranë oxhakut dhe shikonte e nemitur të gjitha sjelljet e të posaardhurit, duke bërë çmos të hiqej sikur s’ia vinte re, tek i sillej në mënyrën më dinjitoze që mundej, ndërsa e pyeste nëse e pati lodhur udha, nga vinte dhe si ndihej me shëndetin. Mysafiri, me të vërtetë fort i çuditshëm, dalngadalë filloi të bëhej pak argëtues për Nikollën, madje dhe për vajzën, me ato përgjigje të thata e gjithë përçmim që u bënte pyetjeve të tyre të shumta.
Dora-dorës, ai vetë filloi t’i pyeste mikpritësit e tij për gjyshër e katragjyshër, nga babai e nga nëna, për dajat e gjyshërve e për tezet e tyre, njerëz për të cilët ata as kishin mësuar ndonjëherë se kishin ekzistuar, mandej arriti në përfundimin se, sipas tij, ata binin fis sëbashku, mbasi gjoja një katragjysh i harruar i asaj mëhalle qe daja i një katragjyshi të tij, ndaj kërkonte prej tyre ta trajtonin me shumë respekt dhe t’ia dinin për nder për vizitën që u kishte bërë, ndonëse vonë, tani pas njëqind e pesëdhjetë vjetësh.
Vetë Nikolla shkoi në kuzhinë dhe ia bëri gati kafenë dhe po vetë ia vuri përpara bashkë me një gotë raki rrushi të sertë, duke i buzëqeshur si një miku të vjetër e duke e bombarduar me njëqind urime të shtirura mirëseardhjeje, me uzdajën për t’i hyrë sadopak në qejf këtij njeriu që s’i ngrinte sytë njëherë për të parë asnjërin prej mikpritësve.
I huaji ia rrëmbeu filxhanin me të dyja duart dhe pa thënë asnjë fjalë, e rrëkëlleu krejt si atë gotën e ujit pak më parë, duke e jargavitur gjysmën mbi gjunjë dhe në tapet. Plaka gërvishti fytyrën kur e pa këtë poshtërim, por s’bëzani.
Si mbaroi kafenë, mysafiri rrëmoi gjatë me të dyja duart rrasur nëpër xhepa, duke i shkundur e duke i kthyer së prapthi që të gjithë. Së fundi, kur e gjeti një monedhë të vjetër, që s’përdorej më në treg, pushoi së lypuri, e mori me të dyja duart e bëra grusht atë monedhë të vdekur dhe e hodhi në filxhanin e kafesë. Kësaj radhe qe Nikolla ai që u bë me kacadreqën, por prapë nuk i foli ashpër këtij mysafiri të pagdhëndur, megjithë tërë ato gjeste të mbrapshta që bënte, vetëm ia ktheu reliktin duke u përpjekur ta sqaronte se ata nuk ua shisnin me para kafetë njerëzve që u vinin në shtëpi për vizita. Sidoçoftë, ai tjetri nuk u merakos fort. Pa thënë asnjë fjalë e mori prapë monedhën dhe e hodhi brenda në gotën e rakisë, të cilën sapo e kishte mbaruar dhe i kërkoi që t’ia mbushte prapë.
Nikolla ia mbushi edhe një gotë tjetër dhe u ul përkundruall e po e vërente me kureshtje të madhe. Mysafir të atillë s’i kishin parë kurrë sytë në atë shtëpi. Sjelljet e tij të shkujdesura i kalonin caqet e paturpësisë, ndaj i zoti i shtëpisë mendoi se s’ishte keq të hetonte palè ku donte të dilte ky njeri me tërë ato pehlivanllëqe qesharake. Nuk po i binte dot në të nëse kishte të bënte këtu me një të marrë, që i kishte marrë koka erë prej qëkuri, apo me ndonjë sharlatan të pacipë, - apo, apo, mos vallë, larg qoftë, me ndonjë të çmendur i cili nga momenti në moment mund të ngrihej nga vendi ku qe ulur dhe t’i shkonte të gjithë në thikë.
Mysafiri, si t’i kishte kuptuar mendimet e zymta të të zotit të shtëpisë, befas e la gotën mënjanë dhe zu të predikonte për paqen, duke folur me një zjarr të papërmbajtur kundër gjynaheve të njerëzve e duke i mallkuar me të parë e me të mbramë të gjithë mëkatarët e kësaj bote.
- U shofshin të gjithë! - e mbaroi predikimin ai, vaisi kokën mbi gjunjë, ngriti duart drejt qiellit duke i lëvizur kuturu dhe filloi të dëneste në heshtje.
Plaka u trondit së tepërmi dhe filloi t’i lutej Shën Mërisë duke besuar se përpara kishte një provani të Shenjtë, se kjo qenie tekanjoze s’qe veçse një ëngjëll i mbuluar me lecka, të cilin nipërit e saj mëkatarë e përbuznin nga padija, ndaj i lutej me zjarr shenjtëreshës që t’i falte. Nikolla, edhe ai hapi sytë kur pa këtë ndryshim të papritur dhe filloi të rrëmbehej si pa kuptuar nga dyshime mistike. Ai s’ua ndante sytë gjesteve që bënte i panjohuri, duke u rrekur me të gjitha shqisat t’i kapte dhe t’i zbërthente ato, si dhe ca fjalë e ca pasthirrma të njëfarë gjuhe të pakuptueshme që filloi të dërdëlliste me gjysëm zëri ai tjetri.
U përpoq të konstatonte në fillim nëse ajo gjuhë e padëgjuar herë tjetër në atë shtëpi qe latinisht dhe si nuk i ngjau e tillë, tha me mend se do të qe semitishtja e lashtë e kohëve biblike. Ndërkohë, i huaji zbriti nga kolltuku dhe ra përmbys në dysheme, ku u përkul në një heshtje e harrim përdëllimtar. Pastaj, kur u ngrit, për herë të parë gjatë gjithë asaj mbrëmjeje, ia nguli sytë me njëfarë kthjelltësie të riut njëzet e shtatë vjeçar, duke i folur me një zë tjetër që e la pa mend atë dhe gjyshen e tij besimtare.
- Është i pamëshirshëm fati dhe e dobët qëndresa jonë, - deklaroi ai. - Dhe është krejt e kotë gjithë kjo gënjeshtër e madhe që i bëjmë vehtes çdo ditë. Ja, më shikoni, dikur edhe unë isha njeri si ju dhe i kisha të gjitha; babanë, nënën, fëmijërinë e ëmbël. Më vonë gëzimet e rinisë. Kisha edhe para, një shëndet si rrallëkush, shoqëri, por tani s’i kam asnjërën nga këto.
Si tha kështu, u ngërdhesh sikur do të qante. Uli kokën dhe filloi të bënte ato lëvizjet e zakonshme me të dyja duart. Nikolla e ndoqi me vëmendje dhe priti me ankth që ai të vazhdonte të zbulohej përsëri, por i huaji ndërkohë qe bërë prapë i mefshtë dhe misterioz si më parë. Tevona, duke mos dëgjuar lutjet e zjarrta të plakës që e përbetonte të mos e ngiste, ai zuri ta pyeste atë i interesuar për të zbuluar si kishin rrjedhur ngjarjet më vonë, kush ishte ai dhe nga kishte ardhur në atë fshat të humbur.
I huaji nuk e ngriti kokën asnjëherë dhe asnjërës prej pyetjeve nuk iu përgjigj. A thua se nuk dëgjonte mirë nga veshët! Atij nuk i bëri përshtypje fare, as kur Nikolla iu drejtua me të urtë dhe as kur gjoja për ta trembur, iu drejtua me të bërtitur.
Ndonjëherë fliste me vete për gjëra pa lidhje me ato për të cilat pyetej, ndërsa Nikolla vendosi të përdorte të gjitha dredhitë që t’i vinin në kokë për ta bërë të fliste edhe njëherë me atë gjuhën e qartë që i kishte folur qëparë. Filloi t’i tregonte për gjellëra të shijëshme, për shtëpi të bollshme e të bukura në qytete të mëdha e sidomos për femrat e njëfarë vendi të imagjinuar, të cilat njëherë po t’i shikoje, shëroheshe nga gjithë ato pasiguri shpirtërore që t’i sjell jeta e vetmuar endacake, por duket se të gjitha ato që thoshte ai, i merrte era pa i dëgjuar njeri, sepse asnjë fjalë nuk i bëri ndopak përshtypje dhe se asnjëherë nuk denjoi të merrte pjesë në atë bisedë provokuese, por e dënoi deri në fund me moskokëqarje.
Kur erdhi koha për të ngrënë darkën, vajza tha ta shtronin tryezën në kuzhinë, ndërsa mysafirit t’i çonin për të ngrënë aty ku ishte, mbasi nuk e duronte dot. Gjyshja bëri bé e rrufé se s’do të vinte kafshatë në gojë atë darkë të së Shtunës së Shenjtë, po të mos e pranonin edhe mysafirin në tryezë, sepse siç thoshte ajo, një vizitë e një njeriu të tillë në një natë të madhe, qe një provë domethënëse, të cilën ata duhej ta kalonin me devocion të vërtetë.
Deshën, s’deshën, të rinjtë qenë të detyruar ta ftonin për të ngrënë edhe atë në një tavolinë me ta, por ai ua ktheu i nervozuar e pa e ngritur kokën për t’i parë.
- Mirë, pra silleni darkën këtu!
- Por darkën zakonisht e shtrojmë në kuzhinë, - provoi ta sqaronte vajza, duke u përpjekur të mos jepej aq e zemëruar sa ç’ishte në të vërtetë.
I huaji s’begenisi të jepte hollësi më shumë, se ç’duhej të bënin dhe as ua zbuloi atyre se ç’kishte ndërmend të bënte ai vetë.
Atëherë gjyshja vendosi që darkën ta shtronin aty ku dëshironte vizitori i panjohur, atje u zhvendosën menjëherë takëmet e enëve, mezet dhe gjella, sepse buajtësi mund të ishte edhe i uritur. Gjithçka u bë siç tha gruaja plakë, pa ndonjë kundërshtim të fortë nga ana e të rinjëve, të cilët s’ia bënin dot dy fjalën gjyshes së tyre, vetëmse vajza atë natë s’pranoi të ulej kurrësesi në atë tryezë për të ngrënë pranë këtij vizitori misterioz. Ajo nxori një pretekst; u ankua sikur gjoja i dhimbte koka dhe shkoi të flinte në dhomën e saj pa ngrënë kurrgjë.
I huaji as që deshi t’ia dinte fare për turbullimin e saj; ai zuri cepin e tavolinës, i afroi të gjitha pjatat e tij pranë vetes, piu rakinë me gëllenjka të mëdha e pa meze, mandej mori me grusht mezet që ishin nëpër pjata dhe i kullufiti të gjitha sëbashku, njëherësh, - krejt si i babëzitur. Kur e pa këtë gjë fantastike, plakën e zu paniku se mos i ndodhte ndonjë e papritur dhe zu t’u lutej përsëri shenjtorëve që ta kishin nën kujdes.
Si e mbaroi darkën e tij, duke ngrënë në një mënyrë krejt të shëmtuar në fillim gjellën pa bukë, pastaj bukën pa gjellë, i huaji ngriti paksa kokën dhe pa vëngër nga Nikolla.
- A ka ndonjë gotë? - thirri ai gjithë qortim.
-Do, ujë? - pyeti Nikollla pa të keq dhe bëri të ngrihej, ndonëse s’e kishte mbaruar ende darkën e tij.
- Ç’ujë të pshurrur, more! - shfreu i huaji duke turfulluar. - Një gotë verë, a s’ka në këtë shtëpi?
Pas darkës Nikolla i mati një cigare, të cilën i huaji e mori, por s’pranoi kurrësesi ta ndizte pa i sjellë një kuti shkrepsesh fringo të re, të papërdorur asnjëherë më parë, gjë që dikujt tjetër me të vërtetë do t’i ngrinte nervat, ndërsa Nikolla si njeri i duruar e dhembshur që qe, nuk e prishi terezinë.
I nisën dhe i mbaruan nga dy cigare dhe i huaji asnjëherë s’begenisi t’i përgjigjej asnjë pyetjeje të bërë prej tij, duke u shtirur në mënyrën më të paturpshme sikur s’dëgjonte, megjithëse ndofta s’dëgjonte vërtetë në momente të caktuara. Si e pa që tjetri s’kishte ndërmend të dilte në asnjë mënyrë nga guacka e tij dhe nata po shkonte, Nikolla dikur tha se ishte mirë të flinin tashmë dhe e ftoi të shkonin në dhomën e tij duke i bërë të ditur se kishte dy krevatë të lirë atje. I huaji ia filloi përsëri nga avazi, duke i lëvizur duart në një mënyrë qesharake, sikur zinte me duar gjëra që e digjnin dhe i bëri të ditur se s’kishte fjetur në krevat që prej kohësh që s’mbaheshin mend.
- Po ç’do të bësh? - e pyeti Nikolla.
- Fle kështu siç jam, - ia ktheu i huaji prerë.
- Vetëm me rrobat e udhës? - pyeti gruaja plakë dhe në çast u pendua, sepse gabimisht për një moment e kishte krahasuar atë qenie me një njeri.
Për sytë e saj, gjatë gjithë mbrëmjes ai kishte demonstruar sjelljet e një tjetër bote, ndaj u pendua në çast që i kishte drejtuar atë pyetje aq torollake. Duke menduar se e kishte fyer me pyetjen e saj naive, plakës iu duk e tepërt vetja aty, iu uroi natën e mirë burrave dhe doli.
I huaji atëkohë u zhvendos në mes të dhomës, ra përmbys nën llambë dhe zuri të mallkonte e të shfrynte ndaj të gjithë karagjozëve e mëkatarëve të panumërt që popullonin këtë botë. Mandej, si e gjykoi se karagjozët dhe mëkatarët e kishin mjaft për atë natë, u zvarrit me bërryla deri në qoshen e dhomës, tek ndodhej tavolina e madhe ku ishte ngrënë darka, u mblodh kruspull poshtë saj dhe i bëri me shenjë të zotit të shtëpisë për t’i kujtuar se kishte ardhur koha ta linte vetëm.
Nikolla shkoi në dhomën e tij dhe fjeti i qetë deri aty ndaj mesnate, kur u zgjua papritmas nga një krismë e fortë që e bëri të brofte në këmbë gjithë frikë.
Era, e cila kishte zënë të frynte si e marrë, kishte përplasur kanatet e pambyllura mirë të dritares dhe i kishte hapur. Përjashta dëgjoheshin pikat e para të shiut që binin mbi gjethet e reja të drurëve të oborrit në errësirë dhe vetvetiu mendja i shkoi tek mysafiri. Provoi ta ndizte dritën, por rryma qe ndërprerë. Duke u orientuar me vështirësi, shkoi deri në kuzhinë ku zuri të kërkonte elektrikun e dorës, të cilin asaj nate kishte harruar ta merrte në dhomën e tij, siç bënte zakonisht, - për ta patur pranë për çdo të papritur. E gjeti me zor, e mori dhe u drejtua për nga dhoma e të huajit për të parë ç’bënte ai në këtë orë, atje në dhomën e tij në fund të korridorit. Hapi derën gjithë kujdes se mos e zgjonte nëse ishte duke fjetur dhe, mbajti vesh në errësirë. Edhe dritarja e dhomës së tij qe e hapur kanat, ndërsa në dhomë s’dëgjohej frymë njeriu, përveç zhurmës së shiut që hynte brenda nga dritarja e hapur.
Vetëm atëherë Nikolla ndezi elektrikun e dorës dhe pa rreth e rrotull nëpër dhomë, pastaj poshtë tavolinës atje në qoshe dhe u trondit.
I huaji s’ishte aty.
Atëherë ai u hodh dhe me një frymë kontrolloi krejt shtëpinë, përveç dhomës së kyçur nga brenda, ku flinin plaka me të mbesën, dhe si nuk e gjeti askund, doli ta kërkonte në oborr, duke kaluar nëpër dritaren që ishte hapur. Eci i pambrojtur anës murit, nën rrëketë e ujit të shiut që derdhej prej çatisë, duke vëzhguar gjithandej vendet që fasha e zbehtë e dritës i zbulonte nga misteri i errësirës, por s’dalloi dot këmbë njeriu as në oborr, as në kopështin e pemëve frutore.
Tevona i ra në sy porta e jashtme e murit rrethues, e cila është lënë e hapur dhe atëherë e kuptoi se qe e kotë të rrinte e të priste më gjatë, apo ta kërkonte më larg nëpër atë shi. I huaji misterioz ishte larguar që andej për të mos u kthyer më, mesa duket i ndjellë nga shiu që kishte filluar sërish të binte.
Mbylli portën e jashtme me kujdes dhe u kthye brenda përmes dritares së hapur. Ishte lagur deri në palcë. Nuk i ndërroi rrobat e bëra ujë, as shkoi të flinte, vetëm hodhi krahëve një batanije të leshtë dhe i ulur në një karrige përballë dritares së hapur qëndroi në dhomën e zbrazët pa lëvizur, duke pirë cigare e duke vështruar shiun që vazhdoi të binte pandërprerë deri në mëngjes.
prill 2002
Agim Gashi- Administrator
- Numri i postimeve : 45955
Age : 70
Location : Kosovë
Registration date : 17/11/2008
Similar topics
» Petrit Nika: Njerëz me pretendime - tregim nga PETRIT NIKA
» Vullnet Mato:I SHËMTUARI MISTERIOZ(Tregim)
» Redaktoriale mbi romanin; “Nga Njerkëdheu në Atdheburg” të Zoi Dashit (Nga Petrit NIKA)
» Petrit Nika:Qenia brenda enës(botoi Skanderbeg Boks)
» Të vërtetat përvëluese të fshatit misterioz
» Vullnet Mato:I SHËMTUARI MISTERIOZ(Tregim)
» Redaktoriale mbi romanin; “Nga Njerkëdheu në Atdheburg” të Zoi Dashit (Nga Petrit NIKA)
» Petrit Nika:Qenia brenda enës(botoi Skanderbeg Boks)
» Të vërtetat përvëluese të fshatit misterioz
Faqja 1 e 1
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi
Tue Mar 14, 2017 8:17 pm nga Agim Gashi
» IDRIZ ZEQIRAJ - SHIPTARËT NUK JANË "ME BYTHË NË PRUSH", PËR TË FALUR TOKAT
Mon Feb 27, 2017 6:54 pm nga Agim Gashi
» Akuzat kundër Shefqet Krasniqit Prokurorisë ia kishte konfirmuar edhe BIK-u (Dokument)
Mon Feb 27, 2017 5:20 pm nga Agim Gashi
» Aktakuzë kundër imamit Shefqet Krasniqi
Mon Feb 27, 2017 4:32 pm nga Agim Gashi
» Zbulohen tensionet gjatë dialogut në Bruksel, Nikoliqi Thaçit: Ti je kriminel
Fri Feb 03, 2017 7:40 pm nga Agim Gashi
» Faruk Tasholli - RJEPENI NANËN
Fri Feb 03, 2017 12:22 pm nga Agim Gashi
» FAMILJA E HAKI IMERIT: AI U VRA NË KOHËN KUR NË PUSHTET ISHIN HASHIM THAÇI E REXHEP SELIMI
Wed Jan 25, 2017 12:39 am nga Agim Gashi
» AGIM GASHI - O NE TREN PËR MITROVICË
Wed Jan 18, 2017 11:08 pm nga Agim Gashi
» Vëllai i tij u pajtua me Thaçin, por ja si ishte kidnapuar Haki Imeri në Brojë e më pas ishte vrarë
Wed Jan 18, 2017 8:13 pm nga Agim Gashi
» Fadil Maloku:Aferim, Prokurori e Kosovës!
Wed Jan 18, 2017 8:00 pm nga Agim Gashi
» Djali i Haki Imerit del kundër axhës: Nuk ia fali Thaçit, nuk dua drejtësi kanunore
Wed Jan 18, 2017 7:12 pm nga Agim Gashi
» IDRIZ ZEQIRAJ:Copëza biografike dhe kujtime për Ibrahim Rugovën
Wed Jan 18, 2017 5:13 pm nga Agim Gashi
» Presidenti Thaçi i “lahet me 124 pleq” Imer Imerit se nuk ka gisht në vrasjen e vëllait të tij
Wed Jan 18, 2017 4:00 pm nga Agim Gashi
» Adem Salihaj akuza të rënda ndaj Hashim Thaçit, ja si po mundohet të shpërlahet nga krimet e shumta që ka bërë
Wed Jan 18, 2017 3:53 pm nga Agim Gashi
» Ndodh edhe ky skandal: Njeriu që grisi fotografinë e Presidentit Rugova merr certifikatën e veteranit të UÇK-së
Tue Jan 17, 2017 7:55 pm nga Agim Gashi
» BERAT ARMAGEDONI:Lamtumirë, Joshua i Pejës!
Tue Jan 17, 2017 12:15 am nga Agim Gashi
» Biografia e Presidentit Rugova - Biografi e shkurtër
Mon Jan 16, 2017 10:32 pm nga Agim Gashi
» ILIR MUHARREMI : Treni provokativ, artistët në gjumë
Sun Jan 15, 2017 11:32 pm nga Agim Gashi
» Përveç ROSU-së, ky është shqiptari që rrezikoi jetën për ta ndalur trenin e Serbisë
Sun Jan 15, 2017 9:53 pm nga Agim Gashi
» ENVER PETROVCI - IN MEMORIAM SEFEDIN NUREDINIT- SEFA
Sun Jan 15, 2017 9:07 pm nga Agim Gashi