Akllapi Net - Forum i Hapur
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

Hatellari: Si e "lidha" diktatorin me litar

Shko poshtë

Hatellari: Si e "lidha" diktatorin me litar Empty Hatellari: Si e "lidha" diktatorin me litar

Mesazh nga Agim Gashi Sat Feb 21, 2009 11:13 pm

Hatellari: Si e "lidha" diktatorin me litar
Pas heshtjes për lustracionin, Topi dekoron antikomunistët
Eva Gjura


Njeriu që rrëzoi bustin e Enverit:

Dekorata, i pari përfitim në 18 vjet






Astrit Hatellari nuk është më ai djali i ri 32-vjeçar, i cili para 18 vjetësh hipi i pari mbi bustin e diktatorit Enver Hoxha, duke hedhur mbi duart e bronzit të ftohtë, litarin për të shembur bustin e diktatorit, bashkë me të cilin do të shembej edhe regjimi më i egër komunist. Tashmë Astriti është një burrë 50 vjeç, megjithëse pamja fizike e tij tregon për më pak. E gjej Astritin mes miqsh, të veshur me kostum, si rrallë ndonjëherë, për të cilin thotë se ishte i detyruar ta vishte, pasi në ceremoninë e organizuar nga Presidenti i Republikës, Bamir Topi, u nderua me medaljen "Pishtari i Demokracisë", duhej të ishte patjetër i veshur ashtu. Duke rrufitur kafenë, Astritin e detyroj të kthehet prapa në kohë, 18 vite më parë, për të na treguar atë moment të cilin ne sot e komentojmë shumë, por komenti më i plotë vjen prej vetë atij që e ka përjetuar atë çast. Astriti na tregon sesi u gjend në sheshin "Skënderbej", si hipi mbi bustin e diktatorit Hoxha, akthi i përjetuar se vdekja dhe liria i ndante vetëm një fill i hollë, guximi. Por tashmë, pas 18 vjetësh, ai i shikon gjërat ndryshe dhe tregon se i vetmi përfitim është dekorata e Presidentit Topi. Shumë pak gjëra janë realizuar nga ata që kërkuan 18 vjet më parë, por duke mos dashur të bëhet pesimist, pasi natyra e tij nuk ia lejon një gjë të tillë, Astriti thotë se duhet të punojmë shumë më shumë për të realizuar atë ëndërr të madhe, që ai bashkë me qindra e mijëra kryeqytetas zgjuan më 20 shkurt të 1991.

Kush është Astrit Hatellari dhe si u gjende në krye të turmës në sheshin "Skënderbej"?

Jam një djalë Tirane, me origjinë nga Skrapari, jetoj në këtë qytet ku mora edhe kulturën e parë. Ashtu si çdo njeri i brezit tim, kam jetuar periudhën e sistemit komunist, të cilën e përjetuam bashkë me miqtë e shokët. Në atë kohë, dikush ndihej mirë, dikush keq, dikush përfitonte nga fatkeqësia e tjetrit. Nëse do të përdorja një shprehje të thjeshtë, do të thosha se ne ishim pjesë e një tavoline, e cila mban katër vetë dhe në të ishte i miri, i keqi, i ndershmi dhe i poshtri. Aty fillova të mësoja gjërat e jetës, fillova të kuptoj, çfarë është shteti, çfarë është ligji. Gjatë gjithë kohës kam parë dhe ndjerë vuajtjet e të tjerëve, e atyre që persekutoheshin dhe dënoheshin, megjithëse unë vetë nuk kam qenë i persekutuar. Por duke parë vuajtjet e miqve dhe shokëve të mi, dalëngadalë u brumosa me idenë kundër atij regjimi. Dhe kur erdhën vitet ‘90 dhe u ndie era e ndryshimit, unë dhe shokët e mi ishin ndër të parët që u ngritëm dhe iu bashkuam Partisë Demokratike, duke u munduar të jepnin kontributin tonë. Më 20 shkurt të vitit 1991, bashkë me disa shokë të mi, kemi zbritur nga Qyteti Studenti për të rrëzuar bustin e diktatorit Enver Hoxha. U ngjita mbi bust, pasi isha më i ri dhe paksa më i shkathët, pasi në atë moment të gjithë donin të hipnin mbi të dhe ta rrëzonin, sepse nuk isha vetëm unë që doja ta rrëzoja atë diktator, por ishte një popull i tërë.

Mund të na e përshkruani më konkretisht atë moment si ndodhi?

Do të duket e çuditshme, por duhet ta pranojmë, në atë moment në shesh kishte shumë njerëz të të gjitha shtresave, të cilët qanin. Aty qante spiuni, ai që ishte futur në burg, ai që ishte persekutuar, ishte një situatë e cila nuk besoj se do të kthehet më dhe me plot gojë mund të them se ishte madhështore. Pak para momentit të rrëzimit, i jemi afruar bustit, të cilit i vinim rreth e rrotull, duke parë sesi mund ta rrëzonim. Kemi qenë gati 50 a më shumë të rinj, të cilët po përpiqeshim të shtynim me supe ndërkohë që pjesa tjetër e turmës mundohej të largonte policët prej nesh. Por duke qenë se ishte e pamundur ta rrëzonim me të shtyra, pasi kishim frikë se mos vriste edhe njerëz të tjerë, dy miqtë e mi, Agron Spaho dhe i vëllai, kanë ndalur një makinë ku i morëm një kavo dhe një litar. Më pas, më kanë ndihmuar të hipë mbi bust që ta lidhja, mbaj mend që kam hipur në bust dhe qëndroja te duart, pasi më lart nuk mund të hipja. Për pak minuta u mundova t‘i hidhja litarin në kokë të bërë si lak, por busti ishte i madh, lëvizte dhe një gjë të tillë nuk arrita ta bëj dot. Ndaj kam lidhur litarin te gishtat e bustit, të cilin më pas e kanë tërhequr dhe i kanë vënë kavon në kokë. Në atë moment më është afruar një polic me pistoletë në dorë, të cilin e ka larguar turma dhe falë atyre që ishin në shesh, shpëtova nga vdekja në atë çast. Por në çdo ndërtesë të sheshit shikoje snajperë dhe njerëz me armë, aty kam ndier një ftohje në trup dhe kam menduar se vdekjen e kisha shumë pranë, por për fat nuk ndodhi ashtu.

Si u përjetua ai moment nga ju dhe nga turma?

Për veten nuk di se çfarë të them, pasi gjithçka ndodhi shumë shpejt. Di që kam parë njerëz të përlotur, njerëz të cilët dukeshin sikur kishin rilindur.

Sot, pas 18 vjetësh, a mendoni se është rrezuar vërtet komunizmi në Shqipëri?

Jo, aty, më 20 shkurt, u rrëzuan thjesht simbolet, pasi komunistët sot janë kudo në postet e larta shtetërore. Nga kjo ngjarje ata që luajtën aktorët nuk fituan ndonjë gjë, këtu fituan njerëz të tjerë dhe jeta kështu e paska. Por mua më vjen keq për ata të cilët vërtet kanë vuajtur, kanë qenë në internime dhe janë vrarë, ata ende nuk kanë përfituar asgjë, nuk kanë gjetur prehje.




Kërkesa


20 shkurti 1991 të bëhet festë zyrtare


Qendra Shqiptare për Rehabilitimin e Traumës dhe të Torturës kërkon shpalljen e datës 20 shkurt 1991 si festë zyrtare kombëtare: "Dita e Rrëzimit të Simboleve Komuniste dhe e Nderimit të Viktimave të Regjimit Komunist" dhe dekorimin e protagonistëve të asaj dite. Një kërkesë të tillë, në emër edhe të 108 ish- protestuesve të 20 shkurtit të vitit 1991, kreu i QSHRVTT-së, Sajmir Maloku, ua ka dërguar në zyrë 107 personaliteteve më të rëndësishme të vendit, afro 40 partive politike, institucioneve shtetërore, shoqatave, komuniteteve fetare, sindikatave, OJQ-ve, organizatave etj. "Data 20 shkurt 1991 është dita më e shënuar historike e shekullit të kaluar të popullit shqiptar. Kjo ditë shënoi përmbysjen e sistemit komunist, vendosjen e demokracisë dhe të fesë në vendin tonë. Ajo duhet të jetë festa zyrtare kombëtare më e madhe e demokracisë, sepse protagonist ishte i gjithë populli.

Presidenti i Republikës, Bamir Topi, pas heshtjes për ligjin e lustracionit, duke mos e hedhur firmën mbi dekret, ka zgjedhur një formë tjetër për të nderuar antikomunistët. Dje, ai ka dekoruar me "Medaljen e Mirënjohjes" dhe "Pishtarit të Demokracisë" 14 personalitete dhe institucione për kontributin e veçantë në rrëzimin e simboleve të komunizmit në Shqipëri. Ky veprim i kreut të shtetit vjen pas debateve të shumta të zhvilluara ditët e fundit në qarqet e politikës, por edhe në shtresat e ish të persekutuarve, një pjesë e të cilëve e ka akuzuar Presidentin si njeri i cili po mbronte komunistët. Vetë kreu i shtetit nuk iu dha ndonjë përgjigje konkrete këtyre zërave, por në ditën e rrëzimit të simboleve komuniste, dje, ka vendosur të nderojë me titullin më të lartë, protagonistët kryesore të rrëzimit të bustit të diktatorit Hoxha. Ceremonia e nderimit është zhvilluar në ambientet e Pallatit të Brigadave ku ishin të pranishëm përfaqësues të trupit diplomatik në vendin tonë, zëvendësambasadori amerikan, Stiven Kristina, ambasadorja franceze, Mariz Davje, ambasadori gjerman, Bernd Borhard, ambasadori danez, Karsten Ankjer Jensen, shefi i Departamentit Ligjor të Prezencës së OSBE-së, Frank Dalton, përfaqësues nga Këshilli i Evropës, drejtues të komuniteteve fetare, të shoqatave të të persekutuarve dhe të dënuarve politikë, familjarë të personaliteteve të dekoruara. Pas ekzekutimit të himnit kombëtar dhe leximit të dekreteve nga sekretari i përgjithshëm i Presidentit, Aleksandër Flloko, Presidenti Topi i dorëzoi sindikatave të pavarura të Shqipërisë "Medaljen e Artë të Shqiponjës" me motivacionin: "Për kontribut të çmuar në lëvizjen demokratike dhe veçanërisht, në protestën e qytetarëve të Tiranës të 20 shkurtit 1991 për përmbysjen e simboleve komuniste, si moment i rëndësishëm në ndryshimet progresive në vend". Me "Medaljen e Mirënjohjes", kryetari i shtetit dekoroi Qendrën Shqiptare për Rehabilitimin e Viktimave të Traumës dhe të Torturës me motivacionin: "Për kontribut të vyer në rehabilitimin e ish të përndjekurve politikë të mbijetuar nga traumat dhe torturat e regjimit komunist, të pjesëmarrësve në protestën e 20 shkurtit 1991 dhe mijëra refugjatë kosovarë gjatë krizës humanitare të Kosovës". Ndërkohë që me motivacionin: "Për kurajën dhe guximin qytetar të treguar, si pjesëtar aktiv i protestës së popullit të Tiranës, të 20 shkurtit 1991, për përmbysjen e simboleve komuniste, si moment i rëndësishëm në lëvizjen demokratike", Presidenti Topi i akordoi Saimir Malokut "Medaljen e Artë të Shqiponjës". Në këtë ceremoni dekorimi, Presidenti nderoi me medaljen "Pishtar i Demokracisë" znj. Hygete Borova, Lida Bezhani, Liliana Llapaj, Lindita Hamiti, Astrit Hatellari, Sanije Vojka, Albert Risilia, si dhe Vera Rada me motivacionin: "Për kurajën dhe guximin qytetar të treguar në rrëzimin e simboleve komuniste më 20 shkurt 1991 dhe në fitoren e demokracisë në Shqipëri". Me "Medaljen e Mirënjohjes" u dekoruan nga Presidenti Topi edhe zotërinjtë Ardian Heta, Xhovalin Çokani dhe Hajredin Fratari me motivacionin: "Për kontributin e dhënë në rrëzimin e simboleve komuniste më 20 shkurt 1991 dhe në fitoren e demokracisë në Shqipëri".





Protagonisti


Saimir Maloku: Ne realizuam idealin e të gjithë shqiptarëve


Në nder të të gjithë personave të dekoruar ka përshëndetur Saimir Maloku. Duke iu drejtuar Presidentit të Republikës dhe të gjithë të pranishmëve në ceremoninë e dekorimit, ai është shprehur se ndihej i nderuar për vlerësimin e bërë nga kreu i shtetit. Ai ka theksuar se "kjo gjë po ndodh në të njëjtën orë kur 18 vjet më parë, ne, unë dhe këta protagonistë këtu, i bëmë thirrje popullit protestues te Radiotelevizioni që të marshonim drejt sheshit ‘Skënderbej‘, në mënyrë që të rrëzonim monumentin e diktatorit komunist. Ne shpëtuam një gjakderdhje të mundshme që mund të ndodhte atë ditë kur turma protestuese insistonte të shkonte te blloku qeveritar". Më tej, ai ka theksuar se "ne realizuam idealin që i kishim vënë vetes tonë, rrëzimin e simboleve komuniste, të cilin e realizuam me sukses. Duke na dekoruar ne, Presidenti i Republikës ka dekoruar popullin demokrat të Tiranës, shtresat e të përndjekurve politikë, sepse shumica e këtyre protagonistëve janë të përndjekur politikë". Saimir Maloku shtoi se "dua të falënderoj në emër të pjesëmarrësve, të protagonistëve, edhe 40 shoqata, institucione, komunitete fetare, gjithashtu dhe 210 personalitete të rëndësishme dhe ish-protestues, të cilët propozuan dekorimin tonë".






Flasin gratë protestuese të 20 shkurtit 1991



Liljana Llapaj: Komunizmin nuk e kemi shembur ende


Në protestat demokratike të ‘91 dhe konkretisht në rrëzimin e simboleve të komunizmit,kanë qenë edhe gra. Shumë prej tyre kanë marrë mbi kurriz nisma për të cilat burrat stepeshin për një moment. Por guximi dhe vendosmëria e tyre është shpërblyer dje nga Presidenti Topi, i cili nga 14 dekorata, 6 prej tyre kanë qenë për zonjat. Përshkrimi i asaj dite nga këto zonja është real, gjatë kohës që ato tregojnë të duket sikur përjeton dhe ti atë ankth, presion, frikë por dhe shpresë se e nesërmja do të jetë më mirë. Liljana Llapaj, njëra nga gratë e cila ka qenë në krye të turmës, e kujton si sot atë ditë. Ajo kujton se drejt sheshit "Skënderbej" është drejtuar pas thirrjes së bërë nga aktorja e njohur Rajmonda Bulku. Por ajo kujton se turma fillimisht është ndaluar nga forcat e policisë dhe ushtrisë pranë Liceut Artistik, të cilat me makinat e zjarrfikësve, duke hedhur ujë mbi turmën, e ndalonin atë që të ecte përpara. Burrat, thotë Liljana, u sprapsën paksa dhe ishin gratë që dolën në rreshtin e parë duke menduar se policia nuk do të vepronte mbi gratë. Por, thotë zonja, ndodhi krejt e kundërta, ata nuk pyetën që ne ishim gra dhe nëna, po lëshuan ujin me presion nga makinat e zjarrfikëseve. Presioni i ujit, kujton Liljana, me hodhi rreth 20 metra tutje dhe kjo shkaktoi një irritim në turmë, të cilët kujtuan se pati ndonjë viktimë. Atëherë policia nuk ka mundur të frenojë turmën, e cila shpërtheu gardhin e policisë drejt qendrës së kryeqytetit. Më pas ajo kujton skenën e rrëzimit të bustit Hoxha. Rreth tij ndodheshin forca të shumta të policisë dhe ushtrisë, të cilët kishin dhe qen me vete. Ajo që na ka stepur të gjithëve për një çast, thotë Liljana, ka qenë fluturimi i një helikopteri mbi kokat tona, kur të gjithë menduam se tani do të na qëllonin nga ajri, gjë e cila nuk ndodhi. Ajo thekson se ishte në shesh për një qëllim të përbashkët, fitimin e lirisë së humbur. E pyetur sot pas 18 vjetësh sa mendonte se qëllimi i atyre protestuesve ishte realizuar, ajo përgjigjet se "kur busti u rrëzua, menduam të gjithë se u shemb. Por në fakt nuk kemi shembur ende asgjë. Jemi shumë larg asaj që unë ideoja. Kanë kaluar 18 vjet nga ai 20 shkurt, por më duket se do të duhen dhe 18 vjet të tjera që të paktën të nisë të realizohen ato ëndrra".
Agim Gashi
Agim Gashi
Administrator
Administrator

Numri i postimeve : 45955
Age : 70
Location : Kosovë
Registration date : 17/11/2008

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Mbrapsht në krye

- Similar topics

 
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi