Akllapi Net - Forum i Hapur
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

Suzana Kuqi: Pyes trishtimin

Shko poshtë

Suzana Kuqi: Pyes trishtimin Empty Suzana Kuqi: Pyes trishtimin

Mesazh nga Agim Gashi Mon Mar 02, 2009 11:36 pm

Suzana Kuqi
Pyes trishtimin
Pyes trishtimin, e kuptoj
se dhuntinë e fjalës nuk ka
megjithëse po të mundët e
jam i bindur se
do të shqiptonte
një fjalë më të ëmbël
se gëzimi...
Khalil Gibran

Suzana Kuqi: Pyes trishtimin U1_SuzanaKuqi
Erdhën të dy në azil e zunë një dhomë. Dilnin të dy herët në mëngjes, ktheheshin në kohën e drekës, e pastaj dilnin pasditeve e ktheheshin për të ngrënë darkë. Me shumë se të sjellshëm e fjalëpakë. Në të parë nuk dukeshin atë e bir, shumë shumë mund të dukeshin si vëllezër edhe se kishin më shumë se njëzetepesë vjet diferencë. Kjo për një sy të pastërvitur, po për ne... moshën nuk e përcaktojmë më nga fytyrat dhe as nga të mbajturit drejt të trupit. Ka fytyra që koha u kursen rrudhat, e trupa që mbeten të gjatë e të drejtë deri në fund. Por hapi, ajo mënyrë të ecuri kur këmba humbet gjallërinë e saj e duket e lodhur. Nuk them për atë elasticitet e lehtësi që kanë moshat e reja, atë kam filluar ta kem zili edhe unë. Pra përveç asaj lodhjes së pakapshme të hapit, nuk e kishim idenë sepse ata të dy kishin vendosur të vinin e të mbylleshin aty. Nuk e vramë mendjen, ishte në favorin tonë, dy persona më pak për t'u shërbyer...
- o -
Nuk vazhdoi më shumë se disa muaj, dhe duhej të ishte kështu, ndryshe prania e tyre aty, nuk do të kishte kuptim. Hapi i më të moshuarit erdhi duke u rënduar, kështu që u pakësuan edhe të dalurat e tyre. Atëhere, vumë re se nuk ishte i riu që kujdesej për të jatin, por e kundërta. I riu varej kryekëput nga i ati, jo fizikisht, praktikisht ai i kryente vetë nevojat e veta të përditëshme me një rregullsi dhe korrektësi për tu admiruar. Përsa i përket të tjerave, ishte gjithnjë nën kontrollin e babait... kishte sindromën e autentizmit. Cdo gjë që nuk përputhej me rregullat e tij, çdo gjë që mund të shkonte ndesh me zakonet e tij, e bënte të kalonte në një gjendje shqetësimi e ankthi e të shpërthente në kriza dëshpërimi e britmash. Atëhere edhe e ecura e tij ndryshonte, edhe tiparet e fytyrës e të sillnin ndërmend Dustin Hofman tek filmi RainMan. Vetëm i ati dinte ta qetësonte me një seri fjalësh të ëmbla e qortimesh bashkë, ndërsa ne vrisnim mendjen se si do ta kishim hallin me të kur babai i tij do ta linte këtë jetë. Bënim kujdes që kur të pastronim dhomën e tyre t'i linim gjërat siç ishin, veçanërisht librat. Kishte shumë libra, dy etazherë të mëdhenj që arrinin deri në tavan e me sa kuptuam i lexonte i biri. Shumica ishin libra të ilustruar historie e gjeografie... madje me shumë gjeografie. Kur nuk arrinte ta qetësonte me fjalë, i ati i rraste në dorë ndonjë libër apo atllas gjeografie, të cilin i biri e hapte, përpinte çdo shkronjë në të duke e mbajtur gati gati ngjitur me fytyrën. Asnjëherë nuk kisha kuptuar, nëse ishte në gjendje të lexonte, e nëse po... a i mbante mend ato që lexonte.
- o -
Ishte pasdite vere, një nga ato pasdite kur dielli perëndon vonë, e të bjen të ulesh në tryezë për të ngrënë darkë përpara se ai të ketë cikur sipërfaqen e përflakur të detit. Po i kërkoja, ishte koha a darkës. I gjeta në parkun pranë azilit. Rrinin ulur pa folur mbi një stol me shikime të trishtuara, aq sa edhe perëndimi një çast mu duk i stisur me atë trishtim. Sytë e babait, trishtimin e mallit të një jete, sytë e të birit... ishte e çuditëshme ajo dritë aty, ai shkëlqim... si ai i fëmijëve të vegjël të porsa lindur që mbartin misterin e një diturie të lashtë, të cilën dikur e kemi pasur edhe ne, por e kemi humbur rrugës së rritjes, e kemi harruar e nuk ndjejmë më mall për të. Ishte dhe pasditja e fundit që i pashë ashtu. Gjërat rrodhën krejt ndryshe nga sa i kishim parashikuar. Të nesërmen në mëngjes dolën të dy. Në azil u kthye vetëm i ati, i biri ish ndjerë keq e ishte rrëzuar rrugës. Kalimtarët kishin thirrur ndihmën e shpejtë dhe e kishin shtruar në spital. Morëm vesh se ishte në gjendje shumë të rëndë dhe se nuk dihej në do të kthehej më aty. I ati...
Eshtë e kotë të them se u pezmatua, kjo merret vesh. Por ajo që më ka bërë gjithnjë habi e që vazhdon të më bëjë ende, është se si shndërrohet njeriu ditët e fundit të jetës. Nuk më pëlqen ta pranoj, sepse bjen në kundërshtim me parimet e bindjet e mia, por nuk ishte hera e parë që shihja se si persona të mirë bëhen të këqij, e të këqijtë bëhen të mirë. Shpresoj të jenë vetëm koinçidenca e përshtypja ime të jetë e gabuar. I ati, për dy javë rresht u bë shumë i pasjellshëm, shante e ofendonte me shkak e pa shkak dhe tiparet ju egërsuan. Pastaj i biri u kthye nga spitali, jo me këmbët e veta, në një barelë, me një krah e një këmbë të ngrirë dhe me një sondë nëpërmjet së cilës ushqehej. Ende nuk dihej nëse do të jetonte apo jo, edhe se... nuk është aspak njerëzore, por në atë gjëndje që ishte katandisur... edhe vetes nuk ja urojmë shërimin i cili gjithsesi edhe në rastin më të mirë do të jetë gjysmak.
- o -
Një nga detyrat që kemi turnin e pasdites, është shpërndarja e kamomilës nëpër dhoma, para orës së gjumit. Trokitëm lehtë në derën e tyre dhe e hapëm me kujdes. Mënyra se si na kish trajtuar i moshuari, na kish detyruar të bënim kujdes, mund të bëhej i dhunshëm e të na godiste. Për çudi ishte i qetë, ulur mbi një poltronë e përpara kishte disa shkresa që po i sistemonte në një kuti kartoni.
- Ejani,- tha me zë të ëmbël e të shtruar,- nëse keni dy minuta kohë, dua t'ju tregoj diçka.
U vështruam sy me sy me kolegen e pa bërë fjalë u ulëm në dy karriket pranë poltronës. I biri, me sondën në hundë po flinte. Ai na tregoi disa fotografi të zverdhura ku dukej një fëmijë i bukur e i qeshur.
- Ka qenë dy vjeç këtu. Ka qenë fëmijë i mirë. Edhe sot është i mirë, im bir nuk i ka bërë keq askujt, është i pafajshëm si një fëmijë dy vjeç e nuk e kuptoj përse duhet të vuajë kështu.- ai ktheu kokën nga i biri dhe një psherëtimë e lodhur u ngrit nga krahërori i tij. Ne nuk folëm, fundja a kish fjalë të lehtësonte dhimbjen e tij?
- Gruaja më ka vdekur para dhjetë vjetësh. Që atëhere kemi qenë gjithnjë vetëm unë dhe ai. Nuk mund të zgjaste shumë, i kam mbushur të nëntëdhjetat. E ndjej, koha po më mbaron. Shpresoja... kur të vdisja unë ai do të ishte mësuar të jetonte këtu. Kështu ja uroja vetes, por fati nuk pyet shumë se çfarë duam.
- Mos fol kështu, do të shërohet, - u mundua ta qetësonte kolegja ime.
- Mundet, por në këtë pikë as unë nuk di se çfarë do të ishte më mirë për të. Unë nuk do ta shoh as shërimin dhe as fundin e tij, koha ime...- ai e la fjalën në mes.
- As këtë nuk ke se si ta dish,- vazhdoi kolegja ime.
- E di, e di sepse... nuk di si tua spjegoj. Kam kohë që çdo gjë e shikoj ndryshe...me sytë e tij. Nuk kisha mënyrë tjetër, ai nuk shihte dot me sytë e mij. E kisha të vështirë në fillim, shumë të vështirë. Duhej të ndryshoja veten, duhej të mësoja të shihja e të kuptoja me sytë e shpirtit... E në sytë e tij, çdo gjë merr tjetër kuptim, kuptim të cilin një mendje normale nuk e rrek dot. Fillon të shohësh e të kuptosh gjëra që në sy të zakonshëm nuk kanë sens. Më ka falur aq gëzim ai djalë... Vendosëm me gruan të mos bëjmë fëmijë të tjerë. Por po të kisha një tjetër, do ti uroja që në shpirt të mbetej si ky.
- Kësaj sëmundjeje ende nuk ja kanë gjetur shkakun tamam, ka mendime se mund të ketë qenë vaksina e fruthit...
- Sëmundje!?- zëri i babait u alterua e shoqja ime u zu ngushtë,- Sëmundje është kjo që e ka shtrirë aty, për atë që e ke fjalën... nuk është sëmundje. Ai ka lindur i tillë, i veçantë.
Pasoi një hop heshtje e kolegja ma bëri me shenjë se po largohej. Unë mbeta aty. Kisha kohë, donte edhe një orë të mbaroja turnin e detyrat ishin të pakta, mund ti bënte edhe vetëm. Fundja nuk mund ta lija të moshuarin ashtu të acaruar. Por kur filloi të fliste, zëri i tij ishte i qetë e i shtruar, e për më tepër më befasoi se këtë herë ishte një pyetje që më drejtohej mua.
- Përse u largove nga vendi yt?
Me pak fjalë u mundova të spjegoja arësyet e mia duke filluar nga diktatura e deri tek lufta që gati kish trokitur në dyert tona. Kur dëgjoi për luftën më ndërpreu.
- Lufta! Kam luftuar edhe unë... Eshtë i çuditshëm fati i njeriut... Luftën nuk do ta uroja kurrë, por momentet më të bukura të jetës i kam kaluar në kohë të saj.
E shikova ngultas, ndërsa brenda meje ngrinte krye mendimi se... pleqeria... Ose se atëhere ka qenë i ri dhe koha e rinisë kujtohet gjithnjë me mallëngjim e na bën ti shikojmë gjërat në një dritë ndryshe, ose...
- Mos u çudit me fjalët e mia, - dukej sikur më kish lexuar në mendim,- momentet nuk i kalojmë vetëm. Ajo që i jep kuptim një momenti, e bën të bukur, të shëmtuar apo të pakuptimtë, është personi me të cilin e ndajmë. E lufta, mua më solli Klelian.
- o -
Shikimi i tij humbi pas kornizës së dritares së hapur. Hëna e plotë reflektonte magjinë e saj mbi një det ngjyrë plumb-argjend të lëvizur dhe e bënte të dukej si një qenie misterioze që kishte dalë nga shpellat e lashtësisë në kërkim të shqetësuar të diçkaje të humbur.
- Kështu ishte dhe shpirti im atë natë. Dhe deti. Dola në breg të tij përpara se të shkoja atje. Shpikja një mijë shkaqe për të mos shkuar, shpirti im përplasej brigjeve të arësyes sime. Aventurat nuk më mungonin, kështu është rroba e ushtarit në kohë lufte, shfrytëzon çdo mundësi për të gezuar ato pak çaste që të afron jeta, e për një djalë të ri... Për më tepër isha i fejuar me një vajzë në qytetin tim. Por ajo shami e bardhë e lidhur në atë dorezë dere...Ai zë që më pëshpëriste: “kur të shohësh shaminë e bardhë, eja tek unë”... Ah, ata sy. Isha dashuruar tmerrësisht pas atyre syve që ndryshonin ngjyrë si deti... Brigjet e arësyes sime u thërmuan e unë u gjenda në oborrin e spitalit, në shtegun që të çonte në fund të tij ku ndodhej një shtëpizë e vogël. Shamia e bardhë fekste mbi dorezën e portës së errët. Trokita. Dera u hap menjëherë e një dorë e brishtë u zgjat, më kapi krahun e më tërhoqi brenda. Dridhej aq shumë sa për një moment mendova të ikja...
Nuk ika, e përqafova. Fërgëllima e saj pas çdo rrobeje që binte në dysheme deri sa lëkura e trupave tanë u lye e tëra me dritën e hënës... ishte sikur bëja dashuri edhe unë për herë të parë. Cdo prekje, çdo ledhatim, çdo rënkim i ëmbël më mallëngjente e më linte pa frymë. Nuk ishin si çastet e konsumuara me vajza në hotelet e lira me atë nxitim të riu se jeta është e shkurtër e nuk ka kohë për të humbur sepse aventura të reja më prisnin përpara se të më kapte ndonjë plumb tjetër. Koha kish ndalur aty, aty ishte gjithë sa dëshëronte mishi dhe shpirti im prej vdekatari të thjeshtë e të përulur...
Kisha dremitur një copë herë, kur u zgjova e vura re se nuk ishte në shtrat. Qëndronte përpara dritares së hapur, kish ngritur duart drejt qiellit e lutej duke puthur herë pas here kryqin e varur në qafë. U ngrita, mora vellon e pëlhurtë të kaltër të saj që ishte përdhe, ju afrova dhe i mbulova supet. Nuk doja që të merrte ndonjë të ftohtë. Por ajo shkundi supet dhe e la të binte poshtë. Kish lotë në sy.
- Je penduar? - e pyeta me gjysmë zëri.
- Jam e lumtur! - u përgjigj ajo.
- o -
- Sikur the vellon e pëlhurtë... mos vallë..
- Po, ishte murgeshë. Shërbente në spitalin ku më kishin sjellë të plagosur nga fronti.

vijon
Agim Gashi
Agim Gashi
Administrator
Administrator

Numri i postimeve : 45955
Age : 69
Location : Kosovë
Registration date : 17/11/2008

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Suzana Kuqi: Pyes trishtimin Empty Re: Suzana Kuqi: Pyes trishtimin

Mesazh nga Agim Gashi Mon Mar 02, 2009 11:37 pm

Murgeshë, thashë me veten time. Shoqja ime u duk në derë, siç duket ishte shqetësuar që unë kisha mbetur aq gjatë aty, e kish menduar se i moshuari nuk ishte qetësuar ende. Ja bëra me shenjë të largohej. Nuk e di pse, por murgeshat për mua janë një mister.
- Nuk... nuk kishe frikë se... i ishte premtuar tjetërkujt.
- I ati e kish futur në manastir pa mbushur të shtatëmbëdhjetë vjetët pa e pyetur, një vajzë më pak për tu sistemuar. Pastaj... as nuk kish paragjykime për këtë, donte të shijonte çdo çast që kalonim bashkë. Më thosh, t'i lija rrobat në paradhomë, e të shkoja tek ajo i veshur vetëm me lëkurë... Kur e ngisja se bënte mëkat, qeshte e më thonte se kënaqësia e gëzimi është një tjetër rrugë për t'ju afruar Zotit, ashtu siç ishte dhe vuajtja. Pastaj shtonte se kënaqësia nuk ishte mëkat, sepse ne duheshim e dashuria është rruga më e sigurtë për t'ju afruar Zotit. Nuk e di se ku i kish dëgjuar apo lexuar këto gjëra. Kur e pyeta më tha nga një murgeshë e moshuar...
- Murgeshat,- them pa dashje unë.
Ai qeshi.
- C'mendoje për murgeshat?
- Asgjë personale, aq më pak për Klelian.
- Nuk ke se si, nuk e ke njohur. Nganjëherë nuk arrija ta kuptoja edhe unë. Sa herë e lutja të iknim në një shtet tjetër, të martoheshim e të rifillonim nga e para, më lutej ta lija atë muhabet. Nuk donte të hiqte dorë nga misioni i saj, vërtet nuk i kish pëlqyer të bëhej murgeshë në fillim, por më vonë kish zbuluar se ishte e vetmja gjë që donte të bënte. Por nuk doja të hiqja dorë dhe unë nga ajo. Ishte e çiltër dhe e sinqertë si një fëmijë, e po me atë çiltërsi e mirësi fëmije vuante e gëzonte. Më thosh se shumë gjëra dhe shumë njerëz duhet ti shohim me sytë e zemrës e të shpirtit. Nuk duhet të përpiqemi të ndryshojmë njerëzit që duam, duhet ti shohim gjërat me sytë e tyre. E më ka vlejtur kjo, kur konstatova se djali im ishte autistik. E shihte botën me sytë e tij, në mendjen e tij nuk hynin fjalët e mësimet e mia, nuk donte të njihte gjuhën e arësyes me të cilën i flisja. Nuk e mohoj, u dëshpërova, mendoja se djali nuk ishte i saktë nga trutë. Cfarë i kisha bërë perëndisë që më dënonte në këtë mënyrë? Dhe si gjithnjë, kur kemi një problem e shqetësim të madh, nuk kërkojmë të gjejmë mënyrën për ta zgjidhur. Kërkojme fajtorin. Dhe unë e gjeta tek vetja dhe... pse ta fsheh, fajtorja ishte Klelia.

- o -
Në derë u dha kolegja ime duke më treguar orën në kyçin e dorës, ishte koha për të ikur.
- C'u bë me Klelian? E pe më pas lufte? - pyeta unë ndërsa ngrihesha për të ikur, e nuk e di sepse kisha dëshirë të dëgjoja se ishte martuar me të.
- Nuk u martova me të,- i moshuari kish lexuar sërish mendjen time,- u vra gjatë një bombardimi. Por e kam parë, është ëngjëlli i tim biri, e kam parë... me sytë e tij...
Dola e trullosur. Rrugës për në shtëpi u mundova t'ja tregoja këtë histori tim shoqi, por u ngatërrova shumë. Gjatë tregimit hynin si pykë arësyetimet e mia të pavullnetëshme. Shkurt gjithë ajo që po flisja nuk po merrte dot formë e im shoq më këshilloi ta lija fare. Dhe unë e mbylla :
- Jo po, besojnë edhe në parajsën.
- C'lidhje ka kjo?- qeshi ai.
- Nuk ka, por kur vinë e të flasin për ëngjëj me flatra, e kush...- nuk vazhdova më. Kishim arritur poshtë pallatit.
- o -

Mëngjesin e të nesërmes e gjetën pa jetë. Nuk hyra në dhomën mortore për ta parë, nuk hyj kurrë atje, por më thanë se një buzëqeshje e bukur dhe e trishtë kish vulosur atë fytyrë. I biri e mori veten, i hoqën sondën e pas disa javësh filluam ta vinim në karrocë. Të vetmet fjalë që më tha atë ditë ishin:
- Babai është në qiell!
Vështrova gultas ata sy me atë shkëlqim të mistershëm e të çuditshëm në atë fytyrë që ishte katandisur si mos më keq tek nga goja i kullonin jargë e i jepnin pamjen e një djaloshi daun. Ndoshta për këtë trasformim të menjëhershëm, shumë kolege nuk kishin dëshirë ti afroheshin e ti thonin një fjalë të mirë. Kur isha në turn, ma linin mua ti sherbeja e ta ushqeja. Renato, kështu quhet, u bë edhe më indiferent me gjithshka që e rrethonte. Ajo dritë filloi të shuhej, ose ai filloi ta fshihte me kokëfortesi në atë ambjent që nuk i dukej aspak miqësor. Pak nga pak erdhi në përmirësim e jargët nuk i dilnin më, por mbeti në karrocë dhe nuk fliste fare. Hera herës, kur e nxirrnim në oborr, fiksonte zbrazëtiren e buzëqeshte. Ashtu kot, si buzëqeshin fëmijët, e ne themi se u buzëqeshin engjëjve. Ishte po një pasdite me perëndim të vonë dielli, pas një viti, kur shkova ta merrja e ta çoja në sallën e ngrënies. Fytyra e tij kishte sërish atë buzëqeshje të trishtë... ata sy me atë shkëndijëz mençurie të lashtë...
- Renato, ke uri?
Ktheu ngadalë kokën nga unë e më buzëqeshi. Kapa dorezat e karrocës për ta shtyrë. Ai ngriti dorën sikur donte të më thonte të ndaloja.
- Renato, është ora për të ngrënë, nuk mund të të lë këtu.
Ai ngriti dorën me gishtin tregues lart e pastaj e uli poshtë tek gjunjët e tij. Atë çast pashë se në prehër kish një libër gjeografie. E hapi ngadalë e me vështirësi me një dorë, tjetrën nuk e përdor dot. Gjeti faqen që kërkonte e vuri gishtin mbi të. U përkula e pashë me habi. Ishte harta e Ballkanit e gishti i tij tregonte vendin tim. E shikova në sy. Buzëqeshi e pastaj vendosi gishtin tregues në krahërorin e tij e pastaj në orën e dorës. Donte të më thoshte se ai kish qenë atje, tani, para pak çastesh. Tashmë ishte kështu që merreshim vesh, ai me gisht e unë që mundohesha të gjeja e të shprehja me fjalë se ç'donte të më thonte. Pastaj fytyra e tij u bë përsëri indiferente. Tërhoqa karrocën e nxitova sepse kishin filluar shpërndarjen e ushqimit.
- Pra ishe në vendin tim?- i pëshpërita pranë veshit kur i vura pjatën përpara.
Ai tundi kokën në shenjë pohuese me sytë e ngulur diku larg, sikur shihte pas murit. Kushedi, ç'sheh me sytë e tij, thashë me vehte e mu kujtuan fjalët e të atit, ndoshta ...
- Ishte dhe babai yt me ty?- i pëshpërita sërish.
Sytë tij shkëlqyen dhe për çudi buzët lëvizën e mu duk se dëgjova ca tinguj. Afrova veshin.
- Thuaje edhe një herë Renato, nuk e dëgjova.
- ....Ishte ... Kle... kle... lia.- sytë e tij u mbushën me një trishtim të ëmbël.
U largova pa mundur t'ja shqisja sytë dhe më erdhi keq që nuk mund të shihja përmes atyre syve...
Imperia,10 Shkurt 2008
Agim Gashi
Agim Gashi
Administrator
Administrator

Numri i postimeve : 45955
Age : 69
Location : Kosovë
Registration date : 17/11/2008

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Mbrapsht në krye

- Similar topics

 
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi