Akllapi Net - Forum i Hapur
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

Blerim Shala:Nënshtrimi i Kushtetutës me nënshkrimet politike

Shko poshtë

Blerim Shala:Nënshtrimi i Kushtetutës me nënshkrimet politike Empty Blerim Shala:Nënshtrimi i Kushtetutës me nënshkrimet politike

Mesazh nga Agim Gashi Tue Mar 03, 2009 12:05 am

Blerim Shala:Nënshtrimi i Kushtetutës me nënshkrimet politike Photo_38





Nënshtrimi i Kushtetutës me nënshkrimet politike
Çfarë shteti ne do të ndërtojmë, po që se në këtë mënyrë, siç bëmë me rastin e trajtimit të çështjes së mbajtjes të zgjedhjeve parlamentare, do t’i trajtojmë dokumentet themelore legale të shtetit të Kosovës.

Nga Blerim Shala më 02.03.2009 në ora 13:39

Grupi Drejtues Ndërkombëtar për Kosovën (ISG), autoriteti më i lartë për vlerësimin e zbatimit të Propozimit Gjithëpërfshirës të Presidentit Ahtisaari, në mbledhjen e tij të mbajtur të premten, me 27 shkurt, në Vjenë, përpos tjerash, përkrahu, në Pikën 4 të Deklaratës së tij, “konkluzionin e arritur nga ICR-ja (Përfaqësuesi Civil Ndërkombëtar, Pieter Feith), se vendimi i Presidentit të Republikës së Kosovës që t’u lejojë institucioneve qendrore të përmbushin mandatet e tyre në përputhje me Kushtetutën (e Kosovës, vër. ime), është në pajtim me Propozimin Gjithëpërfshirës për Kosovën”.
Shkurt: ISG i dha mbështetje Feithit dhe Sejdiut në vendimin e tyre të përbashkët për mbajtjen e zgjedhjeve të para parlamentare në Republikën e Kosovës, në vitin 2011, me ç’gjë iu dha përgjigje kërkesës së Aleancës për Ardhmëninë e Kosovës (AAK-së), për një vlerësim të Grupit Drejtues Ndërkombëtar të këtij veprimi të ICR-së dhe të Presidentit të Kosovës.
A është ky deklarim i ISG-së farë befasie?
Jo. Assesi.
A është ky qëndrim i drejtë, a është në përputhje me Propozimin e Ahtisaarit, me Kushtetutën e Kosovës, me ligjet e Kosovës, me vetë Planet operacionale të ICO-së, Zyrës Civile Ndërkombëtare?
Jo. Assesi.
Çfarë ka ndodhur atëherë në Vjenë? Pse përfaqësuesit e shteteve anëtare të ISG-së kanë përkrahur një vendim, i cili në aspektin legal dhe procedural është gjithsesi i gabuar, dhe që për këtë shkak, nuk mund e të mos i shkaktojë dëme politike Kosovës?
Këtu, tash e tutje, kur flasim dhe shkruajmë për pasojat e këtij vendimi, duhet shtuar menjëherë, më së paku kemi të bëjmë me orarin e zgjedhjeve parlamentare, dhe shumë më tepër me raportin që ne, si kosovarë, pastaj Zyra Civile Ndërkombëtare dhe Grupi Drejtues Ndërkombëtar po e krijojmë ndaj themeleve legale të bërjes së shtetit të Kosovës.
ISG, pra, për shkak të vetë natyrës se si funksionojnë këta trupa ndërkombëtarë, nuk ka mundur që ta zmbrapsë një veprim politik të Përfaqësuesit të saj më të lartë në Kosovë, Pieter Feithit, qoftë edhe nëse ai është i gabuar, sepse, në atë rast, do të duhej hequr dorë edhe prej vetë Feithit. Instancat ndërkombëtare të këtij lloji respektojnë personalitetet shumë më tepër sesa parimet, e në rastin konkret, nuk ka pasur farë vullneti të madh politik që në mënyrë serioze të trajtohet kjo çështje, pos tjerash, sepse i është lënë në mandatin dhe përgjegjësinë e Feithit i gjithë ky proces vendimmarrës. E ky i fundit, Feith, ka përqafuar të njëjtën qasje duke shkarkuar përgjegjësinë mbi supet e Kryetarit Sejdiu, dhe të koalicionit aktual qeverisës, PDK-LDK.
Më në fund për nga renditja, dhe më së pari për nga rëndësia, është përshtypja e Feithit dhe e disa zyrtarëve të rëndësishëm në Bruksel, dhe po ashtu e disa ambasadorëve po aq të rëndësishëm në Prishtinë, që në vitin 2009 nuk është mirë që Kosova të mbajë zgjedhje parlamentare, sepse Kosova, apo, pushteti qendror, do t’i humbte tre-gjashtë muaj kohë që i duhen për ta stabilizuar vendin. Përkrahësit vendorë të kësaj logjike kanë shtuar që Kosova do të humbë edhe disa miliona euro për organizimin e këtyre zgjedhjeve, ndërsa Buxhetit të Kosovës i duhet çdo cent.
Flitet dhe shpjegohet në këtë mënyrë, thuajse ne asnjëherë deri më tash nuk i kemi mbajtur zgjedhjet në Kosovë – për të mos ditur kështu sa kohë humbet në mbajtjen e tyre. E sa për paratë që shfrytëzohen aty, ato janë diku ekuivalente me një kilometër e gjysmë autostradë midis Fushë Kosovës dhe Aeroportit të Sllatinës. Një mijë e pesëqind metra rrugë që mëdyshin shprehjen e vullnetit politik të mbi një milionë e gjysmë kosovarëve.
Nuk ka kohë për të humbur në zgjedhje, nuk ka para, gjithashtu për t’u harxhuar për mbajtjen e tyre, prandaj Pakoja e Ahtisaarit, Kushtetuta, Ligjet mund dhe duhet të interpretohen nga ky pikëshikim.
A janë njëmend argumentet në anën e atyre që mëdyshin, nga aspekti legal, këtë proces vendimmarrës të Kryetarit Sejdiu, Pieter Feithit, Përfaqësuesit Civil Ndërkombëtar, dhe Kryeministrit Thaçi?
Gjithçka sqarohet këtu, sërish duke marrë parasysh Deklaratën e ISG-së nga takimi i të premtes së kaluar, në Vjenë.
Në Pikën 6 të kësaj Deklarate, midis tjerash pohohet: “ISG-ja e mirëpret publikimin në faqen e internetit të ICO-s (http://www.ico-kos.org) të një Matrice të azhurnuar për Zbatimin e Misionit të ICO-s, në të cilën paraqiten hollësi lidhur me përparimin e konsiderueshëm të bërë në zbatimin e Propozimit Gjithëpërfshirës, që prej pavarësimit të Kosovës.”
Kur të klikohet në adresën e përmendur, mund të hyni në këtë Matricë, e cila mëton, siç edhe pohohet në Deklaratën e ISG-së, të përcjellë, në hollësi, procesin e implementimit të Propozimit Gjithëpërfshirës të Presidentit Ahtisaari.
Kemi të bëjmë, po e përsërisim, me një vlerësim të Zyrës Civile Ndërkombëtare (ICO), dhe të Pieter Feithit, Përfaqësuesit Civil Ndërkombëtar.
Matrica që mund të analizohet mban datën e 27 shkurtit (2009), që do të thotë se është e fundit.
Matrica është e organizuar në pesë rubrika/katrorë: Në të parën, konstatohet detyra/obligimi që del nga Pakoja e Ahtisaarit, në të dytën është referenca e saktë prej përmbajtjes së Pakos, në rubrikën e tretë dhe të katërt prezantohen aktorët/përgjegjësit për jetësimin e kësaj detyre, ndërsa në atë të fundit, të pestën, ofrohen komentet e vetë Zyrës Civile Ndërkombëtare.
Ja çfarë shkruan në Pikën 22 të kësaj Matrice.
Detyra që duhet të përmbushet është kjo: Kosova do të organizojë zgjedhjet e përgjithshme dhe lokale, jo më vonë se nëntë muaj pas hyrjes në fuqi të kësaj Marrëveshjeje (Pakos së Ahtisaarit). Referenca nga Pakoja është Neni 11.1.
Aktorët, përgjegjësit për kryerjen e këtij obligimi, janë ICO, nga pala ndërkombëtare, Qeveria e Kosovës dhe Kuvendi i Kosovës (vini re: jo Kryetari i Kosovës).
Komenti i përgjithshëm për jetësimin e kësaj detyre, në rubrikën e pestë, rithekson interpretimin që Kryetari Sejdiu ia ka bërë Kushtetutës së Kosovës dhe mandateve të autoriteteve qendrore.
Sipas kësaj Matrice të punës dhe të vlerësimit të jetësimit të Propozimit të Ahtisaarit, del që Feith, Qeveria e Kosovës dhe Kuvendi i Kosovës është dashur të merren me këtë temë, e jo Kryetari i Kosovës.
Përndryshe, versioni i parafundit i kësaj Matrice, është i 21 nëntorit të vitit 2008. Në të, në atë rubrikën e komenteve, pohohet që çështja është në shqyrtim e sipër. Kjo do të thotë që Feith dhe ICO, me 21 nëntor të vitit 2008, nuk kanë menduar që kjo është çështje e mbyllur, apo, që Neni 11.1 i Pakos së Ahtisaarit është përmbushur me mbajtjen e zgjedhjeve të përgjithshme, në nëntor të vitit 2007.
Vetëm në bazë të Pikës 22 të Matricës së ICO-së, mund të konkludohet që me një vendim dhe vlerësim politik, është hedhur poshtë obligimi që del nga Pakoja e Ahtisaarit, i cili është klasifikuar qartë prej vetë ICO-së.
Përndryshe, dhe për këtë temë është folur dhe shkruar mjaft edhe deri më sot, ky vendim i Sejdiut, Feithit dhe Thaçit, është në kundërshtim me Nenin 143 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, i cili konstaton subordinimin e plotë legal ndaj detyrimeve që dalin prej Pakos së Ahtisaarit, dhe me Nenin 4.1. të Ligjit për organizimin e zgjedhjeve të përgjithshme në Kosovë, që obligon Presidentin e Kosovës të bëjë konsultime me partitë politike, para se ta kumtojë datën e zgjedhjeve, megjithëse, siç u përmend tashmë, sipas ICO-së (Matricës së Zyrës Civile Ndërkombëtare), ai nuk është dashur të merret fare me këtë çështje.
Nenet e Ahtisaarit, të Kushtetutës dhe të Ligjeve, janë mënjanuar keq, në emër të “Nenit” të interesit të politikës ditore. Ndërsa, në një shtet të mirëfilltë demokratik, nuk ka interes politik i cili shfuqizon një Dokument suprem ndërkombëtar, Kushtetutën dhe Ligjet e vendit.
Çfarë shteti ne do të ndërtojmë, po që se në këtë mënyrë do t’i trajtojmë dokumentet themelore legale të shtetit të Kosovës?
Përgjigjja gjendet lehtë. Fatkeqësisht.

(Blerim Shala është Nënkryetar i Parë i Aleancës për Ardhmëninë e Kosovës. Kjo kolumne është shkruar enkas për Gazetën Express)
Agim Gashi
Agim Gashi
Administrator
Administrator

Numri i postimeve : 45955
Age : 70
Location : Kosovë
Registration date : 17/11/2008

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Mbrapsht në krye

- Similar topics

 
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi