Akllapi Net - Forum i Hapur
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

Blerim Shala:Politikë e re për stabilizimin e Kosovës

Shko poshtë

Blerim Shala:Politikë e re për stabilizimin e Kosovës Empty Blerim Shala:Politikë e re për stabilizimin e Kosovës

Mesazh nga Agim Gashi Mon Apr 20, 2009 10:51 pm

Blerim Shala:Politikë e re për stabilizimin e Kosovës Photo_38


Politikë e re për stabilizimin e Kosovës

Beogradi nuk mund t’i rezistojë dot një politike të re për stabilizimin e shtetit të Kosovës, që do të koordinohej midis Prishtinës, Brukselit dhe Washingtonit. Kështu ishte me shpalljen e pavarësisë së Kosovës. Pse të mos jetë njëlloj edhe tani, në trajtimin e temave që kanë mbetur zvarrë që prej pranverës së vitit 2008.

Nga Blerim Shala

Me bujë dhe me rrëmujë politike dhe mediatike, u prit, u përcoll dhe u komentua këndejpari vizita në Kosovë e Boris Tadiqit, Kryetarit të Serbisë.
Pakçka prej të thënave dhe të menduarave në këto dy-tri ditë, ndër ne, do të mbetet në kujtesë.

Realisht, ne fare pak u morëm me shkaqet dhe arsyet e këtij qëndrimi kohëshkurtër të Tadiqit në Manastirin e Deçanit, u cili, edhe një herë, dëshmoi pafuqinë politike afatmesme të kreatorëve vendorë dhe ndërkombëtarë të politikës kosovare, që prej pranverës së vitit 2008. Pafuqinë për t’u marrë si duhet me problemet më të mëdha të brendshme dhe të jashtme të shtetit të Kosovës, e cila, pastaj, shprehet, objektivisht, në trajtë të përqafimit dhe justifikimit të gjendjes që në shtetin tonë mbretëron që prej marsit të vitit 2008 e këndej.

Kjo pafuqi është gjithnjë e më frustruese, dhe po mundëson ndryshimet, për të keq, të pozicionit të Kosovës. Po i krijon deficite të reja politike Kosovës.
Pyetja kyçe e cila sërish na godet në kokë, të gjithë neve, në vijim të pranisë dhe deklaratës qëllimisht provokuese të Kryetarit të Serbisë në Deçan, është kjo:
Çfarë rezultatesh, në adresimin dhe zgjidhjen e sprovave kryesore të stabilizimit të shtetit të Kosovës, gjegjësisht, integrimit të veriut të Kosovës dhe të serbëve të Kosovës në pushtetin dhe shtetin e Kosovës, tejkalimit të marrëdhënieve të këqija Prishtinë-Beograd, dhe forcimit të pozitës ndërkombëtare të Kosovës, veçmas në kuadër të BE-së, është duke dhënë politika e sotme zyrtare kosovare dhe ndërkombëtare?

Në kërkim të përgjigjes së kësaj pyetjeje, duhet së pari të merremi me vetë përmbajtjen e kësaj politike. Ajo, karakterizohet, në masë të madhe, me përqafimin e logjikës që brenda një periudhe të shkurtër kohore, nuk mund të ketë integrim të veriut në Rendin Kushtetues të Kosovës, dhe as përfshirje të komunitetit serb, me përjashtimet e rralla, në pushtetin e vendit. Në vazhdim të kësaj qasjeje, supozohet që gjërat në veri të Kosovës do të ndryshohen hap pas hapi, me kombinimin e vendosjes së Misionit të EULEX-it aty, me dobësimin e strukturave paralele të Serbisë, me motivimin e regjimit të tashëm të Beogradit për të qenë më bashkëpunues me EULEX-in dhe me BE-në, pos tjerash, për shkak të agjendës së Qeverisë së Serbisë për hyrje në BE, e cila kohëve të fundit mori trajtën edhe të thellimit të varshmërisë ekonomike të Serbisë nga Brukseli, për shkak të krizës së madhe globale financiare.
Kjo politikë, pra, favorizon një qasje të gradualitetit afatmesëm, e cila varet shumë prej vullnetit të Beogradit zyrtar dhe të politikanëve lokalë serbë, dhe llogarit që koha punon për ne, për zgjidhjet e matura dhe racionale të këtyre problemeve, duke iu shmangur tronditjeve të mëdha.

Cilat janë arritjet e deritashme të kësaj politike?

EULEX është vendosur në tërë Kosovën, por doganat nuk janë kthyer në Portat 1 dhe 31, Policia e Kosovës në këtë pjesë të vendit nuk e ka përbërjen etnike që e ka pasur deri me 19 shkurt, 2008, gjyqësia funksionon sa për sy e faqe.
Thuaja përditë, prej udhëheqësve institucionalë dhe atyre të opozitës, dëgjojmë të njëjtën deklaratë: Veriu i Kosovës është oazë e krimit të organizuar të të gjitha llojeve.
Beogradi ka lidhur çfarëdo lëvizje në veriun e Kosovës, me jetësimin e Gjashtëpikëshit të Ban Ki-Moonit, Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, për të cilin nuk dëshiron të ndijë Prishtina zyrtare. EULEX thotë që është Mision teknik, “neutral ndaj statusit”, nën Rezolutën 1244.
Gjëra të ditura, gjithsesi. Tash e gati pesë muaj të plota.

Dikush mund të thotë që, megjithatë, është ruajtur njëfarë qetësie në veri, nuk ka provokime të mëdha, tek-tuk shënohet ndonjë shpërthim a një incident, etj.etj. Po, pse të ketë incidente, kur gjendja e tashme në veri i shkon krejtësisht për shtati Beogradit zyrtar dhe politikanëve lokalë serbë?
Në anën tjetër, përfshirja e serbëve të Kosovës në institucionet e vendit, ka ngecur aty ku ka qenë në shkurtin, marsin, e vitit të kaluar.
Sa për faktorizimin e Kosovës në arenën ndërkombëtare, këtu dihet që gjendja është ndërlikuar edhe më shumë, prej tetorit të vitit të kaluar, kur Asambleja e Përgjithshme e OKB-së votoi për angazhimin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë (ICJ-së), në trajtimin e legalitetit të shpalljes së pavarësisë së Kosovës.
Të premten e kaluar, me 17 prill, kuptuam, në bazë të deklaratave të Ministrit të Jashtëm të Serbisë, Vuk Jeremiq, që avokatë të Serbisë, në kundërshtimin e bërjes së Kosovës shtet, para ICJ-së, do të jenë edhe katër shtete anëtare të BE-së: Spanja, Rumania, Sllovakia dhe Qipro.
Një karakteristikë shumë e rëndësishme e politikës të cilën po e analizojmë këtu, ajo e “neutralitetit ndaj statusit” të Kosovës, me të cilën është synuar të ruhet pajtueshmëria midis shteteve të BE-së për Misionet e saj në Kosovë, duket që u neutralizua pikërisht me këtë veprim të katër prej pesë shteteve të BE-së që nuk njohën Kosovën. Vetëm Greqia ka mbetur shtet neutral ndaj statusit. Spanja, Rumania, Sllovakia dhe Qipro, tash edhe zyrtarisht janë paraqitur si kundërshtarë të shtetit të Kosovës.

Objektivisht, tash e tutje, Pieter Feith nuk mund të paraqitet si EUSR, ose si Përfaqësues Special i BE-së për Kosovën, sepse katër shtete të BE-së janë kundër shtetit të Kosovës, dhe ai nuk mund më të flasë në emër të tyre në Prishtinë.
Në përgjithësi, qasja e “neutralitetit ndaj statusit” ka evoluar, dhe tani ajo ka marrë trajtën e kundërvënies ndaj pavarësisë së Kosovës.
Po shihet, pra, që politika e deritashme kosovare dhe ndërkombëtare në trajtimin e çështjeve kryesore, zgjidhja e të cilave është kusht për stabilizimin e shtetit të Kosovës, nuk ka dhënë rezultate.

Hapi i parë në ndryshimin e kësaj politike, do të ishte pranimi i dështimit të saj. Pastaj, do të mund të bëhej një analizë reale e masave të reja, në kuadër të një Plani të detajizuar, për arritjen e qëllimeve të njohura, e cila do të merrte parasysh, gjithsesi, edhe tatëpjetën politike, ekonomike, sociale, strategjike të Serbisë, në gjashtë muajt e fundit.

Serbia, siç është theksuar edhe më parë, në pranverën e vitit 2009, është shumë më e dobët, me shumë më pak mundësi të kundërshtojë një politikë të vendosur dhe këmbëngulëse të Prishtinës dhe të Perëndimit, sesa në vjeshtën e vitit 2008.
Beogradi i sotëm nuk mund t’i rezistojë dot një politike të qartë, që do të koordinohej midis Prishtinës, Brukselit dhe Washingtonit.
Kështu ishte zatën me shpalljen e pavarësisë së Kosovës, kur skenari, i shpalljes së bashkërenditur të pavarësisë, madje doli më i suksesshëm sesa që pritej. Pse të mos jetë njëlloj edhe tani, në trajtimin e temave që kanë mbetur zvarrë që prej pranverës së vitit të shkuar?
Në shqyrtimin dhe zgjidhjen e këtyre çështjeve, koha, realisht, nuk është aleat i yni, por i Serbisë. Është ky një tjetër shtytës për ndryshimin e politikës së deritashme.
Agim Gashi
Agim Gashi
Administrator
Administrator

Numri i postimeve : 45955
Age : 70
Location : Kosovë
Registration date : 17/11/2008

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Mbrapsht në krye

- Similar topics

 
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi