Akllapi Net - Forum i Hapur
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

Blerim Shala:Refuzimi institucional i realitetit

Shko poshtë

Blerim Shala:Refuzimi institucional i realitetit Empty Blerim Shala:Refuzimi institucional i realitetit

Mesazh nga Agim Gashi Tue Mar 31, 2009 11:57 am

Refuzimi institucional i realitetit


Blerim Shala:Refuzimi institucional i realitetit Photo_38

Mohimi i realitetit, injorimi i tij, apo interpretimi relativizues i problemeve më të mëdha në fushën e sigurisë, janë tipare kryesore të politikës së udhëheqësisë kosovare.

Nga Blerim Shala më 30.03.2009 në ora 12:41

Injorimi, refuzimi, relativizimi, apo, në variantin më të mirë, reagimi i vonuar, janë tiparet e politikës së institucioneve të vendit, të autoriteteve më të larta të shtetit të Kosovës, ndaj sprovave të sigurisë së Kosovës. Ndërsa dihet që për një shtet të ri, çfarë vazhdon të jetë Kosova, ruajtja e stabilitetit është prioriteti kryesor strategjik, interesi Numër Një, pa sendërtimin e të cilit nuk mund të bëhet fjalë për jetësimin e interesave të tjerë politikë, diplomatikë, ekonomikë dhe socialë të vendit.

Stabiliteti i një shteti është identik me shëndetin e një shoqërie a të një njeriu.

Si shprehen, konkretisht, veçoritë e spikatura të politikës së instancave sipërore të pushtetit të Kosovës, kur trajtohen temat e kërcënimeve për sigurinë dhe stabilitetin e Kosovës?
Ja dy shembujt e fundit.

Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, në mbledhjen e mbramë të Kuvendit të Kosovës, në pyetjen e një deputeti që lidhej me përzgjedhjen e Zëvendësdrejtorit dhe Inspektorit të Përgjithshëm të Agjencisë Kosovare të Inteligjencës (AKI), pohoi që “Agjencia e Inteligjencës është duke funksionuar shkëlqyeshëm, në baza profesionale dhe në bashkëpunim me ndërkombëtarët”.

Opinioni kosovar e di, për momentin, që vetëm Drejtori i AKI-së është zgjedhur, dhe që realisht, AKI-ja është tek në fazën fillestare të saj.
Kryeministri Thaçi, në anën tjetër, duke komentuar gjendjen e përgjithshme të sigurisë, para deputetëve të Kuvendit dhe qytetarëve të Kosovës, konstatoi që Kosova është vendi më i sigurt në rajon.

Te dy këto interpretime të Kryeministrit Thaçi meritojnë të klasifikohen si refuzim të tij për t’i pranuar problemet reale me të cilat përballet sot Kosova në fushën e sigurisë.
Shembulli i dytë lidhet me Zëvendëskryeministrin e Qeverisë së Kosovës, Hajredin Kuçin.

Zëvendëskryeministri aplikoi qasjen e relativizimit të dëmeve që i shkaktohen Kosovës në lëmin e sigurisë, me paralajmërimet e ditëve të fundit për reduktimin e trupave të KFOR-it (tërheqja e njëanshme e 620 ushtarakëve të Spanjës), apo, për zvogëlimin e kontributeve për Misionin e EULEX-it të shteteve perëndimore (rasti i Britanisë së Madhe).

Kuçi ofroi shpjegimet e tij, sipas të cilave, këto veprime “janë një sinjal që gjendja e sigurisë në Kosovë është shumë stabile, madje është përmirësuar”. Për më shumë, Zëvendëskryeministri, kualitetin e kontributit ndërkombëtar për stabilitetin e Kosovës nuk e sheh të ndërlidhur me kuantitetin/numrin e trupave ushtarake dhe policore ndërkombëtare. “Kosova nuk mbrohet në bazë të numrave të trupave të KFOR-it që ka brenda saj, por në bazë të politikës që ka bashkësia ndërkombëtare për sigurinë e Kosovës” – nënvizoi Kuçi.

Këto dy gjëra (politika dhe ana operacionale, numri i trupave), siç dihet, janë pjesë e pandashme e politikës së sigurisë të Perëndimit ndaj Kosovës, e cila ndërtohet mbi vlerësimin e gjendjes së tanishme, mbi parashikimet për komplikimet e mundshme në fushën e sigurisë në periudhën afatshkurtër dhe afatmesme, dhe gjithsesi mbi interesat e Perëndimit në Kosovë dhe në rajon.

Pas ngjarjeve të njohura të marsit të vitit 2004, dhe, duke pasur parasysh proceset e definimit të statusit të Kosovës, dhe ato pas-statusore, në Bruksel, në selinë e Paktit NATO dhe të Bashkimit Evropian, ka mbizotëruar së pari bindja që nuk duhet të ketë reduktim të trupave të KFOR-it, dhe së dyti, që rendi dhe ligji në shtetin e Kosovës kërkojnë një përkrahje të madhe të një Misioni civil ndërkombëtar, me pjesëmarrjen e dy mijë policëve, gjykatësve dhe prokurorëve.

Që kryeqendrat perëndimore nuk kanë ndryshuar aspak mendjen kohëve të fundit në vlerësimin e gjendjes së sigurisë në Kosovë, apo, që tutje në Bruksel dhe në Washington, mendohet që roli i KFOR-it dhe i EULEX-it duhet të jetë po ai i parapari në Propozimin Gjithëpërfshirës të Presidentit Ahtisaari, kjo është kuptuar fare qartë nga deklaratat e politikanëve, diplomatëve dhe ushtarakëve perëndimorë.

Sekretari i Përgjithshëm i Paktit NATO, Jaap de Hoop Scheffer, për shembull, kundërshtoi rreptë idetë për reduktimin e trupave të KFOR-it në Kosovë. Sekretarja Amerikane e Shtetit, Hillary Clinton, pohoi që akoma ka punë të papërfunduar në Ballkan, duke potencuar që duhet bërë punë shtesë për të mbërritur tek stabiliteti afatgjatë i Ballkanit. Nënkryetari i SHBA-së, Joseph Biden, pak javë më parë, po ashtu iu kundërvu propozimeve për zvogëlimin e trupave të KFOR-it në Kosovë, në emër të dërgimit të tyre në Afganistan, duke potencuar qartë që këto (Kosova dhe Afganistani), janë dy çështje të veçanta, se nuk duhet të përzihen, dhe që “në Kosovë duhet edhe shumë punë për t’u bërë” (në segmentin e sigurisë).

Gjenerali amerikan John Craddock, Komandanti i Paktit NATO dhe i Komandës Evropiane të Armatës së SHBA-së, në raportimin e tij të ditëve të fundit para Komitetit të Senatit Amerikan për forca të armatosura, potencoi që Kosova mund të jetë tutje burim i jostabilitetit në Ballkan.

Të gjitha këto prononcime të politikanëve, diplomatëve dhe ushtarakëve perëndimorë, marrin parasysh përparimin e Kosovës në fushën e sigurisë, pastaj pjekurinë e shumicës dërrmuese të qytetarëve të Kosovës, por, po ashtu, ato nuk mund e të mos kenë në konsideratë potencialin real telashenxitës dhe destabilizues, që lidhet me disa probleme të pazgjidhura në shtetin e ri të Kosovës.
Për kryeqendrat perëndimore, veriu i Kosovës, në masë të madhe definohet si “konflikt i ngrirë”, që i përngjet një mine të kurdisur, demontimi i së cilës do të jetë një punë e rëndë, e mundimshme, mbase disavjeçare, me përplot sfida për Prishtinën dhe për Perëndimin.

Demontimi i kësaj mine, gradual, i kujdesshëm, i matur, është qasja dominuese në Bruksel dhe në Washington, ku, megjithatë, gjithnjë e më shumë po kuptohet që supozimi që lidershipi i ri i Serbisë, në krye me Boris Tadiqin, Kryetarin e Serbisë, do të ndihmojë në sendërtimin e këtij qëllimi, është joreal. Prej andej, prej Beogradit pra, po vijnë porositë për dyzimin e pafuqisë dhe për mungesën e vullnetit të Tadiqit dhe bashkëpunëtorëve të tij që të ndihmojnë synimin e Perëndimit për dobësimin dhe eliminimin e potencialit shpërthyes të veriut të Kosovës.

Në anën tjetër, stabiliteti i Kosovës është i kërcënuar edhe me sprova të tjera, të cilat gjithashtu injorohen prej faktorit institucional vendor: Derisa e gjithë Evropa, përfshirë këtu edhe rajonin në të cilin Kosova është vendi më i sigurt, sipas deklaratës së Kryeministrit Thaçi, gjendet në ethet e mëdha të shkaktuara nga kriza globale financiare, të cilat mund të evoluojnë në zjarrminë e tronditjeve sociale të papara për dhjetëra vjet në Evropë, tek ne sillemi thuajse nuk do të goditemi fare nga kjo krizë, megjithëse tashmë janë humbur 120 milionë Euro të kontributeve tona pensionale, dhe ka paralajmërime të qarta për probleme në të gjitha segmentet e shoqërisë kosovare.

Raporti i dhjetorit 2008, i UNDP-së, i “Paralajmërimit të hershëm”, është alarmant kur flitet për gatishmërinë e kosovarëve për të marrë pjesë në protestat me karakter social.
Mohimi i realitetit, injorimi i tij, apo interpretimi relativizues i problemeve më të mëdha, janë tipare të politikës së udhëheqësisë institucionale të Kosovës që urgjentisht duhet zëvendësuar me politikën e analizës serioze dhe objektive, të gjendjes së tanishme dhe të planifikimit të masave dhe veprimeve që duhet ndërmarrë, gjithsesi në partneritet me faktorin ndërkombëtar, për stabilizimin afatgjatë të Kosovës.

(Blerim Shala është Nënkryetar i Parë i Aleancës për Ardhmëninë e Kosovës. Kjo kolumne është shkruar enkas për Gazetën Express)
Agim Gashi
Agim Gashi
Administrator
Administrator

Numri i postimeve : 45955
Age : 70
Location : Kosovë
Registration date : 17/11/2008

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Mbrapsht në krye

- Similar topics

 
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi