Akllapi Net - Forum i Hapur
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

Berisha: Heqja e vizave, fat i bardhë për rininë shqiptare

Shko poshtë

Berisha: Heqja e vizave, fat i bardhë për rininë shqiptare Empty Berisha: Heqja e vizave, fat i bardhë për rininë shqiptare

Mesazh nga Agim Gashi Sun Oct 10, 2010 9:41 am

Berisha: Heqja e vizave, fat i bardhë për rininë shqiptare

Berisha: Heqja e vizave, fat i bardhë për rininë shqiptare 9October-9-15-27-222


Kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha nisi këtë një vizitë dy ditore pune në jug të vendit. Kryeministri e nisi vizitën nga komuna Lukovë, në Sarandë, ku inauguroi rrugën Lukovë-Plazh, investim i buxhetit të shtetit, me vlerë rreth 140 milion lekë. Kjo rrugë, me gjatësi 3.6 kilometra, i bashkohet rrugëve të tjera të bregut të Jonit që zbresin në det, duke kompletuar me një infrastrukture moderne pothuajse të gjitha rrugët e që lidhin fshatrat e Jonit me bregdetin.

Kryeministri Berisha shprehu kënaqësinë e këtij inaugurimi dhe njëherësh garantoi se brenda 6 mujorit të vitit që vjen, qytetarët shqiptarë nga Morina e Kukësit, deri në Konispol do të lëvizin në rrugë të reja.


Në takimin me banorë të Lukovës, Kryeministri u shprehu përgëzimet për vendimin e Parlamentit Evropian për heqjen e vizave për qytetarët shqiptarë, duke e konsideruar atë një vlerësim të ndershëm, objektiv të mundit, të lumit të djersës dhe reformave të suksesshme që janë realizuar vitet e fundit.

Më gjerë, në përshëndetjen e tij, Kryeministri Berisha u shpreh: “Ju përshëndes shumë përzemërsisht dhe shpreh gëzimin tim të ndaj me ju inaugurimin e rrugës që lidh komunën tuaj me bregun e mahnitshëm të detit që keni këtu pranë. Kjo rrugë, me gjatësi mbi 3.6 kilometra, është një investim prej rreth 140 milion lekë. Me inaugurimin e kësaj rruge, në të gjithë gjatësinë e bregut të Jonit, nga Llogaraja deri në Ksamil, na mbetet vetëm ndonjë segment, rrugën e Palasës, të cilën unë e kam lënë ta inauguroj së bashku me opozitën.

Por unë kam kënaqësi të madhe që vij sot dhe t’ju përgëzoj juve dhe çdo shqiptar për arritjen tonë historike, lëvizjen tonë të lirë pa viza në mbarë Evropën. Ne jemi ndoshta kombi më i vjetër apo ndër më të vjetrit të këtij kontinenti. Në shekuj, ne kemi përjetuar male mundimesh mbi shpatullat tona, por, më në fund, ne do të lëvizim të lirë, me dinjitet të plotë në mbarë kontinentin që i përkasim. Kjo është një arritje historike. Një arritje që për shqiptarët është më e madhe se për çdo komb tjetër, jo se ne jemi kombi më i madh, por sepse ne, për shkak të së shkuarës sonë të afërt, tmerrësisht të hidhur, kemi më shumë se 25 për qind të djemve dhe vajzave, nënave dhe baballarëve jashtë vendit, kemi një brengë të madhe për të shuar.

Dje, teksa po ndiqja televizionet, më mbeti i pashlyer në mendje rrëfimi i një nënë, e cila të dy fëmijët e saj, djalin dhe vajzën, i kishte emigrantë në Itali. Kishte 10 vite që nuk i ishte takuar. Nga kursimet e sa, me besimin se do hiqen vizat, kishte ndarë 300 euro, kishte prerë biletat dhe do të nisej më 27 dhjetor e do të kthehej më 10 janar. Ishte prekës rrëfimi i saj. Por ky rrëfim ishte rrëfimi i mijëra zemrave të nënave, të motrave, të baballarëve shqiptarë, të cilët tani në dinjitet të plotë do të shkojnë, do të festojnë, do të ndajnë gëzime, lindje, dasma, së bashku me njerëzit e tyre, kudo ku i kanë”, tha kryeministri Berisha.

Tutje Berisha tha “Për mbarë Evropën, për çdo qytetar evropian, kur të mësojnë se për shqiptarët janë hequr vizat, kjo do të thotë se ky është vend i sigurisë maksimale, do të thotë që të shkojnë sa më shpejt në Shqipëri, do të thotë të njohin më shumë turizmin shqiptar, brigjet, malet, peizazhet e këtij vendi.

Heqja e vizave do të thotë për rininë shqiptare fati më i bardhë i saj, mundësi të mëdha lëvizje, mundësi të mëdha aplikimesh, do të thotë një hapësirë tjetër shumë më e madhe.

Për ne, kjo është një arritje më e madhe, se për kombet e tjera , sepse para 20 vitesh, ju, burrat dhe gratë e kësaj komune të mrekullueshme dhe të gjithë ne, shqiptarët jetonim të rrethuar me klone e tela me gjemba, apo për kafshatën e gojës, siç do të rrëfente një ish diplomat i regjimit nga Vunoi, tek thotë se kur kthehej dhe shkonte në shtëpi ndonjëherë, motra do i thoshte: Pirro, unë nis katër burra me sherbet me kripë dhe punojnë gjithë ditën në ullinj. As me ullinj nuk i niste dot. Pra, kjo për ne është një arritje e madhe, një arritje historike, një arritje e merituar.

Kjo arritje është plotësisht e merituar dhe ju garantoj për këtë, sepse ne, shqiptarët nuk është se kemi pasur nga të tjerët histori mbështetjesh të mëdha ndaj nesh, por ka një vlerësim të ndershëm, objektiv të mundit, të lumit të djersës dhe reformave të suksesshme që kemi realizuar, këto vitet e fundit. Ju garantoj se gjatë këtij viti ka pasur vizitorë të shumtë që kanë ardhur të shohin në vend plotësimin e kritereve për heqjen e vizave. Kënaqësia ime ka qenë se ata janë larguar me mendim të kundër më atë që kishin ardhur, janë larguar dhe u kanë raportuar presidentëve, kryeministrave, ministrave të tyre se ky vend ka bërë përpjekjet më të jashtëzakonshme, se shqiptarët disponojnë pasaportat biometrike më moderne në Evropë, se pikat e kalimit të kufirit kanë sistemet e kontrollit më moderne të kohës, se rendi dhe siguria janë ndër më të mëdhatë. Vetëm pak ditë më parë, një mik i imi do të më çonte fjalë se: do t’i them kryeministrit tim të vijë në Tiranë, se Tirana është një vend më i sigurt, sesa këtu, ku jetojmë ne. Kjo sigurisht që është dhe një shprehje miqësie ndaj Shqipërisë dhe shqiptarëve, ndjenjë respekti për ato që kanë arritur, për lumin e sakrificave që kanë bërë. Unë ju garantoj ju se qeveria do të përmbushë çdo detyrim, për ndryshimin me shpejtësi të jetës suaj.

Kam ardhur në jug dhe gjatë këtij turneu inauguroj me dhjetëra kilometra rrugë, por kam kënaqësinë t’ju them se brenda 6 mujorit të vitit që vjen, qytetarët shqiptarë nga Morina e Kukësit, deri në Konispol ecin nëpër rrugë të reja.

Këto zhvillime, të cilat janë të një rëndësie të madhe për çdo qytetar dhe shprehin një përkushtim të madh tuajin, por dhe të qeverisë suaj për t’i dhënë Shqipërisë një fytyrë evropiane, tentohen të nxihen, të errësohen nga një propagandë bajate, e cila është si një pikë uji, e ndarë në dysh, me propagandën e diktaturës, në disa aspekte. Juve mund t’u duket çudi, por unë kërkoj arsyetimin tuaj dhe të të gjithë shqiptarëve”.

Kryeministri Sali Berisha foli edhe për liderin opozitar Edi Rama, veprimet e të cilit i quajti ofenduese për shqiptarët. ”A nuk janë një ofendim për mbarë qytetarët shqiptarë, përrallat që kryetari i nderuar i Partisë Socialiste, Edi Rama, tregon çdo të xhuma ndaj shqiptarëve dhe cila ishte përralla e fundit me të cilin ofendoi shqiptarët. Dje, u tha shqiptarëve se unë nuk votova ligjin për Gjykatën Administrative se nuk doja t’i jepja Berishës dhe një sistem gjykate. Rama, më duhet të them se je larg, të ka mbetur ora në kohërat më të errëta. Së pari, duhet ta kesh të qartë se Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë tek Sali Berisha, qeveria e tij dhe Partia Demokratike, një prej partnerëve më të vendosur jo në Shqipëri, por në rajon dhe kjo është një histori 20 vjeçare. Kanë në ketë partneritet, përpjekjen për të çliruar shqiptarët nga sistemi komunist. Kanë në këtë partneritet, përpjekjen për ndërtimin në këtë vend të vlerave të lirisë dhe të demokracisë. Por ti ofendon shqiptarët, sepse harron një gjë, që SHBA-të kanë tek Sali Berisha vetë, Partia Demokratike partnerin kryesor strategjik, por, nga ana tjetër, është e vërtetë që SHBA-të nuk do të pranonin kurrë t’i jepnin në dorë Sali Berishës, mikut dhe aleatit të tyre, asnjë gjykatë dhe asnjë sistem drejtësie, se SHBA-të frymëzojnë shqiptarët dhe mbarë popujt e botës, me lirinë e tyre, e cila ka shtylle kryesore drejtësinë e pavarur dhe vetëm drejtësinë e pavarur dhe vetëm drejtësinë e pavarur.

Ndaj, z. Rama, të pretendosh se Agjencia Amerikane e Ndihmës dhe Zhvillimit Ndërkombëtar punoi dy vite për të ndërtuar një sistem gjykate administrative dhe për t’ia dhënë dhuratë Sali Berishës, ti u tregon shqiptarëve përralla me mbret, që nuk t’i beson asnjëri. Nuk votove, sepse nuk je i çliruar nga mendësia dhe mentaliteti i etërve të tu, se nuk mund të mos votoje kurrë, nëse në psikikën tende nuk dominonin këto koncepte. Ti nuk votove për një ligj të votuar në Kongresin Amerikan për të ndihmuar qytetarët shqiptarë. Ti nuk votove, sepse mendove se ato 16 milion dollarë dhe qindra të tjerë që mund të vinin, po të fitonim Statusin Kompak, do të forconin pushtetin e Sali Berishës. Ti u tregove jashtëzakonisht shpirt kazmë, sepse ato 16 milion dollarë do të ndërtonim rrugët, ujësjellësit, kanalizimet e qindra qytetarëve, në mbarë vendin.

Nga ana tjetër, më duhet të them se nuk votove edhe për shkaqe të tjera, se ajo gjykatë, të dashur qytetarë, është gjykata që do të bllokonte 20 përqindëshin, gjykata që do të prishte me vendimet e ligjit duart e ekzekutivit lokal apo qendror mbi biznesin dhe arbitraritetin. Nuk e votove se do të vjelësh gjoba 20 përqindëshe për pallatet që ndërtohen, sepse nuk është interesi i klanit, i kupolës që ti drejton. Por, në rast se të ka mbetur qoftë edhe kuanti më i vogël i logjikës, ndrysho mendimin, të votojmë Gjykatën Administrative, edhe në rast se projekti është djegur, në shenjë të vendosmërisë sonë për të vendosur vlera në këtë vend, por edhe në shenjë të një mirënjohjeje të pakufishme ndaj vendit që vetëm me këtë Agjenci i ka dhuruar popullit shqiptar falas mbi 700 milion dollarë dhe disa prej tyre janë investimeve edhe në zonën e bregdetit, janë në kredi dhe në forma të ndryshme, por janë edhe në Valbonë, edhe në zonat më jugore, janë në Korçë tek fermerët e Korçës, janë në shkolla, në prokurimet publike. More çmimin e dytë në botë si vend, vetëm e vetëm nga projekti i USAID-it, i cili vendosi prokurimin elektronik në Shqipëri. Sigurisht që vullneti i qeverisë ishte i plotë, por, absolutisht, pa ndihmën e tyre në këtë projekt, ne nuk e bënim.

Ndaj e ftoj kryetarin e PS-së të heqë dorë nga përrallat e xhumasë dhe të behët pjesëmarrës në ndërtimin e Shqipërisë evropiane, në ndërtimin e të ardhmes. Sigurisht, ndërtimi i rrugëve, i ujësjellësve, i kanalizimeve është detyrë e qeverisë dhe ti ke të drejtë ti kërkosh gjer më një qeverisë, sesi po i përdor paratë, por nuk ke kurrë të drejtë të bllokosh fondet e qytetarëve shqiptarë dhe të thuash se për inat të Sali Berishës, unë dënoj qytetarët shqiptarë, për inat të Sali Berishës unë ndëshkoj PS-në dhe e kthej atë drejt origjinës. Këto, z. Rama, nuk i ke të drejtë.

Edhe njëherë ju përshëndes përzemërsisht dhe garantoj kryetarin e komunës se qeveria do të vazhdojë të financojë çdo projekt të kësaj komune të mrekullueshme, që jeta e saj të përmirësohet gjithnjë e më shumë”, tha në fjalën e tij kryeministri Sali Berisha.
Agim Gashi
Agim Gashi
Administrator
Administrator

Numri i postimeve : 45955
Age : 70
Location : Kosovë
Registration date : 17/11/2008

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Mbrapsht në krye

- Similar topics

 
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi