Haxhi Muhaxheri:Në vend te homazhit-Ibrahim IBISHI(16.12.1953 – 24.11. 2010)
Faqja 1 e 1
Haxhi Muhaxheri:Në vend te homazhit-Ibrahim IBISHI(16.12.1953 – 24.11. 2010)
Haxhi Muhaxheri:Në vend te homazhit-Ibrahim IBISHI(16.12.1953 – 24.11. 2010)
DUA TË JESH HËNË POETI
Dua
Të jesh hënë poeti
Zjarr dhe qetësi
Në të njëjtën kohë
Dhe dramë e këngë
Të jesh kur ke vetmi
Dua
Të jesh zog perëndie
Që fluturon qiellit tim
Dhe gjëmë e këngë të jesh
Një ditë kur t’ikin ëndrrat
Të kthehesh të tregosh
Se je hënë poeti
Me kurorë xhevahiri - mbretëreshë
Dua
Zog i këtij qielli të jesh
Me plot shpresë në cicërrimë
Fashë drite e zvërdheme
Të shkëlqesh
Tek lëshohesh mbi dritaren time
Në mesnatë
Hënë dhe zjarr poeti
Të shkëlqesh e të jesh
ROMANCË PËR TY DHE MËNGJESIN ME SHI
Nga veranda e Agoras
Përjetoj përpëlitjen e shiut
Mbi gjethurinë e blinit
Dhe flokun tënd
Të ngatërruar me copat e gjumit
E shoh të gështenjtë të përgjumur
( Nëse do të jesh i lumtur thonë
Sajo një përrallë për të dashuren
Që ende fle e patrazuar
Në shtrat princeshe
Dhe vrojto detin e mërzitur
Nga puthjet e pikëlave të imta
E kaçurrelat e saj
Merri në gishtërinjt që të dridhen
Dridhen
Dridhen )
Prej këndej mundohem të të gjej
Në një bredhëritje të përhanshme
Dhomave të pallatit përballë
E nuk të gjej nuk të gjej
E nuk të shoh nuk të shoh nuk të shoh
E patjetër diku je ti
E unë dëshiroj të të shoh të të shoh
Kaçurrelat t’i përkëdhel nëpër shi
Nëpër shi nëpër shi
PRIT NJË HERË SA T’DEL VASHA
Hënë o hënë hënë hirushe
Në mesnatë prit e prit
Vonë kur ëndrra psherëtinë
Prit sa t’del vasha n’dritare
Sa t’del djali me violinë
Rri mbi kopshtin e përgjumur
Plot aromë jorgovani
L’sho fenerin në çardak
Puqi buzët engjëllore
Shfryje afshin mbi zambak
E dikur në fund të ëndrrës
Fshihe syrin në buzë mali
Hije e verdhë sa t’zgjatë nata
N’zemër t’djalit lulja e jetës
Trëndafil me gjemba ari
DIMËR SHIGJETARËSH
Nga mansarda që nuk e kam
Thith cigaren
Pastaj me tymin nëpër pullaze hidhem
Si galat kur krrokasin n’acar
E poshtë nipi në dhomën e prindërve
Kërkon diçka që emrin ende nuk ia di
Qan nga i’here
Me gjuhën time që s’e mbaj në mend
Sikur më thotë: gjysh unë e ti u lindëm sivjet
Pak ditë para vitit të ri
Në dhjetorin e ardhshëm
Do të mbushim një shekull të zbrazët
Ndërsa unë përkëdhel mjekrën
Dhe me tymin e cigares udhëtoj
Hidhem nëpër ëndrra si bandill i vetmuar
Herë qaj si Erjoni
Herë si galat krrokat mbi pullaze
Në këtë dimër shigjetarësh
Një shekull nis e nuk mbaron kurrë
KUR TI FLE
Fle fle fle
Fle fle fle
Ti tashti fle
Fle fle fle
Dhe një nënqeshje në cep buze
Të miklon ëndërrën e pafund
E tashti ti fle
Fle e fle e fle
Unë engjëlli mbrojtës jam
I flokut të shkujdesur
Që ëndërron
E tashti ti fle
ËNDËRR NË BREG LUMI
Ti je romancë e lehtë
Që rrëshqet mbi valët e bardha
Në ditë vere me shi blerosh
Në këngën e dehur
Ti je akord i dhembshëm
Që tingëllon me jehonë
Ti je kaçurrel mbi çerpik
Ti je flutur në shi
Ti je aromë portokalli
Ti je vesë mbi trëndafil
Ti je puhizë në krahë bilbili
Ti je violinë jevgu në ekstazë
Ti je shkumë e bardhë mbi valë deti
Ti je çdo gjë që është e bukur
Si ta zëmë
Diell i fërguar në vaj mandarine
Pas bjeshkës së fundit
Në horizont
Dhe shushurimë vale në mesditë
Ti je pulëbardhë përralle
Dhe sirenë flokëverdhë
Me trup peshku
Ti je çdo gjë që magjepsë
Ti je lamtumirë e ndjeshme
Që lëngon
Ti je ëndrra ime
Në breg lumi tek pushon
KËNGË PËR SHEMIN
Sot vendlindjen e pashë
Vëllaun tim me dhe tek e mbulon
E çka mund të bëja
Unë kundër vdekjes
E çka mund tu thosha nipërve
Për babanë e tyre
Me gjithë atë barrë dergje
Në bebëzat prej qelqi
U thashë: Do ta këput xhaxhai
Një copë qielli dhe do të vrapoj
Anembanë fushave me luledhembje
Deri në amshimin e dehur
Tapë do të bëhem me kupën e helmit
Akoma më i vetmuar do të kthehem
Tek ju
E ju, u thashë, do ta kërkoni shpëtimtarin
Në rrebesh shiu e breshëri do të hasni
Nëpër ortekët e fundit në skaj bote
Do ta kërkoni
Dhe do ta gjeni një ditë
Rrugës nëpër ëndrra somnabulësh
Kur të tjerët baba do t’u thërrasin
PËRTEJ MASKE
Ata që na i futën thikat
Na i dhuruan edhe maskat
Dhe ne ta zëmë frymën tonë i vumë
Kur na i dërguan këto lodra ferri
Të fshihemi bukur na mësuan
E kur të dalim nga terri
Qyqe të bëhemi përgjithmonë
Kur e vë maskën në fytyrë
Ti e do një tjetër emër
Një tjetër gjini lakmon
Dhe një liri që të tjerëve u mungon
PËRTEJ MASKE
Ata që na i futën thikat
Na i dhuruan edhe maskat
Dhe ne ta zëmë frymën tonë i vumë
Kur na i dërguan këto lodra ferri
Të fshihemi bukur na mësuan
E kur të dalim nga terri
Qyqe të bëhemi përgjithmonë
Kur e vë maskën në fytyrë
Ti e do një tjetër emër
Një tjetër gjini lakmon
Dhe një liri që të tjerëve u mungon
KTHIMI
Dhe ti erdhe një natë
Kur ëndërrën më kulloti
Njëbrirëshi i përrallës
Dhe më the se zogjtë fluturojnë
Vetëm në vjeshtë e pranverë
E unë ikjes desh i besova
Kur u nise të shtegtoje me djallin
Nëpër arat me luledielli
Dhe ti erdhe një natë
Kur shi i dashurisë po sitej
Mbi çerpikë
Ti erdhe një natë
Bredhjen time të lodhur të më kujtoje
Nëpër ëndrra të egra
Të më ktheje në shtëpi
Një ditë apo një natë
Ti erdhe
Dhe ta dish s’ka aspak rëndësi
Cila ditë apo natë rrinte zgjuar
Në fushën e verdhë të kalendarit
Dhe unë nuk të prita në dritare
Andej nga shtegtojnë zogjtë e mallëngjimit
Të prita aty prej nga je nisur
Mu në ëndrrën e përjetshme
DHE PËRSËRI IKJA
Çdo gjë që ikë
Nuk është erë shiu
As moshë e dergjur thinjash
Mund të mos jetë viktima
Me vrasësin në vrap pas saj
Ajo që ikë
Me shpirtin maje qime floku
Si erë a si përftim pikëllimi
Shumë leht ti mund të jesh
Ajo që ikë
Dhe dikush që lëngon
Në shtratin e dergjes – për ty
Mund të jem unë ai që të përcjell
Tek ikë me trenin e fundit
Se nuk mund të jesh pranverë
Që shkon e kthehet
Pastaj perdja bie si në teatër
Dhe ikja bëhet pastaj ikje gjigante
Përgjithmonë
NJË POEZI PËR FËMIJË
CICËRIMË ZOGU
Më zgjon dielli
nga dritarja,
mu si miku
më miklon;
e nga kopshti
harabeli
një zë të vogël
më lëshon.
Ciu, ciu,
kënga ime,
kështu fillon;
ciu, ciu
dhembja ime
më mundon.
Vëllai im
matanë qiellit,
larg, sa larg
ai fluturon;
Nuk e di
kur do kthehet,-
shiu po bie,
po mbulon...
Ibrahim IBISHI
MAGJIA E SHKRIMIT
Unë fillova të lexoj përrallat e ilustruara vetëm në klasën e pestë të fillores ( të tilla ishin rrethanat e kohës sime ). Dhe, merreni me mend çfarë dëshire të marrë do t’i shkaktonte një fëmije katundari, të veçuar në një kodër bjeshke të pafund, ta zëmë “ E përhitura “, “ Llamba e Aladinit “, apo “ Borëbardha “ ?! Dhe, deshi s’deshi, ai fëmijë do të lakmonte fatin, në dukje të paarritshëm të këtyre personazheve, që më në fund do të arrijnë të mrekullueshmen e artë. Cili fëmijë ëndërrimtar nuk do të lakmonte të ishte princ ?! Cili fëmijë i çmendur nuk do ta dëshironte llambën magjike, me të cilën do të bënte të pamunduren ?!
Ndërsa unë isha një fëmijë i ndieshëm, i vetmuar, edhe pse shoqërohesha me të gjithë, që për çdo mbrëmje përcillja horizontin e praruar dhe mendoja se pas asaj vijës së pafund të imagjinuar të horizontit, kishte një botë tjetërfare nga kjo imja. I shihja me mendje fëmijët e lumtur se si luanin dhe shoqëroheshin, shihja qytetërime të lashta e rrokaqiej fantastikë, vëreja qiellin plot re, ku drangonjt e kuçedrat e bënin tymnajë hapsirën kaltëroshe…po çfarë nuk shihja në atë qiell të pafaj ?!
Dhe aty fillonte vetmia e madhe, një vetmi e përsosur, e cila e krijon atë njeriun tjetërfare. Dhe, me çdo kusht kërkoja një mundësi fantastike të shpërtheja këto mure gjigande që më ndanin nga lumturia.
Me kohën fillova të lexoj edhe gjëra më serioze dhe, nuk e di se si dëshirova të jem një udhërrëfyes i personazheve. Lakmova të bëhem shkrimtar. Dhe, tashti kur thonë se jam shkrimtar, më është kthyer ajo dhembja e fillimit. Përsëri jam i vetmuar. Jam shkrimtar e s’jam shkrimtar.!?
***
Këtë shkrim, mbi të qenit dhe të mosqenit shkrimtar, po e filloj me thënien e Ernest Heminguejit: Përgaditja më e mirë për një shkrimtar, është një fëmijëri fatkeqe. Kjo në njëfarë mase qëndron, por nuk është tashti për tashti pikëmbështetja ime për këtë që dua ta them, sepse sipas meje, ka me miliona njerëz me fëmijëri më shumë se fatkeqe, e që nuk janë bërë shkrimtarë, ka me miliona njerëz të varfër, por qe, vetëm ndonjëri prej tyre është shkrimtar. Ka plot njerëz të gjymtuar fizikisht, por që vetëm ndonjë prej tyre është bërë shkrimtar…
Nuk qenka, pra, fëmijëria fatkeqe i vetmi shkak i të skaliturit të njeriut në shkrimtar. Fëmijëria fatkeqe mund të jetë një pikë favori e një talenti me karakter të veçantë që kënaq veten e tij duke shkruar një gjeografi e histori shpirtërore që është pak a shumë realiteti jetësor i tij.
E çka e shtyn, pra, një njeri të shkruajë ?!
Të gjitha përgjijet e kësaj pyetjeje, deri më sot, vetëm janë mendime të hamendura, ose disa shkrimtarë kanë “ provuar të zbulojnë përvojat e tyre “ në lidhje me shkrimin, por vetëm kaq.
E pse shkruajmë, pra, pasi nuk e dimë pse shkruajmë ?!
Jam i vetëdijshëm se asgjë nuk duhet të përgjithësohet sa i përket ndjenjës së të shkruarit. Është e mundshme që të gjithë shkrimtarët e mirëfilltë të kenë të njëjtat ndjenja, qëllime e nxitje të brendshme, për kohën e të shkruarit, por ja që nuk e thonë troç.
E pse shkruajmë, pra, kur nuk e dimë pse shkruajmë ?!
Mbase nuk e dimë se po bëjmë diçka të bukur, sepse shkrimtari gjatë kohës së të shkruarit përjeton një kohë dhe hapësirë krejt ndryshe nga ajo e vërteta! Ndoshta krijuesi yshtet, apo pëson magji, nga një situatë a përvojë e jashtëzakonshme, e cila “ me të aguar “ zhbëhet si një ëndërr e bukur. Dhe çka është me rëndësi të posaçme e që brengos tmerrshëm, kur shkruajmë diçka të bukur, tepër të bukur, ndalemi dhe e pyesim veten, apo bëjmë sikur e pyesim: E si kam mundur unë ta shkruaj këtë?! Është e pamundur, themi kur me kërshëri të posaçme e lexojmë disa herë dhe, edhe pas kësaj dyshojmë se kemi ditur të shkruajmë aq bukur.
E ku është, pra, krijuesi gjatë kësaj kohe, kur ka shkruar diçka kaq të rëndësishme dhe të paimagjinueshme?! Për gjithçka mund të dyshojë përveç për atë se gjatë kësaj kohe transi ka qenë fikall vetëm në dhomë të punës, apo në dhomën e ndonjë hoteli me dritare që shikojnë nga deti.
Unë mendoj se shkrimtari i mirëfilltë është një qenie njerëzore me shenjë të veçantë dalluese, dhuruar nga vet zoti, në kohë të caktuar të jetës. Dhe çka të thuhet tjetër për këtë? Është diçka e ngjashme me atë të shpalljes së profetëve. Prandaj, siç nuk kanë mundur të bëhen të gjithë profetë, nuk do të munden të bëhen të gjithë as shkrimtarë. Përndryshe, ky do të ishte absurdi. Kjo do të ishte stërkeqje. Të gjithë ata, pra, që pretendojnë të bëhen shkrimtarë, duke u shtyrë me bërryla, nuk janë të tillë e më së paku shkrimtarët ideologjikë dhe ata që shkruajnë me porosi.
Të jesh shkrimtar i mirë do të thotë të jesh pak i çmendur, ashtu siç ishin profetët dhe apostujt, siç janë fallxhorët, magjistarët, parashikuesit e së ardhmes dhe zogjtë. Dhe
përjetë do të jesh një qenie e përçudshme ndërmjet njeriut dhe zotit: as në tokë, as në qiell. Gjithmonë do ta kërkosh me çdo kusht njeriun e ëndërres, do ta kërkosh dashurinë dhe lirinë magjike. Vazhdimisht do të rropatesh deri në çmenduri të jesh vetvetja dhe, kurrë nuk do t’ia dalësh, megjithëse do ta përdorësh edhe verën për ta çjerrë maskën e mashtrimit të vetvetes. Prandaj, gjithnjë do të jesh i vetmuar, nga se ti jeton në një tjetër botë, me të tjerë njerëz dhe të tjera perëndi.
E më në fund të shtrohet pyetja: A mos është e tmerrshme të jesh shkrimtar?!
Të kujtojmë gjykimin e babait të Enrik Vila Matasit, kur i thotë këtij: Të bëhesh Malro nuk është një karrierë, nuk studiohet në universitet! Dhe, këtë unë e lexoj kështu: Letërsia artistike nuk krijohet me rutinë. Atë duhet ta gëdhend mjeshtri me imagjinatë të përkryer, gati me një afinitet hyjnor.
Po të më pyetnin mua pse shkruaj, do ta ndieja veten të zënë ngusht, nga se nuk do të dija, vërtetë, të përcaktoja psehin e këtij veprimi sublim. Edhe nëse do të vendosja të përgjigjesha, do të provoja të kam parasysh ato nëntë pikat e Primo Levit, ato nëntë motovime, që sipas meje janë të mjaftueshme, dhe mbase nuk ka të tjera, kur një krijues “ detyrohet “ të shkruajë atë që do ta shkruajë.
Prej tyre do të veçoja motivimin, ku thotë: Ndiej ngacmim dhe nevojë. Pastaj, Të kënaq dhe të kënaqem, të çlirohem nga ankthi,dhe të bëhem i famshëm dhe i pasur njëkohësisht.
Ky do të ishte, mbase, vetëm një orientim sekondar, por ç’ndodh kur ia fillon të shkruash?! Asnjë prej këtyre motivimeve nuk të hyn në punë, nga se tashti ti je një qenie tjetër, mund ta quash hyjnore, jashtëtokësore apo djallëzore. Në ty futet një tjetër shpirt, duke të shporr jasht çdo gjë që vetëm pak më parë të ka takuar.
Kam lexuar dhe dëgjuar mendimet e shkrimtarëve të ndryshëm në lidhje me atë pse ata shkruajnë. Dhe, të them të drejtën, shumë prej atyre mendimeve më tepër ngjajnë në deklarime false të fryra me retorikë e filosofi sesa në ato motivimet e vërteta. Kam përshtypjen se disa nga ato janë fjalë idioteske.
***
Ja, edhe pse- hi i fundit.
E pse unë nuk u bëra shkrimtar i lexuar?! Nuk e di. E kur unë nuk e di, të tjerët nuk do të kenë si ta dinë. Megjithatë, nuk u zhgënjeva, prandaj do të krijoj dhe krejt për ta kënaqur vetveten dhe me këtë armë të fuqishme në dorë do ta mund vetminë shpirtërore, ta
mund vdekjen, që në shqip do të thotë ta mbaj veten gjallë dhe në qendër të vëmendjes, pasi më mungon një botë e shtensionuar, një parajsë e vogël.
Prapseprap, dyshoj se këto janë arsyet e vetme pse bëj një punë kaq të çmendur.
Ndoshta nuk ka ardhë koha ime ?! Kushedi.
Një lexues, ndër të rrallët, më tha mbase me shpoti: Librat tu do të lexohen me ëndje pas së paku dyqind vjetësh!
Aferim! – i thashë. Edhe kjo është mirë. Pas aq vjetësh, dëshmitarët e gjallë do të vdesin. Do të mbesin vetëm librat ( veprat ), nëse nuk i djeg ndonjë luftë e mundshme kundër krijuesve dhe intelektualëve.
LAJM I HIDHUR: Para nje ore vdiq shkrimtari, kritiku, poeti e mesimdhenesi Ibrahim IBISHI...
VARRIMI ESHTE TE ENJTEN NE ORA 12, NE VARREZAT E pRISHTINES.
(LAJMIN MA DHA SHKRIMTARI RAMADAN MEHMETI).
Ngushellime familjes dhe komunitetit letrar e arsimor!
Prend Buzhala
Nga Sabit Rrustemi:
VDEKJA NA GOSTIT ME NJë LAJM TË KOBSHËM:
SHUHET SHKRIMTARI IBRAHIM IBISHI
"Per gjume te embel ... miq!", na tha mbrë ai që sonte nuk është më në mesin tonë!; shkrimtari dhe liriku i një ndiesie të veçantë, IBRAHIM IBISHI.
Krejt papritur, Vdekja na shtangu sërish kësaj mbrëmjeje me shi.
Ngushëllime gjithë juve që e njohët, që e lexuat, që e deshët, që e nderuar...
Ibro, miky im, të fala bacës Din. Të fala gji...thë atyre që do t'i takosh në Panteonin e Pavdekësisë....
Poezia e fundit që u publikua më 20 Nëntor 2010 nga Ibrahim Ibishi
Ibrahim IBISHI
DIÇKA SI SHËTI OSE:
SORROLLATJE NËPËR SHI
...
Mbi asfalt pikëzat e shiut
Kacafyten me përplasjen
Dhe shtrihen vdekur mbi gjethet e lagur
Dhe unë shkel me keqardhje mbi dergjen e tyre
Nëpër dritare improvizim çasti
A çmenduri prej kohësh
Në ndërdijen time stacionuar
Flokë të ngatërruar shoh tek shikojnë
Vetëvrasjen e ditës në fund të rrugës
Ndriçuar me toptha të verdhë neoni
Njerëz që pëshpërisin
Me gjuhë të ngatërruara nëpër mote
Hanë hapat e kalamendur dhe më shikojnë
Tek ec i lagur me shpirtin mburojë qiellit që loton
Asnjë ombrellë nuk shmang këtë kjasim
Këtë dritësim të lagur pa fund në horizont
Pak nën parmakët e ballkoneve
Me lulet që i merr vjeshta
Në rrugë pa krye
Djelmoshë dhe serenata ngjiten ngadalë
Dhe nuk arrijnë kurrë buzët që lagen në shi
Ndersa unë ec ec ec ec
Nëpër ëndrrën time të vdekur kahmot
Dhe shiu ngrohet në zjarrin e zbehtë bohem
Po ti ku ndodhesh mungesa ime e përgjithmonshme
Ku të tretë kjo natë ky shi budallenjsh
Ky vegimi im që përpëlitet pikël e pikëlluar që bie
Asjë s’e ndalon këtë sorrollatje koti nëpër shi
E ti do të thuash se nuk njoh varavingat e jetës
Murg i dergjur në kafkën prej shufrash mbyllë
As mospërfillja më e vendosur
Nuk mund ta ndalojë sorrollatjen time pa fund
E ti ec kalo ylberin fik dritat ëndërro pranverën
Për mua le veç shiun zjarrin e vjeshtës
Dhe vdekjen e bukur
E ti prit vjeshtën tjetër dhe mos numëro vitet
Nga fillimi dhe shkundullo flokun tënd
Nëpër stinë
"Diçka si shi..." është amaneti poetik i Ibrahim Ibishit. Autori i baladeve të shiut, na tha troç: shiu është zjarri i vjeshtës. Ai ishte çmendurisht i dashuruar me vjeshtën. Stina e tij e jetës, u bë, edhe stinë e vdekjes. Apo, ajo vdekja e bukur që e ëndërroi para tri ditësh...
Ngushëllime, miq
Edhe nje lajm i hidhur!
Edhe nje lajme trondites!
Ne te njejten date, ne te njejten kohe, nje muaj ne mes!
Vdes mesimedhenesi, shkrimtari, poeti e kritiku letrar, por mbi te gjitha miku i madh, i sinçerte e i dashur, Ibrahim Ibishi!
U shpreh ngushellimet me te sinçerta familjes Ibishi e te gjithe miqeve qe njohen e qe e deshen! Une mbeta e shtangur mbrem para monitorit kur po kerkoja te shof profilin e tij, dhe, per nje çast mu ngri gjaku, u ngriva e tera derisa po lexoja lajmin qe kishte shenuar Prend Buzhalla! Kishin kaluar 8 min qe ishte shkruar ai lajm! Nuk di, nuk me kujtohet as vete si kam reaguar ne ate moment, por e di se nuk isha ne gjendje te kthjellohesha dhe te marr veten! Nuk mund te besoja! Vetem 20 ore me pare ai na kishte uruar nate te mire, e une po lexoja ate lajme trondites! U largova nga kompjuteri dhe po mendoja, po kujtoja te gjitha bisedat me te, po kujtoja takimin qe pata gushtin e fundit me te! Sa ishte mesimedhenes, shkrimtar, poet e kritik i mire, ai ishte nje njeri, nje mik shume i sinçerte, i respektuar e i dashur!Nuk do te harroj kurre keshillat dhe fjalet e tij! Do te jete i gjalle me veprat e tij qe la pas, por do te jete i gjalle edhe ne zemrat e kujtimet tona!I nderuar dhe i dashur mik, Ibrahim Ibishi! Shpirti yt pushoft ne paqe, ne parajsen e shtruar me lulet me te bukura qe i doje aq shume! te qofte i lehte dheu i kesaj toke, e kujtimi per ty qofte i paharruar perjete! Lavdi te qofte i nderuar dhe i dashur mik!
Miradije Zymeri-Avdullahu
INTERVISTË ME POETIN DHE KRITIKUN LETRAR IBRAHIM IBISHI
SHKRIMI ËSHTË NJË NDJENJË HYJNORE
Nga BILALL MALIQI
Ibrahim Ibishi është i lindur në Kremenatë të Gallapit, më 16 dhjetor 1953. Me profesion është mësimdhënës i Gjuhës shqipe dhe Letërsisë dhe mësues klasor. Përpos profesionit të mësimdhënësit ai ka afinitet për krijimtari letrare në zhanre të ndryshme letrare. Ai është poet, tregimtar, romansier dhe kritik letrar. Dëshira për ta zhvilluar një intervistë me poetin dhe kritikun letrar Ibrahim Ibishi ishte e kahmotshme.Në këtë bisedë u fokusuam në pyete të ndryshme duke filluar nga zanafilla e tij krijuese deri tek planet e tij në rrafshin krijues në të ardhmen e që z. Ibrahim me kënaqësi iu përgjigj pyetjeve tona…
*Zoti Ibrahim në interes të lexuesve të revistës “Perspektiva” na thuani diçka lidhur me zanafillën tuaj krijuese dhe rrugëtimin nga vëllimi poetik “Varr në qiell” deri në ditët e sotme?
I. Ibishi Krejt në fillim, askush nuk e di, kur fillon nxitja e dëshira për të thënë diçka ndryshe nga të tjerët. Gadi çdo krijues qe kanë pyetur se çka e ka nxitur të shkruajë, ka thënë se nuk e di saktësisht, as pse shkruan. Shkrimi është një ndjenjë hyjnore, mendoj. Te unë mbase ka ndikuar ineresimi i arsimtarit të gjuhës, Gani Berisha, që në majë bjeshke ( në Tyxhec ) na sillte asokohe revistat për fëmijë “ Pionieri “ dhe “ Zani i rinisë “. Ishte diku viti 1965. Apo njerëz të caktuar, mbase edhe lindin bashkë me dashurinë për të shkruar, ndërsa leximi standard është ana favorizuese që e ndihmon individin të skalitet në një poet a prozator të ardhshëm. E mbaj mend se lexoja shumë libra që na jepte nga “ biblioteka “ e shkollës, po ai arsimtari Gani. Pastaj shkruaja diçka, duke u bazuar ne vjershat e autorëve të ndryshëm. Në ndërkohë e krahasoja shkrimin tim me atë të një tjetri dhe, fitoja guximin të provoja përsëri e përsëri… Kjo kishte ndodhur në vitet kur shkoja në fillore. Gjatë shkollimit të mesëm nuk u mora me shkrime, më shumë u angazhova në aktivitetet muzikore në SHKA “ Zenel Hajdini “, të Gjilanit. Në këtë kohë botova vetëm dy a tri poezi ne revisten letrare “ Bota e re “.
Vetëm në vitet e 80- ta iu përkushtova shkrimit. Botova, në fillim, në revistat për fëmijë “ Pionieri “ dhe “ Gep “ e më vonë edhe në “ Zëri “ dhe “ Rilindja “. Në vitin 1995, me kujdesin dhe ndihmën finansiare të profesorëve, Bislim Pireva, Rexhep Shemsiu dhe ca miqve të tyre, botova vëllimin poetik “ Varr në qiell “. Në këtë kohë kisha gati për botim edhe dorëshkrimin me tregime “ Shiu për kërpudha “, por ata u përcaktuan për poezitë. Libri pati jehonë, si libër i parë dhe i guximshëm i një krijuesi relativisht të ri që kishte bërë emër nëpër revista e gazeta shqipe. Vetëm pak më vonë, po të njëjtin vit, me ndihmën e miqve, shokëve të rinisë dhe ish nxënësve të mi, botova edhe librin me tregime “ Shiu për kërpudha “, i cili dështoi për shkak të naivitetit tim dhe injorancës së njerëzve të Revistës letrare “ Jeta e re “, me të cilët isha marr vesh për botimin. Edhe pse ishte i lektoruar, ai libër doli qesharak në kopërtina dhe pati me mijëra gabime prej më të ndryshmëve. Libri më i bukur imi ishte i dënuar për dështim. Nuk u zhgënjeva,por vazhdova të shkruaj dhe, në vitin 1996 botova tregimet më të guximshme në çdo aspekt, nën titullin “ Korbat mbi muranë “, në editimin e SHB “ Rilindja “. Edhe pse mendoja se do të pritej mirë, ky libër kaloi në heshtje, i injoruar më duket. Edhe më tutje nuk u zhgënjeva. Vazhdova me prozë dhe, në vitin 2000 SHB “ Rilindja “ më botoi romanin “ Shtjella e vetmisë “, i cili bëri jehonë dhe u shpall si libri më i bukur i shkruar në prozë dhe fitoi çmimin “ Hivzi Sulejmani “ të SHSHK.
Po të njëjtin vit botova te SHB “ Rozafa “ në Prishtinë, romanin tjetër “ Trëndafil në varrezë “ që u prit mirë nga lexuesit dhe kritika letrare. Gjatë kohës sa shkruaja romanet që i përmenda lart, në intermexo shkruaja poezi që të ruaja kontinuitetin e të shkruarit të prozave të gjata, kështu që në vitin 2002, në edicion të SHB “ Faik Konica “ botova vëllimin poetik “ Kaçurrelja që vraponte pas erës “.
Romani “ Njerëzit e vjeshtës ose: Dashuria e një të çmenduri “ u botua në edicionin e SHB “ Rozafa “, në Prishtinë, si roman i blerë apo i shpërblyer në konkursin e Ministrisë së Kulturës së Kosovës, në vitin 2004, ndërsa në vitin 2008 botova dy libra: “ Baladë shiu “ ( poezi ), finansuar nga Ministria e Kulturës së Kosovës dhe “ Magjia e shkrimit dhe përjetimi i leximit “, ( shkrime diskursive ), finansuar nga Kuvendi Komunal i Prishtinës. Të dy këta libra u edituan nga Shb “ Rozafa “ në Prishtinë.
*Në letrat shqipe lexuesi ju njeh si: poet, tregimtar, romansier dhe kritik letrar, shkruani për fëmijë dhe të rritur, na thuani cilit ligjerim poetik më shumë i jepni hapsirë?
I. Ibishi Unë e dua shumë poezinë. Kjo mund të shihet lehtë, kur të lexosh prozën time. Ajo është e mbushur me figurshmëri dhe muzikalitet poetik. Poezinë e shkruaj në çaste të veçanta intime, kur kam dhembje shpirti, kur ndihem i harruar, i vetmuar a i plakur. Për mua poezia shndërrohet, pastaj, në ves, në një lloj sëmundjeje e më pastaj në një ilaç, me të cilin shërohet po kjo sëmundje që shkakton pikëllimin.
Ndërsa prozën e dua se aty ke hapësirë të shtrihesh për shtatë palë qejfe. Ajo të ngjanë në një rrugë të gjatë me plot paqartësi, kënaqësi, me plot vetmi, me të panjohura… Është një histori, është një enigmë, është fantazi…Këtu duhet ta njohësh mirë këtë rrugë, kohën dhe të lexosh mirë shpirtin e bashkëudhëtarëve që vet i ke zgjedhur për këtë rrugëtim magjik.
Dhe, në fund të hamendjes sime, kaloj në anën e prozës. Ajo është e kaluara, e tashmja dhe e ardhmja e botës sime të vogël të artit.
Poezia përpara dhe sot
*Na e tërhiqni një segment lidhur me poezinë përpara dhe sot.Si kanë qenë kriteret për botim të një libri përpara sepse kohëve të fundit jemi dëshmitarë të një “vlimi” të librave me kritere dhe pa kritere. Komenti i juaj?
I. Ibishi Vlerat dhe jovlerat kanë ekzistuar me formësimin e njeriut nëpër kohë. Gjithmonë ka patur poezi dhe jopoezi, ka patur mjeshtër dhe mediokër, por “ matja “ e vlerës dhe jovlerës është bërë pak më ndryshe. Kriteret e botimit të librit, në kohën kur “ Rilindja … “ ishte botuesi i vetëm institucional ishin krejt tjetërfare me këto të sotmet. Unë nuk kam pasë rastin të ballafaqohem me këtë proces, por sipas rrëfimeve të kolegëve shkrimtarë, redaktorë e drejtorë, të asaj kohe që kanë punuar në “ Rilindje “, botimi i librit është bërë me punë ekipore- zingjirore. Çdo gjë është bërë sipas një hierarkie, prej të madhit.
Sot çdo gjë bëhet ndryshe. Tregohet për raste, kur shkruesi nuk e njeh shkrimin e tij, pasi ai shkrim ka kaluar nëpër “ procesin e botimit “. Çdo gjë është komercializuar, prandaj ka pak libra të bukur e më pak botues korrektë.
Kritika letrare
*Po për kritikën letrare çfarë mendoni kemi kritikë të mirfilltë objektive dhe korrekte?
I. Ibishi Po, ka kritikë të mirëfilltë letrarë, por ata nuk merren me “ gjëra të vogla “.
E mos të flasim për libra të autorëve të rinj që nuk i njeh çarshia letrare, ose që nuk kanë para për të promovuar librat e tyre.
Është një mentalitet banal i përdhosjes pa argumente të vlerave: çdokush që është fillestar me libër nuk di të shkruajë! Mjafton të pëshpëritet nëpër koluare se filan libri i filan autorit dhe filan botuesit, nuk ka vlera të mirëfillta dhe, e pat…! Ndërsa përpara, prapë po u referohem njerëzve të dikurshëm të “ Rilindjes “, ishin recensentet dhe redaktorët që paguheshin për punën e tyre, ata që i vlerësonin dorëshkrimët. Dhe kur kryhej kjo pasonte shkrimi afirmativ, reklamues në gazetë për librin e ri të botuar. Sot çdoherë fjalë të mira për librin edhe më të keq. Një promovim jo i artit, po i emrit, një promovim i autorit. S’ka kritere, kur ke para!
*Ju përpos që merreni me shkrime bashkëpunoni edhe me revista të ndryshme që dalin në Kosovë, na thuani përpos shkrimeve e recensioneve çfarë tjeter shkruani në këto gazeta?
I. Ibishi Tashti nuk bashkëpunoj me asnjëren prej tyre. Ende kam besim se ata të “ Kohës ditore “ do të më botonin në faqet e “ Shtojcës … “ ndonjë tufë me poezi a ndonjë tregim të shkurtër. Nuk kam kohë, as elan.
*Ti kthehemi pak profesionit tuaj, jeni mësimdhënës i gjuhës i gjuhës dhe letërsisë shqipe, punoni mësimdhënës, na thuani sa është i dashur profesioni i mësuesit meqenëse në biografinë tuaj lexova se më 7 mars të vitit shkollor 2007/2008 jeni radhitur ndër mësimdhënësit më të mirë. Komenti i juaj?
I. Ibishi Profesioni, çfarëdo qoftë, është vetë jeta e njeriut. Me këtë profesion jam takuar pa shumë ambicie dhe shpresë se do të më sillte diçka prodhimtare, por me kohën çdo gjë u vu në rregull. Sot jam i lumtur që punoj me nxënës, edhe pse kjo punë nuk paguhet…Sidoqoftë, gjatë gjithë jetës kam punuar me vetëmohim dhe, kështu do të punoj derisa të kem shëndet të mirë.
Në vitin shkollor 2007/ 2008, me rastin e 7 Marsit- Ditës së Mësuesit, Ministria e Arsimit e Kosovës me propozimin e Drejtoratit për Arsim e Kulturë të Prishtinës, më radhiti në mesin e mësuesve më të mirë të vitit. Ka ende njerëz që çmojnë vlerat e nëpunësve të tyre! Të drejtën, kjo mirënjohje më gëzoi.
*Ti kthehemi edhe njëherë krijimtarisë suaj, në vitin 2008 botuat librin me kritika letrare “Magjia e shkrimit dhe përjetimi i leximit”, na thuani për impresionet tuaja lidhur me librat që i keni shqyrtuar branda kopertinave të këtij libri?
I. Ibishi Nuk e kam dashur kritikën letrare, por nevoja të bën mjeshtër, kanë thënë. Kur isha i ri pata lexuar diku se me kritikë letrare merreshin ata krijues që kishin dështuar në gjetjen e vetvetës në poezi a prozë dhe e dyta, mendoja si mund ta vlerësonte dikush shkrimin tim dhe t’ia qëllonte se qfarë kam dashur të them, kështu disi … nuk besoja… kjo më dukej si punë magjistari a e ndonjë parashikuesi të të ardhmes! Po nuk ishte kështu. Këtë e vërejta me kalimin e kohës.
Në kohën, kur Mehmet Kraja e redaktonte Shtojcën për kulturë, në “ Koha ditore “, unë dërgoja për çdo javë ndonjë tufë poezish, apo tregim të shkurtër, por ishte e pamundur të më botoheshin të gjitha këto shkrime. Një ditë Mehmeti më tha: Ibro, ti po lexon se po lexon, e këtyre botimeve ua bëj nga një paraqitje ne gazetë, sepse nuk ka mundësi të të botoj poezi a tregim për çdo javë, se nuk je vetëm ti shkrimtar!
Më pëlqeu ideja dhe, pranova këshillën e Mehmetit dhe, ia pash hajrin. Edhe merrja ngapak para, edhe prej këtyre shkrimeve që botoja në Shtojcë, bëra librin “ Magjia e shkrimit dhe përjetimi i leximit “. Aty kam shkrime për libra të njohur të shkrimtarëve të njohur, për libra të miqvë të mi, kam rilexime dhe të gjithë këta i kam matur me kutin tim dhe i kam dekoruar me pak poetikë. Jam munduar të jem korrekt, por arti i shkrimit është më shumë subjektiv, prandaj edhe vlerësimi mund të del subjektiv.
Sidoqoftë, unë jam i knaqur me punën time në këtë libër.
*Ju jeni ndër bashkëthemeluesit e Klubit Letrar “Nositi” të Dardanës, na thuani diçka për veprimtarinë e Klubit atëherë dhe sot?
I. Ibishi Eh, po më pyet për diçka, si ta zëmë, të krahasoj natën me ditën. Themelimi i “ Nositi- t “ ishte simbolikë. Atëherë, duhet të improvizonim se jemi gjallë, se dimë të bëjmë kulturë, se kemi krijues … Duhej ta “ ushqenim “ popullin edhe në këtë mënyrë. Ishim të zhveshur nga çdo rregull institucional. Qysh atëherë na kishin shpallur të vdekur, e ne duhej të thonim të kundërtën.
Pas lufte, “ Nositi “ u ngjall bashkë me aktivitete të ndryshme. Tashti, revista letrare “ Nositi “ krahasohet pa ngurim me simotrat e tij në Kosovë e më larg. Ka aty njerëz që dinë çfarë bëjnë. Ata, në kuadër të “ Nositi-t “ afirmuan shumë pena të kësaj ane dhe botuan libra të autorëve të po kësaj treve.
Prej këtu, përshëndes Nexhatin, Sinanin, Azeminen, bacën Daut e të tjerët që me përkushtim të pamohueshëm udhëheqin klubin, po edhe aktivitete të ndryshme kulturore në Dardanë.
*Na thuani diçka për planet e juaja në rrafshin krijues në të ardhmen?
I.Ibishi Unë kam pushuar së shkruari aktivisht. Mund të shkruaj në të rrallë ndonjë poezi,kur nuk kam nga t’ia mbaj. Kaherë e kam vërejtur se është e pamundur të tejkaloj shkrimin tim, të tejkaloj librat e mi të shkruar e pasi nuk mund të bëj diçka më interesante, më të bukur, më të lexueshme, nuk po e provoj më. Tashti nuk lexoj as gazetën. Kur kam kohë dhe nevojë lexoj ndonjë roman extra, shikoj në televizor ndonjë film dramë dhe shkëmbej dhe vlerësojmë shkrime të miqve në Fcb.
E kam lëshuar në Ler … hahahaaaaa!
Megjithatë, kam edhe ca punë pa bërë. Kam ende të pabotuar librin me tregime për fëmijë “ Hajni topi dhe peshqit “, sepse nuk po i del nafakë. Më patën premtuar ata të Drejtoratit për Arsim e Kulturë të Prishtinës, por deri më tashti asnjë lajm, asnjë fjalë…
Tjetër, librit tim më të mirë, “ Shiu për kërpudha “ që ma sakatuan, më duhet t’ia kthej dinjitetin. Më duhet ta përgadis sërish për botim duke i shtuar edhe ca tregime të reja. Po parasegjithash më duhet të gjej donatorin a donatorët.
Përshëndes të gjithë lexuesit e revistës “ Perspektiva “. Ndërsa për intervistuesin dhe stafin e revistës, një falënderim miqësor. Suksese!
____________
Materialet u huazuan nga disa faqe ne internet. (h.m)
Agim Gashi
Me shumë keqardhje u dha lajmi pë vdekjen e poetit Ibishi.
Kur vdes poeti
Qielli merr ngyren e kuqe,
Shkronjat në Abetare
Palohen si nuse.
Kur shuhet poeti
Shuhet ylli n´qiell,
Rrezet ndalin prore
Hënë edhe diell.
Pusho në tokën që e dashte o Ibrahim Ibishi!
Agim Gashi
Agim Gashi- Administrator
- Numri i postimeve : 45955
Age : 70
Location : Kosovë
Registration date : 17/11/2008
Similar topics
» Haxhi Muhaxheri:Në vend të homazhit
» Viktoria Xhako:PËRKUJTIMORE-IBRAHIM IBISHI-16. 12. 1953 – 24. 11. 2010
» PREND BUZHALA:NË VEND TË HOMAZHIT NË 70-VJETORIN E LINDJES SË IBRAHIM RUGOVËS
» Haxhi Muhaxheri - Tri poezi
» Haxhi Muhaxheri: ATLANTIDA E RE
» Viktoria Xhako:PËRKUJTIMORE-IBRAHIM IBISHI-16. 12. 1953 – 24. 11. 2010
» PREND BUZHALA:NË VEND TË HOMAZHIT NË 70-VJETORIN E LINDJES SË IBRAHIM RUGOVËS
» Haxhi Muhaxheri - Tri poezi
» Haxhi Muhaxheri: ATLANTIDA E RE
Faqja 1 e 1
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi
Tue Mar 14, 2017 8:17 pm nga Agim Gashi
» IDRIZ ZEQIRAJ - SHIPTARËT NUK JANË "ME BYTHË NË PRUSH", PËR TË FALUR TOKAT
Mon Feb 27, 2017 6:54 pm nga Agim Gashi
» Akuzat kundër Shefqet Krasniqit Prokurorisë ia kishte konfirmuar edhe BIK-u (Dokument)
Mon Feb 27, 2017 5:20 pm nga Agim Gashi
» Aktakuzë kundër imamit Shefqet Krasniqi
Mon Feb 27, 2017 4:32 pm nga Agim Gashi
» Zbulohen tensionet gjatë dialogut në Bruksel, Nikoliqi Thaçit: Ti je kriminel
Fri Feb 03, 2017 7:40 pm nga Agim Gashi
» Faruk Tasholli - RJEPENI NANËN
Fri Feb 03, 2017 12:22 pm nga Agim Gashi
» FAMILJA E HAKI IMERIT: AI U VRA NË KOHËN KUR NË PUSHTET ISHIN HASHIM THAÇI E REXHEP SELIMI
Wed Jan 25, 2017 12:39 am nga Agim Gashi
» AGIM GASHI - O NE TREN PËR MITROVICË
Wed Jan 18, 2017 11:08 pm nga Agim Gashi
» Vëllai i tij u pajtua me Thaçin, por ja si ishte kidnapuar Haki Imeri në Brojë e më pas ishte vrarë
Wed Jan 18, 2017 8:13 pm nga Agim Gashi
» Fadil Maloku:Aferim, Prokurori e Kosovës!
Wed Jan 18, 2017 8:00 pm nga Agim Gashi
» Djali i Haki Imerit del kundër axhës: Nuk ia fali Thaçit, nuk dua drejtësi kanunore
Wed Jan 18, 2017 7:12 pm nga Agim Gashi
» IDRIZ ZEQIRAJ:Copëza biografike dhe kujtime për Ibrahim Rugovën
Wed Jan 18, 2017 5:13 pm nga Agim Gashi
» Presidenti Thaçi i “lahet me 124 pleq” Imer Imerit se nuk ka gisht në vrasjen e vëllait të tij
Wed Jan 18, 2017 4:00 pm nga Agim Gashi
» Adem Salihaj akuza të rënda ndaj Hashim Thaçit, ja si po mundohet të shpërlahet nga krimet e shumta që ka bërë
Wed Jan 18, 2017 3:53 pm nga Agim Gashi
» Ndodh edhe ky skandal: Njeriu që grisi fotografinë e Presidentit Rugova merr certifikatën e veteranit të UÇK-së
Tue Jan 17, 2017 7:55 pm nga Agim Gashi
» BERAT ARMAGEDONI:Lamtumirë, Joshua i Pejës!
Tue Jan 17, 2017 12:15 am nga Agim Gashi
» Biografia e Presidentit Rugova - Biografi e shkurtër
Mon Jan 16, 2017 10:32 pm nga Agim Gashi
» ILIR MUHARREMI : Treni provokativ, artistët në gjumë
Sun Jan 15, 2017 11:32 pm nga Agim Gashi
» Përveç ROSU-së, ky është shqiptari që rrezikoi jetën për ta ndalur trenin e Serbisë
Sun Jan 15, 2017 9:53 pm nga Agim Gashi
» ENVER PETROVCI - IN MEMORIAM SEFEDIN NUREDINIT- SEFA
Sun Jan 15, 2017 9:07 pm nga Agim Gashi