Akllapi Net - Forum i Hapur
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

Nikolaq Neraxi:A do bëhet Shqipëria edhe për inat të shqiptarëve?

Shko poshtë

Nikolaq Neraxi:A do bëhet Shqipëria edhe për inat të shqiptarëve? Empty Nikolaq Neraxi:A do bëhet Shqipëria edhe për inat të shqiptarëve?

Mesazh nga Agim Gashi Wed Dec 01, 2010 5:30 pm


A do bëhet Shqipëria edhe për inat të shqiptarëve?


E mërkurë, 01 Dhjetor 2010


Nikolaq Neraxi:A do bëhet Shqipëria edhe për inat të shqiptarëve? Nikollaq%20neranxi




Nga:NIKOLLAQ NERANXI

Kësaj pyetjeje që unë e kam zgjedhur si titull, i ka dhënë përgjigje rreth një shekull më parë gjeniu i letrave shqipe, At Gjergj Fishta. Në një bisedë të imagjinuar mes Djallit, Skënderbeut dhe Shën Pjetrit, ai vë në gojën e këtij të fundit këto fjalë: "Mos u mërzit o i madhi Skënderbe dhe mos i dëgjo fjalët e Djallit. Shqipëria do të bëhet për inat të Djallit dhe të shqiptarëve sepse Zoti e ka vendosur kështu". Është me të vërtetë tronditëse kur sheh se sa aktuale tingëllojnë këto fjalë edhe sot, mbas 100 vitesh, ku përgjatë një shekulli, fati i këtij vendi u end në drejtime të paimagjinueshme dhe të paparashikueshme. Në fakt, disave prej jush ky titull mund t'ju tingëllojë paksa ofensiv, por sot është me të vërtetë e pamundur që të tregohesh elegant dhe diplomat në qasjen ndaj problematikave serioze që ka vendi. Fatkeqësisht, edhe unë ashtu si Fishta, mendoj se faji që shqiptarët jetojnë akoma në këtë gjendje, që progresi mbetet akoma një ëndërr e bukur, është i vetë shqiptarëve. Prandaj dhe kam gati një siguri absolute se ky vend e urren veten sepse përndryshe nuk mund të shpjegohej ky proces zhvillimi që shkon një hap para dhe dy prapa, ndërkohë që pushtetarët flasin vetëm për hapin para e opozitarët vetëm për hapat mbrapa.
Edhe pse kanë kaluar disa ditë, besoj se çdo shqiptar i përgjegjshëm i këtij vendi ka ruajtur akoma në memorien e tij seancat e stërzgjatura parlamentare ku u diskutua për buxhetin e vitit 2011, i cili në fund u votua dhe u miratua vetëm me votat e pozitës. Çfarë pritej të shihnim në ato seanca, ose më saktë çfarë pritej të mësonim dhe çfarë pamë realisht? Personalisht prisja të mësoja deri në detaje se çfarë do të bëhet me portofolin e parave tona, të cilin ia kemi besuar për ta menaxhuar një qeverie të caktuar. Përtej shifrave, të cilat i kam parë me shumë kujdes në adresën online të Ministrisë së Financave, kërkoja që këta numra të akullt me shumë zero mbrapa të merrnin jetë pikërisht nga goja e të zgjedhurve të shqiptarëve në Parlament. Prisja që pozita të argumentonte sesi do shpenzoheshin 409 035 milionë lekët për shqiptarët, për një jetë më të mirë dhe nga do siguroheshin 3 622 230 lekët të parashikuara si të ardhura. Pra, pak a shumë ashtu siç ndodh në çdo familje të zakonshme, ku bëhet bilanci modest i parave që do fitohen dhe i atyre që do shpenzohen, duke u përpjekur që shpenzimet të mos jenë më të mëdha se të ardhurat. Në këtë logjikë, shpjegimi me detaje i buxhetit do të ishte shumë i dobishëm për këdo. Prisja që deputetë të majtë e të djathtë si rrallë herë mbase, ta merrnin me shumë seriozitet këtë punë, njëri duke e mbrojtur me argumente dhe pala tjetër duke e kritikuar po me argumente. Në këtë rast lipsej më shumë se çdo herë tjetër një diskutim i pastër në nivel profesional dhe teknik dhe sa më pak propagandë politike apo fushatë paradhënie. Nga ky buxhet varet mbarëvajtja e një vendi për një vit dhe mënyra se si kjo qeveri do të orientojë zhvillimin. Ai ishte ky buxhet më i mirë se të tjerët dhe pse? A ishte më i keq dhe pse? Duke e ndjekur me kuriozitet dhe ankth atë që do thuhej për buxhetin e vendit tim, teksa ora shënonte 1,2,3,4,5 mbas mesit të natës, prisja me shpresë që diçka të mësoja. Mirëpo nata ime pa gjumë nuk ia vlejti. Ai që duhej të ishte diskutimi më i rëndësishëm i të zgjedhurve të popullit, rezultoi as më shumë e as më pak, por i neveritshëm. Pashë qeveritarë që tregonin me zjarr se në vitin 2011, shqiptarët do të jetonin më mirë, paçka se borxhet e rrugëve të ndërtuara me paratë e taksapaguesve shqiptarë duan vite për t'u shlyer. Dëgjova se rrugët e reja, aq shumë të dëshiruara për këdo, në fakt nuk do të bëheshin me koncesione siç veprojnë vendet e zhvilluara e ato në zhvillim, por përsëri me paratë e taksapaguesve shqiptarë, duke e thelluar gropën në buxhetin tonë modest. E në këtë rast, sado përpjekje titanike të bëhen për t'iu siguruar qytetarëve të këtij vendi një jetë më të mirë, fakti që rrugët të cilat duan investime marramendëse, do të bëhen me paratë tona, më bën shumë skeptik. Nuk po vazhdoj më tej me çfarë unë personalisht konstatova si jo të drejtë në atë buxhet, pasi nuk më takon mua analiza. Le të kalojmë tek niveli i diskutimeve të deputetëve, si ishte ai? Ordiner dhe vulgar në kulm. Në seancën më të rëndësishme të Parlamentit, askush nuk po mendonte më për buxhetin, por çuditërisht ata kishin ruajtur arsenalin e fjalëve më fyese pikërisht për atë moment. Në vend që të mësonim se çfarë do bëhej me rrogat tona, pensionet, shërbimet publike, me pronat e trashëguara që nuk janë dhënë akoma, me hipotekat që mbahen peng padrejtësisht, me taksat, të argumentohej se si do procedohej më tej, mësuam se Taulanti kishte kënduar këngë për Enver Hoxhën kur kishte qenë i vogël, që Jozefina kishte miqësi me një farë Pashuku, që Shegushja ka pallate që nuk i ndan me të varfrit, që Arben Ahmetaj ka kërkuar azil politik në Bukuresht, etj. Dhe pas kësaj, faqet e shtypit dhe kronikat e televizioneve u mbushëm me batutat në Parlament dhe jo me analizën profesionale të buxhetit, e cila nuk u bë kurrë. U harrua në mënyrë masive se nuk kishim të bënim me një talk shou komik, ku të gjithë duhej të shpalosnin aftësitë e artikulimit të një batute, që të komentohej më pas si anekdota e radhës. Shumë e rëndë! Dhe ashtu siç ishte masiv dhe gjithëpërfshirës niveli i ulët i diskutimit, po aq gjithëpërfshirës ishte edhe faji i madh që ata bënë, pa dallim pushtetarë dhe opozitarë. Ajo seancë kishte një rend dite ku do bëhej prezantimi i buxhetit dhe diskutimet pro dhe kundër tij. Në rastin kur devijohet qëllimi me kast nga pozita, duke kaluar në fyerje personale, reagimi nga deputetët opozitarë, të cilët i japin një dorë pasurimit të arsenalit të fyerjeve, është po aq i rëndë. Ja një diskutim hipotetik që imagjinoja unë: "Ky buxhet nuk është në rregull për këtë arsye… Ja se si mund të ishte më mirë… Çfarë jam unë, kriminel, hajdut!? Faleminderit për konsideratën, por nuk kam kohë të merrem tani me ty, kam ardhur për buxhetin. Ti kërkon që unë të bëhem pjesë e sherrit? Jo more zotëri, nuk bie në nivelin tënd sepse jam përfaqësues i popullit dhe ai që më ka zgjedhur e di më mirë se kush jam unë". Si ju duket? A nuk do të ishte më mirë kështu? Në një grindje duhet të jenë të dy palët të predispozuar për të, ndryshe "skenari" dështon. Në ato momente, buxheti dhe hedhja dritë mbi çdo qelizë të tij, ishte shumë më i rëndësishëm sesa vënia në vend e "nderit" personal të secilit.
Prandaj dhe kumti që na vjen nga shumë vite më parë,(çuditërisht nga një personalitet si Fishta, që ka qenë edhe pjesë e Parlamentit të dikurshëm shqiptar), ku thuhej se Shqipëria do të bëhet për inat të shqiptarëve, tingëllon aktual edhe sot. Por ndryshimi mes meje dhe Fishtës është se unë e përdora me pikëpyetje në fund dhe kjo ka një arsye, pasi kaq keq sa janë katandisur punët, nuk e dimë nëse Zoti e ka akoma dëshirën për të na dhënë një dorë apo ka ndërruar mendje, pasi siç thuhet shpesh, "Zoti ndihmon ata që ndihmojnë veten". Po ne?
Agim Gashi
Agim Gashi
Administrator
Administrator

Numri i postimeve : 45955
Age : 70
Location : Kosovë
Registration date : 17/11/2008

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Mbrapsht në krye

- Similar topics

 
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi