Akllapi Net - Forum i Hapur
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

Halil Matoshi: Nuk rrëzohet Kosova përmes Thaçit

Shko poshtë

Halil Matoshi: Nuk rrëzohet Kosova përmes Thaçit Empty Halil Matoshi: Nuk rrëzohet Kosova përmes Thaçit

Mesazh nga Agim Gashi Mon Dec 27, 2010 3:33 pm

Halil Matoshi: Nuk rrëzohet Kosova përmes Thaçit U1_HalilMatoshi
Nuk rrëzohet Kosova përmes Thaçit
Nga Halil Matoshi
Kosova ka marrë dy goditje të rënda gjatë dhjetorit, abuzimi masiv i votës së qytetarëve e ka gërryer nga brenda, ndërkaq raporti i zviceranit Dik Martyt e ka njollosur përjashtë. Janë këto dy goditje që vështirë të shërohen edhe për një dekadë.
E para, vjedhja e votës e ka çuar vendin drejt krizës së re institucionale dhe eventualisht drejt krijimit të një qeverie me legjitimitet të dyshimtë, kurse goditja e dytë është një tendencë për t’ia marrë Kosovës shkëlqimin e lirisë dhe pavarësisë, për ta bërë atë një vend monstrumësh, që ka kaluar nëpër një luftë të fëlliqtë, ndonëse luftë të pastër as që mund të ketë.
Sidoqoftë, që ia kanë bërë hyzmetin liderët kosovarë një raporti të tillë, ia kanë bërë, me dembelinë, mospunën, korrupsionin dhe krimin e organizuar gjatë qeverisjes tre vjeçare, por raporti i Dik Martyt thelbësisht është i trilluar, duke prerë e ngjitur copa e pasuse raportesh të shërbimeve sekrete nga më të ndryshmet, nder to edhe policisë sekrete serbe dhe duke u përpjekur që ato copa të ndërlidhen mes veti. Më këtë raport, synohet që të nxirret e dëshirueshmja, natyrisht nën presionin e Serbisë, dhe duke e kërkuar të pamundshmen.
Çka është e dëshirueshme e çka e mundshme?
E dëshirueshme për Këshillin e Europës dhe vet Dik Martyn është zbardhja e fatit të atyre 500 njerëzve që përmenden si të humbur të luftës në Kosovë, pra edhe zbulimi i autorëve që janë përgjegjës për urdhërdhënie dhe ekzekutim, ndërsa e pamundshme do të jetë argumentimi me fakte i tregtisë me organe njerëzore, sepse kjo akuzë është thjeshtë konstruksion fantazmagorik, që shpesh ndërlidhet me aferën “Medicus” që ka shpërthyer pas lufte, e që, autorët janë sjellë para drejtësisë, por këto dy ngjarje, trajtimi i të ndaluarve gjatë luftës dhe afera “Medicus” as në aspektin hapësinor dhe as në atë kohor nuk mund të kenë asnjë lidhje mes veti.
Nëse qarqe të ndryshme perëndimore mendojnë se duhet goditur Hashim Thaçi që të gjunjëzohet Kosova, ky është një gabim fillestar. Për më tepër një torturë që i bëhet një shoqërie të tërë, të sjellë buzë gjenocidit nga Serbia e Millosheviqit, e cila u çlirua falë ndërhyrjes së NATO-s e cila u cilësua si ndërhyrje humanitare. E prej nga tash, këta njerëz për gjynah që iu shpëtua jeta të njollosen si kasapë. Kjo i bie: e shpëtuat vrajeni! A e kanë këtë të drejtë shpëtimtarët?
Në një mënyrë edhe vet autori i raportit Marty përpiqet ta heq përgjegjësinë nga lëndimi i shpirtrave në Kosovë. “Nuk mund të ndërtohet e ardhmja e Kosovës pa u ballafaquar me të kaluarën. Më këtë raport unë veproj jo kundër Kosovës, por për Kosovën – dhe, mbi të gjitha, për ata kosovarë, të cilët, më në fund, duan të jetojnë në një shtet juridik”, i tha ai gazetës zvicerane “NZZ am Sontag”. Kjo fjali është e saktë, por a e ka menduar Marty ndonjë përfundim të këtij horror-tregimi? Kush do ta marrë përgjegjësinë nëse përmes ndonjë hetimi të madh, të përmasave ndërkombëtare nuk vërtetohen akuzat e tilla? Autori apo Këshilli i Europës?
Kush do t’ia lajë fytyrën Kosovës, nëse bie kjo pandehmë monstruoze e tij, si një kullë prej letre? Pandehma të tilla pati ngrehur edhe ish prokurorja e Tribunalit të Hagës Carla del Ponte në librin e saj “Unë dhe kriminelët e luftës”, por as njerëzit e apostrofuar në atë libër dhe as Qeveria e Kosovës asnjëherë nuk i shkuan çështjes deri në fund.
Pse nuk u padit atëbotë Del Ponte?
Gjë që paralajmërohet të ndodh tash kundër Martyt. Ç’është e vërteta, edhe vet ai e pranon se ai nuk ka thënë askund se personalisht Thaçi ka qenë pjesëmarrës në tregime të tilla gjysmëletrare, pra me plot trille.
Por synimi që të “vritet” politikisht Thaçi nga ana e disa çarqeve perëndimore, për arsye të thjeshta inatesh e hakmarrjesh, qoftë për padëgjueshmëri, apo për sjellje agresive sikur në rastin e kapjes dhe ekspozimit para kamerave televizive të dy pjesëtarëve të shërbimit sekret gjerman (BND) në Prishtinë, është synim hazard, sepse kështu, Thaçit vetëm sa i rritet mbështetja tek populli shumicë i Kosovës. Sepse këto akuza morbide ndaj tij perceptohen si luftë e ndyrë kundër lirisë dhe pavarësisë së Kosovës, pra si njollë që prek secilin qytetar dhe më gjerë, secilin shqiptar në tërë hapësirën e tyre gjeografike.
Publiku kosovar ndihet i persekutuar në këtë fushatë mediale, të orkestruar në një pjesë të madhe të shtypit prestigjioz botëror, prandaj, ose duhet bërë një hetim i madh dhe i shpejt, për të sjellë fakte konkrete, ose duhet që vetë KE-ja dhe Marty t’u kërkojnë falje publike atyre. E ky i fundit, mund edhe të përgjigjet penalisht, nëse faktet i ka ndërtuar mbi shpifje dhe “të dhëna” të fabrikuara në Beograd.
Pra nëse shumëkush në Perëndim mendon se është koha për ta rrëzuar Thaçin nga majat e politikës kosovare, kjo dihet, mund të bëhet vetëm përmes votës së lirë të qytetarëve kosovarë, pra me Kosovën edhe mund të rrëzohet Thaçi por me Thaçin nuk mund të rrëzohet Kosova. Dhe ky është një gabim amator.
Natyrisht se mungesa e shtetit të së drejtës e vë shenjën e barazimit mes luftës për liri e dinjitet njerëzor me luftën gjenocidale të forcave serbe të sigurisë, mes ushtarëve fisnikë dhe kriminelëve… Dhe në këtë aspekt lidershipi kosovar, pra edhe vetë Thaçi kanë vënë dorë vetë në këtë raport duke lënë hapësirë që çdo gjë në Kosovë të shihet zi, madje duke ndikuar që shteti i ri të shpallet si i dështuar, pikërisht nga ata që në një mënyrë ose tjetër ishin sponsorë të tij.
Dik Marty po thotë se nuk është kundër Kosovës. A duhet t’i besohet, kur në raportin e tij ka shumë konstruksione dembele dhe injorante të shërbimeve sekrete që operojnë në Kosovë, pra duke mos sjellë asnjë fakt konkret.
Serbia zyrtare, shërbimet e saj sekrete para së gjithash e dëshmon këtë dembeli, kur e pandeh Hashim Thaçin si komandant lufte, madje si komandant të Zonës së Drenicës që kurrë s’ka qenë. Thaçi ishte një lloj komisari politik, drejtor i drejtorisë politike të UÇK-së dhe dyshoj që ai fare di të gjuaj me pushkë…
Në anën tjetër, fushata mediale kundër Martyt duke e cilësuar si sharlatan dhe antishqiptar nuk ndihmon në ndreqjen e imazhit të Kosovës. Po ky Marty del të jetë ai që kishte guxuar të hetojë dhe të flasë për burgjet sekrete të CIA-s në Europë, prandaj nuk është se ai është një palaço. Tymi nuk fshihet me tym, por me kthjelltësim faktesh.
Por krejt energjitë e kosovarëve dhe lidershipit të tyre duhet të aktivizohen për zbardhjen e këtyre pandihmave që brezat e kosovarëve të mos jetojnë me një barrë të tillë në ndërgjegje. Prishtina zyrtare duhet të kërkojë ngritjen e një paneli ad-hoc gjyqatrësh e hetuesish ndërkombëtar, duke përfshi edhe hertues evropian edhe nga FBI-ja amerikane.
Megjithatë çfarëdo demanti nuk do ta ketë fuqinë mediale në krijimin e opinionit nga lajmi i parë, se kosovarët kanë tregtuar me organe trupore të të zënëve pengje lufte, sidoqoftë dalja në pah e të vërtetës do t’ua lehtësojë frymëmarrjen atyre.
Askush s’mund të ndihet i lirë dhe normal në Kosovë, me një njollë të tillë në ndërgjegje.
Prandaj, secili detaj duhet të zbardhet dhe kosovarëve t’u thuhet e vërteta.
Që këtu, shumica dërmuese e kosovarëve janë të bindur se akuza për transplant organesh njerëzore është thjeshtë një rrenë.
Kurse për akuzat tjera, nëse vërtetohen, përgjegjësit duhet të dalin para drejtësisë.
Vërtet, edhe Kosova, në shtigjet e gjata e të mundimshme të integrimeve duhet të ballafaqohet me të kaluarën…
Për ZSH: Mustafë Rugova
Agim Gashi
Agim Gashi
Administrator
Administrator

Numri i postimeve : 45955
Age : 70
Location : Kosovë
Registration date : 17/11/2008

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Mbrapsht në krye

- Similar topics

 
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi