Akllapi Net - Forum i Hapur
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

Agim Gashi:BOTA E KRIJUESIT: Intervistë me shkrimtarin Adem Zaplluzha

Shko poshtë

Agim Gashi:BOTA E KRIJUESIT: Intervistë me shkrimtarin Adem Zaplluzha Empty Agim Gashi:BOTA E KRIJUESIT: Intervistë me shkrimtarin Adem Zaplluzha

Mesazh nga Agim Gashi Sat Jan 01, 2011 2:07 pm

Agim Gashi:BOTA E KRIJUESIT: Intervistë me shkrimtarin Adem Zaplluzha Agim_gashi

Agim Gashi:BOTA E KRIJUESIT: Intervistë me shkrimtarin Adem Zaplluzha


Agim Gashi:BOTA E KRIJUESIT: Intervistë me shkrimtarin Adem Zaplluzha Img009ow
Adem Zaplluzha
SHKRIMTARI GJITHMONË ËSHTË NË KRAHUN E MËRGIMTARËVE



Kosova e çliruar si kurrë më parë ka marrë hov në të gjitha fushat e jetës së saj. Këtë hov pozitiv, e gjejmë dhe e prekim edhe te shkrimtarët dhe veprat e tyre, pasi janë bërë argumenti më i mirë i këtij hovi. Padyshim njëri nga këta emra është edhe Adem Zaplluzha autor i 33 librave me poezi. Vetëm gjatë vitit 2010 ky autor i ka publikuar 19 vepra, duke e plotësuar krijimtarinë poetike me motive të reja nga jeta e përditshme, nga liria dhe pavarësia e Kosovës që për shumë autor është bërë temë obsesive e krijimit, pastaj në poezinë e Zaplluzhes dominon edhe elementi i traditës dhe etnikumit shqiptarë, e kështu me radhë.
Adem Zaplluzha, ndoshta është ndër autorët e paktë që ka ditur të sfidoi me mjaftë sukses, pengesat sociale që i kanë autorët e sotëm, sidomos ata në hapësirën shqiptare, dhe falë demokracisë edhe pengesat burokratike të cilat për shkak të koncepteve që i takojnë së kaluarës, dhe natyrisht ishin edhe një pengesë tjetër për shumë kë. Ai tashti është inkuadruar me sukses (edhe pse në një moshë të thyer) në rrjedhat letrare, veçmas të asaj letërsie që krijohet në Kosovë, duke u bërë emër i njohur dhe i respektuar.
Shkrimtari Adem Zaplluzha u lind më 1. II. 1943 në Prizren, shkollën fillore dhe të mesme i kreu në qytetin e lindjes, kurse Akademinë Pedagogjike në Prishtinë. Që nga bankat e shkollës fillore nisi të shkruajë dhe të bashkëpunojë me revistat dhe gazetat në gjuhën shqipe në Kosovë dhe më gjerë. Një kohë bashkëpunoi edhe me programin arsimor të Radio Prishtinës, sepse ka punuar edhe si mësues. Po ashtu ai shkroi edhe drama, skeçe teatrale dhe poezi satirike. Disa prej të cilave u bënë aq të dashura sa që deklamohen me ëndje edhe sot nga grupmosha të ndryshme.
Adem Zaplluzha shkruan edhe prozë po më së shumë merret me poezi për të rritur. Ndonëse me sukses e lëron poezinë për fëmijë, ky autor është mjaftë i njohur edhe për poezinë satirike.
Pos me gazetën "Rilindja" bashkëpunoi pandërprerë edhe me revistat për fëmijë "Pionieri" e "Fatosi" pastaj me "Flakën e Vëllazërimit" në Shkup dhe gazeta të tjera në Tiranë etj. Ishte bashkëpunëtor edhe i revistave për kulturë ”Jeta e Re”, për shkencë ”Fjala” në të cilat dita ditës u bë emër i njohur dhe i pranuar jo vetëm në Kosovë por edhe në hapësirën kombëtare dhe madje edhe në diasporë.
Në periodikun shqiptar në Kosovë dhe më gjerë ka botuar një numër të madh trajtesash e krijimesh letrare të kritikës dhe studimeve, po më shumë është marrë me poezi dhe ka fituar një varg shpërblimesh në konkurset letrare, kurse disa nga poezitë e tij janë përkthyer në gjuhën turke, serbokroate, sllovene, boshnjake etj.
Poezitë e tij janë përfshirë në disa antologji të poezisë në gjuhën shqipe, dhe në antologjinë e krijuesve shqiptarë në gjuhën serbokroate qysh në vitin e largët 1966.Adem Zaplluzha është prezantuar edhe në revista reprezentative letrare në ish Jugosllavi si mjaftë i suksesshëm. Prandaj prezantimi i poetit tonë Adem Zaplluzha edhe në portalin elektronik ”Akllapi” me këtë intervistë dhe me ciklin me poezi, jo vetëm që është nder për revistën tonë, por i bëjmë edhe autorit një shërbim duke ia afirmuar vlerat më të mira që i krijon ky autor, sepse edhe në këtë moshë Adem Zaplluzha është mjaftë aktiv në jetën kulturore të Kosovës.
Në Kosovë, po dhe më gjerë, Adem Zaplluzha është një shkrimtar që me librat e tij ka shënuar edhe tej jetesën e tij. Pra, edhe atëherë kur do t’ia thonë lamtumirën e fundit. Ai do të gjendet në bibliotekat dhe shkollat e Kosovës, në familjen e madhe shqiptare, jo më fizikisht siç është sot, por ndryshe dhe kjo ndryshe janë librat e tij që do të lexohen edhe nga breza të tjerë.

Të theksojmë se nga Shoqata e Shkrimtarëve "Fahri Fazliu" në Kastriot, Adem Zaplluzha u shpall krijuesi më i suksesëshëm për vitin 2010.
Agim Gashi:BOTA E KRIJUESIT: Intervistë me shkrimtarin Adem Zaplluzha 20101231125304632
Titulli "Krijuesi më i suksesshëm i vitit 2010"

KOSOVA, LUFTA E UÇK-SË, JETA DHE SHKRIMTARI PËR BALLË TYRE


Intervistë me shkrimtarin Adem Zaplluzha, autor i 33 veprave letrare, me rastin e botimit të kolonës prej 19 përmbledhjesh në poezi gjatë vitit 2o1o.

Pyetje: Z. Zaplluzha vetëm sivjet keni botuar 19 vepra letrare. Të cilit zhanër letrar janë këto vepra, dhe çfarë e karakterizon krijimtarinë tuaj letrare me pakë fjalë?
A. Zaplluzha: Vargu im përshkohet me një drithërimë deri në palcë. Ajo të ngërthen, të merr me vete, nuk të lë të çetë sepse në çdo fjalë, takohesh me dhembjen e shpirtit që e ndjen qoftë për gjendjen që e rrethon, qoftë për mërgimtarët, (sepse edhe shpirti dhe familja ime, miq dhe të njohur janë mërgimtar, e ata më mungojnë çdo ditë), prandaj në çdo hap jeta e prek lotin, deri sa loti (i poetit) shndërrohet në rreke malli, që kthehen në poezi, në libra.
Këto vargje më së miri i has në vjershën e “Thyen Gurin, nga syri i përlotur pikon loti i plakut”: “Dënesi me mall/dhe me hidhërim/ i kam dy sy/ në mërgim. Loti i hidhur/ e thyen gurin/ Andaj ligështon/ Edhe burrin/. Kurse personazhet e miu bisedojnë me zogjtë sepse nuk kanë më as me kë të bisedojnë, dhe gjyshit Adem i mungojnë nipat, mbesat prandaj i duket sikur Kosova është e zbrazur, e pasi lotët nuk i dalin atij i del lëngimi nga shpirti dhe lotët me mallin e përgjëruar shndërrohen në poezi, prandaj më duket krejt poezia ime është mall dhe dashuri, për nipat e mbesat dhe këtë tokë të bekuar.
Motive të tjera janë ato sociale, se mua më pllakos dhembje në shpirt kur shoh se si njerëzit e moshuar vuajnë për gjera elementare e më keq kur lypin.
Nuk më mungojnë edhe motivet tjera, sepse edhe unë si të gjithë të tjerët kam brengë dhe shpirti shqetësohet, për çdo cep të atdheut, sepse Atdheu sikur ende lëngon nga pasojat e pushtimeve të gjata, andaj edhe vargjet që i thuri janë të motivuara nga jeta, sociale, që i ilustroj me patriotizëm, sepse poeti nuk mund të largohet nga kurrë nga atdheu.
Pyetje:Po vetëm sivjet i keni botuar 19 libra, si ia keni arritur këtë, dhe si i përballuat në aspektin financiar. Keni pas sponsor ?
A. Zaplluzha: Qenkeni shumë mirë të in formuar, me të vërtet i kam botuar 19 vepra poetike gjatë këtij vite, edhe pesë i kam në dorëshkrim që janë shkruar muajin e fundit dhe i presin sponsorët.
Ky vit ka qenë një ndër vitet më të frytshme të jetës sime, kam punuar natë e ditë
dhe kam arritur deri këtu ku jam, saktësisht i kam shkruar 24 libra me poezi. Për t’i publikuar më kanë ndihmuar miqtë e mi dhe dashamirët e arti poetik, pa i anashkaluar kontributin e madh edhe të dy djemve që gjenden në mërgim, të cilëve iu bie hise edhe barra sociale për të më mbajtur, në të vërtetë ata kujdesën shumë për mua.
Pyetje: Nëse nuk është sekret a mund të na i tregoni se cilët ishin donatorët tuaj?
A. Zaplluzha: Jo nuk është aspak sekret. Madje me shumë dëshirë, Familja e Sokol Demakut nga Boras i Suedisë ishte donatori i një libri, pastaj vijnë me radhë disa donator që meritojnë të përmenden emrat e tyre si: Alban Studenica, Mirsad Baftijari, Abedin Ibrahimi, Izedin Latifi, Naser Qerimi, Tefik Haxhiu, pastaj Libraria “MIKRO” etj.
Pyetje: Poezinë tuaj e karakterizon një përpjekje për t’u identifikuar si regjistrues i fenomeneve që të rrethojnë. Sa ka ndikuar kjo dhe ku i gjen gjithë ato motive që e gërshetojnë poezinë tuaj?
A. Zaplluzha: Tematika e universit tim është e shumëllojshme. Në vargun tim ngërthejnë ato gjëra që më ngacmojnë, mua dhe rrethin tim, sepse poetin e provokon rrethi dhe nga ai frymëzohet me një fjalë një lloj opozitari dhe dua të mbetem i tillë.
Pyetje: Po zhvillimet shoqërore e politike, siç janë raportet sociale dhe të diskriminimit a kane ndikuar në poezinë, përkatësisht në krijimet tuaja?
A. Zaplluzha: Këtë pyetje më së miri e gjeni në përmbledhjen me poezi ”Ditari në Vargje”, kemi qenë të gjithë të diskriminuar, (më duket se kur dikush të diskriminon, ai të mëson ta duash lirinë dhe të luftosh për te), sa jemi duke e dashtë këtë liri nuk mund ta them, por tek e fundit sikur të ishim të lirë ne nuk do t’i këndonim lirisë.
Pyetje: Po lufta e Kosovës dhe trimëritë e luftëtarëve të UÇK-së sa kanë zënë vend në krijimin tuaj letrare?
A. Zaplluzha: Kjo pyetje kërkon një përgjigje të sinqertë. Pasi që nuk kam “pas guxim?!” të shkojë në luftë, ndoshta edhe mosha e bëri të veten. Por për t’i dal hakut Atdheut dhe atyre burrave që nuk kursyen gjë, madje as gjakun e tyre, na obligon moralisht që të shkruajmë për ta, të jemi modest sa të mos harrohen.
Luftëtari lirisë frymon në çdo varg timin, bile më mirë se sa jam shprehur, kudo e kahdo që shkoj ai më sillet ndërmend, guximi i tij i pashoq, i pakrahasueshëm, dhe këtë motiv patriotizmi e gjen kudo. Ndoshta pas njëzet a dyzet vitesh kjo temë nuk do të ishte prezent por tash (si të them), është në modë?!...
Pyetje: Të kthehemi te letërsia për fëmijë. Cilin motiv e kultivon më shumë?
A. Zaplluzha: Më së shumti e kultivojë motivin e mërgimit, disi e kam breng jetën e mërgimtarit, ndoshta fantazma ime është këtu më e zhvilluar, nuk e di. Po, njerëzit tanë e kanë marrë botën në sy, kjo është e vërtetë, shih se si jemi shpërndarë si zogjtë i qyqes në katër anët e botës. A nuk këndoni edhe ju Agim, me atë mikeshën tuaj sharkinë, mu për këtë temë, kjo na brengos të gjithëve si poetin, ashtu edhe rapsodin, mësuesin dhe punëtorin... këndojmë e shkruajmë shumë. Bile nuk do të ishte dert pse kemi kënduar, por nuk kam shprese se mbase një ditë më nuk do ti këndojmë kësaj plage në trupin e atdheut tonë.
Këtë që e thash po e ilustroj me një varg që ma gërryen zemrën time në këtë moshë:

“Gjysh pse kombi i jonë
Është ndarë në dysh
Gjysma në Kosovë
tjetra në mërgim
Çka ti them unë shpirtit tim?”

Pyetje: Çfarë e karakterizon poezinë tënde për fëmijë, cilën vlerë do ta veçonit për ndonjë gjë që është më e dukshme?
A. Zaplluzha: Pikë së pari, dua që poezia ime të jetë edukative, ta formojë vetëdijen e fëmijëve, të kenë dashuri të pastër ndaj atdheut, librit t’i duan. Nëse fëmijës i mungojnë këto virtyte, si mund të edukohet ai? Shkolla e kryen me mjaftë sukses misionin e vet, por nuk mjafton pa u dëgjuar edhe zëri i poetit. Përpiqem të trajtoj dashurinë ndaj shokut shoqes, tek e fundit çka vlen jeta pa dashuri, për të cilën kemi aq shumë nevojë edhe ne të rriturit, pa le më fëmijët.
Pyetje: Po, cilat motive tjera mund të veçoni në librat tuaj për fëmijë?
A. Zaplluzha: Mua më preokupon më shumë mërgimi, kjo plagë e vjetër sa edhe ekzistenca e jonë, disi nga dhembja sikur më inspiron. Sidomos Ju që jeni atje nuk jeni nga dëshira, dikush ka qenë i ndjekur politikisht të tjerët ekonomikisht, dhe pa dashje kjo temë ka dominuar në poezitë e mia, jo vetëm për fëmijë, por edhe për të rritur. Të mos zgjatem me fjalë, po më mirë po sjell këto vargje që ndoshta do të flasin më mirë:

“Fluturo or zog shtegtarë
Sa më parë në perëndim
I çon të fala mërgimtarëve

Se i presim me padurim"

Pyetje: Po në librat për të rritur?
A. Zaplluzha: Edhe në librat për të rritur më preokupojnë temat sociale dhe morale, sepse morali po na rrokulliset me një shpejtësi marramendëse, nëpër qoshe gjen shiringa që përdorin ata që janë të përdhosur në shpirt. Pastaj është droga, prostitucioni hajnia, me një fjalë rinia po na degjenerohet, kurse udhëheqësit nuk e qajnë kokën, po më mirë të mos përhapem në këtë temë...
Pyetje: A mund të flasim pakëz edhe për krijimet tuaja satirike. Ku e gjeni inspirimin për këtë lloj krijimi?
A. Zaplluzha: Po, jeta na është bërë satirë. Sikur më duket se këtu çdo gjë po shkon mbrapsht, askush nuk mendon për njeriun, të gjithë ama bash të gjithë politikanët mendojnë për verdhushka ,,në rrugë thuhet: Në daç të pasurohesh merru me politikë”, pasi një deputet vetëm për një mandat e siguron një pension jetësor prej diku 8oo euro në muaj, kurse pensionistët pensionin vjetor nuk e kanë aq. A nuk është kjo materie e mjaftueshme për një satirë. Këtu e gjej brumin...
Ku mund të gjesh tema me të mira se sa në Kosovën tonë ku ka rënë morali në fund të pusit. Më shumë vlen një këngëtare që dridhet e përdridhet se sa një krijues i mirëfilltë. Po të mos kish rënë morali ministrat tanë të kulturës nuk ishin kaq të “pakulturuar” dhe për sjelljet e tyre nuk japin përgjegjësi:

“A vjen Lala
Apo Sala
Kryetarë në komunë
Ti përherë ke me qenë
Kështu i papunë”

Pyetje: Në disa nga krijimet tuaja, jo vetëm që e konstatoni një gjendje të rëndë ekonomike, sociale dhe politike, në atdheun tonë tashmë të çliruar, por disi edhe e kundërshtoni? A e keni menduar se kjo gjendje do të zgjas deri në absurd, dhe pse?
A. Zaplluzha: Jo nuk kam menduar deri në absurd dhe as kam guxuar kaq keq të mendoj. Problemi që po na brengos të gjithëve, sikur të gjithë po heshtim, kjo heshtje e jona po na bëhet si sëmundje, ndoshta ende e kemi ndjenjën e robit, me një fjalë të mos e lëndojmë padronin se mos i prishim gjumin, kurse gjumi i tij, popullit tonë po ia heq të zitë e ullirit. Gjendjen e krijojmë vet ne, se një urti popullore thotë: “Siç është hoxha, po ashtu është edhe xhemat”.Çdo gjë mund të ndërrohet me votën tonë, vetëm duhet të jem të kujdesshëm. Ndoshta nuk meritojmë diçka më të mirë, ndoshta këtë gjendje e kemi sipas meritës sonë ,,ndoshta edhe e meritojmë këtë turbullirëshpirtërore”, ndoshta... ndoshta...
Pyetje: Si e ka vlerësuar kritika letrare poezinë dhe krijimtarinë tënde.? Sa jeni të kënaqur me trendët e zhvillimit e kritikës letrare këtu tek ne?
A. Zaplluzha: Si të them, tek ne nuk kemi kritikë letrare, por ka përpjekje për t’u mëkëmbur në këtë kohë. Këtu nuk dyshoj. Por dua ta sjell një shembull ku një tip kritiku më tha një ditë: “Sa po më paguan të shkruaj një faqe për ty në gazetë”. Ja ku ka arritur kritika e jonë.

Por kemi edhe kritika inkurajuese, në raport me krijimet e mia do të veçoja atë të profesorit nga Shqipëria dr. Eshref Ymeri. Ai lartë e çmon poezinë time, madje më krahason me shkrimtar të njohur botërorë. Ky vlerësim jo që më bënë të ndjehem mirë, por disi më obligon më shumë, të jem më i kujdesshëm dhe të japi nga vetvetja atë që mundem. Ky profesor i respektuar më ka mësuar edhe më shumë “ta çmoj dhe ta dua njeriun”, e kjo është shumë, mbase shumë. Të duash njeriun e dijes, si një krijesë e mençur, por të duash edhe njeriun me të mirat dhe të ligat e tij.
Pyetje: Po për letërsinë shqipe në përgjithësi. Për kahet dhe primesat letrare, a keni për të shtuar diçka?
A. Zaplluzha: Si nuk kam, kemi një letërsi brilante, që mund të rri përballë letërsive më të mira botërore. Ne nuk duhet të krahasohemi me askënd. Çdo kush duhet me qenë vetvetja e vet. Nëse nuk je vetvetja e jote ti nuk je askush, e nëse nuk je askush pse duhet të krahasohesh me dike që nuk mund të jesh as hija e tij.
Kombi shqiptarë e ka Tagorën, Jeseninin, Pushkinin, Lorkën, por paraprakisht duhet ta zhdukim xhelozin, (pse të jetë X më i mirë se Y). Sigurisht njëri prej tyre është më i mirë, sepse asgjë në botë nuk është identike, veçmas kur flasim për krijimtarinë letrare, Prandaj u bëjë apel shqiptarëve të mi, le të lëmë me një anë xhelozinë, sepse nuk mund të ecim përpara duke kaluar mbi gërmadhat e tjetrit, mund të jemi të mirë me njerëz të mirë, të respektuar e jo duke e sharë mikun me vetëdijen. Andaj duhet ta respektojmë tjetrin nëse dëshirojmë të jemi vet të respektuar.
Pyetje: Një pyetje pak sa sugjestive. Sa e si e keni ndjerë qoftë edhe në mënyrë profetike ngadhënjimin e lirisë!
A. Zaplluzha: Kur je në shkretëtirë të zë etja, kur ka errësirë e ëndërron dritën dhe e kundërta. Kur ishim të robëruar këndonim për lirin kurse sot kur e kemi lirinë kemi nisur të këndojmë tallave, me një fjalë nuk jemi ende në gjendja ta çmojmë si dhe sa duhet lirinë. Popujt që kanë liri më herët se ne ata ndryshe këndojnë për lirinë e tyre, thua se jemi të mpitë, ende nuk jemi në gjendje të kuptojmë se sa vleftë ka liria, çfarë fuqie magjike posedon njeriu i lirë, gjëja më e mirë është që ai nuk këndon për robëri kurse ne ende këndojmë dhe shkruajmë këngë për lirinë... Ndoshta këto përgjigje pak e shpjegojnë ndjenjën profetike të lirisë. Ëndrra kam pas aq sa kanë të gjithë popujt e robëruar.
Pse a nuk është tragjike kur si poet ende e pyes vetën “a jemi vallë të lirë me këtë liri ka të varfër?”, Jo vetëm ekonomikisht, por po flasë për varfëri shpirtërore.
Por më mirë po tregoj një detaj personal në ditën kur u shpallë pavarësia e Kosovës, cingërova me celular në Kanada dhe i thash nipit “Genti; tash e tutje edhe gjyshi yt ka shtet”, ja ky ishte gëzimi i një “Njeriu që lindi në robëri dhe ka shkuar në prag të varrit”, pra gati në fund të rrugës jetësore u bë me shtet. Ishin djemtë tanë në UÇK dhe sollën lirinë të cilin e kemi ëndërruar me vite, por ja se mësuam: “Liria nuk vjen vetëm me ëndrra, por Liria fitohet me grykën e pushkës” dhe me forcën morale të një populli .
Pyetje: Këtë parandjenjë tuajën ku mund ta gjejmë më mirë të përfaqësuar, në poezi apo prozë, dhe kryesisht në cilët libra?
A. Zaplluzha: Nuk kam asnjë libër ku nuk mundesh me gjet një varg që nuk këndohet për liri, po e marr për shembull librin e botuar në vitet e paraluftës “MURET” të cilën e kam dedikuar dhe dhuruar xehetarëve të “Trepçës”, i tërë libri është me poezi patriotike ku dëshiroja t’i shembja muret e robërisë, por ato mure nuk u shembën duke kënduar për to, por u shembën duke luftuar kundër tyre. U shembë sepse ashtu deshën djemtë e UÇK-së... Të jem pak më i qartë në pyetjen tuaj, sigurisht në librat me poezi, pasi kryesisht shkruaj poezi.
Pyetje: Mërgimi është plaga për ne të tjerët që e jetojmë, por jo edhe për Ty si autor që jeton në atdhe. A jeton me ndjenjën e mërgimtarit, pasi kemi një gjysmë atdheu në mërgim? Sa ka zënë tema e mërgimit në krijimin tuaj letrar?
A. Zaplluzha: Po këtë pyetje, pak e shumë e shtjellova edhe më lartë. Më mirë le të lexohet libri im në internet “Letër nga Mërgimi 2”, aty do të shihet se sa më preokupon kjo temë: Më duket çfarë të shtoj më shumë do ta prish atë që gjendet në atë libër, kushtuar fëmijëve tuaj, fëmijëve tanë.
Pyetje:: Po sa i keni kushtuar rëndësi poezisë lirike, sa është e veçantë kjo në krijimin tuaj? Më duket harruam të flasim, prandaj çka mund të na thoni për këtë aspekt?
A. Zaplluzha: Nuk ka njeri pa dashuri, pa dashuri as që mund të quhesh njeri. Dashuria nganjëherë është si një asht, prandaj njeriu duhet të mos i thyej dhëmbët mbi te?!... Libri “Vesa në Lirin Tim” gjendet në internet përfaqëson më shumë këtë motiv. Libri mjaftë është lexuar dhe është pëlqyer, madje kam marr shumë letra që më kanë ngazëllyer.
I kësaj natyre është edhe libri me poezi lirike “Zjarri i Dashurisë” që me mjaftë sukses po sillet nëpër faqet e internetit dhe kam vërejtur se lexohet.
Pyetje: Po për fund, çfarë keni për të shtuar?
A. Zaplluzha: Një falënderim nga zemra për intervistën, një përshëndetje mërgimtarëve, veçmas atyre që do të kenë rastin për ta lexuar këtë intervistë të cilën po e mbyll me vargjet:

“Në dhe të huaj ishte tretur
Fëmijërinë pa e gëzuar

Kalamendej pa jetë e shpresë
Bredhte rrugëve duke ecur
Njeriu me zemër të lënduar”

Agim Gashi:BOTA E KRIJUESIT: Intervistë me shkrimtarin Adem Zaplluzha Pb260191
Edhe një shpërblim për z. Zaplluzha


Intervistoi: Agim Gashi
Agim Gashi
Agim Gashi
Administrator
Administrator

Numri i postimeve : 45955
Age : 70
Location : Kosovë
Registration date : 17/11/2008

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Mbrapsht në krye

- Similar topics

 
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi