Akllapi Net - Forum i Hapur
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

Agim Bajrami:POETI ADEM ZAPLLUZHA ME KOSTUM METAFORASH

Shko poshtë

Agim Bajrami:POETI ADEM ZAPLLUZHA ME KOSTUM METAFORASH Empty Agim Bajrami:POETI ADEM ZAPLLUZHA ME KOSTUM METAFORASH

Mesazh nga Agim Gashi Wed Nov 07, 2012 10:42 pm

Agim Bajrami:POETI ADEM ZAPLLUZHA ME KOSTUM METAFORASH MqdefaultAgim Bajrami:POETI ADEM ZAPLLUZHA ME KOSTUM METAFORASH 205507_105662192852681_1298491_n

Agim Bajrami

POETI ADEM ZAPLLUZHA ME KOSTUM METAFORASH

Agim Bajrami:POETI ADEM ZAPLLUZHA ME KOSTUM METAFORASH Adem-zaplluzha

Atë e sheh çdo ditë tek troket me hapat e tij të menduar mbi kalldrëmet e ngrënë nga koha të njërës prej lagjeve më karakteristike të Prishtinës që mban emrin e poetit të shquar Mirko Gashi, dhe i dërgon mesazhe dashurie Kodrës së Trimave. Është një njeri për të cilin është pak të thuash se vesh në trup një kostum metaforash ,sepse në vetvete ai është vet një metaforë e gjallë . i zgjon nga gjumi agimet dhe zambakët që kanë ngritur kokë nga rrënjët e ullirit një trishtim të bukur . Sepse ky trishtim i shkon kaq mirë atij për ta zgjuar nga gjumi këtë mëhallë mjegullash. E kam njohur vonë këtë poet, aq vonë sa koha e njohjes me të mund të matet vetëm me kohë baladash. Dhe jo më kot.
Sepse Adem Zaplluzha me vargjet e tij poetike ja ka shtrënguar paq frerët kuajve të mjegullave, ashtu si një kalorës që vrapon pa u ndalur udhëve të kujtesave ku rrjedhin lumenjtë të tërbuar.

Është një kalorës historie ,një kalorës i cili nuk pret kohën e shtrydhjes së reve por i hynë lumit dhe mjegullave me krenari prej burri. Kjo se në fund të fundit kalorësit janë krijuar si të tillë, jo vetëm për të vrapuar dhe për shkelur tokat të murrme , por edhe për ti qëndisur ato me trokthe dhe hingëllima lavdie. E shfletova disa herë vëllimin poetik “Kalorësit e Mjegullave” dhe mu duk e nevojshme ta rishfletoj atë përsëri, jo për të hyrë më thellë kuptimit nën tekstual të vargjeve por për tu bërë edhe unë pak sa më i bukur me forcën e tyre drithëruese. Shumë kush e konsideron atë si poet të revoltës dhe dhimbjes krenare. Unë do t’i shtoja kësaj thënie edhe mbiemrin poeti i dhimbjes së bukur, asaj dhimbjeje që të dhëmb por edhe të lumturon njëherësh . Duke qenë dëshmitar okular i historisë së kombit të tij . Ademi nuk mund të hesht dhe të qëndroj indiferent përballë fakteve të trishta të përditshmërisë.

Duke u endur rrugëve të Qytetit të tij jo me këmbë por me zemër ai sheh mirë dhe i dhimben njerëzit që kanë humbur këmishët, i neveritet dyqanxhiu koprrac që me djersën e mjegullave i ngjyen buzët . Kujtesa e autorit është një
Libër i hapur që shfletohet hera herë , jo me gishtërinj por me drithërima zemre. . Çdo varg i poezisë së tij është një fletë kalendari, për t’ju kujtuar atyre jo vetes, kohën kur erdhën mjegullat dhe mbas ditëve binin shirat të tejdukshëm. Vargje të këtilla janë befasues dhe të çuditshme njëherësh . Për t’i zbërthyer ato duhet të trokasësh patjetër në subkoshiencën e kohës.
Ndoshta dikujt mund ti humbas edhe durimi , dikush tjetër mundet edhe të keqkuptohet por mendimi im është se ato duhen lexuar gjithmonë në veten e parë dhe në kohërat e ardhshme .
Heronjtë epik të Adem Zaplluzhës e kanë marrë përsipër këtë detyrë duke e vendosur veten e tyre në log të bejlegut në mjegullat që duken si dyshek dhe në molet ku fle peshkatari i lodhur. Ë
Është ky shkaku që shfletimi i librave të Adem Zaplluzhës nuk mund të bëhet në ambiente komode ku macja gromësin dhe ngroh kaloriferi, nuk mund të analizohen me një rrufitje kafesh apo katrahurë thashethemnaje . Poezia e këtij poeti shkruhet për një qëllim më fisnik. Të vendos në retinën e njerëzve qiej të kaltër dhe diej të kristaltë që të ngrohin dhe jo të bëjnë të kundërtën. Kjo poezi me një energji specifike dhe të veçantë, ka patjetër diçka nga fëshfërima ose nga gjuha e bozhureve në kohën e mbjelljes së farave në tokë diçka nga kodet që shqiponjat e maleve tona këmbejnë me njëra tjetrën në momentin e kapjes së presë, kode të cilat për një lexues të zakonshëm dhe poet të rëndomtë mund të tingëllojnë si të huaja dhe absurde.

Brenda dimensioneve të fëmijërisë së poetit dhe përmallimeve të tij ka një sërë elementesh që kundërshtojnë dhe e plotësojnë njëri tjetrin njëkohësisht. Në udhëtimin poetik të autorit drejtë kësaj fëmijërie atij i duhet të zhvesh lëkurën e moshës dhe të vesh në lëkurë tjetër sepse përndryshe agimet e përgjumur nuk mund të zgjoheshin kurrë dhe udha e jonë nëpër Ferrin e kujtesës nuk do na nxirrte askurrkund.

Ishte udhë e gjatë- thotë poeti :

dhe në trokun e gjokut
i ndërruam disa palë dizgjin
mbi shalat tona të shqyera
u zvarritën gjarpinjtë.

Dhe si për ta kundërshtuar këtë mendim paraprak autori ndërton një antikohë reale që sintetizohet më së miri në vargjet e ndjera të poezisë Rrëshqitëm si ushejzat,

Prej lufte në luftë
Jetuam me hingëllimat e kuajve
Kurse vajet e nuseve tona
S’kishim kohë t’i dëgjojmë

Brenda këtij konteksti lexuesi i vëmendshëm e kupton se autori nuk ka dëshirë të vajtoj dhe ta tërheq vetveten në një kohë harrimi, por të rindërtoj një kohë tjetër ndaj,kuptimi i vërtet i saj duhet përvetësuar jo në moment in e përfundimit të tekstit por gjatë leximit të tij , për ta bërë kështu edhe atë aktiv . Elementet gri që karakterizojnë qiellin e padukshëm të satirës së këtij poeti, janë të përkohshëm por ama të aftë sa të krijoj një planet të tyre. Ky është një peng dhe mllef që e detyron penën poetike të Adem Zaplluzhës të jetë e pamëshirshme me ta, t’i godas ballë për ballë me armën e fuqishme të satirës.

Në qytetin tim thotë poeti në një nga vargjet e tij

Njerëzit i duan qentë
Janë mësuar me lehjet e yjeve
Andaj janë të kujdesshëm
Kur i kapërcejnë urat

Më troç se kaq nuk mund të bëhet. Gjuha poetike edhe simbolika e saj marrin kështu një fuqi të konsiderueshme shprehëse. Kjo gjë i jep mundësi autorit ta zgjerojë gamën e elementëve të tij stigmatizues , t’i bëj ata më konkret dhe më të drejtpërdrejt njëherësh .
Adem Zaplluzha duket se ka ardhur për t’i sjellë poezisë Kosovare dhe asaj shqiptare në përgjithësi një frymë më emancipuese dhe më luftarake, ndaj hipokrizisë dhe imoralitetit shoqëror që po i mbytë frymën asaj. Ai nuk mund të pajtohet dhe të bëhet pjesë e absurdit që ndihet kaq i pranishëm në jetët tona. Shumë nga poezitë e këtij autori politikën dhe politikë bërësit i kanë karakterizuar si sinonime të së keqes . Aroma e gënjeshtrës që përhapet nga frymët e tyre janë shumë larg nga portat e ëndrrës së njeriut të thjesht dhe të vet poetit . Mjafton të citojmë këto vargje nga poezia Aroma e Gënjeshtrës:

Herë na dalin në shesh
Herë fshihen pas hithrave
me kashtë thekre
Kruajnë dhëmbët e ditës.

Duke qenë pjesë e kujtesës së kombit të tij poeti dhe koha virtuale që ai krijon nuk ndihen asnjëherë të pushtuar nga vetmia , përkundrazi brenda tyre ka aq shumë heronj të pa zë sa numrin e tyre do ta kishin zili edhe yjet e galaktikës.
Adem Zaplluzha aq sa flet me zërin e tij aq dhe bëhet zëdhënës i atyre që dinë të mendojnë si intelektuali dhe nuk janë kurrë dakord me padrejtësitë e sotme. , Kjo përbën një nga vlerat e poezisë së tij. Ajo është në vetvete sa personale aq edhe kombëtare sa e fuqishme po aq edhe delikate. Elementët që e përbëjnë atë strehohen në një qytet prej klithmash ndaj vegjetimit dhe erës së rënd.

Që nga libri i tij i parë “Puthja” e deri tek “Fluturimet e korbave në netët pa hënë “ (prozë poetike) duket se mendimi i tij poetik ka ditur të rruaj vetveten dhe të vij gjithnjë e në rritje, duke u veçuar nga të tjerët.

Ashtu siç thotë edhe Kritikja e njohur Rumune Monika Mureshan ky autor e kundron fjalën si një formë artistike të manifestimit të ndërgjegjshëm të rregullave të arta të harmonisë, duke e mbrojtur me respekt dhe dinjitet mos shkeljen e kodit të lashtë moral, ose ashtu siç thotë edhe kritiku Mihail Antonesku në shënimet e tij kritike vargjet e këtyre poezive janë thesar përkujtese dhe mos harrese për ardhmëri. Këto vargje janë perla të kristalta që gurgullojnë si krojet e Dardanisë . Duke lexuar opusin poetik të Din Mehmetit, Azem Shkrelit, Ali Podrimes, Mirko Gashit , Agim Vincës dhe së fundi të Adem Zaplluzhës për të cilin
kritika letrare heshtë me qëllime dashakeqe , më vjen të kundërshtoj thëniet e ndonjë studiuesi të huaj i cili thotë se letërsinë e madhe e bëjnë vetëm kombet e mëdha . Për mendimin tim ky pohim është relativ dhe nuk duhet të absolutizohet asnjëherë.
Unë them dhe jo vetëm unë se letërsinë e madhe e bëjnë edhe kombet të cilët e dashurojnë lirinë dhe idealet dhe nuk e kanë problem aspak të sakrifikojnë edhe jetën për të. Emrat që sapo i përmendëm më sipër janë pohimi më i bukur i kësaj.

*
* *
Ai del çdo ditë nga porta e shtëpisë së tij në lagjen Mirko Gashi të Prishtinës. Çdo ditë e më i ndryshëm se më parë. Tashmë nga çatitë e përskuqura të shtëpive të vjetra kanë filluar të rigojnë currila të kristalta shiu. Nga Kodra e Trimave nuk vazhdon të vij më si dikur erë bliri. Ndaj poeti zë e nxjerrë nga thellësia e shpirtit të tij ca degëza qershie dhe krijon me to një stinë të re, stinën e zogjve këngëtarë.

Agim Bajrami
Durrës, 07 tetor 2012
Agim Gashi
Agim Gashi
Administrator
Administrator

Numri i postimeve : 45955
Age : 70
Location : Kosovë
Registration date : 17/11/2008

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Mbrapsht në krye

- Similar topics

 
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi