Akllapi Net - Forum i Hapur
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

Shqiptari që e konsideron Kosovën si një dhuratë të shenjtë të Perëndisë

Shko poshtë

Shqiptari që e konsideron Kosovën si një dhuratë të shenjtë të Perëndisë Empty Shqiptari që e konsideron Kosovën si një dhuratë të shenjtë të Perëndisë

Mesazh nga Agim Gashi Sat Jan 15, 2011 1:07 am

Shqiptari që e konsideron Kosovën si një dhuratë të shenjtë të Perëndisë Skenderzogaj



Shqiptari që e konsideron Kosovën si një dhuratë të shenjtë të Perëndisë

Baki Ymeri
Shqiptari që e konsideron Kosovën si një dhuratë të shenjtë të Perëndisë Sknderzogaj1
Skënder Zogaj

Poezitë e Skënder Zogajt janë perla poetike që të joshin t’i lexosh dhe rilexosh. Ato janë interesante ngase secila prej tyre paraqet një univers poetik të veçantë. Para se ta përkthej, fillimisht mendoja se është një poet i rëndomtë, por gjatë përkthimit të lëndës kosntatuam se fjala është për një thesar vlerash lirike të fisnikëruara me një imagjinatë të bujshme e të jashtëzakonshme. Edhe po qe se dikujt mund t’i duket si një poezi e thjeshtë, duhet shtuar faktin se çdo gjë e thjeshtë është edhe e bukur, edhe interesante. “Unë jam dëshmitari./ Zvarranikët kanë ngjeshur shpatat/ dhëmbin e ujkut e kanë vath në vesh,/ në qafë thonjtë e maces./ Gjithë lakejt e vilajetit/ janë veshur me sharkun e gjarprit/ i kanë edhe maskat e pallatit të mbretit,/ o Zot, kur të dalin në skenë/ ç'dramë e tmerrshme e sprovës/ do të luhet në trupin e Kosovës.” Autori i këtyre vargjeve kushtuar Ibrahim Rugovës është shkrimtari i shquar kosovar, Skënder Zogaj, libri i të cilit e pa dritën e botimit këto ditë në Bukuresht, në bashkëveprim me Bashkësinë Kulturore të Shqiptarëve të Rumanisë dhe redaksisë së revitsës „Kosova”.

Shqiptari që e konsideron Kosovën si një dhuratë të shenjtë të Perëndisë Ballinaelibrittsknderzo

Vepra e tij (Lacrima durerii / Loti i dhembjes), e cila del në gjuhën rumune (me parathënien dhe biobibliografinë në të dy gjuhët), hapet me ciklin „Kush mund të më ndalojë të vdes”, me vargje kushtuar lashtësisë, bashkëkohësisë dhe pavdekshmërisë shqiptare të një varg personalitetesh historike, letrare, artistike e luftarake, si Ibrahim Rugova, Ahmet Krasniqi, Xhemil Doda, Hamdi Bardhi erj., në kuadrin e të cilave përmenden edhe figura tjera të pavdekshme si, Gjergj Kastrioti, Pjetër Bogdani, Gjergj Fishta..., apo emërtime tjera që simbolizojnë ekzistencën tonë gjeografike dhe mitologjike, si, Kruja, Rozafa, Shën Naumi, Hani Elezit, Vlora, Podrimia, Fusha e Kosovës dhe Kosova e Ahmet Krasniqit për të cilin poeti thekson: „Kosova s'po u besonte syve,/ në sytë e Saj... relieve të idhta/ prej nga shkëputeshin pëllumba/ të larë me dritë misteresh të allta,/ një dritë e guftë sfiduese/ nëpër të çarat e qiellit që klith: - Çohu Bacë! Paqja qoftë me ty!”.

Shqiptari që e konsideron Kosovën si një dhuratë të shenjtë të Perëndisë Ballinaelibritlotiidhem
Pason cikli i dytë “Prapa xhamit”, me netët e kaltra dhe mplakjen e stinës, me vegim pleqëror në ishullin e panjohur ku çelin mimozat, me farën e shëmtuar dhe shumëzimin e ushujzave, me flijimin e gruas mitike dhe kullën e kujtimit e vargje tjera të prekura herë/herë nga ironia, sarkazmi, sinqeriteti dhe dashuria ndaj njeriut dhe njerëzimit. Po këto tema, motive e reflekse lirike defilojnë edhe në ciklin e fundit “Gjithkund e askund”, ku poeti e shkruan librin e zezëditës me Vuajtjet e Sizifit: Saherë ngjitem në majë/ më dalin përpara/ më rrokullisin në greminë.// I ka ardhur fundi kësaj bote/ më thot maskarai:/ Nuk janë kot thinjat Tua në zërin tim.” Për më tej, po a japim fjalën autorit të parathënies, poetit dhe kritikut të shquar rumun, Marius Qelaru:
Trashëgimtar i një vendi ku koha vjen nga zemra e një ore antike
Ke të drejtë, zotëri! “Mitet tona i vrasim vetë,/ ngase nuk kemi zemër të shikojmëtë na i vrasin të tjerët”. (I vdekshmi i Kosovës). Apo: “Ka shumë varre anonime/.../ shumë këmisha të përgjakura/ nëpër arkat e nënave, nuseve, motrave/…/ Në vjeshtë prapë i kthejnë nëpër arka/ me 'i kokërr mollë a ftua brenda/ palësh të lëkurës.” (Në Kosovë). Gjatë lekturimit të parë, më dëshirën për sistematizimin apo skematizimin e këtij vëllimi, të mënyrës se si shkruan Skënder Zogaj, mund të flasim shkurtimisht për disa motive/ tema që ngërthejnë një peshë më të madhe: atdheu/ historia/ fati tragjik i shqiptarëve për të cilin kanë ndikuar edhe të huajtë, por dhe mënyra për të qenë i njerëzve të kësaj historie: (Ne - Jemi popull hyjnor/ i përsosur/ t'ia nxjerim sytë/ njëri-tjetrit.”).
Për të cituar vlen edhe poemi Në Shqipëri: „Ah, Shqipëria! Sahat i moçëm/me akrepa të ndryshkur mat kohën, ka thënë plaka e Shkodrës.“. Pason rrjedha e kohës dhe mplakja, që përfshin gjithçka, sidomos mendimet dhe dashurinë, të cilën ky shqiptar i frymëzuar i Kosovës e vesh shpesh me kujtime dhe ëndrra. Për të përmendur vlen të potencohet edhe një „grupim” më heteroklit, i përshkruar në disa poema të shkëputura nga struktura e vëllimit (Erozioni, Pikepesë, e kështu me rradhë). Janë dhe disa që sjellin në gërshetim edhe fjalë të urta, mendime të kristalta, siç janë ato të Zogut të dhembjes („dëshira është sëmurje/ ndryshku i të gjitha kohëve”), apo një poem në katër vargje: Fjala fluturuese.
Pastaj, të gjitha këto mund t’i diskutojmë, mes tjerash, edhe përmes perspektivës së mënyrës në të cilën autori i zgjedh fjalët. Në këtë kontekst vlen të nxirret në pah edhe tendenca për të „eksploatuar” sa më shumë figura stilistike. Kështusoj, kemi të bëjmë me një modalitet personal për të komponuar shprehje të veçanta, disa nga to duke gërshetuar përfytyrime të jashtëzakonshme (me fragmente hijeshishë të rralla, e jo të përforcuara), të tjerat duke u përgjasuar disa kombinimeve paradoksale, herë herë me përdorim kuazi/oksimonorik. Apo, duke krijuar përfytyrime që duken se konturojnë një tabllo të pikturuar me brushën e njomur në banjon e kuptimeve të ëndërrimit apo syrealizmit. Po citojmë disa shembuj ngase janë vendimtare për mënyrën në të cilën shkruan autori:
„Thika/ me tehun në shikim/ e rrjep ekuilibrin/ e frymës shëruese/ të netëve/ që derdhen në kaltërsi”. Dhe: „krejt puthja e mbushur me kafshime”/ „dhëmbi i ujkut shndërrohet në vath veshi”, „ana e padukshme e orës së diellit”, „pas shpinës së orës së diellit”, „nën ujin e përgjumur/ vetëm kullosa e zhgënjimit rritet”, „dhelpra çalamane me drapërin në qafë”, „Ujkut të Thinjur i rrjedh gjak nga sytë/ për Kalin e Kuq”, „avullohet gjaku i shtrenjtë/ si shurrë pele”, „çdonjëri ka një grusht lotësh/ të fshehur/ diku në zemër”, „e hapa dritaren/ shikoj vejushen mbi çatinë e djegur/ se si krihet për bukuri”, „turma një mal drurësh të thatë/ lëviz në heshtjen ulëritëse”, „pëllumba/ të shpërlarë në dritën e mistereve të proshkura”, „shpatije të zhveshura/ me dregëza të hidhura”, „ballkona të thurrur me çelik/ pa qiellin me diell”, „vargje që kanë kundërmim hudhre e qepi/ plot rrota dhe furka/ e antena satelitore...”.

Faktikisht, kjo mund të jetë shenja përmes së cilës mund ta definojmë vëllimin Loti i dhembjes, pra, temat dhe motivet e përmendura në fillim, të veshura me tesha fjalësh që qëndisin shprehje sipas modeleve të parashtruara me shembuj. Flisja për rrjedhën e kohës, për kalimin e saj e të pleqërisë, për mplakjen dhe vetëpërmbajtjen, ngase, edhe kujtimet shpalohen pleqërisht/ ëndrrat vërshojnë pleqërisht”, ngase stina plaket në poezinë Plakja e stinës: „matanë xhamit i mërzitur/ mes degësh sarih,/ dora e lodhur edhe fryma/ mbushur shpirti/ me rrudha lisi”). Gjithçka duket se thinjet, metaforikisht (“Thinjat, sa shumë thinja/ i flejnë trupit sipri/ Tkurret zemra, ah, tinës psherëtinë/ mplakje e stinës”). Madje dhe lulet e “durojnë mplakjen”. Rrallëherë, mplakja dhe zhubrosja duken të përshkruara në ngjyra apokaliptike (Vjeshta: Kanjusha u rrokullis nga maja e lisit/ delet plasën e bleta vdiq,/ qeni cofi në prag të shtëpisë”).
Është, kështupra, një kohë e cila duket të jetë e kujtimeve. Edhe dashuria, edhe shëmbëlltyra e së dashurës duket përmes vellos së mjegullt të kohës (si në Larg prej meje nuk mund të jesh: „e bukur, e njomë, krahëlehtë/ kujtimin rinor ma ngashnjen.”), apo në një ëndërr të përjetimit të dashurisë (Kur mugullojnë mimozat: të përjetoj ringjalljen e dashurisë/ kundërmim i dehur i mimozave”). Apo një kohë e nostalgjisë ndaj vendlindjes, si te Shtëpia e braktisur, tani kur „u dogj gjuha e përrallave” dhe „Vendlindja bukuri e amshuar/ përkundet në ugaret e ballit tim“. Kujtimi është si një keqardhje që përfshin gjithëçka, madje edhe legjendat e motshme të Shqipërisë duket se janë të izoluara në Kullën e kujtimit:Fjalë pas fjale hyri zemra në legjendë,/ gur mbi gur rritet kullë në këtë vend.”), ngase përjetojmë një kohë në të cilën vlerat duket se po përmbysen, dhe, shkruan Skënder Zogaj, Na duhet një abetare e re, sepse: „Nëse nuk e shkruajmë/ Abetaren e re/ bota do të vdesë/ nga pështymaxhinjtë/ dhe përhapësit analfabetë”.
Duke përfunduar mund të themi se Skënder Zogaj është një poet i mesazhit, i imagjinatës poetike, herëherë i prekur nga melankolia, për të cilin të shikosh me sytë e përjetuesit në një vend dhe në një kohë të caktuar, me histori të përbujshme dhe me një të shkuar krenare, me një të tanishme të pranishme dhe sidomos me një ardhmëri shpresëdhënëse, me legjenda dhe me njerëz që i kanë krijuar dhe i shpien më tej, është më e rëndësishme se sa të shkruash për përjetimet personale apo të luhatesh ndërmjet mikro apo makrokosmosit, sipas recetave të ndryshme të kompensuesve. Në këtë drejtim autori duket se e ka konstruktuar vargun në idenë e shpërndarjes së emocionit, tejmatanë gjërave dhe gjendjeve, duke dashur të tejkalojë banalitetin përmes mesazhit. Është vështirë të përcaktosh se ku vendoset në peisazhin e lirikës shqiptare, mbi cilën platformë të pikëshikimit vlerësues, ndoshta në një plan më të largët apo më të përfarërt me një Visar Zhiti apo, nga një perspektivë tjetër me një Sali Bashota, por mund të themi se ky vëllim e nxjerr Skënderin në relief si një autor që vuan, që digjet dhe shkrihet për atdheun e tij, të cilin nuk e konsideron si një mallkim apo peshë, por si një dhuratë e shenjtë e Perëndisë. (Marius Chelaru)

BOX
Përndryshe, Skënder Zogaj u lind më 23 janar 1950, në Lladroc të komunës së Malishevës, Kosovë. Deri tash punoi - mësues në Carrallukë të Malishevës (1970-1974), Redaktor përgjegjës i gazetës “Bota e re” në Prishtinë (1974-1978), Gazetar dhe redaktor në gazetën “Rilindja” Prishtinë (1978- 1993), Përfaqësues i Zyrës së Republikës së Kosovës në Shqipëri (1993-1995), Redaktor në gazetën “Rilindja” botimi në Tiranë (1995-1997), Redaktor në “Revista ushtarake” në Tiranë (1998-99), Korrespondent i gazetës “Zëri ditor” botimi në Zvicër (1996-1998), Redaktor i kulturës në gazetën “Bota Sot” në Prishtinë (1999–2000), Kryetar i Komunës së Fushë Kosovës (2000- 2008), Këshilltar i Parë Politik në Ministrinë e Administrimit të Pushtetit Lokal të Kosovës (2008-2010). Në gazetari ka bërë emër me shkrimet për artin dhe kulturën. Sidomos u dallua me shkrimet kritike për letërsinë, teatrin dhe televizionin. Krahas gazetarisë merret edhe me krijimtari letrare, shkruan prozë dhe poezi, për të rritur dhe fëmijë.Bibliografi letrare: “Zogu i ekspozitës” (poezi për të rritur, “Rilindja” Prishtinë, 1983), “Merrme vëlla përdore” (vjersha për fëmijë, “Naim Frashëri” Tiranë, 1994), “Ora e qoftëlargut” (poezi për të rritur, “Eurorilindja”, Tiranë, 1996), “Adresa e dallëndyshes” (vjersha për fëmijë, “Eurorilindja”, Tiranë, 1999), “Jusuf Uka Bregu, luftëtar i Ballit Kombëtar” (monografi, “Faik Konica” Prishtinë, 2004), “Mali i tejdukshëm” (poezi për të rritur, “Spektri”, Prishtinë, 2005), “Puthjet e puhisë” (vjersha për fëmijë, “Vatra”, Prishtinë, 2007). Është anëtar i Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës që nga viti 1981, si dhe anëtar i Shoqatës Mbarëkombëtare të Shkrimtarëve Shqiptarë për Fëmijë dhe të Rinj me seli në Tiranë. Krijimet letrare të Skënder Zogajt janë përkthyer dhe botuar në shumë gjuhë. Është i përfshirë në disa antologji të botuara në gjuhën shqipe, gjermane, turke, frenge, rumune dhe italiane. Është i përfshirë me grup autorësh edhe nëbotime të veçanta ekciklopedike të krijuesve shqiptarë. Jeton dhe krijon në Fushë Kosovë. Ky është libri i tij i tetë që e pa dritën e botimit në Bukureshtin e rilindësve tanë.
Agim Gashi
Agim Gashi
Administrator
Administrator

Numri i postimeve : 45955
Age : 70
Location : Kosovë
Registration date : 17/11/2008

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Mbrapsht në krye

- Similar topics

 
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi