Akllapi Net - Forum i Hapur
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

FERIDE BERISHA:Korzoja moderne, Facebook-u!

Shko poshtë

FERIDE BERISHA:Korzoja moderne, Facebook-u! Empty FERIDE BERISHA:Korzoja moderne, Facebook-u!

Mesazh nga Agim Gashi Mon Jan 31, 2011 10:42 am

Korzoja moderne, Facebook-u!

FERIFERIDE BERISHA:Korzoja moderne, Facebook-u! 173496_528777864_7641180_n
DE BERISHA
Feride Xhafer Berisha
Kur unë isha e re, në qytetin tim ku jam rritur, kishte një lumë, kishte dy shtëpi mallrash, një parti, dhe ne shqiptarët gati të gjithë ishim të bashkuar, sepse quheshim kundërrevolucionarë. Në qytetin tim kishte edhe një korzo, e cila ka qenë shumë e njohur. Kjo korzo mbahej në rrugën “Nëna Tereze” (atëherë e quanin Mareshali Tito) dhe pasqyronte “bashkëjetesën” në atë mënyrë që ishte e ndarë në pjesën tonë dhe në atë të serbëve. Për të dalë në korzo nevojiteshin rrobat e bukura, shoqëria edhe pak para. E, çka është më e rëndësishmja, vajzave u nevojitej leja për dalje nga prindërit. Mua, për vete, nuk më lejohej të dilja në korzo dhe nuk e di pse!
Zhvillimi i këtij rrjeti shoqëror shkonte aq larg, saqë disa grupe i kishin këndet e tyre, të cilat në këtë hartë shoqërore shërbenin si pikë orientuese. “Unë sot jam atje para Komitetit, aty ku po rrinë Luki, bre!”, ose: “Jo unë s’po rri ma aty, se po vjen ai pederi po më shkon nerva, unë jam te Bozaxhija”... kështu takoheshin të rinjtë dhe korzaxhinjtë në njëfarë vakti në Prishtinë.
Në korzo takoheshin njerëzit e kategorive të ndryshme, të rinjtë, intelektualët, bisedohej për “Shkup e Shkodër”, shumë lidhje dashurie e kishin zanafillën këtu. Ishte kjo një skenë për shumë dashuri, drama dhe episode xhelozie, por edhe për biseda, polemika dhe për diskurse politike. Nevoja për t’u parë dhe për të parë i nxirrte njerëzit nga shtëpia që të argëtoheshin.
E, sot, ku e lamë e ku na mbeti, korzosë sonë i humbi lezeti! Jo bash, atë e kemi zëvendësuar me Facebook-un, tanimë shumë të popullarizuar, ku njeriu takohet me kë do dhe kur t’i teket.
Kjo korzo e shekullit XXI s’ka as kufij kohorë e as hapësinorë. Në mes të natës, nga fundi i botës, mund të shkëmbesh informata në rrjetin tënd ose vetëm një personi të zgjedhur.
Ky medium i komunikimit i ka përparësitë e tij ndaj korzosë së vjetër të qytetit. Këtu nuk duhet të vishesh bukur për të komunikuar me dikë, përkundrazi disa zhvishen bukur shumë. Shumë ekzibicionistë e kanë gjetur vendin e tyre në këtë platformë ose duke i postuar fotot personale të tyre të pjekura për Playboy, ose duke tentuar ta rrisin me çdo kusht numrin e kontakteve të tyre. D.m.th., të rrisin së paku statusin virtual e “VIP”-it.
Dallimi në mes të korzosë së qytetit tim dhe Facebook-ut qëndron edhe në atë më kryesoren se këtu shokët janë virtualë, d.m.th., edhe nocioni “shok” është lëvizur në kuptimin e tij sociologjik. A janë, më të vërtetë, “shokë” të gjithë në këto kontakte?
Një gjë është e përbashkët në të dyja korzotë: dyfytyrësia e shokëve ose më mirë të them shumëfytyrësia. Në Facebook mund të kesh cilën fytyrë të duash. Interesant është edhe fakti se mund të kesh edhe sa fytyra të duash. Mund ta mashtrosh dikë me pamjen tënde, me një intervenim të vogël teknik mund ta përpunosh fotografinë tënde dhe as nuk shihen rrudhat, e as puçrrat, besa as kilogramët.
Derisa për njërin apo për tjetrin është një medium praktik komunikimi, ka shumë të tillë që e mohojnë dhe e kritikojnë si një dukuri negative për shoqërinë tonë. Ashtu flitej në atë kohë edhe për korzonë e qytetit me të njëjtin argument se njerëzit po sillen si në “pazar të gjave”, ku vlen ligji i ekonomisë, kërkesa-oferta; vajzat dëshironin të “shiteshin”... e djemtë të “blinin”, etj. Po ky është specialiteti i shoqërisë sonë, që çdo gjë që ka të bëjë me moralin dhe norma të shoqërisë, ta postojnë në llogari të gruas. Nein Danke...
Ata kritikojnë këtë “korzo moderne”, ku njerëzit vullnetarisht privohen nga e drejta e ruajtjes së sferës private. Ka shumë gra moderne, ose më të guximshme, të cilat kanë postuar fotot e tyre erotike, të cilat foto njërit apo atij tjetrit mund t’u shërbejnë madje edhe për masturbim. Ku është individi, ku mbetet kolektivi? A i takon edhe Facebook-u transicionit të famshëm? Apo është një zhvillim që dëshmon se njeriu e ndryshon shoqërinë, siç e ndryshon edhe ajo njeriun?
Edhe kjo dukuri na zuri të papërgatitur dhe pa rregulla të kodesit: si të komunikohet në këtë platformë? Çka është e s’është e lejuar? Ku janë kufijtë?
Si do që të jetë, Facebook-u, edhe pse kaq i diskutueshëm, do të vazhdojë edhe më tutje dhe do të marrë përmasa si çdo drogë tjetër e shoqërisë. Facebook’sat do ta kërkojë edhe më tutje atë çka u nevojitet, e ndoshta edhe do ta gjejnë. Si në çdo hapësirë, ku njerëzit takohen dhe komunikojnë, edhe këtu do të ketë takime, ndarje, zhgënjime, momente ngazëlluese, shkëmbime informatash, këmbime të momenteve të vetmuara me biseda të kota...
Do të thotë, në këtë makineri të përpunimit të ndjenjave, do të ketë çdo gjë, por nuk do të ketë vetëm ndjenja të gjalla. Si fenomen sociologjik, mund të sqarohet si një paradoks, sepse duke tentuar për të ikur nga vetmia që na shkaktohet nga varshmëritë që i mbajmë me vete, futemi në një izolim dhe në një varshmëri edhe më të thellë. Por, ndoshta vlen edhe këtu ajo fjala e urtë popullore: “Pyka me pykë nxirret!”
Kjo nuk vlen për njerëzit afaristë dhe të njohur, të cilët këtë medium e përdorin për marketing dhe për popullaritet.
Një këshillë nga hartuesja e këtij teksti: shëtisni sa të shëtisni, por kujdes – mos e humbni veten, se nuk ia vlen!
(Autorja është inxhiniere, punon në Senatin e Berlinit, sektori i zhvillimit të qytetit)


Agim Gashi
Agim Gashi
Administrator
Administrator

Numri i postimeve : 45955
Age : 70
Location : Kosovë
Registration date : 17/11/2008

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Mbrapsht në krye

- Similar topics

 
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi