Akllapi Net - Forum i Hapur
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

Gjekë Gjonlekaj:Vëllezërit, Mark e Kolë Miri, janë nderi i kombit

Shko poshtë

Gjekë Gjonlekaj:Vëllezërit, Mark e Kolë Miri, janë nderi i kombit Empty Gjekë Gjonlekaj:Vëllezërit, Mark e Kolë Miri, janë nderi i kombit

Mesazh nga Agim Gashi Mon Feb 28, 2011 11:37 pm


Vëllezërit, Mark e Kolë Miri, janë nderi i kombit

Gjekё Gjonlekaj- Nju-Jork
Me rastin e 100 vjetorit të lindjes sё Kolё Mirit


Sjelljet heroike dhe fisnike tё disa njerëzve mbeten nё kujtesë dhe nuk shlyhen kurrë për jetë. Secili prej nesh ruan kujtime tё veçanta pёr disa personalitete tё shoqёrisё me tё cilët ka jetuar. Edhe ne ruajmë kujtime tё mira dhe mbresëlёnёse pёr disa bashkatdhetar tё vendlindjes dhe nga disa tё tjerë me tё cilёt u njohëm kёtu nё Amerikë. New York-u ёshtё një Arbëri e vogël pasi këtu jetojnë e veprojnë shqiptarë nga tё gjitha trevat ilire. Nё vendlindjen time nё Malёsi tё Madhe kisha dёgjuar shumё pёr disa trima malёsorё qё ishin shquar gjatё Luftёs sё Dytё Botёrore. Atje kisha dёgjuar pёr martirёt e Malёsisё, pёr tragjedinё e Dodё Smajlit dhe tё Zef Miliqit. Kisha dёgjuar shumё edhe pёr Mark Mirin dhe Kolё Mirin. Pas Luftёs sё Dytё Botёrore ata ishin simbol i besёs dhe i qёndresёs. Doda e Zefi ishin vrarё nga forcat komuniste serbo-malazeze.

Rapsodët shqiptarë këndonin për qёndresёn e tyre heroike

Ndёrsa pёr kalvarin e Mark Mirit dhe tё Kolё Mirit flitej edhe mё shumё. Lufta e Dytё Botёrore dhe diktaturat komuniste sollёn rrёnime e mundime tё mёdha nё tokat shqiptare. Por Lufta e Kelmendit i tёrboi edhe mё shumё partizanёt komunistё shqiptaro-jugosllavё, sepse pёsuan rёndё nё kёtё Luftё dhe si pasojё u vёrsulёn kundёr disa personaliteteve tё njohura tё Malёsisё sё Madhe, ku bёnte pjesё edhe kapiten Gjelosh Luli. Ky pinjoll i Familjes sё Dedё Gjo’Lulit kishte ishte oficer i larte ushtarak nё Shqipёri dhe pёrveç punёve tё rёndёsishme nё mbrojtje tё atdheut kishte shёrbyer si pedagog nё Gjimnazin Jezuit tё Shkodrёs. Ky atdhetar i Familjes legjendare tё Dedё Gjo’Lulit ishte nderuar shumё nga shoqёria shqiptare. Kapiten Gjelosh Luli e kishte kuptuar mirё dhe me kohё humbjen e forcave nacionaliste. Nё tё gjitha mbledhjet dhe takimet shoqёrore bёnte thirrje pёr qetёsi e paqe. U shqua sidomos me njё fjalim te Kisha e Hotit,duke u bёrё thirrje malёsorёve pёr qetёsi. Nё atё kohё pothuajse tё gjithё krerёt e forcave nacionaliste ishin larguar nga Shqipёria. Shumica ishin vendosur nё Itali. Gjelosh Luli kishte lidhje e miqёsi me disa prej atyre krerёve. Por megjithatё nuk u largua nga atdheu. Pёlqeu mё shumё mundimet e vdekjen nё atdhe se largimin pёrgjithmonё. Kёshtu edhe ndodhi. Por ishte betuar qё nuk u bjen nё dorё kurrё forcave komuniste. Nuk kishte rrugё tjetёr vetёm strehimin nё shpellat e Malёsisё sё Madhe. Forcat komuniste shqiptare dhe jugosllave e kёrkonin pёr ta kapur tё gjallё. Gjelosh Luli ishte nё dijeni pёr kёtё komplot. Pёr tё mos u ra nё dorё partizanёve komunistё, kёrkoi shpёtim tek Mark Miri dhe Kolё Miri i Hotit. Pas fjalimit te Kisha e Hotit mё 17 Janar tё vitit 1945 filloi Golgota e Gjelosh Lulit dhe e besnikёve tё tij. Nё kёtё qёndresё heroike mori pjesё edhe Mark Gjeloshi i Traboinit. Ata e strehuan nё shpellё. Komunistёt i kapёn Markun e Kolёn dhe i munduan nё mёnyrat mё barbare pёr tё treguar shpellёn ku e kishin strehuar Gjelosh Lulin.

Torturat e tmerrshme të diktaturës komunistë

Torturat mё çnjerëzore përjetuan edhe gratë e kësaj shtëpie sidomos nёna e tyre Pare Dulja dhe e shoqja e Kolёs, Djellushe Lekja, e cila kishte vetёm disa javё martese. Vendlindja e Dedё Gjo’Lulit pёrjetoi ditёt mё tё vёshtira tё historisё. Mark Mirin e kam takuar vetёm njё herё nё New York para 30-vjetёsh. Nё shtёpinё e tyre kishte shumё mysafirё dhe nuk kishim mundёsi tё bisedojmё gjerёsisht. Ishte shumё i qetё dhe i dashur. Edhe pse nё moshё tё shtyrё pёr nder tё mysafirve qёndronte tёrё kohёn nё kёmbё. Kishte njё pamje ёngjullore. Ndёrsa vёllau i tij Kolё Miri imigroi nё Shtetet e Bashkuara me familjen e tij tё ngushtё nё fillim tё viteve ‘70. U largua nga Bardhajt e Hotit nё kohёn e emigrimeve tё mёdha tё malёsorёve shqiptarё nё Amerikё. Kolё Mirin e kam takuar dhjetëra herё. Kam biseduar me tё pёr shumё çёshtje, sidomos pёr mundimet e tyre gjatё viteve tё strehimit tё Gjelosh Lulit. Bisedat pёr atё periudhё tragjike e shqetёsonin shumё. Tregonte shumё pёr vuajtjet e Gjelosh Lulit nёpёr shpella. Mehmet Shehu kishte dhёnё urdhёr qё Gjelosh Luli tё kapej gjallё. Dhe nё kёtё mision barbar kishte dёrguar oficerin famёkeq bolshevik Toger Babёn. Ndёrsa nga ana jugollave kёtё mision e kishte marrё pёrsipёr kasapi i Malёsisё, Bajo Stankoviqi, i cili kishte masakruar 6 malёsorё midis tyre edhe Zef Miliqin. Mё vonё Bajo Stanku siç e quanin nё Malёsi kishte ekzekutuar edhe disa shqiptarё tё tjerё. Tregimet e Kolё Mirit janё rrёfimet mё trishtuese qё kam dёgjuar nё jetё. E kishin rrahur qindra herё. Shumё herё ia kishin drejtuar tytat e pushkёve pёr ta vrarё. Ia kishin thyer krahun me qyt tё pushkёs. Mё nё fund tregonte Kola e kishin zhveshur lakuriq dhe futur nё hell mes dy zjarresh. Kola tregonte se luftёn mё tё madhe e bёri kur ata kёrkuan ta zhvishnin lakuriq. Nuk pranova asesi tregonte Kola. Hiqi brekët mё thanё. Jo pёr tё gjallё ishte pёrgjegjur burri i Malësisë. Po edhe Krishti ёshtё zhveshur lakuriq thanё ata .Jo nuk ёshtё e vёrtetё, Krishtin nuk e keni parё kurrё lakuriq. Bile as nё Kryq nuk ёshtё lakuriq. Tёrё kohёn mё mbanin lidhur nё hekura. Nё ato çaste nuk e kisha frikё vdekjen. Kur mё futёn nё hell mes dy zjarresh e ndjeva veten tepёr tё trishtuar. E panё se ёshtё e kotё dhe mё larguan prej zjarrit. Njёri prej tyre mё nxori musteqet dhe si pasojё mё shkonte gjaku rrёke. Mё jepnin vetёm ujё pёr tё mё mbajtur gjallё. Kishin frikё se mund tё vdesё pa u treguar se ku e kishim strehuar Gjelosh Lulin. Kёto mundime kishin zgjatur pothuajse dy vjet. Dhe pёr kёtё Marku dhe Kola pёrfunduan nё burgun jugosllav. Kolё Miri pёrjetoi mundimet e Krishtit.Pёr besёn dhe qёndresёn e Mark Mirit dhe tё Kolё Mirit ёshtё kёnduar e folur shumё. Ja disa vargje tё rapsodit tё njohur Gjergj Kolё Pali

Gurё pёr gurё e lypё ushtria

Porsi sytё e ruan Vёllazёria

Çka s’sprovojnё e çka s’durojnё

Nё shpella e fshehin s’e tregojnё

Doli kёnga mes dy malesh

Ky Kolё Miri mes dy zjarresh

Sali Mani ishte pritur disa herё me nderime tё mёdha nё shtёpinё e Kolё Mirit nё New York . Ai e nderonte Kolёn si tё ishte prind i tij. Kur rapsodёt kёndonin nё praninё e tij, Kolёs i shkonin lotёt sepse nё ato çaste pёrjetonte dhimbjet e Gjelosh Lulit, pasi disa vjet mё vonё e kishte marrё vesh se Gjeloshi kishte vdekur nё njё shpellё tё Kastratit. Asnjёherё nё jetё nuk u mburr pёr qёndresёn e tij heroike. Nuk kёrkonte krye vendit,bile edhe kur i ofrohej e refuzonte me kёmbёngulje. Nuk kishte asnjё pretendim nё jetё pёrveç nderit e respektit pёr tё tjerёt. Ishte trim, besnik dhe fisnik. Ishte tepёr i kujdesshёm pёr familje dhe pёr shoqёri. Ishte largёpamёs. Ishte tepёr modest.Kolё Miri ishte atdhetar. Nё vitin 1976 mori pjesё nё demonstratё pёr Kosovёn nё Uashington. Autoritetet jugosllave e keqtrajtuan pёr kёte aktivitet kombёtar gjatё vizitave nё vendlindje. Gjysma e kёsaj familje ishin shpёrngulur nё Shqipёri para Luftёs sё Dytё Botёrore. Ndёrsa njё pjesё e madhe e tyre imigruan mё vonё nё Shtetet e Bashkuara. Por as kёtu nuk i shpёtuan tragjedisё, sepse Simon Devukaj qё humbi jetёn nё Qendrёn Botёrore tё Tregёtisё nё New York me 11 Shtator tё vitit 2001 ishte nipi i Kolё Mirit, domethёnё djali i djalit tё tij. Humbja e Simonit ishte njё dhimbje e papёrshkrueshme pёr familjen dhe shoqёrinё. Tё gjitha ata qё humbёn jetёn me 11 Shtator 2001 nderohen nё mёnyrё tё veçantё nga Shtetet e Bashkuara. Njёherё e pyeta Kolёn. Çka kemi arrit qё kem ardhё nё Amerikё ? Ai u pёrgjegj: “Kemi humbur”. Nё ceremoninё e parё mortore tё nipit te tij shkruante Simon Dedvukaj is Missing ( ёshtё i humbur) sepse nga trupi i Simonit ёshtё gjetur vetёm njё copё ashti. Nё njё aksident tragjik automobilistik nё New York nё korrik tё vitit 2009, njё djalё i Familjes sё Kolё Mirit shpёtoi jetёn e njё voglushi dhe shpёtoi nga djegja dy fёmijё tё vdekur. Pjetri i Nocit tё Kolё Mirit ishte ato ditё nё qendёr tё vёmendjes pёr heroizmin e tij sepse e vuri jetёn e tij nё rrezik nё atё ngjarje tragjike qё e tronditi New York-un. Tё gjitha kanalet televizive dhe gazetat e revistat e New York-ut e vunё nё dukje heroizmin e Pjetёr Dedvukaj. Bile revista e njohur amerikane “People” e nderoi me fjalёn biblike samaritan. Pёr pothuajse 40-vjet nё Amerikё pritёn e nderuan nё shtёpinё e tyre shqiptarё nga tё gjitha trojet arbёrore. Sofra e shtёpisё sё Kolё Mirit ishte gjithmonё e shtruar pёr mysafirё. Nё kёtё shtёpi u shtruan dreka e darka pёr shumё personalitete shqiptare. Kolё Miri kishte lindur me 15 Shkurt tё vitit 1911 nё prag tё Kryengritjes sё Malёsisё. Vdiq nё New York nё pranverё tё vitit 1992. E kujtoj me rastin e 100-vjetorit tё lindjes kёtё burrё legjendar shqiptar. E kujtoj me dashuri e respekt kёtё vigan tё Malёsisё dhe Shqipёrisё. Toka ku pushojnё nё pёrjetёsi Mark Miri e Kolё Miri ёshtё vend historik. Ata janё nderi i kombit.
Agim Gashi
Agim Gashi
Administrator
Administrator

Numri i postimeve : 45955
Age : 70
Location : Kosovë
Registration date : 17/11/2008

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Mbrapsht në krye

- Similar topics

 
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi