Akllapi Net - Forum i Hapur
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

VIKTORIA XHAKO:ZONJA E VJETER(TREGIM)

Shko poshtë

VIKTORIA XHAKO:ZONJA E VJETER(TREGIM) Empty VIKTORIA XHAKO:ZONJA E VJETER(TREGIM)

Mesazh nga Agim Gashi Mon Mar 21, 2011 12:13 am

VIKTORIA XHAKO:ZONJA E VJETER(TREGIM) 174483_100000525636701_7075507_n
VIKTORIA XHAKO:ZONJA E VJETER(TREGIM)

Vinte çdo ditë e ulej në bankinë. Me fytyrën e zbehtë e të bukur kthyer nga dielli. Herë vetëm, herë e shoqëruar me dy zonja të tjera. Mosha ia kish ngjyer flokët, qëndisur fytyrën dhe trupin.Edhe zërin. Ia kish ulur tonet. Ia kish ulur fare. Ia kish kthyer në pëshpërimë. Unë punoja në kopsht. Duhej të mbaja familjen. Një punë nuk mjaftonte. Të gjitha orët e mia të lira i kaloja duke punuar kopshtin e këtij hoteli të madh. I afrohesha bankinës dhe dëgjoja copëza nga biseda e zonjave. Pëshpërimën e saj pothuaj nuk e dëgjoja. Por i shihja sytë, sytë që flisnin me pikëllimin e tyre. Kur ishte vetëm, unë gjeja më shumë punë rreth bankinës.
- Bir, - pëshpëriti një ditë.
Ngrita kokën I çuditur.
- Nga je? –
I thashë nga jam. Vura re që I ndryshoi fytyra. Një rozë e lehtë I kaloi mbi mollëzat e zbehta. Pastaj ato iu zbehën më shumë. Vazhdova punën. Nuk mund të bisedoja. Familja priste paratë. Bëja, ç`bëja e ngrija shikimin drejt saj. Po ajo nuk foli.
Atë ditë u ul vetëm në bankinë. Dielli ishte gjysmë i fshehur pas reve. Ajo zonjë e vjetër u mbështoll fort me shallin e saj të madh gri, në plumb. Se pse më kujtoi nënën time që ishte atje larg, pas detit, në rrëzë të atyre maleve. Mora xhaketën time varur në pemë. Me të në dorë iu afrova. Zgjati duart. Ia hodha supeve. Sytë e saj të pikelluar, më falenderuan.
- Bir, - pëshpëriti.
Vinte çdo ditë. Herë vetëm, herë e shoqëruar. Një ditë hapa çantën, nxora një panine mbështjellë në letër varaku dhe ia zgjata.E mori me dorë të dridhur. Një ditë tjetër hapa termosin e kafesë, nxora filxhanin që gruaja nuk harronte kurrë të ma fuste në çantë, ia mbusha. I qeshi fytyra.
- A mund të ulesh edhe ti? – më pyeti.
Ishte koha e pushimit. U ula. Mbusha kapakun e termosit me kafe. E pimë të dy në heshtje. Donte të fliste. Filloi diçka me zë të ulët. Pastaj u tërhoq. U mbështoll në shallin e saj të madh gri, në plumb. U mbështoll në heshtjen e saj. Ashtu qëndroi, e mbledhur kruspull, me fytyrën e zbehtë nga dielli.
Kur vinin edhe dy zonjat e tjera, niste biseda. Po ajo vetëm pëshpëriste diçka dhe mbështillej në heshtjen e saj.Më ndiqte me shikim.
Atë ditë ish përsëri vetëm. Këputa një trëndafil të madh rozë. Ia zgjata. I qeshi fytyra. Po sytë nuk e mbuluan dot pikëllimin. E vuri në hundë dhe m`u drejtua me keqardhje: -Nuk ia ndiej aromën! –Ishte tepër e vjetër.
Një ditë nuk e pashë më. As dy zonjat. Vazhdoja punën time. Në kohën e pushimit ulesha në bankinë, haja paninen mbështjellë në letër varaku, pija kafenë me kapakun e termosit edhe pse gruaja nuk harronte kurrë të ma fuste filxhanin në çantë.
- Eshtë në spital. – më thanë zonjat. - I kemi lajmëruar edhe dy fëmijët e saj, djalin dhe vajzën. Eshtë rëndë. Me sot, me nesër. Nuk njeh njeri. As fëmijët. –
U çudita që kishte fëmijë. Që kishte një jetë.
- Burri i është vrarë në luftë, atje, - dhe zgjati dorën drejt detit, drejt lindjes, njëra prej zonjave.
U drodha. Prandaj nuk paska folur! Nuk paska dashur të më prekte. Burri i saj qenka vrarë në vendin tim.
- Fëmijët i kane ikur herët nga shtëpia, - vazhdoi zonja. – Në fillim, vajza. U dashurua me një aktor dhe shkoi pas tij. Ishte shumë e re. Nuk foli me të ëmën. I la vetëm një letër, futur në zarf. Tamam ky zarf i zverdhur na njoftoi adresën e saj. Që nga ajo ditë nuk janë takuar më.-
M`u kujtua përsëri nëna ime, atje larg, që rri në pritje të një lajmi prej meje. I kërkova zonjës adresën e spitalit. U nisa pa mbaruar punën. U nisa në spital për të parë nënën time që më thirri “Bir! „
Nuk më lanë të hyja brenda. Ka të afërm të tjerë atje.
-Jam i biri, - thashë,- a kuptoni, i biri! –
Ma hapën derën duke më parë me çudi. Iu ngjita shkallëve me nxitim. Dhoma e parë, e dyta, tek e treta. Hap derën ngadalë. Një grua në moshë më doli përpara. Supeve mbante bluzën e bardhë. I kërkova leje t`i afrohem shtratit.
- Jam i biri, - i thashë.
Ajo zgurdulloi sytë. Më pa sikur të shihte para vetes një fantazmë.
- Eshtë e kotë, - tha. As ne fëmijëve nuk na njeh, nuk reagon. Do të mbarojë nga çasti në çast. -
Më çuditi gjakftohtësia e saj. Ngula këmbë në kërkesën time. T `i afrohesha shtratit, ta shihja për herë të fundit atë zonjë të mbështjellë në shallin e saj të madh gri, në plumb, që më thirri „bir“, ashtu si më thërret nëna ime atje larg, pas detit, në rrëzë të atyre maleve. Nuk i mbajta dot lotët. Iu afrova shtratit. Pashë atë fytyrë të hequr, tashmë transparente, me hijen e vdekjes si vello mbi të. Ia mbështolla dorën në duart e mia.
- Nënë, - pëshpërita.
Një muskul i padukshëm lëvizi në atë bardhësi vdekjeje. Një përpëlitje qepalle e padukshme. Një çast më vonë fytyra e saj u tendos, ngriu. Dhe ajo zonjë e vjetër nisi udhëtimin e saj të gjatë,e lumtur që dëgjoi zërin e të birit, atë zë, që do ta shoqëronte pafundësisht.

E enjte 17 mars 2011 ora 23:50
VIKTORIA XHAKO
(ZHORZH SAND)
Agim Gashi
Agim Gashi
Administrator
Administrator

Numri i postimeve : 45955
Age : 70
Location : Kosovë
Registration date : 17/11/2008

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Mbrapsht në krye

- Similar topics

 
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi