Akllapi Net - Forum i Hapur
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

Pozita dhe opozita përplasen në Kuvend për projektbuxhetin 2011

Shko poshtë

Pozita dhe opozita përplasen në Kuvend për projektbuxhetin 2011 Empty Pozita dhe opozita përplasen në Kuvend për projektbuxhetin 2011

Mesazh nga Agim Gashi Fri Mar 25, 2011 8:40 pm


Pozita dhe opozita përplasen në Kuvend për projektbuxhetin 2011



Pozita dhe opozita përplasen në Kuvend për projektbuxhetin 2011 3rezoluta-Kuvendi


Kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi ka kërkuar mbështetjen e ligjvënësve për projektbuxhetin e vitit 2011, duke thënë se ky buxhet do të ndikojë në përmirësimin e jetës së qytetarëve dhe të shërbimeve të përgjithshme në Kosovë. Ai ka kërkuar nga grupet parlamentare që të dalin mbi interesat e ngushta partiake dhe të mbështesin buxhetin, i cili parasheh rritje të pagave të punëtorëve, rritje të investimeve kapitale dhe zhvillim ekonomik. Opozita ka paralajmëruar kundërshtimin e këtij projektbuxheti, ndërkohë ka kërkuar që të kthehet në Qeveri për rishikim.

Kreu i ekzekutivit të vendit ka theksuar se ky projektbuxhet është reflektim i programit ekonomik dhe përmirësimit të gjendjes ekonomike të qytetarëve të Kosovës.

Ai ka theksuar se të dhënat aktuale dëshmojnë se ekonomia e Kosovës ka arritur të shënojë një rritje mbi 4 për qind gjatë vitit 2010, ndërsa për vitin 2011 parashihet rritje prej 5.3 për qind.

Thaçi ka thënë se ekonomia e Kosovës arriti të tejkalojë krizën globale, përderisa ka thënë se shpenzimet buxhetore për vitin 2010 është paraparë të jenë 19 për qind më të larta se vitin e kaluar, përkatësisht 1 miliard e 434 milionë euro.

Në fjalën e tij, kryeministri Thaçi është ndalur veçmas tek rritja e pagave, duke kërkuar mbështetje, pikërisht për këtë pikë të buxhetit të Kosovës.

"Jemi të bindur që masat të cilat janë marrë për ngritje pagash janë të besueshme, reale dhe mund t'i realizojmë, ashtu siç i kemi premtuar në negociatat me kwto institucione dhe siç është i paraparë me këtë projektbuxhet. Jam i bindur se procesi edhe me FMN-në do të përmbyllet me sukses, sepse Qeveria është e përgjegjshme për obligimet që ka në marrëveshje me programin e FMN-së", ka thënë Thaçi.

Thaçi ka thënë se pagat minimale ekzistuese nuk garantojnë shërbime cilësore dhe administratë cilësore në shërbim të qytetarëve, prandaj duke e pasur parasysh këtë ka thënë se ka dashur që përmes rritjes së pagave të ndryshojë gjendjen aktuale.

"Unë dhe Qeveria nuk mund të lejojmë që dinjiteti i punëtorëve dhe kategorive tjera të nëpërkëmbet edhe më tutje. Punëtoria e Kosovës nuk ka pasur paga, deri tani është shërbyer, mund të them me ndihma sociale. Tani do ta ndryshojmë këtë gjendje. Vendimi i Qeverisë synon ta përmbyllë këtë gjendje dhe e di që me këtë rritje, standardi jetësor do të ndryshojë për të mirë. Kjo do të ndikojë në përmirësimin e shërbimeve për gjithë qytetarët tanë. Jam krenar për një vendim të tillë dhe jam mëse i sigurt në mbështetjen tuaj për rritjen e pagave. Sot nuk do dëshiroja që të shoh ndarje në baza partiake për rritjen e pagave. Ju ftoj të gjithëve që të ngrihen mbi motivet e ngushta partiake, të ngriteni dhe të mbështetni ngritjen e pagave për të gjitha kategoritë", ka deklaruar Thaçi.

Ndërkohë, ministri i Financave, Bedri Hamza ka thënë se të hyrat buxhetore për vitin 2011 është paraparë të jenë 1.264 miliardë euro, përderisa vetëm nga Administrata Tatimore do të ketë të hyra prej 261 milionë euro.

Ai ka thënë se derisa vitin e kaluar kishte 456 milionë euro investime kapitale, për vitin 2011 janë paraparë 572 investime kapitale, ose 26 për qind më shumë.

Hamza ka kërkuar nga deputetët votën për projektligjin për buxhetin, duke thënë garantuar se është një projektbuxhet i punuar në mënyrë profesionale.

"Ju siguroj se projektbuxheti 2011 është profesional, i cili vetëm me mbështetjen tuaj mund të implementohet dhe të jetë në shërbim të qytetarëve. Vota pro buxhetit do të thotë votë për përmirësimin e mirëqenies së 70 mijë familjeve të Kosovës, do të thotë votë për përmirësimin e jetës së familjeve më meritore, familjeve të dëshmorëve, invalidëve të luftës, vota por këtij buxheti është votë pro mundësisë dhe implementimin e Ligjit për kategorive të luftës, për vazhdimin e shumë rrugëve regjionale dhe autostradës, për librat falas për nxënësit, për rregullimin e shumë çështjeve në fushën e kulturës. Ne si Ministri e Financave do t'i evidencojmë të gjitha vërejtjet dhe kritikat që gjatë punës së komisioneve funksionale të përfshihen dhe ky ligj të begatohet dhe pasurohet", ka thënë Hamza.

Por mbështetje për këtë projektbuxhet kanë paralajmëruar vetëm partitë e koalicionit, përderisa edhe Komisioni për buxhet dhe financa ka shprehur mbështetjen për miratimin në parim të projektbuxhetit, përderisa opozita, ka paralajmëruar kundërshtimin e saj dhe ka kërkuar që projektbuxheti t'i kthehet qeverisë.

Naser Osmani, deputet i LDK-së ka thënë se ky buxhet është një projekt i bazuar në interesa të ngushta politike, pa koncept zhvillimor i cili rrezikon stabilitetin financiar dhe zhvillimor të vendit, rrezikon qëndrueshmërinë për vitin 2012 dhe vitet tjera.

Sipas tij, me këtë buxhet dëshmohet se qeverisë i mungon vizioni dhe strategjia zhvillimore në përputhje me kornizën afatmesme të shpenzimeve.

"Projektbuxheti nuk parasheh rritje të pagave sipas premtimeve të zotit Thaçi, 30, 40 dhe 50 për qind, por parasheh rritje prej 23 për qind. Pagat me këtë buxhet kanë shënuar rritje në vlerë prej 72 milionë euro në vend të 140 milionë siç është premtuar. Kjo flet se premtimi për rritjen e pagave që zoti Thaçi e bëri gjatë fushatës zgjedhore me të cilin premtim i bleu votat, ka qenë i papërgjegjshëm dhe nuk është bërë ashtu siç është thënë", ka thënë Osmani.

Ai e ka konsideruar si kamuflim të privatizimit të PTK-së përmes nenit 4 të projektbuxhetit, duke thënë se kjo është në kundërshtim me Ligjin për ndërmarrjet publike dhe Kushtetutën e Kosovës.

"LDK vlerëson se projektbuxheti duhet t'i kthehet Qeverisë në rishqyrtim në mënyrë që buxheti të garantojë qëndrueshmëri për këtë vit dhe dy vitet e ardhshme", ka thënë deputeti i LDK-së.

Ndërkaq shefi i Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Visar Ymeri e ka quajtur buxhetin e vitit 2011, si buxhet të mjerimit të qytetarëve të Kosovës.

"Papunësia është alarmante në 45 për qind. Kjo e dhënë flet për mjerimin ekonomik. Si jeton një qytetar me 92 centë, e blenë një bukë që kushton 40 centë, dhe pastaj edhe një bukë 40 centë. Kaq", ka thënë Ymeri.

Edhe për privatizimin e PTK-së ai ka shprehur kundërshtimin e Vetëvendosjes, përderisa ka thënë se e mbështet masën e protestuesve në Sheshin Nëna Terezë kundër privatizimit të PTK-së.

"Me buxhet të këtillë vetëm sa po e vazhdojmë mjerimin. E ky mjerim është bërë kafshatë e madhe për popullin e Kosovës. Na tregoni se si do ta bindni popullin për këtë buxhet që na e keni sjellë këtu", ka thënë ai.

Ndërkaq, shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Ardian Gjini, ka theksuar se përmes këtij projektbuxheti Qeveria po kamuflon kulturën e punës, e cila sipas tij, nuk ka ndryshuar aspak nga kultura e vitit të kaluar.

"Rritja e pagave për Kosovën prej buxhetit, prej mjeteve që mblidhen nga secili qytetar i Kosovës, nuk është e barabartë, përderisa efekti i rritjes së çmimeve për shkak të rritjes së pagave, është i barabartë. Dikujt i është rritur paga e dikujt jo, e efekti i rritjes së pagave do të shkaktojë më shumë varfëri sesa përmirësim të jetës së qytetarëve të Kosovës", ka thënë Gjini.

Ai po ashtu ka kritikuar për ndarje jo të mirë të buxhetit për komunat, duke veçuar në këtë rast komunën e Therandës. Mirëpo kryeministri Thaçi i është kundërpërgjigjur, duke thënë se pikërisht Theranda do të jetë komuna që do të ketë përfitime të mëdha me autostradën e cila do të kalojë nëpër këtë komunë.

Sidoqoftë, Gjini ka paralajmëruar mbështetje në parim për projektbuxhetin, por me kusht që të hiqet neni 4 që përfshinë privatizimin e PTK-së, dhe të ketë një ndarje të barabartë të buxhetit për komunat.

Ndryshe, ligjvënësit po vazhdojnë debatin për projektbuxhetin e vitit 2011, ndërkaq pozita dhe opozita vazhdojnë të përballen me qëndrime të kundërta, të përcjella edhe me akuza dhe kundërakuza.
Agim Gashi
Agim Gashi
Administrator
Administrator

Numri i postimeve : 45955
Age : 70
Location : Kosovë
Registration date : 17/11/2008

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Mbrapsht në krye

- Similar topics

 
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi